Kulturë
Agron Tufa: Letër Gencit dhe Vilsonit në 40-vjetorin e pushkatimit
E premte, 17.07.2020, 09:23 PM
Letër Gencit dhe Vilsonit në 40-vjetorin e pushkatimit
Të
dashur Genc dhe Vilson,
Nëse
ekziston bota e përmatanshme (dhe unë nuk jam në gjendje t’ia refuzoj këtë as
vetes, as juve dhe askujt që e beson), atëherë sot, pra, u mbushën 40 vjet, që
shpirtërat tuaj shtegtojnë në hapësirat e pamata të Përjetësisë. Sigurisht, e
dimë, se liria juaj e amëshuar nuk është e kërcënuar në ato sinore, nga asnjë
kushtëzim, nga asnjë kompromis.
Kam
qenë në Berzezhdën tuaj këtij viti, kur pranvera si një dragua i gjelbër e
pikëlor sa kishte shpërthyer mbi shpat e luginë. Për pak sa nuk më shkrepën
dënesat, Genc, në gurin e sheshtë të obrrit të shtëpisë tënde të rrënuar. Vetëm
ai kishte mbetur aty, midis barit të oborrit, midis rrënojave të mureve
përreth. I sheshtë, paralelpiped, e i lëmuar nga prekjet e shumta. Jot motër
thoshte se ishte vendi yt i preferuar ç'prej miturie. Mundohesha të të
imagjonoj, si uleshe aty i vogël, me tasin e përsheshit, e mandej, në vijim, me
rritën tënde, si kaloje orë të tëra, duke ndjekur lindjet dhe perëndimet e
diellit, duke lexuar, medituar, ëndërruar, duke shkruar motivet e para, si
uleshe mbrëmjeve vonë, i dërrmuar nga zhgënjimet e një jete, që po mbyllte para
teje të gjitha perspektivat e ëmbla...
Kam
qenë tek shtëpia jote Vilson. Jam rrënqethur nga ngjashmëria me shtëpinë time
të fëmijërisë. Mundohesha ta përshkoj me sytë e tu peisazhin piktoresk të
luginës së Shkumbinit, që hapej nga ai ballkon lartësie. Mundohesha ta përshkoj
peisazhin, ta imagjinoj me sytë e tu të gjallë, me vlimet e pasionet, me
fluturimet e tua pindarike, me vizionet që të lejonin të merrje arratinë nga
realiteti mizerabël, për t'i dhënë krahë imagjinatës, i projektuar në një botë
të lirë.
Ç'të
keqe do të kishte atdheu ynë prej muzave tuaja?
Pse
duhej t'u ndërpritej bujtja juaj në këtë tokë hidhërimesh, o vizitorë të
trishtuar?
Këtë
mund ta dinë vetëm persekutorët tuaj, ajo shpesëri e përzishme nate!
Të
dashur Genc dhe Vilson,
Nuk
e di nëse ia keni idenë, se si kanë shkuar e shkojnë punët në këtë tokë të
Atdheut tonë, të cilën ju e deshët dhe e pavdekësuat me lirën tuaj poetike. Nuk
e di nëse ia keni idenë se si po shkon fati i sivëllezërve tuaj më të vegjël
poetë, në Trishtoren tokësore të këtij atdheu të përbashkët. Por, me të drejtë
e më të voglit, fare pak fjalë mund t'ua nis unë, në këtë ditë përkujtimore,
kur farisejtë tanë të kuq, të etur për gjak, u mblodhën dhe vendosën t'ua
ndërpresin jetën e këtushme tokësore, ndonëse ata pjella të Kainit, nuk mundën
dot t'i zhbëjnë gjurmët tuaja të pashlyeshme. Ato tashmë janë të gjalla e të
pavdekshme në qindra vargje anembanë atdheut.
Do
thënë, se edhe në këtë mision të së Keqes, farisejtë e diktaturës komuniste
dolën të dështuar, sepse në këtë përballje të lashtë, fiton ai që ka natyrë të
përjetshme - poeti, sikundërse humb ai, që ka natyrë të përkohshme, nomade -
diktatura.
Por,
siç thashë, vrasësit e djeshëm, sikundërse dhe të tjerë, të sotëm, simahorë të
diktaturës, përpiqen të na ndajnë me ju, me çdo kusht. Të vendosin murin midis
nesh (ndonëse nuk ia kanë dalë dhe mendoj, se kurrë nuk do t'ia dalin). Ata
përpiqen, që gjurmët e shpirtit tuaj, t'i fshijnë, e nëse kjo është e pamundur,
t'i fshehin, me shpresën e mjerë, se mos midis nesh do të rritet një pyll i
madh me drurë, gjethe e bar harrimi.
Nuk
kanë për t'ia dalë...
Nuk
kanë për t'ia dalë, sepse zëri juaj i gjallë, lira e shpirtit tuaj poetik,
dhembja dhe trishtimi për njerëzit e këtij vendi të ngopur në lot e hidhërim,
ka nevojë të tingëllojë si dyzet vjet më parë. Saharaja jonë është mbushur plot
me hijena e çakej, plot me orla e zogj të përzishëm nate. Saharaja jonë ende
vret... ajo vret kujtimet e shtrenjta, mendimin, përkushtimin për t'u lartësuar
mbi banalitetet e përditshmërisë sonë të mjerë. Saharaja jonë, edhe kur nuk
vret, përdhos.
Po
unë dua t'ju siguroj, se fjalët tuaja të dashurisë, dhimbjes dhe bukurisë janë
bërë testament për ne e për brezat që vijnë, natyrisht, për ata që e duan të
bukurën dhe të vërtetën. Për ju është bërë shumë, ndonëse kurrë aq, sa do të
donim ne. Vëllai juaj i gjakut, Bedriu, që i shpëtoi për fije tehut të vdekjes,
për t'i rrëfyer botës fytyrën e vërtetë të krimit, ashtu siç ishte ajo - një
meshë e zezë satanike, me flinë tuaj, në lulen e rinisë. Vëllau juaj i gjakut,
si në amanetet e lashta, nuk la gur pa lëvizur, dry pa shpërthyer, skutë pa
depërtuar, dhe ju zhburgosi nga arkivat sekrete. Ai nuk la xhep, sukë e përroskë
të vendlindjes pa kërkuar, derisa jua gjeti skeletet e tretura, për t'ju kthyer
një copë tokë të denjë në varrezat e të parëve, rrethuar nga nderimi i gjithë
shqiptarëve normalë anembanë atdheut.
Të
dashur Genc dhe Vilson,
Sot
mund të themi se janë të shumtë ata që kanë bërë diçka, sipas mundësive, për
rikthimin tuaj midis nesh, me vepra e me përmendore, me këngë, me tituj nderi,
me vend të artë ndër antologjitë e poezisë shqipe...
Por
kjo ende nuk mjafton plotësisht. Kjo është ende vetëm rrugë për të bërë drejt
jush. Sepse jeni e do të mbeteni pasqyra morale e poetëve martirë, që u
masakruan pse e donin të bukurën dhe lirinë, pse kishin një etje të pashuar e
mall për kulturën amtare e botërore. Ju jeni bijtë e civilizimit tonë. Dhe në
këtë 40 vjetor të ndarjes së dhunshme
prej
nesh, ajo që rëndon, ajo që ende vazhdon të na ngrysë në kujtimin tonë të
shenjtë për ju, është trashëgimia kainiane e vrasësve tuaj të djeshëm, që nuk e
thanë kurrë një fjalë pendimi.
Vrasësit
tuaj, vrasësit tanë...
E
pabesueshme karriera e tyre. I pabesueshëm cinizmi, mohimi, alibia, rrefuzimi
për të kërkuar ndjesë. Thonë, se vrasësja juaj e mbijetuar... E mbijetuar?! Jo!
E shpërblyer, e përkrahur dhe e lumturuar nga farisejtë e shtypit dhe lumpen-
kulturës. E pra, vrasësja juaj, Genc, paska shkruar një dramë, thonë, ku mëton
të lajë blanat e gjakut në skenë... d.m.th, një dramë ku ajo tjerr alibinë e
pafajësisë, dhe se Teatri ynë Kombëtar, mezi po e pret për ta vënë premierën e
kësaj surrogatoje të ledi Mak(th)beth-it. E pabesueshme lehtësia me të cilën
marionetat e shtypit dhe kulturës rreshtohen në anën e vrasësve! Kjo, më së
paku na thotë, se e keqja vazhdon të ketë përkrahës besnikë. E keqja vazhdon të
stërvisë, të rekrutojë ushtarët të rinj në frontin e vet publik, duke i dhënë
cilësi të keqe, krrupë e ndot lirisë tonë. Lirisë...?! Fjalë njëmend e fryrë...
Dhe
kjo e bën edhe më të shëmtuar krimin. Edhe më të urryer, edhe më të përbuzur
karierën e tyre të përgjakur, zhyerjen, kredhjen e tyre në mëkat! Ata janë
Saharaja që ka vrarë e vret çdo ditë.
Ç'të
them më shumë për këtë përvjetor të ndarjes suaj fizike? Sigurisht, e dimë, se
liria juaj e amshuar nuk është e kërcënuar në ato sinore, nga asnjë kushtëzim,
nga asnjë kompromis. Kurse e jona këtu, po! Me ndoht, me krrupë, me duhmë, me
neveri, të cilën mundohen të na e imponojnë si normë, si rregjim mendor e
shpirtëror frymimi. Por kjo mbetet të zgjidhet prej nesh. Dhe zgjidhjet
ekzistojnë, gjithmonë... pa asnjë kompromis! Ndryshe nuk do ta meritojmë dot
kurrë një mundësi takimi me ju, në mbretërinë e amshimit...
Me
këtë bindje dhe këtë shpresë, ju përcjell nderimet e mia në dyzet vjetorin e
pushkatimit tuaj,
Agron Tufa, 17 korrik
2017
P.S: Letër e autorit, e
dërguar dhe e lexuar në sallën tubimit përkujtimor të 40 vjetorit të pushkatimit
të poetëve martirë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, Librazhd, me 17 korrik 2017
Uran Kostreci, Sami Blloshmi - babai i poetit te pushkatuar Vilson Blloshmi, Rexhep Shahu, Agron Tufa para shtepise se poetit ne Berzheste