Kulturë
Lamtumirë, miku dhe shoku ynë i shtrenjtë, Prof. Murat Gecaj!
E enjte, 16.07.2020, 09:05 PM
Sa shumë rende…,sa shpejt që na ike!
Pas
një sëmundje të gjatë dhe të rëndë, sot më 16 korrik 2020, u nda nga jeta Prof.
Murat Gecaj. Ai u lind në fshatin Bujan të Malësisë së Gjakovës (Tropojë), në
një familje të thjeshtë e me tradita atdhetare. Shëtpia e tyre u bë bazë e
rëndësishme, ku strehohej “Heroi i Popullit”, Bajram Curri. Nëna e
la jetim, që në moshën 4-vjeçare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa
të mesmen në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”. Në shtator të vitit 1958, pasi u
lirua nga ushtria për arsye shëndetësore, ai nisi studimet e larta për
gjuhë-letërsi shqipe, në Universitetin e Tiranës. Aty kreu, me rezultate të
larta vitin e dytë, ku u përzgjodh për t’i vazhduar studimet në Universitetin
“Zhdanov” të ish- Leningradit, për t’u specializuar për dialektologji. Por, pas
ndërprerjes së marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik, Murati u rikthye në
Shqipëri, për t’i vazhduar studimet
në Fakultetin e Histori-Filologjisë për
gjuhë dhe letërsi, të cilat i përfundoi me rezultate të larta, në vitin
1963.Pas mbarimit të Universitetit, nga
që kishte filluar të shkruante që në moshën 14-vjeçare, ai u emërua redaktor në
gazetën javore të fëmijëve, “Pionieri”. Ndërsa në vitet 1966-1973, punoi me
rininë e kulturën, në qytetin “B.Curri”, ku
shkoi të punojë vullnetarisht, bashkë me familjen. Në janar 1974,
meqenëse ishte tepër aktiv me shkrimet e tij në shtypin qendror, u rikthye redaktor në gazetën e përditëshme “Bashkimi”.
Pasi shërbeu aty më shumë se shtatë vjet, u emërua redaktor në Gazetën
“Mësuesi”. Aty shërbeu për 22 vjet radhazi, deri sa doli në pension. Në vitin 1992 mori gradën “Doktor i shkencave
pedagogjike”, ndërsa katër vjet më pas, mori titullin e lartë“Profesor i asociuar”.
Murati,
edhe pse kishte vite që është larguar nga puna e përditshme e gazetarit, mendjen dhe shpirtin
nuk e ndau, për asnjë çast, nga shkrimet publicistike dhe studimore, aq
sa ne shokët dhe miqtë e tij të hershëm i thoshim, si me shaka:”Ku është lajmi e debati, atje është dhe Murati”. Ai,
me përkushtimin dhe pasionin e tij të rrallë, “bëhej sy e vesh” i ngjarjeve
dhe problematikave të shumta të kohës. Vazhdoi të shkruajë e të botojë
pa ndërprerë: artikuj, studime, libra..., me një problematikë, sa të gjerë aq
dhe të shumëllojshme.
Prof.
M.Gecaj shquhej edhe si veprimtar shoqëror. Ka mbi 15 vjet, që kryente me
pasion detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës së Arsimtarëve të
Shqipërisë, me qendër në Tiranë. Po kështu, ai ishte anëtar dhe “anëtar-nderi”
i mjaft shoqatave të tjera, të cilat
veprojnë brenda e jashtë vendit .
Për
punë të shquar në fushën e arsimit dhe të shtypit, Prof. Murat Gecaj është
dekoruar, me shumë Udhëra e Medalje. Ndërsa, për veprimtari të dendur
shoqërore, ai është nderuar me shumë “Mirënjohje”, të dhëna nga shoqata të
ndryshme, që funksionojnë brenda dhe jashtë vendit.
Me
përkushtimin dhe punën e tij të palodhur, Murati la pas gjurmë me vlera të
mëdha shoqërore. Ishte njeri i dashur dhe tepër i ëmbël. Kjo cilësi e tij e
rrallë e gjen shprehjen dhe në vargjet:”Murat Gecaj nga Tropoja/burim pena
mjaltë goja”, të cilat ja citonim, sa herë pinim kafe bashkë”.
Në
personalitetin e tij, ishin harmonizuar mirë
cilësitë njerëzore, me ato të intelektit krijues, Ne, miqtë, shokët dhe kolegët e tij të
hershëm, tek ai gjetëm shembullin e publicistit koherent dhe të studiuesit prodhimtar. Gjurmët e jetës
dinamike të Prof. M. Gecaj, brezat do t’i gjejnë të mishëruara në 17 librat e
tij të botuara, me problematikë të
larmishme e shumëplanshe: për publicistikën e pedagogjinë, për gjuhësinë e
dialektologjinë, për folklorin e letërsinë. Objekt i përmbajtjes së librave të
tij janë bërë, jo vetëm Shqipëria, por edhe Kosova, Shkupi, Ulqini,
Presheva dhe shumë vende të diasporës.
Me krijimtarinë e tij të larmishme, M. Gecaj u përçon brezave: pasionin dhe
dashurinë për kulturën dhe diturinë; gazetarisë, profesionalizmin dhe
përkushtimin; ndërsa shoqërisë, ëndrrën, shpresën, optimizmin dhe gatishmrinë
për t’i shërbyer asaj me devotshmëri.
Qofsh
i paharruar, miku dhe shoku ynë i
shtrenjtë Murat!
Nga:Bardhyl Xhama, Hysen
Ibrahimi, Sejdo Harka, Viron Kona, Kadri Tarelli, Arif Hasko.
Tiranë, më 16 korrik
2020