Kulturë
Armela Hysi: Pranvera Poetike në Likovë
E diele, 12.07.2020, 03:50 PM
Pranvera
Poetike në Likovë dhe Z. Ali Qerimi
Bashkëudhëtues
të Poezisë Shqipe
Nga
Armela Hysi
Poezia e gjen rrugën
gjithmonë për të ardhur, tek njerëzit. Për të ripërtërirë vetveten në shpirtin
dhe magjinë e saj. Përherë gjen dhe personat e përshtatshëm për t’u
manifestuar, ashtu hyjnore siç është. Edhe
në këto ditë që distancat sociale njehsuar me vetmi dhe frikë kishin pothuajse
pezulluar jetën në planet, i nderuari poeti dhe botuesi nga Likova, në
Maqedoninë e Veriut, z. Ali Qerimi nuk ndaloi së shpërndari fjalën poetike të
gjithë ngjyrimeve, si atë që shkruan ai vetë, ashtu edhe duke e botuar. Si poet
zoti Qerimi dallon për lirika të frymëzuara ku kondeson me art vyrtytet e
fjalës së tij poetike, dhe ato të vendit të tij. Si botues, e drejtor i Edronia Art Produksion ka marrë përsipër një
sërë botimesh në gjuhën shqipe, që shtojnë gamën e botimeve dhe krijojnë një
atmosferë cilësore kulturale, vitet e fundit ndihmuar e mbështetur edhe nga
Ministria e Kulturës së këtij vendi.
Nuk ka si të ndodh ndryshe,
sepse siç thotë i ndieri Leonard Cohen: “Poezia
është vetëm dëshmia e jetës. Nëse jeta juaj po digjet mirë, poezia s’është
veçse hiri.” Dhe s’mund të gjendet një jetë që digjet më mirë, se një jetë
që i përkushtohet kombit, gjuhës dhe artit.
Në këtë kuadër dhe me këtë
frymë e fuqi u zhvilluan në datën 28-29 Qershor edhe sivjet, Takimi Poetik
“Pranvera Poetike në Likovë”, një traditë kulturore tashmë, që realizon me
atdhedashuri e energji fitimtari, sido që me vështirësitë aktuale, për të
tretin vit, z. Ali Qerimi; mbështetur dhe financuar nga Ministria e Kulturës së
Republikës së Maqedonisë së Veriut si dhe me mbështetjen e Komunës së Likovës.
Veç fjalës së bukur, organizimit cilësor dhe dashamirësinë jo vetëm
profesionale, por në radhë të parë të shpirtit të gjerë, Edicioni i Tretë i
Takimit Poetik kishte dhe risinë të transmetohej on-line në radio
Cabrati,, në Austri, ku siç cilësoi vetë z. Qerimi, Kryetar i Shoqatës dhe
Drejtor i Shtëpisë Botuese Edronia: “Kështu u krijua mundësia që zërin poetik
nga atedheu ta ndëgjojne edhe mërgimtarët tanë!”
Të ftuarit e nderit prezent
në takim, kësaj radhe detyrimisht ishin më të pakët dhe jo nga vendet e largëta
jashtë kufijve të Maqedonisë së Veriut, por për të gjithë pjesëmarrja e tyre do
të qe e dukshme nëpërmjet poezive të dërguara e fjalës së tyre përshëndetëse,
që u recituan në auditor dhe përcollën emocionet e kësaj ngjarjeje të vyer
kulturore, për zonën dhe tërë shqiptarët kudo që gjenden.
Kështu pra bujtën në sofrën
mikpritëse të shtruar në Likovë, poetët nga Shkupi: Sami Sherifi; Tahir Seferi;
Rrahim Ganiu; Nuri Rexhepi-Dana; Era Qerimi; Semine Hasani; Afrim Shatku; Nehas
Sopaj; nga Kumanova poetët Selajdin Shabani; Arben Ibrahimi; Sunaj Rrahimi;
Fatos Rushiti; si dhe poetët Ismail Ganiu e Sejdi Jahiu nga Likova; Bajramali
Selimi, nga Gostivari; dhe poeti Bajram Ramadani nga Sllupcan.
Poezitë e poetëve shqiptarë
jashtë Maqedonisë së Veriut të cilat u dërguan në formë elektronike, u recituan
nga vetë zoti Ali Qerimi. Në këtë manifestim të poezisë nuk munguan as çmimet
simbolike për poezitë më të bukura të edicionit. Juria u përbë nga prof dr.
Sherif Selimi kryetar dhe zotërinjtë Ismail Ganiu dhe Ali Qerimi i cili
deklaroi për mediat: “Vendosëm për tre poezitë me të mira dhe shpallëm fituesit
e këtij takimi:
Vendi i Parë i takoi poetit
nga Kumanova profesor Sunaj Rahimit,
Vendi i Dytë i takoi poetes
e cila jeton në Athinë te Greqisë znj. Armela Hysi,
Vendi i Tretë i takoi poetit
me origjinë nga Çamëria Agim Bajrami.
Çmimi Special i Nderit, të
këtij takimi me emrin e atdhetarit, publicistit dhe Veprimtarit të Rilindjes
Shqiptare “Jashar Erebara”, iu nda poetit e veprimtarit Nuri Rexhepi-Dana.” –
z. Qerimi në vazhdim shprehu mirënjohjen për bashkëpunëtorët e miqtë e tij:
“Falenderoj edhe poetin Sami Sherifi i cili ndihmoi dhe ishte urë lidhje që
këto takime t’i tejkalojnë kufijtë dhe të ndëgjohet zëri poetik nga vendlindja,
prej gjithë bashkëatedhetarëve tanë.
Faleminderoj edhe dy
rapsodët z. Tahir Seferi dhe Halim Haliti, që na sollën tingujt e muzikës sonë
burimore!”
Nga poezitë e dërguara me
formë elektronike spikatën autorët:
Armela Hysi, Athinë; Agim
Bajrami, Durrës; Nehat Ramizi, Bujanovc; Sare Gjergji Viti; Gjin Morina,
Austri; Ibrahim Bakiji, Belgjikë; Brikena Qama, Athinë; Bardha Mance, Greqi;
Rovena Toska Koci, Berat- Shqipëri; Ildije Xhemali, Elbasan-Shqipëri.
Mbresat dhe vazhdimi i
traditës janë dhe trofetë më të mira nga ky takim si për organizatorët, ashtu
edhe për pjesmarrësit, dhe më gjerë për shqiptarët kudo që ndodhen, për kombin
e gjuhën shqipe, ndaj dhe falenderimet e të gjithëve që i drejtoheshin z. Ali
Qerimi për këtë aktivitet kishin dhe urimet dashamirëse për vazhdimësinë e tyre
në edicionet e reja pranverore!
Nderim, Suksese e Urimet më
të mira për në takimet e ardhëshme në Likovën Poetike!
A. Hysi. Athinë