Kulturë
Mevlud Buci: Basir Bushkashi - Qiejt e brengave
E hene, 20.07.2020, 05:48 PM
MJESHTËRIA ARTISTIKE DHE FIGURACIONI POETIK NË POEZITË E BASIR BUSHKASHIT
(Disa
mendime rreth librit më të ri të poetit të shquar, “Eseninit matjan”, Basir
Bushkashi, titulluar “Qiejt e brengave...”)
Nga
Mevlud BUCI, Studiues e publicist
Cilido lexues, veçanërisht studiues e publicist, kur rilexon
krijimtarinë poetit matjan e mbarëkombëtar, Basir Bushkashi, do të ndjente peshë
të rëndë në shpirt e në mendje, do të meditonte e, pse jo, edhe të shkruante e
argumentonte për lirikat filozofike, të thjeshta e domethënëse, të cilat të
japin kënaqësi, të frymëzojnë e mbi të gjitha të mësojnë sesi është vlera,
drita e shpirtit, mençuria e mbi të gjitha njeriu i kohës, njeriu i mirësisë,
sesi është dashuria e vërtetë, bukuria e madhështia e jetës njerëzore. Pa mëdyshje
e pa aspak hiperbolë e nostalgji, e themi qysh në fillim të këtij studimi të
thjeshtë, se poeti Bushkashi është një vlerë e shtuar për kombin, i përket një
brezi të shquar e gjurmëlënës, një poet me dritëlirì, me frymëzim dhe, mbi të
gjitha, i kuptueshëm e frymëzues për lexuesit e çdo moshe.
Mati i barotit, vendlindja, Mallunxa e fisnikërisë, shokët,
ngjarjet, momentet a gjurmët e jetës, fisnikëria njerzore e, mbi të gjitha,
drita e shpirtit dhe e zemrës pasqyrohen me tërë bukuritë në çdo varg e poezi, me
flladet e lulet e Dejës, me rrezatimin e hijeshinë e lëndinave, me dritësimin e
atdhetarisë e të dashurisë së vërtetë njerëzore.
Basir Bushkashi gdhend petalet e jetës, dukuritë e zërit të zemrës,
pasqyron me mjeshtëri të rrallë atë çka gëlon në zemrën e njeriut, atë që ngjan
me mineralet e thellësive, me artin e fjalës së mençurisë. Sa e thjeshtë, aq
edhe e thellë, sa e bukur, aq e madhërishme, sa lakonike, aq drithëruese është
poezia e këtij poeti dritëlirì. Përse?
Në të gjithë librat e Bushkashit, të cilët janë pasqyrë e dritës
hyjnore të shpirtit njerëzor e deri tek i fundit “Qiejt e brengave...”
pasqyrohet trinomi: Jetë-dashuri-dhimbje. Në këtë trinom bashkëjeton fjala e
mençur, mjeshtëria artistike, lirizmi i hollë drithërues dhe mbi të gjitha
filozofia, e cila bëhet moto frymëzuese e krenari për lexuesin.
Për poetin Bushkashi, për librat e tij, ku i afrohen të pesëmbëdhjetëve,
kanë shkruar shumë, janë botuar disa shkrime e janë gdhendur mendime të qarta të
argumentuara. Sidoqoftë, ne dhe cilido, ka vend për të shkruar në pafundësi për
krijimtarinë e këtij poeti të vërtetë, i cili me genin, me provat e botimet
brilante, i ngjan kurorës së Dejës e të Koratës së Matit.
Të tillë janë studiues të talentuar, si Albert Frashëri, Ndue
Dedaj, poetët Lindita Doda, Bajram Canameti, Kujtim Stana e plot të tjerë.
Krijimtaria e poetit Basir Bushkashi flet me filozofinë e vargut,
me gjetjet artistike, flet me sinqeritetin krijues e thellësinë e mendimit,
flet me filozofinë matjane, me mallin e bukuritë për vendlindjen, për jetën, për
vlerat e mbi të gjitha për enigmat e dashurisë së vërtetë.
Lexuesi, a studiuesi, tek vargjet e Bushkashit zbulon dritën e
altarit, mirësinë, bukurinë e virtytit, zbulon dritën e thjeshtësisë, zëlirinë,
mallin e dhimbjen.
Me të drejtë studiuesi i talentuar, prof. dr. Albert Frashëri që
nga Italia, midis të tjerash shkruan: “Basirit
i mjaftojn? dhjet? fjal? p?r t? rrëfyer dhimbjen e madhe t? varf?ris?. Nj?
dhimbje universale p?rpara t? cil?s drita humbet shk?lqimin e saj, sikur t?
ndjehej fajtore p?r vuajtjen njer?zore. Probleme t? tilla dramatike t? koh?s
son? në vargun e Basirit shndrrohen n? nj? urt?si kristaline p?r dit?t tona.” (“Qiejt e brengave...” ADA 2020).
Një poet që zotëron
mjeshtërinë figuron e laton fjalën, një poet, e sitë e kohës, një poet që njeh
jetën, njeriun, shpirtin, psikologjinë e mbi të gjitha karakteret e dukuritë
jetësore. Pra, në poezitë e tij, lexuesi i thjeshtë, politikani a shtetari, nxënësi
a mësuesi, studiuesi a historiani, bariu apo akademiku mëson se ç’është jeta,
si është e si duhet të jetë njeriu, sesi rrezatojnë vlerat, drita a shpirti,
djersa dhe drita e zemrës.
***
Përse gabova?!
Para pak kohësh, kur rilexova librin brilant: “Zjarre dhe
fllad...”, të të shquarit Bushkashi, i thashë: “I shtrenjti Basir, “Esenini i
Matit”, mos boto më, se ky libër është kulmor!”. Basiri nënqeshi dhe nuk m’u
zemërua. Kur mora librin “Qiejt e brengave...” meditova, vendosa të shkruaj se
e pashë se kisha gabuar nga dashamirësia dhe krenaria për botimet e tij. Ky libër,
“Qiejt e brengave...”, m’u duk një kurorë krijimtarie, një pasqyrë drite e
jete, një galeri e mjeshtërisë dhe figuracionit poetik.
“Qiejt e brengave...” janë qielli i dhimbjes, i dritëlirisë, i
varfërisë, janë jeta e një populli shpirtëdritë që vuan nga politika shterpë,
politikanët fallco të etur për karrierë e pasuri, të etur për padrejtësi.
Qysh në titullin alegorik, poeti Bushkashi, shpërfaq enigmën çnjerëzore,
betimin e kupolës të etur e të përbetuar për dredhì, shpërfaq mall e dashuri,
virtyte e mbi të gjitha krenari legjitime me vendlindjen, kombin, breznitë dhe
dritën e vlerave bashkëkohore.
“Fluturat e mallit”, me të cilën hapet botimi brilant “Qiejt e
brengave...”, shpërfaq kontrastin, antitezën njerëzore në një shoqëri të vetëquajtur
demokratike (në fakt demoshkërdhatë M.B.)
“...
Fluturat e
mallit
Malli vetë
Herë i ëmbël,
Herë i helmtë...” (Fluturat e
Mallit” fq. 13)
Poeti Bushkashi është mjeshtër i vargut, një “mjek” i jetës, një
psikolog i thellë e real i kohës, ku në poezi zbulon realitetin e hidhur që
kalojmë:
“...
Se kjo është
bota
Me të mirë e
të këqinj
Lum kush në
zemër
Nuk fsheh
gjarpërinj...” (“Ndjehem i ngazëllyer” fq. 15)
Metafora dhe simboli, epiteti metaforik, kontrasti antiteza,
krahasimi e mbi të gjitha përshkrimi mjeshtëror poetik shpërfaqen në poezitë e
librit brilant “Qiejt e brengave...”.
Poet i mesazheve të fisnikërisë, i dashurisë për Matin, Dibrën e
kombin, për vendlindjen. Penda e tij sikur pikon dritë, dashuri e fisnikëri
njerëzore:
“Sikur të
ndodhë,
Që s’do të
ndodhë kurrë:
Që të gjithë
matjanët
Të iknin
turrë...
Unë s’do të
lëvizja
Do t’rrija
këtu:
Me malet dhe
fushat,
Do të flisja
për Ju...” (“Me malet dhe fushat” fq. 17).
Mjeshtëria artistike e Bushkashit buron nga zotësia profesionale,
si pedagog letërsie, si bir i Matit, që njeh e don vendlindjen, traditat,
njeriun, që nga fija e barit, a flladi i malit, zbulon dritësimin e mineralit,
dritësimin e shpirtit njerëzor, të vërtetat, mirësitë, vlerat e virtytet.
Tek Bushkashi bleron thjeshtësia, ajo sesi e çfarë të kërkojë
njeriu-njeri e jo dredharaku i posteve e pasurive. Poeti ka një mendësi të
thellë, të gjerë reale, njerëzore:
“...
Në do të mendoni
Për bustin
tim
Mos u
shqetësoni
Se ku do të
jetë...
Mjafton, ju
lutem,
Një hije
bliri
Ndër fllade
të ëmbla
Të prehem i
qetë...” (Ndër fllade të ëmbla” fq. 21)
Poeti Bushkashi është mjeshtër i lirizmit poetik, i portretizimit
të vlerave. Ai ngre monumente përjetësie më të mëdha se dekoratat fallco
presidenciale, me orientime të partive shterpë. Ai skalit ato që i rrezatojnë
kombit, historisë e brezave:
“...
Me Matin në
shpirt, që nga lashtësia,
Dhembshur u
ndave, një ditë, nga kjo botë...
E thellë në
gji t’mori përjetësia
Parajsës së
shenjtë me borzilokë...” (“Dilaver Kurti” fq. 25)
E veçanta e vargut dhe e poezisë së Bushkashit është stuhiargjend,
me mjeshtëri artistike dhe figuracion të rrallë poetik. Ai flet me njeriun, me
kohën, me vlerat, ai flet me dritësimin e brezave. Është nder i madh për të
gjithë ne, për kohën, për Matin e për kombin, krijimtaria brilante e poetit të
shquar e talent i rrallë i Bushkashit.
Në këtë kohë katrahure e “demokratike”, shteti e shtetarët s’kanë
kohë të lexojnë e të mësojnë nga i talentuari, Basir Bushkashi. Ai s’ka nevojë
për lavde, as shkrime a vlerësime. Atë e vlerëson koha, e vërteta, talenti
mjeshtëria prej poeti të shquar, që i thur himne kombit, shpirtit, figurave,
vlerave e mbi të gjitha dritësinë, fisnikërinë matjane, kombëtare e atë bashkëkohore.
Figuracioni poetik i Bushkashit është i veçantë, origjinal, frymëzues e real.
Ai përdor fjalë e togfjalësha të rrallë filozofikë si në poezinë “Tërbimi”:
“...përlotur një qen...”, “...tërbuar nga dhimbja...”, “...si të qe luan...”,
“...n’çmendurinë e vet...”. Poeti veron përtej kohës: dje, sot dhe nesër. Ai është
si mjeku që diagnistikon kohën, të vërtetën, atë që populli i thjeshtë a i
drejtë nuk i shikon:
“...
Ata që
ishin...
Ata janë,
Dhe ata do
të jenë...
Gjersa helmi
T’groposet
thellë...” (“Ata” fq. 30)
Epiteti metaforik, simboli, krahasimet, antitezat e mbi të gjitha
përshkrimet poetike e filozofike mbizotërojnë në poezitë e poetit Basir
Bushkashi. Gati te çdo poezi bleron dashuria njerëzorja fisnikëria, e bukura, e
thjeshta e mbi të gjitha dlirësia e shpirtit poetik, që veçse një mendje e zemr
si Bushkashi e dritëson. Malli dhe dashuria, dlirësia e shpirtit prej poeti:
amanet atdhetar, hyjnor, njerëzor:
“...
Eh, sa të dashura më janë ato vende,
Ku
gjysh-stërgjyshërit flenë n’përjetësi!
Kur sytë të
mbyll, atyre dherave të ëmbël,
Dua të
tretem, diku, përbri...” (“Eh, sa të dashura” fq. 27)
Poeti Bushkashi shikon në horizont, ai portretizon kohën, ai shpërfill
politikanët, deputetët, sharlatanët e antivlerat:
“...
Dhe shiu i mallit
S’di ku do
t’bjerë
Pandërprerë.
E sërish
qielli
Do të çelë
blu
Harkuar
Me
ylberë...” (“Sërish qielli” fq. 29)
Poeti i ndjesisë, i mjeshtrisë artistike, i realitetit kohor, parë
në një vështrim dinjitoz e real. Përdorimi mjeshtëror i fjalës dhe i figurave,
gjetjet artistike e përshkrimet poetike jepen nëpërmjet thellësisë së mendimit,
lirizmit frymëzues. Poezia e Bushkashit na jep mesazhe njerëzore, vrullon
dashuri dhe të bën të meditosh, të ndjehesh sikur je mes flladesh, mes gjelbërimesh
plot aromë. Në vargjet e thjeshtë me ngarkesë emocionale, na jepen ide
filozofike, ku pasqyrohet artistikisht njerëzorja, realja dhe jeta në zhvillim:
“Syri,
Sheh
gjithçka.
Dhe gjithçka
ruan.
Po heq e
vuan:
Se një mërzi
Keqas e
vret:
S’sheh veten
e vet...” (“Syri” fq. 57)
Poezi të arrira, të frymëzuara e mbi të gjitha jepen me tone
lirike, me figuracion të larmishëm, të shkruara me mjeshtëri të rrallë
artistike.
Urime e penda dritë, poeti-mjeshtër i Matit e i kombit, Basir
Bushkashi!