Kerko: a
Ndue Ukaj: Liria e shprehjes është vlerë sublime
E diele, 03.05.2020, 07:15 PM
Ndue Ukaj:
Mediumet
fisnike, kanë mundësi të krijojnë mjedis të qetë dhe fisnik
Nëse
duam ta kërkojmë përsenë e kaosit tonë shoqëror, social dhe politik, deshëm ose
jo, përgjigjja na shpie kah përgjegjësia që kanë njerëzit që shkruajnë dhe
mediumet që transmetojnë mendime e ide.
...
Liria
e shprehjes është vlerë sublime, rrjedhimisht ekzistenciale, dhe si të tillë
duhet ta ruajmë.
Më
pëlqen në këtë ditë me rëndësi për lirinë e shprehjes të citoj Albert Camu-n,
këtë shkrimtar jashtëzakonisht të ditur dhe dritëdhënës:
“Liria
pa kufi është e kundërta e lirisë. Vetëm tiranët mund të ushtrojnë lirinë pa
limite; dhe për shembull, Hitleri ishte relativisht një njeri i lirë, i vetmi
në të gjithë perandorinë e tij. Por nëse duam të ushtrojmë një liri të vërtetë,
nuk mund të ushtrohet vetëm në interes të individit që e ushtron. Liria ka
patur gjithmonë si kufi, lirinë e të tjerëve.”
Ky
përkufizim i bukur, për mua, vlen edhe për lirinë e shprehjes.
...
Me
siguri, ne një shoqëri të shëndoshë, ku liria e shprehjes kuptohet drejt dhe
nuk abuzohet me të, aty nuk bëhen model shoqëror autoritetet e rreme, që
çaraveshen e nuk dinë çka duan e çka thonë. Aty nuk mbillet terror e nuk
kultivohen mendime shterpe.
Për
më tepër, në një mjedis social, kulturor e politik, ku liria e shprehjes
kuptohet drejt, aty nuk defilojnë nëpër media gjithfarë marrinash e intrigash.
...
Shoqëria
jonë e dërmuar, ka nevojë për një këndellje shpirtërore, për një ripërtëritje,
dhe për këtë, kontribut të jashtëzakonshëm mund të japin mediumet fisnike dhe
të përgjegjshme, që udhëhiqet nga parime etike e profesionale dhe jo nga
instinkte e impulse të çoroditura.
Shoqëria
jonë lëngon për shkak të përhapjes së murtajë e gjuhës, të intrigave dhe të
mashtrimit. E kjo amulli, ka krijuar terren fantastik për profetë të rremë,
liderë të pjerdhur, karagjozë e mediokër, dhe ka tkurrë hapësirën për vlera të
njëmenda, fisnike e humane.
Shoqëria
jonë - jo vetëm so - por për çdo ditë duhet të kujtojë lutjen e madhe dhe të
vlefshme të Faik Konicës:
"Ati
ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s'kemi gjë për të
thënë. Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të!
Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me
paanësi, por dhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet
e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!"
Sepse
kjo lutje ka fuqi katharsisi, dhe duke e marrë si model udhërrëfyes, atdheut,
të tashmes dhe të ardhmes së tij, i bëjmë shërbimin më të mirë.