Kulturë
Viron Kona: Delo Isufi - Vajza e manaferrave
E enjte, 02.04.2020, 10:54 AM
“Vajza e manaferrave”, një xhevahir i ri në gjerdanin poetik të Delo Isufit
Nga Viron
KONA
"Drit? e bukuris? nga qielli zbriti,
Andej nga vijn? vet?m perrit?,
Jargavan?t çelen lule
shpirti,
Aroma e tyre marrosi per?ndit?.”
Kam përpara vëllimin më të ri poetik të Delo Isufit
“Vajza e manaferrave” dhe nuk di pse më
kujtohet koha kur lexonim librin e tij
të parë me poezi: “Magjia e syve”. Ime
bijë, sa s`ma rrëmbeu librin nga dora ende pa e mbaruar dhe nisi të lexonte me
etje e përqendrim. Pak ditë më vonë, e kërkova përsëri librin, por ajo më tha
me ndrojtje se ia kishte dhënë një shoqeje dhe, ndërsa unë e “urdhërova” që të
shkonte e të ma sillte menjëherë librin, ajo shkoi e u kthye e përskuqur në
fytyrë dhe më tha se shoqja e saj i kishte dhënë një shoqeje tjetër. Mesa
kuptova, libri i Delos kish nisur të kalonte dorë më dorë mes fqinjave,
shoqeve të vajzs sime. E ndërsa unë,
vijoja avazin e “grindjes” me time bijë, ime shoqe, që të më zbuste zemërimin,
më tha: “Po ti vet ke thënë se poezia
është e lirë si zogu dhe shkon e fluturon nga s`e pret!”
Kur e kishim përuruar atë libër, me ne ishte dhe poeti
dhe kritiku i njohur shqiptar, por dhe miku ynë, i miri dhe i dituri Perikli
Jorgoni. Mbaj mend që i thashë me humor se, “Deloja na ka futur në sherr” me
këtë libër”. Ai bëri buzën në gaz dhe tha:“Poezia e Delos përcjellë shumë
vlera, por veçanërisht në poezinë erotike është një zë tepër i veçantë.”
Që nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite dhe, libra të
tjerë të Delos zbukurojnë jo vetëm
etazherin tim, por në radhë të parë mendjet e lexuesve, ata shfaqen të bukur
njëri pas tjetrit si ditët e pranverës,
secili me gjelbërimin, ngjyrat dhe me
begatinë e tij: “Magjia e syve”, poezi,
1998, “Lulet e zemrës, poezi, 2003, “Kur lahet hëna” poezi, 2006, “Ndjej tek
ikën”, novelë 2008, “Ëndërr e grisur”, poezi, 2012, “Tavolinë rezervuar”, poezi, 2016. Dhe, ja, tani “Vajza
e manaferrave”…
Poezitë lirike janë nga më të spikaturat në krijimtarinë
e Delo Isufit. Aty ai shkëlqen me tërë bukurinë
e ndjenjave, të fjalës dhe të mendimit, aty frymëzimi i tij hap krahët
si zgalemat e lirë në fluturim, që lëvizin në hapësirën qiellore kohë e pa
kohë, në kohë me diell dhe me shtrëngatë, në shi e dëborë. Mbase kjo lidhet dhe
me vet profesionin bazë të Delo Isufit, pilot i avionëve supersonik, që i ka
rënë qiejve të Shqipërisë anë e kënd,
dhe, mbase, atëherë, në ato lartësi dhe me shpejtësi marramendëse, atij i
shfaqej vagëllimthi fytyra e vajzës engjëllore që, atje lart ndizte vetëtimat
dhe dritat e yjeve shkëlqimtarë... E cila vajzë nuk do të kishte dëshirë që,
dikush ta ëndërronte atje në lartësitë qiellore, atje ku mblidheshin dhe
kuvendonin hyjneshat dhe perënditë?
Atje, ku “merreshin vendime” për fatet dhe të ardhmen e tyre? Por, herë-herë,
poezitë e dashurisë së Delos ngjasojnë edhe me dallgët e detit, kur mbi to bien
rrezet e diellit dhe kur stërkalat e ndritshme shndërrohen në mijëra pikla margaritarësh, teksa lexuesi ndjen freski dhe
ngrohtësi njëherazi, ai dëshiron dhe ëndërron, veçanërisht kur figurat poetike,
metaforat, shfaqen dukshëm dhe në vendet e tyre: “Prit mike në pranverë,/Të
jesh e bindur aty jam,/Do të sjellë lule me erë,/Do t`i mbjell në fustan./Katër
stinë, vetëm kalova,/Mike mbete nëpër reshta,/Ndonjëherë po të takova,/Do të
jap një thes me vjersha”. Poeti na lë të kuptojmë në këtë poezi se poetët nuk kanë pasuri
monedhash a pronash, as aksione dhe llogari bankare, por pasuria e tyre është
pasuri shpirtërore, që është dhe pasuria më e madhe dhe më e lakmuar nga
gjithkush.
Është një poezi me shumë zjarr e nektar-ngjyer poezia “Baresha”
, ku poeti i dashuruar humbet udhën nga hutimi i dashurisë, teksa vajza bareshë
e ndrojtur, por që dashuria i vlon brenda gjirit si prush i mbuluar, zbulohet
përpara poetit të dashuruar krejt befasisht:“Vështrimet u gërshetuan, /Nga
dora i ra sapllaku, /Mos, të lutem, tha hutuar,/Por vështrimin nuk e flaku./I
hodha dorën në qafë,/Ajo heshti vetëm heshti,/Buk ` e dhallë më vu në
trastë,/Dhe një palë çorape leshi”. Poeti protagonist largohet me premtimin
se do të kthehej përsëri, por u kthye shumë vonë dhe siç dihet, “zjarrit po nuk
i hodhe dru ai shuhet”. E, ndërsa e
kërkon bareshën: “Nuk lashë vend pa kërkuar,/Stan më stan e fshat më fshat,
/Ndoshta ajo ishte martuar,/Ndoshta kish mërguar larg./ Dhe çdo ditë në
fletore, /Qëndisja fytyrën e saj, /Çobaneshën
engjëllore,/Nuk do vdes pa e parë./Vitet
ikin dhe ajo mbeti,/nëpër vargje, nëpër reshta,/Dhe një palë çorape leshi,/Kam
kujtim nga baresha.” Një poezi që ndez zjarre dhe lë pezull kurorëzimin e
dashurisë, që mbeti vetëm në ëndrra ...
Po kaq fuqishëm shfaqet ndjenja e zjarrtë e dashurisë te
vjersha “Mall për miken”, ku poeti spërkat me nektar fjalorin e tij poetik,
teksa poezia rrjedh si uji i pastër nga burimi
apo nga gurra popullore: “Fustanella fluturonte,/Xixa lëshonin
patkonjtë,/Tek jarania labi shkonte,/Që t`i puthte gush` e ftonjtë./U takuan me
shumë mall,/Mikja darkën kish bërë gati,/Nat` e tyre flak e zjarr,/Ajo eshkë e,
strall labi.”
Vëllimi ka edhe poezi me karakter filozofik, por që janë
jetësore dhe i drejtohen jo thjesht jetës por njerëzve me prirjet, zakonet,
huqet, me karakterin e tyre. Siç thotë Viktor Hygoi, “Poezia nuk qëndron te
forma e mendimeve, por te vetë mendimet” e, nisur nga kjo sentencë, them se
vjen me një nëntekst të fuqishëm poezia “Sot kë do shpallim armik?!” ku poeti
gjuan me një shigjetë të mprehtë anën e errët që shfaqin disa njerëz në
karakterin e tyre: “Ç`është ky zakon i mbrapsht yni/Mburrim e shajmë çdo
miqësi,/herë nga lindja, herë nga perëndimi,/Çdo të djeshme e quajmë
fatkeqësi!/E pastaj njëri-tjetrin shajmë tek të tjerët,/E quajmë armik,
tradhtar, kuisling,/Sa çohemi nga gjumi, në mëngjes herrët,/Mendojmë: Sot kë do
shpallim armik?!”
Duke i njohur mirë
zakonet dhe tradita shqiptare të mikpritjes, Delo Isufi mbështetur në tabanin popullor shqiptar dhe
në gjuhën e popullit, që e njeh mirë dhe
me detaje, na shfaqet i tillë edhe në poezinë
“Kënga e mesnikut” ku, përpara lexuesit, krahas mikpritjes tradicionale,
ai zbulon aftësinë e vajzave dhe grave
shqiptare për gatime të rralla për nga shija, por dhe për bukurinë e zakoneve
të shtrimit të një vakti, të një dreke apo darke përpara mikut që u vinte në
shtëpi: “Rreth e rreth sofrës,/U mblodhën fëmija,/Burrat pranë tyre,/Nisën
nga dollia./E zonj` e shtëpisë,/ia mori një kënge,/fëmijët mbanin iso,/Miku
mbet pa mendje”. Dhe, poeti e mbyll poezinë e tij duke na zbuluar se ku
ndodhet ky vend kaq mikpritës dhe me kulturë të lartë gatimi: “Ky është Gramshi ynë,/Gramshi i
mesnikut,/Vend i bukurisë,/Dhe oxhak i mikut.”
Te poezia “Piktorja”, poeti Isufi bën një përshkrim me nota lirike të një pikture, si dhe zbërthimin poetik të saj, me mendime të tilla që, edhe studiuesit e pikturës besoj do të huazonin diçka nga mendimi i poetit: “Vajzën piktore e takova vetëm një herë,/Gjithë zogjtë e qiellit atë ditë zbritën aty,/Fytyra engjëllore, përherë pranverë,/Katër stinët e viti i reflektoheshin në sy.”
Është një episod poetik mbresëlënës poezia që i jep
titullin librit “Vajza e manaferrave”, e ku Delo Isufi shpërthen me
lirizmin tij të magjishëm, si të na
rrëfejë se bukuria poetike qëndron edhe në thjeshtësinë e vargut, e ku respekti
ndaj saj zhvishet nga interesa të vogla meskine, teksa mua si recensent i këtij
libri, më bën të ndihem si përpara një burimi, ku ujin nuk shkon ta pish as me
shishe plastike dhe as me gotë, por ujë pihet duke mbledhur duart kupë dhe duke
e pirë me etje, direkt nga natyra e virgjër: “Manaferra më solli një ditë,/I
kishte mbledhur me duart e saj,/I gufonte gjoksi dhe gjinjtë,/Si një det tallaz
e valë./Unë i putha buzët e sytë,/Dhe gushën e saj të bardhë.”
Temën e kurbeti, Delo Isufi e trajton me pak vargje, por
fuqishëm. Janë vargje që mbeten në mendje, si për bukurinë e vargëzimit, por
edhe më shumë për mesazhin dhe mendimin tronditës që përcjellin, veçanërisht
kur rrëfehet në mënyrë poetike për fatin e mijëra njerëzve, sot të moshuar në
Shqipëri që, ndonëse kanë pasur apo kanë shumë fëmijë, i kanë ata larg nëpër
botë për të siguruar mbijetesën për vete dhe familjet e tyre. E, ndërsa vajzat
dhe djemtë në mërgim rropaten e punojnë larg atdheut, disa prej tyre edhe i ka
zënë “sëmundja” e harresës për
prindërit. Ndaj, Delo Isufi na trondit me mesazhin poetik që përcjell me
poezinë “E moshuara.”: “E pushtuan ethet gruan e moshuar,/Prej vitesh
banonte e vetme në shtëpi,/Burimi i lotëve nga sytë kish shteruar,/Në kurbet
kish përcjellë pesë fëmijë./Për ditën e lindjes nuk i erdhi asnjëri,/Mbi
tavolinë vendosi pesë fotografi!”
Natyrisht që poezia “India ime” përbën një arritje tjetër
të këtij vëllimi poetik. Është një poezi e krijuar në Indi, kur poeti ynë Isufi
ishte ftuar për të marrë pjesë në një festival poetik, në të cilin ishin
pjesëmarrës poetë nga e gjithë bota. Siç
tregon Deloja, vendasit indianë dhe pjesëmarrësit e atij festivali, kishin
shprehur dëshirën që poeti ynë ta lexonte poezinë, veç anglishtes, edhe në
gjuhën shqipe. Natyrisht që ky rrëfim na emocionon dhe na kujton natyrshëm
shprehjen e albanologut të njohur
francez Eduard Shnajder, i cili në vitin
1894, thoshte: “Gjuha shqipe paraqitet si “tingëllimi më i pastër e më besnik i
gjuhës pellazge”. Pjesëmarrësit e atij festivali poetik, kishin duartrokitur me
entuziazëm poezinë, mesazhin e saj, por, po aq edhe bukurinë dhe tingëllimin e
gjuhës shqipe: “Në Vijayaëada e takova Indinë, /Poetë kishin ardhur aty nga
gjithë bota,/Aty e përqafova madhështinë, /Madhështi që nuk e njeh Europa/. Me
dhjetëra gjuhë fliteshin aty,/Në harmoni me një popull të tërë,/Mirësia e
indianëve lexohej në sy,/Dhe shpirti i tyre i madh, i gjerë.”
Një poet si Delo Isufi, nuk mund të heq dot dorë nga
“erotika” që është prirja dhe veçoria e tij krijuese në poezi. Këtë veçori
ai shfaq edhe te poezia “Poetes indiane”
ku lexuesi, duke shijuar vargjet dhe strofat, mban frymën te: “Sytë nga Ty i
drejtuam, / Tërë burrat në atë sallë, / Kot ne paskemi shkruar!/Thirri një poet
i marrë!”. Ose, te poezia tjetër
“Poetja këngëtare” në të cilën poeti vargëzon: “Një indiane e nisi
këngën,/Nuk ish këngë po cicërimë,/Unë e ngatërrova me hënën,/Kur ajo shfaqi
bukurinë./Pastaj këndova dhe unë,/në gjuhën tonë perëndie,/ “Vito ç`mu bëre në gjumë”,/Këngë e vjetër
dashurie.”
Deloja është poet që ka fituar prej kohësh zemrat e
lexuesve, ai i fton ata bujarisht në
kopshtin e tij poetik, teksa ata e vlerësojnë dhe e përgëzojnë me fjalë shpirti
dhe zemre. Por, edhe poetët dhe shkrimtarët ngazëllehen nga bukuria e vargjeve të Delos, ndaj dhe shprehen
artistikisht për kolegun e tyre: “Poet i
figurave befasuese dhe i metaforave interesante”, e cilëson Delon poeti i
njohur Agim Bajrami. Studiuesi Kadri Tarelli dhe publicisti Bashkim Saliasi e
quajnë, “Këngëtar të Dashurisë” dhe “Poet të dashurisë”, kurse kritiku i njohur
Sejdo Harka, shkruan se “Dashuria për poetin Isufi është shpresë e frymëzim,
është ëndërr dhe shpëtim”.
Urime poetit Delo Isufi, i cili me këtë vëllim të ri, e
zbukuron edhe më shumë gjerdanin tij
poetik, duke na ngjallur ndjenja dhe emocione të bukura, por edhe
kureshtje për librin tjetër të radhës...