Kulturë
Anton Marku: Gomari që dinte të fliste
E enjte, 02.04.2020, 09:59 AM
Gomari që dinte të fliste
Nga
Anton Marku
Sheshi
i qytetit, aty ku mbahej tregu, atë të shtunë ishte i mbushur
përplot. Ashtu si çdo ditë tjetër para së dielës, hipur mbi
rrasa gurësh, përpara njerëzve kishin dalur oratorë të njohur e
të panjohur, të cilët flisnin për tema nga më të ndryshmet.
Disa prezantonin produktet e tyre, kryesisht nga mëndafshi apo qelqi,
të tjerët bënin thirrje për revolucion të ri, përderisa një i
verbër fliste për fundin e botës.
Ishte
mesditë kur një burrë rreth të pesëdhjetave, bashkë me
gomarin e tij, kaluan pragun e dyerve të këtij qyteti. Me hapa
të ngadaltë u drejtuan drejt vendit nga ku dëgjohej zhurmë. Pa u
vënë re hynë në mes të turmës dhe ndaluan pranë një shtylle
druri.
Pak
çaste më pas gomari polli saktësisht pesë herë. Pastaj bëri
një pauzë të shkurtër dhe polli për së dyti, po
pesë herë. Më pas hapi gojën dhe nga ajo doli një zë i
fortë që ngjante në ‘‘qetësiiiiiii…’’ Njerëzit u kthyen
të habitur nga ai. Shikuan herë pronarin e tij, që e mbante
lidhur me litar, e herë atë. Dikur një plak mjekërrbardhë, i cili
mbahej për një shkop, pyeti:
-
Është gomari juaj?
-
Sigurisht se po, dhe atë ka dhjetë vite. - u përgjigj i panjohuri.
-
Dhe ... ai di të flas?
-
Po.
-
Si, si? Gomari juaj flet? - qeshi me zë të lartë plaku.
-
Po, siç ju thashë dhe më parë, por ai flet vetëm me
mua. Unë jam i vetmi që e kuptoj gjuhën e tij.
-
Eeeee ... dhe çfarë ju thotë ai? - tha flokëthinjuri me shpoti.
-
Po të dëshironi të dini se çfarë më ka thënë herën e
fundit atëherë më bëni një vend atje tek ai guri aty dhe
unë do të ju rrëfej atë që më ka thënë ky gomar,
i cili nuk është si gomarët tjerë, i zakonshëm. Ai është i
veçantë dhe përse është i tillë do të mund ta merrni
vesh pas pak.
-
Tek ne janë dhe do të jenë gjithmonë të mirë se ardhur të gjithë ata që kanë
për të thënë diçka të pathënë ende. Diçka të re. Duket se mund të jeni një i
tillë, prandaj do të ju dëgjojmë. - ja ktheu i moshuari me mirësjellje, por dhe
me një mosbesim që i lexohej në sy.
Pasi
morën aprovimin e heshtur të tyre, njerëzit i lëshuan rrugën dy të posaardhurve
në qytet dhe ata u vendosën aty ku kërkuan. Nga këtu pamja ishte më e mirë dhe
të tubuarit krijuan një çark përreth tyre, duke pritur me padurim tregimin që
sapo po niste.
-
Të nderuara zonja dhe zotërinj nga ky qytet sa i lashtë aq dhe i lavdishëm, -
kështu filloi fjalën e tij i sapoardhuri - mbase pyeteni kush jam, nga vij dhe
çfarë kërkojë këtu në mesin tuaj me një gomar për dore. Dhe unë do t‘ua
lehtësoj vuajtjet duke thënë se jam nga një vend i largët, andej Detit të Zi.
Besoj në gjërat që besoni dhe ju, me një dallim: unë besoj dhe në tregimin e
një gomari. Me këtë kafshë fisnike pranë meje kemi udhëtuar bashkë në të katër
anët e botës me një qëllim të vetëm: të bëjmë të ditur të vërtetën për gomarët,
këtë racë besnike ndaj njeriut, si asnjë tjetër. Ne bisedojmë shpesh mes vete,
por para se të vazhdoj, do të doja të ju pyes diçka:
-
Më thuani, ju lutem, si mendoni se do të përfundonte lufta e Trojës po qe se në vend të kalit grekët të kishin
lënë pas, të themi, një gomar të drunjët?
Njerëzit
filluan të shikonin njëri-tjetrin, të tundin kokat dhe të pëshpërisnin nën zë,
por asnjëri nuk mori guximin të thoshte diçka.
-
Ja, po jua them unë, - foli burri pasi më parë me dorën e djathtë përkëdheli
gojën e gomarit që qëndronte stoik para turmës së njerëve, pa lejuar qe t’i
lakohet hija, - përgjigja është: në atë
rast historia e njerëzimit do të dukej ndryshe, shumë më e mirë se sa kjo që
kemi sot apo që do të kemi nesër. Por, t’i themi gjërat me rend: gomari im më
ka thënë shpesh ‘‘historia jonë është falsifikuar dhe atë me synime të errëta.
Ne gomarët që nga gjeneza kemi qenë paqësor. Ne kemi vetëm një armik: racën e
kuajve, edhe pse bëjmë pjesë në një familje. Por bota duhet ta dij se ata janë
Juda e jo ne. Po të ishte ndryshe Jezusi do të hynte në Jerusalem hipur mbi një
kalë dhe jo mbi një gomar, apo jo
Njerëzit,
sidomos ata që pretendonin se ishin besimtarë të devotshëm, e që po pothuajse
po lexonin buzët e tij, filluan të rrotullonin sytë në shenjë pohimi.
-
‘‘Ky ishte në të vërtetë dhe shërbimi më i madh që neve, që nga koha e Nojës
deri më tani na ka bërë qielli. Por, për fat të keq tonin dhe të mirë të tyre,
pas ngjitjes së tij lart, të mbetur pa ndihmën e profetëve, padrejtësitë
vazhduan dhe ne përsëri ramë në mëshirën e kuajve. Dhe kjo është e dhembshme.
Për më tepër, edhe në shekujt që do të pasojnë do të vazhdojë e njëjta
tragjedi. Për shembull, edhe tek një roman, i cili do të shkruhet nga një
gazetar i dështuar anglez, e që do të përshkruaj jetën e kafshëve në një fshat
të shkëputur me vetdëshirë nga pjesa tjetër e botës, imazhi ynë do të pësojë
goditje të rëndë. Ai në fillim do të mendoj të shkruaj se ferma ishte udhëhequr
nga gomarët e jo nga derrat, por në fund, komplotistët, që ishin ose masonë ose
agjentë të paguar nga kuajt, do ia mbushin mendjen, sigurisht nga xhelozia ndaj
nesh si katërkëmbësh të urtë e bujarë, që dora e tij të shkruajë ndryshe nga se
do i thotë shpirti, duke mos lejuar kështu që në të bëhemi kryeprotagonistët e
këtij tregimi’’.
-
Sidoqoftë, - vazhdoi burri shpatullgjërë që këtë radhë lëmoi veshët e mëdha të
gomarit, dhe atë jo vetëm njërin, por që të dy, - ‘‘duhet të dihet botërisht se
shumë nga ne u mbijetuan luftërave, por jo dhe paqes. Kjo dhe për faktin
se dhe ne, ashtu si ju, krijesat e përzgjedhura nga Perëndia. në të shumtën e
rasteve përjetuam liri pa paqe. Liria nuk ka nevojë për mure, por
gjithmonë u gjenden dhe të tillë që i ngritën ato, të larta dhe të trasha,
shpesh të pakapërcyeshme. Një të tillë do të ndërtojnë edhe në një epokë të
errët, atëherë kur një kontinent i tërë do të ndahet me një perde të hekurt.
Edhe kjo do të jetë vepër e kuajve, sidomos e atyre që do të merren me
politikë. Fatmirësisht, në saje të angazhimit tonë dhe vllezërve dhe motrave
tona anti-kuaj andej oqeanit, më pas ai do të shndërrohet në një ishull
paqe dhe në një shtëpi të përbashkët me 28 çelësa’’.
-
‘‘Në anën tjetër, ne gomarët jemi dhe filozofë të lindur. Nga ne mund të mësoni
shumëçka. Ja për shembull: juve njerëzve jeta ju kalon duke u përgaditur që ta
jetoni atë. Të tillët do të vdesin pa e kuptuar se çfarë po
ndodhë. Do të ketë dhe të tillë që do
të vijnë ditën e fundit dhe do të rrëmbejnë fitoren. Për
këmbët e lidhura rruga deri tek parajsa do të jetë e gjatë. Mendja e
njeriut një ditë do të zbulojë karroca të cilat do të ecin pa i
tërhequr kuajt. Do të zbuloj edhe gjëra që do të ju
tregojnë udhën nga një vend në tjetrin. Dhe kur një ditë
të shkojnë t’i vizitojnë varrezat, një zë nga brenda
kutisë do të ju thotë ‘‘keni arritur në cak’’. - tha ai
duke e hedhur shikimin në tokë para se të ngriste dhe një herë kokën lartë.
-
Unë dhe gomari im jemi të vetëdijshëm se fjalimet e shkurta mbahen mend gjatë,
të gjatat shkurt pak, andaj këtu do e përmbyll këtë fjalim. - tha ai duke
u përkulur me modesti që e kanë vetëm misionarët e përbetuar.
Në
momentin tjetër nga barku u gomarit doli një zë i cili i ngjante gjuhës së
njeriut: ‘‘Bravo! Të lumtë, Maestro!’’
-
Ti flet? Çmenduri! E pabesueshme! Por ti je vetëm një gomaaaaar.... - foli
plaku që tashmë trupi ia kishtë marrë anën dhe po të mos ishte shkopi ishte
gati të rrëzohej përdhe.
-
Po, ashtu është. Unë jam një i tillë. Dhe jam krenar për këtë. - u përgjigj
ngadalë gomari duke nxjerrë jashtë dhëmbët e bardhë.
Gojëhapur,
të gjithë duatrokitën dhe atë aq fort sa që u tha se ato duatrokitje u dëgjuan
edhe në qytetin fqinj. Shumë prej tyre u afruan për ta prekur me duart e tyre
këtë krijesë të mrekullueshme. Disa lutën piktorët lokalë që t’i vizatonin
pranë gomarit duke pritur me durim të pashoq në radhë. Këtu lindi dhe ideja e
cila me vonë, në një kohë tjetër, do të njihet me emrin ‘‘selfi’’.
Njerëzit
që atë mesditë rastisën të jenë në tregun e qytetit ishin ndër të parët në tërë
krahinën që patën fatin të dëgjojnë një gomar që flet.
Fama
e tij mori dhenë. Ai u ftua të mbajë ligjërata në shumë sheshe e senate, nga më
të njohurit në rajon. Madje u tha se kishte mbajtur një fjalim edhe në
parlamentin e një shteti të largët, emri i të cilit shqiptohej me vështirësi.
Gomarët
e tjerë filluan ta kishin mëri pasi ai kishte thyer një kodeks të lashtë sa dhe
jeta: që dhe gomarët flasin gjuhën e njerëzve. Dhe në një takim të fshehtë,
larg syve të gazetarëve dhe spiunëve, vendosën njëzëri që asnjëri prej tyre nuk
do të flas më kurrë gjuhën e njerëzve.
Kaluan
shumë vite. Një ditë të ftohtë maji gomari nuk u ndje mirë. Për një çast mendoi
se kishte ende shumë për të bërë, por trupi i ishte lodhur. I ofruan ta
dërgonin në shtëpinë e pleqëve. Nuk pranoi. Tha: ‘‘nuk jam plak.’’ Dy muaj më
vonë i mbylli sytë përgjithmonë. Vdiç ashtu siç jetoi, para kohës së tij. Në
varrimin e tij morën pjesë shumë burrështetas. Kuajt nuk u lejuan të marrin
pjesë në ceremoninë mortore.
Në
histori mbeti i njohur si gomari i fundit që diti të flasë.
Që
nga ajo kohë kanë kaluar shumë shekuj. Njerëzit ende vazhdojnë të provojnë që
t’i mësojnë gomarët të flasin.
Për
fat të keq pa sukses.
Më
shpesh ndodhi e kundërta: njerëzit filluan të flasin gjuhën e gomarëve.
Vjenë, 1 prill 2020