Kulturë
Ilir Çumani: Imazh pa zë...!
E marte, 03.09.2019, 08:09 PM
PËRSIATJE MBI NJË IMAZH PA ZË.....!
NGA
ILIR ÇUMANI
Gjithmonë
fotografia bardhëzi më ka pëlqyer. Edhe sot e kësaj dite më befason, më
intrigon.... Ajo përcjell shumë emocione, ngase ruan të dokumentuar në
celuloidin dy ngjyrësh (bardhë + zi), jo vetëm pjesë të veçanta nga jeta dhe
historia në kohë të ndryshme, por mban të “fshehur” në brendësi edhe mistikën e
ngjarjes, emocionin e ndodhisë, atë pjesë të padëshifrueshme të përjetimit që
imazhi i printuar pa lëvizje (i ngrirë), hera herës, nuk mundet dot ta shfaq në
tërë dimensionet e saj reale para shikuesit, ashtu si në film, me skena
lëvizëse e me shumë ngjyra. Për rrjedhojë, ndodh që edhe një qëmtues
antropolog, detaist i vëmendshëm, një psikolog apo sociolog, një njohës i mirë
i shenjave dhe lëvizjeve të trupit, ta ketë të vështirë të lexoj thelbin e vërtetë
të mesazhit dhe emocionit që na paraqitet ndryshe nga ç’farë është në të
vërtetë... Kjo foto, ka fiksuar një çast të trishtë që, në pamje të parë të jep
përshtypjen e një fotoje normale, ku disa fëmijë adoleshentë (pak para ndarjes
përgjithmonë nga njëri - tjetri) pozojnë të kujdesshëm përballë aparatit
fotografik. Jemi 5 fëmijë, nxënës 14 - 15 vjeçarë të Shtëpisë së Fëmijës në
Sarandë. Unë, Mirandelina Gjyli, Majlinda Mici, Fatos Bregu dhe Majlinda
Kosuli. Jemi në prag të lënies së institucionit (Mars, 1981) për t’iu
nënështruar pavarësimit dhe vetëveprimit, për të vazhduar më tej shkollat në
qytete të ndryshme të vendit, jashtë dyerve të atij institucioni që kujdesej në
të gjitha aspektet për edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve jetim dhe pa
kujdesin prindëror. Adoleshenca është periudha më kritike, e ndërlikuar dhe më
konfuze për individin. Kjo moshë, është e mbarsur me plot emocione negative dhe
pozitive, me pasiguri e pezmatime, me dilema e kontradikta të çuditshme, me
kurajo dhe guxim të tepruar në përballje me sfidat, të papriturat dhe të
panjohurat, për të mundurën dhe të pamundurën, sidomos për ata që barra u bie
t’ia dalin të vetëm në këtë botë, pa ndihmën e askujt....(!!!)