Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Genocidi komunist ndaj klerit fetar në Shqipëri
E diele, 25.08.2019, 06:33 PM
Genocidi komunist ndaj klerit fetar në Shqipëri
Nga Reshat Kripa
Të flasësh për genocidin komunist të ushtruar nëpër
burgje dhe kampe, është njëlloj sikur të përshkruash tmerret e ferrit. Pyetni
ata që kanë mundur të shpëtojnë gjallë nga këto tmerre dhe do të mësoni ngjarje
të padëgjuara ndonjëherë, të pakonceptuara për një mendje të shëndoshë. Do të
mësoni për burgje dhe kampe të krijuara posaçërisht për shfarrosjen e njerëzve,
për tortura të lemerishme të ushtruara mbi nacionalistë të shquar dhe
intelektualë demokratë që jetën e tyre ia kushtuan atdheut.
Pyetni të mbijetuarit e këtyre torturave dhe do të mësoni
për rrahje me kamxhik deri në vdekje, për ngacmim të plagëve të hapura dhe
hedhje kripe mbi to, për djegie me cigare të ndezura, për rrymë elektrike dhe
veshje jeleku të forcës, për lënie me ditë të tëra pa bukë dhe ujë, për
përdhunim të familjarëve në sytë e tyre, për varje me kokë poshtë, për vendosje
vezësh të porsa zjera nën sqetull, për futje gjilpërash në thonjtë e
gishtrinjve dhe dhjetra e dhjetra forma të tjera torturash. Kriminelët viheshin
në garë se kush do t’ia kalonte shokut në egërsinë e tij, se kush do të
shkaktonte më shumë viktima. Një garë e vërtetë kanibalësh që nuk ngopeshin me
gjak bashkëqytetarësh.
Një genocid të
jashtëzakonshëm ka zhvilluar
regjimi komunist edhe kundër
klerit fetar në Shqipëri dhe kjo në një kohë kur
dihej mirë roli
pozitiv i këtij kleri
në vendin tonë dhe kur harmonia midis tyre ishte në
shkallën më të lartë.
Shumë më përpara se komunizmi të hidhte farë e rrënjë në
Shqipëri, paralajmërimin më të parë e ka dhënë në mënyrën më alarmuese dijetari
i ndjerë, patriot e antikomunist, Hafiz Ali Korça, që në vitin 1925 me librin e
botuar aso kohe “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit”. Ndër të tjera në këtë liber ai konstaton:
Bolshevizma s’pajton kurrë
Me dinin e Muhamedit
Çelët do ta kenë luftën
në ditën e Kijametit.
Zhdukja e fesë ishte thelbësore për injektimin e dogmës
komuniste dhe, rrjedhimisht, për krijimin e «njeriut të ri». Megjithatë,
komunistët e dinin se në pjesën dërrmuese të popullsisë, feja zinte një vend
mjaft të rëndësishëm duke penguar kështu zhvillimin e tyre të mëtejshëm në
fushën e botëkuptimit materialist të partisë mbi fenomenet e natyrës dhe të
shoqërisë. Feja paraqitej kudo si frenuese e ritmeve të qytetërimit dhe
emancipimit shoqëror, ndaj dhe, sipas udhëheqësve komunistë, rruga e vetme për
përparim shoqëror ishte çlirimi nga dogma e saj. Në shërbim të kësaj ideje u
botuan me dhjetëra libra propagandistikë, ku feja përshkruhej si “një barrë
shumë e rëndë për njerëzimin dhe një armë e përshtatshme në duart e klasave
sunduese shfrytëzuese për të mbajtur punonjësit besimtarë në errësirë, të
bindur, të urdhëruar”.
Pohime të këtilla s’janë, veçse vulgarizime të ftesës
marksiste për të qëmtuar lidhjet midis fesë dhe modeleve të sundimit dhe të
shfrytëzimit. Marksi hodhi poshtë traditat hebraike të familjes së tij dhe
argumentoi që dëshira e madhe për një jetë të lumtur në botën e përtejme mund
të konsiderohej pjesë e një ideologjie, që pengonte punëtorët të përpiqeshin në
këtë botë për një rend shoqëror të drejtë dhe jo shfrytëzues. Prandaj dhe feja,
sipas tij, ishte “opium për popullin”, me të tjera fjalë, një grup dogmash, që
fshihnin realitetet e luftës së klasave dhe të shfrytëzimit.
Në Shqipërinë komuniste, si në të gjitha shtetet
totalitare, kontrolli mbi prodhimin e dijes ishte pjesë jetësore e kontrollit
të shoqërisë në përgjithësi. Ndaj, paralelisht me propagandën, shteti komunist
u përkujdes që të zhdukte çdo trajtë arti dhe të menduari, që mund të përbënte
pengesë në rrugën e nisur për shpëlarjen e trurit dhe krijimin e një
literature, që do të shenjohej nga një paaftësi karakteristike për të kapërcyer
banalitetin. Ky projekt u mbështet në nisma konkrete. Kështu, pa kaluar as dy
javë nga futja e partizanëve në Shkodër, në fillim të dhjetorit 1944, u ndalua
botimi i të përkohshmeve “Hylli i Dritës”, “Zani i Shën Ndout”, “Zgjimi i
djelmënisë” dhe “Bijat e Zojës”. Në këtë frymë, tre vjet më vonë, më 2 mars
1948, Gjykata e Rrethit të Tiranës, ndaloi qarkullimin e mbi 155 titujve, të
cilët, sipas gjykatës, “kanë përmbajtje ideologjike të dëmshme për popullin
t’onë dhe kundra frymës së re demokratike dhe për konseguencë qarkullimi i tyre
nuk i sjell asnjë dobi popullit t’onë, por përkundrazi e dizorienton dhe e nxit
në urrejtje dhe përçarje.” Dy vjet më vonë, Presidiumi i Kuvendit Popullor
nxorri vendimin nr. 1150, datë 27. 02. 1950 për bllokimin e të gjithë librave
të botuar apo të hyrë në Shqipëri përpara 29 nëntorit të vitit 1944.
Filloi një
përndjekje e pashembullt e anëtarëve
më të
ngritur të klerit. Në inventarin
e përndjekjes së tyre nuk mungon paepshmëria, madje, shpesh, ajo i
përshtatet përmasave dhe ashpërsisë së përndjekjes. Duhet mbajtur parasysh
se gjithçka zhvillohej
në atmosferën e një rrënimi
të plotë material, të frikës dhe të dëshpërimit. Pas ndërhyrjeve të
dhunshme të shtetit
në organizimin e jetës së Komunitetit Mysliman Shqiptar, sekuestrimit të
pronave, kontrollit mbi buxhetin, ndalimi i literaturës, kufizimi i rreptë dhe
kontrolli mbi Medresenë, politika komuniste forcoi një propagandë të ashpër
“demaskuese” nëpërmjet shtypit, radios, formave të edukimit, kinemasë, teatrit
dhe estradave, pjesëve të leximeve shkollore dhe edukimit me përbuzjen ndaj
fesë. Presion akoma më të madh përjetuan pedagogët e medresesë, duke nisur që
në vitin 1945 me arrestimin e Hafiz Ali Korçës, drejtorit Hafiz Ismet Dibrës më
1946, Enver Beqirit më 1946, Vexhi Buharasë më 1947, Jonuz Buliqit më 1947,
Shaban Demirit më 1946, etj. Klerikët myslimanë, përfshi dhe bektashinjtë,
gjatë regjimit komunist përjetuan ngjarje tronditëse. Shumë prej udhëheqësve
dhe dijetarëve më me ndikim, Sigurimi i Shtetit u vuri spiunë, u nxori
dëshmitarë të rremë nëpër gjyqe të sajuara, i pushkatoi, dënoi e internoi, duke
mbjellë një atmosferë të përgjithshme terrori.
Kleri mysliman u përndoq me forma dhe mjete nga më të
ndryshmet nga ateistët e rinj që erdhën nga malet dhe kontrolluan gjithçka që
përbënte jetën e shenjtë dhe ritualet e besimtarëve. Në fillim komunistët u
përpoqën t’i joshin klerikët myslimanë, që t’i bënin për vete në aventurën e
tyre të përgjakur kundër një pjese të shqiptarëve, por kur nuk ia dolën mbanë,
atëherë nisën kalvarin e persekutimit. Si gjithnjë, në stilin e tyre komunistët
e përqendronin goditjen në kokat e elitës fetare myslimane. Sipas statistikave
vetëm gjatë dhjetë vjetëve të parë të diktaturës janë pushkatuar e dënuar 60
hafizë e hoxhallarë, 83 dervishë dhe/baballarë. Këta dhjetra të pushkatuar dhe
qindra të internuar nga ky besim i bashkangjiten martirëve të parë të lirisë
dhe besimit në pikun më të ashpër të diktaturës komuniste. Disa prej figurave
më përfaqësuese publike të myslimanëve shqiptarë, u ekzekutuan me vdekje nga
gjyqet komuniste midis një histerie popullore në sallën e gjyqit dhe jashtë,
duke i përcjellë akuzat dhe shpifjet banale me megafon e radiotrasmetim, për të
mbjellë llahtar në gjithë Komunitetin Mysliman. Të tilla ishin gjyqet e vitit
1947 kur u dënua me pushkatim me akuzën stampë “armik i popullit” sheh Qerimi i
Delvinës, shehu i Devollit, deputeti sheh Ibrahim Karbunara bashkë me të birin
Hasanin. Klerikët myslimanë jo më pak se
klerikët e besimeve të krishtera u bënë kurbanë të besimit të tyre, besnikë
deri në fund të jetës së tyre ndaj besimtarëve që përfaqësonin. Ata nuk pranuan
asnjë kompromis me regjimin, i qëndruan besnikë fesë së tyre, atdheut dhe
kombit, për të cilin shpirti i tyre mbeti i hapur dhe i lirë.
Persekutimi i fesë është zhvilluar në disa faza. Faza e
parë e persekutimit del qartë në vitet 1945-1966, me burgime dhe pushkatime,
pas torturave të tmerrshme në organet e sigurimit të shtetit. Në këtë sfond
vendoset një episod i pazakontë për jetët e komuniteteve fetare. I gjendur nën
trysninë e dy prej baballarëve më me ndikim të komunitetit bektashian, Baba
Faja Martaneshit dhe Baba Fejzo Dervishit, të cilët kërkonin “demokratizimin” e
tarikatit bektashian, “demokratizim” që do t’i shpinte dervishët të mbanin
veshje civile dhe të martoheshin, në mars të vitit 1947, Kryegjyshi Botëror i
Bektashinjve, Dede Abaz Hilmiu, nuk gjeti zgjidhje tjetër, veçse t’i vriste që
të dy. Pas këtij akti, ai ktheu pistoletën dhe vrau dhe veten. Një xhest i një
fisnikërie të rallë.
Faza e dytë 1966-1990 është më e gjata dhe më e errëta
për fenë në Shqipëri. Si rezultat i të ashtuquajturës “Letër e hapur” të Enver
Hoxhës, dhe “revolucionin kulturor”, filloi një genocid i vërtetë mbi
institucionet fetare. Në vitin 1967, gjoja me iniciativën e rinisë së Shkollës
së Mesme “Naim Frashëri” Durrës, filloi një “epokë e re” e ndryshimeve
rrënjësore dhe lufta kundër shfaqjeve të huaja dhe fetare mori një tjetër
dimension. Iniciativën kuptimboshe të organizatës së rinisë komuniste të
shkollës “Naim Frashëri”, e pasuan dhe nxënësit e shkollës “29 Nëntori” dhe më
pas në aksion u hodh gjithë klasa punonjëse e rrethit të Durrësit. Në letrën
drejtuar institucioneve partiake dhe qeverisjes së asaj kohe, organizata e
rinisë së Shkollës së Mesme “Naim Frashëri”, kërkonte që: ‘’tashmë kishte
ardhur koha kur priftërinjtë dhe
hoxhallarët duhet ta fitojnë vetë bukën e gojës.” Kështu që filloi një
genociid i vërtetë kundër institucioneve fetare. Turma njerëzish të
indoktrinuar vërsuleshin mbi Kishat, Xhamitë dhe teqetë duke i shkatërruar ato
duke sjellë shkatërrimin total të tyre. Në Shqipëri nuk shihje më priftërinj,
hoxhallarë apo dervishë të veshur me uniformat e tyre karakteristike. Në të
kundërt të priste burgu. Nuk guxohej gjithashtu të bëje biseda apo diskutime
fetare. U zbatuan shpronësimet totale për pronat e komuniteve fetare.
Por skandali më i madhë ka qenë fshehja e armëve në
kishën Françeeskane në Shkodër. Ja si dëshmon At Leon Kabashi lidhur me këtë
ngjarje:
“Ka qenë një vepër e shëmtuar, që na
ka kushtuar shumë, Më duket, urdhri kishte ardhur nga Tirana. Punonjësit e
Sigurimit të Shkodrës u futën nga oborri i gjimnazit të françeskanëve, u lidhën
me një student (Xhakua) dhe me ndihmëskuzhinierin, të cilëve me sa duket i
kishin thënë që më parë se kleri ka mbaruar, ndërsa ju do të shpërbleheni. At
Aleks Baçli, që kishte parë lëvizjet e dyshimta, ndenji gjithë natën nën
mbikëqyrje (në sakristi) dhe mundi të shohë hyrjet e daljet e asaj nate në
kishë, por ngaqë ishte mjaft larg dhe errësirë, nuk mundi të dallojë saktësisht
se çfarë po bëhej aty”.
Në një urdhër sekret të diktatorit Enver Hoxha në vitin
1967, jepen shifra dhe detaje për shkatërrimin e objekteve të kultit në
Shqipëri dhe luftën e hapur kundër besimeve fetare. Ky numër arrin gjithsej në
2169, nga të cilat 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 katolike,
530 teqe, tyrbe, mekame e të tjera. Në këtë urdhër të diktatorit, dërguar si
dokument sekret në Komitetin Qendror në gusht të vitit 1967, jepet një raport i
hollësishëm me rezultatet e luftës kundër fesë. Ja çfarë thuhet në disa rreshta
prej tyre:
“Feja është opiumi i popujve. Këtë…
duhet të bëjmë çmos që ta
kuptojë çdo njeri.
Kjo nuk është një punë e lehtë, por as edhe e pamundur. Këtë luftë të
madhe nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit e të kënaqemi duke thënë se brezat e
rinj do ta braktisin këtë opium luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë
qoftë kundër dogmës fetare vetë, kundër pikëpamjeve filozofike, idealiste e
mistike të saj, ashtu edhe kundër disiplinave fetare, që kanë hyrë, deri në
zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë,
por që i zbatojnë nganjëherë pa i ditur, pa bërë kujdes.
Ne nuk u kemi lënë asnjë shkollë,
qoftë edhe të ulët, për të nxjerrë klerikë të rinj dhe për t’u dhënë këtyre një
edukatë të rregullt dhe të interpretuar të doktrinës së tyre fetare..Kështu që
klerikët e çdo besimi kanë shteruar dhe do të shterojnë edhe ca më shumë si
kuadro. Kurse për sa i përket shtypit të librave, të dogmave të tyre, kjo ka
vdekur me kohë për ta…Pra, bazën materiale dhe propagandistike për shumëzimin e
librave fetare e kemi zhdukur. Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e nxjerrjes
së kuadrove. Tash është çështja t’u prishen kishat dhe xhamitë, të vetmet mjete
kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin, qoftë
edhe në forma dekadente…
Në këto forma duhet të vazhdojmë ne,
përderisa t’i rrafshojmë nga
faqja e dheut
tonë.
Lufta me fenë është mjaft e
koklavitur, prandaj kush nuk armatoset mirë kundër saj, mund të mos ketë
rezultatet që dëshirojmë. Shumë kisha dhe xhami po braktisen dhe po rrënohen.
Asnjë ndërtim të mos u bëhet. Disa mund të kthehen në vepra muze, në qoftë se
janë të tilla, disa që do populli, të bëhen depo, të mos hezitohet të merren, e
kështu me radhë…”
Por qëndresa e klerikëve shqiptarë ndaj genocidit
komunist ka qenë tepër dinjitoze.
Ja si janë shprehur disa prej
tyre në momente të veçanta të jetës:
Patër
Mëshkalla
Në Letrën drejtuar kryeministrit Mehmet Shehu më 1 maj
1967 është shprehur:
“Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta
vazhdoj derisa të kem frymë.
Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm at efekt që ban
guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam
shkri jetën për té.
tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës,
së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në
Shqipni. Kur, në vjetin 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Juve, Shkëlqesë,
se kishem ndigjue prej komunistëve fjalët:: “Këte Kishë do ta bajmë kinema” Ju m’u përgjigjët:
“Kjo asht propagandë armiqsore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një
propagandë ma anmiqsore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.Nuk më ka shty me
ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm
ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.”
Patër
Anton Harapi
Me 13 shtator 1943
emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit
1944. Patër Anton Harapi në fjalimin e tij me rastin e betimit si anëtar i
Këshillit të Naltë, do t'u shprehte kështu:
"Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë
e mora ketë
barrë për kulltuk, për interesë a
për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi
më shtyni deri këtu. Edhe un po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija
e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase
me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbassi shpirti nuk m'a tha të baj as
njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji
marrí tue e pranue ketë zyrë, ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma
mirë të baj nji marrí: ase sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër
– desha të komprometohem".
Hafëz
Ali Kraja
Ja si e kishte bërë
ai bilancin e jetës së tij të trazuar në “Shënimet”, me një “credo” të ngjeshur
e të shkurtër:
“I jap llogari, më parë, të lumit Zot, gjyqi i Tij asht ma i randsishmi!”
dhe: “Jam kryenaltë që jam mundue me krye misionin fetar e kombëtar për sa kam
mujtë. Lus Zotin të më falë për mungesat që mund të kem ba në kryemjen e këtij
misioni”.
Hafiz Sabri Koçi
Plot përkushtim, me
përgatitje të lartë fetare, me argumente bindëse, duke rrokur probleme që
shqetësonin besimtarët, me fjalën e thjeshtë, por të zjarrtë shtonte radhët e
besimtarëve, gjithnjë e më shumë të rinj vinin në xhami e ndiqnin ritet fetare,
gjë që binte në kundërshtim të hapur me ideologjinë komuniste, me propagandën e
Partisë. Dhe kundërshtimgoditjet nuk vonuan. Lidhur me këtë Hafiz Sabriu
kujton:
“Sekretari i Parë i PPSH për rrethin e Shkodrës në atë kohë, me paturpësi
vjen e futet në xhami brenda dhe ma nxjerr rininë përjashta, ndërsa Kryetari i
degës më bën presione nga më të ndryshmet duke më thënë: “Ti je me reaksionari
i të gjlthë klerikëve, pasi po na e helmon rininë, po ju jep opium, më thotë se
duhet të zhvishesha nga petku fetar. Në asnjë mënyrë nuk mund të pranoja diçka
të tillë dhe të tërhiqesha nga ajo rruge që kisha nisur qysh në fëmijëri.”
Baba
Ali Tomori
Jas i iu drejtua ai ushtarit të togës së pushkëtimit që i
ra të fikët pasi nuk donte të qëllonte mbi të, më 14 janar 1948:
“Nrehu bir! Qëllo bir! Zoti qoftë me
ty!... Ngrehu biri im! Po s’qëllove ti, do të qëllojë dikush tjetër. Po s’vrave
ti, do të vrasë dikush tjetër. Gjak, gjak, gjak sa të zbuten djajtë në shpirtin
e njeriut.
Toga hapi zjarr disa herë.
Trembëdhjetë burra bien për të mos u ngritur më, ndërsa Baba Aliu, për çudinë e
të gjithëve, vazhdon të qëndrojë në këmbë.
- Do të të heq taçin Baba
Eshtë dervish Resuli.
- Hiqe bir!
Dervishi u ul, I puthi këmbët.
- Falmë Baba!
- Të kam falur bir!
- U shoftë Shqipëria me këtë farë të
keqe që ka ardhur!
- Mos e mbush gojën bir, mos e rëndo
shpirtin! Se Shqipëria është e të gjithëve, e të gjallëve dhe e të vdekurve.
Dhe sikur të mos e duan të gjallët, nuk e lënë të vdekurit. Mos e ngarko
shpirtin! Shqipëria duhet. Shqipërinë e ka bërë Zoti të jetojë!“
Baba
Shefqet Koshtani
Si iu përgjigj prokurorit në seancën gjyqësore
“Nuk ia vlen të kërkosh arsye, e
keqja nuk fillon dhe nuk mbaron me ne. Ky është mallkimi i Perëndisë. Mendjet
tona nuk janë në gjendje ta gjykojnë. Gjarpri do ta shtrëngojë për gryke këtë
vend për një kohë të gjatë.”
Peshkop
Irene Banushi
Si e kundërshtoi shkatërrimin e enteve fetare:
“Feja s’ka pse të prishet, sepse ay
është edhe funksioni kryesor i saj, të harmonizojë jetën e njeriut si na e ka
lënë Ati ynë.”
Imzot
Joan Pelushi
“Kontakti im i parë me besimin
ishte në vitet 1974-1975. U bëra
pjesë e një
grupi të vogël, të një kishe të
nëndheshme dhe u pagëzova fshehurazi në 24 Qershor të vitit 1979, dita e festës
se Shën Joan Pagëzorit (nga ku vjen edhe zgjedhja e emrit Joan), pagëzim i bërë
në Bestrovë të Vlorës, nga prifti i devotshëm dhe i patrembur At Kozma Qirio, i
cili pas hapjes së kishave u ngrit në gradën peshkopale dhe njihet si Imzot
Kozmai. Në Vlorë kam marrë edhe kungimin e parë”,
Klerikët myslimanë e të krishterë, u bënë fli të besimit
të tyre, besnikë deri në fund ndaj Zotit dhe besimtarëve. Ata ishin gjithashtu
të brumosur me dashurinë ndaj besimit e atdheut dhe nuk pranuan asnjë kompromis
me regjimin, duke i qëndruar besnikë fesë dhe kombit, për të cilët shpirti i
tyre mbeti gjitmonë i lirë.
Kush ishin martirët që e pësuan nga genocidi komunist?
Kleri Mysliman
Të
pushkatuar: Hoxhë Selim
Brahja (1946), Imam Seit Idriz Shehu (1946), Myfti Shyqyri
Hoxha (1946), Myezin Qazim Roji (1946), Imam Halil Hoxha (1946),
Vdekur
në burg: Imam
Liman Shabani 1945),
Imam Ahmet Troci
(1945), Imam Ahmet Hysejni
(1045), Hafiz Mustafa
Varoshi (1948), Hoxhë
Jakup Dusha ( 1953), Hafiz Xhemal Naipi (1955).
Burgosur: Hafiz Ali Korça, Hafiz Sherif Langu, Hafiz
Ali Kraja, Hafiz Esat Myftia,
Hafiz Ibrahim Dalliu,
Hafiz Ismet Dibra , Hafiz
Musa Dërguti, Hafiz
Sabri Koçi, Haxhi
Faik Hoxha, Haxhi Faik Sheh Qazim
Hoxha,
Kleri Bektashian
Pushkatuar: bBaba
Qamil Gllava (1945), Baba Xhelo Gllava (1946),
Hajro Progonati (1947), Baba Ali Tomori (1948), Baba Shefqet Koshtani
(1948), Baba Bedri Carkanji (1948), Baba Habibi (1948).
Vdekur
në burg: Dervish Mehmet Verleni (1947), Dede Kamber Prishta
(1950), Baba Muçua i Prishtës (1950), Baba Mustafa Canaj (1952
Të
vetëvrarë: Dede Hilmi Abazi (Elezi), Baba Hajro Progonati, Baba
Mehmet Kreshova, Baba Bektash Sevasteri, Baba Myrteza Kruja, Baba Samiu i
Kulmakut.
Burgosur: Baba
Bajram Mahmutaj, Baba Paja, Baba Ilmiu, Baba Halim Therepeli, Baba Mehmet
Frashëri, Baba Sulua, Baba Islam Leskoviku, Baba Abdulla Kruja, Baba Hilmi
Shëmbërdhenji, Baba Sami Kamthi, Baba Dule Manaj, Baba Tahir Kuçi, Baba Jonus
Greshica, Baba Qazim Devolli, Baba Muharrem Agushi, Baba Ismail Jangulli,
Dervish Hysni Rehova, Dervish Nebi Cenollari, Dervish Tashja, Dervish Bajram
Çerçizi, Dervish Hysniu, Dervish Meta Vërleni, Dervish Teki Plashniku, Dervish
Rustem Velçani, Dervish Ali Korça.
Internuar: Dede
Ahmet Myftari, Dede Reshat Bardhi, Baba Selim Kaliçani, Baba Shaban Dervishi,
Baba Sherif Canometaj.
Kleri Halvetian
Pushkatuar: Sheh
Ibrahim Karabunara (1947 bashkë me të birin), Sheh Qerimi i Delvinës (1947), Shehu
i Devollit (1947)
Vdekur
në burg: Sheh Myslim Luma (1958)
Kleri Katolik
Pushkatuar: Atë Lekë Luli (1944), Atë Leonard
Targaj (1945), Dom Lazer Shantoja (1945), Dom Ndre Zadeja (1945), Dom Mark
Gjani (1945), Atë Papa Pandi
(1945), Atë Anton Harapi
(1946), Atë
Giovani Fausti (1946),
Atë Daniel Dajani (1946),
Atë Gjon Shllaku (1946), Dom Nikoll Gazulli (1946), Dom Alfons
Tranci (1946), Dom Luigj Pici (1946), Dom Zef Maksen (1946), Atë
Bernardin Llupi1946) , Seminaristi Mark Çuni (1946, Dom Luigj Prendushi (1947),
Dom Dedë Maçaj (1947), Imzot Frano Gjini (1948), Imzot Gjergj Volaj (1948),
Imzot Nikoll Deda (1948), Atë Mati Prenushi (1948), Atë Çiprian
Nika (1948), Dom Anton Zogaj (1948), Dom Ejëll Kovaçi(1958), Dom Dedë Malaj
(1959), Dom Zef Bici (1968), Dom Mark Dushi(1968), Dom Marin Shkurti (1969),
Dom Shtjefë Kurti (1971), Dom Mikel Beltoja (1974).
Vdekur
në burg: Atë Bernardin Palaj
(1946), Dom Mark Bicaj (1946),
Atë Serafin Koda (1947), Imzot
Frano Gjuraj (1947), Dom Nikoll Shelqeti (1947), Dom Aleksandër Sirdani (1948),
Dom Pjetër Çuni (1948), Dom Anton
Muzaj (1948), Dom
Ejëll Deda (1948), Dom Nikoll Laskaj
(1948), Dom Dedë
Plani (1949), Dom
Jakë Bushati (1949),
Imzot Vinçenc Prenushi (1949),
Dom Kolec Prenushi (1950),
Atë Gaspër Suma
(1950), Imzot Jul
Bonati (1951), Atë Pal Dodaj (1951), Atë Karlo Sereqi
(1954), Atë Klemen Miraj (1956),
Dom Rok Frisku (1956), Dom Pjetër
Noga (1958), Atë Rok Gurashi
(1965), Dom Anton
Doçi (1973), Imzot Ernest
Çoba (1980), Dom
Mark Hasi (1981),
Dom Lazer Jubani
(1982), Dom Lec Sahatçija (1986), Dom Nikoll Gjini (1987),
Dom Pjetër gruda (1989).
Burgosur: Atë Pjetër Mëshkalla, At Zef Pllumbi,
Imzot Gjergj Haberi , Dom
Zef Shtufi, Dom
Ndoc Nikaj, Dom Mark Shllaku, Imzot
Bernardin Shllaku,
Atë Buon Gjeçaj,
Atë Pal Çurçia, Atë Pashko Gjadri , Dom Nikoll Kimza, Dom
Ndoc Suma , Dom Tomë Laçaj, Atë Marin Sirdani Dom Vlash Muçaj , Atë Leonard Shajaku ,
Dom Mëhill Çuni, Atë Çiril Cani ,
Dom Lazer Dedi, Dom Prng Qefalija
, Dom Nikoll Shllaku , Dom
Ndre Lufi , Atë Floroan Berisha,
Atë Mark Harapi, Atë Marjan Prela , Atë Gjon
Karma , Dom Pal Gjini , Atë Alfons Çuni,
Dom Ndue Çoku, Dom Lekë Dredhaj,
Atë Mëhill
Miraj, Dom Injac
Gjoka , Atë Gegë
Lumaj, Atë Donat
Kurti , Atë Mëhill Troshani
,Atë Sebastian Deda , Atë Filip Mazreku, Atë Frano Kiri, Atë
Ferdinand Pali, Dom Marian
Arta, Atë
Agustin Ashiku, Dom
Kolec Toni, Dom Ndoc Sahatçija.
At Petraq Isak, Papa Josif Papamihali, Vëlla Gjon Pantalia.
Kleri Ortodoks
Pushkatuar: At Gjergj Leka (1944),
At Gjergj Suli (1948)
Vdekur
në burg: At Josif
Papamihali (1948), At
Llazar Api (1972)
Burgosur: Kryepeshkop
Visarion Xhuvani (1946),
Peshkop Irene Banushi
(1946,
At Petraq Isaku (1946).
Këta ishin martirët e fesë që ranë viktimë e genocidit të
paparë në historinë e njerëzimit. Numri i tyre është më i madh por nuk kemi
mundur t’i verifikojmë të gjithë. Nder dhe lavdi të përjetshme kujtimit të tyre
të paharruar!
Sistemi komunist, në fund të dhjetorit 1990, u përmbys.
Një jetë e re rilindi dhe së bashku me të rilindën edhe sektet fetare, Filluan
të rindërtohen kishat, xhamitë, teqetë
dhe entet e tjera fetare. Popullsia
shqiptare filloi përsëri të marrë pjesë aktive në ceremonitë e zhvilluara nga
entet fetare. Besimi në fe ishte ushqimi i shpirtit të tyre.
Një karakterisitkë e veçantë e besimit fetar në Shqipëri
është se, si në rrallë shtete të tjera, ekziston një harmoni e përsosur
ndërmjet sekteve të ndryshme fetare. Një gjë e tillë u tregua më së miri gjatë
vizitës që bënë në Shqipëri shenjtëria e saj
Nënë Tereza më 1989, hirësia e tij Papa Gjon Pali i Dytë më 1993 dhe
hirësia e tij Papa Françesku i Dytë më 2014, ku
i gjithë populli shqiptar pa dallim feje shfaqi dashurinë e tij për këta
përfaqësues të shquar të fesë katolike.
PS. Për hartimin e këtij shkrimi janë shfrytëzuar
materiale nga zotërinjtë Pjetër Pepa, Fritz Radovani, Agron Tufa, Ibrahim
Vasjari si dhe nga mediat online në
internet.