Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Shkallët e Ferrit
E merkure, 19.06.2019, 08:04 PM
Reshat Kripa
Shkallët
e Ferrit
Roman
KREU I PARË
PARA FURTUNËS
“ Njerëzit që
kurrë nuk e kanë njohurdiktaturën
dhe tiraninë e
kanë të lehtë
të jepen pas retorikës për lirinë, duke harruar fare realitetin e
thjeshtë e të tmerrshëm të shtypjes së
njimendtë atje ku ekziston përnjimend. “
Giovani Sartori
(Edhe njëherë për
teorinë e demokracisë)
I
Robert Krasta e kishte
bërë zakon që në çdo përvjetor të
prindërve të shkonte në varreza dhe
të vendoste një
tufë me lule
mbi varrin e
tyre. Vështronte fotografinë e
stamposur në porcelan dhe fillonte bisedën me ta. Këtë zakon kishte kohë që e
kishte bërë. Biseda sikur i qetësonte shpirtin. U tregonte për gjithçka kishte
ndodhur në familje. Ndonjëherë, kur gjente vështirësi në ndonjë gjë, u kërkonte
ndihmë atyre dhe i dukej sikur ata i përgjigjeshin. Ndoshta kjo mund të ishte
ndonjë hamendje e tij, megjithatë ai e besonte. Kjo sikur e
ngushullonte. E ndjente veten më të lehtësuar.
Aty pranë ndodheshin edhe
dy varre të tjerë, fare të thjeshtë, vetëm me bordurat anësore që i vendoste
ndërmarrja komunale dhe një pllakë granili në krye, ku ishin shënuar emrat e
atyre që preheshin. Ishin varret e mikut të tij Agronit, së bashku me familjen
e tij tragjike. Si mbaronte vizitën në varrin e prindërve, shkonte edhe te ai i
mikut të tij.. Vendoste edhe atje një tufë me lule. Ishin lulet e vetme që
zbukuronin ato varre. I pastronte nga bimët e këqia që mbinin dhe i lagte me
ujë me një shishe që e sillte me vete.
Kështu ishte zakoni. Nuk kishte kush tjetër ta bënte atë punë. Miku i tij nuk kishte
lënë njeri, përveç një vëllai që e kishte braktisur nga frika e persekutimit.
Ishin kohë të vështira. Ndiente një dhimbje për fatin e mikut. I dukej sikur
kishte një boshllëk nga mungesa e tij. Miku i kishte lënë gjurmë të thella në
ndërgjegje, gjurmë që zor se mund të shlyeshin ndonjë ditë.
Kështu veproi Roberti edhe
atë ditë qershori, në përvjetorin e vdekjes së nënës dhe mikut të tij. Bleu dy
buqeta të bukura lulesh dhe shkoi të kryente ritin e zakonshëm. U gjunjëzua në
varrin e prindërve. Vendosi tufën e luleve dhe filloi bisedën me ta. Ndjente
një mall të madh. Në rininë e tij kishte qenë një djalë çapkën me një shpirt
rebel. I ndezur nga furitë *, në moshë fare të njomë, ishte ngritur kundër
sistemit dhe kishte përfunduar prapa
hekurave të burgut. Prindërit nuk i ishin ndarë nëpër shkrepat dhe gërxhet ku e
hodhi fati, deri sa e kthyen përsëri në gjirin e familjes. Këtë gjë ai nuk mund
ta harronte.
Ndërsa vështronte
fotografinë e tyre të stamposur në porcelan, i kujtohej kampi i
* Në mitologi, xhinde që futeshin në shpirtin e
njeriut dhe e xhindosnin
Bulqizës, në shtatorin e
vitit 1955. Kishin organizuar një mbrëmje
përkujtimore për nder
të tridhjetepesë vjetorit të
Luftës së Vlorës. Në atë mbrëmje kishin recituar poezi kushtuar kësaj lufte nga
autorë të burgosur. Për këtë i kishin dënuar tre muaj pa takim me familjen.
Rastisi qënë atë periudhë t’i vinte e ëma. Autoritetet nuk e lejuan ta takonte. Nënës, pasi
kishte udhëtuar për dy ditë, i duhej të udhëtonte dhe dy të tjera për t’u
kthyer, për më tepër pa u takuar me të birin.
Pasi u lirua nga burgu, prindërit nuk ia hodhën asnjëherë në sy atë
ngjarje të hidhur të jetës së tij. As e
qortuan, as i folën, përkundrazi i qëndruan fare pranë , sikur të mos kishte
ndodhur gjë. Sjellja e tyre i dha të kuptojë se ishte kthyer në gjirin e
familjes si më parë. Kjo bëri që të
harronte vuajtjet që kishte kaluar.
Roberti u ngrit dhe u
drejtua nga varret e mikut të tij. U habit jashtë mase kur pa se në vend
të varreve tëthjeshtë, tani ngrihej një varrosh madhështor prej mermeri,
poshtë të cilit preheshin eshtrat e pjestarëve
të familjes së
mikut. Mbi varrosh
ngriheshin dy pllaka mermeri me mbishkrime. Në njerën prej tyre ishte
shkruar:
BEXHET CANAJ
1900 – 1943
GJYLO CANAJ
1905 – 1985
Ndërsa në të dytën
dallohej mbishkrimi:
AGRON CANAJ
1930 – 1987
LUMTURI CANAJ
1935 – 1975
IRIDA CANAJ
1959 – 1975
Në mes të pllakave, mbi
emrat e tyre ishin vendosur dy fotografi
të bukura porcelani. Në të parën ishin prindërit e Agronit, i ati me uniformën
e ushtarakut mbretëror, ndërsa e ëma, një vajzë
shumë e bukur. Në të dytën ishte fotografia e Agronit me Lumturinë dhe
Iridën, që Roberti e kishte parë disa herë në shtëpinë e tyre. Kishin dalë një
vit më parë se të ndodhte tragjedia. Ishte fotografia e tyre e fundit. Dukeshin
si engjëj që fluturonin në parajse
Në mes të bazamentit të
varroshit ishte shkruar epitafi i mëposhtëm:
NË
JETË KËRKUAT GËZIM,
NJERËZIT
JU KISHIN HARRUAR,
POR ZOTI
ME PËRDËLLIM,
JU DHA
LIRINË E AMËSHUAR!
Robert Krasta mbeti i
çuditur para pamjes së atij varroshi. Para një viti ishin dy varre të thjeshtë.
Kush e kishte ngritur? Po eshtrat e të atit kush i kishte hequr nga varrezat e
dëshmorëve dhe i kishte sjellë këtu? Përse e kishte bërë një veprim të tillë?
Këtyre pyetjeve nuk ishte në gjendje t’u kthente përgjigje. U gjunjëzua pranë
tyre, vendosi buqetën e luleve dhe po shikonte fotografitë dhe epitafin.
- O Zot! Si e shkatërrove
këtë familje fisnike? – tha me një dhimbje të thellë.– Si nuk të erdhi keq për
ta?
- Ky varr ka shumë dilema,
- dëgjoi një zë prapa tij. Ktheu kokën dhe pa specialistin që ndërtonte
varroshet.
- Çfarë thatë? - pyeti
Roberti.
- Thashë që ky varr ka
shumë dilema
- E përse?
- Kam tridhjetë
vjet që punoj
në këtë
profesion. Që
nga dita kur
vdiq Irida e
vogël dhe pas saj
Lumturia, në këtë
varr nuk kam parë
të vinte njeri,
përveç nënë Gjylos
dhe Agronit, pasi doli nga burgu. Me vdekjen e tyre ishe vetëm
ti që i
vizitoje këto varre. Mendoja se nuk kanë të afërm të tjerë.
U çudita pa masë kur sivjet pashë të vëllanë që erdhi. Nuk e kisha parë herë
tjetër. Solli eshtrat e të atit. Më
porositi që të ndërtoja një varrosh madhështor. Ato lule që shikon aty dhe që
kanë filluar të vyshken i ka sjellë ai ditën që mbaruam varroshin. Kjo është
dilema e ime.
- Ajo dilemë
është një histori
dramatike që më
mirë të mos e dëgjosh.
- Më mirë mos
ma thuaj. Jam
lodhur me të tilla
histori. Tani më
falni se dua të largohem. Duhet të punoj.
Mirupafshim!
- Mirupafshim!
Specialisti i
varrosheve u largua
duke e lënë Robertin mjaft të habitur. Të vëllanë e
Agronit e kishte takuar kur i kishte vdekur e ëma dhe kur ndërroi jetë ai vetë.
Dy vëllezërit pothuajse nuk bëheshin fare. Skënderi, kështu quhej, kishte patur
një punë të mirë. Ishte drejtor ndërmarrje dhe nga frika se mos e pushonin nga
detyra, i preu mardhëniet me të vëllanë.
Gjatë dhjetë viteve që ai bëri burg nuk i vajti asnjëherë, bile nuk guxonte të
ndihmonte as të ëmën. Ky ishte paradoksi i kohës. Ditën që ajo vdiq shkoi
në varrimin e saj dhe iku të nesërmen që
pa gdhirë. Të gjitha këto bënë që Roberti të habitej me vendimin e tij për të
ndërtuar një varrosh madhështor. Çfarë e kishte shtyrë?
Nuk foli më. Ai e dinte
shkakun e dilemës që mundonte specialistin, por e ruante vetëm për veten.
Agroni ia kishte lënë amanet që të mos ia tregonte kujt. Vështronte epitafin e
shkruar aty dhe para syve i dilte ajo ngjarje e dhimbshme që kishte ndodhur
para shtatëmbëdhjetë vitesh. Ishte një ngjarje e hidhur, nga ato që nuk
harrohen lehtë dhe që ai e kishte mësuar nga goja e vetë Agronit. Kjo ngjarje i
dilte tani para syve e gjallë ashtu siç kishte ndodhur.
II
Gushti atë ditë po
mbaronte me shumë shira. Retë ngërtheheshin me njëra tjetrën dhe gjatë
përplasjes lëshonin vetëtima verbuese që pasoheshin nga bubullima shurdhuese
- Shi vere, - tha një
kalimtar që vraponte për t’i shpëtuar rrebeshit. - Njërën anë të gunës ta lag, kurse tjetrën jo.
- Vera tani na la shëndenë
- tha një tjetër që priste të pushonte shiu nën strehën e një godine
Vera në të vërtetë kishte përfunduar, duke ia lëshuar vendin
vjeshtës së mërzitshme dhe monotone. Rrugët ishin pothuajse të zbrazëta. Tek
tuk të shihte syri ndonjë gaz 69-ësh* të lëvizte me ndonjë drejtor brenda. Shiu vazhdonte të binte duke dashur të
sfidojë vapën e madhe që kishte sunduar për muaj me radhë.
- Mor po ky dashka të bëka
kiametin! - foli me vete Rustemi, roja i zyrave të ndërmarrjes, duke qëndruar i
mbyllur në dhomën e caktuar për të. Kur bënte kohë e mirë, dilte aty rrotull
dhe çoku bisedonte me banorët që takonte
rastësisht.
Kështu e kalonte kohën e
shërbimit, duke biseduar dhe shpesh herë duke bërë ndonjë
* Makinë e
vogë, tip veture, mbuluar me mushama.
dorë domino me cilin të
mundte. Kjo ishte e vetmja gjë që
dinte të bënte
ai fakir. Kishte zbritur nga një fshat i largët i vendosur midis dy
maleve, ku arrat ishin si oazet në shkretëtirë. Në to mbillej
vetëm thekër. Me
këto dhe me disa bagëti që kishin, jetonin fshatarët. Për të mbijetuar
shteti e kishte bashkuar këtë kooperativë me të tjera të zonës. Të gjitha këto
formonin një kooperativë të
bashkuar. Ishte pesëdhjetetetë
vjeç. Në kohën e Luftës kishte qenë partizan, së bashku me të atin që kishte
rënë në luftën për liri. Pas mbarimit të saj ishte bërë oficer.
Por lumëmadhi kishte
mbaruar vetëm shkollën fillore, kështu që në vitin 1949 e zhveshën nga
ushtria. Megjithatë një favor e pati. Nuk e çuan më në fshat, kështu që shpëtoi
nga kooperativa. Pasi kishte punuar nëpër punë të ndryshme, së fundi kishte
ndonjë vit që punonte si roje. E fillonte shërbimin në orën katër pasdite dhe e
linte më gjashtë të mëngjesit të nesërm.
Ndërkohë po zbriste nga
shkallët inxhinier Agroni, një burrë
mbi të dyzetat.
Kishte studiuar në
Sofje me rezultate të
shkëlqyera Fillimisht ishte emëruar si
inxhinier i thjeshtë, por më vonë, duke
parë aftësitë e tij, e
kishin emëruar kryeinxhinier të
ndërmarrjes.
Përveç bullgarishtes,
zotëronte edhe anglishten, frëngjishten dhe italishten. Kishte një trup të
gjatë dhe shumë të rregullt. Një palë mustaqe i dërsinin mbi buzë. Sytë e zezë,
flokët gjithashtu, balli i gjërë prej dijetari, i jepnin një hijeshi të madhe.
Ishte njeri i sjellshëm dhe buzagaz. Punonjësit
nuk e nxirrnin
nga goja. Për
të thuheshin fjalët më të mira.
Megjithatë, ishin edhe
disa zëra që
pëshpërisnin se Agroni
na paskësh disa çfaqje të huaja të ideologjisë borgjeze. Një
nga këto, simbas
tyre, paska qenë
edhe leximi i shumë librave perëndimore në gjuhë të huaja, që ai i
paskësh në shtëpi.
- Shumë u vonove sonte,
shoku kryeinxhinier, - i foli Rustemi sa e pa.
- Në fakt kisha shumë
punë. Pastaj ju e shikoni se ç’shi po bie. Ku të le ky i uruar të ecësh?
- Po, po vërtet, po bëhet
kiameti. Eja rrimë një copë herë bashkë dhe bëjmë një barrë muhabet se mase
pushon edhe shiu.
Agroni u mendua një copë
herë dhe pasi vështroi edhe një herë përjashta, u fut në dhomën e rojes.
- A u lodhët, a u mërzitët
ndopak, o xha Rustem?
- Si e thua atë fjalë more
shoku kryeinxhinier, ku lodhet njeriu kur punon për të mirën e përgjithshme? Të
na rrojë Partia dhe shoku Enver që na pruri këto ditë të mira, pa kush pyet për
lodhjen tonë. Ja ti, a nuk qëndrove deri vonë sot?
- Keni të drejtë, është e
vërtetë. Po çfarë do na thoni? Ç’keni dëgjuar të pëshpëritet rreth e rrotull.
Ndonjë të re apo të vjetër.
Agroni e njihte karakterin
e Rustemit. Ai e dinte se po ta
gërvishte mund të nxirrte prej tij shumë gjëra. Ai ishte antar
partie dhe me siguri mund të nxirrte prej tij ndonjë gjë që mund të ishte
diskutuar në mbledhjen e organizatës së partisë. Ngjarjet e muajve të
fundit shtynin të
mësonte më tepër.
- Po ja, more shoku
kryeinxhinier, - këtë shprehje ai e përdorte
vazhdimisht, - si të të them. Mua më vjen keq për ty se je djalë i mirë dhe
të duan të gjithë. Ndaj të këshilloj të ruhesh dhe të mos bisedosh me asnjëri.
Agroni e dëgjonte me
vëmendje. Këto fjalë i dhanë të kuptojë se diçka
kishte ndodhur.Donte ta ngacmonte më tej për të nxjerrë ndonjë gjë
tjetër prej tij. Një gjë e tillë nuk ishte e vështirë, pasi naiviteti i
Rustemit e bënte më të lehtë një gjë të tillë.
- Unë nuk bisedoj me njeri
gjëra që nuk duhen biseduar, more xha
Rustem! Në fund të fundit çfarë mund të bisedojë? Keni dëgjuar ndonjë gjë ju?
Thomani se ju e dini që ne të dy jemi familje të Luftës
Nacionalçlirimtare. Baballarët tanë janë vrarë në luftën për liri.
- Po ja, more
shoku kryeinxhinier, para një jave në mbledhjen e organizatës
bazë, nja dy shokë thanë disa
gjëra që mua nuk më pëlqyen.
- E çfarë
thanë?
- Thanë
se ti lexoke literaturë kapitaliste në gjuhë të huaja dhe se gjoja këto të
paskan helmuar ndërgjegjen. Thanë, gjithashtu, se shtëpinë e paske të
mbushur me libra
të tillë të ndaluar.
- Po tjetër?
Rustemi u
mendua. Brenda tij po zhvillohej një luftë në se duhej t’ia
thoshte apo jo Agronit të gjitha
ato që kishte dëgjuar. Më së fundi vendosi.
- Folën edhe
për ata dy shokët e tu, Stefanin dhe
Gjergjin. Mua ata
më duken djem shumë të mirtë.
Thanë se rridhkan nga familje reaksionare dhe se ju pëshpëritkeni lart e poshtë
për një ndryshim të sistemit. Të them të drejtën unë nuk i kuptoja të gjitha
ato që flitnin ata, por që ishin kundra jush, këtë e kuptoja fare mirë.
- Po kush i thoshte këto fjalë?
- Më tepër Resuli me Ibrahimin.
Kishte edhe disa të tjerë që i përkrahnin.Por aman, se mos u thuash gjë, se më
merr në qafë. Do më akuzojnë se kam nxjerrë jashtë sekretin e partisë dhe më
merr lumi pastaj. Unë po t’i them ty se më pëlqen dhe më vjen keq të të ndodhë
gjë, se e di që prej teje nuk del gjë. Vërtet nuk kam shkollë, por të vërtetën
e kuptoj fare mirë.
Resuli ishte
normist, ndërsa Ibrahimi teknik në një nga objektet e ndërmarrjes. Me ta Agroni
ishte ndeshur disa herë, pasi i
kishte kapur në
gabime në lidhje me zbatimin dhe
normimin e punimeve të objektit. Ishin pothuajse fare të paaftë. Mirpo ata
ishin komunistë, ndërsa Agroni jo. Kjo u jepte mundësinë atyre që mllefin e
xhelozisë së tyre ta shprehnin në organizatën e partisë.
- Mos u bëni
merak xha Rustem. Unë jam i heshtur si vdekja. Po sikur pushoi edhe shiu dhe po
iki tashti. Mirupafshim dhe ta kaloni i qetë.
Mendoi se për sot kishte mësuar plot gjëra. Mori
biçikletën që e mbante në korridorin poshtë dhe u nis duke menduar përsa i
kishte thënë Rustemi. Fjalët e tij i dhanë të kuptojë se për deri sa problemi
kishte shkuar në organizatën bazë të partisë, punët ishin komplikuar. Ndaj
duhej menduar mirë si të vepronte. Mendoi të fliste me Stefanin e Gjergjin dhe
t’ua shpjegonte se, prapa shpinës së tyre, një prapaskenë po përgatitej. Atyre
u duhej treguar gjithçka kishte ndodhur deri në atë ditë. Deri më sot kishte heshtur pasi shpresonte se
çështja do të mbyllej shpejt. Donte të mos i shqetësonte. Kurse me rrjedhën që
kishin marrë ngjarjet, koha nuk priste më. Duhej biseduar sa më shpejt, më parë
se çështja të merrte ndonjë rrugë tjetër.
III
Gjëma
kishte filluar dy muaj më parë. Deri atë ditë kishte qenë një tip i shkujdesur.
E pse të mos ishte?Vetë kryeinxhinier, gruaja drejtore shkolle, vajza nxënëse e
shkëlqyer, nëna pensioniste. Të gjitha këto ia kushtonte të atit që kishte
sakrifikuar jetën për këto ditë.
Në
pasdite shkonte në klubin e shahut.Ishte pjesmarrës i skuadrës përfaqësuese të
qytetit. Duke ecur dëgjoi një zë që i
foli:
-
Agron, më prit se erdha.
Ktheu kokën dhe dalloi Stefanin. Edhe ai ishte pjesëtar i
asaj skuadre. U
takuan dhe u nisën drejt klubit, ku do të zhvillonin një simultane.
- Si shkove sot? - e pyeti Stefani.
- Si çdo ditë, plot me punë dhe telashe.
Traineri sa i pa u hoqi vërejtjen për vonesën, por ata iu
përgjigjën se ishin penguar nga punët e shumta që kishin në zyrë. Shokët e
tjerë kishin ardhur me kohë. Agroni ishte shahisti numur një i skuadrës. Ai do
zhvillonte simultanen me shokët e tjerë. Nga dhjetë takime fitoi shtatë, dy
dolën remi, ndërsa një e humbi, atë me shokun e tij Stefanin që nuk mbetej
shumë prapa tij. Si mbaruan ndeshjet u nda me të dhe u nis për në shtëpi.
Rrugës takoi rastësisht Petritin, kryetarin e degës së punëve të brendëshme. Ai
udhëtonte me makinë. E ndaloi dhe
zbriti.
- Sa mirë që ju takova, - i kishte thënë . - Ejani të
pimë një kafe.
Hipën në makinë dhe u nisën. U futën në turizmin e qytetit.
Kamarieri sa i pa iu drejtua:
- Urdhëroni këtej, shoku kryetar.
Hynë në një dhomë të veçantë, në mes të së cilës ishte një tavolinë e
rrethuar nga katër kolltukë të
rehatshëm.
- Dy kafe dhe dy uiski - porositi kryetari.
Kamarjeri pruri porosinë dhe u largua.
- Hajde gëzuar dhe suksese!
- Gëzuar!
- Si po shkoni me punë? A e keni realizuar planin?
- Patëm disa vështirësi, por ia dolëm. Pesëmujorin e
realizuam 105 përqind.
- Po për kuadrin e ndërmarrjes çfarë opinioni keni? A
janë të gjithë të përkushtuar?
- Besoj se po.
- Besoni? Mos vallë keni ndonjë dyshim?
- Jo.
- Dëgjoni Agron, ju jeni njeriu ynë. Partia te ju ka
besim të plotë, ndaj iu ka ngarkuar atë detyrë. Por edhe ju duhet të jeni të
kujdesshëm. Jo të gjithë kanë prejardhjen tuaj. Ne kemi disa të dhëna se aty
punojnë edhe disa njerëz me përbërje jo të mirë. Ata ne duhet t’i survejojmë,
t’i mbajmë nën kontroll.
- T’ju them të drejtën, unë nuk njoh asnjë të tillë.
- E di prandaj po ju flas. Fjalën e kam për
ata
dy inxhinierët
që ju i
keni shokë, Stefan Gjokën dhe Gjergji
Panon.. Sipas të dhënave që kemi ne, i pari ka patur xhaxhanë të dënuar
politikë, ndërsa gjyshi i Gjergjit është arratisur në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës së bashku me hordhitë e tradhtarëve në vitin 1944. Dikush i ndihmoi
dhe mundën të mbarojnë universitetin. Kjo është punë tjetër, por kam dëgjuar se
edhe sot diçka pëshpërisin poshtë e lartë dhe ju e dini që këto nuk janë gjëra
të mira për vendin tonë, sidomos në konditat që ndodhemi sot.
Agronit iu duk
sikur e kafshoi një gjarpër. Stefanin
dhe Gjergjin i
kishte shokë të ngushtë. Kishte biseduar me ta
për gjithfarë problemesh,
por asnjëherë për
probleme politike. Iu duk sikur uiski që i kishte ofruar kryetari ishte
farmak, sikur i kishin dhënë qëllimisht
një gotë helm. Asnjëherë deri në atë ditë nuk kishte provuar një ndjenjë të
tillë. Ai kishte një përceptim tjetër për shoqërinë. Ky përceptim ishte
mbështetur në ndershmërinë dhe sinqeritetin.
Kurse tani i kërkohej që të vinte një maskë, në mënyrë që ndryshe të
shtirej dhe ndryshe të vepronte. Por a mund ta luante ai këtë rol? Një gjë e
tillë binte në kundërshtim me karakterin e tij. U zu ngushtë dhe nuk dinte se
si të përgjigjej.
- Ata janë vërtetë shokët e mi, - tha më në fund me një
zë që dukej sikur nuk ishte i tij, - por asnjëherë nuk kam dëgjuar prej tyre
ndonjë shprehje kundër pushtetit popullor.
Kryetari e vështroi njëherë në fytyrë dhe pastaj i
tha me një
ton ndryshe nga
ai që
kishte përdorur deri atëhere:
- Mirë mirë, po dëgjomëni edhe mua. Ata nuk janë
budallenj që të flasin në syrin tuaj. Por ne duhet t’ua nxjerrim me çengel. Për
këtë duhet të bashkëpunojmë së bashku. Megjithatë, le ta lemë për sonte këtë
muhabet, pa do takohemi përsëri. Ejani të ikim se vajti vonë.
E shoqëroi me makinë deri në shtëpi. Rrugës nuk shkëmbyen
asnjë fjalë. Pasi i uroi, si nëpër
gojë, natën e mirë u largua. Agroni hyri në shtëpi, puthi të ëmën, përqafoi të shoqen, Lumturinë dhe iu drejtua
së bijës pesëmbëdhjetëvjeçare:
- Si është Irida e
babit?
Ajo vrapoi si flutur dhe e përqafoi.
- Babi kur do e marrësh lejen e zakonshme që të shkojmë
në plazh?
- Më 1 gusht kam prenotuar një gabinë. Do shkojmë të
katër dhe do kënaqemi.
Fjalët e kryetarit e
kishin tronditur. Deri
atë ditë kishte
qenë i qetë.
Punonte me përkushtim dhe ndjente
kënaqësi nga puna e tij. Për të Stefani dhe Gjergji ishin njerëz shumë të
mirë. Ishin të sjellshëm, punëtorë dhe
korrektë me të gjithë. Nuk i kuptonte fjalët e kryetarit. Përse duhej të
qëndronte larg tyre, kur ata ishin kuadro të mirë? Ai i kishte thënë se ishin
me përbërje të keqe politike. Po pse duhej të përgjigjeshin nipërit për ato që
kishin bërë xhaxhaj apo gjyshi? Për më tepër kryetari i kishte kërkuar për të
bashkëpunuar për qëndrimin e tyre. Çfarë bashkëpunimi mund të bënte? Të bëhej
spiun! Kjo pyetje sillej rrotull në mendjen e tij të turbulluar.
- Agron, nuk të shoh mirë sot, - i tha Lumtua kur u
shtrinë në shtrat, - Çfarë të mundon?
Fytyra e jote nuk është si herët e tjera. Folmë. Mos
më fshih asgjë.
- Lumto, ty nuk të fsheh gjë. Do të të shpjegoj
gjithçka. Jetën time, ose më mirë jetën tonë, e ka mbuluar një mjegull e
errët.Një hije e zezë po sillet rrotull nesh. Ajo po përpiqet të na
shpërfytyrojë. Si të veproj?Dua mendimin tënd.
-
E çfarë hije mund të mbulojë një kryeinxhinier si ti, apo një drejtoreshë si
unë? A nuk jemi familje dëshmori? Përse u vra babaj yt? A nuk
u vra për këto ditë që ne gëzojmë sot?
- Po, e dashur, po. Por nuk qenka çdo gjë ashtu si mendon
ti.
- Për besë, mos më mundo më tepër, më thuaj çfarë ka
ndodhur?
- Takova kryetarin
e degës. Më
kërkoi të bashkëpunoja
për survejimin e Stefanit dhe
Gjergjit. Me pak fjalë të shndërrohem në një spiun ordiner.
- Të survejosh Stefanin dhe Gjergjin? Po çfarë kanë me
ta? Ata janë njerëz të shkëlqyer. Ti më ke thënë se edhe me detyrën janë shumë
të rregullt.
- Sipas kryetarit qenkan me përbërje të keqe politike dhe
paskan filluar të pëshpërisin poshtë e lart kundër pushtetit popullor.
- Po ti që je shokë i ngushtë me ta, a ke dëgjuar ndonjë
pëshpërimë të tillë?
- Asnjëherë.
- Po atëherë, kur nuk kanë biseduar me ty që të kanë
shokë të ngushtë, me cilin do të guxonin të bisedonin?
- Nuk e di. Kam një turbullirë në kokë.
Të them të
drejtën nuk e
kuptoj këtë politikën që po ndjek
vendi ynë. Të gjithë shikohen si armiq. Po mbushen njëzet e nëntë vjet nga
mbarimi i luftës dhe akoma flitet për patriotë dhe armiq. Me të gjithë shtetet
e botës jemi prishur, a thua se vetëm ne paskemi patur të drejtë. Më duket
vetja si një manekin që e komandojnë të tjerët. Ndërsa unë dua të jem i
pavarur. Dua të kem mendimin tim dhe ta shpreh atë lirshëm, pa patur frikë se
mos më dëgjon kush.
Qëndroi në heshtje për disa minuta, sikur do të merndohej
se çfarë të thoshte. Turbullira që kishte në kokë ia ngatërronte mendimet.
Fjalët e kryetarit të degës ia kishin prishur qetësinë e
deri atëherëshme.
- Shiko se çfarë shkruan filozofi Izajah Berlin në librin
e tij “Idetë filozofike të shekullit të
njëzet“, botuar pesë vjet më parë, Këtë libër ma solli Beni që punon në
ambasadën tonë atje.
U ngrit, shkoi tek etazheri dhe pasi mori librin filloi
ta lexojë:
“ Dëshira ime si njeri është
që jeta ime
dhe vendimet e
mia të varen
vetëm nga unë. Dëshëroj të urdhërohem vetëm nga vullneti im
dhe askujt tjetër. Dëshëroj të jem subjekt dhe jo objekt, të udhëhiqem nga
arsyeja ime, nga synimet e mia të ndërgjegjshme. Dëshiroj të jem dikushi dhe jo
askushi. Të jem veprues, të marrë vendime dhe jo të vendosin të tjerët për mua.
Të drejtojë vetveten dhe jo të jem
nën veprimin e fuqive të
jashtme natyrore apo njerëzore, si të isha send apo kafshë, apo në
gjendjen e skllavit që nuk është në gjendje të luajë rolin e tij si qenie
njerëzore. “
Mbylli librin dhe e vendosi përsëri në etazher.
- Agron, zgjohu nga ëndrrat, - foli Lumturia. - Zbrit në tokë. Ato që po thua ti ekzistojnë
vetëm në përralla. Mos e torturo veten me fantazira të tilla.
- Dëgjo
Lumto! Kam nevojë
të flas, por
përveçse me ty
nuk guxoj me
asnjë tjetër. As me Stefanin dhe Gjergjin. Dua të jem dikushi, por shoh
se koha në të cilin jetojmë nuk të lejon. Ajo kërkon që të gjithë qytetarët të
jenë askushi. Jam intelektual. Kam personalitetin tim, dinjitetin tim. Sot
kërkojnë të më zhveshin nga të gjitha këto. Si t’ia bëjë?
- E kush kërkoka të të çveshi nga personaliteti yt?
- Çerberët *, djajtë e kohës tonë. Ata nuk na lejojnë të jetojmë. Nuk mund të pranojë që të spiunojë shokët e mi më të mirë, vetëm e vetëm
sepse ata paskan fatin e keq të rrjedhin
nga një familje
që paska patur
mendime të kundërta me
udhëheqësit e sotëm.
- Mjaft Agron se më tmerrove! Përse i kujton sot këto
gjëra të tmerrshme? Të keqen Lumtua, t’u bëfsha kurban, mos i bisedo me asnjë,
se do na ndodhë ndonjë hata.
- Mos u tremb Lumto! I kam aq mend për ta kuptuar
këtë, por t’i thashë se nuk mund të
duroja dot pa i çfaqur ndjenjat e mia.
Nuk folën më. Mbyllën dritën, por asnjerin nuk e zinte gjumi. Secili
mendonte me vete se çfarë do të ndodhte në të ardhmen. Edhe Lumtua, edhe Agroni po mendonin se cilën rruge
duhej të ndiqnin për të përballuar atë hije të frikshme që po u afrohej. Gjumi
kishte fluturuar nga sytë e tyre.
- Lumto, mund të më bësh një çaj kamomil?
Agroni ndezi abazhurin dhe u ngrit ndenjur në shtrat.
- Mirë u kujtove, edhe unë kam nevojë të pi një çaj të
tillë, - tha Lumtua duke u ngritur. - Ndoshta ai na qetëson.
I pinë çajet pa folur. Mendja e secilit prej tyre kishte
fluturuar larg, në botën e padukshme të ankthit që ia bluante shpirtin
dhimbshëm. Por zgjidhje nuk i jepnin
dot. Së fundi Lumtua foli:
- Dëgjo Agron, mblidhe mendjen! Çdo gjë do të shkojë më
së miri. E pse duhet të trembemi? Familje e luftës jemi. Arsimin e duhur e
kemi. Në punë jemi model. Atëhere pse duhet të sjellim ndër mend gjëra që as
nuk duhet t’i përfytyrojmë. Do të shohësh se çdo gjë do të shkojë si sahat. Eja
të flemë tani se nesër do të shkojmë në punë që me mëngjes.
- Mirë thua grua, ke të drejtë.
U shtrinë dhe pasi kaloi një farë kohe i zuri gjumi, por
krimbi i ankthit nuk rreshti së brejturi shpirtrat e tyre edhe në atë
gjysmëgjumë të plagosur.
IV
- Babi shiko si notoj, a nuk jam kampione? - thërriste
Irida, duke qeshur me të madhe.
- Po, bija e babit, ti je kampione e vërtetë. Eja Lumto,
se çupa do të kërcejë nga trampolina.
Të dy bashkonin duart, Irida hipte në to dhe kërcente në
det duke thërritur:
- A e bëra mirë?
- Po, shumë mirë.
- Ta bëjmë dhe një herë tjetër.
Kështu
vazhdonin gjithë ditën
në mes të gazit
të vogëlushes që
kishte një kënaqësi
* Në
mitologjinë greke qen me tre koka që ruan portat e ferrit.
pranë prindërve të saj. Ata e shikonin me adhurim. Ajo
ndiente një krenari të madhe. I ati ishte kryeinxhinier, ndërsa e
ëma drejtore shkolle.
Këto i jepnin
një ndjenjë epërsie mbi shoqet e tjera. Ishte pikërisht kjo ndjenjë
që e ekzaltonte më tepër.
Mbasi u lodhën duke notuar, dolën në rërë dhe u shtrinë
nën hijen e çadrës. Në drekë
u kthyen në
shtëpi, ku nënë Gjyla kishte
përgatitur një drekë të shijshme.
- Gjyshe, - i tha vajza me pastërtinë e zemrës së saj, -
pse nuk erdhe të më shikoje? Isha një kampione e vërtetë.
- Ti je kampionia e nënës, moj bijë, - i tha gjyshja.
Irida ishte vajza e vetme e familjes Canaj. Agroni me
Lumturinë ishin njohur rastësisht
në Tiranë, në
parkun Rinia. Ai
sapo kishte mbaruar
studimet dhe priste emërimin. Ajo vazhdonte universitetin
e Tiranës në fakultetin e matematikës. Ishte në vitin e parë. U takuan
rastësisht në park. Ajo diçka po kërkonte. Ai e pa dhe e pyeti:
- Ju ka humbur gjë?
- Unaza që më kishte dhuruar mami.
- E pse mërziteni, iu dhuroj unë një më të mirë.
Atë fjalë e tha pa vetëdije. As ai nuk e di se si i
shpëtoi nga goja. Ajo
u skuq
pak dhe, duke e vështruar me
dyshim, i tha:
-
Falemnderit, po më mjafton ajo që më ka dhuruar mami.
U
ulën të dy për ta kërkuar. Më në fund
ai e
gjeti
prapa një kaçubeje dhe thirri:
- E gjeta, e gjeta!
- Falemnderit, jeni shumë i sjellshëm!
-
Mund të njihemi? Agron Canaj.
-
Lumturi Begonja.
-
Shkojmë të hamë ndonjë akullore?
-
Me kënaqësi, por do të paguaj unë. Mua më takon.
- Unë e thashë i pari ndaj më takon mua.
Qeshën të dy dhe u futën në një bar që ishte aty pranë.
Ndejtën më shumë se dy orë. Këtu dialogu u përqëndrua në shijet e tyre
estetike Për çudi biseda nuk kishte të
mbaruar. Kur u ndanë ai i tha:
- Kam dëshirë t’iu takoj përsëri.
- Të djelën e ardhshme, në orën dhjetë, në të njëjtin
vend.
Ai nuk u nis për në qytetin e tij. Një forcë e
pakuptueshme e tërhiqte të qëndronte ende atje. Takoheshin dhe bisedonin me orë
të tëra. Edhe ajo ndjente që ky i ri, i pashëm dhe i sjellshëm e tërhiqte. Një
ndjenjë e çuditëshme kishte filluar të lindte në zemrën e saj. Pas katër javësh
Agroni mori urdhërin e emërimit në ndërmarrjen elektrike të qytetit të tij.
Duhej të nisej pa tjetër dhe të paraqitej në punë. Para ndarjes i tha:
- Lumto, ju dua! A do të bashkoni fatin tuaj me timin?
Ajo vetëm buzëqeshi dhe sytë e saj i thanë më shumë se “
po “.
Aty nën hijen e plepave të parkut shkëmbyen të puthurën e
parë. Të nesërmen ai u nis për në qytetin e tij. Ajo e përcolli në stacionin e
trenit.
- Mos më harroni! -
i tha ai
në çastin e ndarjes.
- Vetëm
vdekja do të
na ndajë! –
desh t’i
thoshte, por nuk foli. Dora e
saj u shkri
me dorën e tij.
Treni u nis
dhe ai në
dritare i dërgonte
të puthurat. Pasi u diplomua ajo u martuan. E emëruan drejtore në
shkollën e mesme të qytetit. Pas një viti u lindi vajza, Irida. Lindja ishte e
vështirë. Një komplikacion bëri që ndërhyrja e mjekëve të ishte vendimtare.
Fëmija lindi i shëndetshëm dhe nëna shpëtoi për mrekulli. Por mjekët i
këshilluan që të mos tentonin të lindnin fëmijë të tjerë, se paraqiste rrezik
për jetën e nënës.. Kështu që Irida mbeti fëmija i vetëm i
këtij çifti të ri
V
Mbrëmja po zbriste në qytet. Një fllad i
lehtë fëshfërinte, duke
freskuar mjedisin e
përvëluar nga vapa e ditës së kaluar nën rrezet e nxehta të diellit.
Agroni dhe Lumturia qëndronin në verandën e kabinës, duke soditur perëndimin e
diellit që në atë moment po humbiste në anën tjetër të detit. Ishte me të
vërtetë një pamje romantike. Disa metra më poshtë në rërë, Irida bisedonte me
një moshataren e saj që e kishte njohur aty në plazh. I tregonin njëra-tjetrës
ëndrrat e tyre. Nënë Gjyla ishte ulur
në një karrike
tjetër dhe po lexonte një libër.
- Mama, çfarë libri po lexon? - e pyeti Agroni.
Ajo nuk foli, por i tregoi kopertinën. Ai lexoi: “ Intrigë dhe dashuri “.
- Të qenka kujtuar rinia sonte? - e ngacmoi Agroni.
- Eh, mor bir! Edhe unë kam qenë e re dikur.
E ëma ishte martuar sapo
kishte mbaruar shkollën
normale. Ishte një vajzë shumë e bukur, bukuri që binte në sy edhe tani
që kishte hyrë në moshën e pleqërisë. Dy vjet pas martesës kishte lindur
Skënderi dhe mbas dy vitesh të tjerë ai. Babaj tyre ishte
intelektual me mendime përparimtare. Gjylon e trajtonte me dinjitet. Ajo ishte punësuar si mësuese në një shkollë të
qytetit. Ai ushtarak i shquar. Kishte
mbaruar studimet në Itali. Gjatë kohës së Mbretërisë kishte shërbyer në
ushtrinë kombëtare. Pushtimin e Shqipërisë e kishte pritur me dhimbje. Ishte
ndër të parët që u hodh në rradhët e Frontit Nacionalçlirimtar. Ishte komandant
batalioni. Në çdo betejë, në ballë të saj. Kështu ishte edhe atë ditë të zezë,
kur ra dëshmor.
Agroni nuk e ngacmoi më tej. Nuk donte t’i lëndonte më
tepër plagën e
humbjes së të shoqit, me të cilin kishte kaluar një jetë për t’u patur
zili dhe prej të cilit ishte ndarë në moshën tridhjetetë vjeçare. Por kujtimet
e kishin pushtuar tashmë mendjen e nënë Gjylos. Ajo vazhdonte të fliste:
A e mban
mend Sabriun, djalin
e gjitonit
tonë? U vranë të dy
në një ditë
pranë e pranë. Para se të jepte
frymën e fundit, yt atë ia la amanet shokut të tij, Syrjaut, që të dy kufomat
t’i sillnin në familje dhe t’i varrosnin përkrah njëri-tjetrit ashtu siç kishin
luftuar dhe Syrjau e mbajti premtimin që i kishte dhënë tyt eti
Afroi karriken pranë asaj të të birit dhe, duke ulur
zërin, tha me ngadalë;
- Syrjau nuk ishte në çetën e tij. Ai bëntë pjesë në atë
të nacionalistëve. Në atë kohë nuk
ishte hapur akoma vëllavrasja dhe të dy palët luftonin së
bashku. Ndonjëherë yt atë vinte në shtëpi, për një natë, fshehurazi nga
fashistët. Në këto net më fliste edhe për nacionalistët. Kishte respekt për ta.
Në mënyrë të veçantë për komandantin e tyre. Edhe ai kishte studiuar në Itali,
në akademinë ushtarake. Por më vonë këto marëdhënie u përmbysën dhe shqiptarët
filluan të vrasin njëri-tjetrin. Yt atë nuk ishte më dhe më mirë që nuk i pa me
sytë e tij këto gjëra se, me siguri, nuk do të ishte i një mendimi me veprime
të tilla. .
Pasi nxori një psherëtimë që i doli nga thellësia e
shpirtit të saj vazhdoi:
- Pas
çlirimit erdhën shokët
e partisë dhe
më kërkuan që
ta hiqja trupin e
babajt nga vendi ku ishte, pasi nuk mund të rrinin pranë e pranë një
partizan me një nacionalist. Unë kisha amanetin e tij dhe nuk pranova.
Megjithatë ata hoqën kufomën e Sabriut
dhe sot e kësaj dite nuk e di ku e vendosën. Familjarët e të ndjerit nuk patën
kurajon të kërkonin kufomën e tij. Mua nuk ma harruan këtë veprim. Kur u
ndërtuan varrezat e dëshmorëve, tët atë nuk e vendosën atje. U ngrita dhe
shkova në Tiranë tek shoku Enver. Nuk donin të më linin ta takoja. Por unë
këmbëngula. E kisha vendosur. Është një histori më vete mënyra se si arrita të
takohem me të. E pashë një ditë që
po shkonte në këmbë për në zyrën e tij. I dola përpara.
Rojet u munduan të më
ndalonin. Ai i
pa dhe thirri:
“ Lejoheni! “
Ata u tërhoqën dhe unë e takova. Iu prezantova. E kishte
njohur tim shoq. I tregova gjithçka. Më dëgjoi me vëmendje dhe urdhëroi
që trupi i tij të vendosej në varrezat e dëshmorëve. Kështu u bë.
Heshti. Asnjë nuk po fliste. Mënyra se si ajo e tregoi i preku të dy. Nënë Gjyla e
kuptoi efektin që kishin bërë fjalët e saj dhe e penduar tha:
- Edhe unë budallaqja, ku e gjeta sonte të tregoj këtë
histori? Hajde tani na bëni ndonjë muhabet tjetër, se këtu kemi ardhur për t’u
dëfryer dhe jo për të treguar dokrra të tilla.
Në atë kohë po kalonin aty Besniku me Mirën, dy komshijtë
e gabinës pranë.
- Mirëmbrëma - thanë ata.
- Mirëmbrëma, urdhëroni të pimë diçka dhe të bisedojmë.
- Me kënaqësi.
U ulën në dy karriket që u serviri Lumtua. Nuk vonoi
shumë dhe tavolina u mbush me gatime të ndryshme që ajo i
përgatiti shpejt e
shpejt. Agroni mori
një shishe verë dhe duke e vendosur mbi tavolinë tha:
- Është verë Narte trevjeçare.
Biseda
kalonte sa nga
njëra temë në
tjetrën. Ai ishte
saldator, ndërsa ajo elektriçiste, por ishin të dy mjaft të
përgatitur. Kishin dijeni të sakta për shumë tema që nuk i përkisnin nivelit të
arsimimit të tyre. Mundoheshin të mos mbeteshin prapa miqve të tyre
intelektual. Me siguri duhej të kishin lexuar shumë libra.
- Po fëmijët ku i keni? - pyeti Lumtua
Nuk mori përgjigje. Një heshtje pasoi fjalët e saj. Ajo u
skuq se iu duk
që kishte gabuar në atë pyetje.
Po ku ta dinte se çfarë mund të kishte ndodhur? Kishin apo nuk kishin fëmijë?Më në
fund
Besniku
foli:
- Edhe ne si juve kemi vetëm një vajzë.
Përsëri heshtje. Dukej sikur ajo pyetje kishte prishur
harmoninë e bisedës së deri atëhershme. Dukej sikur një diçka e padukshme, një
hije e zezë kishte dalë para tyre për të penguar bisedën e lirë. Ndërkohë ishin
gati në mbarimin e shishes së dytë të verës dhe natyrisht ajo kishte bërë
efektin e saj. Pas një heshtje disi të gjatë, Besniku e theu atë:
- Më falni për këto që do u them. Ndoshta do të kishte
qenë më mirë të mos kishim ardhur sonte këtu.
- Besnik! - foli Mira për t’i tërhequr vëmendjen
- Mira më fal, por dua të jem i sinqertë me miqtë e rinj.
Gjithmonë kam qenë i sinqertë në marëdhëniet me të tjerët dhe këtë natyrë nuk
mund ta ndryshoj tani. Ndaj, o miq, dua t’iu them të vërtetën. Nuk e di nëse
kjo e vërtetë do të
ndikojë në marëdhëniet tona. Nuk e di nëse bëmë mirë që
erdhëm sonte këtu.
Heshti për disa
çaste. Edhe të
tjerët nuk flisnin.
Prisnin të dëgjonin se çfarë do të thoshte. Kush ishte ajo e fshehtë që ai do të tregonte? Askush nuk mund ta merte me
mend, se cila ishte arsyeja e shprehur në ato fjalë.
- Me siguri ju
rridhni nga një
familje me prejardhje
të luftës, -
vazhdoi
Besniku, ndaj ju kanë emëruar kryeinxhinier. Prandaj dua t’iu tregoj edhe un ë
prejardhjen tonë. Nuk duam të
jemi persona anonim që kërkojnë të fshihen pas të tjerëve. E pra ne i përkasim asaj që
sot quhet shtresa e përmbysur. Unë rrjedh nga një familje e pasur tregëtare,
apo borgjeze siç e quajnë sot. Im gjysh
ka marrë pjesë në disa beteja të zhvilluara prej nacionalistëve së
bashku me ato të Frontit Nacionalçlirimtar. Pastaj erdhi ndarja.
Bashkëluftëtarët papritur u kthyen në armiq me njëri-tjetrin. U pushkatua në
vitin 1945. Edhe im atë do kishte patur të njëjtin fat, por mundi të arratiset
dhe mbylli sytë në dhe të huaj. Unë mbeta vetëm me nënën. Nuk dua të rrëfej
jetën time se ajo nuk mund të përshkruhet. Munda të mësoj mjeshtrinë e
saldatorit me të cilën jetoj. U martova me një vajzë po të shtresës time. Ajo e
ka akoma të atin në burg. Lindëm vetëm një vajzë, ashtu si ju. Ajo u rrit, u bë
grua. Dashuroi një djalë. Ai ishte biri i vetëm i një funksionari të lartë. Një
gjë e tillë na bëri që të mos e shihnim me sy të mirë këtë lidhje. I druheshim
ndonjë të papriture. Por vajza këmbënguli. I ati i djalit e ndaloi të birin të
takonte vajzën. Por ata nuk u ndanë. Djali e kishte vendosur. Në fund babaj u
detyrua të pranonte. Këtë e pagoi me uljen nga detyra. Por vuri një kusht,
vajza nuk duhej të takohej më me ne. Kushti ishte shumë i rëndë, por u detyruam
ta pranojmë. Vajza kishte mbetur shtatzanë. U martuan dhe që nga ajo ditë
pothuajse nuk shihemi më. Kontakti i vetëm është ndonjë letër apo takim
fshehurazi. Ka lindur djalë, por ne e njohim fare pak. Tani pyes veten: Përse
të trajtohemi në këtë mënyrë? Nuk e di nëse mund të kemi faj ne për ato që kanë
menduar apo bërë prindërit tanë. Mos vallë ata morën mendimin tonë që ishim
akoma fëmijë? Dua edhe unë të studioj, por nuk më lejojnë. Dua të punoj i shpenguar,
por përsëri nuk më
lejojnë. Dua të jetoj i lirë, por edhe të jetoj nuk më
lejojnë. Këtë llogjikë nuk arrij ta kuptoj. Përse? Përse? Përse?
Përse? Përse? Përse? Tingëllinin fort në veshët e
Agronit. Mendimet e shprehura nga gjitoni, që nuk kishin më shumë se dhjetë
ditë që ishin njohur, e kishin prekur thellë. Këto mendime i përplaseshin me
ato që kishte shprehur e ëma pak më parë dhe nuk ishte në gjendje t’u kthente
përgjigje. Por thellë në ndërgjegje ndjente
se ata kishin
të drejtë. Babaj i tij kishte
luftuar krah për krah me një nacionalist. Ndoshta edhe me gjyshin e Besnikut.
Ishte vrarë së bashku me një nacionalist. I kishin varrosur të dy njëri pranë
tjetrit. Ishte trembëdhjetë vjeç kur iu vra babaj. I kujtoheshin fare mirë
bisedat që bënte i ati kur kthehej fshehurazi në shtëpi.
- Dëgjoni or miq - u thoshte ai atyre që ishin rrotull,
-- Po vazhduam kështu fitorja është e
sigurtë. Por kam dëgjuar disa pëshpëritje që nuk më pëlqejnë. Më vjen keq që
këto pëshpëritje vijnë nga lart, nga tanët. Armën e rrëmbeva për atdheun se më
thirri zëri i tij dhe jo për të qëlluar kundër patriotëve të mi që luftojnë
përkrah meje.
Në
ndërgjegjen e Agronit kishin filluar të jetonin dy njerëz. Njëri ishte i
dukshëm. Ai ishte kryeinxhinieri por që duhej të ishte askushi, një njeri që
nuk mendonte, nuk vendoste, por vepronte simbas udhëzimeve të eprorëve, ndërsa
tjetri ishte një individ i padukshëm që jetonte brenda tij dhe e kundërshtonte,
ia brente ndërgjegjen. Një dualizëm zhvillohej me vetveten.Kush nga të dy do
ishte më i fortë? Kushdo të fitonte? Askërkush nuk mund të jepte
përgjigje.Jetohej në një kohë të turbullt ku çdo gjë mund të ndodhte.Le të presim dhe të shohim se si do
të rrjedhin ngjarjet.
VI
Dita e fundit e pushimeve. Në atë ditë qielli u mbulua
nga disa re të zeza. Por shi nuk ra.
Megjithatë nuk ishte ditë e përshtatëshme për t’u larë. Vendosën të dilnin dhe të vizitonin qytetin. Ishte hera e
parë që vinin atje dhe natyrisht kishin shumë gjëra për të parë. Vizituan
muzeun historik dhe
atë etnologjik, qytetin
antik dhe banesat
e vjetra karakteristike që
ngriheshin nëpër lagjet e vjetra. Së fundi u
ulën në një bar lulishte që ndodhej në qendër të tij.
Kamarieri, një djalë i ri dhe shumë simpatik, iu drejtua
me një buzëqeshje të ëmbël:
- Mirseardhët në lokalin tonë! Shijoni gatimet dhe do të mbeteni të kënaqur.
U zgjati menunë dhe po priste porosinë në qëndrim gatitu.
Agroni e hapi dhe pasi e lexoi tha:
- Na sillni nga një makaronë dhe nga një biftek viçi me
patate. Sillni edhe
një pjatë të madhe me sallatë të përzier dhe një shishe verë. Mos
harroni sillni dhe një shishe ujë gline.
Kamarieri u largua të kryente porosinë. Nuk vonoi dhe
solli verën dhe ujin e glinës si dhe katër gota. I vendosi mbi tavolinë, hapi
shishen e verës dhe filloi të mbushë gotat. Kur i erdhi rradha Iridës ajo tha:
- Jo, ujë gline.
Kamarieri hapi shishen dhe i mbushi gotën, pastaj iu
drejtua të tjerëve:
- Dëshëroni dhe juve?
Agroni pohoi me
kokë dhe ai
ua mbushi pjesën e mbetur nga
vera. Pastaj u largua të sillte porosinë
tjetër.
- Qenka shumë djalë i
edukuar, - tha Lumtua.
-
Me siguri do ketë kryer shkollë. Atje ia mësojnë këto gjëra, - e përforcoi
Agroni.
- Këta djemtë e sotëm i mësojnë të gjitha, - e plotësoi
bisedën nënë Gjyla.
Vazhduan të hanë me qetësi duke biseduar me zë të ulët. Gjellët ishin me të
vërtetë të shijshme.Kamarieri kishte patur të drejtë. Së fundi Agroni porositi:
-
Tre kafe ekspres dhe një kasatë.
-
Mua bëma turke me pak, - shtoi nënë Gjyla.
Ndërsa pinin kafetë, u afrua kamarieri, që i foli me zë
të ulët:
- Ai shoku që është në atë tryezën atje, dëshëron të
bisedojë me ju.
Agroni vështroi në drejtimin që i tregoi kamarieri. Në
atë tryezë ishte vetëm një burrë rreth të pesëdhjetave. Iu duk si një fytyrë e
njohur. U mendua për një çast. Iu kujtua se e kishte parë në qytetin e tij.
Kohët e fundit ai i ishte
çfaqur disa herë.
I ishte dukur sikur e ndiqte si
ndonjë hije nga prapa. Megjithatë vendosi të shkonte për të mësuar se ku
qëllonte çekani.
-
Më prisni këtu, se unë do shkoj të takohem me të.
Shkoi në tryezën e tij.
- Mirdita!
- Mirserdhe! Më fal se të prisha qetësinë familjare.
- Asgjë, sapo bëheshim gati për t’u ngritur.
- Nuk dua të
të mbaj tepër. Po
hyj drejt dhe në
temë. Nga ty presim më
shumë, por ti deri tani nuk po na jep asgjë.
Këto fjalë i
treguan Agronit se
ku qëllonte
miku misterioz.
Vendosi të hiqej
sikur nuk kuptonte.
- Më falni po
unë nuk ju
njoh dhe nuk
e di
përse bëni fjalë?
- Ke të fala nga kryetar Petriti. Ai do të dijë nëse i
ke kuptuar fjalët
e tij që të tha.
- E çfarë mund të them unë kur nga mëngjesi në mbrëmje
nuk mendoj tjetër veçse si të realizoj sa më mirë detyrat?
- Por mos harro shoku Agron, Partia të bëri kryeinxhinier
dhe kjo detyrë duhet justifikuar.
- Unë mendoj se e kam justifikuar besimin e dhënë.
- Nuk është tamam
ashtu, - personazhi enigmatik
u hodh në
ofensivë, - kush ishte miku që darkuat para tre ditësh?
- Komshiu që kemi me gabinë. Është nga klasa puntore,
saldator, ndërsa e shoqja elektriçiste. Nuk besoj se ka ndonjë të keqe në këtë
mes.
- Pse është nga klasa puntore dhe qenka njeri i besuar?
Ai, o lum miku, është një gjarpër i fshehur që pret rastin të të pickojë. A e di se gjyshi i tij është vrarë nga Partia
dhe babaj ia mbathi te imperializmi amerikan? Dhe ti djali i dëshmorit të
luftës ha, pi dhe bënë llogje me një person të tillë. E vogël të duket kjo?
Sulmi kishte filluar. Bashkëbiseduesi, që nuk i tregoi as
emrin, nuk dinte të fliste në shumës, siç e kërkonte etika e një intelektuali.
Toni që përdorte ai, i dhanë të kuptojë Agronit se tashmë duhej të tregohej
shumë i kujdesshëm për çdo veprim dhe për çdo fjalë që do të thoshte. Para
vetes kishte një nga ata tipat, që ishin mësuar të flisnin nga pozitat e atij
që ndodhet më lartë në hierarkinë administrative dhe që është mësuar vetëm të
komandojë, ndonse niveli i tij është shumë më i ulët se ai i bashkëbiseduesit.
Ishte para një bango-prove të rrezikshme. Megjithë tronditjen e pësuar, iu
përgjigj i shpenguar:
- E ku ta di unë se ai qenka i tillë?
- Mirë, mirë, ngreu dhe ik tani se po të presin. Hap sytë
për ato që të ka thënë kryetar Petriti dhe mos i hap telashe vetes.
Agroni u ngrit, i dha dorën dhe shkoi te tavolina e tij.
- Përse të donte? - e pyeti Lumtua.
- Eja të ikim, - tha pa iu përgjigjur pyetjes së bërë.
Pagoi kamarierin dhe u larguan
të heshtur.
Rrugës
mendonte për skenën
që i kishte ndodhur. Ndodhej para një udhëkryqi
të madh Si t’ia bënte? Si
të dilte nga
kjo gjendje? Këto
pyetje e torturonin. Deri para pak kohe kishte jetuar i qetë, pa telashe. Punonte
me ndershmëri. Ishte
edhe një shahist i mirë. Por ja,
papritur dhe pakujtuar, dikush i kërkonte të kryente veprime kundër
karakterit të tij. Ky dikush
ishte një përfaqësues i shtetit, i atij
shteti për të cilin kishte dhënë jetën i ati. I shtrëngoi krahun së
shoqes në mënyrë domethënëse që
të mos hapte gojën dhe nxitoi hapat.
Në mbrëmje, kur ranë të flenë, i tha me zë të ultë që të mos e dëgjonte e ëma:
- Ishte i dërguar i sigurimit të shtetit. E kishte dërguar
kryetar Petriti. Ofensiva filloi. Le të
përgatitemi për të pritur rrebeshin.
- Rrebeshin? Cilin rrebesh? Ne nuk kemi bërë
asgjë. Përse të
ndëshkohemi në këtë mënyrë?
- Mos u shqetëso! Edhe kjo do kalojë si të tjerat. Do
gjejmë mënyrën si ta përballojmë. Do japin dhe do japin dhe pastaj do pushojnë.
Punë e madhe, duhet të përgatitemi për këtë. Do të jemi më
të qetë. Të paktën do të jemi dikushi.
Të nesërmen u nisën për në qytetin e tyre.
VII
Stefani me Gjergjin ishin dy inxhinierë të rinj. Kishin
pesë vjet që kishin mbaruar studimet dhe ishin emëruar në atë qytet. Ishin
kushërinj të dytë me njëri-tjetrin. Baballarët e tyre ishin djalë halle dhe
djalë daje. Një kushëri tjetër me pozitë kishte ndërhyrë dhe atyre u kishte
dalë e drejta e studimit. Të dy ishin beqarë. Prisnin të transferoheshin në
qytetin e tyre dhe atje të lidhnin jetën me ndonjë vajzë të bukur. Ishin djem
për së mbari. Universitetin e kishin përfunduar me rezultate të mira. Por ishte
biografia ajo që i kishte prurë në këtë qytet. Ajo vazhdonte t’i ndiqte këmba
këmbës. Kishin zënë një
dhomë në një hotel beqarësh. Atje
banonin. Megjithse kishin një diferencë
moshe prej rreth
pesëmbëdhjetë vjetësh me
Agronin,
ishin lidhur me të me një shoqëri të madhe.
Atë ditë, dy javë pasi ishte kthyer nga pushimet, u
takuan në klubin e shahut. Kishin një takim miqësor me skuadrën e qytetit
fqinj. Agroni nuk e ndjente veten mirë. Në kokë i silleshin vërdallë furitë, që
e kthenin në një njeri pa shpresë. Kujtonte bisedën e fundit me Rustemin. Veten
e ndjente të rrethuar nga një lukuni shushunjash, që kërkonin t’i pinin gjakun.
Në këtë
gjendje u ul
në tavolinën e takimit Ishte
tavolina numër pesë.
Përballë kishte shahistin më të mirë të skuadrës kundërshtare. Katër
tavolinat e tjera i kishin mbaruar takimet. Rezultati ishte dy me dy. Fati i
tij varej nga rezultati i tavolinës numër pesë. Pas pesëdhjetë e katër
lëvizjesh Agroni u dorëzua. Skuadra e
qytetit të tij
e humbi takimin. Shkaku i kësaj
humbje ishte ai.
Kur dolën përjashta Stefani i tha:
- Po ti ç’pate? Përse qe në një ditë aq të errët?
Kundërshtari nuk ishte kushedi
se çfarë.
- Sonte dilni nga unë se kam diçka për të biseduar – tha
Agroni, pa e zgjatur më tepër.
Në mbrëmje ata shkuan në shtëpinë e tij. Ai i futi në
dhomën e gjumit.
- Ju futa këtu
se dua të
bisedoj për një çështje
që nuk dua
ta marrë veshnëna me Iridën. Një re e zezë po vjen
rrotull mbi kokat tona.
- Ç’do të thuash me këto fjalë? - pyeti Stefani.
- Mbrëmë dola vonë nga puna. Binte shi dhe ndenja me
Rustemin duke biseduar. Ai më tha disa fjalë që nuk më pëlqyen.
- Çfarë ju tha? -
Pyeti Gjergji i paduruar.
- Në organizatën e partisë paskan biseduar për ne
tre se gjoja paskemi mbeturina mikroborgjeze. Ata që na akuzonin ishin Resuli dhe Ibrahimi. Ju i njihni mirë të dy
se sa vlejnë. Por ata kanë atë që ne nuk e kemi. Janë komunistë dhe u shkon
fjala.
- Po pastaj? -
vazhdoi përsëri Gjergji.
- Pastaj thanë se si ka mundësi që një kryeinxhinier si
unë, me babanë dëshmor të luftës, të shoqërohet me dy persona që, sipas tyre, e
paskan biografinë të keqe.
- Po tjetër gjë kishin thënë? - ndërhyri Stefani.
- Kishin thënë se ju
rridhkeni nga familje
të deklasuara dhe nuk u dashka patur besim. Unë një gjë të tillë e dija, pasi e kemi biseduar bashkë, por bëra sikur
nuk kuptova gjë. Luajta rolin e budallait.
- E ç’do na bëjnë kur ne jemi në rregull? - foli Gjergji.
- Nuk është ashtu Gjergj, - vazhdoi Stefani. - Sot duhet
të ruhesh më tepër nga e pabëra. Sa veta janë marrë në qafë të pafajshëm. Po
çfarë thoshte Rustemi?
- Ai thoshte se kishte dëgjuar që ne gjoja nuk qenkemi të
kënaqur me sistemin në vendin tonë. Për
mua kjo nuk ka shumë rëndësi. Por dua t’ju lajmëroj për diçka tjetër shumë më
të rëndësishme dhe dua edhe mendimin tuaj për këtë.
Lumtua hyri me tabakanë me filxhanët e kafesë. I morën
dhe filluan t’i pinë duke u menduar.
Lumto, rri
dhe ti të
bisedojmë. Mund të na
japësh ndonjë mendim.
Para dy muajsh më takoi Petriti, kryetari i degës. Më
propozoi të bëhesha bashkëpuntor i sigurimit të shtetit. Më ngarkoi t’ju
survejoja edhe juve. Që nga ajo ditë më ndjek një individ i panjohur. Më takoi
kur isha me pushime dhe më kërcënoi. Gjatë këtyre takimeve unë luajta rolin e
atij që nuk kupton. Përpiqesha të ndrroja bisedë. Tani kërkoj
mendimin tuaj për këtë çështje.
Një heshtje pasoi fjalët e tij. Të katër po mendoheshin
të gjenin përgjigjen e asaj që kishte kërkuar Agroni. Por një gjë e këtillë
ishte shumë e vështirë.
Jetojmë në kohën
e absurdit, -
filloi
Stefani. -
Individi kërkon të
mendojë dhe veprojë i lirë, pa i
rënë askujt në qafë, por
nuk mundet. Vijnë të
tjerët dhe të
kërkojnë të mendosh dhe veprosh
ashtu siç duan ata, paçka se mund të jenë
njerëz fare të
rëndomtë, pa personalitet. Ti
duhet t’u nënshtrohesh atyre, t’i himnizosh,
t’i ngresh lart
në qiell, me pak
fjalë të kthehesh në një servil i ndyrë dhe pa moral. Kjo është tablloja e
shoqërisë së sotme.
- Po morali? - pyeti Gjergji.
- Morali? Cili moral? Ai i Resulit dhe Ibrahimit? Morali
i vetëm i tyre është nënshtrimi, xhelozia e verbër dhe servilizmi i paskrupull.
Ky është morali sundues në shoqërinë tonë. -
përfundoi Stefani.
- Duhet të qeshësh kur nuk të qeshet, - ndërhyri Agroni,
- të pranosh absurdin kur logjika nuk
ta pranon, të
duartrokasësh kur flet eprori yt, pavarësisht në
se fjalët që
thotë janë qiqra
në hell. Të
harrosh se duhet
të kesh dinjitet.
Të zhvishesh nga
çdo formë e ndjenjave njerëzore. Ky
është “ njeriu i ri “ që
po ndërtohet në
vendin tonë. Ai është spiuni i
ndyrë që kërkon t’i bëjë gropën shokut të tij më të
ngushtë. Është djali që
spiunon babanë apo
vëllai vëllanë. Spiunllëku,
servilizmi dhe hipokrizia mbretërojnë sot në sjelljen e
shqiptarëve.
Lumtua që deri atëhere
kishte qëndruar në
heshtje, ndërhyri dhe
me një zë të
dridhur foli:
- Para dy ditësh më takoi sekretarja e partisë së
shkollës. Filloi të më
fliste me një ton të atillë sikur të ishte ajo drejtore
e shkollës dhe jo unë. Ky është një paradoks i kohës sonë. Siç thotë populli,
bëhet bishti më i madh se sqepari. Toni me të cilin më foli nuk më pëlqeu.
Nënkuptimi i fjalëve të saj ishte që unë të hiqja dorë
nga detyra e
drejtores së shkollës. Punët po shkojnë drejt atij përfundimi.
- Me sa duket edhe unë drejt asaj po vete, - vazhdoi
Agroni, - mos do
ishte më mirë të jepnim
dorëheqjen? Të gjenim ndonjë arsye për këtë.
- Jo, jo unë nuk jam dakord me këtë, -- vazhdoi Lumtua.
– Një
gjë e tillë
do u jepte një argument më shumë
për të menduar se ne e ndjejmë veten fajtorë, ndaj japim dorëheqjen.
- Lumtua ka të drejtë, - e përforcoi mendimin Stefani. -
Ne duhet të vazhdojmë kështu si deri tani. Nuk duhet t’u lemë të kuptojnë se
jemi të tronditur nga zhvillimi i ngjarjeve. Të hiqemi sikur nuk ka ndodhur
asgjë. Shoqërinë tonë ta vazhdojmë kështu si sot. Edhe me të tjerët të sillemi
sikur nuk ka ndodhur asgjë. Në mënyrë të veçantë duhet të kemi kujdes me
Resulin dhe Ibrahimin. Pastaj këtu jemi dhe bisedojmë.
- Në fund të fundit çfarë do të na ndodhë? Le të mendojmë
se do na pushojnë nga puna. Do gjejmë ndonjë punë tjetër dhe do të jetojmë, - foli Gjergji.
- Atëherë kështu do ta lëmë, - përfundoi Agroni. - Ju
faleminderit shumë se më qetësuat.
- Edhe te ne, - thanë të dy të rinjtë njëherazi.
U ndanë. Kur dolën një hije lëvizi prapa tyre. Ishte një hije pinzare. Ajo kishte kohë
që i ndiqte. Stefani
me Gjergjin e panë, por bënë sikur nuk e vunë re. Ikën
qetësisht deri sa mbritën në
dhomën e tyre, duke biseduar dhe qeshur me zë të lartë, të shkujdesur. Kush i
shikonte kujtonte se kishte të bënte me dy të rinj që kishin pirë pak si tepër dhe fluturonin në botën e ëndrrave.
VIII
Një ditë postjeri
solli një letër
të çuditëshme. Vinte
nga Italia. E
dërgonte
administratori
i gazetës së
përjavëshme “ Domenica del
Corriere “. Midis të
tjerave ai
shkruante:
“Morëm letrën tuaj brenda së cilës
dërgonit 500 lireta.
Por meqenëse në
të nuk shkruanit përse i dërgoni
këto të holla, po ua rikthejmë“
Në zarfin e letrës ishte emri dhe adresa e plotë e
Agrpnit. Ishte gjithashtu edhe adresa e gazetës. Brenda bashkë me letrën ishin
edhe 500 lireta. Agroni u habit së
tepërmi. Nuk kishte shkruar asnjë letër dhe nuk kishte dërguar të holla për ndonjë
gjë. Por letra vinte nga Italia. Mendoi se mos i kishte dërguar në emrin e tij
Beni që vazhdonte në ambasadë. E mori në telefon dhe e pyeti. Ai i tha se nuk
kishte dërguar gjë.
- Me siguri kjo është lojë e sigurimit të shtetit, - i
tha Lumtos.
- Deri këtu të kenë arritur?
- Ata janë në gjendje të bëjnë gjithçka. Do t’i përdorin
të gjitha gjërat. Por ne do ua plasim bombën në dorën e tyre.
- Si do të veprosh?
- Nesër do të shkoj në degë dhe do ta denoncoj letrën që
më ka ardhur.
- Mos është më mirë t’i rrish larg asaj dere?
- Jo, do të shkoj. Është përplasja ime e parë me ta. Do u
them se dikush më ka provokuar duke më dërguar këtë letër.
Të nesërmen shkoi
atje. Kërkoi operativ Ilian. E njihte. Ai mbulonte
ndërmarrjen e tij. E futën brenda dhe e dërguan në zyrën e tij. Ai u ngrit dhe
duke buzëqeshur i tha
- Mirserdhe shoku Agron, kam kohë që ju pres.
- T’ju them të drejtën nuk e kuptoj se përse më prisni,
por unë kam ardhur për një çështje vetiake.
- Çfarë çështje?
- Dikush po më provokon dhe dua ta di kush është.
Agroni nxorri letrën dhe i tha:
- Lexojeni dhe më jepni mendimin tuaj.
Ilia e mori dhe filloi ta vështrojë. Italisht nuk dinte.
Duke ia rikthyer i tha:
- Lexojeni ju, unë nuk di italisht.
Agroni e lexoi dhe pasi e mbaroi tha:
- Unë nuk kam dërguar asnjë letër apo të holla. Atëhere kush i ka dërguar ato? Se dikush duhet ta ketë bërë atë. Ata nuk
shkruajnë kot. Kush e ka bërë këtë lojë në kurrizin tim. Këtë kërkoj të
zgjidhni ju.
Ilia qëndronte pa folur. Nuk gjente dot fjalë për t’u
përgjigjur. Agroni e vuri re dhe vazhdoi më tutje:
- Unë kërkoj të më vihet në vend dinjiteti. Kush e përdor
emrin tim për
të tilla lojra?
- Çfarë keni menduar të bëni?
- Do t’u shkruaj se nuk u kam dërguar asnjë letër
dhe asnjë monedhë.
-
Shumë mirë do të bëni.
-
Por kërkoj që edhe ju të lëvizni dhe të gjeni fajtorin e vërtetë. Tani më
falni.Më duhet të largohem se kam shumë punë. Mirupafshim!
U
nis të largohej, por ai e ndaloi:
-
Prisni, prisni. Të bisedojmë pak për problemet tona.
-
E çfarë mund të bisedojmë?
-
Po ja
shoku Agron. Ju
jeni njeriu ynë,
bir dëshmori. Jeni
edhe kryeinxhinier i
ndërmarrjes.
Kemi disa të dhëna se në ndërmarrje keni disa njerëz të dyshimtë.
-
T’ju them të vërtetën unë nuk njoh njerëz të tiillë.
-
Fjalën e kam për ata dy inxhinierët që shoqëroheni juve, si dhe për disa të
tjerë. Sikurse u ka thënë edhe kryetari
ata i përkasin asaj shtrese që na ka luftuar me pushkë në krah. Sipas të dhënave që kemi ata diçka
po përgatisin.
- Unë nuk kam dëgjuar asgjë. Ne nuk flasim asnjëherë për
probleme që bien ndesh me vijën e partisë.
- Por a e dini përbërjen familjare të tyre?
- Ç’më duhet mua ta di? Mua më intereson
puna dhe qëndrimi
që mbajnë. Kjo më
mjafton.
- E ke gabim. Ti duhet të thellohesh, duhet
të jesh
shumë
vigjilent. Mos harro! Lufta e klasave është forca lëvizëse e
shoqërisë socialiste. Pa luftë klase rrezikohet i gjithë sistemi ynë.
Papritur kishte filluar të fliste në njejës.
- Kur qenkan të tillë, si mundën të mbarojnë
universitetin? Këtu duhet
të ketë ndonjë keqkuptim, - tha
Agroni.
- Nuk ka asnjë keqkuptim. Nëse një herë me manovrat e
tyre ose nga mendje-lehtësia e ndonjë funksionari, mundën të mbarojnë
universitetin, kjo nuk do të thotë që
ne të mos
i survejojmë dhe
të mos i
demaskojmë po të jetë nevoja.
- Po pse t’i demaskojmë? Unë kam shoqëri prej pesë
vjetësh me ta. Kurrë nuk kam dëgjuar ndonjë llaf kundër pushtetit popullor prej
tyre.
- Megjithatë, të tjerët flasin ndryshe.
- E kush qenkan këta?
- Kjo nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që ata që i
akuzojnë janë persona të ndërgjegjshëm dhe besnikë ndaj mësimeve të partisë dhe
shokut Enver. Ndonjë ditë mund t’i mësosh edhe emrat e tyre.
- Mos vallë unë nuk qenkam i tillë?
- Nuk e kam fjalën aty. Por ti duhet të jesh më aktiv.
T’i mbash sytë hapur dhe të mos biesh pre e dredhive të tyre të pabesa. Kjo nuk
vlen vetëm për ata. Ti duhet të shohësh më gjërë. Je kryeinxhinier. Horizonti
yt është më i largët.
- Pastaj?
- Duhet të bashkëpunosh më ngushtë me ne për të nderuar
emrin tënd.
- Nuk e kuptoj se ç’doni të thoni.
- Ta shpjegoj unë.
Mori makinën e shkrimit, shtypi një shkresë dhe ia
dorëzoi.
- Lexoje dhe më kthe përgjigje.
Agroni e mori dhe
lexoi:
DEKLARATË
Unë
i nënshkruari Agron
Canaj, deklaroj se
jam i gatshëm
të bashkëpunoj me organet e
sigurimit të shtetit
për zbulimin e
armiqve të partisë
dhe pushtetit popullor. Deklaroj se do të denoncoj çdo lloj shprehje të deklaruar
nga njerëz antipushtet që bie ndesh me normat e moralit tonë socialist dhe që
dëmton të ardhmen e atdheut tonë, e fituar me gjakun e dëshmorëve tanë.
Deklaroj se këtë dëshmi e kam bërë me
ndërgjegje të plotë, pa asnjë shtrëngim nga ana e autoriteteve përgjegjëse dhe
e konsideroj si një detyrë patriotike për çdo shqiptar të ndershëm
Nënshkruar
Agroni ndjeu një neveri të thellë për atë deklaratë. I
dukej sikur i digjte dorën. Por një neveri më të madhe ndjente për personin që
ia serviri, Ilian, atë
individ që kërkonte të detyronte një intelektual të kthehej në një njeri
pa parime. Për një çast mendoi t’ia përplaste në fytyrë dhe
të ikte, por e mbajti
veten. U kujtua se një gjë e tillë mund t’i kushtonte shtrenjtë. Mendoi
se këtu duhej përdorur diplomacia. Ndaj
nuk foli, por bëri sikur po lexonte për së dyti atë deklaratë.
- Nënshkruajeni, - i tha Ilia.
- Unë mendoj se
për të punuar
për partinë dhe
atdheun nuk është
nevoja të nënshkruash deklarata
të tilla. Ne çdo ditë ia kemi kushtuar atyre. Për to punojmë, realizojmë plane,
ndërtojmë Shqipërinë socialiste.
-
Mjaft më me këto deklamime. Këtu nuk jemi në
mbledhje të kolektivit.
Je përpara organeve të sigurimit
të shtetit dhe duhet të mendohesh mirë para se të flasësh. Mos na shit dokra
Toni
i Ilias tashmë kishte ndërruar.Fytyra i kishte ndryshuar ngjyrë.Nuk ishte më ai
bashkëbiseduesi i mëparshëm. Kishte marë pamjen e tij të vërtetë, atë të
njeriut që me çdo mjet kërkon të realizohet ajo që thotë ai. Para nuk i qëndronte më ai biri i dëshmorit të atdheut. Ai ishte shndërruar
në një armik të popullit. Këtij armiku i duhej treguar vendi.
-
Dëgjo shoku kryeinxhinier, do ta nënshkruash apo jo? Vetëm të paralajmëroj se
në të kundërt do kemi të tjera biseda për të bërë bashkë.
-
Shoku Ilia, unë i qëndroj
mendimit të parë
se nuk është
e nevojshme të nënshkruaj një deklaratë të tillë.
Shpresoj të mos më keqkuptoni.Kjo është fjala ime e fundit.
Vendosmëria e Agronit e stepi Ilian. Nuk ishte mësuar ta
kundërshtonin në raste të tilla. E ndjente veten të fyer nga krenaria e këtij
njeriu. I skuqur flakë në fytyrë i tha
- Po të lë dy javë kohë të mendohesh, Kur të vish përsëri
duhet ta kesh mendjen në kokë. Tani ik!
Agroni u largua. Në shtëpi i tregoi gjithçka Lumtos. Ajo
u trondit tepër, por nuk e tregoi veten.
- Vepruat shumë
mirë që ia bëtë të qartë. Nuk besoj të
guxojë më t’ju
bjerë në qafë.
Të nesërmen gjeti rastin dhe e bisedoi me Stefanin dhe
Gjergjin. Mbasi e diskutuan me gjakftohtësi, në fund arritën në përfundim me
mendimin që kishte shprehur Lumtua. Kjo gjë e qetësoi disi.
IX
Pas dy javësh hetues
Ilia e thirri
përsëri. Kërcënimet ishin
më të forta.
Letrat ishin hapur plotësisht.
Para Agronit ishin hapur dy alternativa. Ose duhej të pranonte të
bashkëpunonte, ose duhej të merrte parasysh pasojat që do të vinin, ndoshta edhe burgosjen. Kjo
e fundit e trondiste. Në shtëpi kishte tri femra. Një vëlla i vetëm Skënderi, ndodhej larg në një qytet tjetër.
- Bëni si të doni, - i tha operativit kur po largohej. -
Unë jam i pafajshëm dhe i ndershëm. Karakteri im nuk mund të ndryshojë në këtë
moshë që jam tani.
Kur doli në koridor iu duk sikur pa kryetarin e degës që
hyri në zyrën e tij. Kërkoi të takohej me të. Donte t’i shpjegonte gjithçka.
Shpresonte të gjente
mbështetje te ai. I
tha një polici se donte ta takonte. Ai iu përgjigj:
- Prisni këtu .
Hyri në zyrë dhe pas disa çastesh u kthye.
- Kryetari nuk mund t’ju presë pasi është i zënë me një
mbledhje të rëndësishme.
- Kur mund të vij ta takojë?
- Nuk e di. Plani i punës së tij është shumë i ngarkuar
dhe nuk e di nëse do ketë kohë për t’ju pritur. Por ju drejtohuni te operativ
Ilia. Ai merret me këto probleme.
- Ju
faleminderit, por me
shokun Ilia. i zgjidha
problemet, - tha
me ironi Agroni.
Doli në rrugë dhe po ecte pa e patur mendjen se ku shkonte.
Kërcënimet e Ilias dhe sidomos
mospërfillja e kryetarit e kishin zhgënjyer. Ku vajti ajo mirësjellja e
tij dhe fjalët e matura të thëna disa muaj më parë, kur kishin pirë kafe së
bashku? Qëndrimi i tij i sotshëm nuk ishte një shenjë e mirë. Koka i ziente.
Tëmthat i rihnin me forcë. Hidhte sytë rreth e qark. Kërkonte të takonte ndonjë
të njohur, me të cilin mund të bisedonte. Ndoshta Stefanin apo Gjergjin.
Ndoshta edhe Lumton. Ajo ishte njeriu i vetëm që mund ta ndihmonte në këtë
situatë. Vetëm ajo mund të qetësonte plagët e zemrës që kishte marrë. Para syve
pa një godinë dy katëshe. Në hyrje të saj ishte një tabelë e madhe:
MUZEU
HISTORIK
Hyri brenda. Aty ishte edhe i ati. Edhe ai kishte qenë
komandant batalioni në kohën e luftës. Edhe ai kishte rënë në këtë luftë.
Vizitoi pavionin e dëshmorëve të rrethit. Filloi të shohë fotografitë e tyre të
vendosura në mur. Ndaloi para njerës. Ishte portreti i një burri të pashëm, i
veshur me uniformë ushtarake. Mbi buzë i nxinin një palë mustaqe që ia shtonin
më tepër hijeshinë. Ishte i ati. Për herë të parë konstatoi se i ngjante atij.
I gjatë si ai, mustaqet po ashtu, ballin të gjërë që tregonte zgjuarësi. U habit me veten që nuk e kishte konstatuar këtë më parë. Poshtë portretit qëndronin një uniformë
ushtarake angleze dhe një revolver tip “ beretta “. Mbi xhaketën e uniformës,
në pjesën e kraharorit, dukeshin tre
gjurma plumbash. Një njollë gjaku rrethonte gjurmat e tyre. Në një karton ishte
shkruar me një shkrim të goditur:
Këto
sende i përkasin dëshmorit
të LuftësNacionalçlirimtare, komandantit
trim të batalionit partizan, Bexhet Canaj, rënë më 12
korrik 1943 duke luftuar trimërisht me hordhitë
fashiste dhe tradhtarët e vendit
Vështronte portretin e të atit dhe nga
sytë i rrodhën dy pika lot. Sa do
të donte ta kishte pranë në atë çast kaq
të vështirë. Ta pyeste, të këshillohej me të. Por ai e vështronte
nga porteti dhe nuk fliste. Agroni donte të dëgjonte zërin e
tij. Kurrë në jetë nuk e kishte patur një dëshirë të tillë. Ky
ishte një rast i
veçantë. Vështronte fotografinë dhe për
një çast iu duk sikur ai i tha - Ndiq
rrugën time or
bir dhe do dalësh në jetë. - Para syve i dilte i ati i
atyre viteve. Kishte rrëmbyer
armët dhe dalë malit për liri.
Ishte bashkuar me lëvizjen nacionalçlirimtare, por i quante miq dhe
bashkëluftëtarë edhe ata
që luftonin nën komandën
e forcave nacionaliste. Kështu
kishin luftuar edhe atë ditë f atale.
Bashkë me të
dhe në krah të tij kishte rënë edhe nacionalisti
Sabri. I kishin varrosur të dy njëri pranë tjetrit, ashtu si kishin
rënë. Kështu kishin vepruar edhe shtetet e tjera të Europës. Në Francë,
komunistët e Moris
Torezit luftonin së bashku
me nacionalistët e
De Golit. Në
Itali komunistët e Palmiro Toliatit luftonin
së bashku me nacionalistët e Alcide De Gasperit. Pas
mbarimit të luftës çdo
gjë u zgjidh
me anën e
votës së lirë. Kurse
te ne doli
parulla “ Pushteti buron nga gryka e
pushkës “ dhe në
të vërtetë u
zgjidh me grykën e saj. Të gjithë
nacionalistët u shpallën armiq dhe
bashkëpunëtorë të armikut. Gjyqe të panumurta u zhvilluan. Ekzekutimet ndoqën
njëri tjetrin. Ngado u ngritën burgje
dhe kampe të tmerrshme. Agronit ato i
kujtonin getot e
famshmë naziste. Nga
tekstet e historisë u hoqën emrat
e sa e sa burrave të shquar të vendit. Vendin e tyre
e zunë “ heronjtë “
e rinj të socializmit. Për ata
zhvilloheshin pelegrinazhe. Për ata
shkruanin gazetat dhe
revistat. Për ata
fliste radioja dhe televizioni.
Një propagandë e
shfrenuar mbizotëronte kudo. Një demagogji e paparë sundonte në jetën e
përditshme të njerëzve. Dhe ja, demagogjia sundonte edhe
këtu në muze.
Shikoni çfarë është shkruar për vrasjen e të atit:
Rënë
më 12 korrik
1943 duke luftuar trimërisht me
hordhitë fashiste dhe
tradhtarët e vendit.
Agroni e dinte të vërtetën për rënien e të atit. Në atë
betejë kishin luftuar së bashku partizanë dhe nacionalistë. Kishin rënë
dëshmorë nga të dy anët. Midis tyre edhe i ati me Sabriun. Por pas mbarimit të
luftës kishte ndërruar dhe historia. Miqtë e dikurshëm papritur ishin kthyer në
armiq. Madje Sabriut i kishin mohuar edhe varrin. Ata e kishin ndarë kufomën e
tij nga i ati. Një veprim barbar. Të gjitha këto mendime sikur ia kthjelluan
mendjen.
- Të falemnderit, o babë! Ti fole dhe më tregove rrugën
nëpër të cilën duhet të eci. Të falemnderit!
Këto fjalë i tha me zë të lart, por kur u kujtua se ishte
në pavionin e dëshmorëve, vështroi rreth e rrotull. Për fat, në atë çast, në
sallë nuk kishte njeri, përndryshe do e kishin marrë për ndonjë të çmendur.
Doli në rrugë.
Tashti sikur nuk e ndjente as brengën që e kishte kaplluar. Shpirtin
e kishte më të qetë. Kishte dëshirë të ecte dhe të ecte pa mbarim.
Nuk ndiente lodhje.
Së fundi u fut në një bar dhe porositi një dopio konjak. E piu
përnjëherësh dhe u ngrit. Vazhdoi të ecte. U drejtua nga kodrat e qytetit.
Ndaloi në pikën më të lartë. Prej andej qyteti dukej si në pëllëmbë të dorës. U
ul në rrëzë të një rrapi të madh. Vështronte qytetin. Njihte çdo pëllëmbë të
tij. Ishte lindur dhe rritur në atë qytet. Iu kujtua fëminia. Një fëmini e
përzier me krismat e armëve, me të vrarë dhe të plagosur që kërkonin ndihmë.
Para syve iu fanit përsëri fytyra e të atit. Më pas ajo u zëvendësua me atë të
s’ëmës. Edhe ajo nuk vazhdoi gjatë, u zëvendësua me të Lumtos, e cila ia la
vendin Iridës së
vogël. Ishin njerëzit më të
dashur të tij. Për ata punonte. Për ata ishte i gatshëm të sakrifikonte
gjithçka.
I kredhur mes këtyre përfytyrimeve, nuk kishte vënë re se
ishte bërë natë. Errësira kishte mbuluar vendin Kjo i kujtoi errësirën që
kishte mbuluar shpirtin e tij. U ngrit dhe shkoi në shtëpi. Atje po e prisnin
me merak.
- Ç’u bëre more bir? Ora po shkon njëmbëdhjetë, - i tha e
ëma.
- Isha me Stefanin dhe Gjergjin, - e gënjeu ai. Vetëm te
ata kishte besim nënë Gjyla - Po Iridushka ime si është? A ke marrë ndonjë
dhjetë sot?
- Dy babi, një në fizikë dhe tjetrën në letërsi.
- Të lumtë! Nesër do të sjellë babi një dhuratë për hir
të tyre.
- Dhurata më e mirë për mua jeni ju të tre, - qeshi Irida
dhe iu hodh në qafë.
Kur shkuan në dhomën e gjumit, Lumtua i tha:
- Sot mora një lajm të keq. Një shoqja ime, që është
drejtoreshë në një shkollë tjetër, më tha se kishte dëgjuar në seksionin e
arësimit, ku kishte shkuar për të çuar disa relacione, të flitej për mua. Madje
kishte dëgjuar shefin e seksionit të fliste me një vartësin e tij për
mundësimin e transferimit në ndonjë shkollë tjetër. - Gjeni ndonjë vend bosh në
ndonjë shkollë shtatëvjeçare, - kishte thënë shefi. Kam frikë
mos më transferojnë
në ndonjë shkollë
fshati.
- Të gjitha do t’i presim. Besoj se edhe mua do më ndodhë
e njëjta gjë. Sot më thirri përsëri operativ Ilia. Më kërcënoi se po të mos
nënshkruaja deklaratën, duhej të përgatitesha për më të madhen. Cila është e
madhja. Të presim dhe të shohim. Ndoshta mjaftohen vetëm me uljen në detyrë.
Megjithatë unë e kundërshtova.
- Ndoshta! Nuk e kuptoj se përse duhet të heqim një
ndëshkim të tillë?
Gjithë jetën kemi jetuar me
ndershmëri.
- Sot sundon “
ndershmëria “ e horrit. Më vjen keq për Iridën.
Ajo është e
re. Krenohet që babanë e ka kryeinxhinier dhe nënën drejtore. Si do ta
ndiejë veten? Sa për mua nuk pyes edhe sikur të më bëjnë punëtor.
- A e di Agron? Ne nuk duhet ta humbasim toruan. Duhet të
gjejmë forca për t’i bërë ballë. Le të presim dhe të shohim!
- Ke të drejtë. Të falemnderit! Ti je perëndesha ime
mbrojtëse.
U përqafuan fort me njëri-tjetrin. Në ato çaste ndjenin
një dashuri të madhe, një dashuri të lindur nga pastërtia e zemrave të tyre dhe
të kalitur gjatë rrugës së jetës. Kishin gati shtatëmbëdhjetë vjet që ishin
njohur. Asnjëherë gjatë jetës së tyre bashkëshortore nuk ishin grindur. Ishte
një çift që duhej ta kishe zili. Një çft
me të vërtetë i përsosur. Lindja e vajzës i kishte lumturuar më tepër. Ajo
ishte bërë idhulli i tyre. Merita e tyre ishte se dinin t’i bënin ballë
dallgëve të jetës. Rasti i shfaqur e tregonte këtë.
X
Kaluan dhe dy javë të tjera. Lumturinë e thirrën në
seksionin e arësimit. Atje i komunikuan se ishte transferuar në një shkollë shtatëvjeçare
si mësuese e matematikës në klasën e pestë. I thanë se ky transferim bëhej për
shkak se ajo shkollë na paskësh rezultate të dobëta dhe vajtja e
saj atje do e përmirësonte gjëndjen. Lumturia, duke e ditur shkakun, nuk u
ndie, por u tha se e kuptonte qëllimin që kishin dhe ishte e gatshme të
shërbente kudo që të ishte nevoja.
- Nuk doja ta ulja veten në sy të tyre. Nuk doja të bëhesha qaramane. Nuk u
përula. Edhe ata e kuptuan, ndaj nuk guxuan ta zgjasin më tepër. Të hënën do
filloj punën në shkollën e re. Të paktën mirë që jam ende në qytet, - i tha
Agronit në mbrëmje.
Pas disa ditësh edhe Agronin e thirri
drejtori i ndërmarrjes.
Ishte një burrë
i ndershëm me të cilin ai kishte kaluar shumë mirë për kaq vite. Ishte
në një pozitë të vështirë. Njoftimi që do i bënte Agronit nuk ishte aspak i
këndshëm. Mbasi e solli disa herë
rrotull nëpër dhëmbë, më në fund tha:
- Dëgjoni Agron! Kemi kaluar kaq vite bashkë dhe nuk kemi
patur asnjë kontradiktë. Kemi punuar me ndërgjegje, duke realizuar të gjitha
detyrat. Por punët nuk shkokërkan vaj. Në botë paska edhe njerëz xhelozë që u
vret sytë puna e mirë e të tjerëve. Kaq mund t’ju them sot për sot. Të tjerat
duhet t’i kuptoni vetë. Partia kërkon që ju të kaloni në sektor si inxhinier
remonti. Të më besoni, më vjen shumë keq që nuk do punojmë më bashkë, por jam i
detyruar të zbatoj këtë vendim. Ju kërkoj të falur për gjithçka mund t’ju kem
thënë pa u menduar.
Nuk foli më. Heshtja sundoi për një farë kohe midis tyre.
Më në fund
Agroni e theu akullin:
-
Shoku drejtor, nuk duhet të mbani mbi vete ndjenjën e fajit
për këtë çështje. Ju u treguat i sinqertë me mua dhe unë, po ashtu, dua të tregohem i
sinqertë me ju. E kam të qartë shkakun e kësaj. Jam përgatitur për një gjë të
tillë. Do të shkoj atje dhe do të punoj me të njëjtin ritëm si këtu, megjithse
do të jem nën komandën e të tjerëve dhe nuk e di se sa do të jenë të gatshëm të
bashkëpunojnë me mua. Ju falemnderit
sinqerisht!
U largua nga zyra. Pas disa ditësh i bëri dorëzimet një
inxhinieri të ri që s’dihej se nga kishte ardhur befas në ndërmarrje. Ai ishte
ngarkuar ta zëvendësonte. Filloi punë në sektor. Sektori ishte ngritur
në rrethinat e qytetit. Si në të gjitha ndërmarrjet puna fillonte në orën
shtatë. Por duhej ngritur që më pesë, të bëheshe gati dhe në orën gjashtë e
gjysmë të niseshe. Në orën katër pasdite përfundonte puna dhe duke llogaritur
edhe rrugën ose vonesat e mundshme, i binte të ktheheshe në shtëpi rreth orës
gjashtë të mbrëmjes. Gjithsej, dymbëdhjetë orë larg familjes. Pjesë e këtij
regjimi u bë edhe Agroni.
Në
të njëjtën kohë transferuan edhe Stefanin me Gjergjin. Të parin e çuan në
sektorin e tensioni të lartë, ndërsa të dytin në atë të tensionit të ulët. Kjo
bëri që të mos kishin më kohë për t’u takuar me njëri-tjetrin. Megjithatë, duke
e ditur shkakun, nuk kundërshtuan por ulën kokat dhe vazhduan punën në
sektorët
ku i caktuan.
Një
ditë, gjoja si rastësisht, në sektor erdhioperativ Ilia. Erdhi disa herë
rrotull sikur diç kërkonte dhe së fundi, pasi u takua ballë për ballë me
Agronin, i tha:
- E mor shoku Agron, po ti çfarë kërkon këtu?
- Besoj se ju e dini më mirë se unë, - iu përgjigj Agroni
pa u drojtur.
- E çfarë ditkam unë? Unë nuk punoj në ndërmarrjen tuaj.
- Megjithatë, jeni aq i aftë sa të zbuloni gjithçka ndodh
këtu dhe të jepni urdhrat përkatëse. Kjo është detyra juaj.
E ndjeu veten të lehtësuar që mundi të shprehte mendimin
e tij karshi këtij hipokriti që hiqej si i njohur i tij, ndërsa në prapaskenë
përgatitej t’i hapte gropën. Ilia u largua pa hapur gojën.
Në mbrëmje i tha Lumtos:
- Grua, do të lë një porosi. Amanet Iridën. Të
rritet me moral
dhe dinjitet. Të mos e nëpërkëmbin injorantët dhe
hipokritët. Po të lë amanet edhe nënën plakë. Sillu me të si deri tani. Mos ia
vurë veshin nëse të thotë ndonjë gjë më tepër.
- Gon, përse m’i thua këto gjëra tani? - Zëri i saj u
drodh dhimbshëm
- Litari më është mbledhur rreth grykës. E ndjej se
së shpejti do të
më arrestojnë dhe dënojnë. Thuaju Stefanit dhe Gjergjit se
çfardo që të më bëjnë nuk do
t’i
tradhëtojë. Ky është premtimi im.
- Mos Gon, mos fol kështu1 Pse ma copëton zemrën?
- Ky është realiteti i ditëve tona. Ky është mjedisi në
të cilin jetojmë. Jetojmë
në një botë
ku njeriu për njeriun është ujk. Por duhet të jesh e fortë. Duhet të dish t’u
bësh ballë të gjitha vështirësive që do të çfaqen. Edhe unë do të jem i fortë.
Sado e vështirë të jetë, do ta kaloj
edhe këtë provë ferri. Pastaj do të jetojmë së bashku, të pandarë nga njëri-
tjetri.
Ishte
premtimi i njeriut krenar, i njeriut që nuk dinte të përulej para
asnjë forme dhune dhe presioni
psikologjik dhe fizik. Ishte premtimi i njeriut që nuk jetonte në këtë botë,
por kishte fluturuar në atë të ëndrrave të bukura. Ishte premtimi i njeriut të
së ardhmes.
XI
Atë
ditë Irida u zgjua herët.Ishte një ditë e veçantë për të.Mbushte pesëmbëdhjetë
vjeç. Agroni me Lumton kishin vendosur ta kremtonin sa më mirë këtë përvjetor
jubilar të vajzës së tyre. Për fat atë ditë ishte e dielë dhe e kishin pushim.
Për këtë kishin vendosur të përgatisnin një koktejl, ku do të ftonin të gjithë
nxënësit e klasës së bashku me mësuesit. Ishte në klasën e parë të gjimnazit të
qytetit. Në mbrëmje do të shtronin, gjithashtu, një darkë në të cilën ishin
ftuar, përveç Skënderit me familjen e tij, edhe dy shoqe të ngushta të Iridës,
Mellania dhe Teuta, Stefani me Gjergjin,
Violeta mësuesja kujdestare e vajzës,
si dhe Anita me Blerinën, dy shoqe të ngushta
të shkollës ku kishte qenë
drejtoreshë Lumtua.
Irida
u ngrit nga shtrati dhe u drejtua në dritare.U
habit jashtë mase kur pa se po binte borë. Ishte një gjë shumë e rrallë për atë
qytet. Dimri i atij viti kishte filluar të vinte që në dhjetëditëshin e fundit
të tetorit. Një gjë e tillë e gëzoi së tepërmi vajzën.
- Babi, mami, gjyshe, ngrehuni dhe shikoni! Po bie borë,
shikoni se si e ka zbardhur
Ata u ngritën dhe shkuan te dritaret. Pamja ishte me të
vërtetë e bukur. (Ajo ishte një frymëzim për këtë ditë të bukur të jetës së
vajzës ). Ata ishin të lumtur kur
shikonin që vajza e tyre gëzonte.
- Shiko Irida, bardhësia e borës është si bardhësia e
shpirtit tënd. A nuk të duket se kjo është një dhuratë e bukur që po të
bënë natyra? Edhe ajo gëzon për ty.
Dolën në oborin para pallatit dhe filluan të luajnë me
topa bore.
- Babi, a bëjmë një njeri prej bore?
- Posi, eja ta bëjmë së bashku.
Irida gati sa s’fluturonte nga gëzimi. Ishte një ngjarje
që s’dihej nëse do përsëritej më. Njeriu prej bore filloi të merrte formën e
tij.
- Çfarë emri do t’i vemë? - pyeti Agroni.
- Borëbardha, - u përgjegj Irida
- Domethënë qenka vajzë?
- Po, është vajza e borës.
- Ashtu si ti?
- Po.
Me të vërtetë ajo dukej si një
vajzë bore. Bora
që vazhdonte të
binte i kishte mbuluar flokët dhe supet. Ajo tundte
kokën herë pas here dhe bora shpërndahej rreth e rrotull, por flokët shumë shpejt mbusheshin
me një shtresë të re. Lumtua shkoi në shtëpi mori kapelen e saj që ia kishte
sjellë një shoqe e saj nga Franca, por
që s’e kishte vënë kurrë, pasi druhej se mos e quanin borgjeze për një veprim
të tillë, si dhe një bluzë të bardhë dhe ia veshi vajzës prej bore. Pastaj me
një penel shkroi përmbi bluzë:
BORËBARDHA.
- A nuk duket tamam si ti?
- Po, po mami, unë jam.
Gëzimi i vajzës nuk kishte kufi. Ajo ishte në ekstazë.
Gëzimit të saj i shtohej edhe ai i prindërve të cilët, në atë çast, i kishin
harruar telashet e muajve të fundit. Për ta tani ekzistonte
vetëm vajza e tyre. Ajo ishte gëzimi i tyre.
Mbriti dhe Skënderi me të shoqen dhe dy fëmijtë binjakë,
Ladin dhe Sokolin.
- Xhaxhi shiko! - foli Irida sa i pa, - a nuk më ngjan
mua?
--Po moj bija e xhaxhit, të ngjan si dy pika uji.
Në orën katër pasdite u shtrua koktejli. Kishin ardhur më
e shumta e nxënësve të klasës me mësuesen kujdestare. Mungonin vetëm disa bijë
funksionarësh. Gjithashtu mungonin edhe
mësuesit e tjerë të klasës. Një gjë e tillë nuk i pëlqeu Agronit.
- Mungesa e tyre më bën të dyshojë, - i tha Lumtos me
ngadalë.
- E pse shqetësohe? Ne e bëmë detyrën tonë, i ftuam.
Është në ndërgjegjen e tyre se si duhet të veprojnë. Por le të gëzojmë së
bashku me vajzën tonë. Hiqe mendjen nga ai shqetësim se do ta kuptojë vajza dhe
do t’i prishim gëzimin.
Ndërkaq fëmijtë vazhdonin të qeshnin dhe kërcenin me gjallëri. Kur
ajo kishte arritur
kulmin, Mellania tha me zë të lartë:
Dëgjoni,
dëgjoni! Tani do
të recitojë një
vjershë që kam
përgatitur për shoqen
time më të mirë. Ju lutem mbani qetësi!
Mellania kishte prirje për poezi. Ajo shkruante shpesh
herë vjersha.Madje kishte arritur të botonte edhe një vëllim me to.Kur u vendos qetësia ajo filloi:
“ Je si dritë, je si borë,
Je si yll dhe je si diell,
O Iridë vetull kurorë,
Pse po shndrit kaq shumë në qiell?
Zemëra jote, zemërzjarrtë,
Mendja
jote xixëllima,
Ndriçon si pishtar i artë,
Llamburit si vetëtima.
Këtë vjeshtë mbuluar borë,
Kur feston një jubile,
Mbaje globin ti në dorë,
Qofsh e lumtur ti dhe ne!
Qofsh e lumtur ti gjithmonë
Plot me gaz dhe ëndërrime,
Zemra ime të dhuron
Me dashni poezinë time!
Duartrokitjet nuk kishin të sosur. Mellania ia dhuroi
poezinë Iridës dhe dy shoqet u përqafuan fort me njëra- tjetrën. Ndërkaq ora kishte
shkuar shtatë.
- Nxënës, uroni Iridën dhe ejani të ikim tani, - foli
mësuesja kujdestare.
Nxënësit u përqafuan dhe u larguan. Mellania me Teutën
qëndruan. Ato ishin të ftuara për darkë.
-
Do të përcjell nxënësit dhe do të kthehem, - tha Violeta.
Por
nuk erdhi.Nuk erdhën as Anita me Blerinën.Një
gjë e tillë
shqetësoi edhe Lumton. Atmosfera e
darkës nuk ishte
fort e mirë.
Shqetësimi ndihej kudo.
Vetëm humori dhe batutat e Stefanit dhe Gjergjit bënë që të mos prishesh kjo mbrëmje gëzimi.
U ndanë rreth orës dymbëdhjetë. Stefani me Gjergjin u
larguan duke marrë me vete edhe
dy vajzat, Mellaninë dhe Teutën, për t’i përcjellë në
shtëpi.
- Përse nuk erdhën? - pyeti Lumtua.
- Ti e di, me siguri nuk i ka lejuar organizata bazë.
- Po Violeta? Ajo në pasdite ishte.
- Dikush
duhet t’i ketë
bërë presion edhe asaj. Ti
e di që
këto gjëra janë të
zakonshme sot. Por mos u shqetëso. Eja të flemë se vajti
vonë dhe nesër do ngrihemi herët për në punë.