Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Havzi Nela
E shtune, 10.08.2019, 08:44 PM
Havzi Nela
Në
përvjetorin e ekzekutimit
Nga
Reshat Kripa
10
gusht 1988. Sistemi komunist kishte marrë rrokullimën. Në të gjithë vendet
komuniste të lindjes kishin shpërthyer revoltat që do të shembnin sistemin. Por
Shqipëria, si dhe herë të tjera do të ishte e vonuar. Pikërisht në këto ditë
komunizmi shqiptar do të tregonte fytyrën e tij të vërtetë. Në mes të Kukësit do
të varej në litar, vini veshin, do të varej në litar një tjetër poet, një
tjetër bir i kësaj toke, Havzi Nela. Një jetë e tërë me të përpjeta e të
tatëpjeta. Ishte jeta e njeriut që kishte dëshirë të jetonte i lirë dhe nuk e
linin as për të jetuar.
Një
odise e gjatë përpjekja e tij për dije. Vjedhurazi mbaroi Institutin e Lartë
Pedagogjik me korespondencë në Shkodër. U end fshat më fshat ku, nëpërmjet
poezive të tij, u mësonte fëmijëve dashurinë për atdheun. Arrestohet dhe
dënohet me akuzën e arratisjes së tij në Jugosllavi. Pas njëmbëdhjetë vitesh lirohet dhe
internohet në fshatin Arrëz.
24
qershor 1988. Gjykata e Lartë e Shqipërisë, e përbërë nga ish Kryetari i
Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Avdiu dhe nga gjyqtarët Vili Robo dhe Fatmira
Laskaj, vulosin dënimin e tij me varje në litar. Edhe varrimi i tij ishte
cinik. Ai u fut në dhe në këmbë në një gropë të hapur nga shkulja e një
shtylle. Regjimi i mohoi edhe të drejtën e një varri si gjithë të tjerëve. Si
shpërblim të kësaj mizorie, disa vite më vonë, kur në vend do të ishte vendosur
sistemi demokratik, këta gjykatës do të dekoroheshin nga Presidentët e
Republikës. Kjo është Shqipëria e sotme, Shqipëria në botën e çudirave.
Ekzekutimi
i Havzi Nelës ndodhte në një kohë kur vendet e tjera komuniste kishin vite që e
kishin harruar dënimin me vdekje për motive politike. Sipas deklaratës së bërë
nga përfaqësuesi sllovak, Piter Bielek,
në Kongresin e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe
Viktimave të Komunizmit, mbajtur në Tiranë në vitin 2009, dënimi i fundit me
vdekje për motive politike në Sllovaki ishte dhënë në vitin 1956. Krahasimin
bëjeni vetë, të nderuar lexues.
Megjithatë
vargjet e tij mbijetuan. Ato vazhdojnë edhe sot të gjëmojnë me nje forcë
të jashtëzakonshme:
Kur të mësoni se kam
vdekë,
Kur të thoni “Ndjesë
pastë!”
A e dini çfarë kam
hjekë,
Unë, poeti zemërzjarrtë?
Kur të pyesni: - Ku e ka
vorrin?-
Kur t’kërkoni me ma
gjetë,
Thoni: - Ai urreu
mizorin! -
Thoni: - Dheu s’ka me e
tretë!
Ky
ishte Havzi Nela, poeti i madh i dhimbjes njerëzore.
Brenda
vetes time ndjej një revoltë. Dua të thërras, dua të çirrem. Askush nuk më jep
përgjigje. Heshtja sundon kudo. Më dhemb zemra për këtë poet të madh që
Atroposi i preu fillin e jetës. Ndaj pyes:
- Deri
kur do t’i kemi mbi krye vrasësit e poetëve? Deri kur?
Kjo
pyetje kërkon përgjigje.