Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Masakra e Mirditës
E hene, 12.08.2019, 08:57 PM
Shtatëdhjetë vjet më parë
Masakra
e Mirditës
Nga
Reshat Kripa
O
ti udhëtar, që kalon nëpër atë rrugë të përmasave ndërkombëtare, mos harro se
shtatëdhjetë vjet më parë në këtë krahinë kryhej një nga masakrat më të
përgjakëshme të historisë së këtij vendi. Kjo masakër nuk ushtrohej nga ndonjë
pushtues i huaj. Ishin vetë shqipëtarët që vrisnin shqipëtarë, ishin vetë
shqipëtarët që burgosnin shqipëtarë, ishin vetë shqipëtarët që internonin
burra, gra, pleq dhe fëmijë shqipëtarë, vetëm e vetëm pse ata mendonin ndryshe
nga klika që ishte në pushtet.
Ju,
që keni arritur të jetoni në ato ditë, mos harroni! Shqipëria nuk ka qenë kjo
që është sot. Atë e kishte gllabëruar në kthetrat e saj kuçedra e kuqe që
jetonte me gjakun e popullit të vetë. Por kishte edhe gra, burra dhe të rinj që
kishin kurajon t’i kundërviheshin kësaj kuçedre dhe për këtë sakrifikonin edhe
veten e tyre. Shqipëria ishte ndarë në dy blloqe të mëdha. Në njerin krahë
qëndronin luftëtarët e lirisë , demokracisë dhe fjalës së lirë, ndërsa në
krahun tjetër përfaqësuesit e errësirës dhe skllavërisë.
Viti
1949. Në Mirditë vritet një sekretar partie. Egërsia e pushtetit arrin kulmin.
Duke ndjekur shembullin e pushtuesve nazist, për një të vrarë duhej të paguanin
qindra të tjerë. Kjo ishte logjika e diktatorëve. Mirdita u bë shembulli i
zbatimit të kësaj politike të trashëguar që nga periudha e inkuizicionit.
Rezultati, katër martirë të varur në litar dhe dhjetë të tjerë të pushkatuar.
Por hakmarrja e kuqe nuk përfundoi këtu. Dhjetra të burgosur dhe qindra të
internuar në ato kampe të tmerrshme të punës së detyruar. Në këto kampe të
tmerrshme u dërguan familjarët e martirëve të ekzekutuar
Kampi
i Turanit. Një nënë mirditore me dy fëmijtë e saj binjakë. Një ditë në mëngjes
kjo nënë çirrej dhe vajtonte për njerin nga binjakët që kishte vdekur pasi nuk
kishte me se ta ushqente. Shoqet mundoheshin ta ngushëllonin por zemra e nënës
nuk mund të gjente ngushëllim. Pranë saj qëndronte edhe binjaku tjetër që qante
e qante me ngashërim. Kërkonte disa pikë qumësht që nëna nuk kishte mundësi
t’ia gjente. Papritmas edhe ai pushoi. Nëna e pa, i lëvizi kokën dhe befas
lëshoi një ulërimë ngjethëse. I kishte vdekur edhe binjaku tjetër. Shoqet u
munduan ta qetësonin. Por vajtimi i saj shponte edhe qiellin. Herë qante dhe
papritur fillonte të qeshte dhe përsëri të qante. E mjera ishte çmendur.
Kampi
i Bulqizës. Janar 1955. Binte borë, ishte cingërimë. Sapo ishim kthyer nga puna
të raskapitur dhe prisnim të na sillnin lugën e supës me qepë, me të cilën
mbanim shpirtin gjallë. Toger Ademi, operativi i tmerrshëm i sigurimit të shtetit. hyri në kapanon dhe
duke iu drejtuar një djaloshi nga Mirdita, të atin e të cilit e kishin
pushkatuar në vitin e zi 1949, i tha me egërsi:
-
Përse nuk e realizove normën?
-
Isha i sëmurë zoti toger! - u pergjigj djaloshi me gjysmë zëri.
Nuk
e la të mbaronte fjalën. E rrëmbeu me forcë dhe duke e hequr zvarrë, e përplasi
përjashta në borën që vazhdonte të binte. Filloi ta godiste ku mundte me
kamzhikun që mbante në duar. Pastaj duke e tërhequr gjithmonë zvarrë, e mbylli
në një nga birucat e caktuara për këtë qëllim.
Kur
u err një miku i tij i çoi një copë buke. Nuk e kish mbaruar ende, kur ia behu
krimineli. Sapo e pa, filloi ta godiste përsëri me kamzhik, duke kërkuar t’i
tregonte se kush ia kishte dhënë copën e bukës. Djaloshi nuk tregoi. Atëhere
dha urdhër ta lidhnin në një shtyllë telefoni që ndodhej afër kapanonit tonë.
Caktoi edhe dy roje për të mos lejuar njeri t’i afrohej. Ishte thëllim.
Dëgjonim rënkimet e tij të mbytura dhe nuk ishim në gjendje ta ndihmonim. Tërë
atë natë nuk mbyllëm sy duke dëgjuar rënkimet e tij. Dikur afër mëngjesit ato
pushuan. Mirditori trim kishte ndërruar jetë. Nuk i kishte mbushur ende te
shtatëmbëdhjetë vjetët.
Qytetarë,
mos i harroni këto tmerre! Mos harroni se liria që gëzojmë sot nuk erdhi vetë.
As u realizua vetëm me një demostratë në fundin e viteve tetëdhjetë. .Për atë u
investua që me marrjen e pushtetit nga barbarët e kuq. Kjo betejë vazhdoi
gjatë, për dyzetegjashtë vjet dhe u kurorëzua me sukses me demostratën e
studentëve shqiptarë.
Por
hijet e kuçedrës së kuqe vazhdojnë të lëvizin nëpër vendin tonë. Ato vazhdojnë
të helmojnë atmosferën e përgjithshme demokratike që sundon në vend. Jo rrallë
dëgjojmë zëra mjeranë që “çirren e shkulin flokët për demokracinë”, kurse nga
ana tjetër qajnë e vajtojnë për ditët e perënduara.
Një
ish kryeministër, që karierën e tij e filloi me këtë post dhe që për fat të keq
është ende në pushtet, ka guximin t‘i quaj “plehra” këta martirë të rënë në
luftën për liri. Kush ishin plehra zoti ish
kryeministër? Mos vallë fëmijtë që ju, apo prindërit tuaj, i latë të
vdisnin nga uria?
Një
pinjoll i një kreu të nomenklaturës së kuqe, mburret duke deklaruar se qenka
krenar që babaj i tij paska qenë Sekretar i Parë i Partisë së Punës. Pikërisht
ky pinjoll, na paska studjuar në perëndim, duke marrë edhe mastera dhe
doktorata. Por a e di ai se ishte pikërisht babaj i tij dhe shokët e tjerë të
partisë që nuk lanë më baltë pa hedhur mbi ato vende perëndimore ku ai ka
studjuar? A e di se ishte pikërisht i ati që ka venë firmën mbi mijra të internuar
në kampet e vdekjes dhe burgjet e tmerrshme?
Unë
do t’u thosha: Si nuk keni turp zotërinj?
Nëse ju ka mbetur ende një fije nderi në ndërgjegjen tuaj, kërkoni
ndjesë për krimet e kryera nga etërit tuaj, në të kundërt heshtni dhe mos
merrni mbi vehte krimet e tyre. Falje kërkoi Papa Gjon Pali i Dytë për krimet e
kryera nga krishterimi në mesjetë. Falje kërkoi Kancelaria Merkel për krimet e
kryera nga nazizmi në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Së fundmi falje
kërkoi edhe qytetari gjerman në emër të të atit që kishte marrë pjesë në
masakrën e Borovës.
A
mund të falen këta persekutorë mizorë? Por si mund të falen ata që nuk kanë
kërkuar një gjë të tillë, ata që vazhdojnë të na konsiderojnë ende si armiq? A
do të na i lejonin të rënët tanë, të burgosurit tanë dhe të internuarit tanë që
nuk patën fatin të shikojnë dritën e demokracisë për të cilën u sakrifikuan?
Duke
kujtuar ngjarjet e këtij përvjetori, para syve më dalin vargjet e poetit, që në
fund të viteve tetëdhjetë shkruante:
Fitimtarët, fitimtarë,
Të mundurit, të mundur
në përjetësi
Atëhere, po të jetë
kështu,
Mos ardhsh kurrë demokraci!