E marte, 15.10.2024, 01:37 PM (GMT+1)

Përjetësi » Kripa

Reshat Kripa: Zërat që gjëmojnë në shkretëtirë

E enjte, 23.05.2019, 08:23 PM


Zërat që gjëmojnë në shkretëtirë

Nga Reshat Kripa

Para syve të mi qëndron albuni me poezi të zgjedhura i të madhit  Ali Asllani. Shfletoj faqet e tij dhe lexoj poezitë. Ndalem para njerës prej tyre, “Hakërrim”. E lexoj dhe e rilexoj dhe më duket sikur autori nuk e ka shkruar për kohën që jetoi vetë por për ditët e sotme. Kjo mund të duket e çuditëshme. Si mundi autori të parashikojë se çfarë do të ndodhte pas shtatëdhjetë vjetësh? Por, ja që kjo është e vërtetë. Lexoj

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka,

Të pabrek’ ju gjeti dreka, milioner ju zuri darka!

Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,

Gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: Peqe, lepe!

Para syve më dalin “njerëzit e rinj” të kohës së përmbysur që sot janë transformuar në  politikanë, diplomatë,   juristë të shquar, gazetarë apo analistë. Janë trashëgimtarët e sistemit të përmbysur.  Janë të shumtë. Ata e kanë zaptuar këtë vend dhe po i thithin gjakun. I gjen kudo, në partitë politike dhe në shoqatat “e pavarura”. I gjen në median e shkruar dhe atë televizive. I gjen në administratën shtetërore dhe në qeveri. I gjen në “Institucionet e Pavarura” dhe në parlament. I gjen në çdo qelizë të këtij vendi të mjerë. I shohim përditë, në rrugë dhe në jetën e përditëshme, në mbledhje përkujtimore dhe konferenca shkencore. Ata janë kudo të parët. Ata janë në faqet e para të shtypit dhe në ekranet e televizioneve. Janë specialistë për gjithçka, për politikë dhe për diplomaci, për art dhe për kulturë, për histori dhe për gjeografi, për shkenca dhe për teknikë, madje deri edhe për seks dhe për homoseksualizëm. Vetëm këto figura  shfaqen  çdo  ditë

para opinionit. A thua nuk paska ky vend figura të tjera?

Mos u  mundoni  t’i  pengoni.  “Heronjt”  e  sotëm janë në gjendje të kapërxejnë çdo pengesë.  Janë të paarritshëm, janë xhonglerë të shkëlqyer. Ju a kanë kaluar edhe atyre të cirqeve më të famshëm. Janë të paimagjinueshëm  sidomos në kapërximet me pengesa, ndaj i kalojnë me lehtësi edhe gjembat e ferrat. Mos u çudisni nëse sot i gjeni në një shoqatë dhe nesër në një tjetër me bindje të kundërta me të parën. Mos u çudisni nëse sot i gjeni në një parti të djathtë dhe nesër në një të majtë. Kjo është rruga e sotme e suksesit të shoqërisë shqiptare. Kjo është formula e pasurimit të shoqërisë së sotme. Nga kjo formulë kanë lindur biznesmenët dhe politikanët e sotëm. Kanë lindur komentatorët dhe analistët e përjetshëm. Kanë lindur gazetarët dhe “mëndjet e ndritura” të këtij vendi. Mundohuni të paraqisni një ankesë    ndonjë nga institucionet e ndryshme, por mos prisni përgjigje. Askush nuk merr mundimin t’ju përgjigjet Mundohuni të shkruani një artikull për këtë gjendje.  Shpërndauani gazetave apo revistave  që qarkullojnë në vend. Shumica e tyre do ta refuzojnë. Përse? Sepse drejtuesit e tyre i përkasin klasës së “njerëzve të rinj” që sundojnë mbi median. Zëri juaj është një zë në shkretëtirë.

Çuditërisht, pasojat e kësaj anarkie bien mbi kurrizin e atyre që, të lodhur nga rruga nëpër të cilën janë të detyruar të ecin, janë tërhequr të deziluzionuar në qoshkun e tyre, sepse nuk mund të pajtohen me  sharlatanët që drejtojnë vendin. Nuk mund të pajtohen me hipokritët, servilët, mashtruesit, dallaverexhinjtë dhe lloj lloj tipash të këtij lloji që, fatkeqësisht, qëndrojnë në krye.  Sharlatanët nuk e kanë për turp ta kthejnë faqen nga e majta në të djathtë, ose e kundërta, nga është më i madh interesi.  Ata nuk kanë bindje. Ata kthehen nga fryn era. Ata që deri dje ishin me mazhorancën sot kthehen me opozitën, ashtu siç ishin kthyer përfaqësuesit e opozitës së djeshme me mazhorancën e dikurshme. Ata i dëgjon gjithmonë të thërrasin “Hosana Baraba”  kushdo qoftë Barabai, për ta nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që atyre të mos u preken rrugët e

pasurimit. Poeti Ali Asllani do t’i quante “të pabrekë’ që darka do ti zinte milioner.

Para disa ditësh isha në një takim të organizuar nga katër institucione të rëndësishme të vendit tonë. Pjesëmarrësit i karakterizonte diferenca e bindjeve të tyre. Natyrisht një gjë e tillëështë normale në një vend me të vërtetë demokratik. Por mbeta pa fjalë kur në podium u ngjit, megjithëse në programin e shpërndarë nuk figuronte emri i tij, një ish-ministër dhe aktualisht zëvendës ministër. Ajo që më bëri të ndjeja një neveri për këtë figurë ishte se e paraqiti veten si një kundërshtar të regjimit të përmbysur që paskësh qenë gati për t’u arrestuar. Porsa ai mbaroi fjalën një vajzë e re, e ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kërkoi t’i bëntë një pyetje por, çuditërisht, nuk u lejua nga drejtuesja e takimit. Në atë çast para syve më dolën fjalët e Zotit Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, mbajtur në seancën ku diskutohej rezoluta numër 1481 (2006) e iniciuar nga Goran Lindbladmbi “Domosdoshmërinë për dënimin ndërkombëtar te krimeve te regjimeve totalitare komuniste":

Unë nuk kam frikë as nga nazizmi dhe as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyreqë e mbajtën në këmbë ato regjime”.

Lakejtë e regjimit të përmbysur sot i ke kudo. I ke në krye të partive politike, shoqatave të ndryshme dhe institucioneve shtetërore. Të gjithë thërrasin “Jemi të pafajshëm! Jemi të pafashëm! Por atëherë kush paska qenë fajtori për gjithë atë tmerr që përjetoi populli ynë për gati një gjysëm shekulli? Mos vallë paskemi qenë ne që e paguam me jetet tona?

A thua janë kështu të gjithë shqiptarët. A thua nuk gjen shqiptarë të ndershëm? Përgjigjen na e jep poeti:

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera,

Kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera...

Ja, ja, grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,

Koha është e maskarenjve, po Shqipëria e shqiptarve!

Në vendin tonë ka plot njerëz të denjë për t’u quajtur shqiptar. Ata përbëjnë shumicën dërmuese të popullsisë së këtij vendi. Por janë zërat e çjerrur të korbave të zinj që nuk lejojnë të dëgjohen zërat e tyre të pastër, zërat e tyre të dlirë. Vendi ynë ka intelektualë që sot shkëlqejnë në gjithë botën e përparuar por që në vendin e tyre dyert i kanë të mbyllura. A do ta gjejë rrugën e duhur atdheu?

Para disa ditësh më ndaloi në rrugë një qytetar i panjohur. Më drejtoi një poezi që porsa e kishte përfunduar. E hapa dhe lexova:

Në këtë kaos, këtë vend të nxirrë,

Nga këta “bandillë”, këta “xhevahirë”,

Zërat tanë të fortë, zërat tanë të mirë,

Zërat tanë të lirë, zë në shkretëtirë!”

Deri kur këto zëra do të gjëmojnë  në shkretëttirë?



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora