Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Koha e maskarenjve
E marte, 02.04.2019, 07:39 PM
Koha e maskarenjve
Nga Reshat Kripa
Kohët e fundit një fushatë e shfrenuar e disa prej hienave të zeza të së kaluarës ka shpërthyer në vendin tonë. Në qoftë se do t’i shikosh me vëmendje do të kuptosh se ato janë një thirrje që të mundurit e epokës së përmbysur kërkojnë ta ringjallin. Përse u ringjallën? Atë e dinë iniciuesit e saj por, edhe për ne qytetarët e zakonshëm kjo nuk është pa kuptim. Jo rastësisht në festa zyrtare hienat shfaqen me portretet e diktatorit ndër duar. Jo rastësisht në varrezat e dëshmorëve vazhdon të valëvitet ylli i kuq i komunizmit. Jo rastësisht nëpër fasadat e objekteve zyrtare shihen mozaikë dhe basorelievë të kohës së perënduar. Jo rastësisht shumë rrugë dhe bulevarde mbajnë emra individësh që kanë kryer krime por kanë mbetur pa u ndëshkuar, ndërsa emrat e patriotëve të mëdhenj të këtij vendi nuk i sheh gjëkundi apo vetëm në disa rrugica të panjohura.
Një individ i këtij kallëpi kriminelësh, që në kohën e sistemit totalitar nuk hezitonin të çonin në ekzekutim, dënim me burg apo internim nëpër kampet e punës së detyruar kundërshtarët e regjimit të egër, duke qenë shërbëtorë besnik të ish-Sigurimit të Shtetit, tani, për fat të keq, deputet në Kuvendin e Shqipërisë, është hiena e së kaluarës Spartak Braho që mllefi dhe cinizmi i tij për humbjen e pësuar njëzetenëntë vjet më parë, e shtyn të ngrihet kundër një personaliteti të njohur të inteligjencës demokratike shqiptare, drejtorit të Institutit të Studimit dhe Pasojave të Krimeve të Komunizmit, të nderuarit zotit Agron Tufa, duke arritur deri atje sa të kërkojë shkarkimin e tij nga kjo detyrë.
Në këto çaste parasysh më dalin fjalët e shprehura nga zoti Benesh, përfaqësues i grupit demokrat çek në Asamblenë Parlamentare të këshillit të Europës:
Nuk ka asnjë vend ku komunizmi ka ardhur në pushtet dhe të ketë qenë demokratik. Nëse nazizmi u dënua vetëm pak muaj pas rënies, nuk u bë e njëjta gjë me komunizmin. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, dihej saktë kush ishte fitimtari dhe kush i munduri. Ndërsa në përfundim të Luftës së Ftohtë, gjërat ishin të paqarta. Unë nuk kam frikë as nga nazizmi, as nga komunizmi, por nga lakejtë e tyre që i kanë ndihmuar rregjimet ish-komuniste të qëndrojnë në këmbë.
Kjo është arsyeja që këta ekzemplarë çirren dhe bërtasin deri në kupë të qiellit. Mos ndëshkimi i këtyre individëve e prunë Shqipërinë tonë në këtë gjendje në të cilën ndodhet sot.
Para syve më dalin gjithasahtu masakrat e kryera gjatë sundimit të sistemit komunist, masakra për të cilat është detyra e institucionit të drejtuar nga Zoti Tufa t’i zbulojë para opinionit publik shqiptar. Midis tyre masakra e Tivarit ku u vranë mbi 4000 qytetarë të ndershëm dhe më dalin para syve figurat e kriminelëve që e shkaktuan, masakra e Mirditës e vitit 1949 ku u dërguan në kampet e tmerrshme të internimit qindra gra dhe fëmijë të pafajshëm dhe më dalin para syve figurat e këtyre banditëve, masakrat e Postribës, Malsisë së Madhe dhe Zhabokikës ku, përsëri u vranë dhjetra patriotë të tjerë dhe më dalin para syve figurat e urryera të këtyre hienave të zeza të tipit “Braho” dhe çudia është se rendi i ri demokratik që thuhet se u vendos në Shqipëri, ende nuk i ka dënuar për këto krime.
Vini veshin në Gjermani. Para disa kohësh lexova në një gazetë të përditëshme një lajm për nxjerrjen para gjyqit të Reinhold Hanning, ish roje i kampit famëkeq të Auschvicit-it, 94 vjeç, mbi të cilin rëndonin 170.000 akuza si bashkëfajtor në vrasje nga janari 1943 deri në qershor 1944. Po ashtu John Demjanjak u dënua në vitin 2011 si roje i një kampi nazist, madje pa iu provuar fajësia. Po kriminelët shqiptarë të tipit të hienave të mësipërme a do të dënohen ndonjë herë? Në këto kushte lind pyetja: Kush janë fitimtarët e vërtetë kësaj përplasjeje të madhe parimesh? Dy janë idetë që u ndeshën me njera tjetrën gjatë shekullit të kaluar. E para ideja nacionaliste që mbështetej në ekonominë kapitaliste të tregut të lirë ku individi të kishte të drejtën e fjalës dhe të veprimit, të drejtën e pronës dhe të banimit, të drejtën e shkollimit dhe specializimit, të drejtën e votës së lirë dhe përfaqësimit. E dyta mbështetej në ekonominë socialiste ku individi pothuajse nuk kishte asnjë të drejtë, ku prona ishte rrëmbyer dhe bërë pronë e shtetit, ku shkollimet dhe specializimet bëheshin vetëm për persona të zgjedhur nga regjimi, ku e drejta e votës së lirë mungonte plotësisht. Përfaqësuesit e idesë së parë ishim ne që u ngritëm kundër diktaturës totalitare, që luftuam dhe dhamë jetët tona për Liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi. Ndërsa përfaqësuesit e së dytës ishit ju, Spartak Braho, që ju zunë duart kallo nga duartrokitjet për diktatorin duke i thurrur hymne lavdie dhe kur e patë se ai u përmbys, si rezultat i revoltës popullore, ndërruat fletën dhe u kthyet në “demokratë të kulluar”.
Ndaj, në këto ditë, kur në vendin tonë është instaluar sistemi kapitalist i ndërtimit të shoqërisë, pikërisht ai sistem për të cilin ne luftuam, fitimtarët e vërtetë të tij jemi ne, ndërsa humbësit jeni ju, mbeturinat e sistemit të përmbysur. Ndoshta. Tani për tani, keni arritur majat e pushtetit. Ndoshta, tani për tani, keni arritur majat e pasurimit. Por do të vijë dita që e vërteta do të triumfojë mbi vendin tonë dhe të gjitha kanë për t’ju dalë nga hundët. Atëherë juve ju prêt vetëm një gje: ndëshkimi i drejtësisë shqiptare. Kjo ditë do të vij.
Ndaj dua t’u drejtohem juve me vargjet e të pavdekshmit Ali Asllani:
“ Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të
zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Shqipëria e shqipëtarve!”