Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Shkallët e Ferrit (4)
E shtune, 13.07.2019, 10:05 AM
Reshat Kripa
Shkallët
e Ferrit
Roman
KREU I TRETË
PAS FURTUNËS
I
Më në fund, pas dhjetë
vjetësh, tre muajsh dhe dymbëdhjetë ditësh, erdhi dita e lirimit për Agron
Canajn. Ishte dënuar dymbëdhjetë vjet. Ato që kishte fituar nga puna, bënë që
të lirohej përpara plotësimit të vuajtjes së dënimit. Atë ditë e kishin lajmëruar
të mos dilte në punë. Po priste ta lajmëronin për të dalë. Priste dhe kujtonte.
Kujtonte dhjetë vitet e kaluar në burg.
Kujtonte kampin e parë,
Spaçin. Dy vjet para se të shkonte ai, atje kishte ndodhur një revoltë e madhe.
Për herë të parë në historinë e kampeve të punës së detyruar, ishte ngritur
flamuri pa yllin e komunizmit. Ai kishte valuar për tre ditë. Por egërsia e
autoriteteve e kishte shtypur me dhunë këtë revoltë. Katër djem të rinj ishin
pushkatuar dhe dhjetra të tjerë kishin marrë dënime të rënda.
Së bashku me të, në kamp
kishin sjellë edhe Yllin, Gazmendin dhe Përparimin. Gjergjin e kishin dërguar
në burgun e Burrelit. Agroni u mundua të afrohej me ta, por ata i qëndruan shumë ftohtë. Nuk mund të
harronin se ai ishte bërë shkaktar i dënimit të tyre. Këtë gjë nuk mundi ta
thyente edhe fatkeqësia familjare që i kishte ndodhur Agronit.
Një ditë ndodhi një
fatkeqësi. U shemb galeria dhe zuri nën vete tre të burgosur. Midis tyre ishte
edhe Përparimi. Agroni e ndjeu
thellë humbjen e shokut. I dukej sikur ishte ai shkaktar i
asaj vdekje.
I vetmi që shoqërohej me
të ishte Besimi. Ai ishte një i burgosur i vjetër. Po paguante për veprimtarinë
e të atit që kishte qenë komandant çete nacionaliste dhe që ishte arratisur
jashtë shtetit në vitin 1944. Besimi i kishte dëgjuar fjalët e përhapura për
Agronin, megjithatë një zë i brendshëm i thoshte se ai nuk duhej të ishte spiun
si disa të tjerë që ndesheshin çdo ditë në atë mjedis. Për këtë arsye ndërhyri
disa herë te shokët e tij për t’i afruar me Agronin, por çdo gjë shkoi kot. Ata
nuk u tërhoqën që nuk u tërhoqën.
Agroni ishte nga të paktët
që nuk kishte asnjë ndihmë. Në shtëpi kishte vetëm një nënë plakë, me një
pension të zakonshëm që nuk i dilte as për vete. Përveç kësaj ishte edhe e
sëmurë nga tensioni i lartë i gjakut. Vëllai e kishte braktisur. Ndonjëherë,
ndante diçka me të Besimi, kur i vinte ndonjë ushqim nga familja. Për këtë
Agroni i ishte shumë mirënjohës.
Në atë kamp kishte
qëndruar pesë vjet, kur ndodhën trazira të tjera. Një djalë i ri, një demokrat i vërtetë, së
bashku me dy gazetarë u dënuan me pushkatim, vetëm e vetëm sepse kishin guxuar
t’i shkruanin letër diktatorit. Përsëri ridënime të tjera. Agronin nuk e
ridënuan, por e çuan në burgun e Burrelit.
Atje midis të tjerëve
gjeti Gjergjin. Iu afrua, i foli dhe deshi të bisedonte me të, por ai i ktheu
kurrizin. U mundua të shpjegohej. Ai nuk pranoi. Agroni u tërhoq i heshtur në
qoshkun ku kishte dyshekun e tij. Edhe shokët e tjerë të dhomës, duke dëgjuar
rrëfimin e Gjergjit, i qëndruan ftohtë. Vetëm Besimi, me të cilin kishin ardhur
bashkë nga kampi i Spaçit, i bëri
shoqëri dhe i tha:
- Mos u mërzit! Ditët do
të kalojnë dhe e vërteta do të dalë në shesh.
Kështu, Agronit i duhej
që, vetmisë së madhe
të
burgut, t’i shtohej edhe
ndarja nga shokët e vuajtjes.
Pas dy vjetësh të
tjerë e
transferuan në kampin
e Qafës së
Barit. Edhe atje ndodhi një revoltë. Si për çudi revoltat e ndiqnin
në çdo kamp
që shkonte. Ato ishin
bërë motoja e
ditës për të burgosurit. U
pushkatuan tre djem të rinj dhe përsëri
ridënime .të tjera.
Në kamp gjeti Yllin, që e
kishin sjellë nga Spaçi. Për më tepër e caktuan në skuadrën ku ishte ai. Ishin
dhjetë vetë. Detyrimisht do të kishin kontakt me njëri-tjetrin. Megjithatë Ylli
vazhdonte t’i qëndronte ftohtë. Një ditë Agroni e ndaloi dhe i tha:
- Ylli, dua të bisedoj me
ty.
- E çfarë mund të
bisedojmë tani që çdo gjë ka marrë fund.
- Kam një brengë të rëndë
në ndërgjegje. Ajo po më vret. Kam nëntë vjet që po torturohem prej saj.
Pothuajse çdo mbrëmje më çfaqet Stefani. Mundohem ta largoj nga mendja, por ai
nuk më shqitet. Po ashtu edhe ti me Gjergjin, Gazin dhe Përparimin. Ju më
akuzoni mua. Është e vërtetë. Por a mund ta merrni me mend se në çfarë rrethana
isha që bëra një veprim të tillë?
- Agron, leri këto
filozofira. Ajo që u bë nuk ç’bëhet më.
- Jo, dua të ta them. Nuk e mbaj më dot të
fshehtë, megjithse është shumë e rëndë.
- Më mirë mbaje për
vete, ashtu si
deri tani. Ndoshta ne mund të na
i kthesh mendjen, po Stefanit a mundesh?
U largua duke i kthyer shpinën.
Kështu, i vetmuar dhe i
ndarë nga një pjesë e të burgosurve, Agroni, duke mbajtur
mbi shpatullat e tij peshën e tradhëtisë
dhe pabesisë, kaloi dhjetë vite burg, deri sa erdhi dita e lirimit. Agroni e ndjeu veten të lirë, pa
patur pas shpine
as roje, as policë. Tani mund të
merrte frymë lirisht.
Ndjeu një ngashërim që i pushtoi shpirtin.Para syve iu shfaqën Lumtua dhe Irida. Diçka i
theri në zemër. Ato nuk do t’i gjente në shtëpi. Atje
ishte vetëm një plakë qyqe që kishte mundur të jetonte vetëm në
sajë të premtimit që i kishte bërë të birit. Ditën që kishte përfunduar gjyqi, bashkë me
mandatën, ajo i kishte thënë:
- Nuk do të vdes deri sa
të dalësh ti.
Premtimin e kishte
mbajtur. Kishte jetuar njëlloj si ai, e vetmuar dhe e ndarë nga e gjithë bota. Një aksident i kishte ndodhur para shtatë vitesh.Një i dehur e kishte
përplasur me makinë.Plagët e tjera i ishin mbyllur nënë Gjylos, por njëra nga
këmbët i kishte mbetur pothuajse e paralizuar.Lëvizte me shumë vështirësi me
ndihmën e një bastuni.Për më tepër, nuk ishte në gjendje të shkonte të takonte
të birin. Qyteti i tyre me kampet, ku ishte syrgjynosur i biri, ishin shumë
larg dhe ajo nuk udhëtonte dot me kamiona të rastit. I shkruante vazhdimisht letra, për të mos e lënë
të vetmuar. Edhe ai i kthente përgjigje një herë në muaj, ashtu siç ishte
rregulli i burgut. Të dy nuk kishin kujt t’i shkruanin tjetër. Ndonjëherë, kur
i tepronte, ajo i postonte edhe ndonjë lekë. Kështu kaluan ato vite.
Agroni mbriti vonë në
qytetin e tij. Kishte ndërruar disa kamionë deri sa arriti. Në atë kohë ora e
qytetit tingëlloi dymbëdhjetë herë. Ishte mesnatë. Rrugët ishin të shkreta.
Tek-tuk shihej ndonjë polic, që kishte shërbimin ose ndonjë i vonuar që kthehej
në shtëpi. Të ëmën, disa muaj pas dënimit të tij, e kishin nxjerrë nga
apartamenti, me pretekstin se ajo ishte e vetme dhe apartamenti ishte i madh. E
kishin dërguar në një dhomë që dikur shërbente si ambulancë lagjeje, në
rrethinat të qytetit. Ai kishte adresën, por nuk e përcaktonte dot godinën.
Dhoma ndodhej në katin e parë të një pallati tre katësh.
Ndërkohë aty po kalonte
një burrë i moshuar. Agroni i foli:
- Më falni, a mund të më thoni se ku banon
Gjylo Canaj?
Burri ndaloi dhe po
vështronte me vëmendje.
- E ç’ju duhet e ngrata
plakë? Lereni në hallin që e ka zënë
dhe mos e
shqetësoni në këtë orë të natës.
Kush jeni ju që e kërkoni në këtë orë?
- Jam i biri. Vij nga
larg, nga një botë tjetër.
- Agroni? Po ti mirserdhe
more bir! Eja shkojmë në shtëpi që të gëzosh të shkretën plakë.
- Po ju kush jeni që na
njihkeni kaq mirë?
- Jam Syrjau, miku i babajt tuaj.
Agronit iu kujtua se kishte qenë pikërisht ky
Syrjau që kishte sjellë trupat e pajetë të të atit dhe Sabriut për t’i varrosur
në varrezat e qytetit.
- Po ku keni qenë në këtë orë të vonë? – e
pyeti Agroni
- Isha në një vaki. Ka vdekur një shoku im i
burgut.Por nuk qëndroja dot më shumë. Nesër do të vete që me mëngjes për ta
varrosur. Edhe unë e kam shtëpinë këtu afër.Eja të shkojmë tani, pa kemi kohë të
bëjmë muhabet.
U nisën dhe pas pak mbritën te shtëpia. Syrjau
trokiti në portë dhe vuri prapa vetes Agronin.
- Qëndro
këtu. Nuk është mirë të të shohë nëna ashtu papritur.Duhet përgatitur.
Një zhurmë hapash u ndie nga brenda.
- Kush është?
- Hape, jam unë Syrjau.
Por nëna e ndjeu. Ia ndjeu
zemra.
- Bir, ti je?
- Po nënë, unë.
Porta u hap dhe të dy
ranë në krahët
e njëri-tjetrit. Lotët ishin
preludi i këtij takimi. Kishin kaq vite pa u parë dhe tani nuk ndaheshin
dot. Shtatë vjet pa u takuar, si
dikur kur shqiptarët shkonin
ushtar në Jemen dhe shumica nuk ktheheshin më. Por Agroni kishte patur fatin që
të ishte një nga ushtarët e paktë që ishte kthyer në gjirin e nënës plakë.
- Eja të mbyllim portën, - foli Syrjau.
U futën në dhomën e vetme
me derën drejt e në rrugë. Në një cep kishte një aneks që shërbente si banjo.
Syrjau, si ndenji edhe pak, e kuptoi se duhej të shkonte. Përshëndeti dhe u largua.
- Erdhe bir më në fund,
erdhe, - foli nënë Gjyla. - Unë e mbajta fjalën. Të thashë se do të pres dhe të
prita. Tani edhe sikur të vdes, nuk më vjen keq.
Agroni hodhi vështrimin
në murin përballë. Një fotografi e madhe e familjes
qëndronte atje. Ishin të tre, Agroni, Lumtua dhe Irida. Vuri kokën midis dy
duarve dhe filloi të qajë. Sa do të dëshironte t’i kishte edhe ato në këtë
çast.
Qaj bir, qaj! Lotët
të lehtësojnë. Ndoshta nuk
i prekim. Ndoshta nuk i
shohim, por ato janë me ne. Kanë fluturuar në qiell për të na mbrojtur.
Agroni ngriti kokën dhe po
vështronte të ëmën. Ajo, intelektualja e shquar, një nga mësueset e para të
vendit, gruaja e një ushtaraku të njohur, ishte shndërruar në një plakë
kërcure. Ku kishte shkuar bukuria e asaj fytyre? Vështroi nga faqja tjetër e
murit. Një fotografi e të atit me të ëmën qëndronte atje. Kishin dalë vitin që ishin martuar.Dukeshin një çift i lumtur.
Tërë atë natë nuk mbyllën sy. Qëndruan duke
biseduar me njëri-tjetrin dhe biseda e tyre
nuk kishte të sosur.
- Si ndodhi aksidenti, nënë.
- Po ecja në anë të rrugës kur erdhi makina dhe
më përplasi. Thanë se shoferi
kishte qenë i dehur. Por unë nuk e besoj. Për mua ai kishte marrë urdhër për ta bërë atë veprim.
Mendova se kaq e kisha. Por jo. Megjithatë mbeta sakate për tërë jetën.
Agroni hodhi edhe një herë
vështrimin nga fotografitë.
- Po ajo si ndodhi? - pyeti.
- Çfarë bir?
- Ajo, tragjedia. Si u
fikën të dyja njëra pas tjetrës?
Nënë Gjyla u mendua para
se të përgjigjej. I biri kishte vetëm disa orë që ishte kthyer dhe nuk donte ta
shqetësonte me kujtime të
hidhura. Por ai
ngulte këmbë. Ndaj duhej
t’ia thoshte ato që dinte.
- Çdo gjë nisi natën e
zezë kur erdhën të takuan ty në qelitë e sigurimit, - filloi ajo. - Irida u
kthye e shpërfytyruar. Takimi me ty e kishte tronditur. E vizitoi doktor
Sotiri. Vendosi ta shtronte në psikiatri. Lumtua i qëndronte te koka, por duhej
të fillonte punë, përndryshe do ta pushonin. Pas disa ditësh erdhi lajmi i zi se ishte hedhur nga ballkoni
i katit të tretë. E varrosëm siç e meritonte. Mori pjesë pothuajse i gjithë
qyteti. Të gjithëve u erdhi keq për atë humbje.
Natën kur u mbushën të
dyzetat e vajzës, Lumtua më solli një letër. Më tha se ishte për ty, kur të
dilje nga burgu. I thashë, përse ma jipte mua, kur ajo do
jetonte vetë.“ Jo, - më tha, - jepja ti, se ti do të jetosh “ dhe iku duke më
uruar natën e
mirë. Në mëngjes prisja që të ngrihej për të shkuar në shkollë, por më
kot.Shkova në dhomë. E gjeta të shtrirë
në shtrat pa jetë.Ishte
veshur me fustanin e zi që e kishte blerë me rastin e vdekjes së vajzës. Pranë
saj, mbi komodinë, ishte një shishe helmi bosh. Nuk e di se ku e kishte gjetur.
Dukej si një engjëll në gjumë.
Plaka u ngrit, hapi një
komodinë, nxori një letër dhe me duart që i dridheshin ia dha Agronit. Ai e
mori. I dukej sikur letra i digjte dorën. Më në fund mundi
ta hapte dhe lexoi:
“ I dashur Agron!
Në çastin që po të shkruaj këto radhë, jam bërë
gati të pi lëngun vdekjeprurës. Në
çastin e fundit të jetës time, dua të të tregoj shkakun e një veprimi të tillë.
Çdo gjë filloi natën kur na çuan në sigurim. Ngjarja nuk mbaroi pasi të larguan
ty. Akti tjetër i saj u krye pasi na hoqën nga ajo birucë. Ne u bëmë pre e akteve epshore të atyre dy
banditëve. Kur ikëm prej asaj skëterë,
vajza ishte çmendur, ndërsa unë si një grua mëkatare.
Iridën e
shtruam në spitalin psikiatrik. Megjithë kujdesin e doktor Sotirit dhe mjekëve
të tjerë, vajza sa vinte dhe përkeqësohej. I vetmi emër që përmendte ishte ai
yti.” E kanë rrëmbyer harpiet,- thoshte,- unë do të fluturoj te babi ” dhe
ashtu bëri. Një ditë fluturoi nga ballkoni.
Pas disa javësh
kuptova se kisha mbetur shtatzanë .Në bark kisha
fëmijën e një kriminelit.
Si do të dilja para njerëzve?
A do të
kisha kurajo të të
shikoja ty në sy? Vendosa t’i
jap fund jetës.
Kjo ështe e vetmja
zgjidhje që më ka
mbetur. Më fal
Agron: Më fal për sa të kam
shkruar në këtë
letër. Të përqafoj përjetësisht për vete dhe për Ridën!
Mos na
harro!
Besnikja
jote
Lumtua “
A mund të ketë dhimbje më
të madhe për një babë dhe bashkëshort? Si ka mundësi që Zoti të lejojë të
kryhen krime të tilla? Ja që bota paska edhe engjëj edhe djaj. Dhe djajtë kanë
pushtuar shqiptarët. Ata i kanë dëbuar engjëjt, madje edhe vetë Zotin dhe Ai i
ka braktisur njerëzit që e mohuan.
- Bir, ktheu në tokë! –
foli nënë Gjyla kur pa shprehjen e fytyrës të së birit.
- Në cilën tokë, nënë?
- Në tokën tënde.
- Ku është ajo, ku? Unë
nuk e shoh.
- Këtu ku jetojmë edhe unë
e ti. Edhe këtu ka njerëz.
- Njerëz përbindsha që
kërkojnë të hanë njeri tjetrin.
- Jo bir. Njerëz të mirë
ka kudo. Do t’i takosh dhe do t’i njohësh.
Agroni vështroi të ëmën dhe pasi u mendua pak e
pyeti me një gjysëm zëri:
- Po unë? A e di si jam
unë?
- Edhe ti je bir nëne.
- A e di se ç’kam në
ndërgjegjen time?
- Thuama.
- Jetën e mikut tim më të
mirë. Unë e vrava.
- Ti nuk ke vrarë njeri.
- E harrove Stefanin? Unë
e vrava. Desha të shpëtoja Lumton dhe Ridën. Por nuk munda.
- Eja bir, eja në krahët e
nënës tënde. Nesër do të lindë një ditë tjetër
U hodh në krahët e s’ëmës
dhe e përqafoi si një fëmi, duke pëshpëritur nëpër dhëmbë:
- Do të lindë vallë?
Të nesërmen shkoi në varreza. U gjunjëzua dhe derdhi lot
para varrit të tyre. Puthi fotografitë në porcelan. Foli me to. Vendosi dy tufa
të bukura me lule, që ia kishte dhënë Syrjau në çastin që ishte nisur. Syrjau
donte ta shoqëronte, por ai nuk e kishte lejuar. Donte të ishte i vetëm në
dhimbjen e tij. Kishte ndenjur dhjetë vjet pothuajse i vetmuar në burg. Me
vetminë e tij kishte mundur të përballonte gjendjen e vështirë të atyre viteve.
Me vetminë e tij donte të përballonte edhe dhimbjen e tanishme. Vetmia i dukej
sikur e qetësonte. Ajo ishte bërë simboli i jetës së tij.
Dhimbja e asaj nate ishte
shumë e madhe, pothuajse e papërballueshme. Sikur ata dy kriminelët të ishin
gjallë, nuk e dinte se ç’mund të kishte bërë. Por ata i kishte ndëshkuar Zoti,
të paktën kështu pëshpëritej dhe ai nuk dinte ku ta shfrynte dufin që kishte
nga brenda. Donte të zbrazej, por nuk
dinte se ku.
Zëri i tij dilte nga
thellësia e shpirtit dhe nuk kishte se si ato të mos e dëgjonin. U gjunjëzua
pranë tyre dhe filloi ligjëratën, një ligjëratë që do të kishte ngjallur edhe
të vdekurit.
- Lumto, Rida,
erdha. Do të
vijë edhe kur
të kalojnë vite.
Do të bisedojmë bashkë. Do të jemi bashkë. A më dëgjoni?
Dua të më gjykoni edhe ju. Mbi ndërgjegjen time rëndon vdekja e mikut tim më të
mirë. Por isha i detyruar. E bëra për t’ju shpëtuar juve nga duart e atyre
sadistëve. Por s’munda. Isha i prangosur këmbë e kokë. Miqtë më kanë braktisur.
Nuk më besojnë më. Nuk di si të veproj. Më thoni ju.
Ka disa çaste në jetën e
njeriut që i duket sikur njerëzit e tij më të afërt, që kanë kohë që janë
larguar nga kjo botë, janë gjithmonë pranë tij. Ata i flasin, e këshillojnë, i
tregojnë rrugën nëpër të cilën duhet të ecë. Tek ata ai gjen mbështetje, gjen
rrugëzgjidhje për hallet që i dalin.
Në këtë gjendje ishte edhe
Agroni atë ditë. Besonte se të dashurit e tij do ta ndihmonin me të vërtetë. Bisedonte me to.I dukej sikur ato ishin gjallë dhe flisnin me të.U
ngrit nga varri ku ishte gjunjëzuar. Kishte marrë një vendim.
Do të vazhdonte të
qëndronte i vetmuar, ashtu si deri tani. Dhimbjen do ta mbante brenda vetes.
Nuk do i tregonte askujt për atë që kishte ndodhur. Ajo do të ishte sekreti i
jetës së tij. Atë do ta merrte me vete
kur të shkonte në varr.
Me këto mendime u nis për
në shtëpi.
II
Si ndenji disa ditë sa për
t’u përshtatur me jetën
e re, Agroni
u paraqit në
zyrën e punës pranë Komitetit
Ekzekutiv të Rrethit, për të kërkuar punë. Nëpunësi, pa ia
hedhur sytë, i
zgjati një formular.
Agroni e plotësoi shpejt e shpejt.
- Do vini pas dy javësh, -
i tha nëpunësi sikur fliste me murin.
Agroni u kthye kur u
plotësuan ditët.
- Na vjen keq, po nuk kemi
vende bosh për profesionin tuaj. Po deshët mund të shkoni si punëtor në
ndërmarrjen bujqësore.
Agroni e dinte mirë se ku rrihte
çekani. E famëshmja luftë e klasave ishte në veprimtari të plotë. Ai nuk mund
të shpëtonte prej saj. Ajo do ta ndiqte deri sa të ishte gjallë, këmba këmbës.
Nuk kishte rrugë tjetër. Pa punë nuk mund të jetonte. Kishte nevojë për të
holla dhe puna ishte burimi i vetëm i tyre. Nuk kishte rrugë tjetër veçse të
pranonte.
Nëpunësi mbushi fletën e
pranimit për punë dhe ia dorëzoi. Agroni u paraqit në zyrën e kuadrit të
ndërmarrjes. Zëvendës shefja e kuadrit, një grua rreth të dyzetave, e pa me
vëmendje. Iu duk fytyrë e njohur. U mendua dhe pastaj u kujtua se ishte
pikërisht ish kryeinxhinieri i ndërmarrjes elektrike të qytetit, që ishte
dënuar disa vjet më parë. Vështroi fletën e punës dhe ndjeu keqardhje për të.
Iu kujtua historia e trishtuar e familjes së tij.
- Më vjen keq, - i tha, -
por e vetmja gjë që mund të bëjë për ju, është t’iu dërgoj në sektorin e
investimeve. Atje do jeni më mirë se në
bujqësi.
- Ju falemnderit shumë! -
u përgjigj Agroni me mirësjellje.
Mori shkresën që i dha ajo
dhe u nis për në sektor. Kur mbrriti atje, ora kishte kaluar nga dymbëdhjeta.
Trokiti në portë.
- Hyni! - U dëgjua një zë
nga brenda.
- Më falni, këto janë
zyrat e sektorit të investimeve?
- Po, përse jeni munduar?
- Më kanë dërguar nga zyra
e kuadrit, për të punuar në sektorin tuaj.
Nxori shkresën që i kishte
dhënë shefja e kuadrit dhe ia
dorëzoi. Personi nga
ana tjetër e tavolinës e mori dhe
e lexoi. Duke
i shtrirë dorën
të porsa ardhurit i tha me mirësjellje:
- Jam Astrit Duka,
përgjegjësi i sektorit, ndërsa ky shoku këtu - dhe tregoi një burrë që
qëndronte përkrah tij – është brigadieri Robert Krasta. Mirserdhe në sektorin
tonë. Çfarë profesioni keni?
Agroni gjeti një mjedis të
ngrohtë në atë zyrë. U mendua pak, si i zënë ngushtë dhe u përgjigj:
- Kam edhe s’kam
- Ç’doni të thoni me ato
fjalë?
- Dikur quhesha Agron
Canaj, tani nuk e di nëse më njohin me këtë emër,
- Ç’doni të thoni?
- Po ja, jam
inxhinier elektrik, por
nuk gjeta vend bosh për këtë profesion. Kam punuar, gjithashtu, edhe si murator, por nuk kam asnjë kategori.
- Si ka mundësi? Ku keni
punuar?
Agroni nuk
foli. Po mendohej
nëse duhej të thoshte që kishte qenë në burg. Më në
fund e vendosi dhetha me një gjysmë zëri:
- Kam gati një muaj që jam
liruar nga burgu. Kam punuar nëpër kampe në profesionin e muratorit, por për
fat nuk kam asnjë dokument.
Astriti me Robertin panë
njëri-tjetrin në sy.
- Përse keni qenë dënuar?
- Një mal me akuza,
sabotim, agjitacion e propagandë, terrorizëm dhe ku e di edhe unë se çfarë
tjetër.
Një heshtje pasoi fjalët e
tij. Askush nuk foli për disa minuta. Ndërkohë ndërhyri Roberti:
- Ku e keni bërë burgun?
- Në Spaç, Burrel dhe Qafë
Bari.
- E njhni Besim Muratin?
- Kemi qenë miq. Po ju ku
e njihni?
- Edhe unë kam qenë i dënuar
politikë.
- Sa vjet keni bërë?
- Pesë. Po ju?
- Dhjetë.
Biseda mund të vazhdonte
gjatë po të mos kish ndërhyrë Astriti:
- Lëreni tani këtë
bisedë. Ç’njerëz keni në familje?
- Vetëm nënën plakë.
- Nuk jeni i martuar?
- Kam qenë dikur. Kam patur
një grua të mrekullueshme dhe një fëmijë të rrallë..
Astriti mendoi se do ta
kishte ndarë e shoqja, kur ai hyri në burg. Por Agroni vazhdoi:
- Ato tani nuk janë më.
Kanë fluturuar në qiell.
- Na falni! Ngushullimet
tona. Si quheni? Oh, më falni!
U kujtua për shkresën e
dërguar nga zyra e kuadrit. E hapi dhe shënoi në librin e personelit:
“ Agron Bexhet Canaj,
punëtor kategoria e parë, datëlindja 15 mars 1930, vendlindja…“
Shënoi emrin e qytetit dhe
adresën e banimit
- Mirë atëherë, - tha -
nesër do të filloni punë në pallatin që ndërtojmë në hyrje të qytetit. Atje do
të jeni me Robertin. E kemi shokë të mirë. Do të gjeni edhe njerëz të tjerë të
mirë. Kur të fillojmë instalimet elektrike, mund të punoni si elektriçist. Në
orën 6.30 të jeni atje.
- Falemnderit!
- Dëshëroni t’ju bëj një
kafe. Ta pimë së bashku. Zakonisht veglat e kafesë i mbajmë këtu, - i ofroi Roberti
- Me kënaqësi.
Roberti mori xhezven,
hodhi kafen, sheqerin dhe ujin dhe e vuri në furnellën elektrike që mbanin aty.
Duke ua dhënë shokëve u tha:
- Gëzuar!
- Gëzuar! - u përgjigjën Astriti dhe Agroni së bashku
- Mos rrini i ndrojtur,
- foli përsëri Roberti. - Ne jemi miqtë e tu. Për deri sa erdhe të
punosh me ne, do të jesh miku ynë. Nuk duam të dimë për të kaluarën tënde se,
në fund të fundit, edhe ne jemi pjesë e asaj të kaluare.
Fjalët e Robertit e
ngrohën. Ndjeu dashamirësi në ato
fjalë. Kishte kohë
që nuk kishte ndjerë një gjë të
tillë.
- Kam nevojë për miq të
mirë dhe besoj se te ju do t’i gjej ata.
- Me siguri.
Porta e zyrës u hap dhe
brenda hynë Besimi me Yllin
- Nuk na dashka vjehra,
- tha Besimi. - Sapo i paskeni pirë kafetë,
- Kujto qenin dhe bëj gati
shkopin, - iu përgjigj Roberti, pastaj duke i treguar Agronin i tha:
- Nuk po e njeh?
Besimi kthehet, vështron
Agronin, që deri në atë çast nuk e kishte vënë re dhe i hidhet në qafë.
- Agron, ti je? Po kur
qenke liruar or mik?
- Para dy muash.
- Po ti Ylli, përse nuk i
flet? Është
shoku yt, Agron Canaj.
- A
mundem t’i flas?
- Leri tani ato fantazira dhe
përqafohuni. Ja lini ato së
kaluarës.
- Kush janë fantazira
Stefani të cilit
nuk i dihen
as eshtrat ku
i ka? Përparimi që
mbeti nën
gurët e galerisë, apo Gazmendi
që edhe sot
e kësaj dite
lëngon i shtruar
në spital nga tuberkolozi?
- Njeriu
me zemër të madhe di edhe të falë.
- Nga
gjashtë shokë që ishim kemi mbetur vetëm dy, unë dhe ky. Gjergji vazhdon të
dergjet në burgun e Burrelit. Kush është fajtori për të gjitha këto?
- Unë
jam fajtori. U thyeva para
dhunës së paparë. Por, a e dini
se çfarë dhune
u ushtrua mbi mua?
- Po
mbi ne mos vallë nuk u ushtrua?
- Nuk besoj
se mund të
ketë dhunë më të
madhe se ajo që pësova unë..
- E
cila qenka kjo dhunë kaq e madhe?
- A mundem
ta tregojë vallë?
Jo, ajo do
të vdesë bashkë
me mua. - hesht
për disa minuta
- Po largohem. E shoh që jam i tepërt këtu – i
drejtohet Yllit - Më
fal! Këtë ta them sinqerisht. – i zgjat dorën, të cilën
ai e refuzon - Mirupafshim!
-
Mirupafshim! Mos harroni,
nesër në 6.30 në punë.
- e kujtoi edhe njëherë Astriti.
Ylli heshti. Agroni u largua i menduar.
- Ç‘qe e
gjithë kjo skenë
që zhvilluat? – pyeti Astriti
- Më
mirë të mos flasim më për këtë çështje. –
u përgjigj Ylli
- Agroni
është kryeinxhinieri i ndërmarrjes elektrike që u dënua para shumë vjetësh së
bashku me Yllin dhe shokët e tjerë, - vazhdoi bisedën Besimi. - Gjatë kohës që ishte në sigurim i vdiqën
vajza dhe gruaja. Vajza u hodh nga ballkoni i spitalit psikiatrik, ku ishte
shtruar, ndërsa e shoqja helmoi veten. Këta e akuzonin se i kishte denoncua kot
së koti kur ishte i arrestuar.
- Ndoshta nuk
kishte mundur të
duronte torturat – tha Astriti.
- Ndoshta
dhe kjo mund të jetë. - Besimi ndiqte
arsyetimin e tij - Por një gjë dua t’ju them. Për sa e njoh unë ishte një
intelektual i përsosur dhe njeri i veçantë. Kurrë nuk provokonte njeri. Miku i
vetëm i tij ishte ndonjë libër që i binte në dorë. Qëndronte i vetmuar. Kjo
ndoshta nga humbja e gruas dhe vajzës.
- A
thua ta kenë detyruar? – tha Roberti.
- Megjithatë
unë i qëndroja pranë. Për këtë jam grindur edhe me Gjergjin, Yllin, Gazmendin
dhe Përparimin. Bile një ditë, për të
provuar që kisha të drejtë, bëra një veprim prej të marri
Robertin e shtynte
kureshtja të mësonte
sa më shumë për mikun e ri.
- Çfarë bëre? – e pyeti.
- Një ditë i thashë:
- Agron, unë do të arratisem. Do
të vish me mua? - Më vështroi i
habitur. Ndoshta më mori për të marrë. - Si do të arratisesh? - Më
tha. Unë ia ktheva: - Në galerinë numër katër ka një dalje që
përfundon jashtë. Në fillimet e minierës, kjo dalje ka qenë hyrja e galerisë
numër një. Me kalimin e viteve galeritë u bashkuan dhe kjo hyrje u mbyll me një
sasi gurësh. Kam mundur të hap një birrë të vogël sa për të kaluar një njeri
barkas. - Nuk më ktheu përgjigje. Pas dy
ditësh më tha se nuk pranonte të vinte.
- Ruaj veten - më
tha -
Jeta vjen vetëm njëherë dhe duhet ta ruash atë. -
Kështu kaluan ditët. Prisja të më arrestonin për këtë marrëzi. Por kjo
nuk ndodhi. Kur kaloi dita e caktuar më tha: -
Pse nuk e realizove planin? - Unë
u mendova dhe në fund i thashë të vërtetën. A e dini se çfarë më tha? Këtë
opinion
e kam dhuratë nga miqtë e mi.
- Kështu
të tha? – pyeti përsëri Roberti
- Pikërisht
kështu.
Ylli që deri
në ato çaste
kishte qëndruar në heshtje duke dëgjuar
bisedën e miqve
të tij, ndërhyri:
- Ato
janë të gjitha dokrra. Ai vetë na akuzoi në
sy të punonjësve
të ndërmarrjes, ditën që na
arrestuan.
- Megjithatë
unë ju këshilloj ta mbani pranë. Është njeri i shkëlqyer. Do mësoni shumë prej
tij. Ylli, thirri mendjes! Mos e humb shokun tënd. Aq më tepër tani që do të punoni në një
brigadë.
- Nuk mundem. Para syve më dalin fytyrat e shokëve që nuk
janë më. Nuk e di nëse do ta falin edhe ata.
- Të
siguroj unë se po.
- Nuk
e di, nuk e di, - tha në fund Ylli duke u menduar.
Besimi me Yllin u larguan duke biseduar me njëri-tjetrin.
- Si t’u
duk mysafiri i
ri? – pyeti
Astriti Robertin kur mbetën vetëm.
- Nuk e di. Nuk njihet njeriu me një takim.Por, sipas mendimit të Besimit, duhet të
jetë njeri i mirë.
.- Ashtu? Atëhere duhet ta mbajmë afër.
Roberti me Astritin ishin shokë të
ngushtë.Ishin njohur që në fëmini dhe shoqërinë e kishin ruajtur edhe kur u
rritën.Roberti kishte bërë pesë vjet burg për agjitacion dhe propagandë.
Shpërndante trakte antikomuniste në qytet së bashku me dy shokë të tjerë të
moshës së tij. Ishin pesëmbëdhjetëvjeçarë, në klasën e parë të gjimnazit.Por
edhe pasi u lirua nga burgu, Astriti i qëndroi pranë.Fati e pruri që të
gjindeshin në të njëjtën ndërmarrje.Ai e tërhoqi në sektorin e tij, ku e kishte vendosur brigadier. Në të
vërtetë Roberti ishte shumë i zoti dhe i ndërgjegjshëm. Kishte mbaruar gjimnazin
me të gjitha dhjeta. Nuk e kishin lejuar të vazhdonte studimet e larta. Shenja
në biografi e ndiqte hap pas hapi. Fati
i tij ishte se në ushtri, në repartin e punës, kishte mësuar mjeshtërinë e
muratorit. Kështu shpëtoi nga të qenit punëtor i thjeshtë, çka ishte shumë më e
lodhshme dhe me më pak të holla. Ishte
një nga specialistët më të mirë në profesionin e tij. Një gjë e tillë e
ndihmonte për të ecur përpara, për aq sa e lejonte regjimi.
Sa për Astritin ai i
përkiste një familje nga ato që mund të konsideroheshin asnjanëse. Nuk kishin patur njeri as me komunistët dhe as me nacionalistët.Gjatë
luftës kishin qëndruar të papërzier në asnjë anë.Kishin parë punën e tyre.I ati kishte qenë një tregëtar i vogël.
Grumbullonte lëkurët e bagëtive dhe i shiste. Ky ishte profesioni i tij. Me këtë profesion ushqente familjen. Ishte
burrë i ndershëm. I tillë ishte dhe i biri, i cili kishte mbaruar shkollën e
mesme të ndërtimit dhe kishte fituar titullin teknik i mesëm. Për këtë arsye e
kishin emëruar përgjegjës të sektorit të investimeve në ndërmarrjen bujqësore.
Ndershmëria e shtynte të ruante miqësinë me Robertin, pavarësisht nga biografia
e tij. Bashkë bënin lloj-lloj bisedashpa u
druajtur. Kishin pothuajse
të njëjtat mendime.
Kjo mendësi i shtyu të
mbanin një qëndrim miqësor edhe me Agronin. Nga biseda e shkurtër që bënë me
të, formuan një opinion të mirë për karakterin e tij.
Atë mbrëmje Roberti
pothuajse nuk fjeti fare. Mendime të ndryshme i
silleshin rrotull në mendje.Inxhinier elektrik që punonte punëtor dhe as që e
përmendte ndonjëherë. Dhjetë vjet burg, bërë në
kushte aq të
vështira. I akuzuar
nga shokët për
spiun. Gruaja dhe
vajza të
vdekura
në kushte aspak të qarta. E pra, të gjitha
këto e kishin
një shkak që
Roberti nuk mundej t’i jepte
përgjigje.
Një ditë ndërsa pinin
kafe, ai i tha:
- Agron, afrou me njerëzit. Shikomë mua. Mos të
dukem si ndonjë njeri që nuk ka patur halle. Edhe unë kam qenë në burg.Edhe unë
i kam bërë ballë halleve të jetës.Pasi u lirova, u martova me një vajzë me të cilën u dashuruam. Më lindi
edhe një djalë. Por gruaja më braktisi, harroi dashurinë, duke marrë me vete
edhe djalin, të cilin kam disa vite që nuk e shoh. Ata jetojnë diku në një cep
të vendit, në një qytet që unë as që ia di emrin. Për këtë më dhemb zemra.
Megjithatë, nuk e lëshova veten. U martova përsëri dhe tani kam dy fëmijë, një
vajzë dhe një djalë. Besimi më përmendi
fjalët që i kishe thënë ti në kamp: “ Jeta vjen vetëm një herë dhe atë duhet të
dish ta ruash “. Tani këto fjalë po t’i përsëris unë ty, se e di që ke nevojë
për to. Martou dhe jetoje jetën tënde.
Agroni sikur u ngroh nga
këto fjalë. Krijoi bindjen se kishte të bënte me një mik të vërtetë. Me një
mik, të cilit mund t’i besonte gjithçka.
Por përsëri nuk guxonte. Guximi kishte fluturuar nga ai. Si u mendua pak, i
tha:
- Sikur të kisha forcë të
tillë! E ku ta gjejë atë? Kush është ai burrë që do të më japi atë forcë? Vështirë, shumë vështirë të gjejë një burrë
të tillë. Të ligën e kam brenda vetes time, në ndërgjegje. Ndoshta ndonjë ditë
mund të ta tregojë. Jeta ime është vetëm varri.
Nuk biseduan më. Secili
shkoi në punë të vetë, duke menduar ato që kishin thënë. Që nga ajo ditë u bënë
më të afërt me njëri-tjetrin. Bisedonin për gjëra të shumllojshme. Filluan të
shkëmbejnë vizita në familje. Fëmijtë e Robertit sikur e qetësonin Agronin. Sa
e shihnin, ata i hidheshin për qafe duke bërtitur.
- Xhaxhi Goni, xhaxhi
Goni!
Ai i ngrinte lart në
krahët e tij, duke u thënë:
- Kapeni qiellin. Ai është
juaji.
Në ato çaste i kujtohej
Irida. Edhe asaj kështu ia bënte kur ishte e vogël. Roberti priste dita-ditës
që Agroni t’i tregonte të fshehtën e tij. Por kjo nuk po
ndodhte. Megjithatë, ai
e kishte durimin për të pritur.
III
Nënë Gjyla kishte disa
ditë që nuk e ndiente veten mirë. Kishte një dobësi të theksuar. Tensionin e
gjakut e kishte shumë të ulët. Mundohej të qëndronte më këmbë dhe të bënte
ndonjë punë, por lodhej shpejt dhe detyrohej të ulej. Të birit nuk i thoshte gjë.Nuk donte ta shqetësonte.Por një ditë ndjeu një
marrje mendsh dhe gati u rrëzua.Shkoi dhe u shtri në shtrat. Në mbrëmje kur u
kthye Agroni dhe pa t’ëmën të shtrirë në shtrat, u shqetësua dhe i tha:
- Nënë, pse je shtrirë kaq herët?
- Erdhi fundi, more bir.
- Mos e lësho veten nënë.
Ti je e fortë. Ti më ke dhënë edhe mua forcë.
- E fortë jam, bir… Por
jam tetëdhjetë vjeç dhe në këtë moshë njeriu duhet të përgatitet
për gjithçka… Kam kaluar
një jetë të vështirë, ashtu si edhe ti. Por kam ditur t’i bëjë ballë... Këtë
porosi po të le edhe ty. Mos mendo për vdekjen. Sido që të vijë, jeta është e
bukur dhe ia vlen ta jetosh. Shijoje
atë. Ky është amaneti im që dua të lë…
Pas disa orësh i mbylli
sytë, ashtu e qetë, pa shqetësuar
njeri. Agroni shkoi
te një gjiton që kishte telefon dhe lajmëroi Robertin. Nuk kishte kë
të lajmëronte tjetër.
Ai erdhi së bashku me të shoqen.
Ajo e rregulloi nënë Gjylon ashtu si i takonte. Pastaj Roberti shkoi në postë
dhe lajmëroi me telefon Skënderin.
E varrosën të nesërmen. Në
varrim nuk ishin më shumë se dyzet vetë, shumica shokët e brigatës, me
përjashtim të Yllit. As Astriti nuk erdhi. Druhej se mos e pushonin prej pune.
Midis tyre Skënderi, Besimi dhe Syrjau. Trupin e së ndjerës e vendosën pranë
Iridës dhe Lumtos. Si mbaroi ceremonia, Agroni u gjunjëzua dhe vështronte
pllakën ku ishin vendosur fotografitë e së shoqes dhe të bijës. Nga sytë
filluan t’i rridhnin lot. Ato e
vështronin nëpërmjet fotografive dhe dukej sikur i thonin:
- Eja Agron. E shikon? Ne
u bëmë tre, kurse ti je vetëm.
Roberti e la të shfrente
dhe pastaj duke i futur krahun i tha:
- Eja të ikim tani.
U larguan nga ai vend i
trishtuar.
Në mbrëmje kishin mbetur
vetëm Agroni, Skënderi, Syrjau, Roberti dhe Besimi. Si më i vjetri në moshë,
Syrjaut i binte barra t’i mbante me kurajo.
- E përcollëm edhe Gjylon,
or djem, - tha ai.
- Kush e ka rradhën tani?
- pyeti Agroni
- Natyrisht ne pleqtë,
- vazhdoi Syrjau. - Dëgjoni, more djem. Njeriu duhet të jetë i
fortë. Duhet t’i dalë zot vetes në çdo situatë. Dikur një trimi i vdiq djali i
vetëm. Qyteti i tërë mori pjesë në varrim. Të gjithë e ngushullonin: - Të rroni
vetë! - dhe ai përgjigjej - Shëndoshë miqtë! - A e kuptoni rëndësinë e këtyre
fjalëve? Trimi vinte miqtë në një radhë me djalin e vetëm. Ky është motivi që
duhet të udhëheqë njerëzit.
- Po unë ku t’i gjejë
miqtë? Ata më janë larguar si djalli nga thimjami, sikur të kisha lebrën?
- Ne a nuk jemi miqtë e tu? - Foli Syrjau.
- Ne do jemi gjithmonë
miqtë e tu, - ndërhyri Roberti aty për
aty
- Ashtu si gjithmonë,
- e plotësoi Besimi.
- Ju falemnderit.
Në bisedë ndërhyri
Skënderi:
- Rrofshi, or miq. Bashkë
sot po njihemi. Por jam i qetë se te ju gjeta miqtë e vërtetë të tim vëllai.
Pikërisht për të tillë miq ka nevojë ai.
- Ne do të jemi gjithmonë
pranë tij, - e siguroi Roberti.
- Në një gjë ka të drejtë
Agroni, - ndërhyri Syrjau. - Jetojmë në një situatë të vështirë. Por le të
kthehemi në plagët tona. Agron, më fal që po ta them. Ndoshta sonte nuk është
rasti, por unë do ta them. Mos bëjë gabimin tim. Martou dhe fillo një jetë të
re.
- Martesa ime e vetme
është varri.
- Jo, Agron, - ndërhyri Roberti. - vetmia nuk është rruga që duhet të ndjekë
njeriu.
- Të lumtë, - foli
Skënderi. - Ke folur si mik i vërtetë.
- Ku ta gjejë atë forcë?
- pyeti Agroni. - Cili është ai burrë që do më jap forcën për
të mposhtur vetminë?
- Ne do ta japim, - ndërhyri Besimi. - Je miku ynë dhe duam të bëhesh si ne.
- Po Astriti pse nuk
erdhi? - ndërroi bisedën Agroni.
- Ti e di, ai është
përgjegjës sektori dhe ardhja e tij mund t’i shkaktonte humbjen e vendit të
punës. - u përgjigj Roberti - Megjithatë, më porositi që t’ju përcjell
ngushullimet e tija.
- Po Ylli. As vdekja e
nënës time nuk e thyeu?
- Ti e njh shumë mirë
Yllin. Por mos u mërzit. Do të vijë koha kur ai do ta kuptojë gabimin që ka
bërë. Koha i zbut zemrat.
- Ngrehuni djema të ikim,
- foli Syrjau - Le t’i lëmë vëllezërit në botën e tyre.
Mirupafshim nesër!
U takuan me njëri-tjetrin
dhe u larguan. Agroni mbeti vetëm me Skënderin. Dy vëllezërit kishin shumë për të biseduar ndërmjet tyre.
Kishin më shumë se dhjetë vjet që nuk ishin takuar. Skënderi ishte drejtor
ndërmarrje, ndërsa Agroni një punëtor i thjeshtë, ish i dënuar politikë. Një
dukuri që, ndonse nuk ishte e vetmja, ishte rast që mund të quhej i veçantë.
Ishin të pakta rastet kur një person të mund të ushtronte detyrën e drejtorit,
në një kohë që i vëllai i tij të ishte një ish i burgosur politikë.
Rregjimi nuk e pranonte një mospërputhje
të tillë. Vetëm ata lart e dinin psenë…
Por kjo kishte ndodhur
edhe për shkak të rrethanave të krijuara. Skënderi ishte shkëputur plotësisht
nga vëllai i tij. E kishte mohuar atë botërisht. Nuk kishte guxuar të merrte
pjesë as në varrimin e gruas dhe të vajzës së tij dhjetë vjet më parë. Në
biografinë e tij nuk ekzistonte vëllai. Ai ishte shuar bashkë me arrestimin e
tij. Por vdekja e nënës e kishte detyruar të
vinte në shtëpinë
e tij. E
kishte thirrur ndjenja e
gjakut.
- Përse erdhe pikërisht
tani? - e pyeti Agroni
- Sepse jam biri i saj, -
u përgjigj ai
- Je kujtuar shumë vonë. A
nuk ishe edhe xhaxhaj i Ridës dhe kunati
i Lumtos? Pse nuk erdhe për to, por le vetëm një plakë të gjorë t’i bënte ballë
dallgëve të jetës. Po mua pse më braktise.
Për njëmbëdhjetë vjet nuk më shkrove as dy gisht letër. Thua se je biri i saj. Ajo nuk të dëgjon më.
- Agron dëgjomë. Këto që
do të të them nuk janë hipokrizi. Po të flas me zemër në dorë. Jemi vëllezër, por nuk jemi njësoj. Unë nuk
jam si ti. Për këtë ta kam zili. Ti je i fortë. U bëre ballë të gjitha
vështirësive e fatkeqësive që të dolën përpara. Ndërsa unë u tregova i dobët,
sikur të mos isha i një brumi me ty. Nuk e di nëse do të më falësh, por unë jam
ky që jam, “ njeriu i ri “ i socializmit, njeriu servil dhe i dobët, njeriu pa
personalitet që është i detyruar të veprojë si manekin në duart e të tjerëve.
- Kështu do të vazhdosh edhe paskëtaj?
- Nuk kam rrugë tjetër. Kam hyrë në
këtë valle dhe nuk dal dot. Ti je
krijuar për të fluturuar si zog i lirë, ndërsa unë për
t’u zvarritur si krimb në batakun tim.
Agroni e dëgjonte
kokëvarur dhe thoshte me vete:
“ Mos vallë edhe me mua po
tregohet servil e hipokrit? “
- O vëlla, si nuk gjen
forca për t’u shkëputur nga kjo gjendje?
- Nuk mundem, Është e para herë që flas pa
maskë.
- Hidhe poshtë atë maskë. Do
të shohësh që do të marrësh frymë lirisht.
- Agron, mos më pyet më gjatë.
E mbyllën bisedën.Nuk vazhduan më. Të nesërmen
që me mëngjes ai u nis për në kryeqytet, ndërsa Agroni mbeti në vetminë e tij. Kur po ndaheshin, te dera e
shtëpisë, Skënderi deshi ta përqafonte të vëllanë, po sikur ngriu para një
trungu të tharë. Ftohtësia e Agronit e vuri në mendime.
IV
Ditët rridhnin njëra pas tjetrës dhe bashkë me
to edhe muajt dhe vitet. Kishin kaluar dy vjet nga dita kur Agroni ishte njohur
me Robertin. Tashmë kishin formuar një shoqëri të vërtetë.Takoheshin çdo ditë,
herë në shtëpinë e njërit dhe herë të tjetrit.Natyrisht takimet zhvilloheshin
më shumë në shtëpinë e Agronit, sepse atje ishin më të lirshëm për të biseduar,
pasi nuk i shqetësonte njeri. Zakonisht më tepër bisedat zhvilloheshin për
letërsinë, që e kishin të dy për zemër. Agroni tregonte se kur kishte mbaruar
shkollën e mesme, kishte kërkuar të studionte për letërsi, por i kishin
akorduar për inxhinieri elektrike, ndërsa Robertit nuk kishin denjuar t’i
akordonin të drejtë studimi.
Në shtëpi Agroni kishte një etazher shumë të
pasur. Librat, e ëma kishte mundur t’i ruante, duke i fshehur nën dërrasat e
dyshemesë, gjatë dhjetë viteve që ai ishte në burg. Aty gjeje libra në gjuhën
shqipe, si dhe në disa gjuhë të tjera, sidomos në anglisht. Midis tyre aty
gjeje që nga “ Prometeu i lidhur “ i Eskilit deri te “ Viti 93 “ i Hygoit, që nga katër volumet e
“ Lufta dhe paqja “ të Tolstoit, deri te tragjeditë e famshme të Shekspirit, që
nga veprat e Dikensit deri te “ Tre shokët “ të Remarkut. Aty gjeje edhe
letërsi shqipe që nga “ Historia e Skënderbeut “ e Naimit, deri te “ Albumi “ i
Nolit, që nga “ Vargjet e lira “ të Migjenit, te “Për mbrojtjen e atdheut“ të
Foqion Postolit, që nga “ Qyteti i fundit “ i Petro Markos, te romanet e
Kadaresë. Librat në gjuhë të huaja vazhdonin të qëndronin nën dysheme.Kishte
frikë t’i nxirrte, se ruhej nga ndonjë kontroll i beftë i sigurimit të shtetit.
Midis këtyre librave gjeje vepra që në atë kohë nuk gjendeshin në treg, por që
ai i kishte siguruar nëpërmjet shoqërisë së tij. Këtu bënin pjesë veprat e
Niçes, Frojdit, Berlinit, , Konicës, Fishtës, Lumo Skëndos dhe të tjerëve.
Ishte një bibliotekë e vërtetë, brenda së cilës ndieje një kënaqësi të madhe në
ato kohë të zymta.
Kështu, të dy miqtë mblidheshin atje dhe
diskutonin me orë të tëra për temat e këtyre librave. Pasi diskutonin për
vlerat, kalonin në brendinë e mendimeve që lidheshin me aktualitetin, me
gjendjen në të cilën ndodhej vendi, me mungesën e shprehjes së vullnetit të
lirë. Kishin besuar se me vdekjen e diktatorit diçka do të ndryshonte në vend,
por shpejt ky iluzion ishte shuar. Pasardhësi i tij po ndiqte të njëjtën rrugë.
-
Jetojmë në një botë absurdi, - tha një ditë Agroni. - Ngado jemi të
rrethuar nga një mori kameleonësh, që nuk rreshtin së ndërruari ngjyrën sipas
oreksit të pushtetarëve. Këta janë të ashtuquajturit “ njerëz të rinj “ të
krijuar nga sistemi për të ruajtur pozitat e tij që kanë filluar të lëkunden.
Këta janë pjella më e keqe e këtij sistemi. Më vjen pështirë kur jam i detyruar
t’i takoj apo t’i përshëndes. A e di se çfarë ka thënë Niçja:
“ Socializmi, si tirani finale e më të vegjëlve
dhe më budallenjve, domethënë e të sipërfaqshmëve, cmirzinjve dhe komediantëve
për pesë para, është në realitet konsekuenca e ideve moderne dhe e anarkisë së
tyre të paçfaqur. “
Kjo sentencë është karakteristikë e shoqërisë
së sotme shqiptare.
- A thua do të vazhdojë gjatë?
- Nuk e di. Diçka ka
filluar të lëvizë. Europa Lindore ka dhënë shenja se së shpejti mund të
ndryshojë. Kurse ne vazhdojmë me frymën e vjetër. Tri here erdhi
Shtrausi dhe të tri herët iku i
zhgënjyer. Shqipëria nuk dijti të përfitojë nga shansi i krijuar.
- Si mendon a do të
mundemi ta shohim vendin të lirë?
- Ti me siguri po, ndërsa
unë nuk e di në se do ta kem atë fat. Kam disa kohë që ndiej një dobësi të
madhe. Dua të rri shtrirë dhe të ëndërrojë. Kur lëviz lodhem shpejt. Të gjitha
këto më bëjne të mendoj se nuk do ta kem të gjatë.
- Fillove nga përrallat
ti? Kalove nëpër shkallët e ferrit dhe dorëzohe tani që i kapërxeve ato. Ku
është ajo forcë që të mbajti gjallë në ato vite?
Agroni nuk u përgjigj.
Edhe Roberti e mbylli bisedën kur vuri re se ajo mori një rrugë të
padëshërueshme. Ndenji edhe pak dhe pastaj u largua.
- Takohemi nesër te puna,
- i tha.
Punonin në suvatimin e një
magazine. Brenda këtyre dy viteve, me ndihmën e Robertit dhe Astritit, ai
kishte mundur të fitonte dy kategori si murator dhe tani kishte kategorinë e
tretë. Roberti kishte shkuar në zyrat e sektorit për
të mbyllur borderotë e muajit me Astritin.Kur u kthye nuk e gjeti
Agronin.Shokët i thanë se nuk e kishte ndierë veten mirë dhe kishte shkuar në
shtëpi.U shqetësua.Iu kujtua biseda që kishte bërë një natë më parë. Shkoi
menjëherë në shtëpinë e tij dhe e gjeti në shtrat.
- Ngreu të shkojmë te
doktori.
- Jo, jo nuk kam gjë.
Vetëm kam dobësi. Do të pushoj dhe do të më kalojë. Nesër do të jem përsëri në
punë.
Roberti nguli këmbë
dhe më në
fund e bindi.
Shkuan në poliambulancë. Doktor Arqilea, një mik i vjetër i Agronit e
vizitoi me kujdes.
- Duhen bërë analizat, -
tha duke i dhënë raport për tre ditë
pushim.
Të nesërmen bëri analizat.
Përgjigjen e mori pasdite. Doktor Arqilea e kishte mbaruar orarin e shërbimit.
Kështu që përgjigjen ia shpuri ditën tjetër. Sa i pa, doktori u zbeh në fytyrë.
- Si kanë dalë? – pyeti
Agroni.
- Duhet t’i përsërisim analizat.
- Përse?
- Dua të bindem që nuk është bërë ndonjë gabim.
Kësaj radhe do t’i bësh në spital.
Agroni mori fletën e
analizave dhe shkoi në spital. E lexoi. Në një cep doktori kishte shkruar “
urgjent “. Gjatë gjithë rrugës mendonte
përse doktori i kishte përsëritur analizat. Përse kishte shkruar
urgjent? Mos vallë vuante nga ndonjë sëmundje e rëndë dhe doktorit i vinte
rëndë t’ia thonte?
- Përse jeni munduar? - i
tha mjeku i laboratorit.
- Më ka dërguar doktor
Arqilea për të bërë këto analiza.
Doktori lexoi fletën e
analizave dhe i tha:
- Duhet të vini nesër në
mëngjes, pasi duhet të jeni esëll.
Të nesërmen shkoi që me mëngjes.Laboratori hapej në orën tetë. I duhej të priste.
Deri sa të vinte ora, vendosi të shëtiste në lulishten e spitalit. Duke kaluar u
ndesh ballë për ballë me Robertin dhe Syrjaun që po vinin drejt tij.
- E more bir, a i bëre
analizat? – pyeti Syrjau.
- Ende se laboratori hapet
në orën tetë.
- Eja futemi këtu dhe pimë një kafe.
- Jo, se doktori më
këshilloi që duhet të jem esëll.
U ulën në një stol dhe po
bisedonin. Robertit nuk i pëlqeu kur mori vesh se doktori i kishte përsëritur
analizat. Por nuk e dha veten. Ndërkohë ora kishte kaluar nga teta. Shkuan në
laborator dhe Agroni bëri analizat. Përgjigjen e mori pas dy orësh.
- Si kanë dalë doktor? -
pyeti.
- Shpjerja doktor
Arqilesë. Ai është specialisti për këtë
gjë.
Në poliambulancë, porsa e
pa doktor Arqilea e futi në dhomë. Roberti me Syrjaun mbetën përjashta. Doktori
pa përgjigjen dhe i tha infermieres:
- Dilni dy minuta
përjashta, ju lutem.
Ajo doli.
- Duhet të shkoni urgjent
në Tiranë, - i tha me një zë që dukej sikur mezi i dilte - Keni
nevojë për një ekzaminim më të hollësishëm.
- Çfarë kam doktor? Ma
thoni. Mos më fshihni asgjë. Ju e
dini se unë nuk kam njeri. Ndaj dua t’i bëjë ballë me forcat e mia.
Doktori u mendua një copë
herë dhe pastaj i tha:
-Tani për tani janë vetëm
dyshime. Sipas dy analizave shenjat janë për leuçemi.
Por mund
të jetë edhe ndonjë shkak tjetër. Këtë do ta
zbulojë ekzaminimi në spitalin onkologjik në Tiranë.
Doktori plotësoi epikrizën
dhe ia dorëzoi .
- Ju uroj shërim sa më të
shpejtë. Mos u shqetësoni. Ka shumë raste si ky juaji që përfundojnë me sukses.
Agroni doli jashtë.
- E si dolën? - e pyetën
me një zë ata dy.
- Nesër do të shkoj në
Tiranë për ekzaminim të mëtejshëm, - u tha.
Syrjau me Robertin mbetën të nemitur.U ndanë në
kryqëzimin e rrugës.
V
Në pasdite Roberti shkoi
në shtëpinë e Agronit.
- Sa mirë bëtë që
erdhët, - tha ai
- Ju prisja. Kisha
nevojë të bisedoja
me dikë.
Mori dy shishe birrë, i vuri në lavapjatë dhe hapi çesmën që të
ftoheshin.
- Përse i vure ato, ti nuk
ke pirë kurrë, - i tha Roberti.
- Sot dua të pi.
Nxorri nga dollapi djathë,
sallam dhe dy kokrra vezë që
i vuri të
zienin. Pastaj u
ul pranë shokut.
- A e di se ç’më tha
doktori? Nuk donte të ma tregonte, por
unë ngula këmbë, duke i thënë se jam i vetëm. Së fundi më tregoi të vërtetën.
Analizat tregonin se jam sëmurë nga leuçemia. Nesër do të shkoj në Tiranë për
t’u vizituar në spitalin onkologjik.
Lajmi ishte i rëndë.
Roberti mbeti si i shastisur. Nuk gjente fjalë për t’i thënë. Kurajua me të
cilën i foli shoku e mahnitën. Së fundi, si e mblodhi veten nga hutimi i parë,
i tha:
- Me siguri ata të
laboratorit kanë gabuar. Do t’i përsëritësh ato në Tiranë dhe do të shohësh që
do të dalin mirë.
- Jo, nuk janë gabim. E
ndiej se së shpejti do shkoj nga kjo botë.
Hoqi vezët nga zjarri, i
qëroi dhe i vendosi mbi tavolinë së bashku me sallamin dhe djathin. Pastaj
mori shishet e birrës, mbushi gotat dhe foli:
- Gëzuar!
- Gëzuar dhe me një lajm të mirë!
- Kemi dy vjet që njihemi. Më ke treguar çdo
gjë që të ka ndodhur ty dhe familjes tënde, kurse unë kam heshtur. Çdo gjë e
kam mbajtur brenda vetes time. Kam vendosur që të fshehtën time ta marr me vete
në atë botë. Nuk kam njeri të afërm të familjes.Vëllaj i vetëm më qëndron larg.Ka frikë nga biografia ime. Ti je miku im më i
mirë.
Kishte kohë që Roberti
priste thyerjen e heshtjes nga miku i tij. Por mendoi se atë ditë nuk ishte
çasti i përshtatshëm, ndaj i tha:
- Kemi kohë për të
biseduar për ato gjëra. E lemë kur të kthehesh nga Tirana. Do të shohësh se së
shpejti do të shërohesh.
- Jo, nuk janë gabim.
- Të dija më të fortë
- Mos vallë të dukem i
dobët
- Le ta lemë këtë bisedë
sonde. I vazhdojmë kur të kthehesh nga
kryeqyteti.
- A thua do të kthehem? -
tha duke buzëqeshur hidhur, pastaj vazhdoi - Kam lexuar librin
e Izajah Berlinit “
Idetë filozofike të
shekullit të njëzet “.
Në një vend
ai shkruan:
“
Dëshëroj të jem dikushi dhe jo askushi. “
Kështu dëshëroja të isha
edhe unë. Por ky regjim në të cilin jetojmë nuk të lejon të jesh dikush. Ai
kërkon që të gjithë qytetarët të jenë askush. Kjo gjë ndodhi edhe me ne. Ishim
tre shokë. Kishim mbaruar arsimin e lartë për inxhinieri elektrike. Mendonim se ishim intelektualë. Mendonim se kishim
personalitet. Por realiteti bëri që këto iluzione të binin. Para nesh qëndronin
dy alternativa: Ose të ruanim personalitetin tonë, ose të ktheheshim në lakej
dhe të gëzonim frytet e servilizmit tonë. Zgjodhëm të parën. Donim ta ruanim të
paprekur dinjitetin tonë. Dhe për këtë
ëndërronim. Na dukej sikur fluturonim në qiell, por në tokë gjërat ishin
ndryshe. Në tokë ishte e ndaluar edhe të ëndërroje.
Agroni heshti. Ngriti
gotën e birrës, e çiku me mikun dhe vazhdoi:
- Kështru përfunduam të
gjithë në burg. Por mbi ndërgjegjen time rëndonte vdekja e mikut tim më të
mirë. Kalova njëmbëdhjetë vjet me këtë brengë. Shpresoja se shokët do të ma
falnin atë lajthitje të detyruar. Por kjo nuk ndodhi. Ata vazhdojnë të mos ma falin.
Rastësisht mësova se ka disa ditë që është liruar Gjergji nga burgu. Nuk e di
ç’mendon ai. Kam frikë se do të jetë me
mendimin e të tjerëve. I vetmi që më fali ishte Gazmendi. Shkova e takova në
sanatorium. Ishte në gjendje të rëndë. Pse u dashka pritur fundi i jetës për të
falur dikë?
Ngriti përsëri gotën e
birrës dhe e piu të gjithë. Hodhi vështrimin rreth e
rrotull nëpër dhomë
si pa vëmendje.
Roberti e kuptoi
dhimbjen e mikut të tij, ndaj i
tha:
- Me siguri një ditë do të të falin edhe
Gjergji me Yllin.
- A thua? A do të kenë kohë ta bëjnë një gjë të
tillë?
- Përse?
- Sepse unë i kam të
numuruara ditët e mia.
- Nuk besoja të ishe kaq
pesimist.
- Nuk është pesimizëm.
Është realitet. Unë e ndjej.
- Gjepura.
- Kjo është historia
ime. Njerëzit nuk duhet
të harrojnë rrugën nëpër të cilën kanë kaluar qytetarët e
këtij vendi mëkatar. Tani nuk më mbetet
tjetër veçse të bëhem gati për të shkuar te të dashurit e mi.
VI
Të nesërmen që me mëngjes,
Roberti u gjend te Agroni.
- Do të shoqëroj në
Tiranë, - i tha.
Agroni iu lut që të
qëndronte, por ai këmbënguli dhe të dy u nisën. Mjekët e spitalit onkologjik,
kur lexuan epikrizën, vendosën ta shtronin menjëherë. Në spital do kishin mundësinë t’ia bënin më mirë analizat e nevojshme.
Agroni u shtrua.
- Lajmëro Skënderin, - i tha Robertit.
Ai shkoi menjëherë në postë.Nuk vonoi dhe Skënderi erdhi. Ishte mjaft i tronditur. Njoftimi i kishte
rënë si bombë. Nuk mund të besonte që i vëllai të vuante nga një sëmundje e
tillë. Kur e takoi filloi të qajë. E brente ndërgjegja.
- Vëlla, më
fal! U tregova i
dobët. E di që ke të
drejtë të më trajtosh
si të duash. Të gjitha i meritoj. Meritoj edhe
përbuzjen tënde.
- Ngrehu Skënder! Burrat
nuk lotojnë. Zemra e vëllait është aq e madhe, sa mund të
falë
edhe atë që duket e
pamundur.
Roberti ndërhyri, duke
ndërruar temën e bisedës. Mendoi se kjo ishte më e arsyeshmja në
atë çast. Filloi të
fliste për vapën që tregonte se po
fillonte vera, për plazhin që do të bënin
pasi të dilte Agroni nga spitali dhe të tjera biseda
të tilla. Një gjë e tillë
pati sukses. Filluan
të tre të
bisedojnë sikur nuk
kishte ndodhur asgjë.
Të nesërmen i kreu të
gjitha analizat. Përgjigjen do ta merrte një ditë më prapa. Skënderi dhe Roberti shkuan dhe morën shefin
e pavionit për të pirë një kafe dhe të bisedonin
- Leuçemi, - tha ai - e ka
në një fazë pak të zhvilluar. Do t’i fillojmë urgjent kimioterapinë me rreze
kobalti. E keni prurë pak me vonesë.
- A ka ndonjë shpresë?
- Vetëm një mrekulli.
- Dielli duket që me
mëngjes. Kur nuk të ngroh në fillim,
mos prit për
më vonë, -- tha
Skënderi dhe u largua i menduar.
- Ç’donte të thonte me ato
fjalë? - pyeti doktori Robertin kur mbetën vetëm.
- Ai është vëllai. I dhemb
zemra për të, se ashtu e ka patur fatin.
- Domethënë?
- Agroni është inxhinier
elektrik. Ka mbaruar në Bullgari. Por fati e goditi keq. Ka bërë dhjetë vjet
burg për motive politike. Gjatë kësaj kohe i vdiq vajza pesëmbëdhjetëvjeçe dhe
gruaja. Para dy vjetësh edhe e ëma. Mbeti i vetëm. Të vëllanë e kishte larg.
Unë mbeta i vetmi që e shoqëroja. Megjithatë ishte i fortë. Nuk e jepte veten
asnjëherë. Është njeri me një kurajo të paparë. Përse ta dënojë fati deri në
këtë pikë?
Doktori u habit me fjalët
e Robertit. Si guxoi dhe i tregoi për
gjëra të tilla, të cilat të tjerët i fshehin? Me siguri donte të shfrente dufin
që kishte nga brenda. Por doktori ishte një njeri korrekt dhe i ndershëm.
Historia e Agronit e preku tepër.
- Do të bëjmë çmos për ta
shpëtuar. Po qe fat do t’ia hedhë. Të siguroj se nga ana
jonë do të bëhen të gjitha përpjekjet.
- Falemnderit doktor!
Roberti shkoi në postë dhe
mori sektorin e tij në telefon. Për fat Astriti
ndodhej në zyrë.I shpjegoi gjendjen e Agronit dhe i tha t’i jepte lejen e
zakonshme, se nuk mund ta linte Agronin vetëm në ato kushte.E porositi që të lajmëronte edhe familjen e tij,
që të mos bëheshin merak. Gjithë ditën e kalonte pranë mikut të tij. Dilte vetëm për të ngrënë një kafshatë bukë
dhe kthehej përsëri. Ishte lidhur aq shumë me të, sa ndarja i dukej humbja më e madhe. Miku i
tij, me intelektin dhe logjikën e hekurt
e kishte gllabëruar. Ishte bërë sinonim i zgjuarsisë, mençurisë dhe
fisnikërisë. Në mendjen e Robertit, Agroni ishte shndërruar në një simbol.
Skënderi tentoi disa herë
ta merrte Robertin në shtëpinë e vet për të pushuar, por ai nuk pranoi. Natën e
kalonte pranë mikut të tij. Paradite
shkonte për të fjetur në shtëpinë e një shokut të burgut, që jetonte i vetëm në
një dhomë në rrethinë të kryeqytetit. Kishte bërë njëzet vjet burg dhe kur
kishte dalë prej andej ishte gati gjashtëdhjetë vjeç. Kështu kishte mbetur pa
martuar.
Gjendja e Agronit sa vente
dhe po rëndohej. Me gjithë rrezet që bënte nuk ndjente asnjë përmirësim. Një
ditë i plasi gjak nga hunda.
Roberti lajmëroi doktorin.
Ai erdhi menjëherë dhe e vizitoi.
- Duhet të përgatiteni, -
i tha - Ky është fundi. Sot ose e shumta nesër.
Roberti u tërhoq mënjanë,
u fut në një qoshe dhe filloi të qajë pa zë. Ishte e para herë në jetën e tij
që derdhte lot. I dukej sikur do t’i shkëputej diçka nga zemra. Në këtë gjendje
e gjeti Skënderi. Shkuan të dy. Agroni sa i pa, i çeli fytyra. Me zërin që mezi
i dilte nga fundi i shpirtit u tha:
- Nuk dua… të më qajë…
njeri… boll lot… janë derdhur… në familjen tonë…le ta gëzojnë… jetën… fëmijtë
tuaj…
Bëri buzën në gaz dhe
humbi përsëri. Roberti nuk duronte dot më. Doli përjashta dhe po shëtiste në
lulishten e spitalit. Aty takoi Syrjaun dhe Besimin. Sapo kishin zbritur nga treni. Ishin nisur
qëllimisht për të parë Agronin. Robertit
i tërhoqi vërejtjen një burrë që pinte cigare i ulur në një stol.. Iu duk
fytyrë e njohur.
- Ku e kam parë këtë
fytyrë? - filloi të mendohej me vete.
Filloi të shtrydhë trurin
për t’u kujtuar, por më kot. Ishte një fytyrë të cilën e kishte parë vite më
parë, por nuk i kujtohej. Iu afrua dhe e pyeti:
- Më falni që po ju pyes,
si ju quajnë?
Burri e pa me vëmendje.
- Gjergji Pano - u
përgjigj.
Një rreze drite përshkoi
trurin e Robertit. Ishte pikërisht ai, Gjergji
Panua, shoku i Agronit, që kishte vetëm pak kohë që ishte liruar nga
burgu..
- Gjergji, a ke forca të falësh një person?
- i tha Roberti
- Nuk të kuptoj. Ç’do të thuash me ato fjalë?
- Këtu
në spital ndodhet
një njeri në çastet
e fundit të
jetës. Ai ka
bërë një mëkat. Por rrethanat në të cilat e bëri, i di vetëm ai. Është një ish miku juaj
- Kush është ai?
- Agron Canaj.
Gjergji u ngrit më këmbë.
- Agroni? Nga se është
sëmurë?
- Leuçemi, në fazën e
fundit.
U mendua për një farë
kohe. Syrjau, Besimi dhe Roberti prisnin përgjigjen e tij. Së fundi Gjergji
foli:
- Tani do të vijë edhe
Ylli. Ka shkuar të takojë një kushurirën e tij që është e shtruar. Të vijë edhe
ai dhe shkojmë të gjithë.
Pas pak mbriti Ylli.
Gjergji i tha vendimin e tij. Ai u menda pak, pastaj vendosi:
- Shkojmë.
Kur mbërritën atje, Agroni
ishte në gjysëm kllapie. Syrjau u përkul mbi të dhe i foli:
- Si je mor bir?
- Në pragun...e fundit...te jetës...
- Kurse mjeku tha se je
drejt përmirësimit, - donte ta mbante me
kurajo Besimi
-
E..ç’është...vdekja?...Antitezë...e...jetës.
- Agron, - foli Roberti - kanë
ardhur Gjergji me Yllin.
Efekti ishte i
menjëhershëm. Hapi më tepër sytë, i pa ata, buzëqeshi dhe u zgjati dorën. Deshi
të fliste, por nuk mundi të nxjerrë zë. Gjergji i kapi dorën, ia shtrëngoi dhe
i tha:
- Agron, erdha bashkë me
Yllin.
- Mos… vallë… jam… në…
ëndërr…?
- Jo, - u përgjigj Ylli. – Jemi ne miqtë e tu.
- A…më…falët…?
- Miqtë nuk kanë çfarë t’i
falin njëri-tjetrit, - foli Gjergji.
Fale…mi…nderit…!Ro…bert…të…lu…tem…merr…më…xhake…tën…Në…Xhe…pin…e…brend…shëm… është…
një… le…tër…
Le..xo..jeni…Ngre..mëni…
Gjergji me Yllin u munduan ta ngrenë
- Lam…tu…mi…rë të
da shur miq!
- pëshpëriti me një zë të mekur
dhe u përplas pa
jetë në shtrat.
- Rruga e mbarë, o mik - i
tha Gjergji duke i mbyllur sytë.
- Lamtumirë vëlla! - pëshpëriti Ylli.
Skënderi u tërhoq mënjanë
dhe filloi të qante me zë të ulët. Besimi qëndronte në heshtje. Roberti filloi
të lexonte letrën. Si e mbaroi, nxorri
shkrepsen, dhe i vuri flakën. Hirin e saj e hodhi në koshin e plehrave.
- Çfarë shkruante? - pyeti Syrjau
- Mos më pyesni. Më mirë
të mos e mësoni. Është tragedia e një njeriu të madh. Ajo nuk mund të përfytyrohet nga asnjë mendje e shëndoshë. Le ta marrë me
vete.
- Atëhere mos e pyesni më
gjatë, - e vulosi bisedën Syrjau
Trupin e tij e çuan në
shtëpi me makinën e funeraleve. Atë mbrëmje ai u gdhi atje. Pranë tij ishin
Skënderi, Roberti, Gjergji,
Syrjau, Besimi, Astriti
dhe gjithë shokët
e brigadës. Të nesërmen erdhën dhe të tjerë. Midis tyre edhe disa që, sa
ishte gjallë, nuk i
flisnin me gojë. Vdekja i kishte bashkuar. E varrosën pranë s’ëmës. Në varr
i vendosën dhe
eshtrat e së
shoqes dhe të së
bijës.
VII
Roberti vazhdonte të
qëndronte mbi varroshin e mikut të tij. Kishin kaluar pesë vjet nga dita kur
miku kishte mbyllur sytë. Gjatë këtyre viteve kishin ndodhur ndryshime të
mëdha. Era e lirisë kishte filluar të fryjë edhe në vendin tonë. Një jetë e re
po fillonte në atdhe. Por Roberti nuk po e shijonte si duhej këtë ndryshim. Ai
kujtonte me dhimbje mikun që nuk arriti
ta jetonte këtë ditë. Ai varrosh i dukej si lapidar i dhimbjes mizore të
shkaktuar nga regjimi i përmbysur, por i dukej, gjithashtu, edhe si një himn që
i bënte thirrje për të parë përpara, pa harruar të shkuarën.
Agron, - i
fliste mikut të
tij, - dielli l
indi përsëri. Tani ne
jemi bërë përsëri
dikushi, ashtu siç ëndërroje ti.
Mbi supet ndjeu një dorë.
Ngriti kokën dhe pa Skënderin me sytë e përlotur.
- Skënder, erdhe?
- Po, or mik, erdha.
U përqafuan me
njëri-tjetrin.
- Kur e ke ndërtuar
- Para dy muajsh, në
pesëvjetorin e vdekjes.
- Më bëhet qejfi. Të
lumtë!
- E ndjeja për detyrë. Atë
që nuk munda t’ia jap sa ishte gjallë, mendova ta kryej pas vdekjes së tij. Me
këtë veprim doja të qetësoja ndërgjegjen time. Ndryshimi i sistemit më bëri
përsëri njeri. Deri atëherë unë isha një zvarranik që nuk guxonte të shprehte
asnjë mendim, një njeri pa personalitet, megjithse isha intelektual dhe gëzoja
një detyrë relativisht të lartë. Ky “
intelektual i shquar “ e braktisi vëllanë kur ai kishte nevojë për të më tepër
se në çdo kohë tjetër. Braktisi edhe nënën, atë që i kishte bërë kokën. Isha
bërë një krimb, në një kohë kur vëllai im ishte një zgalem.
- Po eshtrat e babait pse
i lëndove?
- Ato nuk janë varrezat e
kombit. Janë varrezat e partisë së përmbysur. Për deri sa mbi to
vazhdon të qëndrojë ylli i
kuq i komunizmit, ato nuk mund të quhen të tilla. Eshtrat e tim eti nuk e kanë vendin atje. I respektoj
dëshmorët e luftës për liri, por ithtarët e regjimit të përmbysur i kthyen ata
në dëshmorë të Partisë Komuniste. Për këtë më vjen keq. Im at nuk u vra as për
komunizmin dhe as për yllin e kuq. Ai u vra për atdheun. Ndaj i hoqa eshtrat nga ai vend
dhe i
solla pranë njerëzve të
tij më të dashur.. Brezat le të më gjykojnë për këtë veprim.
Roberti e kuptoi gjendjen
shpirtërore të bashkëbiseduesit. Një
zemër e dobët, e qulltë, e
ndrydhur për kaq vite, që
tani kishte shpërthyer me forcë, i dhanë të kuptojë se me të vërtetë diçka
kishte ndryshuar në jetën e vendit. Kuptoi se nuk është kurrë vonë për të
korigjuar gabimet e së shkuarës.
- Ikim? - pyeti Roberti.
- Shkojmë, - u përgjegj
Skënderi
U nisën të dy me një brengë hallakatëse. Nën
këpucët e tyre kërciste dhimbshëm zhavorri i varrezës..
Tiranë, më 31 korrik 2008
FUND