Përjetësi » Kripa
Reshat Kripa: Shkallët e Ferrit (3)
E diele, 07.07.2019, 10:05 AM
Reshat Kripa
Shkallët
e Ferrit
Roman
(Vijim)
IX
- Nuse, çfarë i kanë bërë vajzës? - pyeti
përsëri nënë Gjyla duke parë gjendjen e Iridës.
- Të thashë moj nënë, u trondit tepër kur pa të
atin në atë gjendje.
- Pse, si ishte ai?
Nënën mezi e mbante vendi.
Lumtua e kuptonte dhimbjen e saj, por tragjedia që kishte pësuar, nuk e lejonte
të mendonte shumë për dhimbjet e të tjerëve. Duhej ta mbante veten. Duhej të
bëhej e fortë.
- Po natyrisht moj nëne, -
i tha vjehrrës duke mposhtur dhimbjen, - pas më shumë se një muaji në birucë,
pa parë dritën e diellit me sy, ishte shumë i zbehtë. Për syrin e vajzës kjo
ishte një goditje e rëndë. Por ti mos u mërzit, se së shpejti do t’i kalojë dhe
ajo do të shërohet. Irida vazhdonte të qëndronte si e ngrirë dhe me sytë e
çakërdisur. Nga buzët e saj dilnin vetëm fjalët:
- Babi, babi,
babi. Ti po
fluturon. Gjyshe, shiko. Mos
babi, mos fluturo.
A e shikon,
e kanë rrëmbyer harpiet *.
- Jo bijë,
babi nuk po
fluturon. Ai do të
kthehet së shpejti. Mallkuar qofshin shkaktarët! - tha Lumturia duke përqafuar të bijën me lot
ndër sy.
- Për hir të jetës, më
thoni diçka. Çfarë më fshihni? - ndërhyri nënë Gjylua.
- Ah, sikur të mundja!
- tha Lumturia me veten e saj pastaj, duke iu drejtuar së vjehrës, - E
gjetëm të gozhduar në mur, o nënë. Ishte gati pa ndjenja nga torturat.
- Mallkim! - doli nga fundi i zemrës së plakës.
- Irida filloi të ulurinte
nga dhimbja.
- Mallkim!
- Kërkuan prej nesh ta
detyronim të pranonte ato që nuk kishte bërë.
- Mallkim!
- Ai na bëri thirrje që të
mos biem në grackën e tyre.
- Mallkim!
- Pastaj ndodhi ajo.
- Çfarë ndodhi, bijë.
- Mos më pyet më, o nënë.
- Fol bijë, çfarë ndodhi?
Në këtë kohë u ndie
përsëri zëri i Iridës:
- Babi, babi, babi!
- Eja bija e mamit, eja në
gjirin e mamit tënd! Eja shkojmë në shtrat, - i tha e ëma.
Mori të bijën në krah dhe
në mes të lotëve që irridhnin pa pushim vrapoi në dhomën e saj.
E shtriuvajzën në shtrat dhe po e
zhvishte. Në mbathjet e saj dalloi
disa gjurma gjaku
* Sipas mitologjisë, përbinsha me fytyrë
gruaje dhe trup shpendi.
të freskët.
U tërhoq mbrapsht e tmerruar,
ngriti duart lart dhe thirri:
- Zot, o Zot ku je? Përse
nuk më more, por më le të shohë një tmerr të tillë? Ku është ndëshkimi yt? Ku
je o Zot?
Papritmas u shkreh në një
vaj të thellë. Përqafoi të bijën që nuk kuptonte asgjë. Qante e qante me ngashërim. Qante pa zë se kishte
frikë mos e dëgjonte e vjehra. I qante zemra. i qante shpirti. Ktheu sytë nga
komoja mbi të cilën ishte një fotografi ku kishin dalë të tre para disa muajve.
Gëzimi shprehej në sytë e tyre. Po tani? Ai gëzim ishte shndërruar në dhimbje
të pafund.
- Goni! - iu drejtua të
shoqit në fotografi. - Ta vranë vajzën, o Goni! Ta vranë kriminelët. Na iku
vajza nga duart, o burrë!
Na e rrëmbyen dhe na e hodhën në humnerë.
- Babi, babi, babi, - u
dëgjua përsëri zëri i mbytur i Iridës.
Ky zë
bëri që Lumtua
të mblidhte veten.
U shtri në shtrat
me të bijën
dhe duke e
rrokur në mes të lotve që i
rridhnin nëpër faqe, tha:
- Fli zemra e mamit! Ke
mamin këtu. Jemi bashkë të dyja.
Papritmas nga sytë e së
bijës filluan të rrjedhin lot.
- Ku është babi, moj mami?
Mos e kanë rrëmbyer harpiet? Ja, j a s hiko si po fluturojnë
së bashku me babin.
- Jo zemra ime, babi nesër
do të vijë në shtëpi. Fli tani!
Pas pak
vajzën e zuri
gjumi. Një gjumë i trazuar plot me ëndrra të tmerrshme.
Herë pas here ngrihej e trembur. Lumtua e pushtonte dhe i fliste me zë të butë:
- Fli bija e mamit, fli!
Iridën e zuri përsëri
gjumi. Një gjë e tillë vazhdoi deri sa zbardhi dita. Lumtua u ngrit dhe doli
përjashta. Në koridor pa nënë Gjylën. Edhe ajo nuk kishte vënë gjumë në sy. Gjithë natën kish menduar se ç’do të bënte të
nesërmen.
- Si është vajza?
- Tani po fle.
- Çdo të bëjmë?
- Do të shkoj të marrë
mjekun.
Lumturia u largua me
nxitim. Nënë Gjyla u drejtua nga fotografia e të shoqit që ishte në mur dhe i
foli:
- Përse luftove dhe re, or burrë?Mos vallë për
djalin e burgosur apo për mbesën e çakërdisur? Të gjithë na kanë kthyer krahët.
Edhe ata që dikur i kishim miq.Kjo është liria për të cilën re dëshmor?
Irida hyri në dhomë si një somnambul e veshur
me këmishën e natës.
- U ngrite, bija e nënës?
- i tha nënë Gjyla duke e përqafuar
- Ku është babi nënë? A do
të kthehet?
- Po bijë, ai do të vijë
së shpejti. Po ti do të ftohesh në fill të këmishës.
Iku me
vrap në dhomën
e gjumit dhe sa
hap e
mbyll sytë u kthye me
fustanin e saj. Ia veshi dhe u ulën të dyja në divan.
- E pe babin bijë? - e ngacmoi nënë Gjyla.
- E pashë nënë. Ai po
fluturonte. Fluturonte lart në qiell. Ngado ishte i rrethuar nga harpiet. -
Ngrihet në këmbë dhe duke hapur krahët
- Babi, merrmë dhe mua me vete.
Dua të fluturoj bashkë me ty.
- O zot! Pse na dënove në
këtë mënyrë? - Foli nënë Gjyla me veten e saj. Pastaj duke
përqafuar vajzën - Eja bijë, eja te gjyshja jote.
- E morën nënë, e morën.
Nuk e shoh më. Po e shpien në botën tjetër.
- Jo bijë, ai do të vijë
dhe ti do ta përqafosh në krahët e tu.
Në këtë kohë, mbrriti
Lumturia me doktorin. Sotiri, mjeku psikiatër,
ishte një moshatari i Agronit. Kishin mbaruar studimet të dy në të
njëjtin vit në Sofie, ai për mjekësi dhe Agroni për inxhinieri. E vizitoi me kujdes
të veçantë. Së fundi u kthye nga Lumtua dhe i tha:
- Vajza ka pësuar një
goditje të rëndë. Çfarë ka ndodhur? Dua
ta di, në
mënyrë që të
marrë masat e duhura. Mos
më fshihni asgjë.
Lumtua u mendua. E çfarë
mund t’i thoshte? A mund
t’i tregonte të vërtetën?
- Mbrëmë ishim në takim me Gonin. Kur e pa
në atë gjendje,
vajza u tmerrua. Nuk mundi të
duronte më.
- Si e morët në takim një fëmijë kaq të
ndjeshëm si kjo?
- Nuk e morën ne. Ata e
morën vetë.
- Dua të jem i sinqertë me
ju. Gjendja është serioze. Ka pësuar një tronditje të madhe. Duhet shtruar
urgjent në spital. Atje do t’i bëjmë
analizat e duhura dhe sipas tyre do t’i japim edhe kurën e nevojshme. Do të dërgojë
ambulancën për ta marrë. Fati qoftë me juve!
Ambulanca erdhi pas një
ore. Vajzën e shtruan në katin e tretë
të spitalit neuro-psikiatrik, në një dhomë më vete. Me ndërhyrjen e Sotirit u
organizua menjëherë një konsultë me mjekë specialistë. Në fund u arrit në përfundimin
se vajza duhej të qëndronte patjetër në spital,
për të bërë kurat e nevojshme. Me të qëndroi edhe Lumtua.
X
Atë ditë të gjithë
punonjësit e ndërmarrjes ishin
lajmëruar për një
mbledhje të rëndësishme, ku do të
merrnin pjesë edhe përfaqësues të degës së punëve të brendshme. Flitej për demaskim të disa personave të
padëshëruar. Mbledhja ishte lënë
për në orën
nëntë, por njerëzit filluan të mblidhen më herët.
Pothuajse asnjë nuk
kishte filluar punë.
Kureshtja i shtynte të vinin dhe
të interesoheshin. Gjithkush mendonte se diçka do të ndodhte. Demaskim apo
ndoshta diçka tjetër. Ata që kishin ndonjë dregëz në biografi druheshin se mos
ishin viktima të radhës.
Midis tyre edhe Stefani
me Gjergjin. Kishin
më shumë se
një muaj që
nuk e ndjenin veten
të qetë. Pas
arrestimit të Agronit
edhe ata prisnin
nga çasti në
çast arrestimin e tyre.
- Më duket se na erdhi
fundi, - foli Gjergji
i tronditur.
- Mos e lësho veten. Sido
që të ndodhë mbahu si
burrë. Vetëm kështu
do të mund t’i
bëjmë ballë.
Gjysmë ore para, salla
ishte mbushur plot e përplotë. Njerëzit diskutonin me zë të ulët. Së fundi u dëgjua një zhurmë makine
dhe pas saj në sallë hynë sekretari i partisë drejtori, kryetari i komitetit
profesional, shefat e tjerë të ndërmarrjes, Dmiri me Ilian dhe Agroni i shoqëruar nga disa policë.
Njerëzit filluan të pëshpërisin me njëri-tjetrin. Dikush shprehte keqardhje me
shokun pranë. Inxhinieri kishte qenë një person korrekt në marëdhëniet me të
tjerët. Këtë ata nuk mund ta harronin. Por kishte edhe nga ata që sjelljen e
tij e kishin harruar. Ata ishin shndërruar në intrigantë dhe servile, të gatshëm të hidhnin male me baltë mbi atë
fatkeq.
- Vdekjen e prisja, por që
të vinte kryeinxhinier Agroni në bangën e të akuzuarve nuk ma merrte
mëndja, - i tha një punëtor me zë të ulët shokut që kishte pranë.
- Eh, mor mik! Nuk e di ti
se çfarë sjell minuta nuk e sjell sahati, -
iu përgjigj ai po me zë të ulët.
- Ti je më i mënçur, a
beson vërtet që ai të ketë tradhëtuar? -
vazhdoi i pari.
- Nuk e di, por më mirë
mos fol. Vetëm dëgjo. A e di se dhe muret kanë veshë? - iu përgjigj shoku i tij.
- Mirë, or mik, mirë.
- e mbylli bisedën i pari.
Në këtë kohë u ngrit në
këmbë sekretari i partisë dhe të gjithë heshtën. Në sallë u vendos qetësi e
plotë.
- Shokë dhe shoqe! -
filloi sekretari i partisë. - Sot jemi mbledhur për të dëgjuar raportin e
përfaqësuesit të degës së punëve të brendëshme, shokut Demir Kapedani, mbi
veprimtarinë armiqësore të ish-punonjësit të ndërmarrjes sonë, të pandehurit
Agron Canaj, që tani ndodhet në bangën e të akuzuarve dhe bashkëpunëtorëve të
tij. Pas raportit të tij, ftoj të
gjithë pjesmarrësit
të shprehin mendimet e
tyre hapur dhe pa frikë. Tani më lejoni t’ia jap fjalën shokut Demir.
- E dëgjove? Ai tha dhe
bashkëpunëtorëve të tij, - foli me zë të ulët Gjergji.
- Pusho dhe dëgjo! - u
përgjigj Stefani.
Gjergji nuk foli më. Në
mes të heshtjes së thellë që kishte mbuluar sallën, Demiri filloi leximin e
procesverbalit që kishte nënshkruar më parë Agroni. Akuzat ishin nga më të rëndat që
mund të merreshin me mend. Sipas tyre ai pranonte se kishin krijuar një
grup subversiv me anën e të cilit do të tentonin të hidhnin në erë turbinën e
re që do të vendosej në hidrocentral. Në planet e tyre ishte, gjithashtu, edhe
zhvillimi i akteve terroriste, për të ngjallur panik në radhët e popullsisë. Të
gjitha këto ishin bërë sipas
udhëzimeve që kishin
marrë nga KGB-ja sovjetike dhe CIA amerikane, në shërbim të të cilave ai
ishte vënë që kur kishte qenë student në Sofje.
Herë pas here Demiri e
kapërxente frazën. Kuptohej që në ato vende ishin emrat e
denoncuara nga Agroni. Njerëzit ishin kuriozë të merrnin vesh se kush ishin
ata. Agroni e dëgjonte dhe me vete mendonte se si kishte mundur të nënshkruante
një deklaratë të tillë të turpshme.Para syve i doli skena me Lumton dhe Iridën dhe e kuptoi shkakun e gjithë
asaj. Mund të ngrihej dhe të deklaronte se të gjitha ato ishin sajime të tyre,
por ideja se ajo skenë mund të përsëritej në çdo çast e tmerronte. Qëndronte si
ndonjë mumje e heshtur, duke dëgjuar marrëzitë që nxirrte goja e hetuesit. Nga
kjo gjendje e përmendi zëri Demirit që
i tha:
- A janë të vërteta këto?
Agronit i mbeti zëri në
grykë. U mundua të fliste por nuk
mundi. Ishte në gjendjen e fajtorit që,
megjithse e kupton fajin që ka kryer, nuk është në gjendje të reagojë Demiri u
kthye nga ai dhe e pyeti përsëri me një
ton që vetëm ai dinte ta përdorte:
- Hë, si thua?
Agroni vështroi sallën që
priste në heshtje dhe së fundi mundi të thotë me një gjysmë zëri të shuar:
- Po.
- Më fort që ta dëgjojnë
të gjithë.
- Po, - përsëriti Agroni,
kësaj rradhe me zë më të lartë.
Një zhurmë mbuloi sallën.
Njerëzit filluan të pëshpërisin me njëri-tjetrin, disa me zë të ultë dhe disa
me zë të lartë.
- More, po paska qenë
gjarpër i mbuluar, - tha dikush, - dhe ne e mbanim
për burrë të ndershëm. Paskemi
mbajtur gjarpërin në gji.
- Kemi mbajtur një gjarpër
që mund të na kafshonte nga çasti në çast, - foli një tjetër andej nga fundi.
- Shoku Demir, mjaft na
lexuat. Merreni dhe dënojeni sa më shpejt qenin. – u hodh një burrë me dy gisht
mustaqe.
- Bukëshkalët që
harruan bukën e
partisë, tradhëtarët që për interesa të ulta u shitën te të huajt,
meritojnë dënimin më të rëndë, - e ngriti zërin duke tundur gishtin me
kërcënim një qose.
Vazhdoi një seri akuzash
dhe sharjesh nga më të ultat. Dikush u afrua dhe i hodhi
një tok me pështymë në fytyrë. Një tjetër, me një zë të fortë, lëshonte
sharje nga më të rëndat:
Shoku
Demir, mjaft na
lexuat se I kemi
të
qarta si drita e diellit.
Na thoni kush janë bashkëpunëtorët e tij?
Ndërkaq ndërhyri Demiri:
- Prisni, se kemi akoma
diçka për të deklaruar. Këto veprime i pandehuri mendonte t’i bënte me dy
shokët e tij të ngushtë, Stefan Gjokën dhe Gjergji Panon që, siç e dini, rrjedhin
nga
familje të deklasuara,
duke futur në valle edhe persona të
tjerë.
- Cilët janë ata?
Në këtë kohë ndërhyri
operativ Ilia:
- Stefan Gjoka, Gjergji
Pano, Ylli Nivica, Gazmend Shpuza dhe Përparim Seferi, në emër të popullit jeni
të arrestuar!
Një grumbull policësh, që
qëndronin të gatshëm prapa tyre, iu hodhën sipër dhe sa hap e mbyll sytë i
prangosën. Agroni qëndronte si i ngrirë. Nuk i kishte shkuar ndër mend se puna
mund të shkonte deri këtu.
- Ne jemi të pafajshëm. -
u dëgjua zëri i fortë i Stefanit. - Ai
gënjen!
- Kjo nuk është veçse një
farsë, - përsëriti Gjergji që e kishte marë veten nga hutimi i parë.
Turma e acaruar filloi të
reagojë më me egërsi.
- Poshtë tradhëtarët!
- Foli njëri me një zë të acaruar.
- Ne s’jemi tradhëtarë.
- u përgjigj Ylli.
- Spiunët në litar! - tha një i dytë.
- Ne s’jemi spiunë. - ia ktheu Gazmendi.
- Poshtë bashkëpunëtorët!
- gjëmoi zëri i një të treti.
- Ne s’jemi
bashkëpunëtorë. - ishte përgjigja e
menjëherëshme e Përparimit
- Pushoni! - u dëgjua zëri i njërit prej rojeve. - Që
nga ky çast nuk keni të drejtë të flisni.
Dikush doli jashtë , mori
një gur dhe deshte t’i qëllonte, por e ndaloi dora e njërit që kishte pranë. Të
tjerë vazhdonin të shanin me histerizëm. Kishte edhe nga ata që heshtnin të
nemitur e të trembur. Ata nuk ndiheshin, por nuk kishin as guxim të
kundërshtonin.Sekretari i partisë e
kuptoi se gjendja mund të dilte nga kontrolli ndaj tha:
- Takimi mori fund. Të
gjithë kthehuni në punë!
Turma doli nga salla duke
hunguritur:
- Dënojini pa mëshirë
maskarenjtë!
Pas pak salla e mbushur me
tym duhani dhe bishtra
cigaresh u zbraz.
Të fundit që dolën prej saj ishin të pandehurit që, të
shoqëruar nga turma e policëve, i hipën në makinën e policisë.
XI
Ditët kalonin njëra pas
tjetrës. Irida vazhdonte pothuajse
në të njëjtën
gjendje. Nuk bënte zhurmë, nuk bërtiste, nuk shkulte flokët dhe për këtë
arsye, nuk e kishin qethur. Vetëm sytë vazhdonte t’i kishte të çakërdisur.
Ndonjëherë luante me një kukull të madhe që e mbante ndër duar. Herë pas here
qante pa zë. Dukeshin vetëm lotët që rridhnin nëpër faqet e saj që kishin marrë
një pamje të zbehtë. Në atë çast nuk donte t’i fliste njeri.
- Doktor si është? - pyeti Lumturia.
- Nuk di si të them,
- u përgjigj ai. - Sëmundja e saj është e një lloji të veçantë. Pothuajse nuk flet fare. Herë pas here shpërthen në vaj. Lereni të qajë. Ndoshta e qara
do ta sjellë në vete. Por sëmundja i ka prekur edhe intelektin. Duhet
luftuar që ai t’i kthehet sa më parë.
Për këtë i duhet folur vazhdimisht. Bile edhe atëhere kur mendon se është në
gjumë, pasi ajo pjesën më të madhe të kohës e kalon në atë gjendje. Këtë e ka
nga ilaçet. Mos mendoni se kur fle nuk dëgjon. Cili ka qenë hobi i saj?
- Në të vërtetë ka patur
shumë pasione, - u përgjigj Lumturia,
- por, sidoqoftë, letërsia ka
qenë hobi i saj. Vazhdimisht recitonte vargje nga poetë të mëdhenj.
Edhe teatri i pëlqente.
- Atëhere i recitoni sa më
shumë nga ato poezitë. Mundohuni ta nxisni edhe atë të recitojë. Mundësisht nga
ato që ajo preferonte. Bëni dialog të vazhdueshëm për teatrin dhe letërsinë.
Mos harroni!
Lumtua qëndronte
pranë saj. Kishte marrë leje nga
seksioni arsimit dhe nuk shkonte në shkollë. E përqafonte, i fliste vazhdimisht,
i tregonte histori të shkuara me shpresë se ato mund t’i sillnin kujtesën që i
kishte humbur. Në mënyrë të veçantë i fliste për të atin, i kujtonte festën e
ditëlindjes kur, së bashku me të,
ndërtuan njeriun prej bore që e quajtën Borëbardha. Ajo e dëgjonte
e heshtur dhe
herë pas
here thoshte:
- Babi? Ku është babi?
Shiko, po fluturon. E kanë rrëmbyer
harpiet. Edhe unë do të fluturoj së bashku me të.
Fjalët e doktorit e shtynë
të ndërronte mënyrë bisede.
- Rida, do i thuash mamit ndonjë
nga ato poezitë që recitoje aq bukur? Për shembull nga rubairat e Omar
Khajamit. Apo të recitojë një mami dhe pastaj fillo ti? Mirë, dëgjoje:
Shiko sa
bukur këndezi po këndon,
Me natë
dhe nga gjumi po të zgjon.
Që shkoj
një ditë po të lajmëron,
Dhe ti
çkujdesiur fle dhe ëndërron.
Zgjohu,
mëngjesi me shigjet e grisi,
Perden e
natës, yjet arratisi,
Dhe
dielli gjahtar me rreze kapi,
Çdo majë
mali, pallati a lisi.
Këto vargje sikur e
përmendën Iridën. Ajo filloi të lëvizë. Hapi sytë, pa t’ëmën, buzëqeshi dhe
filloi të recitojë:
Të kish,
ah, fuqi prej perëndie,
T’i
jepja shkelmin kësaj gjithësie,
Dhe të
krenja botë tjetër ku të kishte,
Çdo
plotësim dëshire dhe lirie!
Oh, sa mllef ka
grumbulluar zemra e saj e vogël! - tha
me vete Lumturia - Kush mundet t’ia heqë
atë?
Irida u ngrit pak,
vështroi rreth e rrotull e habitur, mori kukullën dhe e shtrëngoi fort në
gjirin e saj.
- Borëbardha është ajo?
- e pyeti e ëma
- Jo, jam unë. Borëbardhën
e helmoi shtriga.
- Por erdhi princi dhe e zgjoi.
- Kurse mua do të më zgjojë vetëm babi
- Babi do të vijë së shpejti.
- Kur?
Në këtë kohë në dhomë hyri nënë Gjylua. Me
buzën në gaz ajo iu drejtua së mbesës:
- Si u gdhi zogu i nënës?
- Njëlloj, - i tha Lumturia me zë të ulët.
- Ik moj bijë tashti. Këtu
do të qëndroj unë. Eja përsëri në darkë.
- Doktori më tha se i
duhet folur vazhdimisht.
Tregoji diçka, për shembull ndonjë vjershë dhe bëji pyetje vazhdimisht për të
parë se sa është në gjendje të mbajë mend
U drejtua nga vajza dhe
duke e puthur i tha:
- Mami po ikën. Këtu është
gjyshja. Mirupafshim!
Irida nuk u përgjigj.
Lumturia e vështroi për disa sekonda dhe u largua me sytë të mbuluar nga lotët
që nuk i shteronin kurrë. Nënë Gjyla u drejtua nga mbesa:
- A do të të tregoj diçka?
- Mirë. – u përgjigj ajo
me indiferentizëm.
- Apo do i thuash ti nënës
ndonjë nga ato që i deklamon aq bukur?
- Të deklamoj një monolog?
- Shumë mirë, fillo.
Irida u ngrit dhe u bë
gati për të filluar, por në atë kohë hynë Teuta me Mellaninë. Ato e vizitonin shpesh. Në kundërshtim nga më
parë edhe një pjesë e mirë e shoqeve të klasës vinin për ta parë. Por ajo
pothuajse nuk njihte asnjërën. Ato ishin
zhdukur nga kujtesa
e saj. Të vetmit që njihte ishin Lumtua dhe gjyshja.
Sa herë që shikonte ato, fillonte të qante. Ngashërima të thella dilnin nga
thellësia e gjoksit.
Përse na
dënove në këtë
mënyrë, o Zot
i
madh? - thoshte nënë
Gjyla.
Por Zoti heshte. Ai ishte
dëbuar nga trojet e këtij vendi. E kishte harruar këtë vend që dënoi veten e
tij.
- Si je Rida? - tha Teuta.
- Shumë mirë, - ndërhyri nënë Gjyla - Tani sa po bëhej gati të më recitante diçka.
- Ashtu? Atëhere fillo.
Me një zë të dobët që
dukej sikur dilte nga thellësia e një varri, Irida filloi të flasë:
- A kanë fuqi krahët e mi
të ndreqin botën? A munden ta kthejnë përsëri babin pranë meje?
Një rrjedhë lotësh mbuloi
fytyrën e saj.
- Mos qaj motër, mos qaj.
- foli Mellania. - Do të shërohesh dhe do të kthehesh përsëri në
shkollë. Atje të presin të gjithë.
Irida humbi në gjumin e
zakonshëm.
- Fjeti. Fjeti shoqja e
jonë e mrekullueshme, - foli me dhimbje Teuta.
- Shkoni bijat e nënës,
- tha nënë Gjyla. - Lëmani mua këtë varr të hapur.
Kur po mbaronin pushimet e
vitit të ri, Lumton e njoftuan se duhej të kthehej në punë, përndryshe do ta
humbiste atë. Nuk dinte si të bënte. Po të humbiste punën, me se do të jetonin?
Po të shkonte në punë, me kë do ta linte vajzën? Nënë Gjyla nuk e bënte dot një
shërbim të tillë. Ishte plakë dhe e lodhur nga jeta.
- Dëgjo, Lumto, - i tha
doktor Sotiri. - Gjendja e vajzës nuk dihet sa do të vazhdojë. Ti nuk mund të
rrish pa shkuar në punë. Shko dhe pasdite eja prapë këtu. Sa për vajzën mos ki
merak. Ne jemi këtu. Edhe infermierja e pavionit është shumë e mirë dhe e
kujdesshme. Pastaj ajo sëmundjen e ka të qetë. Ti e shikon që nuk bënë asgjë.
Në mungesë të Lumtos,
pranë shtratit të vajzës, vinte herë pas here nënë Gjyla.
Një ditë infermierja i tha:
- Një burrë kërkon të vijë
- Futeni brenda..
Pa një fytyrë që e kishte
parë dikur, por nuk i kujtohej. Dallgët që kishte kaluar ia kishin prekur
kujtesën.
- Nuk më njeh? - i tha
burri që e kuptoi se ajo nuk e njohu. - Jam Syrjau.
- Oh, më falni! Hallet më
kanë sjellë në këtë gjendje.
- Më vjen shumë keq. Si
ndodhi?
- Ah, mos më pyet. As unë nuk e di.Më thanë
se
iu
shkaktua pasi pa
të atin në atë
gjendje.
- Në
hetuesi?
- I thirrën një natë të dyja së bashku me
nusen.
- Të poshtërit! Por si
është tani?
- Si lumi dhe si deti.
- Po për djalin, çfarë
keni dëgjuar?
- Askush nuk të tregon gjë. Çdo gjë e ka mbuluar misteri. Dimë vetëm atë që
ndodhi në ndërmarrje, kur arrestuan të tjerët. Nuk na afrohet më njeri. Rruhen
nga ne, qysh i thonë fjalës, si djalli nga thimjami.
- Bëhu e fortë. Ti duhet
të mbash edhe nusen.
Futi dorën në trastën që
mbante dhe nxori dy kokrra mollë.
- Merri dhe jepja vajzës.
Janë fare pak, por kaq e kam
mundësinë. Thuaji që i ka
prurë xhaxhi Syrjau. Ajo nuk më
njeh, por ti thuaja.
- Falemnderit!
Në dhomë hyri doktor
Sotiri që bëri vizitën e zakonshme.
- Si duket doktor? -
pyeti nënë Gjyla.
Ai nuk u përgjigj, por
tundi kokën në atë mënyrë sikur donte të thoshte se ishte e njëjta gjendje dhe doli përjashta. Irida u
ngrit dhe u drejtua nga ballkoni.
- Ku po shkon zemra e
nënës?
- Te babi. A e shikon si
po fluturon?
- Mirë bijë, eja ulu dhe
tregoi nënës çfarë shikon.
Ajo u ul dhe filloi të
qajë.
Kështu kaluan dhe disa
ditë. Irida ishte vetëm në dhomë. Lumtua në shkollë, ndërsa nënë Gjyla ende nuk
kishte ardhur. Infermierja sapo kishte dalë nga dhoma pasi i kishte bërë një
inxheksion. Irida u ngrit nga shtrati.
- Babi, po më thërret? Do
fluturojmë bashkë? Po vij, po vij.
U drejtua nga ballkoni,
hapi portën dhe doli jashtë.
- Eja babi, eja merrmë.
Një grumbull njerëzish u
mblodhën të tmerruar poshtë ballkonit.
- Vajzë, shko brenda të
lutem! - i thirri një infermiere.
Dikush dha alarmin dhe
vrapuan për në dhomë. Irida hipi në parapetin e ballkonit duke thërritur:
- Babi, po vij. Po
fluturoj, po fluturoj!
Hapi krahët
dhe u lëshua
në zbrazëti, në kohën që në ballkon dolën infermieret e
para. Një klithmë e tmerrshme u dëgjua dhe trupi i vajzës u përplas në tokë. Të
pranishmit e morën dhe e çuan në sallë.
Por ishte e kotë. Shpirti kishte fluturuar nga trupi i saj.
Doktor Sotiri mori
përsipër një detyrë shumë të vështirë. Duhej të lajmëronte Lumton. Po si t’ia
thoshte? Shkoi në shkollë.
- Eja se të kërkon vajza,
- i tha.
Çuditërisht nënës ia ndjeu
zemra mandatën.
- Thuamë, mbaroi?
Sotiri nuk foli. Po
mendohej si të vepronte. Si mund t’ia thoshte një lajm të tillë?
- Thuamë! - përsëriti
Lumtua tërë ankth.
- Ngushullimet e mia!
Goditja ishte e rëndë. Ra
pa ndjenja. Doktori i vuri në hundë një garzë me amoniak dhe e solli në vete.
Filloi të qajë me ngashërim. Kur mbritën në spital, ra e alivanosur mbi trupin
pa jetë të vajzës. Ndërhyrja e mjekëve e përmendi.
Në mbrëmje e sollën në
shtëpi. E veshën me të bardha. Mbi krye i vendosën një kurorë me lule
shumëngjyrëshe. Dukej si bukuroshja e fjetur e përrallës. Nuk vonoi dhe dhoma u
mbush me njerëz. Atë që nuk kishte
mundur të bënte jeta, e kishte bërë vdekja. Ajo i kishte bashkuar përsëri ata.
Të nesërmen u zhvillua
ceremonia e varrimit. Rasti tejet i hidhur kishte mbledhur shumë qytetarë. Të
gjithëve u vinte keq për pesëmbëdhjetëvjeçaren që e kishte mbyllur jetën në mënyrë tragjike.
Kishin ardhur të gjithë shokët dhe shoqet e klasës, edhe ato që nuk i kishin
shkuar në spital. Kishin ardhur edhe shoqet e Lumtos.
Kortezhi i përmortshëm u
nis nga shtëpia. Pas makinës së funeralit ishte një kurorë e
vetme. Në të shkruhej:
Iridës
së dashur!
Babi, mami, gjyshja
Atë e mbanin Mellania me Teutën.Në dalje të rrugës kryesore priste autobusi i
vetëm. Dikush nga turma e madhe foli:
- Ta përcjellim më këmbë
deri në dalje të qytetit.
Kortezhi vazhdoi rrugën.
Në ballë të tij ecte Lumtua, e mbajtur për krahu nga dy shoqet e saj, Anita me
Blerinën. Për këtë rast nuk e kishin marrë parasysh vendimin e organizatës së
partisë. Nënë Gjyla kishte ndejtur në shtëpi. Tjetër njeri nga familja nuk
kishin. Skënderi me të shoqen nuk kishin guxuar të vinin. Njerëzit që nuk
merrnin pjesë në kortezh, kur ai kalonte pranë tyre, mbanin qëndrim gatitu.
Ndonjë që kishte kapele e hiqte dhe nderonte.
Duke ndjekur fshehtësisht
kortezhin, Demiri dhe Ilia
survejonin turmën. Habiteshin
se si kishin mundur të shkonin kaq veta në varrimin
e një vajze të
një armiku të
popullit? Një gjë e tillë i
tërbonte më tepër. Por, .ajo që
nuk mund të kuptonin ata ishte se dhimbja qe më
e madhe nga frika dhe kjo dhimbje
kishte dalë mbi
atë luftë të
egër të klasave.
Ajo kishte triumfuar mbi egërsinë e kësaj lufte.
Pasi përshkoi në heshtje
të gjithë qytetin, në dalje të tij kortezhi ndaloi. Një pjesë e pjesëmarrësve u
futën në autobus. Të tjerët u kthyen prapa. Midis tyre edhe Syrjau. Në varreza
nuk foli njeri. E mbuluan në heshtje. Lotët e Lumtos dhe të tjerëve vaditën
varrin e porsambuluar. Së fundi, në emër të familjarëve falënderoi vëllai i
Lumtos. Një drekë e thjeshtë, e heshtur, mbytur nga gulçimet, me më të afërtit,
i dha fund kësaj ceremonie mortore.
XII
Viti i ri filloi me probleme
të rënda për
familjen Canaj. Agroni
vazhdonte të qëndronte në
birucat e degës së punëve të brendshme. Ndërsa Lumtos vdekja e vajzës i kishte
shkaktuar një traum të rëndë. Por sikur të mos mjaftonte kjo, një çështje
tjetër i kishte dalë përpara. Kish kaluar më tepër se një muaj dhe asaj nuk po
i vinin menstruacionet. E tmerronte mendimi se mund të kishte mbetur
shtatzanë. Gjithë natën pothuajse e kalonte pa gjumë. Rrinte
dhe mendonte fatin e saj të zi. Si do t’u dilte para syve shoqeve dhe në mënyrë
të veçantë Agronit në rast se një gjë e tillë do të ishte e vërtetë? Çfarë t’u
thoshte? T’i tregonte të vërtetën? Kjo ishte e pamundur. Atëherë ta hiqte me
ndihmën e ndonjë mamie plakë? Kush e siguronte se një gjë e tillë nuk do të
merrej vesh? Ndoshta plaka mund të mos e mbante të fshehtë një gjë të tillë.
Vaji e mbulonte dhe qante e qante pa zë
me orë të tëra.
- Vazhdoj të eci. Vazhdoj
të jetoj. Deri kur? Nuk e di, -
Përsëriste vazhdimisht me veten e saj. -
A ja vlen? Përsëri nuk e di. Rida ka
një muaj që ka fluturuar. Në ç’qiell ndodhet vallë? Me siguri shumë
larg. E rrethuar nga engjëjt. Apo ndoshta nga kentaurët * që e degdisën kaq
larg. Rida, më thuaj ku je? Nëna po të pret. Më
ka pikur malli, moj bijë. S’kam kujt t’ia qajë hallin. Ah, sikur
të kisha pranë Gonin! Do e ndanim dhimbjen së bashku.
Nëna jote ka dhe një hall
tjetër më të madh, moj bijë. Më dridhet i gjithë trupi kur e kujtoj. Më duket
se pres një fëmijë. Por ai nuk është as vëllaj dhe as motra e jote. Ai është
fëmija e një përbindëshi. Me siguri edhe ai do të jetë një djall, ashtu si i
ati. Kurse ti ishe një engjëll. A mundem unë të kem një engjëll si ti dhe një
djall si ai?
Nënë Gjyla e shikonte me
shqetësim gjendjen e nuses. Edhe ajo kishte shqetësimin e të birit dhe të
mbesës, por e kishte të qartë se në këtë situatë duhej të tregoheshin të fortë.
Nuk duhej ta lëshonin veten. E gjora plakë nuk e dinte të vërtetën që kishte
ndodhur.
- Nuse, mblidhe mendjen! -
i tha një ditë. - Përse vjen rrotull dhe
pëshpërit me veten tënde? Përse e ke lëshuar veten?
- Jam nënë dhe më dhemb
zemra për time bijë. Përveç kësaj edhe Agronin e kam në burg dhe nuk e di në se do dalë ndonjë ditë. Për këto qaj dhe
vajtoj
- Po unë mos nuk jam
nënë? Edhe unë
kam Humbur burrin në moshën
tënde dhe tani
nuk e di nëse do ta shoh më tim bir se jam plakë
dhe nuk e di se deri kur do të jetoj. Po Irida a nuk ishte mbesa e ime, mjalti
i mjaltit tim? E doja më
tepër se vajzën time, po të më kishte falur Zoti një
vajzë. Por e mbaj veten. Fatkeqësitë më
kanë mësuar të jem e fortë. Kështu duhet të bëhesh dhe ti. Mos u bëj qejfin
atyre që nuk na duan.
Fjalët e saj sikur
e qetësonin disi
zemrën e Lumtos. Ngrihej, kryente
punët e shtëpisë dhe lexonte ndonjë libër. Në ato çaste sikur e harronte
gjendjen. Por kjo nuk vazhdonte gjatë. Tragjedia kishte ndodhur. Irida kishte
vdekur. Në familje kishin mbetur vetëm dy qyqare të vetmuara, të ndara nga
pjesa tjetër e botës. Njerëzit që u vinin për ngushëllim sa vinte dhe
pakësoheshin. Erdhi një ditë që edhe ata mbaruan dhe mbetën vetëm ato të dyja,
të mbuluara nga
* Qënie mitologjike, gjysën njerës, gjysëm
kuaj, simbol të dhunës dhe çfrenimit.
dhimbja dhe zia.
Në një mbrëmje të vonë
janari, trokiti porta e shtëpisë. Nënë Gjyla u ngrit dhe e hapi. Para saj
qëndronte Syrjau me një tufë trëndafilash të bardhë në dorë.
- Urdhëroni brenda, - i
tha.
Ai hyri si me ndrojtje. U
ul në një karrike që gjeti përpara.
- Jo, jo aty. Urdhëroni
uluni në divan.
- Falemnderit, por jam shumë mirë. Kam parë edhe
më keq dhe
tani më duket
shumë
mirë.
- Ngrehuni ju lutem dhe uluni në divan. Na fyeni nëse nuk pranoni.
U ngrit dhe u ul atje ku i thanë.
- Më vjen shumë keq, - i tha
Lumturisë. - Por duhet
të bëheni të
fortë. Njeriu duhet
t’i bëjë ballë çdo fatkeqësie që i bije.
- Por, a mundemi? - tundi kryet Lumtua.
- Duhet t’ia impononi vetes. Duhet të gjeni
forca për ta përballuar.A e dini se ka patur edhe
më
Keq?
- E ku mund të ketë më keq
se kaq?
- E keni këtu para syve
tuaj.
- Ç;doni të thoni me këtë?
- Jam unë.
Dikur edhe unë
kam patur prindër,
vëlla dhe motër, nipër dhe mbesa. Kam patur edhe
unë familje.Po tani?Asgjë.Babanë ma pushkatuan.Nëna më vdiq kur unë isha në
burg.Vëllaj u arratis jashtë shtetit dhe e shoqja u martua me një tjetër, duke
marrë me vete edhe fëmijët. Motra më vdiq në çastin e lindjes, duke e lënë të
shoqin me një djalë pesë vjeç. Nga frika ai i preu mardhëniet me mua dhe kam
disa vjet që nuk i shoh nipërit dhe mbesat.Vetë jetoj në një kasolle në
rrethinat e qytetit.Punoj në ndërmarrjen bujqësore dhe me ato pak para që marr
jetoj.Para kasolles kam mbjellë
disa lloje lulesh. E kam pasion. Ato janë pjesëtarët e familjes time të sotme.
Nuk jam martuar. Kur dola, pas njëzet vjet burg, nuk vendosja dot të
martohesha. Kështu që kënaqësia ime e vetme mbetën lulet. Nga ato kam prurë
këtë buqetë. Janë trëndafila që lulëzojnë gjithë vitin. I kam sjellë për lulen
e shtëpisë. Megjithse nuk është më, ajo mbetet lulja e kësaj shtëpie. Një lule
që nuk do të thahet kurrë.
Syrjau heshti. Të dy gratë
shikonin fytyrën e tij të përvuajtur dhe kuptuan se në botë paska fatkeqësi
shumë më të mëdha
-Shumë të faleminderit!
- tha më në fund Lumturia. - Nesër këta trëndafila do t’ia shpie Ridës, se
ajo ishte me të vërtetë një trëndafil
- Ndaj ju them të bëheni
të forta, -- vazhdoi me zërin e tij të
ultë dhe bindës Syrjau.. – Ju jeni e re. Agroni një ditë do të lirohet dhe ju
do të lindni fëmijë të tjerë dhe atëherë kujtimi i Iridës do kthehet në një
ëndërr të bukur të së kaluarës.
Syrjau u ngrit, u takua me to dhe u largua.
- Mos harroni ato që u thashë, - foli duke
ikur.
Të dy gratë mbetën pa gojë. Fjalët e tij
sikur kishin goditur zemrat e tyre. Për çudi e ndjenin veten
më të qeta.
Ai kishte patur
të drejtë. Bota
ishte e madhe dhe fatkeqësitë, ndonse ishin kaq të mëdha,
përsëri e gjenin një rrugë zgjidhje.
- E dëgjove? Janë fjalët e
arta të një të mënçuri, - tha nënë Gjyla.
- Po unë, ku ta gjejë
forcën e atij burri?
- Duhet ta gjejmë. Duhet
ta gjejmë së bashku.
- Nuk mundem nënë, nuk
mundem.
Të nesërmen Lumtua shkoi
në varreza dhe vendosi tufën e luleve që kishte sjellë Syrjau.
Fundi i janarit dhe
menstruacionet nuk erdhën. Kjo e bindi Lumton se kishte mbetur shtatzanë.
Brenda saj po rritej fëmija e një
krimineli. Tashti ishte e sigurt për atë që kishte ndodhur. Duhej të merrte një
vendim.
Po afroheshin të dyzetat e
vajzës. Duheshin bërë përgatitjet për të
përkujtuar atë ditë, për të pritur ata që do të vinin. Pastaj do të
shihte dhe do të vepronte si të ishte më e arsyeshme. Një ditë, duke qenë në
një gjendje shpirtërore të rëndë, shkoi në shtëpinë e shoqes së saj, Anitës,
për të gjetur pak qetësi. Nuk e gjeti në shtëpi. Të nesërmen, kur e takoi e
pyeti:
- Ku ishit mbrëmë?
- Ishim te mamaja se
kishim bërë shtëpinë me helm për tartabiqet.
Një mendim i flakëriu në mendje.
- Ndoshta ju ka tepruar
pak se edhe ne kemi tartabiqe.
- Posi, ta sjell nesër.
Të nesërmen i dha Lumtos
një shishe të vogël me helm.
- Është shumë i fortë.
Hidhe në pesë litra ujë dhe spërkat dhomat.
- Faleminderit!
Ditën e të dyzetave u
ngrit herët dhe u nis për në varreza.
- Prit të vij edhe unë, -
i tha nënë Gjylua
- Jo, ti më mirë qëndro
këtu se mund të vijë ndonjë dhe nuk gjen njeri.
Në varreza u gjunjëzua
pranë varrit të vajzës dhe vendosi disa tufa lulesh që i kishte blerë në treg.
Shikonte fotografinë në
pllakën e granilit
të porsa vendosur
dhe lotët i mbulonin fytyrën.
- Irida, mos je mërzitur
duke më pritur? Do të vij bija e mamit dhe do të rrimë bashkë përjetësisht.
U ngrit, fshiu lotët,
puthi fotografinë dhe u nis për në shtëpi. Nuk qau më. Gjithë ditën priti
njerëzit që erdhën dhe në mbrëmje u mbyll në dhomën e saj, ku qëndroi për rreth
dy orë. Pastaj u kthye në guzhinë, ku ishte edhe nënë Gjylua, dhe duke i zgjatur
një zarf të mbyllur i tha:
- Kjo letër është për
Agronin. Jepja kur të dalë prej burgut.
- Ç’është kjo letër, moj
bijë? Po ti je shumë më e re dhe nuk ke pse të ma japësh mua që jam plakë dhe
nuk e di nëse do të rrojë apo jo deri atëherë!
- Po nëno. Ti do të rrosh
dhe do t’ia japësh këtë letër. E kam shkruar për të.
- Pse m’i thua këto fjalë
moj bijë? Çfarë ke ndër mend të bësh?
- Asgjë, por e ndjej që të
keqen e kam këtu brenda, - dhe me dorë
tregoi barkun. -Nuk e kam shumë të gjatë. Do të vete të bashkohem me vajzën
time dhe nuk dua të iki pa i treguar tim shoqi të vërtetën.
- Mblidh mendjen moj bijë.
Por ajo nuk foli më. U
largua dhe u mbyll përsëri në dhomën e saj. Nënë Gjyla mendoi se e kishte nga
dhimbja që iu ngjall nga përkujtimi i të dyzetave. Nesër kjo do të kalonte dhe
me kohë çdo gjë do shkonte në rrjedhën e saj. Lumtua u kthye përsëri, shtroi
tryezën dhe hëngrën darkë në heshtje pa folur me njëri-tjetrin. Pastaj u ngrit
dhe kur shkoi te dera e dhomës.
- Natën e mirë! - i tha
nënë Gjylos me një zë të çuditshëm.
Të nesërmen nënë Gjylua u
ngrit si zakonisht herët. Bëri kafenë dhe po e pinte. Iu kujtuan fjalët që i kishte thënë nusja dhe
ndjeu një shqetësim brenda vetes së saj. Vështroi orën. Ajo tregonte gjashtë e
një çerek. Po nusja pse nuk po ngrihej? Ajo zakonisht ngrihej para orës
gjashtë. Më shtatë nisej për në shkollë. U ngrit dhe trokiti në derën e saj.
Asnjë përgjigje. Trokiti përsëri dhe thirri:
- Lumto!
Përsëri nuk u dëgjua asnjë
përgjigje. Hapi derën dhe hyri brenda. Mbi shtrat ndodhej shtrirë nusja, e
veshur me një fustan të zi që e kishte bërë me rastin e vdekjes së vajzës. Një
pamje e zbehtë i kishte mbuluar fytyrën. Mbi buzë një varg shkume Shkoi dhe i
vuri dorën në ballë. Ai ishte i ftohtë si akulli. Nënë Gjylua u drodh. Pranë trupit
pa një shishe të vogël bosh. I mori erë. E kuptoi se ishte helm. Mbi komodinë ishte një pusulle. E
lexoi:
Mos akuzoni
njeri. Jeta ime
nuk kishte më kuptim.
Lumturia
- Përse e bëre, moj bijë?
Filloi ta qajë me zë të
ulët që të mos e dëgjonte njëri. E puthi në ballë dhe lotët i rridhnin nëpër
faqe. Nuk kishte patur vajzë dhe Lumtua ishte bërë vajza e saj. Pastaj mori
telefonin dhe lajmëroi degën e brendëshme.
Ata erdhën menjëherë.
Morën kufomën dhe e çuan në spital. Autopsia tregoi se kishte vdekur e helmuar
me koçifos. Mjeku ligjor vërejti se në barkun e saj kishte një fëmijë afro tre
muajsh. Lumton e njihte shumë
mirë. Njihte dhe karakterin e saj. Mendoi se duhej të kishte ndodhur diçka e
jashtëzakonshme, diçka e pabesueshme. Ndaj në procesverbalin përkatës nuk
shkroi asgjë përsa vërejti. E prunë përsëri në shtëpi. Nënë Gjyla i bëri të gjitha nderet. Të nesërmen e varrosën pranë varrit të Iridës.
Skënderi, megjithse u lajmërua, edhe kësaj rradhe nuk erdhi të merrte pjesë në
varrimin e kunatës.
Nënë Gjyla mbeti e vetme.
Fatkeqësitë e kishin ndjekur gjatë gjithë jetës. Por ato e kishin bërë më të
fortë. U drejtua te komoja, mori fotografinë ku kishin dalë i biri me gruan dhe
vajzën dhe u tha:
- Lumto dhe Irida, prehuni
në paqe! Agron, unë nuk do të lë vetëm. Do të pres deri
sa të kthehesh. Ky është amaneti i Lumtos dhe unë do ta mbaj atë.
Puthi fotografinë dhe dy
pika lot i
rrodhën nëpër faqe.
I fshiu, vuri
fotografinë në vendin
e vetë dhe u kthye përsëri në dhomën e saj.
XIII
Kryetar Petriti rrinte i
menduar në zyrën e tij. Para duarve kishte një procesverbal hetimor që ia
kishte dorëzuar Demiri. Ishte procesverbali i Agronit. E lexonte dhe mendohej.
Në të përshkruheshin me detaje e gjithë veprimtaria armiqësore e grupit prej
gjashtë personash, në krye të të cilit ishte Stefan Gjoka. Akuzuesi kryesor i
tyre ishte Agron Canaj, që kishte nënshkruar atë dokument. Kryetari e dinte që
ndërmjet atyre që kishin denoncuar ishin edhe dy punonjësit e ndërmarrjes Resul
Sulejmani dhe Ibrahim Mehmeti, por emrat e tyre nuk figuronin aty. Ata ruheshin
për t’u përdorur në ndonjë rast tjetër. Për këtë radhë mjaftonte nënshkrimi i
Agronit. Do gjendeshin edhe dëshmitarë të tjerë. Qëllimi ishte arritur. Me këtë
i tregohej ministrit të tij se efektivi i degës, që ai drejtonte, po e kryente
më së miri detyrën në luftën kundër çfaqjeve të huaja dhe veprimtarive
armiqësore.
Natyrisht lidhur me këtë, një meritë kishte
edhe Demiri.Ai kishte mundur t’i shkëpuste Agronit deklaratën që kërkonin.Në
bazë të asaj deklarate ishte kryer edhe arrestimi i personave përgjegjës.Ishte
bërë dhe demaskimi i tyre në sy të klasës punëtore. Deri këtu gjithçka kishte
kaluar më së
miri. Pas disa
muajsh, kur të mbaronte procesi hetimor edhe me deponimet
e të tjerëve, do të zhvillohej një proces gjyqësor që do të mbahej mend për
shumë kohë. Dhe një meritë për këtë do të kishte edhe ai, si kreu i atij
institucioni. Natyrisht ishte një zbulim i madh.Ky mendim i ngacmonte sedrën.
Ndoshta me këtë gur i hapeshin rrugët e karrierës për
më lart,
në ministri.
Ndërkohë,
nënë Gjyla kish mbrritur në
degën e punëve
të brendëshme. Kërkoi të takonte kryetar Petritin.
- I thoni që e kërkon e shoqja e dëshmorit të
lirisë Bexhet Canaj, - u tha rojeve te porta.
Ata i kthyen përgjigje se
kryetari nuk ishte aty
- Atëherë, unë do të
qëndroj këtu deri sa të kthehet.
Afër drekës
erdhën Demiri me
Ilian. Sa panë
nënë Gjylon u zverdhën në fytyrë.
Ç’kërkon kjo
djal l këtu? – i
thanë njëri-
tjetrit.
Pastaj duke iu drejtuar asaj:
- Përse keni ardhur?
- Kush ma vrau vajzën? - thirri nëna e mjerë.
Ata filluan t’i flisnin për
ta qetësuar. Por
ajo vazhdonte të
ngulte këmbë. Një polic u detyrua të lajmëronte kryetarin, i cili
urdhëroi ta sillnin brenda.
- Pse je shqetësuar, moj nënë? - e pyeti
kryetari.
- Më kanë qëlluar në zemër.
- Mos u shqetësoni. Së shpejti Agroni do të
dalë para gjyqit dhe po qe i pafajshëm do të lirohet. Te ne nuk dënohet kot
njeri.
- Nuk kam ardhur për tim
bir.
- Për cilin keni ardhur
atëhere?
- Për vajzën e tim biri
dhe nusen.
- E ç’hyn ato këtu?
- Nuk paskeni marrë vesh
gjë?
- Jo, - tha ai duke
luajtur rolin e të paditurit.
- Ato nuk jetojnë më.
- Ngushullime. Nuk dija
gjë
- Shkakun e vdekjes së
tyre unë e kërkoj brenda zyrave tuaja.
- Në zyrat tona? Përse?
- Oficerët e tu i morën
dhe i sollën këtu. Kur dolën prej këndej
vajza ishte çmendur, ndërsa nusja mjaft e çoroditur. Pas një muaji mbesa u hodh
nga ballkoni i spitalit, ndërsa nusja i dha fund jetës këto ditë.
- Kur ka ndodhur kjo?
- Natën e përvjetorit të
festës së çlirimit.
- Kush ishin ata oficerë?
- Nuk ua di emrat, por
ishin tani përjashta.
Kryetari u vu në mendime.
Nëna donte një përgjigje dhe ai duhet të gjente një zgjidhje të tillë që të mos
shkaktonte një skandal në zyrat e tij.
- Shkoni në shtëpi dhe
rrini e qetë, - i tha nënë Gjylos.
- Këtë punë do ta zgjidh unë.
Nënë Gjyla u largua disi e
qetësuar nga fjalët e kryetarit. Ai i
shqetësuar filloi të mendojë përsa kishte ndodhur. Ishte një ngjarje e rëndë që
po të merrej vesh lart, mund t’i kushtonte detyrën. Vërtetë që i kishte thënë
që të vepronte si ta shihte më mirë, por nuk i kishte thënë që në këtë valle të
fuste dhe një fëmijë. Tani fjala mund të hapej në gjithë qytetin dhe skandali
do të pëlciste. Duhej vepruar shpejt dhe me gjakftohtësi.
Trokiti porta.
- Hyni!
Në zyrë hyri me ndrojtje
Isufi.
- Më falni shoku kryetar, a mundem?
- Eja, çfarë ke?
- Më falni, kam prurë këtë shkresë.
- Çfarë është?
- Dorëheqja ime.
Kryetari e pa i habitur.
Ai ishte një nga nënoficerët më të rregullt.
- Përse?
- Po ja, si t’ju them. Nuk
e ndjej veten të aftë për të kryer këtë detyrë. Pastaj dua të iki në fshatin
tim ku kam edhe prindërit. Tashmë ata janë pleq dhe të sëmurë dhe kanë nevojë
të më kenë pranë.
Isufi paraqiti dy
variante që kundërshtonin
njëri-tjetrën. Edhe thoshte se
nuk e ndiente veten të aftë dhe pastaj pretendonte
se do shkonte pranë prindërve. Kryetari ia njihte mirë aftësinë. Ai ishte nga
më të aftët. E kuptoi se shkaku duhej të ishte ndonjë tjetër.
- Dëgjo shoku Isuf! Unë të
njoh shumë mirë dhe i di aftësitë e tua. Prandaj mos e sill rreth e rrotull.
Përse do të largohesh?
Isufi nuk dinte si të
vepronte. Të tregonte të vërtetën, kishte frikë se mos keqkuptohej dhe pasojat
diheshin pastaj. Por edhe variantin e prindërve e kuptoi që kryetari nuk e
besoi. Mbasi ndenji një farë kohe pa folur, më në fund
i tha:
- Poja shoku kryetar, do t’ju them të vërtetën.
E kam fjalën për shokët Demir dhe Ilia.Kjo ka ndodhur ditën e festës së
çlirimit.Kisha shërbimin në qelitë e të paraburgosurve.Vjen shoku Myfit dhe më
thotë se me urdhër të shokut Demir, që kishte shërbimin e rojes, të shkoja të
qëndroja te porta për çdo gjë që mund të ndodhte. I thashë se kush do të
qëndronte te qelitë po të ikja unë. Më tha se ky ishte urdhëri. Shkova.Pas pak
kohe pashë Selimin që u kthye me makinë. Prej saj zbritën shoku Ilia dhe dy
femra, një grua dhe një vajzë. Hynë brenda. Mua më bëri përshtypje.Po afronte
mesnata. Ç’kërkonin ato në atë orë të vonë?
- Leri komentet!
Çështja filloi t’i
interesonte kryetarit. E kuptoi se
një ngjarje e jashtëzakonshme
duhej të kishte ndodhur. Dy oficerët kishin përfituar nga dita e festës
për të
bërë ndonjë proçkë.
- Vazhdo!
- Nuk vonoi shumë dhe
erdhi një plakë që kërkoi t’ju takonte juve. Unë i thashë se nuk ishit aty dhe
e pyeta përse donte t’ju takonte në atë
orë. Më tha se një oficer i degës kishte
marrë nusen dhe mbesën dhe i kishte sjellë këtu. Fjalët e saj përkonin me
ardhjen e shokut Ilia me dy femrat. Kuptova se ishte nëna e të paraburgosurit
Agron Canaj. I thashë se do shkoja të interesohesha. Lashë një shokë te porta
dhe shkova në zyrën e shokut Demir për t’i raportuar. Atje gjeta të
pandehurin dhe Myfitin. E pyeta dhe më
tha se Demiri ndodhej poshtë te birucat. Zbrita poshtë. Në radhën e birucave
nuk kishte këmbë njeriu. U habita si ishin lënë vetëm të paraburgosurit, pa asnjë
roje.
- Të thashë t’i lësh
komentet, - tha kryetari duke humbur durimin nga zgjatimet e Isufit.
- Atëherë shkova te
birucat speciale Në dhomën e trajnimit nuk kishte njeri. Dëgjova një rënkim të
çuditshëm në dhomën pranë. Hapa me ngadalë portën dhe pashë shokun Ilia që
kishte vënë poshtë gruan. Ai ishte i zhveshur. Ajo qante. U largova dhe shkova
në dhomën tjetër. Atje dëgjova zërin e vajzës që qeshte dhe qante njëkohësisht
si dhe rënkimet e Demirit. Prita përjashta.. I pari doli shoku Ilia. Kur më pa,
u prish në fytyrë dhe më tha që ta provoja edhe unë. Nuk pranova. Pastaj doli
edhe shoku Demir, i cili më kërcënoi se po të hapja gojë do më punonin qindin.
Pastaj më tha që ato të dyja t’i shpija te makina për t’i çuar në shtëpi. Kështu veprova.
- Domethënë i përdhunuan?
- Po. T’ju them të
vërtetën më erdhi shumë rëndë. Kam kaq ditë që e mbaj të fshehtë, por kur mora
vesh vdekjen tragjike të tyre, nuk mund të rrija dhe të punoja më me ta.
Ndaj vendosa
të jap dorëheqjen.
Kryetari u ngrit i
nervozuar dhe filloi të vinte vërdallë nëpër zyrë. Nuk fliste asnjë fjalë.
Sillte ndër mend skenën e llahtarshme që kishte ndodhur dhe sikur në atë çast
t’i kishin dalë para ata dy, nuk e dinte çdo kishte bërë.
- Dëgjo shoku Isuf, ke
bërë detyrën që të takon. Por kujdes.Nuk duhet ta bisedosh me asnjë. Ma lerë mua ta
gjykoj dhe të marrë vendim.Mos u thuaj asnjë fjalë atyre dyve.A më kuptuat?
- Si urdhëron shoku kryetar!
- Tani shko dhe vëri vath në vesh ato që të
thashë.
Isufi nderoi dhe doli.
Kryetari vazhdonte të vinte rrotull. Gjatë karrierës së tij në organet e punëve
të brendshme i kishin ndodhur edhe herë të tjera ngjarje të tilla të rënda, por
asnjëherë të kësaj natyre dhe të këtyre përmasave. Iu kujtua koha e luftës. Për
një veprim të tillë të ngjashëm ishte pushkatuar një çift i ri. Por ai nuk
kishte qenë përdhunim. Ata ishin dashuruar. Ishte kohë lufte dhe dashuria ishte
e ndaluar. Një gjë e tillë ndodhte pikërisht tani kur atij po i hapeshin rrugët
e suksesit. Kishte fituar famë për zbulimin e disa grupeve armiqësore, ndërmjet
të tjerave edhe të këtij të fundit. Por ngjarja që i tregoi Isufi do ta
zhvlerësonte këtë sukses. Pasojat do të binin natyrisht edhe mbi kryetarin.
Duhej vepruar sa më parë.
Nuk duhej lënë që ngjarja të merrte dhenë. Vërtetë e kishte porositur Isufin që
të heshte. Por ku i dihet? Sikur ai ta bisedojë me ndonjë njeriun e tij të
afërt? Fjala po doli nga dy dhëmballë merr një mëhallë, thotë një fjalë e urtë.
Këtë ngjarje e ka parë edhe Selimi. A e ka marrë vesh se çfarë ndodhi? Edhë nëse
jo, po vajzën të dalë prej andej të çmendur ai e çoi në shtëpi. I ra ziles. Në
zyrë hyri sekretarja.
- Lajmëroni shokët Demir
dhe Ilia të vinë menjëherë këtu.
Nuk vonuan dhe ata u
paraqitën.
- E more bandilla, erdhët?
- Erdhëm shoku kryetar
- Po ç’do të na thoni?
- Po ja, shoku kryetar,
gjithçka shkon më së miri. Me grupin e fundit i kemi kopsitur dosjet, ashtu siç
na porositët juve, - foli Demiri
- Mua më duket se nuk keni
vepruar ashtu si ju porosità unë.
- Përse?
Kryetari u ngrit në këmbë dhe
me një zë të ashpër u tha:
- Mos ju paskam porositur
unë t’i përdhunoni ato dy fatkeqe?
Ata mbetën të shtangur dhe
po vështronin njëri-tjetrin. Së fundi Demiri foli:
- Ç’thua ashtu shoku
kryetar?
- Çfarë them? Mos do mundoheni ta mohoni edhe
këtë?
- Unë nuk kam faj, - u hodh Ilia. - Demiri më detyroi.
- Nuk paske faj? Të paska detyruar Demiri?Por a të erdhi mirë
kur bëje qejf?
- Të betohem shoku kryetar, për ideal, që më
detyroi Demiri.
- Pushoni, maskarenj! Për këtë veprim të ndyrë
do jepni llogari para partisë. Tani shkoni!
Ata u larguan thellësisht
të trembur. Ora po shkonte katër pasdite. Ndërkohë trokiti dera.
- Hyni! - foli me një zë
të lodhur kryetari.
Në zyrë hyri sekretarja e
degës.
- Më falni shoku kryetar!
- tha sekretarja, - po ju shqetësoj pasi
ka ardhur një telegram urgjent nga Ministria.
- Falemnderit! – tha kryetari duke marrë
telegramin, - mund të largohesh.
Sekretarja doli. Kryetari
hodhi vështrimin mbi telegram. Vinte nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit,
pranë Ministrisë së Brendshme. Binte në sy mbishkrimi “ Tepër sekret “. E hapi me të shpejtë dhe
filloi ta lexojë:
“ Në
mënyrë urgjente të paraqiteni në drejtorinë tonë “.
U nis në çast. Nuk e mori
Selimin. Makinën e ngiste vetë. Në Ministri e priste Gjika, drejtori i
drejtorisë së sigurimit. U mbyllën të dy në zyrë dhe Gjika tha:
- Na duhen dy shokë
besnikë dhe të
zgjuar,
për t’i dërguar
me mision jashtë shtetit, në Greqi dhe këtë detyrë po
jua ngarkoj juve, pasi kam besim se do e kryeni më së miri. Duhet të keni
parasysh se ata do paraqiten atje me identitet tjetër. Në rregjistrat e
gjendjes civile ata duhet të figurojnë të vdekur. Ndaj duhet të përgatitni ndonjë lloj
aksidenti, ku gjoja ata do të humbasin jetën.
Petritit i kishte dalë
fati në rrugë.
- Po sikur të sakrifikojmë
edhe ndonjë person tjetër në këtë aksident, ndonjë peshë të lehtë? - pyeti me
një kënaqësi të madhe.
- Natyrisht ndonjë njeri
jo shumë të rëndësishëm. Vetëm kini mendjen. Çdo gjë duhet përgatitur më së
miri dhe në fshehtësi absolute.
- Si urdhëron! Kam dy
oficerë shumë të zotë. Njëri prej tyre zotëron
gjuhën greke, - tha kryetari që, aty për aty e gjeti zgjidhjen e
çështjes që e kishte shqetësuar aq shumë.
- Cilët janë ata? - pyeti
Gjika
Kryetari i dha emrat e
Demirit dhe Ilias
- Kur i doni? - pyeti.
- Pasnesër në orën shtatë
të mëngjesit duhet të jenë këtu. Që nga ai çast ata nuk do të ekzistojnë më.
U ndanë dhe kryetar
Petriti u nis menjëherë për në qytetin e tij.
Nga shtëpia mori në
telefon dikë.
- Nesër eja në zyrë në
orën tetë, - i tha me një zë të akullt.
Ai erdhi. Biseduan kokë më
kokë dhe në fund
kryetari tha:
- Tani do të nisesh me ata
dy për në Tiranë dhe nesër në darkë duhet të ketë marrë fund gjithçka. Mos harro Tatrën *
- Si urdhëron!
Si u largua vizitori
misterioz, thirri Demirin me Ilian.
- Partia do ju ngarkojë
një detyrë shumë të rëndësishme. Për këtë do të
niseni për në Ministri urgjent. Atje do të kërkoni
Gjikën, drejtorin e drejtorisë së sigurimit të shtetit, i cili do t’ju
* Makinë çeke, tip camion i rëndë i
viteve 60-të të shekullit të XX-të.
tregojë detyrën e re.
Në asnjë
mënyrë nuk duhet ta kundërshtoni.
Kryerja me nder e
kësaj detyre do shlyejë turpin që keni bërë. Shpërblimi vjen më prapa.
- Si urdhëron shoku
kryetar! - folën të dy me një zë duke ndjerë një lehtësim në veten e tyre. U nisën menjëherë në rrugën e gjatë dhe plot
të fshehta.
Kryetari nuk kishte kohë
të priste. Duhej vepruar sa më parë. Thirri Isufin.
- Sipas informatave
që kemi, - i
tha - sonte
në orën dhjetë,
te Shpella e Ujqërve
do të zhvillohet takimi i një të dërguari të KGB-së me dikë që nuk ia
dimë ende emrin. I dërguari punon diku në kryeqytet dhe kërkon informacion për
bandën që kemi zbuluar. Personi, që nuk ia dimë emrin, do t’ia japë këto
informata. Të dy duhen arrestuar menjëherë. Për këtë janë nisur qysh
dje Demiri me
Ilian. Prandaj nisu menjëherë me
Selimin. Merr me
vete edhe
armatim. Ora po shkon
shtatë.. Kam besim te ty, prandaj po ta ngarkoj këtë detyrë.
- Si urdhëron, shoku
kryetar!
Nuk vonoi dhe gazi u nis.
Spella e Ujqërve ishte afër majës së një mali që
ndodhej mbi det. Rruga ishte shumë e vështirë. Një rrugë e ngushtë, të cilën
shiu që kishte rënë e bënte shumë rrëshqitëse, por zotësia e Selimit në timon,
bënte që vështirësitë të kalonin. Pasi kishin bërë pothuajse dy orë e gjysmë
rrugë, po i afroheshin fundit. Ja, edhe një kthesë të fortë kishin dhe pastaj
shtrihej një pllajë e vogël dhe, pas dy
tri kthesave më të vogla, do të arrinin te Shpella e Ujqërve. Te pllaja, pas
kthesës së fortë, do të linin makinën dhe do të afroheshin fshehtas më këmbë,
në mënyrë që të mos diktoheshin nga dy të kërkuarit.
Sapo kaluan kthesën një
dritë e fortë u verboi sytë. Një Tatra
e madhe me drita ndezur po vinte drejt tyre. U munduan t’i dredhojnë, por ishte
e kotë. Tatra vazhdonte të ecte, me gjithë thirrjen e tmerruar të tyre. Gazi u
rrokullis disa herë dhe në fund u dëgjua zhurma e diçkaje të rëndë që bie në det.
Të nesërmen barinjtë e
stanit të kooperativës, që kishin dëgjuar zhurmën e rënies së gazit, por nuk e
kishin kuptuar se çfarë kishte ndodhur, dolën për të parë. Prapa një
shkëmbi gjetën dy
kufoma njerëzish të
gjakosur. Lajmëruan postën e policisë dhe brenda një kohe të shkurtër
erdhi një ekip i degës së punëve të brendshme me kryetarin në krye. Kërkuan për
të tjerë por ishte e kotë. Kufomat u ekzaminuan dhe rezultuan se ishin të polic
Isufit dhe shofer Selimit.
Ceremonia mortore
u zhvillua në
sallën e degës së punëve të
brendshme. Ishin katër arkivole, të Demirit, Ilias, Isufit dhe Selimit, të
vendosur në ballë të sallës së madhe. Njerëzit bënin homazhe pranë tyre.
Qëndronin gatitu para fotografive të viktimave të vendosura pranë çdo arkivoli,
duke nderuar me grusht. Familjarët ishin rreshtuar njëri pas tjetrit dhe
prisnin ngushullimet.
- Ngushullime dhe të
paharruar qofshin!
- Të rrojë Partia dhe
shoku Enver!!
Këto ishin fjalët që
shkëmbeheshin ndërmjet tyre. Në fund arkivolët i hipën në makinën e funeraleve
që u nis për në varrezat
e dëshmorëve. Ata
kishin rënë në
krye të detyrës dhe Komiteti
Ekzekutiv kishte vendosur të varroseshin si
dëshmorë të atdheut.
Një turmë e madhe ishte mbledhur
për t’i përcjellë.
Në varreza mbajti
një fjalim prekës
kryetar Petriti.
Nga ministria mbërriti
radiogrami i mëposhtëm:
“
Shqiponjat fluturuan lart “.
Pas tri ditësh, Petriti
dërgoi një relacion të gjatë në Ministrinë e Brendshme. Pasi parashtroi arsyen
e misionit, ndërmjet të tjerave shtoi:
“ Duke
udhëtuar për të kryer këtë detyrë të rëndësishme, për shkak të shiut që kishte
rënë, shoferi humbi kontrollin e makinës dhe ajo ra në humnerë, duke përfunduar
në det. Nga të katër antarët e ekipit u gjetën vetëm kufomat e dy prej tyre,
policit të nderuar Isuf Tahiri dhe shoferit Selim Bredhi. Oficerët e shquar
Demir Vreshtazi dhe Ilia Ndreçko përfunduan në det. Me gjithë kërkimet
tona intesive, nuk u bë e mundur gjetja e trupave të tyre. “
Çdo gjë ishte kopsitur më
së miri. Për agjentin e
KGB-së dhe bashkëpuntorin e tij, si
dhe për Tatrën që doli
papritur dhe pakujtuar nuk u shkrua asnjë rresht. Askush nuk e mori vesh të vërtetën, madje as vetë viktimat.
XIV
Në qytet ende nuk ishte shuar jehona që kishte
shkaktuar vdekja e papritur e katër punonjësve
të degës së punëve të
brendshme. Hamendjet ishin
nga më të
ndryshmet. Disa
besonin në variantin e shpallur të vdekjes
aksidentale, por kishte edhe disa të
tjerë që mendonin
se kjo ishte një vdekje e paramenduar. Nga
kush? Këtë përgjigje nuk ishte në gjendje
askush ta jepte. Megjithatë
njerëzit pëshpëritnin se diçka duhej të kishte ndodhur.
Lajmi është i çuditshëm.Shumë shpejt ai shpoi
muret e burgut dhe depërtoi në veshët e të burgosurve. Përshtypja që la ky lajm
te ata ishte e ndryshme me atë që kishin ata që ndodheshin jashtë këtyre
mureve. Gati të gjithë të burgosurit që kishin pësuar torturat e tmerrshme prej
tyre, thanë:
- Na i mori Zoti hakun. Ai
vonon por nuk harron.
Ndienin keqardhje vetëm
për polic Isufin.
Ai ishte sjellë
mirë pothuajse me të
gjithë. Vdekja e tij i dëshpëroi se nuk e dinin kë do të sillnin në vend të tij.
Me siguri ndonjë si polic Myfiti, që nuk kishte asnjë pikë mëshire dhe që e
kishte shpirtin katran të zi.
Agroni vazhdonte në qelinë
numër shtatë. Nuk e merrnin më në pyetje. Hetuesia e tij kishte mbaruar që
natën e zezë, kur e kishin ballafaquar me Lumton dhe Ridën dhe tani i duhej të
priste deri sa të mbaronte edhe ajo e pesë shokëve të tjerë dhe pastaj t’ia
kalonin trupit gjykues. Megjithatë edhe kjo pritje ishte një torturë e vërtetë.
Mendonte se sa do ta dënonin. Po shokët si do ta trajtonin?
Pas tre muajsh e lajmëruan se të nesërmen do të dilnin në
gjyq. Atë ditë erdhi berberi që i qethi dhe rruajti.
- Ku do na shpini, më
dasëm? - tha Agroni me ironi.
Ata nuk u përgjigjën. Të
nesërmen para portës së degës u ndal makina burg. Të gjashtë të pandehurit i
nxorrën një nga një dhe i hipën në të. Agroni vështroi Stefanin dhe i tha:
- Stefan, unë nuk kam…
- Tradhëtar! - ia preu ai
me një ton të ashpër.
Agroni heshti.
- Mos flisni më. Këtu
është e ndaluar, - tha njëri nga rojet që i shoqëronte.
Por ata e kishin mbyllur
tashmë bisedën. Pas pak mbritën në godinën e gjykatës. I mbyllën në kafazin e
përgatitur për të burgosurit. Në sallë ishin shumë fytyra të njohura. Midis
tyre Agroni njohu vëllanë e Stefanit dhe një kushëri të Gjergjit, me të cilët
ishte njohur kur kishin ardhur me lejen e zakonshme në kampin e pushimit të punëtorëve. Dalloi
edhe pjesëtarët e familjeve të të arrestuarve të tjerë. Nuk pa as Nënë Gjylon
dhe as Lumton. Sa për Iridën e kuptonte që nuk mund të ishte.
Ajo ishte shumë
e re dhe
kjo skenë nuk
ishte për të. Mungesa e tyre e shqetësoi tepër. Përse familjarët e të tjerëve ishin dhe
të tijtë jo?
Në sallë ishin edhe shumë
punonjës të tjerë të ndërmarrjes. Shumicën e tyre i njihte. Ndërmjet tyre ishin edhe Resuli me Ibrahimin.
- Me siguri kanë ardhur të
dëshmojnë, - mendoi.
Në sallë hyri një burrë
rreth të
tridhjetave, me një
çantë të madhe
në dorë. U drejtua te tavolina e caktuar për prokurorin;
hapi çantën, nxori një numër shkresash dhe u ul në karrike. Agroni e njohu.
Ishte prokurori i rrethit. Kishte studiuar në Kinë. Me të kishte pirë disa herë
kafe. Pas pak hyri edhe gjykatësi, i shoqëruar nga dy ndihmësit e tij, njëri
saldator në uzinën mekanike dhe tjetri agronom në ndërmarrjen bujqësore. Kur
hynë ata, të gjithë u ngritën më këmbë. Gjyqtarët zunë vendet e tyre dhe
kryetari hapi seancën
- I pandehuri Stefan
Gjoka!
Stefani u ngrit në këmbë.
- Emri?
- Stefan.
- Atësia?
- Thanas.
- Mbiemri?
- Gjoka.
- Datlindja?
- 20 tetor 1943
- Vendlindja?
Kështu vazhdonin gjeneralitetet. Kryetari
pyeste dhe Stefani
përgjigjej qetë. Si mbaroi me të, ai thirri emrin
e Gjergjit dhe
kështu vazhdoi me të
gjashtë. Të pandehurit
përgjigjeshin në dukje të qetë.
Pas tij e mori fjalën
prokurori. Ai lexoi për gati dy orë aktakuzën
dhe përfundoi:
- Mbështetur në sa thashë
më lartë dhe duke u bazuar në Kodin Penal viti 1952, i akuzoj përsa më poshtë
vijon:
a. Vënie në shërbim
të KGB-së sovjetike
për përmbysjen e
pushtetit popullor, parashikuar
nga neni 65 i këtij Kodi.
b. Sabotim të ekonomisë së
vendit, nëpërmjet tentativës së hedhjes në erë të turbinës së hidrocentralit,
vepër mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 72.
c. Agjitacion dhe
propagandë kundër pushtetit popullor, ushtruar në radhët e punonjësve të
ndërmarrjes, parashikuar nga neni 73.
d. Pjesëmarrje në
një organizatë kundër
pushtetit popullor,
parashikuar nga neni 76
Prokurori mbylli dosjen
dhe u ul në vendin e tij.
Agroni po mendonte
se si kishte mundësi të
sajoheshin shpifje të tilla.
Kujtonte kohën kur
kishte pirë kafe
me të. I ishte dukur burrë i mirë. Nuk ia merrte mendja që nga goja e tij të dilnin
ato fjalë.
Kryetari thirri emrin e
Stefanit.
- E pranoni akuzën?
- Zoti kryetar! Atë që
keni vendosur bëjeni. Unë nuk pranoj të hy në debat, për shpifje të tilla.
Kryetari vazhdoi të pyeste
të pandehurit e tjerë. Agroni po mendohej se si duhej përgjigjur. Para syve i
dilte skena e tmerrshme. A mund të përsëritej? Në atë kohë gjithçka mund të
ndodhte. Megjithatë hetuesia kishte mbaruar dhe ata tashmë ndodheshin para
trupit gjykues. Ajo skenë nuk mund të përsëritej më. Në fund të fundit të dy
protagonistët e atij veprimi e kishin pësuar. Dëgjoi emrin e tij. U ngrit
dhe po
qëndronte si i mpirë.
- E pranoni akuzën?
- Jo, aty nuk ka asnjë të
vërtetë. Jemi të pafajshëm.
E ndjeu veten të
lehtësuar. Ndërhyri prokurori. Me një ton të ashpër ai filloi t’i akuzojë të
pandehurit për mashtrim dhe dinakëri. Kryetari filloi nga pyetjet për secilin
të pandehur. Por ndërhyrjet e prokurorit ishin të shpeshta dhe gjithmonë dhe më
të ashpra. Të gjithë të pandehurit i përgjigjeshin në mënyrë mohuese akuzave. Tashmë
ishin çliruar nga ankthi i qëndrimit
në qeli
dhe i torturave. E dinin
se rruga e vetme që mund t’i shpëtonte ishte të mos pranonin asgjë
Prokurori thirri
dëshmitarët e akuzës. Një njeri me mend e kuptonte menjëherë se ato që thonin
ata ishin shpifje nga më të ultat. Madje edhe vetë karakteri i tyre përputhej
me ato që thonin. Ishin tipa që vështirë mund t’i quaje njerëz. Megjithatë për
trupin gjykues, akuzat e tyre ishin bindëse. Seanca vazhdoi tre orë. U pyetën
të gjashtë të pandehurit. Kryetari e mbylli seancën, duke deklaruar se tjetra
do zhvillohej të premten, pas pesë ditësh,
në orën dhjetë.
XV
Të premten seanca filloi
në orën e caktuar. Ishte pretenca e prokurorit. Ai nuk la më baltë pa hedhur
mbi ta. I akuzoi për spiunazh dhe terrorizëm, për agjitacion e propagandë dhe
sabotim. Akuzat e tij i mbështeti në të ashtuquajturat dëshmi të bëra
në gjykatë. Foli dhe foli një orë e më tepër dhe së fundi e mbylli ligjëratën me këto fjalë:
- Nisur nga të dhënat e
mësipërme dhe mbështetur në nenet 65, 72, 73 dhe 76 të Kodit Penal, kërkoj
dënimet e mëposhtme:
1 I pandehuri Stefan Gjoka me vdekje me pushkatim dhe humbjen e të drejtave civile përgjithmonë.
2. I pandehuri Gjergji Pano me 20 vjet privim
lirie, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave civile për 13 vjet.
3. I pandehuri Agron Canaj me 15 vjet privim
lirie, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave civile për 10 vjet.
4. I pandehuri Ylli
Nivica me 10 vjet privim lirie, punë të
detyruar dhe humbjen e të drejtave civile për 7 vjet.
5. I pandehuri Gazmend
Shpuza me 8 vjet privim lirie, punë të detyruar dhe humbjen e të drejtave
civile për 5 vjet.
6. I pandehuri Përparim
Seferi me 5 vjet privim lirie, punë të
detyruar dhe humbjen e të drejtave civile për 2 vjet.
Prokurori heshti. Nga sytë
e familjarëve që ishin në sallë filluan të rrjedhin lot. Por nuk nxirrnin zë. I
fshinin me shami dhe lot të tjerë u rrëshkisnin nëpër faqe. Sallën e kishte
mbuluar një heshtje varri. Nuk u dëgjuan as duartrokitje dhe as thirrje
histerike, siç ndodhte zakonisht në seanca të tilla. Dukesh sikur këto dënime i
kishin pësuar vetë spektatorët e asaj çfaqjeje.
Kryetari u
kërkoi të pandehurve
të thonin fjalën e fundit. Ata u
ngritën njëri pas tjetrit dhe, sikur ta kishin bërë me
fjalë, thanë:
- Jemi të pafajshëm!
Ndërsa Agroni foli me një zë të sigurt:
Unë jam
fajtori i vërtetë.
Unë denoncova
shokët e mi që nuk kishin asnjë
faj. Tani përpara jush i hedh poshtë ato akuza, që m’u morën nën një
presion të padëgjuar ndonjëherë. Dënomëni mua se bëra dëshmi të rreme dhe
lerini ata të lirë. Ata janë të pafajshëm.
Kryetari njoftoi se
vendimi do jepej pas një jave, të premten tjetër.
Në makinën burg Agroni iu drejtua shokëve:
- A mundeni të më falni?
- Tani është vonë, - u përgjigj Stefani.
Të tjerët heshtën dhe askush nuk foli më.
Pas një jave ishin të gjithë në sallë për të
pritur vendimin.Midis tyre edhe nënë Gjyla, të cilën e kishte lajmëruar Syrjau
për gjyqin.
- Biri im! - pëshpëriti ajo kur ata u futën në
sallë.
Nuk qau, as uluriti.
Trupi gjykues hyri në sallë.Të gjithë u ngritën
më këmbë.Kryetari lexoi vendimin. Pasi bëri hyrjen e zakonshme, duke vënë në
dukje akuzat që rëndonin mbi të pandehurit, së fundi lexoi edhe vendimin:
Stefani me vdekje me pushkatim, Gjergji me pesëmbëdhjetë vjet burg, Agroni me dymbëdhjetë , Ylli me tetë , ndërsa
Gazmendi dhe Përparimi me nga pesë vjet. Pasi komunikoi dënimet kryetari komunikoi:
Të pandehurit kanë
të drejtë që
brenda një
afati prej pesëmbëdhjetë
ditësh të ankimohen
në Gjykatën e Lartë në Tiranë
Mbylli dosjen
dhe trupi gjykues
u largua. Rojet filluan të nxjerrin të pandehurit nga salla.Një zë u dëgjua papritur:
- Ndaluni, dua të takoj
djalin. Kam të drejtë ta takoj.
Rojet qëndruan. Asnjë nuk
guxoi të ndalonte nënën. Ajo u afrua, përqafoi të birin dhe e puthi në ballë.
- Qëndro si burrë bir,
burgu për burrat është.
- Si je nënë? Si janë
Irida dhe Lumtua?
- A je i fortë bir?
- Përse nënë?
- Për ato që do të dëgjosh.
Agroni u drodh. Fjalët e
s’ëmës e tronditën. Diçka e jashtëzakonshme kishte ndodhur.
- Tregomë! Ç’ka ndodhur?
- Ka ndodhur ajo që s’ta
merr mendja.
Një zë i dridhur dhe gati
i mekur doli nga goja e tij:
- Çfarë?
- Lumtua dhe
Irida fluturuan bir,
fluturuan në qiell te Zoti i
madh!
Për pak
u rrëzua për
tokë. Ylli me Përparimin
e mbajtën. Filloi të
qajë me ngashërim. - Mos qaj bir. Burrat nuk qajnë.Shikomë mua.Jam filli
vetëm dhe jam
prap e fortë. Kështu duhet të
jesh edhe ti. Unë do të pres. Nuk do të vdes deri sa të dalësh ti. Ikni tani dhe iu qoftë rruga e mbarë!
U nisën. Në makinë Stefani i tha:
- Më vjen keq për çfarë
të ndodhi! Të
dyja ishin engjëj të vërtetë. Së shpejti edhe unë do të marrë atë rrugë.
Kështu e ka bota.
Pas një
muaji erdhi përgjigjja
e Gjykatës së
Lartë. Dënimi
i kishte mbetur
aq sa e kishte dënuar gjykata e rrethit.
Po Stefanit? Po shokëve të tjerë? Nuk dinte asgjë.
Një natë,
kishte kaluar mesi i saj, dëgjoi
zhurmë hapash dhe zinxhirash në korridor. Dëgjoi një zë:
- Je bërë gati?
- Gati jam!
Njohu zërin e Stefanit. U
drodh. Kur hapat u afruan në qelinë e tij, Agroni thirri:
- Stefan falmë!
Nuk mori përgjigje. Ai nuk
e kishte falur.
Pas një jave Agronin e
dërguan në kampin e punës së detyruar të Spaçit.