Kulturë
Afroviti Gusho: Dy botë – libri himn për vajzën shqiptare!
E enjte, 01.08.2019, 08:34 PM
Dy botë – libri himn për vajzën shqiptare!
Libri
“Dy botë” i shkrimtarit Elvi Sidheri është dashuri për botën si një e tërë, por
edhe për copëzat e mrekullueshme të së tërës. Stili i veçantë, përshkrimet plot
jetë e larmi të vendeve të ndryshme, shumë të bukura..., të vjen të presësh
biletën e të nisesh për udhë...
Nga
Afroviti Gusho
Kush
nga ju e ka përjetuar atë periudhë të vitit 1999, njëzet vite më parë, kur
lufta në Kosovë detyroi qindra e mijëra banorë të linin shtëpitë e tyre e të
strehoheshin në kampe refugjatësh në Shqipëri e Maqedoni? Këtu zë fill romani i
Elvi Sidherit “Dy botë” duke na prezantuar personazhin kryesor Livian.
Në
moshë shumë të re, vetëm 17 vjeçe, kishte njohur dhunën në familje, dhunën që i
ati, një njeri i alkoolizuar dhe me vese ushtronte ndaj nënës së saj, një
artiste e njohur e skenës. Pas vdekjes së parakohshme të së ëmës, Livia
vazhdonte të përjetonte dhunën psikologjike të njerkës, vajzës së saj dhe
babait të degraduar nga alkooli.
Ndërkohë
kishte gjyshërit nga e ëma që i mbushnin zbrazëtinë e dashurisë familjare me përkushtimin
e fisnikërinë e tyre të pafund.
Livia
ishte nxënëse tek shkolla e mesme e gjuhëve të huaja në Tiranë.
“Livia fliste tashmë
rrjedhshëm italisht, anglisht, spanjisht, e ndërkohë digjej nga dëshira për të
mësuar gjithmonë e më tepër gjuhë të huaja, duke e patur prirjen për gjuhët, jo
vetëm shtysë të natyrshme të brendshme, por edhe një synim jetësor në vetvete,
përveçse rrugëdaljen më të praktikueshme nga këneta shtëpiake dhe familjare ku
ishte e detyruar të pluskonte prej disa vitesh, pavarësisht vullnetit të saj.”
(fragment nga romani)
Livia
do të dilte nga këneta ku jeta e kishte zhytur në moshë aq të re, me shansin që
iu dha të punonte në kampet ku kishin ardhur nëna, fëmijë e pleq, që kishin
parë me sytë e tyre tmerret e luftës në Kosovë. T’i ndihmonte ata u bë një
mision i madh për Livian, mbështetja ndaj këtyre njerëzve të vuajtur e të
traumatizuar e shoqëroi edhe në vitet më vonë, kur iu desh të ikte nga vendi i
saj i dashur për të dalë në botën e madhe!
Në
faqet e romanit ndoqa me një frymë udhëtimin e Livias, për t’u përballur me atë
çka i kishte rezervuar jeta e fati. Kjo vajzë e brishtë shqiptare mundi të
kalojë një rrezik të madh siç ishte në ato kohë tranzicioni të egër, trafikimi
i grave e vajzave, gjeti forca në karakterin e saj të ndiqte ëndërrat për të
njohur botën, veten, për t’u rritur çdo ditë duke studiuar dhe duke mësuar,
duke ndjekur pasionin e saj për gjuhët e huaja, për letërsinë dhe shkëndijën e
fshehur të krijimit.
Livia
është e bukur, e mençur, një vajzë me shpirt të dlirë që shndërrohet në një
grua që e do të bukurën dhe do ta eksplorojë atë në shumë vende të botës, tek
vendet e bukura buzë detit, tek poezia, tek librat, tek studentët e saj që
presin me entuziazëm të njohin atë botë të magjishme të artit e letërsisë.
Ashtu
si ajo lehtësoi vuajtjet e njerëzve në kampin e viktimave të luftës, ashtu
njerëz të tjerë rreth saj e mbuluan me dashuri e përkujdesje, duke bërë që ajo
të zbulonte një bote edhe më të madhe, botën e dashurisë.
Duke
ndjekur Livian në rrugëtimin e saj zbulova një thesar me vende të panjohura,
duke pasur shpesh ndjesinë se po lexoja një enciklopedi.
Libri
“Dy botë” i Elvi Sidherit është dashuri për botën si një e tërë, por edhe për
copëzat e mrekullueshme të së tërës. Stili i veçantë, përshkrimet plot jetë e
larmi të vendeve të ndryshme..., të vjen të presësh biletën e të nisesh për
udhë...
Libri
“Dy botë” i përkthyesit dhe poliglotit Elvi Sidheri është dashuri për të
bukurën, mishëruar tek personazhi kryesor Livia, kësaj vajze shqiptare, që
autori me shumë bujari i ka dhënë një dimension të jashtëzakonshëm.