Kulturë
Blerim Rrecaj: Gëllënjka gjelbëroshe
E merkure, 31.07.2019, 07:49 PM
Gëllënjka gjelbëroshe
Nga
Blerim Rrecaj
Në
një hapësirë rrethore diku në kryeqytet, rreth një trungu të dudit kanë mbetur
shenja të zeza por që janë zbehur e po treten dita-ditës, pas rënies e mbase
dhe pas shkeljes së këtij fruti kokërrzi. Dudat u hanë, ranë, u shkelën me a
padashje, u thanë, e gjurmët mbetën, edhe të kokërrbardhëve ndoku tjetër, siç i
pamë. Sa për të na kujtuar diçka rreth tepsiave e troshave, po edhe fjalë e
shprehje me ton tallës disi të pak-kuptueshëm e të pak-përcaktueshëm si: o dud,
paskan filluar të piqen dudat, e ndonjë tjetër. Po, na erdhën nëpër mend dhe të
tjera kaftjalle e dreka pëllumbash, harabelësh, sorrash, korbash, shpezësh e
insektesh me a pa krahë, lëvizëse, ecëse e bredhëse që s'u zihet vendi vend. E
rreth ca trungjeve të kajsiave duken këto hedhje uji a plasteline (varet nga
ç'këndvështrim i shohim) të verdha e të kuqëlimta të kokërrkajsiave të rëna e
të shkelura, të ndrydhyra, bërthamë e kockëzbuluara që rrijnë ngjitur për
asfaltin paksa të pluhurtë, ku ndonjë pikë nafte, benzine, vaji motorik, a vaji
gjellërash, shiu do t'i shndrrojë në ylberë toke, balte e asfalti, që do kemi
mundësi për t'i prekë e për t'i shkel, diçka që na ngjet tashmë si zënia filli
e ndonjë legjendë urbane. Lëmë pak mënjanë legjendat për t'u ndal rreth një
trungu të blirit ku qëndrojnë për të, të përqafuara ca fije sa gishti e që
duken si thupra shelgjesh, të mbështjellura lehtë me tel për një dru mbajtës
(si hu gardhi) e që vazhdojnë përpjetë, e ku kanë lulëzuar këto fryte lulesh,
një përzierje mes të kuqes e të verdhës qëndrojnë nëpër degë e gjethe lulerëna
të tij si një koktej i përzier me dredhëz e pjeshkë. Ndërsa diku më tej gjethet
e gjelbërta plot lëng me damarë të bardhë gjak e qelizëshpërndarëse, të një
trungu arre e një trungu ftoi janë përputhur rreth zonës kufitare, e këto
trungje janë nja gjashtë metra larg njëri-tjetrit, i pari gjigand e i dyti as i
madh e as i vogël, ndërsa jo larg ftoit në kthesë rri kjo dardhë, paksa e
veçuar duke përgjuar bashkëbisedimin e të lartpërmendurave gjethe. E era që
fillon do t'i bëjë me të dridhura e me ethe, do u shtojë pëshpërimat që
dëgjohen edhe pse duken se i flasin në vesh të njëra tjetrës. S'është çudi,
ndonëse e këndshme kjo ngjashmëri ku sikurse era kur fillon tingujt, e kënga e
ripërpunuar e "Gjurmëve" dhe e "Mc-Kreshnikut". Kokrrat e
arrave duket që flasin me kokrra ftonjësh mbuluar me shtresë të hollë
'pluhurime' ngjitëse që flasin për rrugën deri ku kanë arritur, duke kujtuar
rrugëtimin e derikëtushëm. Më vonë udhën seç ta zënë këto manaferra të kuqe,
por shumica prej tyre ende të gjelbërta vështrojnë nga rrugët ku kalojnë
kalimtarë me e pa makina, njashtu siç të dolën pak më parë nja pesë gjashtë
trungje domatesh aromëkëndshme, si lloj parfumi perimesh për të kujtuar, se ata
që do piqen do zënë vende sofrave e tryezave, ndërsa të paskuqurit e të
papjekurit do mund të bëhen pjesë nëpër tinarë turrshishë. Ja, dhe kjo bletë në
këtë hapësirë kryeqyteti, na tërheq të ndalemi sa më gjatë këtu, e ndoku do
jemi të detyruar të trembim ndonjë mizë a shushunjë, anëz e mbase dhe ndonjë
grajz. Diku mes shiritëve rrugorë hapësirëblertë me drunjë, që mirë që janë e
mirë qofshin e nga stuhitë, duart a makinat mos u shtrembërofshin. Te një
kryqëzim semaforësh, gjatë kalimit nëpër zebra, dëgjohen tri-katër teshtima të
njëpasnjëshme. Një kamionetë lulëzuar me emrin e një lulishtjeje anashkalohet
dhe është duke bartur këto lule nëpër vazo. E në kryeqytet jo fort larg
njëra-tjetrës qëndrojnë stoikisht kioska mallrash, po edhe kioska xhamash të
tejdukshëm librash e lulesh, mbi të cilat zbardhin mëngjeset, vazhdojnë ditët,
aterojnë muzgjet, gërhasin netët...