Kulturë
Albert Habazaj: Pse shkoj në mal?!
E marte, 02.01.2018, 05:59 PM
Cikël poetik “Pse shkoj në mal?!”
Nga Albert HABAZAJ
ULLIRI I MIRËSISË
Një lule me vargje për shenjtërimin e Nënë Terezës (26.08.1910-05.09.1997)
Sot, kur nga veset po kërcënohet Planeti,
Egoistët behin si shumëkëmbësh të xhelozisë,
Sot, kur jetim e i braktisur ndihet Deti,
Ngrihet me përkushtim Nëna e Dashurisë.
Pikërisht kur bota e skamur, e mjeruar
Mbeti pastrehë, e sëmurë, sakate,
Ngrihet simboli human i vetëmohuar
Me frymën e shenjtë për miliarda fate.
Bota e mirë është e varfër, rënkon,
Vuan për dinjitet, dhe për koren e bukës,
Edhe pas njëqind vjetësh nuk prehet, s'duron,
Ngrihet në amshim Nënë Tereza e Kalkutës:
“Këtu është një jetë”- flet e ngroh ëmbël
Me butësinë e vërtetë qiellore,
Anjeza jonë, Gonxhe Bojaxhiu zemrën
Edhe shpirtin e mbush me lule pranverore...
Dhe Shkupi, dhe Shkodra, dhe Vlora, Shqipëria
Ndihen mirë për rrënjën e tyre që çeli,
Përderisa me të krenohet dhe India,
Baca Kolë e ti, Drane FALEMINDERIT!
Si ajo shqiponja që fluturon mbi mjegull
Nënë Tereza drejton shikimin drejt diellit,
Si engjëll e qenie e lartë hyjnore
Vjen si burim drite i mendimit të Qiellit.
Se dhe dielli ka varr vetëm dritën e tij,
Ai mund të vetëasgjësohet, nuk vdes;
Nëpër shekuj Nënë Tereza thur fisnikëri,
Përmbi shekuj Ulli Mirësie do të mbesë!
Nderim për mikun tim, gjuhëtarin, pedagogun,
Prof. dr. Thoma Dhima (04.04.1952-20. 01. 2016)
U tkurra trishtuar si një fije bari,
Kur mora vesh një nekrolajm,
Si ai bari në të ftohtët e janarit,
Janarit, që na mori gjuhëtarin me pjalm.
Me pjalmin e sintaksës ngarkuar,
Si bletët që mbartin pjalmin ndër lule,
Thoma Dhima si burim yjor zbukuruar
Në amshim shkon. Na hidhëron tek ulet…
Nuk e kisha kushëri, s’e kisha vëlla,
Për dritën e guximit e nderoja fort.
Më loton vargu, profesor Thoma,
Sytë e sintaksës mbushen me lot.
NDERIM DHE DHEMBJE PËR POETIN KOÇI PETRITI
(1941-2014)
U trondit pranvera, dhe lulja, dhe prilli,
dita e Pashkës papritur u lëkund,
u ngroh më dhembshur me erë pelini,
lirikat e majit fluturuan gjithkund.
Lotoi lulja, me ngashërim pranvera
dhe unë u tkurra, u mpaka, qava,
me lot e lule u mbush atmosfera,
në zjarr të baladës lotët i thava.
Profesor Koçiu si antropologji poetike,
përjetësisht imazh i zogut të dallgës,
drithërueshëm iku si një trishtim drite,
Liriku i Kombit në krahë të baladës.
RANË GJETHET
Legjendave tona u ranë gjethet,
iu thanë ato fletët e verdha,
nuk u thanë legjendat legjendare,
rrënjët e tyre ishin aq të thella.
Rrënjët e tyre janë thellë nën tokë,
nën dheun e babës, nën dheun e nënës,
atje ku këngës i buron ëmbëlsia,
atje ka marrin ritmin rrahjet e zemrës.
Ranë gjethet e legjendave tona,
lëshuan sythe, lastarë të gjelbër,
të ecim në këmbë, edhe pse është vonë,
për të mos rënë qorrsokakëve nesër.
NË KUBLIN E POETËVE PA KLUB …
Të shpërndarë si bletët e trembura
Mblidhemi ne, poetët në klub
Dhe derdhim në grykët e grisura
Konjakun me ngjyrë e llum.
Bashkë me karrocierët e berberët
Poetët në klubin e vjetër,
Ku era hyn del si bukuroshe
Zbërthyer lehtë fustanin në qoshe …
Një klub poetësh jemi ne,
Po një klub, as sa një kuti shkrepëse,
Kurrë s’e kemi,
Ndaj qeshin karrocierë e berberë,
Kur vargjet
Mbi buzët i ndezim …
Pse shkruaj poezi, pyes veten shpesh,
Pse shkoj në mal, të më shqyejnë bishat/!
Shkëmbinjtë e rrezikshmë do t’i kap prej flokësh,
Në mal do të shkoj se i duapishat.
E dua blerimin, që shkëlqen nga shpresat,
Kurrë nuk u qasem përrenjve me llum,
Edhe sikur asnjë libër fare mos të botoj,
Ta lë modestimnë, poet ngelem unë.
Fatkeqësinë e vjershave të mia
E kuptova kur njoha dinakërinë
Kur me varakë të shpifur hipokrizia
Dashka t’i fshi supet, ta mbaj në shpinë.
Redaktimin me rregullat e kornizës
Që përtej bie era parfumeri,
Me vargje të vakëta akuariumi
Më bëjnë të thyej penën,
të dal në stuhi ...
pyes veten shpesh: poezi pse shkruaj?
Në mal pse shkoj për t’u shqyer me bishat?
Do t’i kap shkëmbinjtë e rrezikshëm për flokësh
Do të shkoj në mal, i dua shumë pishat ...