E hene, 29.04.2024, 06:49 PM (GMT+1)

Kulturë

Shefqet Sulmina: Profesori

E marte, 02.01.2018, 10:37 AM


PROFESORI

Nga Shefqet Sulmina

Në çdo prag të shkallëve kishte një lule të re. Në çdo hap që bënim zgjohej një tingull i ri nga hapet e ne të treve. Në ballkon me ranë në sy ca vazo porcelani e të mbushur me trëndafila. Ishte maj dhe trëndafilat kishin çelur. Të bardhë, të kuq, të mëdhenj, me petale të dendura dhe plot aromë. Nuk e di sepse duke parë ata trëndafila, më ranë prapë sytë mbi gjoksin e gufuar të Marinës. Dija që burrat i bin shpesh gjoksit, por nuk dija pse i binin gjoksit gratë. Të mburrësh për lulet që rrit, unë mendoj se është më bukur se të mburrësh... Më dukej sikur kishte diçka të ngatërruar midis parfumit që Marina përdorte dhe këtyre trëndafilave që lulëzonin nga ujitja e kujdesi i dorës së saj. Trëndafilat që varëshin në kangjellat e ballkonit të ftonin në një enigmë që të tundonte ta njihje. Doja ta pyesja Marinën në e kishte lexuar Sadiun. Dija që Vjosa e kishte lexuar. Dhe jo vetëm kaq, kur më ktheu librin, deshi që unë ta puthja. Nuk i pata treguar atë kohë, se libri nuk ishte imi, por i një miku. Libri ishte i rrallë dhe unë ja dhash asaj ta lexonte, jo për rrallësinë e tij, por për dashurinë e njerut për lulet dhe fjalët.

Prita të më shpaloseshin me dhjetëra tablo e piktura në muret e shtëpisë së Marinës, por rrethe rrotull, më shumë kishte ngjyra të gjalla lulesh, se sa piktura. E, ndërsa vazhdonim të hidhnim ndonjë hap të ngadaltë, një tjetër parfum i përzierë me erë duhani dhe erë lulësh, me rroku hundën dhe ndau parfumet e Vjosës dhe Marinës.

-Kush është tjetër me ne sonte? - pyeta Marinën duke vënë re një portret interesant të një burri me flokë të thinjur dhe cigare në gojë.

Marina tregoi me kokë nga portreti që po shihja duke qeshur.

-Është, babai kishte ardhur që para tre orësh, por unë nuk e kisha dëgjuar thirrjen e tij në det. E ke para syve, mund ta përshëndetsh, - tha ajo për pikturën e tij në mur dhe njëkohësisht duke i thirrur atij:

-Vieni, papà! Vieni se proprio vuoi parla pure italiano. (Eja baba nëse do që të flasësh, fol në italiane).

-Allora si mangia italiano, - thashë unë.(atëherë hahet gatim italian), -duke parë nga Vjosa.

-Però il vino francese, (vera fanceze), - më thumboi Vjosa si mua dhe Marinën për italishten e përdorur dhe për të kujtuar se ishim në Francë, pra në franceze.

-Pse nuk i ke mbushur plot me piktura muret?

Vjosa vuri gishtin te syri i djathtë, Marina qeshi.

-Shtëpia nuk është dyqan dhe galeri arti, as studio.

Nga shkallët, që me sa duket të çonin në kantinë, po ngjitej një burrë i gjatë si ai i pikturës në mur, me një shishe vere në dorë.

-Është...- deshi të prezantonte Marina babanë e saj, që vetëm sa na ngriti dorën dhe hyri në derën e hapur që duhej të ishte salla e ngrënies. Dyert ishin të shumta dhe të hapura dhe shpërndahej një ajër i këndshëm edhe pse i ftohtë. Marina e pezmatuar paksa nga gjesti tepër i lehtë i babait, po më dukej edhe e bukur, madje edhe Vjosa dhe i bëra me dorë në mund të vazhdonim.

-Prego!- tha Marina në italisht.

Vjosa i ra me sy Marinës që e përsëriti fjalën në frëngjisht. Babai i saj ngriti kokën i habitur dhe unë duke u ulur në njërën prej karrigeve, ju drejtova Vjosës:

-Përkthej unë.

-Kur hahet, nuk flitet, - tha babai i Marinës duke mos e kuptuar shqipen me të cilën ju drejtova unë Vjosës.

-Pse? - pa Marina nga i ati. - Neve nuk jemi duke ngrënë.

Në tavolinën e shtruar bukur dhe pastër ishin vënë antipasta. Një kane me ujë, në një gjym të vjetër argjendi një shishe shampanje, më tutje një qiri i ndezur. Ndërsa unë po mendoja se ky njeri është personazhi koprrac Grande i Balzakut, për këtë mbrëmje dhe u kujtova se në një banket nuk shkohet me idenë e ngrënies, por të argëtimit dhe desha t'ia ia kujtoja babait të Marinës, por babai i Marinës, sikur ta kishte përpirë me hundë mendimin, tim mori fjalën:

-Sepse me sa shoh unë, - ai vuri buzën në gaz, - nuk do të

këtë në tryezë meny ushqimi, por gjuhësh. - Nga vjen ti? - mu drejtua ai duke më bërë shenjë që ti afroja gotën, të më hidhte verë në gotë.

-Nga Shqipëria, - dhe vura dorën mbi gotë, duke i thënë se nuk doja të më hidhte vere. - Pija për mua pihet për qejf dhe unë e doja të kuqe, - shtova duke hequr dorën.

-Po ju? - ju drejtua ai Vjosës.

-Nga Shqipëria, - tha Vjosa.

-Çfarë pi?

-Ujë. Verën e pi të kuqe, të bardhë dhe rozetë, madje kur isha e vogël babai im më thoshte do ta provosh një gotë raki duke uruar mysafirët? sepse për vete e pinte me opingë.

Nuk mundesha tija përktheja fjalë e për fjalë në italisht, bëra si bëra. Marina qeshi, ai vazhdoi pa e kuptuar që unë nuk i thashë ato çka tha Vjosa. Edhe Vjosa nuk e zgjati. Po Marina si ajo makina elektronike e të vërtetës, e kapi nga stopimi im për një çast dhe mimika e fytyrës sime e vështirësisë së përkthimit. Shumë herë kam menduar se nga një gjuhë deri në tjetrën ka një det të madh ndarjeje që i jep një kombi pikërisht atë çka e dallon një komb. Shumëkush përpiqet ta dalloj një komb nga kufijtë, por gabon. Ne sonte dallojmë nga gjuha dhe babai i Marinës pati të drejtë kur tha se çfarë gjuhe do të hamë sonte. Ndërsa unë kisha pyetur Vjosën se çfarë kuzhine do të hahej tek mikja e saj dhe me sa duket tani edhe mikesha ime. Ka ca gjëra që njerëzit i miqëson shpejt. Këtë e marrë me mend me intuitën time. Ne jemi më të rinj se babai i Marinës dhe duhet të mësojmë vazhdimisht. Më kujtohej se kisha dëgjuar njëherë se nuk dëgjoheshin fjalët e një të huaji, por si nëpër mjegull të largët dhe nuk di se nga kush. Por unë nuk do ti besoja shumë ato fjalë përzier me mjegull, sepse kam terë jetën time që komunikoj çdo ditë me njerëz dhe hapat e mi të rinj. Më kujtohet se një mbrëmje, nga mbrëmjet e shumta, kur bënim në Elbasan takimet javore letrare, pikërisht unë për herë të parë fillova të ngacmoj Vjosën nga këmbët, Bahriu, mësuesi, që më sa duket përthithi diçka nga kjo marrëzi, më pyeti duke qeshur:

-Më thuaj një metaforë për kuptimin e forcës?

-Thembra e Akilit, profesor, - thashë dhe të gjithë qeshen. Qesha edhe unë qe e gjeta aq shpejt. Unë po merresha me këmbët e Vjosës...

Tani duke bërë këtë lojë me Vjosën, të shkeljes së këmbës, më duket se e qeshura e tyre, kishte qenë ironi për mua, sepse unë në fakt nuk kisha gjetur gjë. Sepse komunikimi im me këmbë nuk tregonte kuptimin forcë, por komunikim, fjalë... Po unë nuk kam ndërmend të ç'mitizojë figura antike dhe të mitizojë këmbën e një gruaje të gjallë, apo tu thosha se forca nuk gjendet veç tjetër, se në dialog e në mendim. Babai Marinës ka ndërmend të na zhdëp mirë sonte. Më vinte ndërmend një mësues rus, një personazh i shkrimtarit Gogol, kur mësuesi vinte mbi tavolinë për nxënësit e tij një purtekë dhe petulla. Nxënësit shumë shpejtë me intuitën e tyre fëmijërore e kuptuan se ishte më mirë të mësoje, pa e ditur ende pse duhej mësuar, sepse pikërisht këtë po mësonin, por edhe për shijen e mrekullueshme të petullave që hanin. Të gjitha këto doja tua thosha edhe Vjosës edhe Marinës, që nuk e kuptonin këtë sjellje të këtij babai, i cili e kishte për llogarinë e kësaj darke të llogaritur nga ne vetëm për tre... Dhe siç duket për të mund të ishte krejt ndryshe.

-Ç'deshe që ke ardhur këtu zotëria juaj? - ai, mua.

-Po ju?

-Unë kam ardhur për vajzën time.

-Edhe unë, - i thashë, - për vajzën time kam ardhur.

-Cila është vajza juaj?

-Nuk është faji im që nuk u prezantuam.

Ai hodhi sytë nga e bija dhe u panë sy më sy. Të njëjtën gjë bëra edhe unë me Vjosën, por kjo e fundit me shkeli paksa këmbën. Edhe unë e preka më këmbë dhe e pyeta babanë e Marinës se mund të më hidhte verë.

-Jo, jo, - tha ai nëse ju pëlqen e kuqe, ju pëlqen e kuqe dhe i bëri shenjë Marinës.

-Pse nuk ju pëlqen të pini të bardhë?

-Më pëlqen të pi, por verë të kuqe, kur nuk kam të kuqe, pi si kjo që pinë ju, të bardhë.

-Edhe me peshq të pjekur në zgavër.

-Po kur nuk kam?

-Më thanë se vini nga Lago di Garda?

Vjosa më preku këmbën, për të më thënë “se është interesant” ky babush.

-Po.- thashë duke rrokur njëherësh edhe fjalët e e tij, edhe këmbën e Vjosës.

-Kam qenë disa herë atje dhe mbetëm me mendimin të vi prapë, sepse është liqen i bukur. Është një ndër perlat më të bukura të Italisë veriore, - zbuti disi pamjen e tij të vrazhdë dhe hapi shishen me verë të bardhë.

Në derë u shfaq Marina me një shishe vere të kuqe dhe ja la në dore të atit që i vuri sytë të lexonte vitin. Pasi e lexoi psherëtiu, të njëjtën psherëtimë që lëshoi Marina kur e pyeta për camperin dhe kur hapi derën e tij. Është e vitit, 93, duhet të pëlqej nuk është një kryevepër, por e mirë. Ai deshi të shtoi diçka, por me sa duket ndërroj mendje në çastin e fundit duke vënë shishen mbi tavolinë dhe pashë se filluan ti lageshin sytë.

-Po flisnim për lago di Gardën. Në do, - unë pashë nga Vjosa, Marina dhe së fundi nga ai, - mund të na japësh të pimë edhe nga vera e bardhë.

-Po, po. Po flisnim për lago di Gardën dhe lëshoi sytë e lagur nga e bija...

-Papà! Tani nuk është koha për aperitiv! Unë solla verën, por ti marrim me radhë gjërat.

Vendosa te pija vere të bardhë bashkë me të. Marina gatuante, duke ndjekur me vëmendje bisedën tonë. Të njëjtën gjë bënte edhe Vjosa që më kishte vënë këmbën e saj si putër ariu mbi këmbë duke e përdorë njëherë si frenë dhe një herë si gaz. Më erdhi ndërmend fjala “freksion” tek makinat. Fre... i thash vetës.

-Po, po,- tha, - Vazhdo! - dhe kaloi pecetën e buzëve në sy duke kthyer kokën në anën tjetër duke u shoqëruar nga shikimi i Marinës, ndërsa unë e Vjosa bëmë sikur nuk e pamë dhe po kërkonim ndonjë pikturë nga pikturat e rralla në mur.

Babai i Marinës, nuk ishte kaq i fort sa u duk në minutat e para dhe ne nuk kishim pirë asnjë pikë vere, veçse kishim folur për verë dhe ishim prezantuar me gjak, por drejt. Prezantimet

ndonjëherë janë shabllonë, nuk janë prezantime... Mendova se babai i Marinës ishte një copë burrë. Një shprehje popullore thotë” Kij mëri, por jepi hakun” Ai mori hakun e pyetjeve që na bëri, dmth nderimin tim.

-Lasagna con panna, carne e funghi! (Byrek me salcë të bardhë pa kripë, mish dhe kërpudha) - tha Marina, - por, një minutë! Dhe nëse nuk ju pëlqen, ajo sidomos mu drejtua mua, ka edhe gjëra të tjera.

-Bravo! - tha babai i Marinës.

Unë me Vjosën dhe Marinën përplasëm duart, pak për inerci e për tu zgjuar se ishim. Marina filloi të mbushte tavolinën me dy lloje pastash, tre lloje mishi dhe fruta të llojeve të ndryshme dhe së fundi ja kishte qëlluar me “Maqedonia”.

-U bënë dhjetë vjet që nuk kam dalë më andej nga liqeni, - me bërrylat e mbështetur në tavolinë dhe mjekrën e mbështetur në duar. Të njëjtën gjë pothuaj bënte edhe Vjosa. Unë rrotulloja sytë në mure. Po prisnim të ulej dhe Marina e cila nuk e zgjati dhe u ulë duke filluar lutjen...Ne ndoqëm Marinën me sy dhe kur pamë që ajo mbaroi gjërat e saj, ngritëm gotat të katër:

-Cin! Cin!

-Si i thonë cin-cin në albanese? - pyeti babai i Marinës.

-Gëzuar! - tha Vjosa.

-Nuk ka shqiptar në Romë, - thashë unë dhe pse edhe ai, edhe unë e dinim që kur hahet nuk flitej, sepse e kishte thënë ai që në fillim kur qemë ulur në tavolinë dhe e harroi...edhe ai, edhe unë.

-Ka, por unë nuk i njoh, - tha ai.

-Nuk te ka rastisur apo nuk të kanë interesuar?

-Te dyja. Nuk i njoh! - tha ai duke venë pirunin e mbushur në gojë krejt i qetë nga fjalët e thëna, paditur që indiferenca e tij na preu si mua e Vjosën, por edhe Marinën vete.

-Atëherë qenkemi njëlloj,- thashë duke ngrënë edhe unë, por me kokën ulur. Marina me Vjosën përtypeshin ngadalë.

-Po. Prandaj shkenca ka zbuluar adn-në.

Vjosa prapë më shkeli këmbën, nga ky driblim i papritur i babait të Marinës, si për të më kujtuar që të kisha “kujdes” ose

“nuk e ha dot” ose... Ta kalli...

I dhashë, një takë këpuce Vjosës, në kuptimin, më lerë ti të paktën.

-Por më përpara ishin pasaportat, - thashë, por e dija që nuk më bënte të fort, kjo shprehje.

Një person është i fort me shtetin e tij, por jo unë me timin, duke e parë në aspektin e copëtimit të këtij të fundit. Re të errëta mu duk se më kalonin nëpër kokën time dhe shtetin tim, i cili as unë dhe as ai, ishim në gjendje ti jepnim forcë njeri-tjetrit. Ato re të zeza kalëronin kokën time dhe kohërat me romakë të vjetër, bizantinë, otomanë e më ngrinin në kokë në formë treshi të përmbysur e të brumëzuar. Koha merrte përmasa gjigante të një arkivoli që nuk kishte gjetur kurrë kohë as për tu varrosur dhe as për të vdekur, sepse qe të varrosesh duhet te vdesësh...Por kombet nuk kanë lindur për të vdekur.

-Pasaportat kanë bërë shtetet. Shkenca nuk ka të bëjë me shtetet.- mbaroi ai lasagne-n.

-Po shtetet kush i bëri?

-Nuk e di, unë kur linda e gjeta shtetin, - ai u zgjat paksa mbi tryezë dhe trokiti gotën time me të tijën.

Prita të më godiste Vjosa më këmbë, por ajo heshti. Ajo e Marina na shihnin të dyja në çdo fjalë e gjest sikur shihnin ndonjë film me copëza shpjeguesesh shumë të errët.

-Unë gjeta gjysmën. Po në fakt, kush duhet ti bëj shtetet? Dhe pse duhen?

-Shtetet i bën gjuha, i bën gjeografia, i bëjnë njerëzit. Edhe rregullat e bëjnë shtetin. Zanafilla e shtetit janë rregullat...dhe është mirë të pimë se sa të fjalosemi.

-Pimë! Sa pini ju? - e pyeta unë.

-Pi sa më pihet.

-Po pasuria nuk i bën shtetet?

Ai heshti. Unë ktheva gotën, sytë e tij dhe të dy grave më panë të habitur. Vjosa e Marina bënin sikur pinin duke lagur ndonjëherë gojën me verë dhe ujë përzier bashkë.

-Unë pi se jam më i ri nga ti dhe kam më shumë probleme, - thashë sepse ai nuk më ktheu përgjigje për pyetjen time.

-Në të pihet, pi, -ai mbushi gotën time dhe të vetën. - Nuk besoj se me pije do të zgjidhesh problemet. Nuk është problemi se je më i ri ,problemi është se mplakësh shpejt. Pasuria i ka prishur, ndonjëherë kombet, - ndërroj ai mendimin dhe pa se shishja me verë të bardhë qe mbaruar dhe ju lut Marinës ta largonte nga tryeza. -Kur një komb është i pasur dhe nuk është solidar me tjetrin, prishet. Prish ndërgjegjen. Kështu ndodh edhe me ne, - ai pa nga e bija që pohoi me kokë dhe filloi ti qeshte fytyra. -Linden rregullat, pastaj shteti. Nuk u respektuan rregullat, pastaj shteti.

-Edhe unë kam flokë të thinjura, - Vjosa më shkeli këmbën se nuk donte qe unë ta përmendja, sepse nuk kishte ndonjë kuptim ,- po ti sa vjet ke?

-Nuk pyetet për vitet, - dhe rrëkëlleu ai gotën.

Mbarova dhe unë timen dhe mbusha prapë dy gotat me verë të kuqe, të tijën dhe timen. Hodha një sy nga Marina e Vjosa që më thanë “jo” me gjeste dhe të habitura, sidomos nga Marina që ishte mësuar me njerëz modest në të pirët, por që pinte edhe vetë, por jo çuditërisht sonte. Siç duket po i bënte përshtypje i ati më tepër, se sa unë, të cilin e njihte që nuk pinte dhe mua për herë të parë sot me një drekë në restorantin e Vjosës dhe këtu në shtëpinë e saj që nuk ja dhashë këtë ide, të pijes...

-Shumë të huaj ka në Romë, - tha ai, - por nuk kanë pse vinë në Itali, është mirë të rrinë në vendin e tyre.

-Edhe ju ishit mirë të rrinit në Itali në '39, por erdhët në Shqipëri.

-Ne erdhëm, por ju sollëm karamele, - ai qeshi dhe thau gotën.

-Ne nuk ju sollëm karamele, por krahët e punës.

-Nuk janë gjë krahët e punës para karameleve, desha të thosha pa karamelet - dhe qeshi prapë. - Në Paris, amerikanët vijnë e ndërtojnë një qytet për fëmijët, psh “La Cité des Enfants “. Për ndërtimin e këtij shpenzohen para, dhe për njëzet vjet të ardhurat nga ky qytet, në qofte se do ta quaje një fabrikë gjigante, do të riktheheshin në Amerikë. Kjo është e natyrshme. Por pas njëzet vjetësh, qyteti është francez. Fëmijët që u argëtuan, u njohën, u edukuan me çfarë u dha ky qytet, u bën burra. Kapitalizmi nuk ka qenë tjetër gjë veçse shitje e fantazisë ose e ideve të reja, pikërisht në atë që the ti, në i prish apo jo pasuria. Unë nuk do të pi më. Edhe solidariteti ka një limit dhe e shtyu shampanjën.

Vjosa ngriti gishtin ok. para nesh dhe shumë afër hundës time, por për ne të dy që bërë pak si vonë, midis së bardhës dhe së kuqës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora