Kulturë
Ibrahim Gani: Haiku
E enjte, 02.11.2017, 07:40 AM
Ibrahim Gani
Haiku
Hallet si malet të rënda
Mes hallesh na rriti nëna,
Tok ecin lotët dhe kënga.
Jelebardhë shpina e detit,
Dafina në gji të shkrepit,
Uragan lirë e poetit.
Atje në viset e mia,
Tok ecin kënga, duhia,
Në gji i përkund lavdia.
Vrik i çartur vjen inati:
-Ju një hiç për një udhë fshati…
Ultimatum Progonati.
Nëpër udhët e mërgimit,
S’më ndahet loti prej syrit,
Tërbuar det i zhgënjimit.
Të gjithë tok në demonstratë,
Fjalë e prijsit kullon mjaltë,
Bym kopaçja, vrik paratë.
Një zonjushë në lagjen time,
Ulërin nëpër tubime:
-Nuk është kuçkë partia ime!
Shkolla pa derë e dritare,
Në mbrëmje skota zagare,
Tinëz ngarend e çel varre.
Ulërimë fjala baltore,
Stërqokë me vrunduj bore,
Zemra pellg e mendja xhore.
Ja dhe hajku shqiptar,
Dimrin tjetërson në maj,
Për çdo prijës blen një samar.
Malet tona seç rënkojnë
Hito Çakon e kërkojnë,
Majave qan një shqiponjë.
Rrokopujë para burgut,
Proteston dyshja e ujkut:
-Liri prijatar hajdutit!
Malet kështjella të besës,
Besa kushtrim i qëndresës,
Qëndresa djepi i shpresës.
Premtimet lodra të kota,
Për ato ç’thotë Evropa?
-Pyesni Malin me Gropa.
Atje ku bie një trim,
Lind vatra që jep kushtrim.
Dielli s’njeh perëndim!
Në tribune u ngjit Donika,
Dallgë e detit, sakrifica,
Fali një thes me gorrica.
Tafil Buzi mal i rëndë
Vdes e rilind nëpër këngë:
-Ç’djalë që rrite moj nënë!
-Det i thinjur në furtunë,
Cilin zgalem do më shumë?
-Atë që nuk bëhet urë.
Unë jam unë dhe ti je ti
U grindëm, një djall e di…
Pikon loti dashuri.
Kush rend mbi faqen e shpatit,
Vasha dritë e Progonatit.
Vitore gurra e mjaltit.
I dashuri mik simpatik,
Boll me rolin tënd epik
Vjen nga hiçi shkon në hiç.
Më pyesin: -Pse s’martohesh?
Me askënd nuk do trazohem,
Plagë e parë nuk harrohet.