E shtune, 27.04.2024, 09:32 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (III)

E hene, 01.09.2008, 07:23 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

III

Në ditët e para të muejit prill të vitit 1939, kur në gjimnaz gjithcka shkonte në rregull, nji lajm që ra si bombë, shkaktoi përmbysjen e plotë të jetës së përditshme. Nji mëngjes, me librat në dorë, si zakonisht, po i afrohesha oborrit të gjimnazit e pashë grumbuj nxanësish që nuk mbajshin rradhën e rendin si zakonisht; me gjeste e thirrje shprehshin diçka që, nga larg, nuk kuptojsha. Nuk kisha asnji ide mbi atë që ndodhte para syve të mi. Vetëm kur iu afrova hymjes, dy shokë të skuqun në fëtyrë prej shqetësimit, më dolën para e pa folë as sqarue, m’u drejtuen me nji ton serioz: “Miremëngjes!” Ktheva përshëndetjen, e pa muejtë me pyetë çka ishte gjithë kjo rrëmujë, ata shqiptuen fjalët që mbetën me mue të gjithë jetën: “Përgatitu! Atdheu asht në rrezik!” E gjithë shkolla ishte e fermentueme atë ditë. Grupe nxanësish të çdo klase, pa dallim moshe, bisedojshin me za të naltë, bërtitshin me gojë plot, fyejshin, shajshin, kërcënojshin me grushte, nji armik të padukshëm, hija kërcënuese e të cilit, rrinte mbi kokë. U përziva edhe në këtë turmë të ndezun flakë, e ndërsa kërkojsha me sy shokët e klasës sime, në nji kand të oborrit u vendos nji tryezë e nji profesori leshverdhë nga Elbasani, atlet e elegant, që dukej sikur nxirrte shkëndija nga sytë e skuqun, e kërceu mbi të si nji mace. Hodhi sytë rreth e rrotull, e me nji gjest krahu urdhënues, kërkoi ta rrethojshim. Si bletë zgjoni u vërsulem kah ai, dhe gjithë ajo zhurmë e afër njimijë të rijve, filloi të pakësohet, derisa u shue krejtësisht. Nji heshtje, e denjë për momentin solemn që po kalojshim, mbretnoi. “Djelmosha!”, filloi profesori i zemruem. Na u ngrimë në vend! Ai vazhdoi, me nji ton urdhënues, me shpjegue se nji kob i zi i kërcënohej atdheut tonë. Italia fashiste po mbrehte dhambët përsëri. Ende pa shijue si duhet pavarësinë e fitueme, ende pa u ngopë me ajrin e atdheut të lirë, nji agresor na kërcënonte, nji shtypës kishte vendosë të na sulmojë: “bisha italiane fashiste”. Profesori vazhdoi tue na kujtue se na jemi bijt e atyne që vdiqën për këtë vend dhe se gjaku që rrodhi në dejt e të parëve tonë, rridhte sot tek ne, rinia shqiptare e etshme me jetue e lirë, e vendosun me ruejtë traditën e sakrificës për pavarësinë e vendit tonë, për mbrojtjen e jetës sonë, të prindëve tonë, të atdheut tonë... “Sot”, tha profesori, “ma shumë se kurrë, detyra na thrret: Të gjithë në kambë! Rrokni armët! Veni gjoksin pa frikë hordhive fashiste të agresionit italian! Sot, profesorët tuej, bashkë me ju studentë të dashtun, le t’i tregojmë popullit tonë se jemi bijt e tij të denjë, dhe botës mbarë, se dijmë të vdesim për atdhe... Rroftë Shqipnia e lirë! Poshtë agresioni italian fashist!” Nji gjamë moti ishte përgjegja jonë! Njimijë të rij entuziatë, shpërthyen pa muejtë me përmbajtë urrejtjen për të huejin që ziente si nji kazan në mbrendinë tonë. Përsëri thirrje, betim, shamje, e grushta të ngritun për kërcënim. Njimijë të rij, me nji dëshirë; njimijë të rij, njimijë vullnetarë. Asgja nuk kuptohej, as merrej vesh kush fliste. Pashë në këtë grumbull, tre-katër studentë, të ngritun mbi supe nga të tjerët, qe flitshin me zjarr, bajshin gjeste me krahë, e drejtojshin grushtin kah perëndimi. Nuk ndigjoheshin fjalët, vetëm thirrjet, herë “Rroftë!”, herë “Poshtë!”, të njenit ose të tjetrit grup. Nji vullkan kishte plasë me të gjithë fuqinë e vet, e vala e revoltimit kishte rrëmbye zemrat e mendjet e të gjithëve. Ishte ballafaqimi im i parë me kërkesat e jetës e me rrezikun! Ora e fillimit të mësimeve, kishte kalue. Askush nuk mendonte me hy në klasë. Në nji atmosferë të këtillë, nuk bahej fjalë, vecse për revoltim. Si nji ortek bore, studentët u përplasën për derën e jashtme të shkollës, ndërsa nji grup i vogël hoqi nga shtiza flamurin kuq-e-zi të shkollës e u bashkue me ne. Kjo mjaftoi! Nji britëm që u ngrit deri në qiell, u ndigjue atëherë, e sikur të kishim veprue me urdhën, u formue nji kolonë e gjatë demonstrative. Entuziazmi jonë nuk njihte kufi. Oborri i shkollës mbeti shkret, ndërsa kolona jonë u vërsul në rrugën kryesore, me drejtim qendrën e qytetit. Hymni kombëtar këndohej pa pushim, e kangët patriotike ndiqshin njena-tjetrën. Entuziazmi jonë mbillej kudo që kalojshim, e në cdo skaj të qytetit populli lente punën e bashkohej me ne. Orteku që zbriste kah ndërtesat qeveritare rritej pa pra, me qytetarë që bashkoheshin me demonstruesit. Në këtë grumull bashkatdhetarësh, që i lidhte nji qëllim i përbashkët e nji ideal, kishte njerëz që qajshin me lotë nga dëshpërimi, të tjerë që shkyheshin tue thirrë, e mjaft të tjerë që ishin hutue. Për të parën herë, pashë popullin në nji gjendje deliriumi. Por isha i ri me kuptue se kjo lëvizje ishte paralajmërimi i nji stuhie për vendin tonë, pa shpresë se do të qetësohej përsëri. Ndërtesa e madhe e prefekturës, doli para nesh, me të gjithë hijen e saj të randë. Dritoret ishin gjysëm të mbylluna. Në lulishten e pallatit nuk kishte rojtarë. Thirrje, përsëri thirrje, shamje, kërcënime, e grushte të ngritun. Kangët patriotike mbushën ajrin e këtij sheshi. Por atë ditë, nuk kishte policë që mbajshin rendin, as fjalime të përgatituna ma parë, as parakalime. Gjithçka ishte spontane, emocionale, shpërthyese. Po dishmojsha shfaqjen madhështore të nji populli të revoltuem. Ajo që mungonte plotësisht në këtë kuadër, ishte “autoriteti” e përfaqësuesit e tij. Para prefekturës kërkuen nga “autoriteti” të fliste, të na inkurajonte, me shpresën se do të qetësonte shpirtët tonë të trazuem. Në këtë boshllëk të krijuem, demonstrata po zhvillohej ashtu si nuk ishte parapa. Kur nji burrë i pjekun, i madh nga trupi, i shëndoshë, i veshun mirë, me syze e që na njohëm menjiherë, prefekti, u shfaq në balkon, na shpërthyem në duertrokitje nga dëshira e madhe që na pushtoi me ndigjue diçka, nga ata që mendohej se dijshin ma shumë se të tjerët. Në atë shesh të madh mbretnoi heshtja. “Vëllezër!” na u drejtue prefekti nga balkoni. “Mos u shqetësoni!” Ajo që flitet për rrezikun e vendit tonë, është propagandë. Kini besim tek qeveria....” Ende pa mbarue fjalën, britma njerëzish të tërbuem, e ndërprenë. Ai u largue menjiherë. Na vazhduem thirrjet tona, e nga grumbulli madh, u ndigjue nji fjalë e re për mue: “Tradhtarë! Tradhtarë! Vllazën, keni kujdes. Kjo asht tradhti!” Në këtë mish-mash zanesh e thirrjesh, kërcënimesh e grushtesh të ngritun, e flamujsh në ajr, askush nuk kishte vu re, se nga ndërtesa qeveritare ku na drejtoheshim për ndihmë, nji grup policësh të armatosun, filluen me largue demonstruesit me dhunë. Me kërkesën e policëve, rreshtat e parë filluen me u tërheqë. Por turma ishte e madhe e përpjekjet e policëve, nuk e tundën fare. Në zemrat tona ishte ngulë thellë ndjenja e mospërfilljes për “autoritetin”, e demonstruesit filluen të mos tërhiqen. Atë ditë, “popull” e “qeveri” u ndanë përfundimisht. Koha e ballafaqimit kishte ardhë. Na ishim të përgatitun për te, por pa nji orientim të caktuem. Gjatë gjithë ditës, patrulla policësh të armatosun filluen me qarkullue nëpër rrugët e qytetit të trazuem, tue krijue nji gjendje të jashtëzakonshme. Dyqanet mbetën të mbyllun. Nxanësit lëshuen klasët, katundarë të panumërt vijshin “me pa cka ban Shkodra.” Kalimtarët ecshin pa za, si të ishte nji proces mortor. Por u shihte qartë se ishte qetësia që paraprinte stuhinë. Të nesërmen në mëngjes, u mblodhëm përsëri në oborrin e shkollës. Në mesin tonë kishte policë me uniformë që kontrollojshin lëvizjet tona. Ishte e qartë për të gjithë, se nji tjetër demonstratë, ndoshta ma e fuqishme se ajo e ditës së kalueme, ishte e paevitueshme. Jashtë mureve të oborrit shkolluer, nji popull pa numrim, priste aksionin tonë. Pa u kuptue, ishim ba qendra e rezistencës. Kudo flitej për agresionin italian. Vetëm “autoriteti” heshtte e kërkonte heshtje, edhe nga ne. Kur zilja e shkollës tingëlloi me hy në klasë për mësim, na e morëm atë si alarmi i dhanun me shpërthye. Britma, thirrje! Policët u hutuen. Nga mesi i grupit tonë u shpalos me shpejtësi nji flamur i madh kuq-e-zi, e kolona e krijueme menjiherë, u vërsul drejt portes së daljes. Pesë policë zunë vend me pengue marshin tonë. Atëherë, nji grup studentësh të fuqishëm u hodh me guxim mbi ata, e mbas nji përleshje të shkurtër, rruga ishte e lirë e kolona jonë e gjatë kaloi e patrazueme. Në rrugët e qytetit gjetëm kolona të tjera demonstruesish, që mbajshin flamurë e këndojshin kangë patriotike. Grupet treshe të policëve të armatosun, nuk vepruen. Zane, thirrje, britma, shamje, grushte, kërcënime e flamuj të ngritun, shiheshin kudo. Kolona arriti në sheshin kryesor. Pa pritë, as fjalë, as fjalime nga “autoriteti”, filloi gjuejtja me gurë. Nga mesi i turmës, nji djalosh i gjatë e me shpatulla të gjana, u ngrit mbi supet e shokëve e kërkoi të mbahej qetësia. Por ishte e vështirë. Ai filloi të flasë me za të naltë që vinte tek unë, si i mbytun. Grupi rreth tij filloi thirrjen e përbashkët: “Duem armë! Duem armë!” Thirrjet “Armë, armë!” u ndigjuen nga çdo anë. Por kulmi i entuziasmit u arrit, kur nji katundar kapi për fyti nëpunësin që doli nga ndërtesa qeveritare, e mbështeti atë për mue, ndërsa i bërtiste me fuqi: “Duem armë! Duem armë! Armë!....Na jepni armë, të mbrojmë vendin!” Zemrimi kishte arritë kulmin. Masa u lëkund si nji valë deti, e me nji të shtyme të fuqishme, hyni brenda në prefekturë, me shpresën e gjetjes së armëve. Në zyrat e mbetuna bosh, kishte vetëm letra, dosje, regjistra, por jo pushkë. Të zhgënjyem, disa demonstrues filluen të prishin, të shkyjnë, të djegin...! Rrugët e qytetit ishin pa kontroll. Policët u larguen, e në nji qytet pa autoritet shtetnor, turma demonstruesish të tërbuem silleshin në kërkim të armës, që nuk gjejshin. Nji autoritet që tregonte qartë kalbëzimin e tij, u rrëzue nga goditjet e para. Nji popull pa armë priste pa shpresë rrezikun e robnisë. Në kodrat përjashta qytetit, reparte ushtarake të vendosuna për qëndresë, u tradhtuen nga oficerët “mbretnorë” që u larguen nga fronti. Nji grup civilësh nga Postrriba, të veshun me kostume feste, mbante mbi supe nji muze të vërtetë armësh të vjetra, të çdo lloji e të çdo kohe. Ishin nisë per lufte, por u penguen nga oficerët me uniformë. Okupatori i ardhshëm kishte përgatitë me kohë terrenin, dhe ajo që na filluem me cilësue si “kolona e pestë”, tashti kryente për të huejin, shërbimin për të cilin ishte pague vjet me rradhë. Qyteti pa zot ishte mbushë me demonstrues që u banë zotër të qytetit. Në atë gjendje të turbullt e të shthurun, vazhduem manifestimin tonë me kangë patriotike. Por, bashkë me përbuzjen për “armikun”, po kultivojshim edhe neveritjen e madhe për qëndrimin e “autoritetit”. Hienat e krrusuna nga pesha e xhepave të randueme me të hollat e të huejit, mohojshin atdheun. Atë ditë kërkojshim armë, me shlye me gjak, edhe turpin e tradhtisë qeveritare! Në mbramje, u ktheva në shtëpi i lodhun e me zanin e çjerrun. Para derës, gjeta nanën e shqetësueme. U përqafuem me zjarr, ajo nga frika e unë nga nevoja e madhe për ngushëllim. Në dhomën time të vogël, shikova me dhimbje në zemër librat mbi tryezë e fletoret e shpërndamë pa rregull. Për të parën herë kuptova ndryshimin që kisha pësue; nuk isha ma studenti i dy ditëve ma parë. Po jetojsha në atmosferën e aktivizmit që mobilizon në shërbim të nji kauze të naltë! Nesër? Përsëri si sot: demonstrata e ndoshta, edhe përleshje. Gjithçka më sillej në mendje, gjithçka më dukej si nji andërr: kolona, ecja solemne, zanet e fuqishme si gjama e motit. Mendojsha për qytetin pa rregull e pa qetësi, ushtarët e stërvitun që tërhiqeshin pa luftue, e të rij të pastërvitun që kërkojshin armë me luftue. E na, i përcjellshim me kangë, i nxitshim...Ishte nji jetë krejtësisht e re! Pamja e babës që hyni atë cast në dhomë, më solli në vete. - Çka u ba sot?, më pyeti me za të ulët. I tregova gjithcka me hollësi. - Fatkeqsi, më ndërpreu ai. – Kam pasë shpresa se breznia ime do të ishte e fundit që do të luftonte për mbrojtjen e vendi. Jam lutë që ju të rriteni të lirë, pa sprovue atë që vuejtëm na. Kam frikë se, ditë edhe ma të këqia se tonat po vijnë për ju. Biri im, je ende i ri, - më tha, - por, dëshiron sot baba yt me të thanë ate që duhet të thojsha në nji moshë ma të pjekun. E me nji za që filloi t’i dridhet nga emocioni, vazhdoi : - Nuk ka tjetër shpëtim ky vend, vec vendosmënisë sonë me e mbrojtë. Me e dashtë e me e ruejtë, asht e vetmja rrugë nderi për ty, ashtu si ka qenë edhe për mue. E tue më fërkue kokën lehtas me dorë, ai shtoi: - Do të shohësh sa e vështirë asht me i qëndrue besnik asaj rruge...! Pa muejtë me e shikue në sy prindin që vuente, i hodha krahët në nji përqafim, ku shijova, me kënaqsinë ma të madhe, nxehtësinë e përqafimit atnor. Ai më mbështolli me krahët e vet e më dha nji të puthun në ballë. Nuk e dijsha se çka shqetësonte babën ma shumë në atë moment solemn, por sigurisht, frika e përleshjes në rrugët e qytetit, e frikësonte pa masë. Babë e djalë u ndjemë kaq afër njeni me tjetrin, e për arsye që kalojshin kufijt e jetës sonë familjare, e të shkollës. M’u duk sikur po hyjsha në nji ndërtesë të re, ma të madhe, ma të randësishme, në nji faltore të shenjtë, derën e së cilës po e hapsha çdo ditë, e ku gjeta babën, luftarin e së kaluemes, që më ftonte me bindje – e sigurisht me frikë – me u gjunjëzue para altarit që kërkonte sakrifica njerëzore. E tmerrshme!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora