E enjte, 14.11.2024, 02:27 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Besnik Bakiu: Mirënjohje dhe falje për Gjeneral Telinin

E enjte, 28.08.2008, 02:14 PM


Enrico Tellini
Mirënjohje dhe falje për Gjeneral Telinin

Shkruar nga Besnik Bakiu
 
85 vjet më parë, më 27 gusht 1923, u vranë në krye të detyrës për zbatimin e vendimit të Konferencës së Ambasadorëve të Londrës, gjeneral Enriko Telini (Enrico Tellini) dhe bashkëpuntorët e tij.
Figura dhe vepra e gjeneral Enriko Telinit është vendosur në shumë enciklopedi të botës (në atë shqiptare jo), është ruajtur në memorien historike të popullit shqiptar dhe ishte skalitur me mjeshtëri nga skulptori i madh, Odhise Paskali, në shtatoren e vendosur te sheshi përpara ku sot është Akademia e Shkencave.
Personalisht kjo figurë më doli e plot para disa vitesh duke kërkuar materiale për një studim që po përgatisja, kur më ra në dorë një punim botuar në  revistën “Studime albanologjike” për çështjet e kufijve jugorë të Shqipërisë në vitin 1922-1923.
Aty hasa për herë të parë edhe emrin e  gjeneral Enriko Telinit, kryetarit të Komisionit të Caktimit të Kufijve shqiptarë. E ndjeva veten “fajtor”, për heshtjen që kishte shoqëruar këtë figurë  dhe hulumtova rreth kontributit të tij. Kështu u përpoqa (aq sa mundja) ta rinxirrja në pah këtë personalitet, por pa arritur ndonjë gjë të madhe.
Në këtë përvjetor prisja që nga strukturat e shtetit tim të bëhej një përkujtim simbolik, por edhe këtë radhë asgjë (mos kërkoj shumë, kur mjeranët harruan, apo nuk e dinin fare, të festonin edhe ditën e krijimit të institucionit të tyre, Forcave të Kufirit?!)
Në këto vite postdiktaturë janë dhënë dekorata e qytetari nderi për shumë të huaj, që kanë kontribuar për vendin tonë (bile edhe grada shkencore profesor doktor!), por, si kudo, ka një hierarki (kontributesh, gradash, sakrificash e personaliteti) dhe gjeneral Telini është hierarku i huaj, jo vetëm  më gradën më të lartë, por edhe me një kontribut të jashtëzakonshëm, që e pagoi me gjakun e vet ndershmërinë dhe përkushtimin për ndjenjën e detyrës.
Historia është histori, e vërteta e vërtetë, detyra e jonë është ta dëshmojmë ndershmërisht, ta vlerësojmë e përkujtojmë siç ka ndodhur.

Shtet pa kufij…

Caktimi i kufijve të Shqipërisë  u bë në  Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Me 22 mars 1913 u vendosën përfundimisht kufijtë veriorë dhe në qershor-gusht 1913 u morën vendimet për kufijtë jugorë.
Konferenca e Ambasadorëve krijoi dy komisione ndërkombëtare; njërin për kufijtë me Malin e Zi e Serbinë dhe tjetrin për kufirin me Greqinë. Gjatë punës në terren, komisionet, sidomos ai i Jugut, hasën në vështirësi të mëdha, deri në paralizimin e  punës. Për këtë ju propozua Fuqive të Mëdha një vijë e re kufiri, e cila u vendos në Firence, ku Komisioni  hartoi më 17 dhjetor 1913 protokollin mbi kufijtë jugorë e juglindorë të Shqipërisë, të cilët, me disa ndryshime të vogla, janë po ato që ekzistojnë edhe sot.  Populli akuzoi “Shqipërinë e vogëluat, e bëtë siç deshët vetë”.
Ishte kjo padrejtësi historike ndaj një prej popujve më të vjetër të Evropës, që do të sillte ndeshje, gjak, mëri, dhunë dhe lot deri në fillimin e shekullit të XXI (E drejta vonon, por s’mungon).
Shqiptarët të drobitur nga luftërat dhe të tradhtuar, vendosën t’i zgjidhin vetë problemet, duke vënë para faktit të kryer Fuqitë e Mëdha. Lufta e Vlorës, Kongresi i Lushnjës etj. sollën pranimin e Shqipërisë  më 17 dhjetor 1920 në Lidhjen e Kombeve.

Komisioni i Caktimit të Kufijve

Në këto kushte, më në fund, Konferenca e Ambasadorëve në Paris, më 9 nëntor 1921, vendosi që kufijtë shqiptaro-grekë të mbeteshin po ato të caktuara nga Protokolli i Firences, kurse për kufijtë verilindore bëri përsëri ndryshime në favor të Jugosllavisë.  Për caktimin e këtyre kufijve konkretisht në vend, u la të  formohej një komision me përfaqësues të Anglisë, Francës, Italisë dhe Japonisë, i cili u krijua më 8 janar 1922.
Në të të merrnin pjesë  përfaqësuesi i Italisë, gjeneral Enriko Telini; i Anglisë, kolonel Gilles; i Francës, kolonel Ordion, dhe kapiten De Limperani që ishte sekretar i Përgjithshëm i Komisionit.  Japonia nuk dërgoi delegatin e saj. 
Kryetar i komisionit u caktua gjeneral Enriko Telini dhe jo rastësisht.
Gjeneral Telini (Enrico Tellini) kishte lindur më 25 gusht 1871 në Kastelnuovo të Garfanjanës. Ai kishte  marrë pjesë në luftën italo-turke dhe në Luftën e Parë Botërore.  Për zotësinë e disiplinën e lartë arriti të marrë gradën e gjeneralit të brigadës pas shërbimit  si kolonel i Shtatmadhorisë.
Pranë komisionit do të punonte dhe një komitet tekniko-gjeografik.  Shtetet e interesuara për kufijtë, Shqipëria, Greqia dhe Jugosllavia do të kishin përfaqësuesit e tyre pranë komisionit. Përfaqësues i Shqipërisë  në fillim u caktua z. Bajram Fevziu, i cili me pas u zëvendësua nga Z. Dhimitër Berati, sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Komisioni erdhi  në Shqipëri në mars 1922 dhe  filloi punimet në zonën kufitare nga mali Gramoz deri në pikën e kufirit greko-shqiptaro-jugosllav, për të vazhduar pastaj për më në jug.
Komisioni hasi pengesa të mëdha nga delegacioni grek. Në një raport të gjeneral Telinit, thuhet: “Ky delegacion nuk më jep besim për një bashkëpunim të sinqertë. Delegacioni kërkon me të gjitha mjetet dhe pretekstet për t’u larguar…Autoritetet dhe trupat greke nxjerrin pengesa nga më të ndryshmet”. Në nëntor për shkak të këtyre pengesave dhe dimrit që po afronte, Konferenca e Ambasadorëve vendosi që punimet e caktimit të kufijve të rifillonin më 1 maj 1923.
Gjeneral Telini gjatë punës së tij u përpoq të ishte i paanshëm.  Në marrjen e vendimeve, sipas rastit, ai nuk kurseu as shqiptarët, as grekët, as jugosllavët. Në raportin e fundit  drejtuar Konferencës së Ambasadorëve, më 26 gusht 1923, pikërisht një ditë para vrasjes, gjeneral Telini shprehet: “…vendimet e komisionit janë të  paanëshme” dhe ai “po kryen detyrën e tij duke u bazuar në ndërgjegjen e vet e drejtësinë”.
Gjatë qëndrimit në zonat shqiptare, gjeneral  Telini u prit si mik dhe u respektua për punën që po bënte.  Shpesh i shoqëruar nga delegati shqiptar dhe nga anëtarë të tjerë të komisionit ai bëri vizita në fshatrat shqiptare. Banorët sa herë që e takonin në rrugët e Korçës, në koncertet e Bandës Kombëtare “Vatra” apo në kinema “Modern”, ku shëtiste lirisht, e përshëndesnin me gëzim e dashuri të dukshme.
Krejt e kundërta ndodhte në  shtetin fqinj, ku ndaj punës së komisionit kishte një qëndrim agresiv e sabotues. Sipas një raporti të Konsullatës italiane në Janinë, gjatë një diskutimi në një moment rrëmbimi përfaqësuesi grek kishte thënë për gjeneral Telinin: “Duhet vrarë”. Këtë frazë ky kolonel e ka përsëritur edhe në një lokal publik.

Vrasja në Janinë

Më 27 gusht 1923 komisioni i kufirit do të shkonte nga Janina në Kakavijë, ku do të përfundonte vendosjen e disa gurëve kufitarë atje. Herët në mëngjes u nisën nga Janina automobilat e delegatëve shqiptarë, grek e italianë.  Automobili i përfaqësuesve grekë pësoi një defekt. Automobili i italianëve parakaloi atë grek duke ndjekur automobilin shqiptar. Gjeneral Telini ishte 30 minuta larg përfaqësisë shqiptare.  Pasi kaloi automobili i komisionit shqiptar  në afërsi të Janinës, në vendin e quajtur Zepe (54-55 km larg Janinës), 4 km larg Delviqanit dhe 10 km larg kufirit shqiptar, midis Delviqanit dhe Arnishtes, gjakësorët bllokuan rrugën me drurë të mëdhenj.  Vendi i zgjedhur ishte shumë i përshtatshëm për pusi, në bërrylin e një kthese. Kur arriti automobili i gjeneralit, shoferi Renixho Farneti, përkthyesi shqiptar, Thanas Kraveri (Leskoviku) zbritën për të larguar drurët nga rruga, por u qëlluan prej gjakësoreve dhe mbetën të vdekur që të dy.  U vra dhe doktori Luixhi Korti që ndodhej brenda në makinë.  Adjutanti Mario Bonaçini sapo doli prej automobilit, u plagos rëndë e mbeti nën të.  Gjenerali u hodh nga makina dhe pasi u largua rreth 20 m mbeti i vrarë me revolver në dorë. 
Nga ora 0845 deri në ora 10 misioni shqiptar e priti më kot atë italian.  Disa herë ai kërkoi të kthehej të shikonte se ç’kishte ndodhur, por nuk u lejua, vetëm në ora 17.00 iu dorëzua një telegram me anën e të cilit lajmërohej se misioni italian nuk mund të vazhdonte në drejtimin e caktuar, sepse ishin parë banditë rreth e rrotull.  Delegati shqiptar i mbështetur nga dr. Xhioti ( i Institutit Gjeografik  italian) kërkoi sërishmi që të shkonte në ndihmë të gjeneral Telinit, por përsëri nuk u lejua një gjë e tillë.  Vetëm në orën 18.00 iu dha leja.  Rrugës morën vesh që vrasja kishte ndodhur në ora 09.00 të mëngjesit.  Trupat ishin transportuar në Janinë e në vendin e ngjarjes kishin mbetur vetëm disa gjurmë gjaku.
Për nder të tyre në Janinë u dha një meshë dhe trupat e italianëve të vrarë me nderimet e duhura u nisen në Prevezë për  në kishën katolike. Edhe këtu  u dha një meshë. Në ora 12.30 të datës  19 shtator 1923 trupat e tyre u nisën në mënyrë  ceremoniale  për në Taranto të Italisë me avulloren “San Marko”. Ceremonia zyrtare u bë në  kishën Santi Apostuli në Romë ku morën pjesë Duka i Aostës, Duka i Gjenovës, Konti i Torinos, Princi i Udines, Musolini me ministrat, të gjithë ambasadorët dhe përfaqësues të tjerë të huaj.  Pastaj trupat u dërguan secili për në vendin e lindjes. Gjeneral Telini u varros në Firence.
Me 8 shtator 1923 Konferenca e Ambasadorëve vendosi të dërgojë në Janinë një komision special hetimi, i cili nuk mundi të jepte një mendim përfundimtar të saktë  rreth përgjegjësive që çuan në atentatin e 27 gushtit.
Vrasja e komisionit italian shkaktoi krizë  në marrëdhëniet italo-greke. Qeveria italiane bëri përgjegjëse palën greke dhe kërkoi dëmshpërblim për këtë vrasje. Kjo krizë solli edhe pushtimin e përkohshëm të Korfuzit nga ana e italianëve.
Kush ishe vrasësi i misionit italian? Komisioni i hetimit nuk dha përfundime. Por një gjë ishte e sigurt, krimi u krye për motive politike. Autorë të tij ishin ato forca, të cilave u prishte punë korrektësia dhe paanësia  e gjeneral Telinit dhe  delegacionit italian.

Mirënjohja shqiptare
   
Kjo vrasje shkaktoi një zi të përgjithshme në Shqipëri.  Opinioni publik shqiptar i konsideroi viktimat therori për të drejtat ndërkombëtare.  Parlamenti shqiptar në shenjë zie ndërpreu punimet e tij për 24 orë. Autoritetet më të larta shqiptare iu dërguan telegrame ngushëllimi personaliteteve italiane dhe familjeve të viktimave. Telegrame dërguan dhe bashkitë dhe populli i të gjitha qyteteve shqiptare.  Në Korçë, në kishën e Shën Gjergjit, u bë një përshpirtje për gjeneralin e shokët e tij ku merrnin pjesë autoritetet më të larta të qytetit.  Populli i Vlorës ditën e 3 shtatorit kur do të përkujtonte me festime 3 vjetorin e çlirimit të qytetit nga forcat italiane, vendosi të shfaqte hidhërimin e tij për vrasjen çnjerëzore me anë manifestimesh.  Manifestuesit që arrinin në 3 - 4 mijë vetë u drejtuan në konsullatën italiane ku i shprehen ngushëllimet konsullit italian.  Që andej vajtën në kishën katolike ku u bë një përshpirtje.  Po ashtu në Tiranë, në kishën katolike, në atë ortodokse dhe në xhami u kryen gjithashtu shërbesa fetare për shpirtin e të ndjerëve të komisionit italian.
“Gazeta e Korçës” më 1 shtator 1923 e vlerëson gjeneral Telinin: “Emëri i tij do të mbetet i paharruar për popullin shqiptar. Historia e Rilindjes tonë Kombëtare emrin e këtij gjenerali të nderuar, së bashku me atë të kolonel Tomson do ta përmendë me një nderim të madh, për shërbimet q’i solli Kombit tonë të shumëvuajtur”.
Gazeta “Vatra Shqiptare” do të shkruante: “Gjeneral Taliini për ne përfaqëson, njëkohësisht idenë e drejtësisë dhe atë të mbrojtjes të interesave tona. Të dy këto ide i ngjajnë fort njëra-tjetrës. Ideja e dytë ndjek pas idenë e parë si hija e saj. Shqiptari që e ka të thellë kuptimin e drejtësisë e të miqësisë, është e pamundur të mos ishte frymëzuar me një mirënjohje të thellë për gjeneralin italian”.
Për të nderuar dhe përjetësuar kujtimin e gjeneral Telinit,  18 vjet pas vrasjes u vendos në një nga sheshet qendrore të Tiranës shtatorja e tij, vepër e Odise Paskalit.
Sipas kritikës së kohës, në këtë monument “Odise Paskali, shqiptar me ndjenja të larta, e ka pas të thellë me doemos  këtë ndjenjë mirënjohje dhe si artist i hollë ka ditur ta shprehë fare mirë këtë ndjenjë njëkohësisht vetjake dhe kombëtare, ka ditur të bëhet interpreti i mbaruar i mirënjohjes që ka në zëmër shqiptari për gjeneral Telinin. Në punimin e veprës, Odise Paskali është pushtuar prej një sentimentalizmi të gjallë dhe ka dëshiruar e menduar që ta shfaq ndjenjën e tij duke simbolizuar e konceptuar gjeneral Telinin, këtë dëshmor, ashtu siç ka qenë ai në realitet, një simbol për neve. Gjeneral Telini i ngjan tepër një gjenerali të Romës së vjetër”.
“U krye më së fundi kjo detyrë. Dhe u krye lumtërisht  në një mënyrë që na nderon, pse monumenti është i denjë për heroin, të cilit do t’i përjetësojë kujtimin”.
 
Në përfundim desha t’u ribëj apel instancave kompetente shtetërore (Presidentit të Republikës, ministrit të Punëve të Jashtme, ministrit të Brendshëm) dhe atyre akademike, për të filluar procedurat mbi rivlerësimin e merituar dhe të vonuar të figurës dhe veprës së gjeneral Enriko Telinit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Të bëjmë minimumin e asaj që bënë paraardhësit tanë për figurën dhe veprën e tij. 



(Vota: 3 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora