E diele, 28.04.2024, 06:32 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Prifti italian: Aventura ime 10 vjeçare në Burgjet e Shqipërisë

E marte, 26.08.2008, 11:25 PM


At Jak Gardini
Për herë të parë, gazeta "Shqip" publikon kujtimet e panjohura të At Giacomo Gardinit, klerikut të famshëm katolik me origjinë nga krahina e Poredeones në Itali, i cili pasi kishte kryer mbi 20 vjet studime në universitete të ndryshme të Evropës, në vitet ‘30, erdhi për të shërbyer në Shqipëri. Arrestimi i tij në vitin 1945 me akuzat absurde si agjent i Vatikanit, dënimi me dhjetë vjet burg dhe riatdhesimi në 1956-ën, pas marrëveshjes Hrushov-Adenauer.

Nga Dashnor Kaloçi

Ashtu siç është bërë e ditur tashmë edhe nga edicionet informative të disa televizioneve e gazetave të ndryshme, para tri ditëve, në moshën 83-vjeçare, ndërroi jetë në një klinikë të Romës, Padër Zef Pllumi, kleriku i famshëm katolik dhe njëherazi një nga shkrimtarët, publicistët, historianët dhe përkthyesit më në zë të Shqipërisë së këtyre 17 viteve të postdiktaturës komuniste, i cili ishte një nga "të fundit e Mohikanëve" të françeskanëve shqiptarë të mbetur gjallë nga koha dhe represioni i egër që regjimi komunist i Enver Hoxhës ndërmori mbi klerin në Shqipëri. Jeta dhe vepra e At Zef Pllumit, këtij martiri dhe njeriu të madh, që me të drejtë është konsideruar si vazhdues i denjë i Padër Gjergj Fishtës dhe françeskanëve të tjerë, tashmë është e njohur më së shumti prej librit të tij të famshëm voluminoz me kujtime, të titulluar "Rrno vetëm për me tregue". Të cilin ai e botoi fillimisht që në vitet 1997-2000 dhe më pas, për interesin e madh që ai zgjoi te lexuesi shqiptar, u botua dhe u ribotua disa herë nga shtëpia botuese "55". Në shenjë nderimi dhe kujtimi të jetës dhe veprës së At Zef Pllumit dhe të gjithë klerikëve të tjerë katolikë që shërbyen me devocion deri në skajet më të largëta të Shqipërisë dhe u martirizuan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës deri në fundin e viteve ‘80, ne kemi përzgjedhur për botim disa pjesë nga kujtimet e at Giacomo Gardinit, klerikut të famshëm italian që shërbeu për vite me radhë në Shqipëri si pedagog e meshtar dhe vuajti dhjetë vjet burg në skëterrën komuniste. Këto kujtime, të cilat ne po i publikojmë në dialektin gegërisht, ashtu sikurse janë shkruar nga vetë autori, janë shkëputur nga libri i tij, "Dhetë vjet burg në Shqipni, 1945-1955", të cilin at Giacomo Gardini e botoi fillimisht më 24 maj të vitit 1986 në Itali.

KUSH ISHTE AT JAK GARDINI?

Jak Gardini, Apo Giacomo sic është emri i tij i vërtetë, u lind në 24 shtator të vitit 1905 në Prodolone të San Vito Tagliamento, në krahinën e Pordeone të Italisë. Kur ishte në moshën 18-vjecare, më 12 nëntor të vitit 1923, ai hyri në Shoqërinë Jezu. Pas dy vjetëve studime të novicjatit në Goricë, ai u përgatit edhe për disa vjet të tjera në Filozofi dhe më pas u transferua për në Chieri (Torino) me qëllim që të ndiqte kurset trevjecare të filozofisë, sipas traditës së Jezuitëve. Pasi mbaroi të gjithë ciklin e studimeve të Jezuitëve, në vitin 1930 Gardini u transferua dhe erdhi në Shqipëri për të shërbyer në radhët e klerit katolik. Në atë kohë ai u emërua si pedagog në Kolegjin e Fretënve Jezuitë të qytetit të Shkodrës ku për shumë vjet me radhë krahas gjuhës italiane, ai dha edhe disa lëndë të ndryshme. Po kështu, krahas mësimdhënies, Jak Gardini u mor edhe me mbledhjen e folklorit, dokeve dhe zakoneve të Shqipërisë së Veriut. Në vitin 1936, ai u rikthye përsëri në Itali, për të ndjekur studimet teologjike dhe pas përfundimit të tyre, më 15 korrik të vitit 1936, nga Kardinali Maurilio Fossati, u shugurua si meshtar në provincën e Chierit. Pas kësaj në vitet 1937-1938, ai shkoi në Francë për të kaluar një vit në Paray-le Monial, për të mbaruar vitin e fundit të ciklit të gjatë të studimeve të Shoqërisë së Jezuitëve, i cili konsiderohej si viti i tretë i provës. Menjëherë pas përfundimit të atyre studimeve në Francë, ai u caktua për të ardhur në Shqipëri si pedagog në Kolegjin e Shën-Francesk Saverit dhe në Seminarin Papnuer Shqiptar të qytetit të Shkodrës. Që nga ajo kohë e deri në vitin 1945, At Jak Gardini, i cili zotëronte në mënyrë të shkëlqyer gjuhën shqipe, dha mësim pranë atij Kolegji duke iu përkushtuar me të gjitha aftësitë e tija fizike e shpirtërore edukimit të rinisë. Në vitin 1945, kur regjimi komunist i Enver Hoxhës filloi goditjen e egër ndaj klerit katolik, At Jak Gardini u arrestua duke u akuzuar si shërbëtor i fashizmit dhe agjent i Vatikanit. Pasi u mbajt për disa kohë në burgjet e improvizuara të qytetit të Shkodrës, ai u nxor në gjyq dhe u dënua me dhjetë vjet burg politik, të cilat i vuajti në disa kampe të punës së detyruar në vende të ndryshme të Shqipërisë nga Jugu në Veri. Në vitin 1955, pas marrëveshjes Hrushov-Adenauer dhe kur Shqipëria komuniste po përmirësonte marrëdhëniet diplomatike me Italinë, ai u lirua nga burgu dhe u riatdhesua në vendin e tij të origjinës. Pasi qëndroi për një kohë të shkurtër në një institucion fetar të quajtur Shtëpia e Ushtrimeve Shpirtërore, në Bassano del Grappa, atij iu besua drejtimi shpirtëror i studentëve jezuitë të Lonigo-s (Vicenza), ku shërbeu me devocion deri në vitin 1960. Në atë vit, At Gardini u dërgua si epror në Shtëpinë e Ushtrimeve të Rivalta-s pranë Reggio-Emilias. Nga viti 1964 e deri në vitin 1976, ai shërbeu në qytetin e Triestes me detyrën e superiorit të jezuitëve dhe si famullitar. Nga viti 1976 ai vazhdoi të kryejë detyrën e meshtarit në Parma të Italisë. Edhe pse kishte vuajtur për dhjetë vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, At Gardini nuk e konfondoi atë me popullin shqiptar të cilit i kishte shërbyer me devotshmëri për vite me radhë. Nisur nga ky fakt, me shembjen e regjimit komunist ai erdhi menjëherë në Shqipëri duke dhënë ndihmesën e tij në rilindjen e Kishës Katolike dhe lirinë e besimit fetar. At Jak Gardini u nda nga jeta në vitin 1996, në moshën 89-vjecare. Në fillimin e viteve ‘80, At Jak Gardini kishte shkruar kujtimet e jetës së tij për kohën që kishte shërbyer në Shqipëri, duke i përmbledhur ato në një libër të titulluar "Dhetë vjet burg në Shqipni" (1945-1955), i cili u botua në Romë në 24 maj të vitit 1986. Nga ai libër i At Jak Gardinit, në shenjë nderimi dhe kujtimi për të gjithë veprën e klerikëve katolikë që u persekutuan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ne kemi përzgjedhur disa pjesë të cilat po i botojmë më poshtë në këtë shkrim, duke i publikuar ato në dialektin gegërisht ashtu sikurse i ka shkruar vetë autori.

AT GARDINI: ARRESTIMI IM NË 1945-ën

At Jak Gardini (në rreth) me disa klerikë të tjerë në rrugët e qytetit të Shkodrës, duke u dërguar në sallën e gjyqit
Ishte natë kur erdhën me m‘arrestue. Rrethue në mes ushtarve, mbas nji ecje së shkurtë, më futën në nji banesë private të kthyeme në komandë ushtarake. Më shtynë në nji dhomë të madhe t‘errët, ku ndigjojshem gjind (njerzit, shënimi ynë), tue gërhatë mbi shtretnit e shpërthyem qi kërsitshin nga lëvizja ma e vogël. U shtrina për tokë, mbështolla brezin priftnuer qi më ngjishte belin dhe e vuna nën krye si jestek, e mbasi ia lash Zotit në dorë fatin tim, u mundova me fjetë. Por përnjiheri nji ushtri insektesh, pleshta e cimra, ma mbushi e torturoi shtatin deri më tre mbas mesnate. Kur oficeri i rojës u kujtue për kët gjendje, shty nga mëshira, më hoqi prej andej, e mbasi shtroi pallton e vet mbi nji rrjetë metalike sipër dyshemes, më la me marrë pak gjum. Të nesërmen më transferuen në nji nga burgjet e shumta të hapuna nergut (me ngut), në qytetin e Shkodrës. Përflitej se ishin kund nja tridhetë burgje e të gjitha të mbushuna plot. Aty kuptova se ishte kah fillonte nji fazë e re dhe e ndryshme e jetës sime: jeta e të burgosunit, e në cfarë duersh se? E kështu filloi fjetja për tokë, vuejtja nga insektet, ankthi i pyetjeve, ulurima e të torturuemve, shtrydhjet e pafund të ndërgjegjes vetjake për të zbulue fajet e pabame, vetmimi, kërcnimet, fyemjet, shamja, mundimet përme të nxjerrë ndonji sekret, pëshpëritja e të burgosunve për procese e dënime e pushkatime. Ishte një fund ferri me të ba me e dishrue vdekjen si nji shlirim, der në tundim të vetvrasjes në qoftë se prangat do ta kishin lejue. Racjoni i ushqimit: bukë e uj; bukë gruni e uj druni, si thohej ndër ne të burgosunit; vetëm se buka, të shumtën ishte bukë misri, gatue si mos ma keq. Ishte një vorbull gjanash të përbindëshme të rrajosuna në nënvetdijen time tue u mbarsë: ngarkim i tmerrshëm kthye në farkë andrrash përfriguese, ankthesh nate. Edhe mbas njizetepesë-tridhetë vjetësh herë-herë zgjohem papritur, i tmeruem, tue m‘u dukë se po më pelset zemra. Ai burg i parë ishte nji dhomë e madhe me dritore e dyer të ndryme. Mbi dysheme dukeshin mbeturinat e atij qi kishte qenë para meje: ndytësina gjithkah dhe enë të mbushuna me të dala njeriu. Mes të burgosurve, një ushtar gjerman Në nji qoshe ma pak të ndyetë, ishin gjind të grumbulluem e në heshtje, si me dashtë me shqyrtue se cka mund t‘u binte e ardhmja, t‘etshëm me ndigjue nga shokët tregimet e pëshpërituna të torturave, pësue gjatë pyetjeve. Më kujtohet se ndër ta ishte edhe nji ushtar gjerman: vuente nga spira, e i dishpriuem, i binte derës së qelis; mirpo vetëm në nadje e në mbramje ishte e lejueshme me shkue me zbrazë enët plot ndyetsi. Në dhomën tonë enët ishin gjithashtu plot e përplot. Kur rojet, të mërzituna nga kambëngulja, vendosshin me hapë derën, zakonisht zbrazshin nji batare shqelmash mbi fatkeqin qi bante me durim, mjaft qi ta kryente nevojën. N‘at gjendje plot ankthe pata krejt kohën me mendue për vete: kurr në jetën time s‘i bana aq shqyrtime me aq imtësi ndërgjegjes sime. E binda veten se "mëkatet e mija" nuk ishin pra faje për t‘u dënue me burg. Ato kufizoheshin në ndonji fjal qi cdo prift duhet me thanë n‘ushtrimin e detyrës së vet, sado të papranueshme nga ai qi e ban mjeshtri ateizmin. Por, sa i pasherr ishem! Ende nuk kishem kuptue se rojeve të mija u interesonte pak e vërteta ase pafajsija ime dhe e tjerve. Qëllimi ishte me shrrajosë nga Shqipnija, njeri mbas tjetrit, njerz e institute qi në cfardo mënyre kishin lidhje me fen e Kishën Katolike, tue zhdukë kështu edhe mundsin e cdo opozicjoni ideologjik e politik.

GARDINI PARA HETUESVE

U bindja kur filleun me më marrë në pyetje edhe mue. Më vecuen krejtësisht. U gjeta vetëm para ndërgjegjes sime, me Zotin, përpara të cilit e ndiejshem veten të pafaj, por edhe me trupin e ligsuem timin. Ndër ato ditë e net të pambarueshme përjetova pak prej asaj qi duhej t‘ishte në njifarë mënyre nata e Krishtit në kopshtin e Getseman-it. Ishem krejtsisht vetëm, pa ngushllim, ndërmjet gjindsh anmiq, i pamprojtun me parapamjen e mundimeve e ndoshta të vdekjes., Engulli i Tenzot, vërtetë se ma ngushllonte zemrën, porsa trupi u dridhte e djersa më mbulonte. Kur m‘erdhi rradha u hap dera e qelis. Nji roje m‘urdhnoi me nji ton të vrazhdë: "Cou"! M‘i mbërtheu llanët me hekura e më coi nëpër disa rrugina të nji zyre ku më pritte nji oficer. Më pranoi me një përzemërsi të dukshme e më vrejti me nji shikim të gjatë kureshtar: ishem veshë me veladon! Më tha t‘uleshem e aty filloi marrjen në pyetje. Por para se të tregoi mbi zhvillimin e pyetjeve, mendoj se asht me vend të thom dicka mbi atë qi kishte ndodhë përpara arrestimit tim. PSE

U ARRESTUA PRIFTI ITALIAN

Kah gjysa e vjetit shkolluer 1945, drejtori i kolegjës së drejtueme prej jezuitve në Shkodër u njoftue se autoritetet ushtarake, qi kishin marrë pushtetin e vendit, dishrojshin me krijue nga studentat e gjimnazit të naltë e të liceut nji celulë rinije komuniste. Nuk mbetesh tjetër vecse me u përulë! Kështu cdo javë nji propagandist vinte në kolegjë me dhanë mësimet e tija. Nji nga profesorët me rradhë ishte i pranishëm në konferencë me iu qenë afër studentave e njiherit me ndigjue se cka po mësohesh. Aty kah fundi i majit më takoi edhe mue me marë pjesë në nji nga këto konferenca. Berlini sapo kishte ra nën presjonin e Armatës së Kuqe. Konferencjeri me afsh lëvdoi fitoren definitive të komunizmit mbi nazizmin e mbi fashizmin, tue u thellue në përshkrimin e të këqijave qi këto ideologjina i kishin shkaktue njerzimit të mjerë. Kishte ma se të drejtë, mirëpo në hov e sipër vente në të njëjtin nivel e ngarkonte me të njëjtat përgjegjsi si kombin gjerman ashtu edhe italjan. Ndigjova i heshtun, e kur në fund konferencjeri ftoi të pranishmit me dhanë një kontribut personal mbi paraqitjen e temës, u cova e kërkova fjalën. "Jam italjan-thash-e nuk m‘intereson nazizmi. Përsa i përket fashizmit qi e suell Italin në shkatrrimin e tashëm, due me u vu në dukje se nuk e quej të drejtë me përnjisue kombin italjan me partin qi e ka qeveris ndër këta vjetët e fundit. Gjithashtu, mue nuk më duket nji metodë e mirë historike me pohue se fashizmi ka ba vetëm të kqija e me mohue meritat e italjanëve n‘ato raste bashkpunimi ku nisjativat e fashizmit kanë dalë positive". Rreshtova nji rradhë të kqijash qi, sambas gjykimit tim, fashizmi u ka shkaktue italjanve, edhe disa të mrrijtuna qi përkundrazi i mendojshem positive. Ndër tjera pohova se Mussolini-t mund t‘i njihesh merita për zgjidhjen e cashtjes së mocme romake. Ndërhymja ime e la konferencjerin pak a shum të hutuem: shestoi disa përgjegje e shpejtoi me përfundue. Tue e shoqnue në dalje e përgëzova për konferencën e tij, por përnjiherit vuna re se ishte zemrue keq. Për atë vrejtjet e mija ishin një "sabotazh". Menjiherë i parashtroi prokuoris nji padi aq të randë sa mos me lejue tjetër dënim vecse një plumb ballit. Hollsinat e tonin e asaj padije i mora vesh ma vonë nga vetë Prokurori i Republikës, i cili, gjatë nji marrjeje në pyetje, nuk ia dilte me kuptue se si mund ta projshem (mbrojshim) pafajsin time përball sulmeve si ato qi ishin rreshtue në padi. Dyshimet mbi mue peshojshin aq randë si nji stuhi, kur, disa javë ma vonë kremtuem në kolegjë festën e Shën Luigj Gonzagës (21 qershuer 1945). Në meshën solemne, në pranin e krejt studentave naltsova figurën e Shejtit qi kishte shtri energjit e veta në burimet shpirtnore të besimit të tij në Zotin. Disa agjenta civila, të pranishëm në meshë, muerën mjaft shënime të fjalëve të mija. A i mbajtën si fyemje kundër ideologjis marksiste-leniniste? A i quajtën si një prozhmim kundër regjimit? Kurr nuk mujta me e dijtë. Por aty kah ora 9 e së njëjtës mbamje erdh nji tubë ushtarësh t‘armatosun e më mori nga shtëpija; e c‘prej atij casti nuk u ktheva ma në mes bashkvllazënve të mij. Ndër njizet ditët që kaluem ndërmjet të parit e të dytit episod të sipërtreguem, ishte grumbullue nji sasi materiali kundër meje. Por nuk ishte veprimtarija ime qi peshonte në kandar: në gjykim padive do të sillesh krejt procesi e dënimi. Nga ana tjetër, në ndërgjegjen time e para Zotit nuk gjejshem shkak për me e qortue veten gjatë dhetë vjetve të përkushtuem krejtsisht për të mirën e rinis shqiptare.

GJYQI NDAJ AT GARDINIT

Gjatë pyetjeve tregova ndjetin e sinqeriteitn ma të plotë: ndoshta ndokush mundet madje me thanë se ishem gati naiv: Bashkfolsi im, përkundrazi, ishte krejtsisht i bindun se kishte punë me "nji spiju të Vatikanit". Pyetje mbas pyetjesh, tue e ndërrue me aftësi e papritur bisedën, prokurori e përdredhte atë në njiqind mënyra të tjera: futte hollësina të habitshme tue i lidhë me shprehje banale. U pshtjellue e u qetsue kush e di sa herë. Ma në fund, me fraza tinzake, m‘u kërcënue se do të më shtinte n‘aso mundimesh sa me u detyrue me i kërkue si nder të madh me më ra pushkë ballit. Përpara këtyne kërcnimeve më shpëtoi gjuha e thash: "Në se ju do të guxoni me më shkaktue vetëm nji torturë të padrejtë, me siguri do të dali Dikush qi do të ju kërkojë llogari, e do ta pagueni". Mbet si i shtangum e pëshpëriti: "Do të shifemi prap" e më dorzoi rojeve. Në të vërtetë kurrë nuk kam qenë ekspert në politikë. Jam interesue gjithmonë për ngjarjet, tue i vleftësue ashtu si më dukeshin ma mirë në bazë të kritereve personale. Porse, dyshimet, dhelpnit, dredhit me krimet qi shpesh i shoqnojnë nuk kanë ndërhy kurrë në sferën e interesimit tim. Përkundrazi i kam urryer gjithmonë. Ndoshta kjo dukesh nga sjellja ime, nga mënyra e arsyetimit dhe e mprojtjes sime. Fakti asht se as ky oficer, as të tjerë qi më morën në pyetje ma vonë e mbasandej as vetë prokurori nuk ia dolën me zbulue kundër meje nji padi të saktë qi do të mundte arsyetimisht me u paraqit si faj. Por un ishem prift e pra duhesh dhanë nji dënim.

AT GARDINI: PUSHKATIMI I DOM ZADEJËS, SHANTOJËS, ARAPIT E TRACKIT

Në rast se padinat ishin të paqindrueshme, ato duhesh të mvesheshin me petkun e krimit! Edhe përpara dënimit tim, e për arsyena qi regjimi shqiptar kurr nuk ia ka shpallë publikut, kah fundi i ‘44-it ase në fillim të ‘45 -ës qe pushkatue në Sheldi, Dom Ndre Zadeja, studjoz në za, në famullin e tij në rrethet e Shkodrës. Afërsisht po n‘at kohë në Tiranë qe pushkatue Dom Lazër Shantoja, mbas torturave të tmerrshme. Po në Tiranë në muejt e parë të 1946-ës qe pushkatue franceskani At Anton Harapi bashkë me nji rradhë ministrash të shtetit, sepse kishte ba pjesë në qeverin e imponueme nga forcat gjermane të pushtimit. E më 1944-ën kishte vdekë në konop prifti Alfons Tracki, për të vetmin faj se ishte i kombsis gjermane. Por tue u kthye te procesi im, më bjen ndërmend se aty kah gjysa e muejit gusht të 1945-ës filloi me funksionue i ashtuquejtuni "gjyq i popullit". Deri n‘at cast proceset u zhvillojshin, si t‘i thomi, me dyer të mbylluna, porse populli ishte i ftuem vetëm për t‘u gjetë aty në dënimet me vdekje të vendosuna shpejt e shpejt. Ishte periudha në të cilën duhesh t‘u zbatonte dënimi sa më shpejt kundra krejt "kriminelave e trathtarëve". Shpesh herë n‘agim të dritës u ndigjonte krisma e mitralozave e mandej plumbat e fundit. Ma vonë mbi murret e qytetit shpalleshin emnat e të pushkatuemve.

PSE U ARRESTUA AT GARDINI

Me arrestimin e dënimin me burg, cashtja ime mund të quhesh e kryeme. Por unë nuk ishem i vetmi qi rash për pakujdesi në kurthën e "pushtetit të popullit". Un bajshem pjesë në nji bashkësi të madhe qi mbarshtronte grupe të mëdha institutesh. Shoqnija e Jezuitve atëhere drejtonte Seminarin Papnuer, Kolegjën Saverjane, jetimoren, shtypshkrojën me dy revista; nji grup jezuitësh gjatë dimnit kujdesesh për të mirën shpirtnore të malsorve, tue pajtue gjaqet ase hakmarrjet; mandej drejtonte nji rradhë veprimtarish t‘Aksjonit Katolik. Misjoni i Jezuitve në Shqipni përmblidhte nji kompleks t‘organizuem mjaft mirë qi jo pa arsye mbahesh si nji pararoje e krishtenimit në nji vend kryesisht musliman. Simbas mentalitetit të njerzve të regjimit të ri, selija e veprave të ndryshme të jezuitve ishte njifarë krahu i gjatë i Vatikanit, njifarë kështjelle e shikueme me dyshim e madje edhe me frigë. Qyshse trupat partizane të clirimit kishin zavendsue ato gjermane (nanduer 1944), veprat e misjonit qenë shkas hetimesh rrajsore; ma se njiherë gjatë kontrollimeve cdo gja u suell posht e përpjetë e u shqyrtue me kujdes se mos po gjejshin ndonji shkak të mjaftueshëm për t‘i dhanë zjarr nji sulmi qi do të conte n‘ajr gjithcka. Në shekujt e histories së tyne kundër jezuitve nuk kanë mungue kurr shpifje, edhe shnderuese, paragjykime, e Shqipnija nuk bante nji përjashtim: shprallime qarkullojshin edhe ma parë; por ndër vjetët për të cilët po flitet, kishte ndërhy edhe ndonji spijunllëk ase tradhti "miqsh". Megjithatë kurrgja konkrete ase e vërtetë nuk kishte dalë në shesh.

KËSHILLAT E AT GJON FAUSTIT

Mbas arrestimit tim e dënimit me burg, bashksija jetonte si pa frymë e me parandjenjën e afrimit të nji stuhije. Krejt rinija e kolegjës ishte e prekun. At Gjon Fausti, qi kishte detyrën e nënprovincjalit, kur i kallxova se cka kishte ndodhë në konferencën e famshme, më pat thanë: "Duhesh të kishe qenë ma i matun! Por ti je vetëm i pari; nuk do të vonojë me ardhë edhe ora jonë. Jemi në duert e Perendis!". Përpara e mbrapa dënimit tim ndonji bashkvlla vinte me më vizitue në burg; porse biseda zhvillohesh gjithonë në pranin e nji roje të gatshme me diktue cdo shej ase shprehje, qi mund të na merrte në qafë. Nga shkaku i rrethanave, rasa ime nuk kishte ngatrrue bashkvllazën të tjerë të mij ase ente katolike. Për tashti ishem vetëm nji subjekt i padishruem mbi të cilin pushteti kishte mujtë me vu dorë me njifarë përligjsimi. Kjo mund të quhet si nji gja e vogël, por gjithmonë nji hap i parë qi ma vonë do të mundte me cue te qëllimi i dishruem. Në burg ishem natyrisht në padijeni të plotë se cka u ndodhte bashkvllazënve të mij jezuitë. Kah gjysa e dhetorit 1945 kuptova fluturimthi nga buzët e njenit qi kishte ardhë me më vizitue: "Xhakojt arrestue!" Mbeta si të më kishte ra rrfeja e i kapërthyem prej pikllimi, sepse ato fjalë posa të pëshpërituna lijshin me kuptue shum gjana. Tue e vu veten në rrezik, nënprovincjali At Fausti erdhi me më vizitue për Krishtlindje. N‘at rast ai vërtetoi lajmin, tue dhanë nji shej ftyre: "Në duert e Zotit:" Ajo qe hera e fundit qi e pash e i fola. At muej të dhetorit ishin caktue zgjedhjet për krijimin e Frontit Populluer. Në qytet forcat kundërshtare të regjimit kishin vendosë msheftas me e njoftue popullsin mbi vështrimin qi kishte ajo votë, randsin e saj e rrjedhimet qi mund të ndodhshin. U dukte se deri n‘at cast fuqinë në dorë e kishin trupat e clirimit, formue me elementa të cdo besimi fetar e politik, qi ishin bashkue me dëbue pushtuesit e vëndit. Në të vërtetë Fuqitë e Armatosuna ishin të kontrollueme nga komunistat, e zgjedhjet synojshin vetëm me i dhanë njifarë pamje ligjore atyne qi e kishin marrë pushtetin e dojshin me e ruejtë vetëm për vete. Kaq asht e vërtetë sa kur, ma vonë, u mundue me organizue kuadrot drejtuese, zanat e qindresës, qi me cdo të drejtë urojshin nji qeveri koalicjoni, së pakut me socialistët, u vunë në heshtje e mandej qenë shtypë. Asht e dijtun se në kët klimë ato zgjedhje nuk do të mundeshin me u zhvillue në mënyrë me të vërtetë të lirë. Qysh me kohë ishte parapa sekuestrimi i tipografive, ciklostileve, rezervave të letrës, maqinave të shkrimit, e gjithckahes qi mund të bahesh vegël e propagandës. Edhe në shtëpin e jezuitve u sekuestuen krejt mjetet e tilla.

HEDHJA E TRAKTEVE ANTIKOMUNISTE

Megjithatë, disa seminarista ia kishin dalë me gjetë, në sekretin ma të madh, disa pjesë të nji ciklostili të vjetër e me e ba në njifarë mënyre me punue. Pa dijeni t‘eprorve e dakord me disa elementa të qytetit, me at vegël fillestare, natën, shumzuen fletushka e i përhapën nga pak gjithkah. Policija qi nuk flinte, ndaloi nji djalosh të ngarkuem për shpërndamje e me të rrahuna, ia duel me zbulue prejardhjen e atyne fletëve. Kështu ata mrrijtën ke xhakojt e seminarit tonë. Katër u arrestuen. Tue i nënshtrue torturave të ndryshme, policija synonte me i shtrëngue me pohue se organizatorët e atij komploti antiqeveritar ishin eprorët e jezuitve. Por, me gjith shtrëngimet, premtimet, torturat, seminaristat mbetën të patundshëm në pohimin se përgjigjsija ishte krejt e vetëm e tyne. Me gjithë këtë dy etnit, Fausti e Dajani, u arrestuen njisoj. Nënshtrue keqpërdorimeve, për krejt muejin e kallnorit e të frorit mbetën të mbyllun ndër nevojtore grafullue me ndyetsina, pa u ballafaque kurr me seminaristët. Asnji za, bile as prej njerzve miq të parties, qi ishin në favor të etënve, nuk u ndigjue. Advokati Dhimitër, i mbajtun si juristi ma i mirë shqiptar, u përpoq t‘i mprojë tue theksue: "Do t‘i bani vetëm martijës në rast se i dënoni", por atë e fishkulluen. Gjithcka ishte sajue, e në gjyq prokurori kërkoi dënimin me vdekje për seminaristët e burgun e përjetshëm për të dy etnit. Ky vendim qe ndryshue nga gjyqi i naltë qi tetë ditë mbrapa dekretoi: dënim me vdekje për dy etnit e nji seminarist, burgim të përjetshëm për të tjerët. Për gjashtë ditë me rradhë të pandehunit të lidhun dy nga dy e me At Faustin vetëm në krye, shkojshin në gjyq e parakalojshin ndërmjet dy anësh të popullit qi bërtitte: "Me vdekje trathtarët", tue hjedhë pështyma e shpoti sidomos kah "kryetari i cetës" qi ecte i kthjellët si nji "krisht i shkretë". Në mëngjesin e pushkatimit, tue dalë nga qelit me dritë qiriu e gjatë kalimit, ishte pikërisht ai, "kryetari i cetës" që u drejtue me fjalë ngushlluese shokëve për falje e shpresë për të gjith: "Po shkojmë te shtëpija e Zotit!". Besoj e më bjen mirë në mend: ishte 4 mars 1946. N‘agim u ndigjue nji krizëm tmeruese e mitralozave. Kufomat qenë hjedhë në nji vorr të përbashkët mbas mureve të vorrezave katolike të Shkodrës. Kah ora nandë po e atij mëngjesi, dera e shpellës ku ishem ndry me priftën të tjerë, u hap e në valë të dritës qi hyni njofta fytyrat e dishprueme të tre seminaristave qi kishin mbetë gjallë. Me pushkatimin e etënve Fausti e Dajani, vepra e jezuitve në Shqipni, e ndërtueme me durim gjatë krejt shekullit të fundit, mori grushtin shkatrrimtar. Nuk ishte cudi qi, sado në kundërshtim të përgjithshëm e të mjerë, e ende në mungesë të disa degëve, prapsepra gjithnduershmenija ndërtuese, në të cilën ishte zhvillue vepra e jezuitve me ngulmenin e njerzve të vendosun të fortë e gjallnikë, mund t‘epte përshtypjen e nji "kështjelle". Përkundrazi pushtuesit e rij me fare pak përjashtime, kishin nji kulturë thuajase të kufizueme. Nji antagonizëm i tillë padyshim mund të shkaktonte nji ndjenjë të fortë frige. Ishte mjaft logjike pra se qysh nga fillimi do t‘u mendonte seriozisht për zhdukjen e kësaj kështjelle. E tashti "kështjella" mund të quhesh e pushtueme: veprimtarit e ndryshme pezullue, shkollat mbyllë, mjetet si tipografija, biblioteka, muzeu e laboratori i fizikës shtetzue, seminaristat dërgue nëpër shtëpijat e tyne, jezuitët shqiptarë shpërnda e ata italjanë riatdhesue. Ishte një operacjon i përkryem me të vërtetë në mënyrë të vendosun e rrajsore.

EKZEKUTIMI I KLERIKËVE TË FAMSHËM

Partija komuniste shqiptare e dinte mirë se ndër pozitat doktrinore të Kishës e të vetat nuk mund të kishte marrveshje. Nga ana tjetër n‘ato fillesa, përpara se ta futshin krejt gjendjen në dorë, nuk ishte i udhës një sulm ball për ball. Nuk mund të lihej mbas odre se nji numër i mirë katolikësh, dashje ase padashje tashtima ishin inkuadrue n‘ushtrinë e rregullt. Mandej zona malore, tue fillue nga liqeni i Shkodrës mbi nji vijë qi mrrinte deri në kufijt e Dibrës, gati nji e treta e Shqipnis, ishte në shumicë e banueme nga katolikë, e ende jo mirë e kontrollueme nga fuqit qeveritare. Nga nji cast në tjetrin kjo zonë mund t‘u shndërronte në nji qendër kundërshtare. Prandej shpalljet e përhapuna në vend nga organet qendrore e sigurojshin ende lirin e fes. N‘ato shpallje u theksonte edhe se "tradhtarët e anmiqt e popullit" duhet t‘ishin të kujdesshëm ndaj "drejtsis popullore". Por kush ishin ata se? Në cfarë pikëpamje e pse quheshin ashtu? Filluen me qarkullue fjalë për njerz të vumë qysh me kohë në nji listë të "të zhdukunve" e tash të pushkatuem. Në Shkodër, gati në kufi me Jugosllavin, menjiherë mbas hymjes së trupave partizane, u folte për arrestimin e disa priftënve e për pushkatime në masë. "Ishin tradhtarë", por m‘anë tjetër u tha se nuk u donte n‘asnji mënyrë me e sulmue Kishën. Kështu u zhdukën Dom Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Dom Alfons Tracki, Dom Nikollë Gazulli, Dom Pjetër Cuni e disa franceskaj. Duket se autoriteteve të Kishës katolike iu ba nji grishje nga Qeveria komuniste, por në të vërtetë nuk u mrrijt n‘asgja. Nji përgjegje e asnjanshme e Kishës qi ndoshta tingllnte si nji "jo" për nji bashkëpunim të drejtpërdrejt- a mos qe interpretue si nji shej anmiqsije? Nuk mundem me e pohue me siguri, por në fakt shtrëngata qi qysh prej kohe shkonte tue u dendsue përfundoi tue shpërthye egërsisht si nji duhi.

HUMBJA E IMZOT THACIT DHE KRERËVE TË TJERË KATOLIKË

Tashma, ndërmjet mbarimit të 1945-ës e marsit të 1946-ës qenë shkatrrue jezuitët e veprat e tyne, si kam tregue ma sipër. Në maj po të njëjtit vjet 1946, i ndrydhon nga ngjarjet u shue argjipeshkvi metropolit i Shkodrës, Imzot Gaspër Thaci. Kështu Kisha e Shqipnis humbi njenin prej barijve ma të përkryem. Delegati apostolic, Imzot Giovanni B. Nigris, mbas kthimit të tij nga nji udhtim në Romë qe deklarue "person i padishruem" e qe dëbue. Argjipeshkvi i Durrësit, franceskani Imzot Vincenc Prenushi, mekesh në burgjet e qytetit të vet ku mbaroi jetën më 1949. Ipeshkvi i Pultit, franceskani Imzot Bernardin Shllaku, ishte tue ba burg në Shkodër me të dënuemit ordinerë, sepse i ishin gjetë në shtëpi disa kile misri "jashtë ligje". Nga Kisha shqiptare, tashma e thërmueme, kishin mbetë ende për t‘u rrenue dy elemente për deri në zhdukjen e saj të plotë: bashkësija e franceskajve me veprat e drejtueme prej tyne e njisit e mbetuna t‘ipeshkvis të përbame nga Imzot Frano Gjini, ipeshkëv i Lezhës e Imzot Gjergj Volaj, ipeshkëv i Sapës në Zadrimë. Prandej përpjekjet e qeverisë së Tiranës u përqindruen kundër ktyne objektivave. Në fillim të 1947-ës, qenë arrestue e mandej pushkatue provincjali i franceskajve, At Mati Prendushi e guardjani i kuvendit At Ciprian Nika. Ata qenë paditë se kishin mjaftë armë të mshehuna në kuvendin e tyne të Gjuhadolit, qi ishte shtëpija amë e franceskajve. Pasunit e Urdhnit qenë konfiskue. Ma vonë do të mirret vesh se armët, për shkak të të cilave u pushkatuen, qenë mshehë në kuvend nga vetë agjentat e policis gjatë një kontrollimi. Këtë do t‘a deklaronte para gjyqit nji agjent qi kishte humbë besimin e parties. Ky ishte Pjerin Kqira e për at deklaratë atij iu desht me përballue dënimin me vdekje. Në të njëjtin vjet 1947, afër Pashkëve, mbas torturave të pabesueshme, qenë dënue me vdekje e pushkatue dy ipeshkvit qi kishin mbetë bashkë me Dom Nikollë Dedën. E lista do të mundte me u zgjat tragjikisht me priftën diocezanë e rregulltarë qi un pata njoftë personalisht, e të cilët u pushkatuen ase vdiqën nën tortura, ase si rrjedhim i mundimeve të psueme. Ishim rreth njizet priftën në burgun e vjetër të Shkodrës e kishim mjaft kohë me ba së bashku lista emnash e grimca informatash. Bajshim llogari të gjata e t‘imta rreth atyne qi sigurisht kishin vdekë e t‘atyne qi mund të vdiqshin nga nji cast në tjetrin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora