Shtesë » Historia
Male që mbartin histori
E hene, 25.08.2008, 11:14 PM
“Sipas një legjendë malazeze apo shqiptare, djalli po kalonte nëpër botë. E kishin caktuar që të ndante malet mbi këtë tokë. Duke kaluar nga këto anë, thesi që mbante plot gurë u ça dhe rreth e rrotull vendi u mbush me shkëmbinj...”
Delagrave
Nga Luan Rama
Shqipëria e Epërme ka qenë padyshim një nga zonat më tërheqëse të botës shqiptare për udhëtarët e ndryshëm francezë, të cilët shekujt e fundit patën mundësi të zbarkonin gjer në Shqipëri. Një botë që do të frymëzonte dhe Kadarenë për disa nga romanet më të mira të tij, si “Prilli i Thyer”, “Dosja H” apo “Ura me tri harqe”… Dhe jo vetëm atë, por qindra letrarë të tjerë. Më kujtohet një udhëtimi im në fillimet e viteve ‘80, kur si kineast i ri do të nisja një aventurë të rrallë: të ngjitesha në majëmalet e Tropojës dhe të zbrisja poshtë njëmijë metra në Curraj të Epërm, atje ku fillonte Rrafshi i Dukagjinit, në një gropë gjigante natyrore mes malesh, e ku poshtë, lumi i kaltër i Cemit i ngjante një vije lapsi të hedhur në ngjyrë blu. Objekti i atij dokumentari ishte të xhiroja një lahutar të vjetër, një nga bardët apo rapsodët e fundit të epikës legjendare apo të këngëve të eposit të veriut shqiptar, atij të këngëve të Mujit e Halilit, të Ago Ymerit, etj. Ishte një plak 105-vjeçar që këndonte ende në lahutë këngë të gjata, në mijëra vargje e që zgjasnin një apo dy orë. Një pikëtakim i ngjashëm si në baladat homerike. E kështu, duke shkelur nëpër Curraj të Epërm, u takova atje me një mësues të pasionuar për historinë e Shqipërisë, i cili do më fliste për herë të parë për një studiues francez të quajtur Degrand e që kishte shkruar një libër për Shqipërinë e Epërme. Ky libër do të më binte në dorë vite më pas në Paris dhe përshkrimet e Degrand do të më risillnin në mendje atë udhëtim të rrallë me impresione të pashlyeshme.
Ami Boué
Pikërisht nga Shqipëria e Epërme kishte kaluar shumë vite para Degrandit dhe albanologu i njohur francez, Ami Bué, autori i veprës së njohur “Turqia e Evropës”, ku flet për udhëtimet e tij në Shqipëri dhe studimet e tij mbi tokën shqiptare dhe banorët e saj. Emri i tij i plotë ishte Amedée dhe kishte lindur në Hamburg më 1794-ën, në shtëpinë e gjyshit të tij, De Chaperouge, një familje me origjinë nga Bordoja (Bordeaux). Kur ai lindi, në dorën e djathtë kishte gjashtë gishta. Gishtin e tepërt ia prenë që në vogëli. Kur u rrit studioi për mjekësi në Paris, pastaj në Edimbourg, Vjenë e Berlin, por në fakt pasioni i tij i vërtetë ishin udhëtimet dhe zbulimi i qytetërimeve të panjohura. Kjo dëshirë e bëri që përveç gjuhëve frënge e gjermane, të mësonte dhe gjuhë të tjera, si anglishten, italishten, rusishten, turqishten, holandishten, spanjishten, portugalishten, si dhe shqipen. Mësuesi i tij i shqipes ishte një murg armen, i cili gjatë udhëtimit donte ta kthente atë në fenë katolike. “Unë mësova dhe shqipen, - shkruan Boué në biografinë e tij. - Po me fjalorin tim në duar, mund të merresha vesh jo vetëm për nevojat e udhëtimit, por edhe për gjëra të tjera”. “Gjuha shqipe, - shkruan ai, - duhet të ketë për bazë gjuhën e Ilirisë së vjetër dhe është një gjuhë indoevropiane“ (“Le schkipe pouvait avoir pour base le language de l’ancienne Illyrie et ëtre une langue indo-européenne“). Pasi kishin zbritur në tokë shqiptare dhe i ishin afruar Koplikut, armeni ishte trembur nga malësorët shqiptarë që e vështronin vëngër, pasi ai ishte veshur si turk. Armeni donte ta kthente atë, por Boue ishte i vendosur ta shikonte Shkodrën, atë qytet për të cilin kishte dëgjuar aq shumë. Kështu ata u zunë dhe armeni i frikësuar u zhduk tej maleve. “Më pas nuk munda të gjeja një profesor të shqipes, - shkruan Boue, - dhe kështu mu desh të studioja me një gramatikë dhe fjalor jo të plotë”. Një ditë, kur kishin kaluar në Qafë-Mali e kishin kaluar sa në një han në tjetrin nëpër krahinën e Lumës, duke zbritur drejt Fushë-Arrësit e Pukës, pasi kishin lënë tutje disa kilometra më pas “Latin-Han”, siç shkruan Boue (apo siç mund të ishte në shqip “Hani i Latinëve”), ata ndalën pranë një hani ku gjithçka prehej në qetësi. Me plot zë ai kishte thirrur: “Hanghi (Hanxhi!)! A keni ve!? A keni bouk!? A keni elp!?.. Tjetri, pasi i kishte dëgjuar, siç shkruan Boue, kishte dalë dhe i ishte drejtuar një malësori: Bjeri oui!...(Ujë!)
Përshkrimet e tij janë me vlera të rralla për historinë shqiptare e atë të Evropës Orientale, pasi ai përshkruan shtrirjen e vendbanimeve shqiptare, temperamentin e shqiptarëve të veriut e jugut, etnografinë, zakonet, historinë, besimet fetare e toponimet e ndryshme. Boué i admiron shqiptarët: “Kudo ndesha njerëz të gjindshëm e humanë, - shkruan ai. - Kryetari i një familjeje “schipetare”, kur më pa të strukur nën një pemë, qullur në shi erdhi dhe më ndihmoi menjëherë”. Boué i përshkruan me besnikëri udhëtimet e tij në trojet e shqiptarëve. Atë kohë ata zbrisnin përgjatë Drinit, duke vështruar lumin në hyrje të Shkodrës, që ishte fryrë e qe plot ujë, kërcënonte të përmbyste qytetin. “Që larg dukej kështjella e bardhë e Rozafës. Aty ku derdhej Drini ishte krijuar një e ngritur si një ishull dhe ca njerëz me kostume kombëtare po hapnin një gropë të madhe për të ngritur një mulli për pashain e Shkodrës. Meqenëse nuk e njihnim këtë qytet, ne ndaluam në postën e parë që pamë në hyrje të qytetit, ku qenë nja gjashtëdhjetë kuaj. Por menjëherë u shfaq një italian që na vizitoi dhe na rekomandoi të shkonim në hotel ‘Pezina’, që e mbante zonja Pezina, një dalmate bashkë me të birin e saj. Aty strehoheshin shumë kapitenë që vinin nga Venecia e Trieste...”
Sipas librit të tij “Përmbledhje udhëtimesh”, itinerari i tij i parë është nga Beogradi në Selanik, përmes Novipazarit, Pejës, Prishtinës e Shkupit. Udhëtimi i dytë është nga Egri - Polanka, në Durrës përmes Shkupit, Manastirit e Elbasanit, itinerari i tretë niset nga Kostandinopoja për në Shkodër, rrugë që përshkon qytetet Banja, Shkup, Prizren, e Mirditë. Ndërsa udhëtimi i tij i fundit është ai nga Kostandinopoja (Stambolli) për në Prizren përmes qyteteve Radomirë, Vranja, Gilan e Prishtinë. Në Dibër, ai nuk harron të shënojë në shqip në bllokun e tij “Dibre sipre, Dibre post” dhe të përshkruajë rrënojat e Sfetigradit të shenjtë apo “Katër hanet e Kukësit”, ku për fjalën Kukës, ai thotë se është një fjalë prejardhje tipike shqiptare. Në lumin e Shkumbinit, i shoqëruar nga fshatarët, Boué kapërcen urën e vjetër të Haxhi Beqarit apo më tutje urën e Zaranikës. Pastaj zbret në Berat, i ngjitet Vjosës, përshkon Këlcyrën e Tepelenën, mbërrin në Përmet për të zbritur së fundi drejt Janinës. Rrugës shoqëruesin e tij e zënë ethet e tifos, kështu ai detyrohet të udhëtojë i vetëm për të mbërritur në moçalet e Janinës. Për Durrësin ai shkruan se “Durrahiumi i lashtë është rezidenca e vjetër e një princi të krishterë”, ndërsa për Krujën, ai përmend shprehjen e turqve “Akschehissar” që do të thotë “kështjella e bardhë”. Një nga udhëtimet interesante të tij është udhëtimi nëpër Mirditë, në këtë zonë në atë kohë me status special dhe ku njerëzit ishin të lirë nga administrata turke. Atë kohë Mirdita mbahej si një krahinë e pashkelur dhe gati mitike, ku vështirë të depërtoje. “Njerëzit kudo ishin të armatosur dhe thuhej se kishte shumë hajdutë”.
“Shqiptarët apo albanezët, vlerësohen nga njerëzit e statistikave në një popullsi prej 1 milion e gjashtëqind mijë, shifër që duhet të jetë më e vogël se sa ç’janë ata në realitet, kur mendon që shtrihen nga Epiri e deri atje ku përzihen me serbët, në rrafshinën midis Prizrenit e Pejës, midis Vranjës e Mitrovicës, ndërsa me emrin arnautë ata janë në burimet e Lepenicit, rrethinat e Cerna-Riekës e matanë. Nga ana tjetër, ata përzihen me boshnjakët në malet midis Shqipërisë e Bosnjës deri në pllajat e Novi-Pazarit”. Ai përshkruan gegët dhe toskët, flet për suljotët ortodoksë dhe banorët e shkëmbinjve të Akrokeraunëve, për çamët dhe “kokëzbuluarit” e birit të jugut, për kelmendasit apo kastratët që kërkojnë një prijës katolik. “Që nga ikja e birit të Skënderbeut në Itali, apo nga viti 1595, mirditasit njohin si zot të tyre prijësin e familjes Doda nga kulla e Oroshit. Ata mund të nxjerrin dhjetë-dymbëdhjetë mijë burra të armatosur”.
Duke folur për shqiptarët që i shihte ngado të armatosur, Boué shkruan se ata ishin të detyruar të mbroheshin nga armiqtë e shumtë që e kishin shkelur këtë vend. “Ne shohim te shqiptarët njerëz të fuqishëm e për sa kohë do të ekzistojë ligji i gjakut, dhe për sa kohë që ata do të jenë nën një sundim të urryer, ata do të mbeten të armatosur”. Në pyetjen që bën, nëse a janë autoktonë shqiptarët, konkluzioni i tij është se po dhe se “rrënjët e tyre janë në Iliri”. Ai përshkruan me hollësi zonën e Dukagjinit, Shoshajn e Shalë, përshkruan pikëtakimin e Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi, zbritjen e rrezikshme në Fushë-Arrës. Udhëtimi i tij është i guximshëm, duke pasur parasysh dhe murtajën që kishte plasur nëpër Ballkan dhe që atë kohë bënte kërdinë. Në veriun shqiptar e shoqëronin malësorë me pushkë të gjata. “Zakoni i detyron shqiptarët që t’i mirëpresin, t’i strehojnë udhëtarët dhe t’i mbrojnë nëse ata sulmohen nga dikush”. Bota dhe jeta e haneve nëpër malet shqiptare është tepër interesante dhe e rrëmben Boué-n në shkrimet e tij, pasi në to ai gjen personazhe të çuditshme, drama, tragjedi, humor... Rrugës, nga Novipazar për në Shkodër, në një qafë mali, ata mësojnë se një vrasje para 50 vjetësh tashmë kishte nxitur hakmarrjen e dy familjeve shqiptare. “Një skenë homerike”, - do të shkruajë ai më pas në librat e tij. Rruga i çon dhe në Rugovë, një fshat me 1200 shqiptarë myslimanë nga fisi i Kelmendit, që, siç shkruan ai, nuk kishte shumë kohë që ata kishin qenë katolikë. Në Gjakovë, për të cilën ai shkruan se emri i këtij qyteti vjen nga fjala shqipe “gjak”, ai takon priftin serb Jorisçiç, i cili i dëshmon se Gjakova përbëhet nga katër mijë shtëpi shqiptarësh myslimanë e katolikë romanë, si dhe njëqind shtëpi serbësh e grekësh. Hanet nga Prizreni në Shkodër nuk mbanin as verë e as raki dhe Boue detyrohet të marrë rezerva për rrugën e gjatë që do të përshkonte. Në një han, bashkë me shoqëruesin e tij, ai donte të miqësohej me shqiptarët, por prezenca e shoqëruesit turk i bënte malësorët të qëndronin disi larg dhe në mënyrë armiqësore. “Në mbrëmje erdhën shqiptarët. Sollën raki dhe filluan të pinë. Një nga shqiptarët, që kishte pirë, filloi ta shante tartarin tim me fjalët më të pista e të rënda, duke ja sharë me ç’të mundte sulltanin e tij, por tartari ishte dehur aq shumë sa që s’merrte vesh se ç’bëhej, se ndryshe atë natë do të derdhej gjaku. “Të nesërmen, duke u larguar nga hani, dhe duke ju ngjitur atyre vargmaleve të pambarimtë, ata u ulën të pushonin diku, të vdekur nga lodhja. Një malësor që i sheh ashtu të dërmuar, u ofron portokaj. Boué nuk harron ta përshkruajë këtë bujari e dashamirësi shqiptare. “Shqiptarët janë një popull i bukur dhe ndër më të vjetrit e Evropës”, - shkruan ai. Ngado që do të shkonte ai do të pikëtakonte ata shqiptarë, që të revoltuar kërkonin identitetin e kombit të tyre të shtypur nën perandorinë otomane dhe në luftë me fqinjët. Ai kishte ndjerë te ta atë urrejtje që ekzistonte mes tyre dhe serbëve. Në studimin e tij “Serbët dhe kroatët”, ai i këshillon serbët që ta lënë mënjanë urrejtjen e tyre për shqiptarët dhe u propozon atyre që të afrohen me shqiptarët, kundërshtarët e tyre shekullorë. Ai madje sugjeron që në Beograd të ngrihet një Institut Arsimor për shqiptarët, ku të studionin të rinj shqiptarë e ku të kultivohej gjuha shqipe. Boué flet për martesat shqiptaro-serbe që ekzistonin në atë kohë dhe që në një të ardhme mund ta ndalonin atë çmenduri të të dy popujve që pengonte emancipimin e tyre.
Boué, që përjetonte perëndimin e Perandorisë otomane, e kuptonte që pas Greqisë dhe popujve të tjerë të Ballkanit, edhe Shqipëria do të kërkonte shkëputjen dhe lirinë e saj. Në këtë kuadër, ai e mendonte Shqipërinë e ardhshme të ndarë në disa krahina të mëdha si: Shqipëria e Mesme, me qendër Elbasanin, Shqipëria Qendrore dhe e Jugut, me qendër Janinën dhe Shqipëria e Veriut, me qendër Shkodrën, duke përfshirë këtu edhe Fushë-Kosovën e Metohinë. Por me vite, Boué e kuptoi se ardhmëria e një Shqipërie të tillë ishte utopike, për faktin se shtetet e Mëdha të Evropës dhe Rusia i kishin përcaktuar këtij kombi një fat e ardhmëri tjetër, duke i tregtuar territoret shqiptare për interesat e influencave e diplomacisë së tyre. Pas udhëtimit të tij të fundit, më 1838-ën, Boué nuk e shkeli më Shqipërinë. Albanologu Hahn, që do të merrej gjerësisht me kulturën dhe historinë e shqiptarëve, do t’ju referohej gjithashtu librave të Boué-s. Madje, më 1850-ën, kur ai ndërmerr udhëtimin e famshëm nga Janina në Shkodër, ai do të pësojë të njëjtën aventurë të rrezikshme si dhe Boué: dy muaj i dergjur në shtrat nga ethet, në një hotel të Shkodrës.
Shkencat e gjeografisë, historisë, gjeologjisë, fizikës, etj., ishin për Boué-n pasionet e tij më të mëdha. Si gjeolog, ai u bën një përshkrim të hollësishëm shtresave gjeologjike të nëntokës shqiptare. Në librin e tij “Esquisse géologique de la Turquie d’Europe”, e botuar më 1840, ai flet për pellgun e pasur të Kosovës, mineralet e veriut shqiptar, ujërat minerale, mineralet e pasura, baoksitet, tërmetet, etj.
“Haute Albanie”- Shqipëria e Epërme
Për gjashtë vjet me radhë, nga vitit 1893 deri më 1899, August Degrand kishte qenë konsulli francez në Shkodër dhe nëpër vite, në udhëtimet e tij në veriun shqiptar, ai kishte shënuar ngjarje, fakte, biseda e ndodhi të çuditshme, që më pas do t’i botonte në librin e tij “Souvenirs de la Haute Albanie”, te botuesi parizian H. Welter më 1901-shin, duke i shoqëruar me një seri të jashtëzakonshme fotografish, të cilat kanë fiksuar portrete, peizazhe, ambiente dhe arkitekturë të jetës shqiptare. Duke lexuar atë libër kupton pasionin e këtij konsulli për të deshifruar jetën dhe historinë shqiptare. Mbresa të veçanta i kanë lënë udhëtimet e tij në Drisht e Koman. Degrand ishte erudit dhe një studiues që kërkonte të rrëmonte në kulturën e vjetër shqiptare, madje dhe atë antike. Në Koman, në mjaft nga varret e vjetra dhe pikërisht ilire, ai mbledh një seri objektesh, të cilat më pas do t’ia dhurojë muzeut mesjetar të Saint-Germain. Madje, habitet me përngjasimet e kostumeve të grave malësore me vizatimet e vazove antike të kohës pellazgjike. Një vazhdimësi kulturash… Një pikëtakim i befasishëm i tij është me kështjellën e Drishtit, që, siç thotë ai, është i ndërtuar nga Helena franceze, mbretëreshë serbe dhe bijë e Badouin II, perandorit të fundit latin të Kostandinopojës, e cila kishte ndërtuar njëkohësisht dhe kështjellën e Shirgjit. Kur i ngjitet kështjellës së Lezhës, pamja që i ofrohet para syve e impresionon me imazhet e Krujës, bregut shqiptar të Adriatikut dhe tutje siluetat e Durrachiumit të lashtë. “Pikërisht këtu ka vdekur Konstandin Duka, duke luftuar me trupat e Robert Guiscard”- shkruan ai, pa harruar të përmendë tërmetet e mëdha që shembën tempujt e hatashëm të tij, apo historinë e Hygut të Madh që u mbyt me anije në brigjet e këtij qyteti. Por përshtypje akoma më të mëdha do të ketë ai, duke ngjitur me kuaj dhe herë me këmbë vargmalet shqiptare të veriut që jetonin midis varfërisë, lirisë, fisnikërisë proverbiale dhe gjakmarrjes. Një ditë, në hyrje të katedrales së Shkodrës, ai kishte parë një malësor të qëlluar për vdekje nga gjaksi i tij, i zbritur nga Plani për të marrë hak. “Mora gjakun që më detyrohej!”- kishte thënë krenar malësori i ri dhe kishte çarë ngadalë mes turmës, pa mundur që të ndalet nga ndokush. Duke shkuar te mirditorët, që në shekuj kishin pasur mbështetjen e Francës, ai përshkruan ritet dhe zakonet e kësaj zone të ashpër katolike. “Burri duhet të vdesë gjatë një luftimi, - shkruan ai në faqet e atij libri. - Ai që vritet duke luftuar apo nga gjakmarrja është i sigurt se do të ngjitet në qiell”. Dhe më tutje do të shtojë: “Shprehja ‘ti do të vdesësh pa zbrazur koburet e tua’, është një fyerje e madhe për një malësor”.
Eshtë shkruar shumë rreth Edith Durhamit dhe mbrojtjes së kauzës shqiptare. Jo më kot shqiptarët e thërrisnin atë “mbretëresha e pakurorëzuar” shqiptare. Gjurmët e saj tek njerëzit dhe malet shqiptare të veriut ishin padyshim të pashlyeshme. Të tilla ishin këto male, dinin t’i nderonin zanat dhe “princeshat” e tyre.
Më 28 maj 1911, gazeta “Le Petit Journal”, duke folur për ngjarjet e stuhishme të vitit 1911 në malet e veriut shqiptar, luftëra që do të sillnin më vonë shpalljen e Pavarësisë, shkruante dhe për një Zhan d’Ark shqiptare. Kryeqyteti i Evropës u habit që simotra të Zhan d’Arkës gjendeshin dhe në një nga vendet më të humbura të Evropës. Në kopertinë të gazetës ishte figura e Janicës me fustanelle dhe me armë në dorë duke udhëhequr një turmë malësorësh në një sfond majëmalesh. Kjo figurë në ballë të burrave të kujtonte menjëherë Zhan d’Arkën franceze. “Një luftëtare është zbuluar mes kryengritësve shqiptarë, shkruante gazeta, Janica Marinaj, e bija e një prijësi malsor. Duke qenë se i ati ju vra në luftë, gjatë një beteje të fundit, sipas zakonit duhej që i biri të zinte vendin e prijësit. Por pinjolli i vetëm i këtij prijësi ishte veçse 8 vjeç. Ç’të bëhej? - Ndiqmëni mua! - kishte klithur e motra, Janica, duke mbledhur luftëtarët e të atit të saj: - Unë do t’ju çoj në fitore! Dhe kështu vajza 22-vjeçare, Zhan d’Arka shqiptare, u lëshua drejt armikut. Janica është një vajzë e bëshme dhe e fortë. Bukuria e saj i ka magjepsur kryengritësit. E armatosur me një pushkë të vjetër të zbukuruar me argjënd dhe fildish, ajo hidhet nëpër beteja me një guxim të rrallë. “Këto ditë, vazhdon gazeta, ne e pamë atë në krye të një grupi kryengritësish, duke sulmuar ushtrinë otomane dhe duke përndjekur trupat e sulltanit.
Shumë vite do të kalonin kur në revistën më të njohur franceze “Illustration” në vitin 1937 ishte botuar dhe reportazhi në dy numura rresht i një gazetareje franceze që për tetë muaj rresht ishte endur maleve të Shqipërisë gjer në lartësitë e dy mijë metrave, nga pranvera e gjer në prag të dimrit, kishte qenë për mua diçka e jashtëzakonëshme që i ngjante një aventure unikale. Një aventurë që të kujtonte nga larg atë të anglezes Edith Durham. Për muaj me radhë, kjo grua përjetoi një botë të çuditëshme, të ashpër e magjike, krejt e ndryshme nga bota e saj franceze. Ishte rastësi t’i zbuloja këto dy shkrime të ruajtura me aq dashuri e kujdes nga një emigrant në Paris. Pasi i lexova, u përpoqa të gjeja gjurmët e kësaj udhëtareje, të dija në se ishte ende gjallë dhe në se kishte shkruar të tjera gjëra për Shqipërinë, apo jo. Pyeta në shumë familje me të njëjtin mbiemër në Paris, por Paule Fercoq de Leslay sikur kishte humbur njëherë e përgjithmonë nëpër mjergullën e kohës. U befasova kur në shtëpinë e ish-diplomatit francez në ambasadën franceze në Tiranë, René Lescuyer, u ndodha përballë një fotografie të rrallë të Fercoq: një grua mjaft e bukur që i përngjante një aktoreje hollivudiane. Për më tepër ajo kishte qenë e dashura e diplomatit simpatik gjatë qëndrimit të saj në Tiranë. - Im shoq, - më pohoi gruaja e tij, - më ka folur gjatë për të. Një flirt disa muajsh në mjediset e Tiranës, shëtitje me kuaj, ballo, shëtitje në breg të Adriatikut”…Pastaj ajo nisi të më tregojë jetën e mëpasme të Fercoq, e cila nuk ishte martuar, por kishte vazhduar jetën e saj aventuroze, gjersa në moshë të thyer ishte tërhequr në një shtëpi të saj në Bell’Ile, një ishull në bregun perëndimor të Francës, në Atlantik. Por një ditë fqinjët e saj e gjetën të vrarë. Vrasësit ja kishin marrë gjithë byzylykët dhe rubinët që i kishin mbetur nga e kaluara dhe ishin zhdukur në mënyrë misterioze.
Një tjetër ditë, duke shfletuar gazeten “Illyria” të vitit 1935 lexova lajmin se kontesha Paule Fercoq de Leslay, përfaqësuese e gazetës franceze “L’Intrasigent” ndodhej në Tiranë. Ndoshta me këtë rast duhej të ishte njohur dhe me diplomatin simpatik Lescuyer. Më pas në 4 janar 1936, po kjo gazetë jepte njoftimin për kthimin e gazetares franceze nga udhëtimi i saj i gjatë nëpër Malësi. Nuk di pse duke lexuar për këtë udhëtim, më shfaqej personazhi i Dianës, i romanit “Prilli i Thyer” i Kadaresë. Të dyja këto personazhe, njëri real dhe tjetri imagjinar, sepse kishin diçka të përafërt, ndoshta udhëtimi i tyre disi i magjishëm, ndoshta pikëtakimet e tyre me kullat e ngujimit të malësorëve, ritet dhe muranat. Të dy këta personazhe kishin udhëtuar pothuaj në të njëjtat vënde të Veriut shqiptar, dhe në të njëjtën periudhë. Pikëtakimi i tyre ishte kanuni i Lek Dukagjinit dhe mekanizmat e tjera të jetës së moçme shqiptare. Gjatë udhëtimit të gazetares franceze në kullën e Oroshit dhe takimi me bajraktarin e Mirditës, diku nëpër fshatrat e Mirditës, asaj i ishte shfaqur diku dhe një djalosh i pashëm, 32- vjeçar. “Ai, - shkruan ajo në reportazhin “E kaluara e gjallë në Shqipërinë e panjohur”, - më tregon se kurrë nuk kishte dalë nga kulla që prej pesë vitesh, sepse mund të vritej nga gjaksi. Por ai më tha se do të ishte i lumtur po të udhëtonte e të shoqërohej nga unë gjatë dy ditëve. E pranova, pasi prezenca ime ishte një mburojë për të. Kurrë një shqiptar nuk qëllon mbi hasmin, kur ai është i shoqëruar nga një mik apo një grua, nga frika se mos qellon mbi të. Dhe kështu unë e çova atë në shtëpinë e një prej njerëzve të tij.”
Imagjinoni një çast këtë udhëtim të jashtëzakonshëm të saj, ndjekur nga vështrimi i malësorit, që pas pesë vjetëve po linte kullën e ngujimit, errësirën, muret e nxira dhe të errta, një copëz qiell të gjymtuar për gjithnjë dhe që tashmë udhëtonte në liri, dehej me natyrë, gëzonte bregoret e ujvarat, dhe natën, pranë zjarrit, kjo e huaj i ngjante padyshim me një shtojzavalle apo zanë, si ato të kreshnikëve. S’dihej kush zot e kish hedhur atë në këto anë për ta lumturuar atë... Kështu, kjo grua, si dikur Durham, e dashuruar aq shumë pas shqiptarëve, udhëtonte në zbulim të traditave, të mikpritjes dhe vitalitetit të këtij kombi, që “tashmë prehej në heshtje, i lodhur nga luftrat shekullore”, siç do të shkruante ajo. “Shqiptarët janë pasardhësit e drejtpërdrejtë të pellazgëve të vjetër, - e nis reportazhin ajo, - raca e tyre para se gjithash është e fisme. Nje tip shtatlarte, krenar, dinjitoz, dhe më i bukuri që mund të shohësh pas gjeorgjaneve, me të cilët ngjasojnë. “Pothuaj të njëjtën gjë kishte shkruar më parë edhe gjeografi e etnografi francez Jacques Bourcart, i cili kishte ndjekur rrjedhën e Shkumbinit për 3 vjet radhazi në vitet 30-të të këtij shekulli. “Shqiptarët, shkroi ai, - kanë një frymë perëndimore, ata janë të gjallë e kuriozë, të gëzueshëm dhe të hapët në miqësi. Për antropologët, ata duhet të jenë specia më e bukur njerëzore në Evropë. Veçanërisht nëpër male të bje menjëherë në sy bukuria fisnike e burrave.”
Më 1936, duke studiuar një hartë të vjetër austriake të Shqipërisë, Fercoq zbuloi se mbi të, në Veriun shqiptar, ishte shkruar mbi të fjala “e pa eksploruar”. Kjo fjalë e çoi atë në Shkodër ku bleu dy kuaj dhe mori me qira pesë të tjerë, siç tregon vetë ajo. Zotërit e kuajve si dhe një xhandar e shoqëruan atë në udhëtimin e saj. “Mora një revolver të madh dhe në xhep vura një busull, në brez një faqore raki. Shkodra është qyteti më i bukur i Shqipërisë. Natën, rrugës, ulur pranë zjarrit, burrat më mësojnë me padurim fjalë të gjuhës shqipe...Sa e sa herë kur udhëtoja në ato male mbi dy mijë metra mbyllja sytë se mos shihja kuajt të binin poshtë në humnerë.”Ajo përshkon rrugën drejt Vermoshit, e mahnitur jo vetëm nga natyra, por edhe nga kodet e jetës shqiptare, e këtij “qytetërimi tremijëvjeçar, që ka rënë në një gjumë magjik”, siç shkruan ajo. Fercoq mahnitet nga besa dhe fjala e dhënë e shqiptarit, nga nderimi i mikut dhe ligjet e tjera të Kanunit të Lekës. Në një fotografi mbi mushkë ajo ka dalë në Qafë-Drosk, ku kanë ndaluar për të pushuar. Nga mëngjesi në perëndim, ajo kalon përmes fshatrave me fise katolike, muslimane e me besim të përzier, ku nëpër kulla gjen anëtarë të së njëjtës familje me besime të ndryshme. “Shqiptarët e Hasit, Bytyçit e Gashit e kanë zakon të marrin nuse nga bajraqet e katolikëve në Nikaj, të cilët u a shesin për 20 napolona flori...Në malet e Krasniqes, miku që më priti e kish vrarë me një plumb gruan e tij si dhe dashnorin e saj. Të gjithë e kishin aprovuar këtë lloj drejtësie dhe askush nuk kërkoi shpagimin e gjakut të gruas.”
Pasi lë Vermoshin, ku bajraqet e Kuçit dhe të Vermoshit ishin në hasmëri me njeri-tjetrin, karvani i saj furnizohet me bukë në Pejë e pastaj zbret drejt Drinit. Rrugës, një fotografi në familjen e një bariu në fshatin Markov, pastaj një tjetër në urën e Vezirit. Karvani shkon në Prizeren, pastaj në Gjakovë. Ura e famëshme e Vezirit është e shkatërruar, por një urë tjetër e vogël ngrihet tani mbi Drinin e Bardhë. Karvani vazhdon udhëtimin përmes maleve, në grykat e lumenjve, në Pukë, Mirditë, Orosh...”Gratë e këtushme, - shkruan ajo për mirditoret, - m’u dukën tepër të bukura, por ato janë pasionante dhe të egra...Diku në një pemë, ajo sheh rrugës një njeri të varur nga duart. Ishte një hajdut dhensh. Një natë, pranë zjarrit tonë u afrua një malësor i panjohur, një kaçak që vinte nga larg. Kishte qenë tutje në Serbi dhe tani vinte të merrte djalin dhe gruan. Më kërkoi plumba...”
Kur zbret në Lurë, është një ditë dasme. Ç’spektakël për të. Rite të lashta që vetëm këtu në zemër të Ballkanit mund t’i gjente. “Nga të gjitha anët mbrinin të fejuar mbi kuaj, mbuluar me duvak të kuq. Ajri tundej nën krismat e pushkëve. Në çdo shtëpi që kaloja më luteshin e më ftonin që të qëlloja dhe unë. Ç’udhëtim i lumtur, ku armën time e përdora për të përshëndetur vetëm miqtë e mij”. Nuset që qëndronin disa ditë të palëvizura dhe me sytë përdhe për ta parë miqtë dhe krushqit, ajo i cilëson si “martire të pagoja”. Kështu karvani mbrrin në Peshkopi. Eshtë muaji i shtatë i udhëtimit dhe ata gjënden në malin e Korabit, në lartësinë e 2600 metrave. Larg shquhet maja e Tomorrit, nga lindja duket fusha pjellore e Metohisë, akoma shumë më larg, Ohri, i cili që nga koha e Aleksandrit të Madh nuk i ka ndryshuar format e barkave të liqenit. “Prespa është mbushur nga zogjtë, - shkruan ajo, - dhe shtigjet më të vogla janë bërë për mua më të qytetëruara». Duke zbritur malet, dëbora e dimrit fillon të afrohet. “Bora na zë, ndërkohë që lëmë pas shtigjet e rrezikëshme të Proklet e kështu ne jemi të detyruar ta braktisim Shqipërinë e Veriut e të zbresim në Shkodër përmes shkallinave të Shkrelit dhe Kastratit. Pas nesh dëbora mbulon qafat dhe rrethon një nga një fiset malësore gjer në pranverën e ardhëshme”.
Një ditë, vite më parë, duke udhëtuar nëpër malet e veriut me regjisoren franko-shqiptare, Liri Begeja, duke përshkuar malet plot thepisje nëpër Rragam, Valbonë, Qafë-Prush, Kukës e duke zbritur drejt jugut, në takim me malsorët bujarë e të varfër, sepse m’u fanit fotografia e udhëtares franceze, figura e asaj gruaje, që gjysëm shekulli më parë, e vetme, rrethuar nga malsorë besnike, udhëtonte e ngrysej nëpër hanet e Veriut shqiptar. Ndryshe nga ajo, Liri Begeja, që vinte po nga Franca, ishte në kërkim të dekorit imagjinar që ajo kish ndërtuar vite të shkuara për filmin e saj të parë “Prilli i thyer”, sipas romanit të Ismail Kadaresë, film që fliste për të njëjtën kohë, ambiente e zakone shqiptare, epokë kur Paule Fercoq de Leslay udhëtonte nëpër vargmalet hijerënda shqiptare.
“Malësorët kërkonin vetëm një gjë, lirinë”
Ndër shumë albanologë, ushtarakë, politikanë, etnologë, etj, dhe gjeografi Louis Jaray do ta përshkojë Shqipërinë në një itinerar prej njëmijë kilometrash, duke vizituar dhe Kotorin, Shengjinin, Tivarin dhe duke u kthyer me qeraxhinjtë e tij përmes pllajave dhe maleve. Aparati i tij fotografik ka fiksuar në celuloid pamje të rralla që sot përbëjnë një pjesë të historisë së jetës shqiptare në ato vite si liqeni i Shkodrës, njerëzit e qyteteve dhe fshatrave, punimet e zanatçinjve në filigran, urat dhe qytetërimet e vjetra, artizanët e Prizerenit, pjesë të jetës njerëzore…
Vështirë të imagjinosh Shqipërinë e viteve të para të shekullit të XX-të, kur pas luftrave për pavarësi të grekërve, bullgarëve, serbëve, etj, ndjenja e lirisë i kishte përfshirë gjithë shqiptarët e ngjante se një vullkan i ri mund të shpërthente nga çasti në çast. Pikërisht në vitin 1909, gjeografi francez Gabriel-Louis Jaray, nisi një udhëtim të vështirë dhe një aventurë të vërtetë në Shqipërinë e Epërme, duke zbritur më pas edhe drejt jugut, mbresa të cilat do ti përshkruajë në një libër të titulluar “L’Albanie inconnue” botuar në Paris më 1913 në “Collection des voyages, lustres”, të Librairie Hachet & Comp”. Akademiku i njohur i asaj kohe Gabriel Hanotaux, në parathënien e atij libri do të shkruante: “ Kush e besonte se ndonjë udhëtar i kishte kapërcyer malet qëndrore të Lumës e Mirditës para bashkëpatriotit tim Louis-Jaray, i cili i shtyrë nga instinkti dhe duke përfituar nga një periudhë e qetë pas fushatës ushtarake të Xhavit Pashës, bëri këtë udhëtim. Tregimi për këtë itinerar të guximshëm na dha këtë libër të rrallë dhe të nevojshëm që duhet lexuar. Nëse diplomatët dhe publiku do të donin informacion rreth këtij vendi, ku libër do të jetë Bibla apo Kurani i tyre…Shqipëria nuk është një vend i vdekur, por një vend plot jetë, dhe mund të them, në ofensivë ndaj fqinjëve të tij. Ai kërkon në mënyrë energjike vetëm një gjë, lirinë. Askush nuk a ka mposhtur dhe askush nuk do ta mposhtë. Që të bëhesh zot i atij vendi do të duhej të shpërnguleshin gjithë banorët e saj e gjer tek foletë e shqiponjave”.
Gjashtëdhjetë fotografi të tij na sjellin dëshmi interesante të kohës, portrete luftëtarësh shqiptarë e prijësa të maleve, bajraktarë e zanatçinj, priftërinj, gra, vajza e fëmijë. Udhëtimi i Louis-Jaray fillon nga Shkupi drejt Prishtinës. Një ditë plot diell të vitit 1909, i pajisur me një hartë ushtarake austriake, ai zbret në stacionin e trenit të Shkupit dhe vendoset në hotel “Turrati”, i cili më vonë do të quhej hotel “Liria”, dhe ku e priste një përkthyes-guidë. Përballë hotelit, në rrugën e mbushur plot ushtarë të regjimentit të Konstandinopojës, shquhej kafeneja e një katoliku, e quajtur „Petit Casino“. Shkupi i ngjan udhëtarit francez me një udhëkryq popujsh: shqiptarë, bullgarë, serbë, ciganë e turq. Nga 45 mijë banorë, - shkruan Louis-Jaray, 25 mijë janë shqiptarë, 10-15 mijë bullgarë, 3 mijë serbë, 2000 çifutë si dhe plot ciganë, grekë e italianë. Si “drogman”, apo shoqërues, ai do të ketë një mësues të shkollës bullgare që “bënte propagandë socialiste”, siç shkruan ai. Dragmani që paguhet 1 mexhide në ditë, duhet të dijë si rregull, gjuhën frënge, turke, shqiptare dhe sllave. Atë mbëmje, gjumi për të do të jetë i vështirë, pasi siç do të shkruajë ai, “duhet të mësohesh me korrin e qenve që ulërijnë natën, hall ky i një udhëtari të huaj që duhet të mësohet me një gjumë cfilitës”. Të nesërmen, Jaray niset drejt Prishtinës dhe itinerari i tij do të jetë i gjatë. Atij i duhet të kalojë përmes Pejës dhe që andej drejt Mitrovicës, Prizerenit, Lumës, Oroshit e Mirditës, Shkodrës e Tivarit e së fundi drejt Durrësit për tu kthyer pastaj përsëri. Për Jaray, Shqipëria e viteve 1908-1913 “ka luajtur një rol të dorës së parë në çeshtjen e Orientit. Në 1908 ishte pikërisht ajo që bëri të shëmbet regjimi i vjetër i Perandorisë”. Jaray preferon të vizitojë “Shqipërinë e ndaluar” apo “L’Albanie interdite”, siç e quan ai, ato vënde që shumë pak vizitorë mund ta kishin parë. Në Mitrovicë, vizita e tij e parë është tek konsulli rus, pastaj tek kamejkami i Xhavit Pashës, “që është bërë tmerri i shqiptarëve”. Shtëpia e tij ngrihet në një kodër dhe është mobiluar në mënyrë perëndimore. Pikërisht atje, ai i tregon për luftën e ashpër që kishte bërë kundra shqiptarëve. “Ikni shpejt nga këto anë, - më porositi ai, - sepse në vjeshtë do t’u bëj një “vizitë” të vogël shqiptarëve”. Në Mitrovicë, pasi ka takuar dhe konsullin austriak, ai i drejtohet Pejës “ku ka një manastir të vogël françeskanësh, i cili është në fakt nën mbrojtjen e austriakëve. Ai habitet me marrëdhëniet mjaft të mira mes shqiptarëve, edhe pse ata janë me besime të ndryshme, katolikë, muslimanë e më pas ortodoksë. Pasi lë Gjakovën “purement albanais”, siç e cilëson ai, i drejtohet Prizerenit. Shoferi i tij, një shqiptar me ball të fryrë, hundë të kërcyer dhe faqe të groposura, nxjerr nga xhepi i tij një faqore raki dhe e kthen herë pas here. Duke ndjekur Drinin, ai zbret në Lumë, përmes urës së famshme të Vezirit me pesë harqe të mëdhenj e ku ai i mesit ka lartësinë më të madhe. “Në Kukës sapo kaluam pragun, banorët e saj më dhanë besën, e cila për ta është diçka e shenjtë. Tashmë unë jam miku i tyre, një lloj shenjti dhe të gjithë burrat e fisit detyrohen të më mirëpresin në çdo moment dhe të më ndihmojnë me armët e tyre. Në kullë duhet t’i heqësh këpucët para se të hysh”. Më i vjetri i malësorëve, në të hyrë, pyet drogmanin: “Ky frëngu a ka armë?… Ndërkohë që tjetri përgjigjet, ai shton: “Thuaj që kur të kthehet në Francë të më dërgojë një “mannlicher”. S’ka gjë më të madhe për ne”.
Në Orosh të Mirditës ai takohet me fisin më të madh katolik të Shqipërisë. Takimi me Marka Gjonin e befason atë si me pamjen e tij ashtu dhe me veshjen e tij perëndimore aty mes majëmalesh. Primo Doçi, abati i Mirditës dhe miku i afërt i Marka Gjonit, varej drejtpërdrejt nga Vatikani. Nga Oroshi në Shkodër, udha do të bëhet me kuaj, për 16 orë rresht. Shkodra, qytet prej 50 mijë banorësh i ngjan një qyteti që i përket së kaluarës. “Dikur, pazari i tij përbënte një magazinë gjigante të mallrave perëndimore, por sëmundja e krimbit të mëndafshit e ka goditur rëndë industrinë lokale.” Një shoqëri franceze “Regie générale des chemins de fer et des travaux public” po studion projekte për zhvillimin e qytetit si dhe mundësinë që Shkodra të bëhet një qytet-port. Në qytet, Jaray është dëshmitar i luftës për influencë që zhvillojnë veçanërisht austriakët dhe italianët. “Austriakët, - shkruan ai, - mbrojnë fort klerin katolik. Të gjithë françeskanët studjojnë fillimthi në Shkodër e pastaj në Insbruuk, Salzburg, Villach, apo Klagenforth. Një spital është ngritur nga një doktor austriak. Më tutje një bankë austriake si dhe anijet “Lloyd” shkojnë e vijnë drejt Tivarit, Shëngjin, Durrës e Vlorë. Nga ana tjetër, Italia ka krijuar linjën “Puglia” kundër “Lloyd”; “Societa commerciale d’Orient” ka konkurrencë me bankën austriake. Po kështu është ngritur një qëndër kulture “Dante Aligheri” apo një dispanceri italiane…