E diele, 28.04.2024, 08:28 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Vrasja e Azemit, Betimi i Haklajt: Do vrasim 18 vete

E hene, 25.08.2008, 05:01 PM


Nga Bujar Hoxha

 

Tropoja, ky qytet me histori të pasur e krenari të veçantë, do të vazhdojë të mbetet edhe për disa kohë vendi i çudirave dhe mistereve. Historia e saj, që përbën një simbol, nuk po e shkëput nga tmerret dhe paradokset e përjetuara, që për këtë qytet

me bukuri të egër, ndoshta do të përbëjnë epokë. Pozita e saj gjeografike në trevën e Gjakovës, kur ndodhën ngjarjet e zhvilluara, veçanërisht në vitet '97-99' e kanë bërë, jo pa arsye, të famshme për t'u përmendur. Dikur qyteti që gumëzhinte nga njerëzit dhe puna e përditshme sikur i lidhte më fort me njëri-tjetrin. Megjithatë, u deshën pak vite tranzicion dhe hapësira e këtij qyteti sikur është zvogëluar. Popullsia e kësaj zone brenda një kohe të shkurtër ka emigruar brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke e përgjysmuar numrin e banorëve. E megjithatë, Tropoja, ky qytet gati i përhumbur, ka qenë dhe mbetet simbolikisht kryeqyteti i Veriut, për shkak të trazirave dhe kriminalitetit, duke tërhequr vazhdimisht vëmendjen për të veçantën e tij. Keqardhja shkon deri në skaj, kur mendon se e veçanta lidhet me egërsinë dhe brutalitetin e bandave kriminale, që vazhdon të marrë jëtë njerëzish e të sjellë fatkeqësi. Kur janë krijuar bandat e njohura të Tropojës? A është vlerësuar ndonjëherë seriozisht shkalla e rrezikshmërisë së tyre? Ndoshta, kur gjithçka të jetë stabilizuar dhe të dhënat të plotësojnë më mirë kartotekën e policisë, vërtetësia dhe objektiviteti do të përbëjnë historinë e tyre. Ata që nuk i kanë përjetuar ato ngjarje dhe ato vite, do të mendojnë se është një legjendë. Thelbi i veprimtarisë së këtyre dy grupimeve qëndron në faktin se ngjyrimet sensacionale të dhëna nga politika errësuan më shumë veprimtarinë reale të tyre. Çfarë dihet deri tani për to? Një nga kapot e njohur, Fatmir Haklaj dhe kundërshtarët e tij kushdo i quante njerëz të zakonshëm. Ata u vunë përballë njëri-tjetrit, ndoshta nga influencat politike të asaj kohe. Vlerësimet në opinionin publik të krahinës i morën në funksion të pozitave shtetërore që mbanin në kohë të ndryshme. Disa nga kundërshtarët e Fatmirit punonin në polici deri në vitin 1998, ndërsa Fatmiri mori drejtimin e policisë lokale në vitin 1997, kur shteti shkërmoqej çdo ditë para turmave të egërsuara dhe krimit, që sundoi për shumë kohë.

 

FILLESA E SHERRIT

 

Thuhet se shkëndia e parë e sherrit ishte nje pëllëmbë e lëshuar ndaj një kundërshtari në një miting të organizuar në Tropojë. Ndoshta një mllef i akumuluar prej vitesh. Vlen të theksohet fakti se në vitin l991, Feriz Kërnaja vret Isuf Halucin, lidhje e kundërshtarëve të klanit Haklaj, i cili në momentin e ekzekutimit kishte të veshur pardesynë e Azem Hajdarit. Vrasja e Isufit e ka zanafillën në vitin 1990, ku Ferizi është goditur me shuplakë para hotel "Arbërisë" nga Isuf Haluci, i cili ka qenë njeri i afërt i Azem Hajdarit. Për t'u hakmarrë ndaj këtij poshtërimi, rreth datës 25 shkurt 1991, Feriz Kërnaja vret në mënyrë të hapur Isuf Halucin në tragetin e linjës Fierzë - Koman. Në trazirat e muajit mars 1997, Ferizi arratiset nga burgu ku vuante dënimin për vrasjen e kryer dhe kapet në autostradën Tiranë-Durrës me një makinë ku kishte edhe armë, bashkë me një person tjetër. Nga fillimi i muajit gusht 1998 lirohet nga gjykata e faktit Tropojë duke përfituar nga amnistia.

Mbase, mund të kenë patur edhe arsye të tjera, që policia akoma nuk i ka mësuar. Kësisoj, konflikti i tyre nuk mund të maskohej pa fund. Pritej rasti për t'iu sulur njëritjetrit. "Spektakli" kriminal, që luhej si në film, ngrihej sa herë të dy palët sulmonin për të vrarë, apo kur kapot shkelnin pedalin e gazit, që linte pas gjak, të plagosur e të vrarë. Në këto ndeshje sfidantësh mbikqyrja shtetërore ishte e pamundur. Radhët e dy kundërshtarëve mbusheshin me punonjës policie, që merrnin rrogat në zyrat e shtetit për të luftuar krimin, nga ana tjetër stimulonin krimin me motivet e hakmarrjes primitive. Humbjet nga të dy palët qenë të pallogaritshme. Dukuria më tipike e atyre viteve ( 1997-1998) ishte rekrutimi masiv i njerëzve të gjakut, të fisit a të tjerë për të terrorizuar gjithë krahinën dhe për të zëvendësuar të vrarët nga të dy palët, që çdo herë mbushnin rrugët e rrethit të Tropojës. Klani Haklaj në ditët e para të konfliktit kishte përparësi, ngaqë në duart e tij kishte dy elementë të fuqishëm. Ai kishte nën komandë të plotë njerëz të rrugës, ata që punonin në strukturat e policisë, mjete financiare dhe armatim të të gjitha llojeve. Fatmir Haklaj karakterizohej nga personaliteti imponues. Prej disa kohësh fuqia dhe influenca e tij ishte në rritje. Një kapo me prezencë komanduese, me shprehi të qarta autoritare e bindësë tek të tjerët, që e ndiqnin. Duke folur për figurën e Fatmir Haklajt. Në qershor '97, Fatmiri me grupin e tij ktheheshin nga Tirana për në Tropojë. Pararoja udhëtonte me një "Tojota" të re dhe brenda ishin Sokol Haklaj, djalë i xhaxhait të Fatmirit dhe Ibrahim Rustemi, lidhje e afërt. Ishte ora 01°° kur në vendin e quajtur Ura e Matit, në afërsi të shtyllës së tensionit të lartë banda grabitëse që vepronte në këtë sektor, Zef Lleshi dhe Petrit Vukaj nga fshatrat e Mirditës kanë qëlluar me breshëri automatiku duke vrarë në vend dy personat që ndodheshin aty. Njëri prej grabitësve, Petrit Vukaj i është afruar makinës për të kryer ritualin e vjedhjes së sendeve që kishin të vrarët, ndërsa Zefi ruante krahët e tij. Në këto momente afrohet makina tjetër ku ndodhej Fatmir Haklaj, nga ku qëllohet dhe vritet Petriti, ndërsa Zefi plagoset nga ciflat e një granate të hedhur në drejtim të tij. Zefi ka arritur të tërhiqet dhe më pas është fshehur. Pasi kanë arritur të njohin Zefin duke pyetur lidhjet shoqërore që Fatmiri kishte në atë zonë, ka kërkuar nga kapoja i një bande të asaj zone që të ngarkonte njeri për kapjen ose asgjësimin e Zefit. Më parë Fatmiri ka çuar grupin e tij në shtëpinë e Zefit, por kur mësoi që ai nuk ndodhej aty, për më tepër që babai i tij nuk e pranonte në shtëpi për aktin e kryer, nuk ka vepruar tek familja, ndërkohë që ka mësuar nëpërmjet personit të ngarkuar se fshihej tek xhaxhai i tij në një fshat të Mirditës. Njerëzit e ngarkuar me këtë detyrë kanë minuar shtëpinë e xhaxhait të Zefit duke e shkatërruar plotësisht atë dhe duke vrarë xhaxhain Viktor Lleshin. Ekzekutori S.M. është shpërblyer me një milionë lekë. Mbas shumë kërkimesh, Zefi vritet në vitin '98 në një fshat të Laçit, ndërsa dy pjesëtarë të tjerë të bandës së tij më pas janë arrestuar për vrasjet e kryera. Premtimi i Fatmirit ishte çuar ne vend.

 

VEPRIMTARIA E KLANIT HAKLAJ

 

Kur arriti bashkimin e shumicës së grupit fisnor dhe lidhjeve të besuara nën komandën e vet, Fatmiri do të urdhëronte goditjen e kundërshtarëve, që vepronin për llogaritë e veta në trafiqet e ndryshme, veçanërisht të armëve e makinave me drejtim Kosovën. Ashtu siç pritej, pala tjetër do të kundërpërgjigjej shpejt. Në ditët e para të konfliktit të ndezur kundërshtarët e Fatmirit do të qëndronin në pritje të zhvillimit të ngjarjeve. Ata përpiqeshin t'i shmangnin konfrontimet edhe për shkak të epërsisë, që lidhej me autoritetin shtetëror të klanit Haklaj. Sinjali i parë e që ishte vendimtar do të vinte me vrasjen e vëllait te Fatmirit dhe më pas te Sh. Hoxhës brenda mureve të komisariatit të policisë. Kjo vrasje u pasua me vrasje të tjera nga radhët e kundërshtarëve të cilët do të alarmoheshin nga goditjet e Haklajve dhe do të merrnin vendimin fatal për të dënuar të gjithë pjesëtarët e familjes Haklaj dhe lidhjet e tjera që do ta mbështetnin. Këto vrasje u pasuan me vrasje të tjera nga të dy palët. Në fakt lufta e Haklajve do të merrte fund me eleminimin e kryetarit të tyre, që do të mbyllte qarkun. Kundërshtarët do tërhiqeshin në kullat e tyre për t'u siguruar dhe qëndronin në pritje të situatave. Më pas do të nisnin veprimet për të shmangur provat. Një pjesë e të mbijetuarve do të maskoheshin, do të kalonin kufijtë për të shmangur çdo diskreditim të drejtpërdrejtë a të tërthortë me krimet e kryera dhe të siguroheshin, se nuk do të identifikoheshin nga kundërshtarët. Familja Haklaj, me bazë në Kërnajë, do të përjetonte vajet e njerëzve të humbur. Të tmerruar për fatin e meshkujve të vrarë nuk arrinin të parashikonin çdo të ndodhte më pas. Për një kohë u mendua se ishte vendosur paqja. Mirëpo, në gjirin e kësaj familjeje do të shfaqej një person, që do të thyente tabutë tradicionale për të marrë rolin e njeriut që do të prishte paqen e për t'u treguar të tjerëve se drejtësia do të vihej në vend nëpërmjet forcës së kanunit. Personi i rizgjuar do të ishte vajza e shtëpisë, motra e Fatmir Haklajt, Zylfije Haklaj, e cila do të betohej para varreve të tre vëllezërve për hakmarrje duke vendosur mbi këto varre jo vetëm lule, por edhe plumba. Ajo do të shfletonte listën e kundërshtarëve dhe do të bënte planet për goditjen e tyre. Nuk do të vononte shumë, pikërisht në qendër të qytetit të Tropojës, vajza e transformuar në burrë shtëpie do të qëllonte duke vrarë dy nga kundërshtarët kryesorë nga fisi Lumneshi, me banim në Fier, dhe Gosturani me banim në Tropojë. Njëherësh do të plagoset edhe kryetari i gjykatës së atij qyteti. Akti kriminal do të bënte jehonë në këtë rreth. Qarku fisnor i saj do ta trumbetonte si "akt dinjitoz", duke i dhënë emrin e njohur "Shota". Në kampin kundërshtar, krahas panikut për rrezikun, u bë riorganizimi i shpejtë për t'u mbrojtur dhe për të sulmuar. Shumë nga këta njerëz, të cilët vetëm para pak kohësh ndodheshin në strukturat e privilegjuara të pushtetarëve, tashmë të përjashtuar nga këto radhë, mbetën pa punë dhe ranë në gjendje të vështirë ekonomike e pasigurie. Për të gjetur strehë dhe përkrahje, u rreshtuan në formacionet e kundërshtarëve. Kokat e këtyre njerëzve ishin drejtuar ballas dhe nuk kishte gjasa për tërheqje a armëpushim. Ata bënë përpjekje të futnin njerëz të tyre në radhët e njëri-tjetrit për të siguruar informacione e për të goditur. Ata nuk hezitonin të shfrytëzonin këdo për qëllimet e tyre, duke kërcënuar, përdhunuar e duke dhënë ryshfete për t'i patur besnikë në qëllimet e tyre kriminale. Kundërshtarët shfrytëzuan për interesa personale edhe konfliktin kosovar, ku Tropoja u bë skalioni i parë i teatrit luftarak, veçanërisht i njësive ushtarake të UÇK-s dhe kondrabandimit të armëve të të gjitha llojeve. Ata u kualifikuan në përdorimin e armëve të sofistikuara, veç të tjerave edhe në përdorimin e eksplozivëve me telekomandë. Kështu ndodhi edhe me goditjen e F.Haklajt, çka evidentoi organizim të përkryer në goditje. Teatri i luftimeve në trevat e Gjakovës, Pejës etj. Nxiti dukshëm edhe fenomenet e kontrabandës së armëve me kosovarët, ku në radhët e dy palëve kishte përfaqësues të mafies dhe gangsterizmit, të cilët për të përfituar sa më shumë nga kjo tollovi, rigjallëruan grupet e vjetra dhe konsoliduan të rejat. Kontaktet me njëri tjetrin i bënin hapur dhe në mënyrë të fshehtë, për t'u ruajtur nga ekspozimi mes grupeve kriminale, që kishin interesa apo prishnin pazaret. Duke rivalizuar me dashje apo nga pakujdesia, filluan të shkelnin "zonat e influencës", pasojat e të cilave do të dilnin në sipërfaqe jo vetëm në krahinën e Tropojës, por edhe më gjërë. Vrasjet e shumta të evidencuara në atë kohë ishin produkt edhe i këtyre interesave. Ndërkohë që kazani i luftës ziente, në të gjithë krahinën do të kristalizoheshin shumë grupe që, nën petkun e patriotizmit, përpiqeshin të përfitonin sa mundnin në kurriz të çështjes kombëtare dhe të njerëzve hallexhinj, që realisht qëndronin në skalionin e parë të luftimeve dhe rreziqeve. Në këtë tollovi të imponuar a diktuar mbetën grupet më të vjetra e më të forta, të cilat në mënyrë të organizuar apo individualisht vepronin në të gjithë krahinën duke kryer krime e terrorizuar njerëzit. Ata që mbushnin radhët e këtyre bandave ishin të përzier, nuk zinin rrënjë në një vend, njerëz dështakë, të pakënaqur nga jeta apo ngaqë nuk realizonin ndryshe ambiciet e tyre personale, njerëz me vese, trafikantë etj, tipa të paqëndrueshëm, të cilët me një nxitje të vogël hynin në rrugën e krimit. Palët kundërshtare vëzhgonin nga larg njëri-tjetrin, fiksonin lëvizjet, me kë takoheshin, me kë shoqëroheshin, çfarë përgatitnin kundër njëri-tjetrit e ndërkohë hidheshin në veprim. Megjithatë nuk siguruan dot informatorë tek njëri-tjetri (policia nuk ka të dhëna), për të patur informacione më të plota. Çdokush prej tyre kontrollohej me përgjegjësi dhe, nëse dyshohej për tradhëti, pasojat ishin të tmerrshme.

Veprimtaria e bandave kriminale në këtë zonë ka qenë tepër aktive dhe në akte të tjera siç janë vjedhjet e objekteve me vlera financiare. Më datë 13.02.98 vidhet Banka e Kursimeve, duke detyruar punonjësit të hapnin kasafortat, duke marrë njëkohësisht peng drejtorin e Bankës, që kishte çelësat. Më 29.10.98 në orët e vona vidhet përsëri Banka dhe merren 62 milionë lekë të reja, duke marrë peng policët që ruanin objektin. Per te ngritur kasaforten që peshonte mbi një ton, kërkohej një mjet i përshtatshëm. Atë e gjetën në parkingun e qytetit dhe nisën njeriun e duhur për të marrë vincierin. Drejtuesi i vincit, ishte duke fjetur në shtëpinë e tij dhe nën grykën e armeve do të bëhej pjesë e një grabitje të madhe. Dritat do te fikeshin në atë orë dhe askush nuk lëviste nëpër rrugët e qytetit. Policia e dinte se Banka do të vidhej atë natë dhe kush ishin autorët, por nuk guxonte të merrte masa. Kasaforta do të ngarkohej në një makinë transporti tip "Ife", më pas do të pritej me saldatrice e do të hidhej e boshatisur në një humnerë. Në këtë operacion do të merrnin pjesë rreth 10 persona. Operacioni drejtohej nga F.Haklaj.

 

VRASJA E AZEMIT

 

Vrasja e Azem Hajdarit më 12.9.98 ishte finalja e përplasjeve të këtyre bandave, megjithëse po këtë vit një atentat tjetër ndaj Azemit ishte përgatitur në Tropojë, por dështoi për shkaqe që nuk dihen. Vendosmëria për kryerjen e këtij akti ideohej nga F. Haklaj duke u shprehur se" …njerëzit e mi që janë vrarë kanë marrë gjithsej 18 plumba. Në bazë të kanunit, ne do të vrasim 18 veta. Deri tani kemi vrarë 9 veta, kemi për të vrarë edhe 9 të tjerë, në mes tyre dhe Azem Hajdarin. Ne i kemi dërguar fjalë nëpërmjet lidhjeve të tij, disa herë i kemi dërguar telegrame në rast vdekjesh për të ardhur në Tropojë, me qëllim për ta vrarë, por ai nuk ka ardhur. Pasi të vrasim Azemin ne do të ikim në Belgjikë".

Megjithëse problemi njihej në Tropojë, policia vendore në pamundësi për të siguruar lëvizjet e Azemit njoftonte qendrën për të penguar lëvizjet e tij në këtë qytet. Tentativat politike nuk e penguan A.Hajdarin dhe më datë 3.6.98 rreth orës 23.45, duke dalë nga banesa ku ndodhej Azemi u qëllua, për rrjedhojë plagoset gazetari B.Pollo, i cili u transportua me helikopter për në Tiranë. Kqyrja e vendit të ngjarjes u krye në kushte tepër të vështira duke përcaktuar "tri vatra gëzhojash, automatikë mod. 56, mitraloz e pushkë, ndërsa gëzhoja të gjetura 168 copë". Të gjitha veprimet u kryen nga forcat e policisë dhe "u kërkua menjëherë prokurori i rrethit për të udhëhequr veprimet, por si në momentin e thirrjes nga ana e grupit, ashtu dhe gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Tropojë të grupit nga ministria, nuk u paraqit asnjë prokuror". Në kohën që kishte ndodhur ngjarja e parë në qytetin e Tropojes, policia ishte gjendur në pozicion të vështirë. Ishte bërë një përpjekje për të vrarë një figurë politike nën hundën e tyre dhe ata nuk kishin marrë asnjë masë parandaluese, pavaresisht nga rrethanat dizfavorizuese. Prandaj dhe kërkuan zgjidhje politike. Kështu, kërkonte edhe një arsye tjetër për të shpëtuar nderin e saj. Pas tre muajsh, pikërisht më 12.9.1998, rreth orës 21.15', në afërsi të selisë së Partisë Demokratike do të ishte ky grup kriminal që do të qëllonte me armë zjarri në drejtim të deputetit Azem Hajdari dhe rojave të tij, ku gjeti vdekjen Besim Çerja dhe plagoset rëndë Zenel Neza. Në vendngjarje u fiksuan në cilësinë e provave materiale një automatik kallashnikov, një pistoletë TT me silenciator dhe 10 gëzhoja, nga të cilat 6 gëzhoja të kalibrit 7,62 mm dhe 4 pistoleta "Berreta " të kalibrit 9 mm". Veprimtaria e këtyre bandave krijoi një gjëndje të rëndë psikologjike me të gjithë elementët e saj dhe në të gjithë komunitetin e zonës, veçanërisht dha ndikimet e veta në radhët e policisë, që përjetuan tmerre të vërteta. Kështu ish-shefit të krimeve i vendosën lëndë eksplozive në banesë duke e detyruar të transferohej, i cili dhe sot e kësaj dite vuan nga pasojat familjare të atyre viteve. Me dy fëmijë të sëmurë, pa asnjë përkrahje tjetër, kalon në depresion dhe pëson infarkt vdekjeprurës. Pala kundërshtare kishte programuar planin final. Ishte paraditja e muajit nëntor 1998 dhe ora pothuajse 09.00. Në rrugën që çon për në fshatin Cernice u dëgjuan shumë gjëmime dhe shpërthime, të cilët hodhën në erë gurë dhe bashkë me to fluturoi një makinë që po ecte me shpejtësi. Makina tjetër, një foristradë e blinduar u bllokua nën pluhrin e shkaktuar nga shpërthimet. Viktimat ishin Fatmir Haklaj, njëri prej protagonistëve të hakmarrjeve rivale, vëllai i tij dhe kushëriri. Me asgjesimin e Fatmirit, pala kundërshtare hoqi njërin prej rivalëve më të rrezikshëm. Bomba e Cernices tronditi gjithë Tropojën. Atentati i këtij lloji, demonstroi shkallën më të lartë të organizimit me theks të dukshëm hakmarrës. Në kacafytjen e gjatë që pasoi, evidentohet një sistem i tërë vlerash të hakmarrjes primitive mes njëri tjetrit. Megjithëse bërthama Haklaj ishte goditur keqaz, pala kundërshtare do të vazhdonte sulmet banditeske ndaj lidhjeve te mbetura. Veçanërisht, viti 2001 do të shënonte furinë e sulmeve me eksploziv në objekte dhe automjete që mendohej se ishin pronë e kundërshtarëve. Duke vazhduar planin ritual të eksplozivëve, me 20.08.2001, në fshatin Babine nga persona të paidentifikuar është hapur zjarr me automatik ndaj Petrit Brahës, K.Brahës dhe BS. Ndërkohë autorët kanë folur në radio me policinë duke u shprehur: "Ushtarët tuaj i keni në rrugë të vrarë". Në të vërtetë vetëm u plagosën, ndërsa zëri i autorit që foli në radio dyshohej të ishte i një krimineli të njohur. Policia vazhdonte të ishte e pafuqishme. Ndërkohë i kërkohej Qeverisë "Duke qenë se veprimtaria kriminale e këtyre grupeve është e sofistikuar dhe ka elementë të një veprimtarie subversive…kërkohet ndërhyrje e kualifikuar profesionale që të sigurojë e garantojë veprimet e policisë. Ky moment duhet të zgjidhet edhe nga SHISH, kjo për faktin se kjo veprimtari zhvillohet në të dy anët e kufirit". Në vazhdim të këtij relacioni sugjerohej se " …strukturat përkatëse të qeverisë duhet të aktivizohen drejtpërdrejti për të ndihmuar të dëmtuarit dhe për të ekspozuar në këtë rreth programe zhvillimi dhe projekte konkrete, me qëllim që të ndryshohet mentaliteti i krijuar për lënien pas dore të tyre". Policia nuk arriti të provonte fajësinë e autorëve të këtyre veprave penale. Ato pak referime të cuara në prokurori, nuk arrinin te "bindnin" gjykatësit për t'i nxjerrë para gjyqit këta mafioze. Duket e pabesueshme, por është e vërtetë që edhe kur kishte prova të mjaftueshme, gjërat shiheshin me frikë. Autorë krimesh apo lidhje te tyre, shfaqeshin të frikshëm para togave të zeza, pasi "Sipas padive të funksionarëve, ato që quheshin "sekte" apo "parti", dhe shpesh nuk ishin tjetër vecse klane familjare të armatosura, po bënin ligjin në shumë zona të Sicilisë të pamundura për t'u qeverisur nga shteti". Ngjarjet e ndodhura në Tropojë ndodhen në fundin e mijëvjecarit të kaluar, ku në më pak se tre vjet u vranë dhe u plagosën mëse 150 persona. Do të mbetej një nga konfliktet më mizore, më të papara ndonjëherë. Sot është e vështirë të kuptohet se sa shumë gjëra nuk dihen. Megjithatë dukej sikur "Masakrat barbare drejtoheshin prej një dore të organizuar, ishte një koalicion mafiozësh korleonezë, që përbënin grupin drejtues. Hidhnin në veprim skuadra vrasësish me pagesë, këta i nxirrnin prej strofullash armiqtë, ata që nuk u bindeshin, dhe ua pengonin synimin e krijimit të një llojë sundimi diktatorial mbi tërë mafien siciliane, nga njëri cep i ishullit në tjetrin, dhe i asgjësonin".



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora