E diele, 28.04.2024, 11:51 PM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Si na erdhën grekët për të na lypur bukë

E hene, 25.08.2008, 01:55 PM


Flet Liri Gjoliku për ditët e zisë greke

Gjoliku: Si na erdhën grekët për të na lypur bukë

Nga Fatos Veliu


Kushdo që është nga zona e bregdetit, jo vetëm i moshës së vjetër, por edhe nga brezi i ri, ka dijeni për ngjarjen e dhimbshme që ka ndodhur rreth 60 vjet më parë në fshatin Kuç. Ka qenë pikërisht vera e vitit 1940, kur në momentin që kishte shpërthyer lufta italo-greke, në Greqi kishte pllakosur uria e bukës.

Në atë kohë, qytetarët grekë endeshin për të kërkuar bukë fshatrave të jugut të Shqipërisë, pikërisht, ku kohë më parë, pra në vitin 1914, parardhësit e tyre kishin vrarë dhe prerë këta banorë. Ngjarja spostohet në një nga këto shtëpi, ku dikur kishin vrarë të zotët e shtëpisë, ndërsa tani grekët erdhën dhe u pritën shumë mirë, madje u dhanë edhe miellin që kishin për ta ngrënë për vete. Por pas largimit nga shtëpia, një djalë i fshatit i kapi në dalje të tij dhe përdhunoi një vajzë 16-vjeçare, e cila ankohej në pleqësi. Pleqësia merr vendim që djali të pushkatohet dhe ky vendim në emër të traditës dhe miqësisë, ekzekutohet menjëherë.

Në faqet e gazetës “Panorama”, kjo histori vjen nëpërmjet intervistës së Liri Gjolikut, e cila është vajza e Heroit të Popullit, Jaho Gjoliku, dhe që është ndërkohë protagonistja reale e asaj ngjarjeje, pasi greket në fjalë, atë verë kanë shkuar pikërisht në shtëpinë e saj dhe janë takuar po me të. Shumë hollësi të asaj ngjarjeje, lexuesi i rubrikës sonë do ti lexojë në shkrimin e mëposhtëm.

Zonja Liri, është folur shumë deri në vitet e mëvonëshme për ngjarjen e rrallë, të ndodhur në fshatin Kuç, në kohën që Greqinë e kishte përfshirë uria e bukës. Si e kujtoni atë rast që u quajt tentativë përdhunimi ndaj një grekeje?

Ajo ngjarje ka ndodhur rreth vitit 1940-1941, nuk e saktësoj dot më mirë pasi kanë kaluar shumë vite.
Në atë kohë, si në gjithë fshatrat e bregdetit dhe në të gjithë jugun e Shqipërisë, edhe në fshatin tone, vinin shumë gra greke të cilat lëviznin në grupe të vogla, ku në shumë raste merrnin me vete dhe fëmijët që i kishin të rritur. Shumë prej këtyre grupeve vinin me mushka, por shumica vinin më këmbë.
Ato gra ishin të gjitha të uritura dhe kërkonin diçka për të ngrënë, për familjet që kishin lënë në gjendje të mjeruar në Greqi. Njerëzit u jepnin dikush një dorë miell, dikush një copë bukë apo dikush diçka tjetër. Ishte një solidarizim i mirë dhe i heshtur i njerëzve të zonave tona në atë kohë, për t’i ndihmuar me çfarë të mundeshin fqinjët tanë të uritur. Kjo zbukuronte dhe traditat e shkëlqyera të bujarisë tonë, që na ishte kultivuar nga brezat e mëparshëm.

Këto grupe ishin sporadike apo të vazhdueshme?

Nuk kishte ditë të mos dëgjoje të trokitura në portë dhe të të kërkonin gjithë përulje dhe dhimbje diçka për të ngrënë. Kjo kohë që po ju flas, bën fjalë për vitet kur në Greqi kishte pllakosur zija e bukës, për faktin se kishte shpërthyer lufta tashmë e njohur italo-greke.

Nga ç’rruge mund të vinin ato gra në këmbë që nga Greqia?

Vinin që nga zona e Igumenicës ( Greqi), kalonin në Konispol dhe nëpërmjet zonës së fshatit Livadhja dhe Shkallë, dilnin në urën e Kranes në Sarandë apo nëpërmjet rrugës tjetër, ku nga Konispoli merrnin drejtimin e fshatrave Xarë, Vrinë dhe dilnin në Butrint. Ishin aq masive ato ecejake të atyre njerëzve të përvuajtur, saqë ishin bërë pamje të zakonshme nga banorët e zonave të jugut kryesisht të fshatrave të bregdetit.

Çfarë qëndrimi mbanin banorët e këtyre zonave para njerëzve endacakë, që vuanin aq më shumë, që ishin dhe gra?

Megjithëse ishin të freskëta, ngjarjet e vitit 1914 kur grekët kishin ardhur mbi fashtarat tona me ushtri barbare, dhe kishin përgjakur çdo gjë që gjenin para, aq sa dogjën, therën, vranë dhe plaçkitën gjithçka, përsëri është për t’u çuditur se njerëzit tanë pavarësisht momenteve të viteve 1940-1941, i kanë pritur shumë mirë. Nuk e them këtë për kredo propagandistike apo për ego, por është e vërtetë e padiskutueshme, se të gjithë ata njerëz të varfër që vinin këtu, asnjëherë nuk kanë ikur bosh. Asnjëherë nuk janë fyer dhe asnjëherë nuk janë ngatërruar me veprimet gjakatare të paraardhësve të tyre të vitit 1914, kur na vranë duke masakruar njerëzit e dhembshur të familjeve tona.
Të gjithë, siç të thashë edhe në fillim, u jepnim çfarë të na ndodhej në shtëpi. Në këtë bujari, qoftë dhe modeste, përfshiheshin edhe ato familje që ishin shumë të varfra, sa që me shumë mundim ushqenin fëmijët e tyre.

Mund të përmendni emra për konkretizim të këtyre familjeve të varfra, që gjithsesi mundoheshin të ndihmonin?

Nuk largohem më tej, por po përmend komshinjtë e mi, të moshuarit Zabite dhe Pano Toçi, të cilët janë gjyshërit e Fatmir Toçit. Ata, edhe pse në sahan u ndodhej apo jo një dorë miell misri për të bërë “minjo” për fëmijët e tyre, kushedi se sa herë e kanë ndarë atë me ato që u trokisnin në portë, vetëm e vetëm të mos i nisnin pa gjë.

Le të kthehemi te ndihmesa e familjes tuaj?
 
Pikërisht këtu t’a kisha fjalën. Unë jam dëshmimtare jo vetëm për ndihmesën që kemi dhënë si familje, por edhe për ngjarjen e bujshme, për të cilën më pyetët që në fillim të intervistës dhe që jehona e saj i kaloi kufijtë.

Ku e keni fjalën konkretisht?

Para se të flas për atë ngjarje, ku pleqësia e fshatit tonë për nderin e këtyre grave, vrau një djalë të fshatit, vetëm për të ruajtur të pastra traditat dhe fisnikërinë e shqiptarit, gjë që grekët nuk e bëjnë kurrë, sado që të mburren dhe përbetohen si popull i vjetër e i lashtë, apo popull me shumë kulturë e ku e di unë çfarë, por veprimet tona në interes të këtyre traditave kanë qenë konkrete, madje edhe të dhimbshme dhe jo vetëm me llafe...

Konfliktet shekullore me Greqinë
 
Para vitit 1913, kur Komisioni i posaçëm evropian do të vendoste kufijtë ndërshtetëror të Ballkanit, pretendimet greke kanë qenë të atilla, sa ushtritë e tyre të drejtuara nga mbreti Jorgo, arritën deri në brigjet e Vjosës. Jo vetëm kaq, por që në mbasditen e asj dite, kur Ismail Qemali ngriti në qytetin e Vlorës në shenjë simbolike flamurin kombëtar për të shpallur sovranitetin e Shqipërisë, që nga luftanijet greke të skalionuara përballë brigjeve tona, u bombardua gjithë qyteti. Shtëpia, që në orët e paradites kishte shërbyer si selia e kuvendit të pavarësisë, pothuajse u shkatërrua nga predhat që ranë në të katër cepat e saj. Pas vitit 1913, ku shtetit të madh shqiptar iu bë padrejtësia historike e tjetërismit të teritoreve të tij, sërisht konflikti i armatosur i forcave greke në drejtim të kufirit shqiptar ishte i pashmangshëm. Ka qenë viti 1914, kur fshatra të tëra në jugun e Shqipërisë u përfshinë nga flakët. Ishin të shumta viktimat e asaj popullsie, duke filluar që nga fëmijët deri te gratë dhe të moshuarit. Por nuk do të ishte i njëjtë haraçi, që do të jepnin shqiptarët në luftën Italo- Greke të vitit 1940. Luftëtarët e Shqipërisë, të cilët ishin mobilizuar në batalionet sulmuese italiane për të vepruar mbi grekët, dezertuan jo vetëm në mënyrë massive, por edhe në mënyrë të organizuar, duke bërë që humbja italine të ishte e sigurtë. Provokacionet tashmë të njohura të gushtit të vitit 1939, do të përsëritnin në të njëjtën formë synimet e vitit 1914. Ato provokacione që sollën edhe një herë në skenë luftën e armatosur, duke shkaktuar një numër të ri prej dhjetra të vrarësh, treguan edhe një herë se synimet shoviniste greke do të ishin po aq të ndezura. Pas kësaj, nuk kanë qenë të pakta rastet e icidenteve mbi popullsitë e fshatrave kufitare të jugut të Shqipërisë. Rasti i sulmit banditesk mbi ushtarët e postës së fshatit Peshkëpi në Gjirokastër, ishte një nga të shumtët raste të veprimeve të paprecedenta të fqinjëve tanë të jugut. Çuditërisht, ato veprime antishqiptare të renditura në periudha historike, zunë vënd shumë qartë dhe në deklaratat e fundit të presidentit grek në fshatin Dhrovjan të Delvinës, apo ato të përfaqësuesit të tyre Geixh në Dervician të Gjirokastrës.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora