E hene, 29.04.2024, 02:27 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Trafiku i armëve, u shitëm plumba serbëve dhe malazezëve

E marte, 26.08.2008, 06:18 PM


Nga Bujar Hoxha

Anarkia e vitit ‘97 në vendin tonë dhe konfliktet rajonale gjatë viteve 1999 – 2000 në Kosovë e Maqedoni rigjallëruan grupet kriminale të grumbullonin mijëra armë të të gjitha llojeve për t’i trafikuar brenda rajonit, por edhe më gjerë. Si rezultat i këtyre sulmeve u grabitën 1300 depo që mbanin të gjitha llojet e armatimit, ku ranë në duart e civilëve mbi gjysmë milion armë të ndryshme, mina dhe granata si dhe një sasi e konsiderueshme eksplozivi. Në shifrat zyrtare deklarohej se ishin vjedhur në deport e ushtrisë shqiptare 2 milionë armë të lehta, 3.5 milionë granata dore, mbi l milionë mina, 840000 predha mortaje, 1.5 miliardë fishekë të kalibreve të ndryshëm, 3600 tonë lëndë eksplozive. Nga ana tjetër, u vodhën mortaja, topa, raketahedhës të tipeve të ndryshme, mitraloza të lehtë, të rëndë dhe kundërajrorë, armë kimike dhe produkte radioaktive. I gjithë ky arsenal armësh në duart e popullsisë, në përqindjen më të madhë ra në duart e kriminelëve dhe bandave kriminale, që për disa kohë i dhanë tonin imponues vendit, duke mbetur kërcënim për rendin dhe sigurinë publike edhe sot. Në gusht 1997 Qeveria shpalli një amnisti për të gjithë ata që kthenin vullnetarisht armët në depot e ushtrisë. Në kuadrin e një klime sociale më të përmirësuar si rezultat dhe i forcimit të strukturave të policisë së rendit, rinisi me objektiv procesi i grumbullimit vullnetar të armëve. Nën trysninë psikologjike të anarkisë, procesi i grumbullimit nuk ishte i kënaqshëm, krahasuar me sasinë e armëve të grabitura. Më shqetësuese paraqitej gjëndja në veri të vendit, që ishte e lidhur me trafikun ilegal me drejtim Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi, që do të reflektonte më intensivisht në vitet e mëvonshme të konfliktit që përfshiu Kosovën e më pas Maqedoninë. Duke vlerësuar problemet tensionuese që kishin përfshirë vendet e ish - Jugosllavisë, veçanërisht konfliktet në Kosovë, “me datë 2.10.1997, në orët e para të mëngjesit, në vendin e quajtur Qafa e Benës të rrethit Pukë, do të bllokohej një kamion me targa TR 7412/ C me drejtues N.C., i cili kishte ngarkuar shtatë tonë tritol me destinacion zonën e Tropojës. Trafikanti që shoqëronte mallin do të lirohej pas 10 orësh duke e paraqitur veten si shoqërues, ndërsa shoferi do të transferohej nga Puka në Shkodër dhe pas pak ditësh do të lirohej”. Për t’i dhënë rëndësi këtij problemi të rrezikshëm për shoqërinë shqiptare, qeveria u detyrua të merrte vendimet përkatëse, në mënyrë të veçantë krijimin e një sektori në varësi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me një efektiv prej 250 vetësh dhe me shtrirje në çdo drejtori qarku dhe komisariati policie rrethi. Nga raportimet zyrtare të këtij sektori jepej shifra 150.000 të dorëzuar, ndërkohë që në duart e popullsisë mbeteshin edhe rreth 200.000. Në informacionet e paraqitura, sektori përkatës paralajmëronte se “për përfundimin e procesit të mbledhjes së armëve do të duheshin 15-20 vjet, duke llogaritur që çdo muaj mblidheshin 1000 të tilla. Nëse do arrihej të mblidheshin 3000 armë, procesi do të përfundonte për 5-6 vjet… Nga 38190 pistoleta të grabitura janë grumbulluar 1899 ose 5%; nga 228.937 automatikë janë mbledhur 50723 ose 22%; nga 245.012 pushkë janë mbledhur 140.971 osë 49%; nga 22367 mitralozë të llojeve të ndryshëm janë mbledhur 10876 osë 49%; nga 5984 GHL, mortaja e topa janë mbledhur 1821 ose 30%”. Me armët në duart e njerëzve të pakontrolluar u vranë mbi 2000 persona, mijëra të tjerë të plagosur apo gjymtuar, ndërkohë që rreziku vazhdonte të ishte i pranishëm. Nga ana tjetër, njerëz hallexhinj kërkonin gëzhoja prej bronzi dhe tunxhi, të cilat ua shisnin trafikantëve për një copë bukë. Këta të fundit, ua shisnin trafikantëve serbë e malazezë, të cilët për shumë kohë furnizuan uzinën e çelikut në Nikshiç, teksa i transportonin me kamionë, të pashqetësuar në kufirin shqiptaro-jugosllav. Duke shfrytëzuar mungesën e ruajtjes dhe kontrollit të vendeve ku strehohej armatimi i rëndë, vjedhjet e tyre masive në disa raste do të shoqëroheshin me pasoja të rënda. Kështu do të ndodhte në muajin qershor 1997, në Qaf-Shtamë të rrethit të Matit. Me dhjetra persona të kësaj zone do të sulmonin tunelet e mbushura me këtë lloje armatimi, për të marrë gëzhojat, por si rezultat i pakujdesive në marrjen e tyre ndodhi një shpërthim i fuqishëm, ku mbetën të vrarë 24 persona dhe 12 të plagosur rëndë. Nga viktimat, 14 ishin fëmijë. Nga ana tjetër, ishin këta trafikantë të cilët ngarkonin automjetet me hekur dhe mineral kromi të grumbulluara nga të gjitha rrethet, duke i kaluar kontrabandë në kufirin shtetëror në fshatin Muriqan për t’i dërguar në kombinatin e çelikut në Sukobin të Malit të Zi. Megjithëse tek Ura e Bunës kishte postblloqe të policisë, nëpërmjet pagesave apo kërcënimeve me armë, kalonin të pangacmuar.

KONTRABANDA E CIGAREVE
 
Jo vetëm Shqipëria, por edhe vendet e tjera të rajonit Ballkanik kanë qenë pjesë aktive e trafikut të cigareve ndër vite, me lidhje të ndërthurura kriminale e duke përdorur linjat e njohura dhe të panjohura. Nga eksperienca e policisë shqiptare, kontrabandistët shfytëzonin kryesisht Greqinë dhe Malin e Zi si stacione furnizimi, nga ku bënin shpërndarjen në të gjithë territorin shqiptar. Veçanërisht në vitet e luftës në Ballkan, Mali i Zi është shfrytëzuar maksimalisht nga trafikantë shqiptarë, që duke uzurpuar tregun e zi, me mjete tokësore të të gjitha llojeve dhe ato detare siguronin ngarkesat e porositura duke i shpërndarë tek rrjetet e ngritura për këtë qëllim. Kontrabanda e cigareve nisi gjatë viteve ‘91-‘92, pikërisht kur u vendos embargoja tregtare ndaj ish - Jugosllavisë, në luftën e Bosnjës, për të cilën OKB-ja bënte përgjegjëse Serbinë dhe Malin e Zi. Duke shfrytëzuar amullinë e krijuar në këto vite dhe sigurimin e “restos”, njerëzit më aktivë të kohës së ndryshimeve ndërruan kursin dhe si “zotër” të vendit morën “postet” e biznesit e të pangacmuar krijuan strukturat përkatëse për trafikun e naftës dhe të cigareve. Kufiri i hapur shqiptar krijoi lehtësirat e kërkuara, nga ku trafikantët shqiptarë, të lidhur me ata malazezë arrinin të kalonin sasira të mëdha me cigare të të gjitha llojeve, ndërkohë që për pengesat doganore as që bëhej fjalë. Megjithatë, për atë përiudhë në arkivat e policisë shqiptare, si për shumë gjëra të tjera, nuk gjënden të dhëna informacione për kontrabandën e cigareve. Këtë boshllëk mund ta mbushim me informacionet e shtypit, ku në një rast jepeshin arrestimet e disa doganierëve bashkë me drejtorin, që nuk kishin bërë zhdoganimet e këtij malli dhe, rasti më skandaloz, arrestimi i deputetit A.Lika si kontrabandist i cigareve. Gjatë kësaj periudhe, deri në vitin ‘97 kontrabanda e cigareve jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Rajonin Ballkanik pati një lulëzim të jashtëzakonshëm, për më tepër që në këtë lojë u ingranuan mafiozë italianë të Sakra Korona Unitas, të cilët ndërtuan urat mafioze në rajon dhe infrastrukturën e përshtashme për një gjë tillë. Meqë trafiku i cigareve mbetet pjesë dominuese e kësaj organizate, ajo vendosi kontakte me trafikantë shqiptarë, malazezë, serbë, boshnjakë etj, ndërkohë që portet e këtyre vendeve organizonin dhe kontrollonin ngarkesat, të cilat përcilleshin në destinacion. Krahas anijeve të transportit, në brigjet pulieze trafikantët shqiptarë zbarkonin klandestinë dhe drogë, në kthim ngarkonin cigare, pa llogaritur rrugë të tjera me ngarkesa të mëdha. Do të pasonin ngjarjet e vitit ‘97 dhe trafikantët me rrjete të ngritura, duke shfrytëzuar anarkinë e krijuar në vend rinisën operacionet e këtij lloji, për më tepër që pikat doganore ishin gati joekzistuese dhe vlerat për taksat doganore që duhej të paguanin, do të shpenzoheshin për doganierë, policë, të cilët ngrinin trarin e doganës apo të tjerë që i shoqëronin deri në destinacion. Në kuadrin e këtij trafiku të jashtëzakonshëm, policia në Durrës arriti të bllokojë një anije greke, e cila transportone çimento dhe kishte ngarkuar edhe cigare me vlerë mbi një milionë dollarë. Njëkohësisht u goditën edhe trafikantë të tjerë në Vlorë, Durrës, Gjirokastër, Pogradec etj, që detyruan Ministrin e Rendit të asaj kohe të justifikohej me vështirësitë e forcave të policisë për goditjen e këtij trafiku, duke deklaruar sekuestrimin e sasisë me vlerë pesë milionë dollarë.
Një pjesë e mirë e këtij trafiku ndiqte rrugën Mali i Zi – Shkodër – Tirane; drejtimi tjetër ishte Bullgari – Maqedoni – Selanik -Shqipëri, pa llogaritur linjat italiane nëpërmjet detit.
Vitet që pasuan dhe konsolidimi i strukturave shtetërore detyruan dhe trafikantët të ndryshonin metodat dhe mënyrat e kontrabandës, për të cilat policia me aq pak informacione që kishte, pa llogaritur firot gjatë rrugës, arriti në disa goditje të pjesshme. Në muajin qershor 2003, gjatë kontrollit rutinë të një anijeje iraniane, ndërkohë që në pritje të përfundimit të kontrollit prisnin dy anije shqiptare, konstatuan një kontenier me cigare kontrabandë. Nën presionin e njerëzve të përzier në këtë trafik, kontenieri u lejua të kalojë dhe të shkarkohej në destinacion. Më pas, si rezultat i presioneve të ndryshme pronarët e mallit paguan një shumë të caktuar të taksës doganore dhe çështja u mbyll. Do të vazhdohej edhe me goditje të tjera të pjeseshme, për ta mbyllur me operacionin e kryer nga policia e Durrësit në magazinat e firmës “Zotaj Shoping & Trading CO” sh.p.k. me pronar F.Z., ku u sekuestruan 2.925.000 copë paketa të markës “Karelia Slims”, 505.500 copë paketa cigare të markës “Drina”, 583.500 copë paketa cigare të markës “Aura”, 110.500 copë paketa cigare të markës “Marlboro”, 24.500 copë paketa cigare të markës “Rothmans”, 18.500 copë paketa cigare të markës “Kingston” dhe 114.000 copë paketa të markës “Dorchester”. Në të shtatë kontenierët e bllokuare me cigare pa pullë fiskale në total ishin 4. 281. 500 copë paketa të kaluara kontrabandë nga anija e transportit “Eni”.

KORRUPSIONI
 
Në vendin tonë, korrupsioni i shtrirë në të gjitha përmasat strukturore mbetet një thikë në ijen e shoqërisë sonë. Korrupsioni vec të tjerave është i lidhur edhe me informalitetin, që nga gjithkush nuk konsiderohej krim, për rrjedhojë nuk ndëshkohej. Të gjithë janë mësuar me të, pavarësisht se pasojat ndihen në publik. Këtu gjen veten edhe veprimtaria e krimit të organizuar, që përpiqet të legalizojë veprimet ilegale për t’i bërë të besueshme dhe të pranueshme. Njerëzit tek ne sikur janë mësuar me format korruptive dhe e quajnë mjetin më të efektshëm për të zgjidhur problemet. Ai jo vetëm është një nga format konkrete të shfaqjes së krimit ekonomik dhe krimit të organizuar, por përgjithësisht është pjesë organike që i paraprin realizimit të këtij krimi. Luksi i ekspozuar mbetet një “kafshatë” e harruar, çka favorizon joshjet, duke familjarizuar veprimet, se për të mbaruar një punë duhet derdhur diçka. Të gjitha këto konsiderohen normale, pavarësisht se publikisht ndikon në rënien e moralit. Nisur nga analizat e informacioneve dhe gjendja e kriminalitetit, korrupsionit paraqitet shqetësues në fushën e doganave, tatimeve, shëndetësi, arsim, bashki, komuna, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, zyrat konsullore etj. “Krimi ekonomik, duke përfshirë mashtrimin dhe korrupsionin, përbën tani një pjesë të madhe të rasteve të krimit të organizuar zbuluar në shumë vende në të gjithë kontinentin pavarësisht nga niveli i tyre i zhvillimit ekonomik apo begatia. Në vende të tilla si Belgjika, Bullgaria, Hollanda dhe Sllovakia, krimi ekonomik është veprimtaria kryesore e të paktën një çereku të grupeve dhe rrjeteve të krimit të organizuar. Në Estoni, Moldavi dhe Serbi-Mali i Zi, kjo është kategoria kryesore e rasteve të regjistruara të krimit të organizuar”.
Korrupsioni shqiptar përfshin elementë të njohur: shpërblim për çdo shërbim të ofruar, para dhe dhurata. Në çdo koridor skutë të administratës nuk hapet semafori pa paguar diçka. Përshembull, personeli mjekësor paguhet nga shteti, por asnjë konsultë, mjekim, operacion apo ndërhyrje nuk të afrohet pa paguar. Personeli që mbulon aparaturat krijon defekte të qëllimshme dhe paguhet nga mjekët që kanë klinika private.Makuteria e tyre arrin deri në krime të rënda. Ka zëra se disa mjekë dhe infermierë janë kontraktuar me funeralet që kryejnë shërbime të planifikuara, veçanërisht në pavionet që kurojnë sëmundje të pashërueshme. Pacientët që lëngojnë gjatë dhe janë pa shpresë, stimulohen me injeksione, ndërkohë që autorët paguhen. Në fushën e medikamenteve gjërat paraqiten më të kobshme. Nuk është fjala për mungesat e barnave, vjedhjet apo shitjet, që në të vërtetë përbëjnë vepra penale të dënueshme. Problemi duhet parë tek ilaçet që futen nëpër spitale si rezultat i tenderave që zhvillohen nga strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë. Kështu, në vitin 200…, u morën të dhëna se një kompani farmaceutike kishte futur në Spitalin e Tiranës disa tonë ilaçe me efektivitet as 20 %. Gjithçka u vlerësua për verifikim, mirëpo dokumentacioni ishte rregulluar aq bukur sa nuk jepte shanse për të filluar një hetim. Megjithatë, tërhiqte vëmendjen fakti që ky dokumentacion ishte orientuar nga njerëz kompetentë, të përfshirë në këtë krim të “jakave të bardha”, madje deri tek titullarë të rëndësishëm të kësaj ministrie. Mungesa e kualifikimit ligjor të korrupsionit gjente terren për justifikim. U desh ndërhyrja për zbatim të konventave të Këshillit të Europës dhe Konventës të Kombeve të Bashkuara, për të bërë ndryshime ne Kodin Penal që percakton veprat penale per korrupsionin:
* Korrupsion pasiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike
* Korrupsion aktiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike
* Korrupsion pasiv nga funksionarë të lartë vendorë dhe të
zgjedhur vendorë
* Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë
funksione publike
* Korrupsioni aktiv në sektorin privat
* Korrupsioni pasiv në sektorin privat
Një nga faktorët kryesorë të goditjes së korrupsionit ka qenë dhe është mungesa e kallëzimeve nga qytetarët, të cilët janë pajtuar me gjëndjen dhe nuk shikojnë ndërhyrje me sens parandalues. Megjithëse ekzistojnë struktura që merren me këto fenomene, niveli dhe cilësia janë për të qarë hallin. Me fjalë të tjera për ndjekjen dhe goditjen e korrupsionit ka pasiguri, që mbetet pjesë e pasigurisë së strukturave antikrim për të kontrolluar krimin e organizuar. Informaliteti dhe korrupsioni përbëjnë dy shtyllat kryesore për të hapur rrugën për krimin e organizuar. Hetimet e deritanishme flasin për shifra të ulëta dhe jo cilësore. Në një raportim zyrtar thuhej se “janë ndjekur 46 raste për veprat penale kundër autoritetit të shtetit dhe drejtësisë siç janë shpërdorim detyre, vjedhje me shpërdorim detyre, falsifikime nga punonjës që kanë pë detyrë lëshimin e dokumentave etj. Janë proceduar penalisht 85 autorë nga këta, të arrestuar në flagrancë dhe të ndaluar 13”.
E megjithatë deri tani rezultatet janë të ulëta. Le të marrim çështjet që lidhen me sektorë e shërbime të tjera. Tenderat, ankandet dhe prokurorimet mbeten “gjigandët” e korrupsionit dhe që kanë emra konkretë. Vetëm një cent të luhet me çmimin e blerjeve të energjisë nga ndërmarrja e KESH-it, do të grumbullohen pasuri sa për të jetuar dy breza. Problemi është tek hapësirat që duhet të ketë struktura antikrim për ta ndjekur atë.Në një rast, një personi zyrtar implikohet për veprime të paligjshme. Informacionet e siguruara nuk hapin rrugë për hetim. Ku do të qëndrojnë materialet, kush do e hapë dosjen, kush do të njihet, si do të vazhdohet me lidhjet e dyshuara etj. Le të shikojmë një rast orgjinal konkret.
Një specialist i njohur që punonte në një institucion qëndror kërkoi takim për të denoncuar veprime korruptive të kolegëve të tij me fondet dhe ndihmat që lëvroheshin nga Bashkimi Europian. Në deklarimet e tij, shpjegoi se bashkë me pjestarët e tjerë të grupit kishin vajtur në Bruksel për të pranuar nënshkrimin e një pakete financiare, ndihmë për Shqipërinë. Gjatë kontakteve konfidenciale, u ishte kërkuar dhjetëpërqindshi, për të cilën personi në fjalë kishte refuzuar në mënyrë kategorike. Në kthim, sapo kishin zbritur në një aeroport të Europës, duke pritur për të ardhur me linjën përkatëse, ishte ndaluar nga policia e aeroportit, me pretekstin e verifikimit te dokumentacionit. Shpjegimet e tij se kishte pasaportë shërbimi nuk dhanë asnjë lloj efekti. Policia e shoqëroi në dhomat e verifikimit, ndërsa pjestarët e tjerë të grupit erdhën në Shqipëri dhe të detyruar nga rrethanat që mund të percepitonin, njoftuan eprorët përkatës. Zhurma e bërë nga pala shqiptare dha efektet e pritura. I dyshuari doli nga shoqërimi i detyruar dhe me një ditë vonesë erdhi në Shqipëri. Ai nuk ishte në gjëndje ta vërtetonte tradhtinë e shokëve, megjithatë njëri prej tyre duke e ledhatuar e këshilloi të bënte kujdes në raste të tilla. Por ai, me vëmendjen e një njeriu të ndershëm dhe që kuptoi mashtrimin e ngritur nga shokët e tij dhe “specialisti” në Bruksel, erdhi për të denoncuar. E keqja ishte se asnjë nga hetuesit shqiptarë nuk ishin në gjëndje ta vërtetonin denoncimin e dhënë. Çështja e korrupsionit me fondet e Brukselit dukej të mbetej në harresë si një mashtrim pa rëndësi. Ndoshta duhej pritur një moment më i përshtashëm, por nuk ishim të qartë për materialet se si do të trajtoheshin në dinamikë. Këtë askush nuk e dinte. Në një rast tjetër, nëpërmjet korespodencës vjen një letër anonime, ku thuhej se një nga ministritë tona ishin vjedhur miliona para, të ardhura në formë kredie nga qeveria italiane, për ndërtimin e një fabrike për prodhimin e ushqimit të fëmijëve. Sipas autorit anonim, bëhej fjalë për gati dy milionë euro. Gjithashtu, letërshkruesi porosiste të bëhej kujdes nga disa persona (jepte emrat) që kishin dorë në këto vjedhje, ku sipas tij ishin të lidhur me funksionarë të lartë.
Verifikimet paraprake sqaruan se kredia ishte akorduar nga qeveria italiane dhe ishin hedhur disa lopata për ndërtimin e fabrikës. Më pas shkruhej se nuk po gjëndeshin paisjet e fabrikës, për shkak të çmimit të lartë. Krahas veprimeve verifikuese, u informuan edhe instancat e larta, meqenëse implikoheshin njerëz me imunitet. Ndërkohë u mësua se raporti i shkruar, i kishte nevrikosur aq shumë, saqë u përpoqën të largonin nga puna disa prej tyre, por për t’mos krijuar acarime të mëtejshme, u mjaftuan me kaq. Nga ana tjetër, letra anonime u arshivua, për t’mos u hapur më. Ishte viti 2004, kur në Amerikë “deri në vitin 1960 krimi i organizuar siguroi mbrojtje politike ne nivel lokal, shteteror e madje, edhe ne nivel kombetar…”. Në librin “ Dhjetë mijë armiq publikë”, autori Kërtnej Kuper, duke folur për punën e policisë amerikane kundër krimit në nivelet më të larta të shoqërisë amerikane, thoshte se “ ai lulëzon, sepse ka një themel…të përbërë nga matrapazë, hajdutë, shitës të lidhur me doganat, doktorë, gjykatës dhe shitës automobilash, konfederata të grave, pronarë të fshehtë, njëqind e një forma të tjera të një prapavije mbështetësish, që jetojnë në krim, ndërsa krimi lulëzon mbi ta”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora