Shtesë » Historia
Mirel Sharxhi: Historia e Çamërisë
E merkure, 27.08.2008, 03:58 PM
Pas thyerjes së ushtrive italiane dhe tërheqjes së tyre nga Greqia u intensifikua dhuna dhe terrori i qeverisë së re greke mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë. Të burgosurit dhe të internuarit çamë u liruan vetëm pas pushtimit të Greqisë nga ushtritë gjermane në një gjendje të rëndë shëndetësore dhe shpirtërore.
Pas pushtimit të Greqisë nga gjermanët, pritej që çamët e kthyer nga internimi të hakmerreshin ndaj forcave shoviniste greke që kishin qenë shkaktarë të vuajtjeve. Por ndodhi krejt ndryshe. Ata u ngritën mbi pasionet shoviniste dhe zgjodhën rrugën e bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës për të përballuar bashkërisht gjendjen e rëndë që u krijua nga pushtuesit e rinj gjermanë. Për këtë qëllim u organizuan dy mbledhje të gjera në Koskë dhe në Spatar. Njerëz me ndikim në krahinë si Musa Demi, Shuaip Llajo, Isuf Izeti, Xhaferr Çafuli, Jasin Sadiku dhe shumë të tjerë punuan me përkushtim për të krijuar atmosferën e mirëkuptimit midis dy komuniteteve, grek dhe shqiptar. Madje fshatarët e Varfanjit, Salicës etj., dërguan përfaqësuesit e tyre në fshtatrat e krishtera ku burrat ishin larguar nga frika e hakmarrjes, duke i siguruar që të ktheheshin se asgjë e keqe nuk do t'i gjente.
Në zonën e Gumenicës dhe të Filatit ishte bërë rregull që asnjë grup i rezistencës greke nuk dilte në zonat e lira pa qenë i shoqëruar nga një shqiptar çam. Pikërisht për këtë veprimtari e sakrificë, jo pak çamë dolën para gjykatave të pushtuesit dhe u burgosën. Duke pasur parasysh këtë realitet të mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit midis dy komuniteteve (greke dhe çame shqiptare) studiuesi Niko Zhangu shkruante: "Sikur shqiptarët çamë të ishin kriminelë, do të zhdukeshin të gjithë fshatrat e krishterë të Thesprotisë rreth fshatrave shqiptaro-çame".
Për qarqet shoviniste greke nuk ishte i pranueshëm mirëkuptimi dhe bashkëveprimi midis komuniteteve shqiptare dhe greke. Për të nxitur përçarjen e tyre ata nxitën vrasjen e çamëve me influencë si Tfeik Qemali, Jahja Kasemi, Jasin Sadiku etj. Me vrasjen e shqiptarëve të tjerë nga çeta e Koçnikollës, punët morën një drejtim të rrezikshëm. Të revoltuar nga këto akte, një grup çamësh u drejtuan për të djegur Rahulin, por u doli përpara popullsia e Karbunarit, një fshat i madh i përbërë prej shqiptarësh dhe i ndaloi. Edhe pse Rahuli shpëtoi nga një katastrofë e sigurtë, "më pas bandat e Zervës therën edhe gratë dhe fëmijët e atyre që shpëtuan Rahulin", domethënë banorët e Karbunarit. Në këto rrethana, disa krerë të Çamërisë u përpoqën të formonin një batalion për mbrojtjen e saj. U formua një batalion i cili kishte vetëm gjysmën e efektivit të një batalioni të zakonshëm, afro 300 veta. Për arsye se gjermanët nuk donin të prishin marrëdhëniet me qeverinë kuislinge të Ralisit, ky batalion veproi brenda kufijve politikë të shtetit shqiptar. Populli u armatos, por nuk pranoi të bashkëpunonte me gjermanët, nuk u fut në këtë batalion dhe nuk i përdori armët kundër popullsisë greke, por përkundrazi u rezistoi në mënyrë demonstrative përpjekjeve të gjermanëve për ta hedhur kundër elementit grek. Qëllimi i armatosjes së popullsisë çame ishte thjesht një masë vetëmbrojtëse, pasi ata kishin vuajtur shumë nga shovinizmi grek. Por ajo që i shqetësoi më shumë atëherë forcat shoviniste greke ishte ngritja e këshillave shqiptare në të gjithë Çamërinë. Në mars të vitit 1943 u formua çeta e parë mikste, e cila bashkëpunonte me EAM-in. Tashmë, edhe biografët e Zervës, si Mihal Miridhaqi nuk e mohojnë kontributin dhe pjesëmarrjen e çamëve myslimanë në radhët e rezistencës antifashiste greke, në formacionet e ELLAS-it dhe EAM-it. Historiani i lartpërmendur thekson se çamët nxorrën mbi 1000 luftëtarë. Popullsia çame filloi të organizohej në luftën kundër fashizmit në dimrin e viteve 1942-1943, madje që në verën e vitit 1942 u krijua në Filat grupi ilegal i rezistencës antifashiste i përbërë nga Njazi e Kasem Demi, Mustafa Sulo (Kalbaqi), Dervish Dojaka, Muharrem Demi, Braho Karasani, Sami Alushi, Tahir Demi, Vehip Huso e shumë të tjerë. Ata punuan në rrëzë të kufirit të Shkallës së Zorjanit e më thellë për organizimin e rezistencës, për krijimin e bazave të luftës, për popullarizimin e ideve të Kartës së Atlantikut, e cila u garantonte popujve e pakicave etnike liri, barazi dhe të drejtën e vetëvendosjes pas fitores mbi fashizmin. Në shkut të vitit 1943 u krijua çeta "Çamëria" dhe pak më vonë batalioni "Çamëria", i cili zhvilloi në shtator 1943 betejën e famshme të Konsipolit kundër gjermanëve, që zgjati 55 ditë. Ajo betejë u shqua për pjesëmarrjen e gjerë të popullsisë së Çamërisë, të Delvinës dhe të minoritetit pa dallim kombësie e shtresash shoqërore. Në mars të këtij viti u krijua formacioni i parë mikst shqiptaro-grek. Ai luftoi me trimëri kundër gjermanëve dhe zervistëve në Mallun, në Revani, në Theojefira, në Pleshavicë, në malin Kacidhjar e gjetkë. Në pranverë të vitit 1944 në Qeramicë u formua Batalioni IV "Ali Demi" me më shumë se 500 djem çamë. Ky batalion hyri në përbërje të Regjimentit XV të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Greke (EAM). Gjatë luftimeve të tij në rrugën Janinë-Gumenicë, Koskë, Smartë e Lopës si dhe në Mallun ranë trimërisht dëshmorët Muharrem Myrtezai, Ibrahim Halluni, Husa Vejseli etj. Gjithashtu, shumë çamë morën pjesë në Brigadën VI, VII, IX dhe XI të ushtrisë greke. Edhe misioni britanik që kreu hetime në Çamëri nuk e mohonte pjesëmarrjen e çamëve në radhët e EAM-it.
Edhe gjermanët u përpoqën ta hedhin minoritetin shqiptar në luftë kundër EAM-it dhe Frontit Nacionalçlirimtar Shqiptar. Këto përpjekje regresive shoqëroheshin me një propagandë me ngjyra të theksuara nacionaliste.
Në kuadrin e bashkëpunimit të popullit shqiptar dhe atij grek, u bënë përpjekje për të vendosur ura lidhjeje në linjën e atyre forcave që udhëhiqeshin nga Partitë Komuniste. Në bisedimet midis përfaqësuesve të të dy palëve ishte vendosur që në tetor të vitit 1943, të harmonizohej puna në minoritet. Për këtë qëllim ishte pranuar që të vinin në minoritetin grek në Shqipëri anëtarë të Partisë Komuniste Greke "që të bëjnë punë në minoritete duke enë në lidhje gjithmonë me ne". Po kështu do të procedohej edhe në Çamëri.
Minoriteti grek në Shqipëri u synua me lakmi nga reaksioni zervist grek për të depërtuar në të, me qëllime të hapura antishqiptare. Të dërguarit e EAM-it në minoritet, si Aleks Janari, me propagandën e tyre shfrytëzuan marrëveshjen që përmendëm më sipër, për të ngjallur ndjenjat nacionaliste të minoritetit, "për t'i bërë masat e minoritetit t'i drejtojnë sytë nga Greqia". Në një miting që ishte bërë në Akrovjan ishte deklaruar hapur se "ne pranojmë të jemi një Greqi qoftë komunikste, qoftë djalliste, por vetëm Greqi të jemi". Sipas të njëjtit burim del se grumbullimet dhe veprimtaria e reaksionit grek financohej me të holla. Nga Dhrovjani dhe Leshnic ishin dërguar për tek Zerva 23 veta "pasi ky paguante 1 stërlinë për tre anëtarë të familjes" (minoritare). Ndjenjat nacionaliste po merrnin forcë në minoritetin shqiptar në Greqi, domethënë në Çamërinë e përtejme, duke ndikuar në çoroditjen e popullsisë çame ndaj situatës në luftës dhe të mbështetjes së saj. Megjithatë, Kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Shqipërisë, duke pasur bindje në vijën e bashkëpunimit midis dy popujve, dërgoi një delegacion në Konferencën Panepirotike të EAM-it sipas ftesës së bërë nga Komiteti Panepirotik Nacionalçlirimtar i Greqisë më 14 qershor 1944. Duhet shënuar se ky bashkëpunim inspirohej nga qëllime fisnike të bashkëjetsës midis fqinjëve me devizën: luftë e ashpër dhe e paprerë armikut nazist dhhe gjithë reaksionit në shërbim të tij.
Peshë jo të vogël në trajtimin e çështjes çame dhe të pozitës së Çamërisë në vitet e Luftës së Dytë Botërore do të luante dhe qëndrimi i nacionalistëve çamë, i cili aspironte hapur me qëndrimin e vet bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë.
Këtë lëvizje e drejtonte një Këshill krahinor me organizmat e tij në nënprefekturat dhe fshatrat. Pjesëtarë të këshillit krahinor të Çamërisë ishin njerëz me influencë si vëllezërit Dino, Adem Muha, Hamza Rexhepi, Hizder Ahmeti, Mahmut Mala, Ramadan Sulo, Bido Taho, Haxhi Shehu etj. Këshilli krahinor kryente në një farë mënyre detyra të qeverisjes siç ishin mbajtja e rrefullit dhe qetësisë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, interesohej për hapje shkollash shqipe etj.
Një veprimtari e tillë ishte e papranueshme për qeveritarët e Athinës. Ndaj Qeveria greke e Ralisit shtroi kërkesën këmbëngulëse pranë të Dërguarit të Posaçëm gjerman për Evropën Juglindore Nojbaherit "për rivendosjen e prefektit të administratës greke në Thesproti", "të cilët do të kryenin funksionet e tyre zyrtare në Çamëri, duke u mbështetur në Vermahtin gjerman". Mirëpo autoritetet gjermane mbanin një qëndrim të dyfishtë. Sipas këtij qëndrimi, gjermanët nuk njihnin zyrtarisht veprimtarinë e Këshillit Krahinor çam, çka presupozonte njohjen e administratës shqiptare. Nga ana tjetër, nuk i jepte përgjigje të prerë as qeverisë së Ralisit. Megjithaë, në heshtje, autoritetet gjermane e pranonin punën e Këshillit, i cili siguronte mbajtjen e qetësisë në krahinë, gjë që u interesonte edhe gjermanëve. Nacionalistët shqiptarë çamë nuk përkrahnin përpjekjet e oficerit anglez të ndërlidhjes pr një marrëveshje bashkëpunimi me grupin nacionalist të Zervës. Është e qartë se këto përpjekje nuk dhanë ndonjë rezultat, sepse qëllimet e këtyre grupimeve nacionaliste ishin diametralisht të kundërta.
Nacionalistët shqiptarë synonin bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë, ndërsa përkrahësit e Zervës e kundërshtonin me çdo mënyrë një gjë të tillë. Madje zervistët prisnin rastin e volitshëm për një sulm vendimtar mbi Çamërinë, për të ushtruar mbi të shfarosjen kombëtare.
Për të realizuar synimet e tyre, nacionalistët çamë bënë përpjekje për t'u lidhur me Shtabin Aleat të Mesdheut, për të mënjanuar rrezikun zervist për fatin e Çamërisë. Një qëndrim të tillë e kishin konstatuar dhe autoritetet gjermane. "Sipas raporteve që i kanë ardhur të dërguarit të posaçëm të Rajhut, Nojbaherit, vërenin gjermanët-grupi nacionalist shqiptar po punon për t'ia aneksuar Çamërinë Shqiëprisë". Në përgjigje të këtij telegrami pohohet me gojën plot se "Ky grup (nacionalistët) është gati të lidhet me këdo, mjaft të bashkojë Çamërinë me Shqipërinë".