E enjte, 10.10.2024, 08:26 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Si u torturuan e u burgosën të vegjëlit e rritur të “Sirenës së Fitores”

E diele, 31.08.2008, 03:54 PM


Intervistë me 3 prej anëtarëve të kësaj lëvizjeje e cila “tkurri” “rojet përbindësha” të komunizmit shqiptar

Në vitin 1973, pas një viti përgatitjesh, 4 të rinj themeluan një organizatë tërësisht politike, kundër regjimit komunist të asaj kohe “Sirena e Fitores”. Haxhi Hoxha, Gani Bejdo, Pjerin Shkjezi, Anton Kuqi të cilëve iu bashkëngjit dhe Muhamet Hoxha tepër të rinj për të kuptuar nën terrin e padijes që ofronte një sistem autoritar u përpoqën të zgjonin rininë shqiptare e ta ndërgjegjësonin atëse heshtja është skllavëri dhe se meritonin më tepër. Në numrin e kaluar të gazetës “Metropol” u botua e plotë historia e ngjizjes së kësaj lëvizjeje sa foshnjore e idealiste aq dhe e guximshme, më së shumti në mendim... Tre “personazhet” e kësaj historie, Muhamet Hoxha, Haxhi Hoxha dhe Gani Bejdo tregojnë për të…

Pas arrestimit, për Haxhi Hoxhën vijnë torturat, burgimi, vuajtjet dhe depresioni

Monstrat komunistë na masakruan, i zuri paniku prej lëvizjes sonë

Jeni arrestuar në Ballsh gjatë kohës që ju ishit transferuar nga Durrësi për në Fier...

Punoja në NSHR në portin e Durrësit si llamarinist. Me datë 8 nëntor 1973 unë trasferohem për në Ballsh dhe të nesërmen në ora 10.30 u nisa për në vendin e ri të punës. Isha i bindur se ndiqesha nga sigurimi i shtetit. Vitorja kishte pasur kohë të na dërgonte emrat tanë në degën e brendshme. Unë kisha pseudonimin Ideali dhe e prisja që do të arrestohesha i pari por nuk e jepja veten megjithëse as nuk më flihej e as nuk më hahej. Me anëtarët e grupit i rralluam takimet dhe i kërkova Ganiut të tregohet i kujdesshëm me materialet pasi ai ishte personi që mbante ditarin e takimeve. Udhëtimi për në Ballsh do të bëhej me tren. Sapo hipa kuptova se një hije më vështronte gjithandej. Ktheva kokën dhe njoha oficerin e sigurimit Zyhdi B. U futa në banjo më shumë për të provokuar se çdo të bënte, sesa për nevoja personale. Nuk vonoi veçse disa minuta dhe treni u ndal. Disa njerëz rendën nëpër shina për të parë se ç’kisha lëshuar unë në banjo. Pasi nuk u gjet gjë treni lëvizi përsëri dhe nisëm vijimin e rrugës. Hetuesi Spiro Foto ndiqte treni me xhip. Me të ishte edhe Llazar G. e Zyhdi B. Dhe një i tretë. Zbrita në Fier, takova një djalë me të cilin isha njohur në kohën kur ai studionte në mekaniken në Shkozet. “Nga pas të ndjekin kalecë. Ç’ke bërë pasi janë edhe hetues nga Fieri që të ndjekin?”,-më tha ai, ndërkohë që unë iu përgjigja thatë duke i dhënë të kuptonte se kisha dijeni dhe se punët ishin keq. Hipa në autobus për në Ballsh dhe pasi kishim përshkuar disa kilometra xhipi i degës së brendshme na pret rrugën. Më mbërthejnë duart në pranga dhe më fusin një thes në kokë pasi më lexuan formulën e tyre të betimit “Në emër të popullit je i arrestuar”. Oficeri i sigurimit Zyhdi B më thotë “Ja më së fundi ku përfundove shoku Xhilo. Ku i ke shokët?”. Ashtu të lidhur me thes në kokë më dërguan në Degën e Brendshme në Lushnje. Dëgjova që dikuj i thanë në telefon “E arrestuam Haxhiun. Shiko mështjerrën e vogël”. Mështjerra ishte Ganiu ngase ishte më i riu. Pasi më sollën në Durrës 5 hetues nisën të më merrnin në pyetje. Rrija në birucë në katin e parë dhe që aty gjithmonë me thes në kokë më ngjitnin në katin e tretë, ku ishte hetuesia, dhoma e frikshme. Një karrige e ngujuar në mur. Pranë saj dy tela që vinin që nga brenda dyshemesë dhe që shërbenin për të vënë në korent të arrestuarit. Çdo 20-30 minuta me merrnin në pyetje si ditën edhe natën hetues të ndryshëm. Ata mendonim se ne ishim grup i madh dhe i kishte zënë paniku.

Anëtar i një organizate me objekt të qartë e të deklaruar ideologjik e politik. Disi e pabesuar për kohën kur ju e organizuat...

Ishte jo pak e vështirë pasi nuk bëhej shaka me jetën. Asokohe rinia kishte nisur të ndërgjegjësohej në hapjen e Shqipërisë por nga ana tjetër edhe paniku qe bërë pjesë e jetës. Të gjithë e dinim se litari, plumbi e burgu na priste nëse do të zbuloheshim. Im atë dhe nëna ime vuanin gjithë ditën për të siguruar një copë bukë. Mjerimi na kishte mbytur të gjithëve. Unë lexoja shumë libra dhe dëgjoja stacione të huaja. Kështu lindi e u rrit urrejtja për regjimin. Gjeta edhe terren tek djemtë që ishin moshatarë apo edhe më të rinj se unë. Kjo na bashkoi dhe vepruam me guxim. Në hetuesi unë nuk jam ndjerë aspak i frikësuar pasi çdo hap e kisha hedhur me ndërgjegje duke marrë në konsideratë edhe rrezikun. Qelitë, birucat dhe dhoma e hetuesisë ishin të tmerrshme. Atje provova atë që sot nuk mund ta besojë njeri. I vetmi shqetësim ishte fati i anëtarëve, ndërsa më ka mbetur peng që hetuesi nuk më bëri ballafaqimin me Vitoren. Do i thoja dy fjalë dhe të më shtonin dënimin, mjafton që ajo të mos ikte pa u lagur. Anëtarët e organizatës ishin të gjithë të rinj dhe askush nuk mund të fajësojë një djalë 16 apo 18 vjeç se përse pohon se cili ka qenë kreu i organizatës “Sirena e Fitores”. Unë e kam deklaruar para hetuesit se kisha bindje demokratike dhe se e krijuam organizatën politike si shenjë hakmarrjeje ndaj regjimit diktatorial.

Nga dëshmia juaj thuhet se në qeli futeshin spiunë dhe se aty si dhe gjatë marrjes në pyetje nga hetuesi ushtrohej dhunë.

Në kohën që hetuesit Spiro F., Zyhdi B. dhe Llazar G. e panë se unë nuk do të flisja më futën në birucë një agjentin e tyre. Drejtori i burgut Yzedin Çuka sapo e pa e shau. “Ke bërë,ç’ke bërë është puna jote. Po të preku njeri me dorë më thuaj mua”,-m’u drejtua drejtori, kurse spiunit që u afrua tek biruca ime i tha “Të kam bërë gropën në e prek Haxhiun”. Pastaj m’u drejtua përsëri për të dytën herë duke më thënë “Kujdes se të hëngri qeni”. Kishte edhe gardianë të mirë në degën e brendshme në Durrës si Shabani, Drini, Rrema, Guri etj. Ashtu siç kishte edhe xhelatë. Këta të fundit më kanë rrahur aq shumë saqë këmbën e tërheq zvarrë që nga ajo kohë. Në birucë, por edhe në burg na qëllonin me ç’mundinin dhe pa më të voglën mëdyshje kush të vinte më parë. Të gjitha i duroja por kur mësova se antarët e grupit kishin përfunduar në qeli u hidhërova pa masë. Gjatë hetuesisë më ballafaquan me Mehmet Hoxhën, por unë nuk kam pranuar se ai ka qenë anëtarë i organizatës dhe as ideator apo frymëzues. Me 23 shkurt 1974 dolëm para gjyqit. Prokuror ishte Jani Leze, kurse gjyqtar Arsen Leskoviku. Ata më dënuan për agjitacion e propagandë me 10 vite heqje lirie. Që këtu nis vuajtja e dënimit dhe më dërgojnë në kampin 315 në Leras, Lezhë që njihej edhe si burgu i Torovicës.

Gjatë qëndrimit në burgun e Torovicës jeni detyruar të punon me orë të gjatë si dhe të kequshqeheni. Ju tregoni se burgjet ishin edhe vend përdhunimi i grave dhe vajzave.

Nuk janë vetëm këto ngjarjet e tmerrshme që kam parë e përjetuar. Të qëndrosh pa ngrënë është gjysma e së keqes, ashtu si dhe të të rrahin pse nuk ke bërë normën. Në Torrovicë kam parë me sy të mi tmerr, vrasje dhe më kanë folur edhe për përdhunim të grave e vajzave që vinin të takonin të afërmit e tyre në burg. Kampi kishte rreth 1000 të burgosur, shumica të rinj. Në këtë burg mes të dënuarve ordinerë kishte edhe të burgosur politik por me kokrra pasi ata i dërgonin në Spaç dhe në Burrel. Burgu kishte katër grupe dhe secili grup një oficer dhe 4-5 kapterrë. Uji vinte në bote dhe në verë ishte 38 gradë, mbante erë dhe nuk pihej. Shumëkujt i binte të fikët nga etja. Ne na dërgonin në këmbë për disa orë nga Torovica në Bisht Jug në kufirin që ndan Shkodrën nga Lezha, në Balldre etj. për të punuar në bujqësi e në ndërtim. Ushqimi ishte shumë i keq. Për të mbushur stomakun hanim ç’mundnim. Sapo dilte pranvera të burgosurit zgjoheshin kush e kush më herët për të dalë pas kapanoneve dhe për të mbushur stomakun me bar të mbuluar nga vesa për të shuar urinë. Në vjeshtë kalliri i misrit kollofitej pa u ndier sa që ra në sy të komandës së burgut. Ruaj mirë në kujtesë shumë episode të përjetuara. Më kujtohet se si vranë të burgosurin Shaqe Manoli nga Berati. Ai doli në mëngjes prapa kapanonit për të mbledhur bar për ta ngrënë, aty kishte edhe lakra dhe në kohën që Shaqe Manoli shkoi barkas të marrë një rrënjë lakre për ta ngrënë me gjithë stap qëllohet nga ushtari. Kur vajtëm në të burgosurit ai mbante në njërën dorë barin, një pjesë të të cilit ia hoqëm nga goja në kohën që po jepte shpirt, kurse në dorën tjetër sapo kishte futur një koçan lakre. Nga Torrovica u arratis Niko Polena dhe kjo e egërsoi edhe më tej komandën e burgut. Ne na bënin apelin në mëngjes në një vend në formë vathe bagëtish. Duhej të dilje sapo të binte çanga për 2 minuta, ndryshe të priste kamxhiku i oficerit Stefan K. Kurse kapter Xhafa na lëshonte qenin për të na ngrënë në trup. Oficeri sadist me nam shumë të keq tek ne quhej Stefan K. Ai nuk lodhej së godituri në kokë, në fyt dhe në bark me grushta e shqelm të dënuarit. Nga ana tjetër komisari i kampit njëfarë Shahin S. urdhëronte gardianin Pjetër K të na fuste në birucë pa shkak dhe të na mbante në temperaturë deri në minus 18 gradë për një muaj me një kothere në ditë. Të gjitha ishin hiç gjë po të kujtosh se gardianët dhe punonjës të burgut ngacmonin edhe gratë, nënat e vajzat e të burgosurve. Abuzimet ndodhnin shpesh në kohën kur të burgosurve u afrohej takim special me gratë e tyre. Oficerët shpesh i merrnin këto gra dhe pasi i fusnin në dhomat e caktuara i përdhunonin dhe më pas ose i sillnin burrin, ose nxirrnin një shkak dhe anulonin takimin. Kam dëgjuar në burg se kishte edhe raste që oficerët i mashtronin duke u premtuar grave se do ndërhynin që t’u ulnin dënimin burrave. I dërgonin në Lezhë duke i gënjyer se atje ishin zyrat ku diskutoheshin letrat e të burgosurit ulje dënimi dhe atje këto gra përballeshin me përdhunimet.

Që andej u tranferuat në Spaç. Edhe këtu gjithçka për Haxhiun nis nga e para apo...

Gjatë rinisë sime kisha formuar bindje antikomuniste. Në Spaç e kuptova se sa larg qëndroja unë nga ideologjia komuniste e kohës. Sapo hyra brenda rasti e deshi të takoja njerëz me bindje demokratike. Edhe aty kishte demokrat e komunistë. Kishte të tillë që ishin rrëzuar nga dinastia, kishte provokatorë, siç kishte edhe të dënuar që kishin studiuar në Perëndim. Kjo ndikoi që unë të thelloja hendekun me sistemin komunist. Në Spaç kishte dy grupe të forta e rivale. Në njërën anë qëndronin demokratë si Xh. Koprensa, B. Alia, I.Vrioni, A.Kolgjini, Elez Hoxha etj. Ata së bashku me të tjerë të burgosur politikë i dërguan një letër Enver Hoxhës dhe në mes të të tjerave i shkruajnë “zbriti kalit të poshtërsisë”. Ishte viti 1979-1980. Xhelal Koprensa e dy të tjerë u pushkatuan, rreth 30 të tjerë u ridënuan me nga 20 dhe 25 vite burg. Grupi tjetër kishte pikëpamje komuniste edhe pse ishin në burg. Ata kishin studiuar në Rusi, Çeki e Bullgari. Këta ishin Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Robert Vullkani, etj. Këta kishin besim tek Bashkimi Sovjetik dhe tek Stalini aq sa thonin se po nuk lindi dielli në Moskë, Shqipëria nuk ka jetë. Aty njoha edhe Fatos Lubonjën si dhe Robert Nako. Ky i fundit ka një jetë disi interesante. Vinte nga familje me prirje komuniste. Shtëpia e braktisi dhe ai u dënua për shkak të bindjeve demokratike për të vuajtur disa vite në Torovicë. Pasi doli nga burgu u arratis së bashku me katër të tjerë në vitin 1986. Erdhi edhe në Shkozet e më takoi por unë nuk kisha mundësi të arratisesha me të pasi hetuesia më kishte bërë invalid dhe këmba nuk më punonte.

Pas lirimit si e gjetët familjen dhe a patët probleme për t’u rifutur në shoqëri?

Pasoja nga më të rëndat. Motra ime ishte e fejuar dhe për shkakun tim ai e ndau. Vëllezërit Njazi, Avdylrrahman, Besim e Kujtim kanë përjetuar stres dhe luftë me nerva. Në brigadë një e dy dhe sekretarët e partisë, fronti dhe kush mundte i kujtonte se vëllai tij ishte njeri kundër pushtetit popullor dhe se familja jonë ishte familje armiqësore. Po të mos kishte ndërhyrë Bilbil Xhaferraj vëllai i dytë, Avdylrrahmani, do të ishte internuar sepse rrahu komisarin e “dritës” i cili bënte zhurmë dhe hidhte fjalë të rënda në adresë të shtëpisë sonë nga depoja që ishte ngjitur me shtëpinë tonë. Më caktuan pas lirimit në minierën e Gërdecit. Nuk pranova, ishte larg dhe e kisha të pamundur të kapja orarin në mëngjes. Pas tre muaj që kisha lënë burgun pësova një goditje të fortë depresive. U sëmura ngase ndihesha i zhgënjyer, i braktisur dhe kuptova që idealet tona ishin utopi. 7 muaj kam qenë shumë rëndë nga ana shpirtërore. I vetmi njeri që më afrohej ishte shoku im i burgut Bujar Gjini. Ai më qethte e më rruante si dhe më jepte për të ngrënë. Kisha lexuar dhjetëra e qindra libra e romane të ndaluar si dhe kisha ngritur kokë kundër regjimit të diktaturës, ndërsa u shpërbleva me dhunë në hetuesi, burg, shkatërrim të familjes.

Intervistë me Mehmet Hoxhën

Si u përballa me hetuesinë, shpërfytyrimin ekstrem të komunizmit

Për Mehmet Hoxhën, të fundin e “Sirenës së Fitores” nuk vonoi burgosja dhe keqtrajtimet e tejskajshme. Si u dhunua ai së bashku me shokët e tij për të pranuar akuza të cilat do ta inkriminonin organizatën dhe tjetërsonin qëllimin e saj...

Të gjithë anëtarët e organizatës “Sirena e Fitores” kishin përfunduar në qeli. E prisje edhe ti të njëjtin fat apo mendoje se nuk do të zbuloheshe?

Sapo mësova se Haxhi Hoxha, Pjerin Shkezi, Anton Kuqi dhe Gani Bejdo ishin arrestuar nisa të mendoj seriozisht për veten time. Në Durrës flitej hapur për të rinjtë e Shkozetit dhe arrestimet e bujshme. Punoja në URT. Emri i mirë që kisha krijuar isha i bindur se do të shuhej shumë shpejt. I vetmi person me të cilin kisha njohje nga anëtarët e grupit të arrestuar ishte Haxhiu, nipi i gjyshes. Isha i bindur se nga goja e tij nuk do të mund të mësonte asgjë hetuesia. Nga ana tjetër kuptova se isha në epiqendër të survejimit. Im atë njihej për bindje antikomuniste si dhe gjyshi im. Unë jam lindur në Kostë të Çamërisë. Babai ka luftuar kundër pushtuesit në çetën e patriotit Haki Ryshyti nga Konispoli, por nuk është pajtuar asnjëherë dhe as nuk ka qenë kurrë në radhët e brigadave partizane. Kjo dihej dhe kjo më vuri në dyshime tani që edhe unë do të kisha të njëjtin fat si Haxhiu e Ganiu. Ata ishin çam si dhe unë dhe kisha bindjen se hetuesia do e lidhte këtë fakt duke më ndjekur hap pas hapi. Pastaj dikush e dinte se unë mbaja armë, gjë që nuk lejohej kategorikisht. Në datë 9 janar 1974, ora 09:00 në sallën e uzinës futet hetuesi Nesti P., në derë një polic dhe 2 m larg meje sekretari i partisë së uzinës. “Në emër të popullit je i arrestuar”,-më tha hetuesi dhe në dorë më vuri prangat gjermane. Dy vajza që ishin pranë meje u rrëzuan në tokë pasi humbën ndjenjat nga skena që panë. Që nga aty drejt e në birucë dhe më pas dihet avazi i tyre. Ditë e natë në pyetje. Sa në birucë në hetuesi, nga kati i parë në të tretin. Hetuesi Spiro F. pinte shunë cigare. Kishte gojë të ndyrë dhe vinte dorë mbi të arrestuarit. Ai vetëm pyeste dhe pa marrë përgjigje vazhdonte të pyeste përsëri. Vet pyeste dhe vet përgjigjej. Kjo më nervozonte pasi ai nuk priste të merrte përgjigjen time për atë që pyeste. Gjithçka përqendrohej tek zbulimi i grupit, kryetari, qëllimi, skenari në të ardhmen e të tilla gjëra. Kuptova se sigurimit të shtetit dhe hetuesve u kishte hyrë lepuri në bark pasi e mendonin këtë organizatë të madhe.

Hetuesi kërkonte të dinte kreun e grupit dhe platformën e organizatës. Ju sigurisht që nuk i dinit këto. Përse donin ta lidhin emrin tuaj me organizatën “Sirena e Fitores”?

Të gjithë anëtarët e grupit ishin djem në moshë të re, kurse unë i kisha mbushur të 38 vitet. Hetuesisë i interesonte që kryetar grupi të isha unë, aq më shumë në një kohë kur ata kishin informata të sakta se mbaja armë pa leje. Në këtë mënyrë do të krijonin bindjen në opinion se grupi ishte organizatë e stukturuar kriminale dhe jo organizatë politike në ilegalitet. Unë e dija kreun e grupit pasi me Haxhiun takohesha shpesh, ndërsa me Pjerinin më rrallë. Haxhiu më kishte thënë se kishte idenë të krijonte një grup dhe se ky grup do të ishte antikomunist dhe në konspiracion të plotë. Pra emri i kreut për mua dihej. Hetuesit synonin të manipulonin të arrestuarit e grupit duke dashur t’i detyrojnë që të pranojnë se unë isha organizatori. Hetuesi më tha se të gjithë e kishin pohuar një fakt të tillë. Kërkova ballafaqim dhe ata më sollën Haxhiun. Sapo u pamë në sy i thashë “Shiko se burrat e fshatit tonë nuk kanë tradhëtuar njeri. Këta janë hale”. Në këtë kohë hetuesi ngre karrigen dhe më qëllon në ballë. Gjaku nisi të më rridhte. Më kërkoi të kthehem me fytyrë nga muri por nuk pranova. Ashtu i lyrë në gjak i them “Burrat s’llafosen me b...” dhe për të vetmen gjë që deklarova në prani ishte pohimi se Haxhiu ishte antikomunist. Haxhiun e nxorrën zvarrë jashtë, kurse hetuesi Spiro F. më kthehet e më shan nga nëna me fjalë të ndyra. Nuk e durova dhe me duar të lidhura i afrohem e i them se nëna ime ishte larg dhe në këtë kohë e përlava makinën e shkrimit e ia hodha si munda në trup. Duke dashur ta presë për të mos rënë në dysheme, hetuesi zgjati dorën dhe telat e tastierit iu ngulën në gishtërinj, kurse shtrari i makinës ra në dysheme duke lëshuar një zhurmë të madhe. Edhe ai u gjakos dhe i nervozuar ngriti duart në kokë dhe në këtë mënyrë edhe fytyra e tij u përgjak. Hynë tre roje dhe u habitën pasi nuk e prisnin një skenë të tillë. Më lidhën edhe këmbët dhe ashtu të shtrirë e me sy që nuk i hapja dot ngase gropëzat ishin mbuluar në gjak më morën zvarrë për të më dërguar në birucë.

Ju kishit edhe armë. Si ua zbuluan dhe si e gjetën pistoletën?

Pasi përfundova studimet e mesme dhe fitova përvojë të mirë gjatë punës në disa sektorë, ndihesha më aktiv dhe më i fortë. Në URT Durrës shkova në vitin 1972. Aty riparoheshin edhe armë si pushkë, automatikë e pistoleta sigurisht me autorizim. Në këtë ndërmarrje kishte shumë agjentë e spiunë dhe këtë unë e dija me kohë. Një ditë me vjen një njeri i njohur dhe më kërkon t’i bëja një nder për t’i riparuar pistoletën që e mbante pa leje. Ishte pistoletë “Manxerrë” me 7 fishekë. Duhej t’i bëja paraprurësin. Njihesha si teknik i mirë i armëve. Pasi e riparova mblodha fëmijët e lagjes dhe si grumbullova shumë kanaçe e një shufër hekuri u them fëmijëve t’u bijen kanaqeve se nga fiku do të dalë një iriq duke kërcyer. Ata bën atë që u thashë unë. Nga ana tjetër u afrova tek rrënja e fikut dhe shpraza pistoletën për ta provuar. Qëlloi në shenjë. Plumbi hyri në fik, gëzhoja doli dhe në fole hyri fisheku tjetër. Kjo tregonte se riparimi ishte bërë. Kur erdhi i zoti i mallit e gënjeva duke i thënë se dikush ma kishte gjetur dhe e kishte marrë. Një dhomë të shtëpisë ia lëshova një shokut tim. Nuk me vajti në mend se mund të ishte rekrutuar nga sigurimi dhe se kishte ardhur tek shtëpia ime pikërisht për survejim. Një ditë ai më pa teksa po sistemoja shtratin ku unë mbaja pistoletën. E kisha të mbështjellë por sapo ra në dysheme deri diku u zbulua. I thashë qeraxhiut se më ra një bravë por shoku im nuk e hëngri këtë gënjeshtër. Ai e raportoi në degë atë që i panë sytë. Në hetuesi isha sfilitur dhe dobësuar shumë. Më sjellin babanë në takim por sapo u afrova gardianët nuk më lanë ta përqafoja duke më thënë se së pari duhej të tregoja se ku e kisha fshehur pistoletën. U them se po nuk e përqafova babanë nuk do flisja asnjë fjalë, kurse ata m’u përgjigjën se po nuk fola nuk do e shikoja më kurrë babanë. Kjo duket se bëri efekt për hetuesit pasi babai u tërhoq dhe u tha gardianëve ta ndiqnin. Ata shkuan në shtëpi ku edhe morën pistoletën e dhuruar nga im atë në këmbim të jetës sime.

Arrestimi i më të voglit të grupit, Gani Bejdos, asokohe vetëm 15 vjeç

Urrejtja mu ngjiz, pasi më mohuan arsimimin që meritoja

Shumë i ri për të grumbulluar urrejte ndaj regjimit të kohës. Si u bëtë antikomunist?

Me përfundimin e arsimit të detyruar në Spitallë të Durrësit me rezultate të shkëlqyera kërkova të drejtë studimi. Ma dhanë për kimi industriale në Shkodër dhe pak javë më pas më thonë se komiteti ekzekutiv e kishte vendosur që unë të shkoja në të mesmen në Elbasan në shkollë profesionale. Vazhdova vetëm një vit. Shtëpia ime përbëhej nga 9 anëtarë, 2 prindërit dhe 7 fëmijët dhe jetonim me një rrogë. Vendosa të ndërpres studimet. Nuk i kisha mbushur të 15 vitet dhe fillova punë në repartin mekanik në Uzinën Mekanike Bujqësore në Shkozet. Për shkak të moshës së vogël punoja vetëm 6 orë. Fillova të shprehja hapur pakënaqësinë pasi mbeta pa shkollë dhe familja vuante në uri. Dëshpërimi po më humbte arsyen dhe nisa të flisja në mënyrë të pakontrolluar. Në të tillë gjendje shpirtërore u njoha me Haxhi Hoxhën i cili ishte më i avancuar se unë në moshë dhe në formim. Në oborrin e tij me mimoza e shelgje si dhe në pishat e Plazhit nisëm të bisedojmë pas përfundimit të punës për gjendjen e vështirë ekonomike në familjet tona duke fajësuar shtetin dhe regjimin. Unë e kisha djalë teze Haxhiun dhe për këtë arsye takoheshim shpesh. Aty vinin edhe Pjerin Shkezi e Anton Kuqi. Vetja më dukej më i madh në moshë pasi diskutonin për gjëra shumë serioze. Grupi më caktoi të rekrutoja të pakënaqur në Jug të vendit. Me fondet e organizatës shkova në Sarandë por ishte e vështirë të bëje njerëz për vete në të tilla punë me rrezik për kokën. Rënia e trakteve në dorë të sigurimit ndryshoi rrjedhën e organizatës. I pari u arrestua Haxhiu dhe sapo mësova këtë fakt menjëherë shkova në shtëpi dhe dogja të gjithë ditarin, rreth 1000 faqe, formularët, foto, evidenca, shënimet dhe çdo gjë që mund të merrej si provë materiale. Nuk vonoi veçse dy ditë dhe në pranga ra Pjerini e Antoni. I ati i Pjerinit, Guliemi, bankier i nderuar në kohën e Zogut, vjen tek puna në uzinën mekanike në Shkozet dhe më pyet i tronditur “Di gjë more bir? Kanë marrë Haxhiun e Pjerinin.”,-më tha me zërin e ngrirë.

Arrestimi juaj bëhet në të njëjtën mënyrë si dhe i anëtarëve të tjerë, në mes të ditës dhe në prani të punëtorëve për të krijuar terror psikologjik.

Gjatë gjithë kohës kur të tjerët ishin në qeli unë ndiqesha nga dikush sa herë hipja e zbrisja nga autobusi. Elektricisti i lagjes shpeshtoi ardhjet në shtëpinë time për të “shikuar” matësin. Katër javë pasi “Sirena e Fitores” u shpartallua, në duart e hetuesve rashë edhe unë. Në fund të muajit nëntor 1973 më thërrasin në zyrën e kuadrit. Më kërkojnë që unë të bëj me shkrim dore autobiografinë se duhej për dosje. Kuptova se kishte diçka më të thellë dhe se sigurimi kërkonte të zbulonte personin që kishte shkruar traktet. Me 5 dhjetor 1073, ora 08:00 më thërrasin në të njëjtën zyrë. Thuajse e njëjta procedurë e arrestimeve si dhe me të tjerë. Personi që më ndiqte nga pas si hije kur hipja e zbrisja në autobus u afrua dhe unë zgjata duart drejt prangave që ai i mbante të hapura. Arrestohem për veprimtari armiqësore edhe pse nuk kisha bërë asgjë të keqe. Kur ushtruan kontroll banese hetues e policë u habitën nga biblioteka ime. Kisha një raft të madh të mbushur edhe pse isha 15 vjeç. Shumë libra i trashëgoja nga babai e të tjera i kisha blerë vet apo m’i dhuronin. Në qeli nisin torturat. Një muaj pa akt-akuzë. Unë pranova se isha anëtarë i organizatës duke u thënë se shkak u bë urrejtja që grumbullova kur mbeta pa shkollë. Një ditë më vënë përballë një burri në dhomën e hetuesit. Ai ishte Mehmet Hoxha dhe mësova se e kshin arrestuar. Për të më kishte folur Haxhiu, kurse unë s’e kisha takuar. Ishte bërë kockë e lëkurë dhe në fytyrë i dukeshin shenjat e dhunës. U thashtë hetuesve se nuk e njihja. Më qëlluan me shputë. Më pas më nxorën e më dërguan në birucë. Procesverbalet hetuesi m’i afronte dhe pasi më kapte nga flokët e gjatë që unë i mbaja të futura në golf më bërtiste duke më kërkuar ta firmosja. Gjykata e kishte të vështirë të më dënonte për shkak të moshës. Në seancën gjyqësore edhe pse ishin mbledhur persona të zgjedhur si përkrahës të pushtetit të komunistëve, pati zëra brenda salle që thanë “Pse këta fëmijë keni gjetur t’i dënoni?”. Kryetari i trupit gjykues i ngrit në këmbë dhe kërkoi të dinte kush foli por pasi ra qetësi askush nuk u përgjigj. Kjo tegonte se edhe tek kjo shtresë kishte nisur të grumbullohej pakënaqësia. Pasi u dënova më dërguan në burgun e Torovicës. Veprimtarinë time e vuajtën motrat dhe prindërit. Motrave iu mohua shkolla edhe pse ishin shumë mirë me mësime. Nëna shiti unazën e martesës për të blerë bukë. Kur u lirova mësova se askush nuk i afronte dhe se dhjetra netë kishin rënë të paushqyer pasi edhe borxh nuk u jepte njeri. E vetmja gjë që më mbante gjallë ishte besimi se një ditë regjimi do të rrëzohej.

Viti 1973/ Si lindi e u shua në Durrës aktiviteti i 4 të rinjve, të cilët besonin se heshtja është skllavëri

“Sirena e fitores,” organizata politike

me adoleshentë, që tronditi regjimin komunist

Si u dekonspiruan nga Vitore K., bijë atdhetarësh e antikomunistësh, e cila ishte rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit

Xhevahir Gradica

DURRËS - Kur e krijuan organizatën e tyre politike rinore, ishin veçse 15 e 18-vjeçarë, kurse tani dikush është bërë mesoburrë, të tjerë kanë emigruar e një pjesë edhe kanë humbur gjurmët e lidhjes së dikurshme. Kanë kaluar 35 vjet që kur katër të rinj me një diferencë të vogël moshe tronditën forcat e sigurisë së rendit dhe shërbimin sekret në Durrës dhe në Tiranë. Hetues, gardianë, policë, agjentë sekretë, spiunë, të kompromentuar nga Sigurimi, kryetar dege, monstra të dhunshme, kanë lënë gjurmë të forta në memorien e të rinjve, që do të krijojnë organizatën politike-ideologjike “Sirena e fitores” në Shkozet për të gjetur mbështetje si dhe për të krijuar lidhje edhe më të tilla organizata në Tiranë, Sarandë, Elbasan, Shkodër. Në dhjetëra orë hetuesie, qëndrimi në birucë dhe seanca dyditore gjykimi, të rinjtë mundën të sfidonin akuzën e ngritur ndaj tyre. Haxhi Hoxha, Gani Bejdo, Pjerin Shkjezi, Anton Kuqi si dhe Mehmet Hoxha, që ndiqte më në konspiracion zhvillimet, rekrutonin të rinj për t’i futur në organizatën e tyre të lëvizjes ideologjike me platformë të qartë dhe të deklaruar antikomuniste. Fillimisht në mënyrë ilegale e më pas thuajse të hapur në rrethet e tyre shoqërore e miqësore me një platformë të mirëdetajuar nxitnin të shtonin dozën e urrejtjes ndaj sistemit të asaj kohe. Kanë kaluar plot 35 vjet që nga vendimi i tyre për të krijuar organizatën “Sirena e fitores”, e megjithatë e mbajnë mirë në mend, të freskët dhe dëshmojnë me të njëjtin ritëm, duke krijuar idenë se çdo gjë po ndodh në çast. Kur bie fjala për të treguar se sa kanë vuajtur, cilët janë xhelatët e qelive, birucave, burgut, ç’u kanë parë sytë në kapanonet e ndotura e të mykura, si vdisnin njerëzit për një pikë ujë, ç’bënin në të vërtetë policët dhe gardianët e burgut në të ashtuquajturat “takime speciale” të grave me burrat e tyre të dënuar, si mbijetonin duke ngrënë barin e vesës së mëngjesit, secili prej tyre nis e përhumbet në mendime, duke marrë një pamje të trishtuar. “Nuk mund të tregojmë gjithçka që kemi parë e vuajtur. Është e pabesuar se si trajtoheshin të dënuarit, si silleshin xhelatët dhe hetuesit me të akuzuarit e të dënuarit. Një pjesë e tyre janë gjallë dhe i kemi parë edhe në podiume duke mos ndier asnjë lloj fajësie”, - tregon Haxhi Hoxha. Të katër të rinjtë janë shpallur “armiq të popullit dhe të Partisë” në vitin 1974, pikërisht në një kohë kur në Shqipëri ishin ende të njoma ngjarjet e dënimet e grupeve të quajtura “puçiste” të Fadil Paçramit e Todi Lubonjës dhe se ende nuk kishin pushuar pëshpëritjet për dënimet e artistëve të Festilavit të 11-të të Këngës në Radiotelevizion. Koha e gjatë e ndodhisë nuk ka shlyer aspak nga kujtesa e qytetarëve bëmën e të rinjve të Shkozetit, të cilët shpërndanë trakte antiqeveritare dhe antikomuniste në shkolla, plazh, Tiranë, në rrugë e rrugica e deri në det. Madje, nuk janë të paktë ata që e identifikojnë këtë organizatë me kodin e tyre TEQJA (“Toka e qielli jetojnë akoma, më vonë njerëzit”). Tortura, burgim, vuajtje shpirtërore, internime, shpërbërje të familjes, qenë shpërblimi që morën për shkak të idealit politik të ndryshëm nga ai i regjimit. Të rinjtë e Shkozetit, Haxhi Hoxha, Pjerin Shkjezi, Anton Kuqi e Gani Bejdo krijuan organizatën, menduan për emërtimin, kodin sekret, pseudonimet, skemën e shtrirjes treshe të organizatës, vendosjes së kontakteve me organizata të tilla ideologjike në Shqipërinë e Mesme, në Veri e Jug, protokollimin me fanatizëm të të gjitha mbledhjeve e rekrutimeve, ndërsa pasi merrnin rrogën e tyre linin mënjanë një pagesë simbolike për kuotizacion.

Si lindi “Sirena e fitores”

Për të parën herë pasi pushteti në Shqipëri bie në dorë të regjimit të Enver Hoxhës, në Shkozet të Durrësit në ilegalitet krijohet organizata me platformë të theksuar politike e ideologjike. Haxhi Hoxha, 17-vjeç, Gani Bejdo, 14 vjeç, Pjerin Shkezi, 17 vjeç, e Anton Kuqi, 17 vjeç, vendosin të krijojnë organizatën “Sirena e fitores” me bërthamë në Shkozet të Durrësit. Ishin ndër të rinjtë që lexonin shumë libra artistikë, diskutonin për autorë të ndaluar, dëgjonin radio të huaja, të cilat transmetonin emisione në gjuhë shqipe. Secili në familjet e tyre ishte më i varfër sesa tjetri. Prindër që robëtoheshin për bukën e gojës, ndërsa djemtë e tyre flisnin me urrejtje të madhe për regjimin. Të gjitha këto ndodhnin në shtëpinë e Haxhiut, i riu që do të jetë edhe ideatori i krijimit të organizatës. Jo vetëm rastësia dhe urrejtja për sistemin i lidhte këta të rinj mes tyre. Haxhiu e Pjerin Shkeza kishin shtëpitë afër njëri-tjetrit, Haxhiu ishte i vetmi që kishte radio në atë kohë dhe që kishte mundësi ta nxirrte jashtë pa u vënë re nga prindërit dhe vëllezërit për të dëgjuar më pas stacionet e huaja poshtë shelgjeve e pishave; Ganiu e kishte djalë teze Haxhiun; ky i fundit ishte nipi i gjyshes së Mehmet Hoxhës, i cili ishte i lindur në Çamëri dhe nga i ati trashëgonte urrejtje për sistemin komunist. Më i vogli ndër ta qe Gani Bejdo, 14 vjeç. Pasi i afruan studime të mesme në Shkodër për kimi industriale, e kthejnë në Elbasan për teknologjike. Pakënaqësia kalon kufijtë tek të rinjtë e Shkozetit, që guxojnë të krijojnë organizatën e tyre politike. Të pakënaqur nga realiteti si dhe censura e ashpër asokohe ndaj dëshirave të të rinjve për të vijuar studimet e mesme, për t’u veshur sipas modës, për të mbajtur flokë të gjatë e pantallona tub e të gjera në fund si dhe shumë dëshira të tjera të munguara shpërthyen në mënyrë të shpejtë. Ishte viti 1972. Këtu zë fill takimi mes të rinjve, që pa menduar gjatë shfaqin hapur dëshirën për të përhapur revoltën edhe tek të rinj të tjerë dhe kryesisht në shkolla e në ndërmarrje. I pari ndër ta që shfaqej edhe për intelekt të avancuar për shkak të vullnetit të veçantë në leximin e librave artistik ishte Haxhiu. Ky vendosi të mos ua bëjë të ditur anëtarëve të organizatës se njihte edhe një tjetër antikomunist, që quhej Mehmet Hoxha. Me të kishte lidhje farefisnie, ndërsa vinin nga viset e Çamërisë. Mendonin se ishin të pjekur dhe bisedat tashmë kishin orientim të plotë ideologjik. Nuk lejonin që koha t’u humbiste. Ditët ecnin shpejt si dhe vetë mendimet e katër të rinjve. Secili prej tyre mendonte se ishin pjekur kushtet për të themeluar organizatën rinore. Të bindur se punët ishin të shumta e tejet të vështira dhe se barra ishte më e rëndë, vendosin ta themelojnë dhe të nënshkruajnë lindjen e organizatës. Në maj të vitit 1973 në ilegalitet, nën pishat e Shkozetit Haxhi Hoxha, Gani Bejdo, Pjerin Shkezi e Anton Kuqi vendosin të njohin të krijuar organizatën “Sirena e fitores”. Gjithçka që ndodhi atë ditë do të shkruhet në protokoll të mbajtur me fanatizëm nga Ganiu, më i vogli i organizatës. Njëherësh vendosen pseudonimet për të qenë konspirativë, kodet, parullën, antiparullën, financa, shifra sekrete dhe gjithçka që duhej për të ruajtur nga dekonspirimi themeluesit. Haxhiu njihej me pseudonimin “Ideali”; Ganiu – “Shkrimtari”; Pjerini –“Shpikësi” dhe Antoni – “Drini”. I vetmi që mbeti pa pseudonim ishte Mehmet Hoxha, i cili ishte në moshën 37-38 vjeç dhe mbante kontakte vetëm me Haxhiun. Caktohet parulla e njohjes për raste të veçanta e situata të papritura “Toka e qielli jetojnë akoma, më vonë njerëzit”, ndryshe TEQJA si dhe kundërparulla “Dritë - liri”. Shifra sekrete për të mbajtur ditarin e organizatës ishte “OTARNIJE UP”. Caktohet financa e grupit dhe detyrimet e secilit për të paguar sapo të merrnin rrogën, një shumë të hollash. Paratë do të përdoreshin me fanatizëm dhe do të shërbenin për të paguar anëtarët që do të udhëtonin në qytete të ndryshme për të marrë kontakt me të rinj të tjerë. Për shtrirjen e organizatës në Veri të vendit caktohet Pjerin Shkeza, pasi ai rridhte nga familje shkodrane e ardhur në Durrës. Jugu iu caktua me vendim të organizatës të mbulohej nga Gani Bejdo, pasi kishte të afërm në Sarandë, kurse Haxhiut iu caktua të rekturonte të rinj nga Shqipëria e Mesme, që ishin të pakënaqur me regjimin. Haxhiu do të ndihmohej nga Antoni, pasi ky i fundit do të duhej të mbahej pranë dhe të jepte provë besnikërie para se të bëhej anëtar me të drejta të plota në organizatë. Oborri i mbuluar nga gjelbërimi i shtëpisë së Haxhiut qe baza më e fshehtë dhe ofronte të gjitha mundësitë për takime sekrete. Radion e madhe të tipit “Son Rëberg” Haxhiu e nxirrte në oborr sa herë vizitohej nga bashkëmoshatarët e organizatës dhe aty dëgjonin në heshtje “Radio Vatikanin”, “Ju flet Londra në gjuhën shqipe” e BBC-në apo “Zërin e Amerikës”. Secili mendonte e raportonte se ç’kishte bërë e ç’do të bënte në ditët e mëpasme. Takimet vinin pas përfundimit të punës në ndërmarrjet, ku punonin dhe grumbullimi bëhej pa rënë në sy të të tjerëve. Rekrutimet mbikëqyreshin veçanërisht nga Haxhiu, i cili kujdesej deri në detaje mbi origjinën familjare e shoqërore të rekrutit, personalitetit vetjak, nivelit arsimor, aftësia për të kapërcyer situatat. Kohën më të madhe në raste të tilla e hante verifikimi nëse personi ishte apo jo i lidhur me Sigurimin e Shtetit. Secilit anëtar iu caktua detyrë të rekrutonte tre të tjerë dhe çdonjëri nga këta të tre të bënte për vete dhe të anëtarësonte tre të rinj. Në këtë mënyrë krijohej zinxhiri tre, por anëtarët njihnin vetëm kreun e grupit të tyre dhe jo drejtuesit e organizatës. Edhe pse gjithçka mund të përfundonte mirë, anëtarësimi bëhej vetëm pasi të merrej vendim nga krerët e organizatës “Sirena e fitores”, TEQJA (“Toka e qielli jetojnë akoma, më vonë njerëzit”), e cila nuk pranonte në asnjë mënyrë persona ordinerë, të cilët vinin nga familje të shthurura apo ishin të spikatur, si hajdutë, rrugaçë, pijanecë e me vese të tjera. Organizata dyfishohet dhe bëhet me 8 anëtarë. Ditët ecnin me të shpejtë, kurse të rinjtë kishin mundur që pas disa muajsh aktiviteti të mos dekonspiroheshin. Kjo vlerësohej si shenjë e mirë, edhe pse asgjë nuk ishte e sigurt. Po mbushej viti dhe në organizatë kishin hyrë të rinj të rekrutuar. Në mesin e tyre u futën Llambro Gjikopulli, Fatmir Çalliku, të rekrutuar në Durrës, kurse rekrutimet në Veri, Tiranë e Jug të vendit paraqesin probleme. Haxhiu, Ganiu, Pjerini kishin studiuar shumë persona, me një pjesë edhe kishin biseduar. Haxhi Hoxha ka thënë se me këtë kategori gjërat ishin sa të thjeshta edhe të ndërlikuara. “Që gjetëm gjithandej të pakënaqur me sistemin, kjo qe e dukshme. Por ata tërhiqeshin sapo guxohej të provokoheshin nëse do të donin të krijonin ndonjë organizatë apo të takonin njerëz të tjerë antikomunist”, -thotë Haxhi Hoxha lidhur me përpjekjet për rekrutim. Në takimin e radhës katërshja debaton lidhur me propozimin e Fatmir Çallikut, i cili hodhi idenë për përfshirje në organizatë edhe të femrave. Të rinjtë ndahen në dy grupe. Ganiu del hapur kundër këtij propozimi, por përfundimisht vendoset që organizata “Sirena e fitores” të hapet edhe për femra. E para që pranohet në këtë organizatë është Vitore K. Ajo vinte nga familje atdhetare, patriotike dhe antikomuniste. I ati ishte njeri i dëgjuar si antikomunist dhe kundër regjimit të Enver Hoxhës. Kjo u mësua nga bërthama e organizatës, por këtë herë Sigurimi i Shtetit ishte një hap më parë. Propozimi i Fatmirit, sipas krerëve të “Sirena e fitores” ishte dashamirës dhe se ai nuk kishte dijeni se Vitore K. do të filtronte për të shembur ëndrrën e tij dhe të anëtarëve të tjerë. Haxhiu, Ganiu, Pjerini e Antoni takohen me Vitoren, po nuk i japin të kuptojnë se ata janë bërthama dhe kjo praktikë ndiqej në mënyrë të përsëritur. Madje, kishte raste që të rekrutuarit para se të anëtarësoheshin ndiqeshin nga të besuar të organizatës hap pas hapi për të parë se me cilët takoheshin dhe nëse ishin apo jo besnik të idealit. Vitorja, vajzë beratase me mjaft intelekt, vinte nga shtresat e persekutuara, pasi i ati ishte dënuar nga regjimi me heqje lirie për shkak të pikëpamjeve politike dhe kësisoj Sigurimi i Shtetit e përdori si deshi vetë. Fakti që ajo qe vajzë e bukur dhe joshëse e që pëlqehej nga djemtë futej pa drojën më të vogël gjithandej. Në pak kohë ajo do të kthehej në personazhin që do të dekonspironte misionin dhe do të vendoste fatin e anëtarëve, i cili ishte vetëm burgu.

Aktiviteti i organizatës

Pasi ishte gjykuar se gjërat po ecnin mirë, organizata mendon të futet në aktivitet. Gjithçka detajohet deri në hollësi. Haxhi Hoxha, pasi kishte biseduar me djemtë e organizatës, shkon dhe takon Mehmet Hoxhën, i cili asokohe ishte 37 vjeç dhe punonte në URT-në e Durrësit. Mehmeti e dëgjon dhe miraton vendimin, por i deklaron se së pari ai vetë nuk mund të ishte pjesë e këtij aksioni për hedhjen e trakteve dhe së dyti duhej të tregohej kujdes që traktet të hidheshin sa më larg vendit ku ishte baza politike, pra traktet të mos hidheshin në Shkozet. Mehmeti ishte specialist i mirëfilltë në URT dhe kishte aftësi të shumta. Kjo e kishte mundësuar të arrinte deri shef reparti tek Uzina e Radiotelevizionit në Durrës. Pasi bindet se Haxhiu është i formuar politikisht kundër regjimit komunist, i ofron ndihmë duke bërë në repart stampa. Në to shkruhej: “Çohu rini, se heshtja është skllavëri. Rini, merrni përsipër luftën kundër komunizmit. Shqipëria është e shitur nga Enver Hoxha. Të luftojmë, sepse e drejta jonë është Liria”. Ato ishin të pakta në numër dhe u hodhën në Shkozet, Durrës e Tiranë. Sigurimi i Shtetit nuk mundi të identifikonte punishten ku ishin prodhuar dhe as të zbulonte autorët e këtij aksioni. Kjo qe provë e mirë besimi e Haxhiut ndaj Mehmetit dhe anasjelltas për të rritur besimin reciprokisht. Vitorja kishte nisur të përgjonte se ç’po ndodhte në këtë organizatë, por, edhe pse kalonin ditët, nuk po kuptonte se cila ishte koka drejtuese e organizatës, por kamuflohej lehtë pa rënë në sy duke përfituar edhe nga mosha shumë e re e drejtuesve të “Sirena e fitores”. Erdhi koha për të hedhur trakte në mjedise publike. Në Durrës kishte trokitur vera. Ishte muaji maj i vitit 1973. Antonit iu besuar formulimi i traktit dhe hedhja e tyre në oborrin e shkollës “Naim Frashëri”, në rrugët e qytetit, në Plazh dhe ku të mundte. Kjo do të ishte edhe provë e fortë për Antonin, i cili e mori me zell dhe shumë seriozisht këtë detyrim tashmë politik. Të gjithë e dinin se ç’po bënin, pasi kishin muaj që mblidheshin e debatonin. Gjatë gjithë natës Antoni i shkroi traktet me dorë i mbyllur në dhomën e tij. Teksa po zbardhte e zë gjumi dhe zgjohet i trembur nga dielli që i ra në sy. Ora kishte ecur. Ai kishte marrë detyrën të hidhte trakte dhe vendimi nuk mund të kthehej. Nga ana tjetër, ishte zgjuar vonë dhe nuk premtonte koha të shkonte në qytet te shkolla “Naim Frashëri”. Nëse nuk do t’i hidhte traktet, dyshonte se anëtarët e organizatës do ta etiketonin frikacak apo më keq si agjent të infiltruar në radhët e organizatës “Sirena e fitores”. Pasi merr fletushkat, kapërcen murin e shkollës profesionale në Shkozet. Hapi kanatin e një klase dhe futet brenda duke lënë nën bankë fletushkat-trakte. Haxhiu dhe Ganiu kujtojnë për ato vite se Antoni të njëjtin veprim e bëri edhe në katedrën e mësuesit Robert Simo.

Arrestimet

Ajo që nuk duhej të ndodhte, erdhi papritur. Organizata do të niste të shkërmoqej. Tani duhej menduar për të mos u identifikuar dhe nuk bëhej më fjalë për të lëshuar tullumbace në hapësirë me përmbajtje agjitacion e propagandë kundër regjimit të kohës. Sigurimi i Shtetit zuri disa fletushka të tilla në shkollë, ndërsa kishte dijeni se në Plazh dhe në det përmes shisheve që qëndronin si bova në ujin e kripur ishin hedhur trakte me përmbajtje politike. Agjitacioni e propaganda e kësaj organizate detyroi Degën e Brendshme në Durrës të fusë në aktivitet hetues, spiunë, policë, punonjës të ndryshëm të ndërmarrjeve për t’i hedhur në zbulim të organizatës. Nuk ishte e vështirë që të kuptohej se baza ishte në Shkozet. Pa zgjatur shumë, nisin arrestimet. Një nga një ranë në duart e hetuesisë katër të rinjtë. I pari arrestohet Haxhi Hoxha më datë 9 nëntor 1973. Dy ditë më pas në pranga bie Pjerin Shkezi dhe Anton Kuqi. “Qengji”, siç do t’i thërrasin më pas me ironi hetuesit 16-vjeçarit Gani Bejdo, do të arrestohej më 5 dhjetor 1973, kurse më 9 janar 1974 Muhamet Hoxha prangoset në uzinë në prani të punëtorëve. “Vitore K., por jo vetëm ajo, e bëri detyrën për të cilin Sigurimi e futi në organizatën tonë”, - ka thënë Haxhiu. Hetuesia u prirë nga tendenca për ta kriminalizuar bërthamën ideologjike të të rinjve , për ta etiketuar si organizatë e strukturuar kriminale nisur edhe nga fakti se në shtëpinë e Mehmet Hoxhës, që pretendohej fillimisht si koka organizuese, u gjet një pistoletë. Në shkurt të vitit 1974, pas disa muajsh hetime gjykata vendos të shpallë fajtorë katër të rinjtë dhe Mehmet Hoxhën. Haxhi Hoxha dënohet me 10 vjet burg, Anton Kuqi me 8 vjet burg, Pjerin Shkeza 4 vjet burg, Gani Bejdo 2 vjet dhe Mehmet Hoxha 8 vjet. Mbi ta rëndoi akuza e krijimit të organizatës armiqësore kundër pushtetit popullor dhe për zhvillimin e agjitacionit dhe propagandës për të dobësuar pushtetin, kurse Mhemeti u akuzua edhe për armëmbajtje. Trakti i sekuestruar në ato vite është djegur në mes të materialeve të tjera të Degës së Brendshme më datat 17-22 shkurt 1991 nga një komision i përbërë nga shtatë anëtarë, mes tyre dhe një femër. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora