Shtesë » Historia
“Në rast emergjence grupi i Xhevdetit do trokiste në shtëpinë e Haxhi Lleshit”
E diele, 31.08.2008, 11:37 AM
Nga Ferdinand Dervishi
Dilaver Bengasi, ish-hetuesi i ngjarjes së bujshme të zbarkimit dhe inkursionit të përgjakshëm të grupit të Xhevdet Mustafës, është ende shumë i ri dhe i freskët për të sjellë një panoramë tepër të saktë të zhvillimeve të vrullshme të atyre ditëve. I gjendur në postin e kryehetuesit të Tiranës, por edhe prej faktit se përgjatë ushtrimit të detyrës ishte vlerësuar për saktësinë me të cilën funksiononte, duket Bengasi ishte përzgjedhur si njeriu më i përshtatshëm për këtë hetim. “Kujtoj se mbrëmjen e 26 shtatorit 1982, pak orë pas përpjekjeve në Rrogozhinë e Xhamë të Lushnjës, dy oficerë të njohur të Sigurimit të Shtetit më sollën në zyrë Halit Bajramin, të infiltruarin e këtij shërbimi në grupin e Xhevdet Mustafës. E ulën në një karrige pranë meje, ndërsa vetë u tërhoqën dy hapa më pas, duke ruajtur në fytyrë pozat e xhandarëve. Me qëllim që t’i bëja një farë presioni psikologjik Halitit, që të tregonte saktësisht ngjarjet si kishin shkuar, por edhe pse ata të Sigurimit nuk u sollën mirë, kujtoj se i nxora jashtë duke u bërtitur fort dhe duke iu kujtuar se aty komandoja unë dhe se detyra ime nuk e parashikonte që gjatë marrjes në pyetje të një të dyshuari, të ishin të pranishëm njerëz që mund ta influenconin. Kështu që dy oficerët e Sigurimit dolën jashtë pa kundërshtuar shumë, ndërsa Halit Bajrami nisi të cicërojë pothuaj pa i bërë asnjë ndërhyrje. Ishte mbrëmje kur fillova marrjen në pyetje dhe se kjo vazhdoi për gjatë gjithë natës. Kur mbaruam dhe hodhëm firmat përfund dëshmisë, kishte aguar. Në të njëjtën kohë në zyrën time kishte mbërritur edhe Hekuran Isai, në atë kohë ministër i Brendshëm. Kujtoj se ishin shtypur, duke i daktilografuar vetë, rreth 15 faqe dëshmi. Ministri mori një kopje dhe u nis urgjent për t’ia çuar Enver Hoxhës. Ndërsa kopja tjetër, ajo që makina nxjerr me ndihmën e fletës së karbonit, u fut në dosjen e ngjarjes”, rrëfen ish-kryehetuesi i Tiranës.
Emri i Haxhi Lleshit në dëshminë e Halit Bajramit
Sipas rrëfimit të Bengasit, Halit Barjami, i infiltruar i Sigurimit në grupin e Xhevdet Mustafës, në këtë dëshmi të parë, të dhënë e të marrë pothuaj pa përdorur asnjë masë shtrënguese, nuk e kishte përmendur asnjëherë emrin e Kadri Hazbiut. “Me dëshminë që një vit më pas, në gusht 1983, Halit Bajrami do të bënte në sallën e gjykimit të Kadri Hazbiut, do të më habiste. Pasi kishte ndryshuar qëndrim duke e rënduar së tepërmi figurën e Hazbiut. Por gjatë hetimeve që unë bëra për këtë ngjarje, nuk vura re asgjë të dyshimtë lidhur me veprimet e ish-ministrit të Mbrojtjes, Kadri Hazbiu”, rrëfen ish-kryehetuesi i Tiranës një bindje të vetën, të cilën edhe e ka shtjelluar me hollësi në librin e vet “Enigmat e 2 Korrikut ‘90", botuar në vitin 2003. Por gjithsesi, ish-kryehetuesit të Tiranës, Bengasi, nuk ishte ky moment i dëshmisë së Halit Bajramit që i kishte bërë më shumë përshtypje. “Më shumë më bëri përshtypje se përgjatë marrjes së dëshmisë, Halit Bajrami më tha se në disa raste, Sabaudin Haznedari, anëtari tjetër i grupit të armatosur, i cili u vra në stacionin e trenit të Rrogozhinës, u kishte thënë atij dhe Xhevdet Mustafës, se në rast të ndonjë emergjence, pra nëse do të gjendeshin në situatë të pashpresë, të ndjekur apo të rrethuar nga policia në Tiranë, të trokisnin te shtëpia e Haxhi Lleshit. Në këtë kohë Haxhi Lleshi ishte Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, apo ndryshe President i Shqipërisë. Pra, ishte një nga figurat më të besuara të regjimit. Gjithsesi unë e shkrova ashtu si ma tha, pa bërë asnjë koment, pasi nuk më lejohej. Pra një detaj i tillë, i nxjerrë nga goja e Halit Bajramit, atë mëngjes është lexuar edhe nga vetë Enver Hoxha”, rrëfen Bengasi. Sipas të njëjtit, i ardhur për analizë jo zyrtare në tryezat me kolegë apo eprorë, ky moment i dëshmisë së Halit Bajramit, që përfshinte emrin e Haxhi Lleshit, u vlerësua se nuk duhet të ketë pasur lidhje me një implikim të mundshëm të kreut të Kuvendit Popullor me grupin e Xhevdet Mustafës. “Ka shumë të ngjarë që gjithçka të ketë pasur lidhje me faktin se Sabaudin Haznedari ishte i njohur i Haxhi Lleshit, pasi të dy kishin luftuar në çetën e Dibrës. Kështu që, duke njohur nga afër Haxhi Lleshin dhe burrërinë që e karakterizonte, duket Haznedari i ka këshilluar shokët të trokisnin në derën e shtëpisë së Kryetarit të Kuvendit vetëm sepse ai ishte burrnor dhe si i tillë do e pengonte policinë të sillej dhunshëm me ta”, rrëfen Bengasi konkluzionin logjik. Një përfundim që duket ishte formuluar në të njëjtën logjikë edhe në kupolën komuniste të kohës, pasi ndaj Haxhi Lleshit nuk u ndërmor ndonjë kundërvënie e dukshme.
Bazat e grupit në Tiranë dhe varrimi i kufomave
“Ndërsa bazat e grupit në Tiranë, apo edhe në Durrës, ku dikur banonin të tre anëtarët, Xhevdeti, Sabaudini dhe Haliti, nuk u zbuluan kurrë”, rrëfen ish-kryehetuesi Bengasi. Sipas tij, nxitimi për të mbërritur në Tiranë, që pohohet edhe nga i infiltruari i Sigurimit të Shtetit, Halit Bajrami, por edhe nga veprimet e tyre jo të menduara mirë gjatë inkursionit deri në stacionin e trenit në Rrogozhinë, tregonin se ata nga dikush, diku priteshin. Pra, kishin një apo më shumë baza. “Këtë e vërtetonin edhe disa mjete agjenturore të quajtura ‘gjysma’ që u gjendën në sendet e grupit”, rrëfen Bengasi. Gjysmat, sipas të njëjtit, mund të jenë sende të prera në dy pjesë, për shembull një kartëmonedhë e grisur në mes, bashkimi i saktë pjesëve të së cilës mund të bindë dy mbajtësit e panjohur se është arritur kontakti. Po sipas Bengasit, këto ‘gjysma’ grupi i kishte me vete për të vendosur kontaktet në Tiranë apo në Durrës, por duket jo të gjithë anëtarët kishin dijeni. Kështu, Halit Bajrami duket nuk ishte i më besuari, prandaj ka të ngjarë që këto mjete ndërlidhjeje t’i ketë pasur Sabaudin Haznedari, vrasja e të cilit groposi edhe vlerën e “gjysmave” dhe rrjedhimisht Sigurimi i Shtetit nuk i zbuloi bazat e tyre në Tiranë apo në Durrës.
“Një ditë më pas, kur ekspertët përfunduan me punën e tyre, u bë edhe varrimi i kufomave të Xhevdet Mustafës dhe Sabaudin Haznedarit”, rrëfen ish-hetuesi i çështjes, Dilaver Bengasi. Sipas tij, kufoma e Xhevdet Mustafës kishte një plagë të madhe në tëmthin e majtë (Xhevdeti ishte mëngjarash). “Qitja në këtë vend ishte realizuar me puqitje, në lëkurë kishte gjurma të dukshme baroti dhe kjo të nxirrte në përfundimin se Xhevdet Mustafa ishte vetëvrarë”, rrëfen Bengasi. Ndërsa kufomat ishin marrë natën dhe ishin vendosur në një varr të përbashkët në Dajt. “Jo pas malit të Dajtit, por përpara, mbase në afërsi të Linzës”, rrëfen ish-hetuesi për vendin e varrimit. Sipas Bengasit, me këtë detyrë merrej një skuadër e policisë, ndërsa ai kishte asistuar vetëm për një çast në varrimin e kufomave. “Isha hetuesi i çështjes dhe ishte detyra ime të shihja nëse u varrosën apo jo dhe këtë ta shënoja në një procesverbal. Kështu që duke u nisur nga koha e pakët e qëndrimit në vendin e varrimit, por edhe nga fakti se unë nuk e njoh mirë terrenin e kësaj zone, nuk jam në gjendje të vë gishtin se ku gjenden eshtrat”, rrëfen Bengasi. I njëjti shton se me të kanë kontaktuar edhe të afërm të Xhevdet Mustafës dhe se atij i ka ardhur keq që nuk i ka ndihmuar dot më tepër. “Me sa di unë ato ende nuk janë gjetur dhe mirë është që edhe ata të kenë një varr si gjithë të tjerët”, vazhdon rrëfimin ish-kryehetuesi i Tiranës. Ndërsa fati i të tretit, Halit Bajramit, sipas të njëjtit, mbeti sërish për një farë kohe enigmë. “Duke qenë në pozitën e bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit, edhe Haliti u dënua për shpërdorim detyre si gjithë të tjerët. Madje, mos gaboj, me 8 vite heqje lirie. Por ai duhet të ketë bërë pak ose aspak burg të mirëfilltë. Me sa kam dijeni, Sigurimi i Shtetit u kujdes për të dhe pak vite më pas, mbase aty nga viti 1986 apo 1987, ai është futur në Greqi dhe përcjellë pranë familjes në Zelandën e Re. Duhet të jetë ende gjallë, mbase”, përfundon ish-kryehetuesi i Tiranës.
Bengasi: Kadri Hazbiu e dinte para 6 muajsh për zbarkimin e Xhevdetit
“Kadri Hazbiu, ish-ministër i Mbrojtjes dhe grupi i Xhevdet Mustafës nuk kishin asnjë lidhje në qëllimin e këtyre të fundit për të vrarë Enver Hoxhën”. Në këtë konkluzion ka arritur ish-kryehetuesi i Tiranës, Dilaver Bengasi, i cili ka marrë pjesë aktivisht në hetimin e ngjarjeve të përgjakshme të datave 25 dhe 26 shtator 1982. Sipas Bengasit, Sigurimi i Shtetit dhe vetë Kadri Hazbiu kishin dijeni për zbarkimin e grupit të Xhevdet Mustafës rreth 6 muaj para se ai të zbarkonte në Divjakë. Halit Bajrami, i infiltruar i shërbimit sekret shqiptar, kishte vënë në dijeni Tiranën teksa vetë kishte qenë në Francë. Kështu që, sipas Bengasit, kur nga të gjithë krerët e shtetit të asaj kohe dihej se do të vinte ky grup, nuk mund të fajësohet Kadri Hazbiu se ishte ai që i solli e të tjera të ngjashme. Të gjitha konkluzionet në lidhje me veprimet e Kadri Hazbiut pas zbarkimit të Mustafës, Bengasi i ka shtjelluar në librin e vet “Enigmat e 2 Korrikut ‘90", pjesë nga i cili po publikojmë më poshtë.
“Kadri Hazbiu ishte i deleguari i Komitetit Qendror të Partisë në mbledhjen e Plenumit të Partisë në Elbasan. Sipas shpjegimeve të Luan Gjonçit, në atë kohë zv/kryetar i Degës së Punëve të Brendshme në Elbasan, mëngjesin e datës 26 shtator 1982 e thërret vetë ministri Kadri Hazbiu dhe i thotë: “Në Divjakë ka zbarkuar një bandë kriminale. Kanë vrarë disa njerëz të pafajshëm dhe mes tyre edhe zv/shefin e Policisë së Lushnjës. Do të ngresh postblloqe të armatosura në Cërrik, Peqin dhe në kufirin me Rrogozhinën. Do të porositësh efektivat që të jenë të përgatitur... Në pamundësi për t’i kapur të gjallë, t’i asgjësojmë... Edhe ti vetë armatosu dhe merru me organizmin e postblloqeve. Do të ndihmojë edhe zv/ministri i Mbrojtjes, Alfred Moisiu”.
...Vetë Kadri Hazbiu është nisur menjëherë nga Elbasani në drejtim të Lushnjës dhe konkretisht në Zhamë, ku ishte rrethuar Xhevdet Mustafa. Po sipas shpjegimeve të zv/drejtorit të zbulimit shqiptar, Razip Leli, i cili ka ndjekur edhe vetë nëpërmjet Halit Bajramit përgatitjen dhe qëllimin e bandës së Xhevdet Mustafës, kam mësuar se: Kadri Hazbiu ishte në dijeni të plotë për qëllimet e bandës së Xhevdet Mustafës. Ai si ministër i Brendshëm, së bashku me oficerët e zbulimit, që merreshin drejtpërdrejt me ndjekjen e asaj bande, e ka analizuar në veçanti planin e masave për ndjekjen e saj dhe ka dhënë detyra për njohjen në thellësi të përgatitjeve, lëvizjeve, qëllimeve të saj dhe kohës kur mendonin të finalizonte atë që u kishin ngarkuar si detyrë për ta realizuar. Këtë informacion e trajtova për të hequr aludimet se Kadri Hazbiu ishte inspirues i asaj bande, që në të vërtetë veç absurditetit nuk ka asgjë reale.
...Të dhënat e organit të zbulimit ishin siguruar. Dihej qëllimi i bandës së Xhevdet Mustafës që në mars 1982. Edhe vendi i zbarkimit ishte përcaktuar, tek Shkëmbi i Kavajës. Mirëpo siç doli pas analizës që u bë, nuk u morën masa të gjithanshme për kapjen e asaj bande. Po të ishte bërë një gjë e tillë, banda do të ishte kapur sapo mbërriti në Divjakë. Dhe kuptohet që do të ishin parandaluar tërë ato vrasje të njerëzve të pafajshëm... Në një kohë që në përbërje të bandës ishte edhe agjenti i zbulimit shqiptar, Halit Bajrami, si nuk u arrit që nëpërmjet kombinacioneve të njohura të shmangej dhe të parandalohej ardhja e saj në Shqipëri? Shtrohet pyetja: Kujt i interesonte që banda të vinte në Shqipëri? Dikush do të thotë: Që ajo të asgjësohej, sikurse ndodhi në fakt. Por që të asgjësohej masat duhet të ishin marrë të atilla që ajo bandë të mos sillte asnjë pasojë dhe jo 6 viktima të pafajshme, siç ndodhi në fakt”.