E shtune, 27.04.2024, 11:18 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Alfred Uçi tregon historinë e ministrave të ‘90 që kërkuan dorëheqjen

E diele, 31.08.2008, 04:16 PM


“Alia dërgoi njerëz natën në shtëpitë e ministrave që donin të largoheshin”

Nga Fatos Veliu

Sa befasues aq edhe i çuditshëm fakti, i cili dëshmohet për herë të parë sot, nëpërmjet rrëfimit të akademikut të njohur dhe ish- ministrit të Kulturës së Shqipërisë së viteve ‘90, prof. Alfred Uçit.

Para se studentët të ngriheshin në protesta në dhjetorin e atij viti, në qeverinë e drejtuar nga Adil Çarçani kishin filluar problemet e brendshme dhe tepër serioze. Rrënimi katastrofik i ekonomisë së familjes shqiptare dhe të shtetit të atëhershëm bënë që një grup prej nëntë ministrash, ndërmjet të cilëve ishte edhe vetë prof. Uçi, të kërkonin ndryshim të metodave dhe parimeve të punës për të ndryshuar gjendjen e paprecedentë ekonomike. Gjithsesi, situatat brenda asaj qeverie, e cila prezantohej në popull me një unitet kompakt dhe duke propaganduar me ovacione fitore pas fitoresh, të cilat “arriheshin” në çdo javë e ditë madje edhe çdo orë, kishin degjeneruar deri në atë fazë, saqë ministrat e rinj të cilët kishin hyrë vitet e fundit në qeveri të kërkonin rrëzimin e saj. Kanë qenë plot nëntë ministra që kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme nga kabineti, teksa kishin marrë parasysh edhe pasojat se një veprim i tillë do të sillte rrëzim të menjëhershëm të qeverisë. E vërteta është se, pas një dorëheqjeje të mundshme të tyre sistemi vetë do të pësonte një katastrofë, pasi një veprim i tillë do të sillte pasoja jo të këndshme në popull, sepse shprehja, “rrëzim qeverie” ishte i panjohur për 50 vjet me radhë. Dhe një ngjarje e tillë ka ndodhur jo në fillim të dhjetorit apo më pas, kur lëvizja studentore kishte marrë “zjarr”, por pikërisht në fund të tetorit dhe në fillim të nëntorit, kur për një muaj do të fillonin shkëndijat e para të lëvizjes së madhe, që do të merrte emrin historik, lëvizja e dhjetorit. E vërteta është se nëntë ministra tentuan disa herë të detyronin Adil Çarçanin dhe Ramiz Alinë për të miratuar dorëheqjen e tyre, derisa erdhi momenti kur qeveria nuk përballej më vetëm me protestën e ministrave të saj, por edhe me atë të mijëra njerëzve të shpërndarë. Gjithsesi, pas këtij përshkallëzimi, pesë prej këtyre ministrave, kur panë insistimin e lidershipit për të mbajtur në këmbë më sforcim të pajustifikuar qeverinë e tyre, protestuan dhe u larguan nga qeveria duke lënë në sekretarinë e saj aktin e dorëheqjes. Në momentet e rrëzimit të qeverisë “Çarçani”, pikërisht në shkurt të vitit 1991, kohë kur u rrëzua edhe monumenti i Enver Hoxhës, kishte vetëm një muaj që kishin marrë postet pesë ministrat e rinj. Gjithçka rreth asaj ngjarjeje, në dukje disi paradoksale, që nuk është bërë e ditur asnjëherë këto 15 vite demokraci, e tregon me detaje vetë prof. Uçi, i cili ka qenë protagonisti kryesor i asaj revolte dhe që mori ndëshkimin më të rëndë nga kolegët e tjerë që kërkuan dorëheqjen. Si lindi protesta e ministrave? Pse ata kërkuan me ngulm nga Ramiz Alia dorëheqjen? Debatet e bëra mes tyre dhe Alisë, përsa i përkiste problemit të ekzistencës së qeverisë. Çfarë ndodhi gjatë natës, kur ministrat “plangprishës” shkuan në shtëpitë e tyre. Fillimi i protestave popullore dhe situata e krijuar në kombinatin Poligrafik, i cili varej nga Ministria e Kulturës. Çfarë bëri ministri Uçi, kur gjashtëqind punëtorë kërkuan prej tij zgjidhje të situatave. Përplasja e tij me kryeministrin, Adil Çarçani, për veprimet që po ndërmerrnin dhe akuzat e këtij të fundit ndaj ministrit të Kulturës, duke i thënë se nuk kishte besim te partia, gjë që do të thoshte se me këtë akuzë e priste një ndëshkim serioz etj.

Profesor Uçi, deklaruat se në vitin 1990, pak kohë para se të fillonin protestat e studentëve, ju me disa ministra të asaj kohe keni kërkuar rrëzimin e qeverisë ku bënit pjesë. Si mund ta vërtetoni një deklarim të tillë?

Para se t’ju shpjegoj se si kanë rrjedhur ato ngjarje dhe çfarë ndodhte brenda radhëve tona të kabinetit qeveritar, mund t’jua vërtetoj atë që deklarova, me faktin që nuk mund të mohohet se dorëheqjet ne i kemi kërkuar me shkrim, dhe pas kësaj jemi larguar nga qeveria. Kërkesën tonë të parë e bëmë në fillim të nëntorit 1990 dhe kur nuk na u miratua, atë e përsëritëm disa herë. Pas kësaj, kur shikonim hezitim nga lidershipi për të ruajtur të paprekur qeverinë, ne u detyruam të largoheshim demonstrativisht nga mbledhja e saj, duke lënë në sekretari vetëm deklaratat e dorëheqjes. Ky veprim ekstrem dhe demonstrativ ndodhi pikërisht në muajin janar të vitit në vazhdim, pra në 1991, kur u bë mbledhja e parë e qeverisë. Ku është një fakt i njohur, pasi ne jemi larguar nga qeveria “Çarçani” shumë më para se ajo, e detyruar nga protestat, të rrëzohej përfundimisht.
Pas këtij veprimi, në shenjë hakmarrjeje, mua nuk më lanë të punoja në Akademinë e Shkencave, siç ishte ligji për punonjësit shkencorë, por më nxorën në pension me 40 mijë lek të vjetra. Faktikisht, unë kisha kërkuar të largohesha nga qeveria, por nuk kisha kërkuar të dilja në pension, pasi, sipas ligjit, akademikët nuk dilnin në pension. Një ndëshkim i tillë i menjëhershëm mua m’u bë për kundërvënie për atë akt që kryem. Madje, unë kam bërë edhe debat me Adil Çarçanin, kur më thirri dhe më tha me inat dhe ironi se, ma kishin plotësuar dëshirën dhe më kishin nxjerrë në pension. Por, kjo histori vjen më pas rrëfimit tonë.

Mund të ma shpjegoni?

Për arsyet që ju tregova më lart, të cilat i përsërita disa herë, ku në thelb të shkakut të protestës sonë ishte fakti se, ne arritëm të kuptonim se qeveria që përbënim ishte një qeveri e cila nuk kishte asnjë mundësi të përmirësonte kushtet ekonomike në të cilat ishte zhytur vendi, kërkuam të largohemi vetë prej saj. Kjo ndodhi edhe për një arsye madhore, e cila na revoltonte më shumë se çdo gjë tjetër. Ajo ishte mënyra se si vazhdonte të drejtonte udhëheqja më e lartë. Pavarësisht se ku po shkonte vendi, ata vazhdonin të synonin drejtimin me të njëjtat forma dhe metoda pa menduar asnjëherë për dorëheqje apo për zëvendësime. Vetëm në fund, kur u detyrua nga protestat e studentëve, Ramiz Alia arriti të pranojë para Byrosë së tij Politike se, midis tyre nuk ishte askush me gjuhë të huaj dhe se nuk kishin se kë të dërgonin në krye të një delegacioni parlamentar, pasi mungonin intelektualët. Por, kemi parasysh edhe tjetrën, kur kohë më parë ne kërkonim rrëzim të qeverisë, ai deklaronte se, dhe bar do të hamë dhe gjak do të derdhim dhe nuk do të lëshojmë pushtet. Të gjitha këto bënë që ne të shkojmë te Ramiz Alia dhe t’i thoshim se kërkonim largim nga qeveria.

I mbani mend emrat e atyre ministrave?

Pak a shumë po. Kam qenë unë, që isha ministër i Kulturës, Ylli Bufi, i cili ishte ministër i Industrisë së Lehtë, ministri i Ndërtimit, Ismail Ahmeti, ministri i Shëndetësisë, Ahmet Kamberi, ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, ministri pa Portofol, Farudin Hoxha, drejtori i Përgjithshëm i Industrisë Mekanike, Pandi Carapuli, i cili ishte anëtar kabineti etj.

Si ndodhi saktësisht?

Ka qenë fillimi i nëntorit 1990. Datën nuk e mbaj mend. Kërkuam Ramiz Alinë dhe e takuam. I kemi thënë se kërkonim të largoheshim nga qeveria.
Menjëherë pas kësaj kërkese, ai është vrenjtur dhe na është drejtuar me fjalët alarmante për të na detyruar të reflektonim, se një veprim i tillë çonte në rrëzim të qeverisë, gjë që deri në atë kohë fjala “rrëzim” as që mund të përdorej si shprehje. Ne, për t’i treguar atij se puna kishte ardhur në atë pikë që duhej të mendohej edhe rrëzimi i qeverisë i thamë: Le të rrëzohet, ka të tjerë që e bëjnë, ndoshta edhe më mirë!

Si veproi Ramiz Alia pas kësaj?

Siç të thashë, ai nuk e priste që nëntë ministra të kërkonin në një kohë dorëheqjen. Një veprim i tillë nga ana e jonë ishte i pakonceptueshëm prej tij për atë kohë. Gjithsesi, me sa kuptuam nuk kishte aspak dëshirë që në atë moment të na i plotësonte kërkesat për arsyen që tha, se një veprim i tillë, sipas tij ishte kapitullim. Duke pasur qëllim ruajtjen me çdo kusht të qeverisë, ai na kërkoi me insistim që të mos ndodhte një fenomen i tillë.

Kush është biseda që bëtë me të në atë takim?

Në emër të të gjithë kolegëve të mi ministra, si më i madh në moshë, kur ishim para Ramizit, çështjen e dorëheqjes ia shtrova unë. Ai, pasi dëgjoi me vëmendje deklaratën time, fillimisht ruajti disi atë qetësinë karakteristike, pastaj u irritua menjëherë dhe tha se, një veprim i tillë do të thoshte të rrëzohej qeveria. Këtë fakt ai e ngriti në mënyrë të tillë që ne të bllokoheshim për atë iniciativë që kishim marrë. Pas këtij konkluzioni të kreut të shtetit, me të njëjtën qetësi dhe vendosmëri unë ia ktheva se, e kishim menduar vetë edhe këtë përfundim të qeverisë pas largimit tonë, por gjithsesi ne ishim të vendosur për të përfunduar largimin tonë nga kabineti. Kur dëgjoi këtë përgjigje Ramizi më tha: “Po kush do ta bëjë detyrën e kryeministrit po ra qeveria?” Atëherë unë ia ktheva: “Ti mund ta bësh shumë mirë edhe atë detyrë. Ashtu siç kishin ardhur punët nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër”. “Pse çfarë do të bëhem unë, Bush?!”, vijoi ai në të tijën, ndërkohë që për të më treguar se nuk shkonte një pushtet i tillë në duar të një njeriu tundi karrigen në shenjë treguese. Unë nuk e zgjata më për të treguar se edhe në atë mënyrë si ishin strukturat, nuk kishin më pak pushtet, por që fjala ime ishte te funksionet e përkohshme që duhej të mbanin ata njerëz.

Dhe çfarë ndodhi më tej?

Ne u larguam, por në rrugë shumë sekrete dhe tepër konfidenciale kam mësuar se, gjatë asaj nate në dyert e shtëpive të disa prej atyre kolegëve që kishin qenë në zyrën e tij për të kërkuar dorëheqje, shkuan të dërguarit e Alisë për t’i bindur që të mos bënin veprimin e nisur, pasi një veprim i tillë ishte i dëmshëm për vendin.

U pranua nga ata kjo kërkesë e Alisë?

Deri diku edhe ka bërë efekt por unë nuk kam dëshirë dhe qëllim të përmend emra. Gjithsesi, pas disa ditësh ne insistuam sërish duke e përsëritur të njëjtën kërkesë edhe në prezencë të Adil Çarçanit. Edhe në atë rast kemi folur në të njëjtën mënyrë. Me të njëjtët tone dhe të njëjtën vendosmëri. Në atë debat ka hyrë fuqishëm jo vetëm Ramizi, por edhe Adili. Ai tepër i revoltuar për atë që i dëgjonin veshët m’u kthye mua se, me mendime të tilla nuk kisha besim te Partia. Kjo mënyrë ndërhyrjeje ishte për të më bërë presion se po bëja gabime politike, duke lënë të kuptoja se, një veprim i tillë do të më kushtonte. Megjithatë në ato momente ne kemi qenë shumë të vendosur dhe nuk pyesnim shumë. Kështu që, vijuan debatet për një kohë të gjatë. Me atë lloj deklarate duke e mbyllur se ishim në pritje të lirimit nga detyra, u larguam nga zyra.

Ky është momenti që ju nxorën në pension?

Pas asaj që ndodhi në zyrën e Ramizit, nuk vonoi shumë dhe protestat popullore morën përpjestime të paparashikuara. Ato arritën në një pikë që nuk diskutohej më kthimi mbrapa. Vetëm lidershipi i qeverisë nuk kishte sy për ta parë, apo nuk donte ta kuptonte atë realitet të cilin neve ministrat që kishim kërkuar dorëheqje kohë më parë, në një farë mënyre kishim dhënë sinjalin se situata në popull kishte arritur kufijtë e katastrofës. Gjithsesi, në këtë lloj tensioni po kalonin ditët e muajit dhjetor(1990) deri sa u lejua pluralizmi politik. Megjithatë, nga qeveria e jonë kishte tendenca për të mos lëshuar fill pavarësisht si erdhën situatat në fund kur nuk kishte më rrugëzgjidhje, pasi rrëzimi i monumentit të Enverit nuk la më vend për okazione të tjera veç rrëzimit të qeverisë. Por gjithsesi, shumë kohë më parë se ajo të rrëzohej, neve një grup ministrash që kërkuam largim prej sajë me qëllim që ajo të rrëzohej sa më shpejt në mënyrën më tendencioze na larguan përfundimisht jo vetëm nga qeveria por edhe nga puna në administratë. Ky ishte momenti që për hakmarrjeje për atë që bëmë na detyruan për të dalë në pension. Megjithatë për kohën që jam duke të folur, pra për momentet kur protestat po shpërthenin gjithandej dhe neve pavarësisht se kishim kërkuar largimin insistonin të na mbanin në qeveri, na ndodhën edhe vetë probleme në ndërmarrjet që mbulonin dikasteret tona...\

Gjyshin e profesor Uçit e solli në Shqipëri Ismail Qemali

Gjyshi i Alfred Uçit quhej Kristo Shqiptari (Uçi) dhe ishte me origjinë nga fshati Oçisht i Devollit. Një pjesë të madhe të jetës ai e kaloi në Stamboll, ku kishte shkuar me të atin. I ati kishte një kafene të tijën në Stamboll, në të cilën mblidheshin për të pirë kafenë çdo ditë rilindasit e shquar të kombit, si: Naim Frashëri, Sami Frashëri, Jani Vreto etj. Pas Lidhjes së Prizrenit, ndaj këtyre patriotëve filloi përndjekja otomane, kështu që ata u detyruan të ndërronin vendbanim. Në atë kohë babai i Kristos (pra gjyshi i prof. Uçit) së bashku me Jani Vreton u zhvendosën në Rumani. Aty, ai ndërtoi sërish një lokal të madh, ku e ndihmonte edhe i biri (Kristo). Në shtëpinë e tyre në Rumani, bëri konak Ismail Qemali, pikërisht në kohën kur ishte nisur për të ardhur në Shqipëri për të shpallur pavarësinë. Prej andej, Qemali u nis për në Austri, nga ku do të vazhdonte rrugën për në Shqipëri.
Gjyshi i prof. Alfred Uçit, Kristo, më pas ka ardhur nga Rumania për të jetuar përfundimisht në Shqipëri. Kjo ndodhi pas një letre që i shkroi Ismail Qemali në vitin 1912, kur ishte kryeministër i vendit.
Për këtë fakt mësojmë se, kur u krijua qeveria e parë shqiptare më 1912, kryeministri Ismail Qemali, ashtu siç veproi me disa patriotë shqiptarë që jetonin nëpër botë, të cilët kishin profesione të ndryshme, i bëri edhe një letër gjyshit të Kristo Shqiptarit (Oçishtit). Nëpërmjet asaj letre ai i shkruante Kristos që të kthehej në Shqipëri, pasi tashmë që ajo ishte vend i pavarur. Në qeverinë e ti ai kishte nevojë për profesionin e tyre. Në atë letër ai i kishte propozuar vendin e fotografit të qeverisë, që për atë kohë, ai ishte një pozicion tejet i veçantë. Pas kësaj oferte, Kristo filloi të “eliminojë” pasurinë e patundshme që kishte në Rumani. Ai arriti të shesë lokalin dhe të përfundojë të gjitha procedurat për t’u nisur më pas në Shqipëri. Por, sapo Kristo Shqiptari (Uçi) mbërriti në atdhe, qeveria e Qemalit u rrëzua. Pas kësaj ai filloi të punonte në bujqësi.

------

Ish-kreu i Kulturës tregon largimin nga qeveria komuniste

Ministri Uçi para Adil Çarçanit: Më je bërë si Jakomoni

Në atë kohë kur qeveria komuniste, e drejtuar nga Adil Çarçani, do të bënte mbledhjen e parë për vitin 1991, një grup ministrash ndërmjet të cilëve ishin profesor Alfred Uçi, Skënder Gjinushi, Ylli Bufi etj, me qëllim që të përshpejtonin rrëzimin e saj për vetë faktin se ajo mundohej të mbahej në këmbë me propagandë false, u larguan në mënyrën më protestante, duke depozituar në sekretari deklaratat për dorëheqje të parevokueshme. Qeveria, në momentet që po kalonte, duke qenë përballë protestave të mëdha të studentëve të mbështetura nga masat popullore, i numëronte orët e fundit me sforcim të paparë. Ngjarja e çuditshme, që në dukje i ngjan një paradoksi, ka ndodhur 15 vjet dhe sot e dëshmon për herë të parë ish-ministri i Kulturës së asaj kohe, akademiku Alfred Uçi. Profesor Uçi, gjatë kësaj dëshmie të dhënë ekskluzivisht për gazetën “Panorama” me rastin e 75-vjetorit të tij, tregon detajet më të pabesueshme të asaj kohe, të cilat kanë ndodhur brenda radhëve të kabinetit qeveritar të drejtuar nga Adil Çarçani, i cili ndërkohë përballonte revoltën të mijëra e mijëra demonstrues. Cilat ishin shkaqet që ministrat e kabinetit, mes të cilëve ndodhej edhe profesor Uçi, kërkonin vazhdimisht nga Ramiz Alia dorëheqje nga kabineti qeveritar. Debatet që bënë me Ramizin në zyrën e tij. Pse nuk u miratohej dorëheqja dhe si ndodhi që ministrat bënë deklaratat e dorëheqjes së parevokueshme, duke u larguar me protestë nga mbledhja e qeverisë. Si operoi nomenklatura e lartë e shtetit, e cila filloi të miratonte dorëheqjet ndërkohë që mendonte për jetëgjatësinë e qeverisë. Situata e krijuar në zyrën e Adil Çarçanit, kur ai thërriti ministrin Uçi për t’i komunikuar daljen në pension. Momentet kur Uçi akuzoi Çarçanin se ishte bërë si Jakomoni.

Zoti Uçi, është e vërtetë se edhe punëtorët e ndërmarrjeve që vareshin nga Ministria e Kulturës të cilën ju drejtonit u çuan në protesta?

U solidarizua e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm ndërmarrjet që vareshin nga ministria që drejtoja unë. Ishte e natyrshme se një veprim i tillë do të ndodhte, por mua më vinte inat se reagimi i brendshëm ishte i vonuar. Konkretisht, në përgjigje të pyetjes suaj unë po ju them se, në ndërmarrjen e Poligrafikut u çuan në këmbë më shumë se 600 punëtorë. Ata ishin mbledhur në atë ndërmarrje edhe nga njësitë e tjera simotra. Punëtorët, në radhë të parë shprehnin solidarizimin me studentët protestues të Qytetit Studenti, por ndërkohë ata kishin edhe kërkesa të ndryshme, të cilat gjithashtu ishin me karakter politik. Njëra prej tyre, me sa mbaj mend, ka qenë kërkesa se përse njerëzit që kishin vende komode dhe ishin pjesë e hierarkisë së lartë nuk dilnin në pension?

Çfarë bëtë ju si përfaqësues i qeverisë dhe si ministër për të plotësuar kërkesat e tyre?

Kur ndodhi protesta e punëtorëve të Poligrafikut duhet të ketë qenë data 4 apo 5 dhjetor 1990. Unë menjëherë dhe në mënyrën më urgjente shkova para tyre dhe kur i dëgjova me vëmendje kërkesat që kishin ngritur si pretendim, u dhashë të drejtë për gjithçka. Shumë kërkesa vareshin nga dikasteri që unë drejtoja, pra nga Ministria e Kulturës, dhe unë u premtova sinqerisht se do të ulesha menjëherë dhe brenda një kohe rekord se do të bëja plotësimet e tyre. Ndërsa në lidhje me kërkesën e tyre që bënte fjalë për të dalë në pension personalitetet e larta të shtetit, indirekt ishte edhe për mua personalisht. Unë i garantova se, pasi të kalonin dhjetë ditë, pra më datë 15 dhjetor, dhe unë të mbushja 60 vjeç, do të kërkoja largimin menjëherë nga detyra e lartë e administratës së shtetit, për t’u marrë me punët e mia krijuese dhe hulumtuese. Ndërkohë u dhashë garanci se, meqë të gjitha kërkesat nuk ishin në kompetencën time, do t’i çoja menjëherë në zyrën e Ramiz Alisë dhe në strukturat e tjera të larta të shtetit.

Ia dorëzuat Alisë?

Ashtu siç u premtova punëtorëve protestues, sa u largova prej tyre, shkova menjëherë në selinë e Komitetit Qendror të Partisë. Aty kërkova një takim të posaçëm me Ramiz Alinë, që po drejtonte një mbledhje të komitetit.

Ju nuk merrnit pjesë në atë mbledhje?

Unë nuk isha anëtar i Komitetit Qendror. Isha vetëm anëtar i kabinetit qeveritar. Kërkesa ime iu transmetua menjëherë dhe Ramizi doli nga mbledhja. Unë i shpjegova me hollësi atë që po ndodhte me 600 punëtorët në kombinatin Poligrafik, ndërkohë që i dorëzova në dorë kërkesat e tyre, duke i dhënë edhe shpjegimet e nevojshme.

Dolët në pension në datën 15 dhjetor siç u kishit premtuar punëtorëve të Poligrafikut?

Nuk ishte fjala thjesht për pension, pasi unë isha punonjës shkencor dhe për ne kishte një ligj të posaçëm. Sipas këtij ligji nuk dilnim në pension, por vazhdonim punën krijuese në Akademinë e Shkencave. Në këtë prizëm dhe në bazë të kërkesës së punëtorëve të kombinatit Poligrafik, fjala ishte për largimin në moshën e pensionit nga postet e larta prej të cilave rridhnin privilegje. Kështu që unë i kisha vënë vetes detyrë të largohesha nga posti i ministrit dhe të vazhdoja punët e mia në akademi. Atë që kisha vendosur do ta bëja pavarësisht se qeveria do të ishte jetëgjatë apo jetëshkurtër, kjo pak më interesonte. Më dhimbsej gjithë ajo lëvizje e nisur dhe e përkrahur nga ata mijëra e mijëra njerëz, ndërkohë që nga qeveria kërkoheshin forma dhe mënyra për të kapërcyer momentet e vështira, me qëllimin si e si të mbanin pushtetin e tyre. Kur 15 dhjetori kaloi dhe unë tashmë isha plot 60 vjeç, pikërisht mosha kur sipas ligjit të atëhershëm dilje në pension, prita dhe kërkova sërish largim nga detyra. Isha i motivuar nga ana morale se ne, ashtu siç ju thashë pak më lartë, nuk ishim një e dy kolegë, por një grup i tërë që nuk ishim dakord me atë rezistencë të qeverisë. Prandaj, me luftën tonë nga brenda mendonim se do të ndihmonim lëvizjen demokratike. Kjo ndihmë që ne po bënim nga brenda, pavarësisht se nuk është propaganduar ndonjëherë, ishte një ogur i mirë për të ardhmen e demokracisë dhe të ekonomisë së popullit.

Megjithatë nuk arritët ta plotësoni premtimin që kishit bërë para punëtorëve, pasi siç po kuptojmë ju keni vazhduar të qëndroni në postin e ministrit edhe pas datës 15 dhjetor. Si mund t’i konsiderojmë veprimet tuaja se ishin ndihmë për lëvizjen demokratike kur nga sa shihet, rezultati i iniciativës suaj nuk ishte pozitiv?

Së pari, dua t’ju bëj të ditur se që në momentin e parë, kur ne kërkuam para Ramiz Alisë largimin tonë nga detyrat ministrore, veprim ky që ka ndodhur të paktën më shumë se një muaj para se të nisnin protestat studentore, ka qenë një sinjal i fuqishëm për autoritetet më të larta të shtetit të atëhershëm, duke përfshirë që nga ato politike deri te të ekzekutivit. Ndërsa, për sa i përket asaj që ne kishim vendosur për t’u larguar nga qeveria, duke marrë parasysh koston që ky veprim kishte për pushtetin e atëhershëm të cilin e ndienim mirë që po jepte shpirt pavarësisht jehonës që mundohej të bënte, ne arritëm ta bënim një veprim të tillë të paimagjinueshëm për atë kohë; u larguam në mënyrë demonstrative nga salla e mbledhjes së qeverisë dhe dorëzuam në sekretarinë e saj deklaratat e dorëheqjes me shkrim. Me atë kërkesë donim të tregonim se që nga ai moment nuk e konsideronim veten më ministra. Pra, nuk do të ishim më në mbledhjen e qeverisë.

Kur dhe si ka ndodhur saktësisht kjo ngjarje sa e çuditshme, edhe paradoksale?

Ka qenë fillimi i janarit të vitit 1991. Deri në atë kohë, me gjithë kërkesat tona të përsëritura, nuk na ishte pranuar dorëheqja. Atëherë, unë personalisht vendosa të mos rrija më as edhe një ditë në qeveri. Do të merresha me punët e mia krijuese në Akademinë e Shkencave. Për këtë kisha zgjedhur braktisjen e postit. E vërteta është se me mua u solidarizuan menjëherë të gjithë kolegët e mi. Me këtë mendje shkuam në mbledhjen e qeverisë. Si datë nuk e mbaj mend, por di që ka qenë saktësisht mbledhja e parë e qeverisë që u bë për atë vit, e cila pak a shumë duhet të ketë qenë ditët e para të janarit. Në atë mbledhje, nga kolegët që kishim kërkuar dorëheqjen ishim vetëm pesë ministra, pasi të tjerët rastësia e solli të mungonin për arsye detyrash. Ne, ashtu siç kishim vendosur, sa u ulëm në vendet e posaçme për të filluar mbledhjen, nuk e lamë kryeministrin Adil Çarçani për ta hapur atë, por u çuam në këmbë. Unë, në emër edhe të katër kolegëve të tjerë, i deklarova se po largoheshim nga qeveria në atë formë për shkak se nuk ishte realizuar procedura normale ligjore e shkarkimit tonë. Pas kësaj nuk e bëmë të gjatë, por u larguam menjëherë, ndërkohë që në sekretarinë e qeverisë lamë deklaratat e dorëheqjes së parevokueshme.

Kush ishin saktësisht ministrat që u larguan në atë mënyrë nga qeveria “Çarçani”?

Kam qenë unë si ministër i Kulturës, ministri i Arsimit, Skënder Gjinushi, ministri i Industrisë së Lehtë, Ylli Bufi, ministri i Ndërtimit, Ismail Ahmeti, dhe drejtori i Përgjithshëm i Industrisë Mekanike, që ishte ndërkohë anëtar i kabinetit qeveritar, Pandi Carapuli.

Çfarë bëri kryeministri Çarçani pas këtij veprimi të panjohur për 45 vite me radhë?

Adil Çarçani, për të mos lëshuar autoritetin e qeverisë me qëllim që t’i qëndronin fort asaj motos që qeveria është e madhe, ndërsa “erërat” nuk kanë ndikim te ajo, vijoi procedurat për të filluar mbledhjen sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Në këtë moment, siç mësuam më mbrapa, ministri i Shëndetësisë, Ahmet Kamberi, i ka kërkuar kryeministrit që të mos fillonte mbledhjen e planifikuar, por të ndaleshin në veprimin e kolegëve që u larguan në atë mënyrë. Kamberi deklaroi para qeverisë se ai e konsideronte të drejtë largimin e kolegëve, prandaj edhe qeveria duhej të reflektonte dhe të mos vepronte sikur nuk kishte ndodhur gjë. “Për mendimin tim-i deklaroi ai kryeministrit-qeveria jonë që nga ky moment duhet të japë dorëheqjen, sepse s’ka asnjë bazë morale për të vazhduar ekzistencën”.

Çfarë bëri Adil Çarçani pas kërkesës së ministrit të Shëndetësisë, që mund të ketë qenë disi më e ashpër se juaja për faktin se ai i kërkoi rrëzimin urgjent të qeverisë?

Atë ditë, ai mundi të rezistonte dhe të bënte në mënyrë të shkurtuar një si tip mbledhjeje ku më së shumti paraqiti plane dhe programe emergjente. Gjithsesi, Ahmet Kamberin nuk e harroi. Do të kalonte veç një ditë nga ajo mbledhje qeverie dhe pikërisht të pasnesërmen që në mëngjes, ai do ta thërriste në zyrën e tij, ku do t’i komunikonte shkarkimin e menjëhershëm nga posti i ministrit. “Që nga ky moment je i larguar nga qeveria”- ishin fjalët e Çarçanit. Ahmet Kamberi, nuk e bëri gjakun qeder dhe ia ktheu se, në atë moment do të ishte më e mira që të largoheshin të dy. Me këtë, ai i tregonte kryeministrit se do të ishte më mirë të kishte ikur gjithë qeveria.

Juridikisht, vazhdonit të ishit ministra?

Pas atij veprimi demonstrativ nuk mund të ishim më, pasi ne nuk do të shkonim më në zyrat tona dhe as në mbledhjet e qeverisë, por ata ndërsa na miratuan aktin e dorëheqjes, u hakmorën në një drejtim tjetër. Konkretisht mua, ndërsa më liruan nga posti, ashtu siç ta përmenda edhe më parë, nuk më lejuan të ushtroja veprimtarinë në Akademinë e Shkencave ku më takonte sipas ligjit, por më nxorën në pension me një pagë qesharake prej 40 mijë lekësh të vjetra. Kjo mund të ketë ndodhur një ditë më pasi kryeministri thërriti Ahmet Kamberin. Atëherë, ai thërriti mua. Kur i shkova në zyrë, ai më tha: “Ke kërkuar të japësh dorëheqjen. Po ta plotësojmë dëshirën dhe po të nxjerrim në pension”.
Unë nuk e di si u mbusha me një mllef që nuk dija si ta shprehja për vetë mënyrën si më komunikonte shkarkimin, prandaj aty për aty iu ktheva: Në familjen time jemi mësuar me dëbime nga puna e shtetit, sepse kështu i është bërë edhe babait kur erdhi Jakomoni në Shqipëri.

Ç’ju tha Adili pas këtij krahasimi që i bëtë?

E humbi fare dhe m’u kthye sikur të ishte në vitet ’80, duke më thënë: “Ti ke humbur besimin te Partia”.

Ju reaguat?

Unë, aty për aty, në atë tension dhe dëshirë që kisha për t’iu kundërvënë, i thashë: Për një gjë ma plotësoni dëshirën shoku kryeministër, sepse nga kjo qeveri që kryesoni ju unë dal 2-3 javë para se të rrëzoheni. Kur dola nga zyra e kryeministrit, u ndesha me drejtorin e kuadrit të Kryeministrisë, i cili rrinte në korridor përballë derës së Çarçanit. Ai, kur më pa ashtu të skuqur dhe të nxehur, me atë dashamirësin e tij pa e ditur që unë e kisha kërkuar vetë një largim të tillë, më tha të mos ngutesha, por t’i shkruaja një letër direkt Ramiz Alisë, ku ta sqaroja për gjithçka kishte ndodhur.

Çfarë i thatë pas këtij sugjerimi? Të paktën nga sa ju thoshte ai, duke i shkruar Alisë mund të përfitonit të drejtën që të punonit në Akademinë e Shkencave ku kishit qenë para se të shkonit ministër?

E çfarë t’i thosha drejtorit të kuadrit, kur ai jo vetëm nuk dinte gjë, por edhe tregohej pak naiv. Prandaj, unë ia ktheva shkurt: Pse, më di budalla ti mua? Këto veprime nuk janë bërë personalisht nga Adil Çarçani, por në bashkëpunim me Ramiz Alinë. Nuk mund të miratohet shkarkimi i një ministri pa dijeninë e njeriut kryesor të shtetit. Kështu që në atë moment që shënonte fillimin e janarit të vitit 1991 unë u përjashtova fare nga administrata e shtetit. Pas largimit tim nga posti, Adil Çarçani në intervale kohe thërriti të gjithë ministrat që kishin dorëzuar deklaratat e dorëheqjes për t’u komunikuar shkarkimin. Pra, këto shkarkime dhe zëvendësime Çarçani me Alinë i bënë një nga një, për të mos rrëzuar qeverinë. Por, pavarësisht nga përpjekjet e tyre maksimale për ta mbajtur në këmbë si “kufomë”, duke e “arnuar” pambarimisht, madje edhe në ditët e saj të fundit, ajo do të binte përfundimisht.

Pra, sipas kësaj që dëshmoni, vërtetohet se ju i keni ndihmuar proceset demo-kratike të asaj kohe në një mënyrë të njëvleftshme me rininë studentore?

Këtë gjë e dinë mirë politikanët e majtë dhe ata të djathtë, por nuk kanë qejf asnjëherë ta përmendin se në Shqipëri akoma vazhdohet të mbulohen shumë të vërteta historike. Kjo gjë bëhet për t’u marrë meritat njërit-tjetrit. Megjithatë, ne nuk e bëmë për t’u dukur, apo për të na ditur kush meritat, por e bëmë pasi e ndjemë thellë në ndërgjegjen tonë.

Me këto që deklaroni sigurisht ju nuk keni ndërmend të minimizoni atë kontribut të rinisë studentore të dhjetorit të vitit 1990, e cila arriti të përmbysë dhunshëm sistemin që ishte krijuar si tabu në mendjet e shqiptarëve?

Sigurisht, ashtu si ndodh kudo në ngjarjet e përmbysjeve të mëdha sociale, në vijë të parë gjithnjë del rinia. Por unë do t’ju thosha meqenëse është edhe 15-vjetori i atyre ngjarjeve historike që, të mos harrojmë se mbrapa asaj rinie qëndronin familjet e tyre, qëndronte një popull i tërë, i cili paralelisht vazhdonte të protestonte në qendra pune, duke u solidarizuar me atë rini. Por mos të harrojmë se mes asaj rinie studentore ishin edhe fëmijët tanë, ishin fëmijët njerëzve të afërt të ish-nomenklaturës. Pra, për të ardhur tek ajo që quhet fitore demokratike, duheshin forca të shumta dhe të gjithanshme se ndryshe një demonstratë apo protestë spontane nuk sjell asnjëherë fitore.
Profesor, duke ju uruar edhe njëherë për 75-vjetorin tuaj, të rroni sa më shumë për të pasur sa më shumë botime të vlefshme për lexuesit dhe studiuesit tanë, me shpresën se do të kemi sërish rast për intervista në të ardhmen po ju them faleminderit.

Prof. Uçi, në universitet ka qenë shok i ngushtë me gruan e Gorbaçovit

Gjatë viteve 1949-1954, kur profesor Alfred Uçi vazhdonte studimet në fakultetin e Filozofisë, në Universitetin Llomonosov të Moskës ka qenë shok i ngushtë me filozofët më të shquar të shekullit XX të Rusisë, (ishte në një grup mësimor) të cilët ishin Merrab Mamarrdashvili dhe Vollvodja Smirnov (Logicjen).
Por, profesori ka qenë edhe mik i afërt me të shoqen e Gorbaçovit, Raisën.
Pas interesimit tonë, profesori shpjegon se me Raisën u njoh që në vitin 1949, kur shkoi në Universitetin e Moskës. Kjo ndodhi se ajo ishte në një grup mësimor me të. Gorbaçovi ishte gjithashtu student i atij universiteti, por ai nuk ishte në fakultetin e Filozofisë, ku ishte Rasia (edhe Uçi), por ishte në fakultetin e Juridikut. “Në konviktet e universitetit-tregon profesori-jetonim shumë keq për faktin se në atë kohë ishin duke u ndërtuar godinat e reja, pikërisht për të rregulluar fjetjen e studentëve. Kështu që nuk bënin asnjë investim në godinat ekzistuese, të cilat ishin veç disa kazerma të mëdha që vinin në formë katrori. Në njërin kënd të godinës flinin studentët e fakultetit tonë të Filozofisë. Të gjithë studentët ishim në një korridor. Në njërin krah të korridorit ishin djemtë dhe në krahun tjetër vajzat. Rastësisht, përballë dhomës time ishte ajo e Raisës, e cila qëndronte në dhomë së bashku me 14 vajza të tjera. Ishin shumë keq si kushte edhe për faktin se ishin ngjeshur shumë në një dhomë.
Diagonal me këndin tonë të godinës së konviktit ishin vendosur studentët e fakultetit të Juridikut, me të cilët ishte edhe Gorbaçovi. Edhe ai ishte me katërmbëdhjetë shokë në dhomë. Ai ishte një vit mbrapa nesh sepse kishte ardhur një vit më vonë në universitet. Me Raisën ai ra në dashuri kur ishte në vit të tretë, ndërsa ajo në të katërtin. Po atë vit që u dashuruan, pra kur ishin studentë, ata u martuan. Rastësisht martesa e tyre, pra kur Gorbaçovi ishte në vit të tretë, në vitin 1951, dhe Raisa në vitin e katërt, ndodhi pikërisht pak kohë pas vdekjes së Stalinit. Pas martesës ata jetonin bashkë. Nuk mund ta besoni, por ajo është një histori shumë e çuditshme pasi ai e mori të shoqen studente në dhomën e tij, ku jetonte së bashku me shokët. Në një kënd, ai kishte vendosur dy gardëroba, me të cilat kishte rrethuar krevatin e tij dhe një komedinë të vogël, duke sajuar një tip dhome të vogël ku jetonte me Raisën”. Mësohet se Raisa, edhe në intervistat që ka dhënë pas shumë e shumë vitesh më vonë, ka bërë të ditur edhe faktin që ajo ka pasur miq nga Shqipëria, të cilët i vlerësonte për pamjen fizike dhe inteligjencën e tyre.
Tashmë, fatkeqësisht ajo nuk jeton më.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora