E merkure, 11.12.2024, 03:02 PM (GMT)

Kulturë

Themi Tushe: Lumi i këngëve Muzeqare

E diele, 05.06.2016, 11:57 AM


DOLI NGA SHTYPI LIBRI ‘’LUMI I KËNGËVE MYZEQARE”

Para disa kohësh doli nga shtypi libri “Lumi i këngëve Muzeqare”, i autorit Themi Tushe, shtypur nga botimet “Kumi” në Tiranë. Në këtë libër kanë zënë vend  rreth njëqind e dyzetë këngë popullore të zgjedhura, që janë kënduar në krahinën e Myzeqesë. E gjithë kjo pasuri e madhe folklorike  e këtij populli të mbrekullueshëm, të kulturuar dhe me shpirt artisti, jetonte tek ai e pa shkruar. Ajo trashëgohej gojë më gojë te njerzit nëpër vite, dekada e shekuj, nga njeri brez te tjetri sipas zakoneve dhe traditave që ka kjo zonë. Si pasojë  e lënies në harresë dhe e neglizhencës    pajustifikueshme për mbledhjen, botimin dhe ruajtjen e tyre, shumë këngë të bukura myzeqare tashmë janë zhdukur përgjithmonë, ndërsa  tek një pjesë tjetër e tyre mungojnë vargje dhe strofa të tëra. Fal pasionit dhe punës krijuese  përmbi dy dekada të këtij autori, që i mblodhi me kujdes  të veçant këto këngë, por edhe një pjesë infomacioni të humbur rreth tyre, që ruhej në kujtesën e disa  qytetarëve myzeqar të moshuar, tashmë disa  nga këto perla të kësaj treve, do ti kemi në një formë më të plot.

Qysh në fillim të parathënies së librit, lexuesit të nderuar i jepet mundësia  që të njihet më nga afër, jo vetëm me bukuritë e rralla natyrore të fushës së Myzeqesë, pasuritë dhe begatitë e saj të mëdha, por dhe me vlerat kolosale kulturore dhe historike që ajo ka patur që nga kohët e Lashtësisë, Mesjetës dhe deri në ditët e sotme.

Duke i pritur me interesim të veçant vepra të tilla,    po e pasurojnë gjithmonë e më shumë artin,  kulturën dhe historinë tonë kombtare, le të udhëtojmë e dëfrejmë pa humbur kohë nëpër këtë kopësht të rrall bukurishë, duke mësuar sadopak edhe rreth kulturës dhe historisë së ndritur të Myzeqesë, ashtu siç e përshkruan edhe vet autori në parathënien e tij, si birë i kësaj krahine kaq shumë të dëgjuar.

Pranë ujrave të pastra të Adriatikut, ku luajnë pa pushim dallgët e tij kaltëroshe, që nga gjiri i pejsazheve pafund të Divjakës  dhe deri në  lagunën piktoreske të  Nartës, midis tre lumenjësh të kulluar, Vjosës, Semanit dhe shkumbinit, që vallzojnë me ngadal fushës së gjerë plot gjelbërim dhe lule, duke zbritur prej lartësish, gjithë  freski, këngë e simfoni  malesh dhe deri në afërsi të qytetit të Beratit e rrëzë Shpiragut, shtrihet Myzeqeja e bukurive të mëdha  me pamjet përrallore të saj. Si një kopësht  magjik i mbushur dhe zbukuruar plot me lule shumëngjyrëshe, i rrethuar me male të larta nga të treja anët, jugu, lindja dhe veriu, që  e mbrojnë atë nga erërat e ftohta, stuhitë  dhe acari i dimrit, Myzeqeja është pa dyshim riviera me famë e bregdetit tonë, gadishullit Ilirik, pse jo dhe e rajonit të Mesdheut. Natyra i ka falur kësaj  krahine pa kursim bukuri dhe stoli të mëdha  mahnitse. Qysh kur lind dielli herët çdo mëngjes, si një lëmsh i zjarrtë midis dy majave të larta të Tomorrit  Hyjnor dhe gjersa perëndon mbrëmjeve diku larg përtej deteve e mbush këtë vend të bekur plot dritë dhe shkëlqim magjik, duke ndezur qiejt me ngjyra të arta dhe pamje e bukuri të tilla s’mund ti gjesh dot kudo tjetër. Nëpër brigjet e kësaj perle të  veshur me shkurre mesdhetare dhe pyje halore pishash shekullore, që nuk e xhveshin kurr  kostumin e tyre të gjelbërt, plot fllad të freskët deti dhe tërë pellgje, gjole e laguna të shumta, ndodhen edhe plazhet me rërë kristali të  Nartës, Pishë Poros, Bishanit, Shën e Premtes, Shën Pjetrës, Topojës, Grykës, Semanit, Ndërnënasit, Karavastasë, Divjakës, Kularit, Gredhit, Spillesë e tjerë, që të befasojnë me peisazhin karaibian dhe dallgët e valët lozonjare që luajnë pa pushim brigjeve të tyre.

Përtej bukurive natyrore të mbledhura si me dorë në këtë vend, Myzeqeja ka patur edhe një qytetërim tepër të zhvilluar qysh nga kohët e herëshme të Lashtësisë. Pikërisht këtu në këtë krahinë me histori të  ndritur, lart mbi një kodër magjike, plot dritë e rreze të arta dielli,  gjëndet edhe qyteti antik i Apollonisë, (ndërtuar rreth vitit 583 të shekullit të VI-të p.e.s), që njihet aq shumë për famën e saj, ku lulëzuan arti, kultura, piktura, skulptura dhe arkitektura e zhvilluar e asaj epoke. Në universitetin e dëgjuar të këtij qyteti tërë lavdi, studioi edhe Oktavian Augusti për art e oratori, i cili arriti    bëhet edhe një nga perandorët e famshëm të Romës së Vjetër. Rreth kësaj mbrekullie  të Lashtësisë me vlera botërore, e jo shumë larg saj, gjënden edhe një sërë qytetesh të tjera të asaj periudhe si Arnisa (Babunjë-Lushnje), Adria, Sesareti, Kalaja e Stan Karbunarës, të cilat edhe sot na flasin hapur se kush ka qenë kjo trevë, me emrin e saj të  dikurshëm hyjnor  Taulandia(ose fusha) e Tomorrit legjendar  që e krijoi atë dhe si u ndryshua ajo më vonë në Myzeqe.

Veç të tjerash kjo fushë e bekuar është ë mbushur edhe me shumë vende dhe emra të shenjta, që flasin për fillimin e besimit të hershëm pagan në kohërat e largëta pellazggjike, hyjnitë çudibërëse ilire dhe deri tek kishat e bukura kristiane (katolike e ortdokse mesjetare), që ndodhen edhe sot kudo në gjithë teritorin e saj, megjithëse një pjesë e mirë tyre u shkatërruan që nga themelet prej hordhive turke. Jo më kot studiuesit dhe historianët e mëdhenj të antikitetit si dhe pasuesit e mëvonshëm të tyre, për vlerësimet e mëdha që i kanë bërë Myzeqese, me të drejtë ajo mund të konsiderohet si një ”Parajsë Hyjnore” ose “Kopështi i Perëndive”.

Edhe gjatë periudhës së Mesjetës historia ka mjaft referenca

për trimëritë dhe heroizmin e kësaj krahine. Pikërisht në fushat e saj filloi për herë të parë lufta legjendare antiturke kundër okupatorëve barbar osmanllinj, me betejën e përgjakshme të  Savrës(Lushnje), zhvilluar më 18 shtator 1385, ku u vra Balsha i II-të i Shkodrës. Për tu theksuar në këto kohëra është dhe pjesëmarrja e luftëtarëve myzeqar në betejën e Fushë Kosovës(Dardani) më 28 qershor 1389, ku mbeti i vrarë princi i Myzeqesë Teodor Muzaka, i shquar në luftrat e tij kundër fushatave të pushtimeve nga ana e sulltanëve turq. Beteja e madhe e Beratit e kryer në korrik 1455 dhe ajo e Mbrostarit në Fier që u bë në  muajin gusht të vitit 1481 e organizuar nga djali i Skëndërbeut Gjon Gjergj Kastrioti, treguan vazhdimsinë e luftës  heroike që kanë bërë myzeqarët kundër uzurpatoreve aziatik të Stambollit. Por edhe kryengritjet e Myzeqesë në muajin maj 1835 e drejtuar nga luftëtari myzeqar Alush Bej Frakulla, të cilit sot po tentojnë t’ja ndryshojne vendlindjen e vet, dhe ajo e Karatoprakut në Maj 1840 e udhëhequr nga kapedanët dhe trimat e shquar Gori Myzeqari, Trifon Lala dhe Abaz Bej Lushnja, të mbështetur edhe nga bashkëluftëtarët e tyre atdhetar si, kleriku Papa Jorgji, Jorgji Perriu, Sul Sinani, Met Roshe, Mançe Malko e tjerë, qenë përpjekje të tjera heroike që bëri ky popull liridashës, për tu çliruar nga zgjedha e ushtrive vrastare të Anadollit.

Kryengritja antizogiste e Fierit që shpërtheu më 14 gusht 1935 e drejtuar nga ish studenti i Havardit Kosta Çekrezi, Musa Kranja, Riza Cerova e tjerë,  ku u vra edhe gjenerali zogist belg Leon De Gjilardi, kishte si qëllim përmbysjen e regjimit monarkist mbretëror antishqiptar të Ahmet Zogut, ardhur në pushtet me ndihmën ushtarake të  sërbo-rusëve dhe vendosjen e formës shteterore të republikës e të demokracisë perndimore në vendin tonë.

Myzeqeja ka patur edhe tre manastire të shenjtë, ku më i vjetri është ai i Ardenicës (Artemisa e dikurshme hyjnore), ngritur rreth vitit 1282 nga perandori Androniki i II-të Paleolog i Bizantit. Këtu pushonin për çdo verë figura të dëgjuara  perandorake botërore të kohës, por edhe princa  të lart si Karl Topia i Durrësit e të tjerë.  Kjo faltore  u bë e preferuar edhe për heroin tonë kombëtar Gjergj Gjon Kastrioti (Skenderbeu), i cili më 21 prill 1451 vuri kurorën e martesës me një nga bijat e kësaj zone, Andronika(Donika) Gjergj  Arianiti, pamvarsisht se çfarë thotë sot ndonjë profesor megalloman e pseudohistorian për ta shpërrngulur këtë ngjarje, diku tjetër gjetkë e sipas interesave të tyre krahinore.

Po kështu edhe Manastiri i Apollonisë(vendosur brenda qytetit antik të saj) dhe ai i Kolkondasit pran brigjeve të lumit Seman, që iu dha emri i murgut grek Shën Kozma Etolisë, të ndërtuar dhe stolisur nga Ali Pashë Tepelena në fillim të shekullit të  XIX-të, tregojnë qart  nivelin e zhvillimit kulturor, fetar dhe ekonomiko-shoqëror e politik të popullit të Myzeqesë në atë periudhë. Më vonë këto institucione kulti me emër dhe veprimtari kaq të dëgjuar, fal mësuesëve tanë trima  myzeqar, që ishin edhe priftërinj e luftëtar  të Lidhjes së Prizerenit e të pamvarasisë, si Kostandin Minga, Irakli Pylli(Papa Isaija-dëshmor), profesori Jani Kostandin Minga, Llazi Spiro(Shën Pjetra), Ikonom Kozma Dhima, Kovi Josif Saqellari, Spiro Saqellari(dëshmor), Jovan Kristo Ndreko

(dëshmor), Elmaz Boce, Naun Gori Doko( Prifti), Dhimitër Mino (dëshmor) e të tjerë, që ishin si qendra të përhershme shkollimi, edukimi e diturie, u kthyen në vatra të fuqishme atdhetarizmi për kohën, nga ku duolën mësues e patriot të shquar, që kontribuan shumë për Gjuhën Shqipe, Shqipërinë, Kosovën dhe tërë çështjen tonë kombëtare.

Edhe gjatë periudhës së shpalljes së pamvarsisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, Populli Myzeqar ishte në ball të kësaj ngjarje të shënuar. Atdhetarët e shquar të Myzeqesë si Dervish Biçaku, Behxhet Hydi, Nebi Bej Sefa, Simon e Koli Profi Sako, Ikonom Kozma Dhima, Tuni Gjergji, Kovi Josif Saqellari, Spiro Saqellari, Zoi Marini, Jovan Kristo Ndreko, Zoji Pando Ndreko, Lami Josif  Shtëmbari, Irakli Pylli, Llazi Spiro, Elmaz Boce e tjerë, me  çetat e tyre të armatosura të Shën Pjetrës, Semanit, Kolkondasit, Petoshajt, Kolonjës, Ngurrzës, Bubullimes, Krutjes  e tj, dhanë një kontribut tepër të rëndësishëm për realizimin me sukses të saj. Nën udhëheqjen e kollosit fierak të patriotizmit shqiptar, profesorit Jani Kostandin Minga, që jetonte e vepronte në Vlorë, i cili drejtoi me sukses të plot të gjithë organizimin e mitingut të shpalljes së pamvarsisë,  por edhe udhëtimin  e Ismail Qemalit e Luigj Gurakuqit nëpër Myzeqe, të mbrojtur me trimëri e besnikëri nga myzeqarët e tij, më në fund u arrit që të bëhet realitet ëndrra jonë shekullore, për ta parë Shqipërinë të lirë, shtet më vete dhe të pamvarur nga askush.

Roli i profesorit, dijetarit dhe mendimtarit të ndritur myzeqar Jani Minga u ndie edhe në Kongresin e Lushnjes mbajtur më 21-31 janar 1920, për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga coptimi i fuqive të shteteve ballkanike, por dhe në Kongresin Arsimor Kombëtar që u mbajt po në këtë qytet  më 15-29 gusht 1920, për unifikimin e gjuhës, shkrimit dhe të arsimit tonë, duke hedhur kështu bazat e shkollës së pavarur kombëtare shqiptare. Vigani shëpjetarak i çështjes tonë kombëtare ishte prezent, mjaft aktiv dhe përkrah Fan Stilian Nolit edhe gjatë revolucionit demokratiko-borgjez në Shqipëri, që ndodhi në muajin qershor të vitit 1924.

Ky popull fisnik, tepër bujar dhe heroik i  ka dhënë Shqipërisë shumë njerëz të shquar, patriot dhe të ditur,  veprat e të cilëve janë me vlera tepër të ç’mueshme për të gjithë historinë tonë si komb. Ne duhet të kujtojmë  gjithmonë me respekt princin e Myzeqesë Gjon Muzaka, për testamentin e tij të lënë në vitin 1510, por edhe tre vjershëtarët e parë shqiptar(bejtexhinj) myzeqar, si Nezim Frrakulla (1680-1760), Sulejman Naibi(1722) dhe Jul Variboba (1725-1788), që janë pionierët fillestar të letrave dhe të poezisë shqiptare, nga ku u frymëzua edhe  poeti ynë i Rilindjes tonë Kombëtare, Naim Frashëri.

Veprën madhore të  kollosëve të kësaj krahine, që punuan dhe u tretën për interesat tona të shenjta mbarëkombëtare, e vazhduan më tej me guxim, dije dhe trimëri edhe myzeqar të tjerë të ndritur, ish mësonjës, priftërinj dhe atdhetar si Kostandin Minga, Nebi Sefa (1861-1942), Jani Kostandin Minga (1872-1947), Kovi Josif Saqellari (1853-1934), Thanas Llazar Nushi (1882-1951), Ikonom Kozma Dhima (1869-1924), Papa Spiro Saqellari(1870-1918), Simon Profi Sako(1870-    ), Koli Profi Sako (1860-    ), Lam Josif Shtembari (1880-1926), Llazi Spiro Shën Pjetra, Irakli Pylli(Papa Isaija (1882-1944), Anastas Laska(1888-1964), Jovan Kristo Ndreko (1886-1944), Zoji Pando Ndreko (1889-1944), Perikli Ikonomi (1892-1977), Thodhor Risto, Aleko Risto (1895-   ), Naun Grigor Prifti (Doko, 1896-1934, ish rektor i Universitetit te Tbilisit Gjeorgji), Thanas Kroni Boçova(1903-1977, Jani Thanas Nushi  (1903-1989), Kristo Profi Vide(1905-1952), Jani Kroni Boçova (1908-1964), Thoma Papa(1909-1989), Dhimitër Mino (1920-1944) e shumë të tjerë, të cilët nuk kursyen as jetën e tyre për ti shërbyer popullit tonë.

Prej këtij populli puntor, patriot, të kulturuar dhe tepër human e me mendje të ndritur artisti, gjate viteve 1910-1930 doli një brez i tërë këngëtarësh famoz të mëdhenj, si Llazi Spiro(Shën Pjetra), Kiu Poro, Timo Lulja, Kozma Lule, Vangjel Lule, Tuni Papuçiu, Sili Papuciu, Thoma Poro, Vasil Tase, Jani Bakalli, Ilia Bele, Jani Paloli, Bushi Bogo,Taqo Pogaçe, Thimi Xhokaxhiu, Llambi Pano, Kili Gjonçe(Mifoli), Llazi Shkurti(Çeligradi), Joti Prifti (Marinza), Jani Bregu e Kadri Troka(Frrakulla), Lame Monia (Qenasi),  Xox Kote (Semani), Kili Dano(Sheqi), e tjerë, të cilët këndonin vazhdimisht për çdo ditë, javë dhe festa nëpër dy kazinotë famoze të  Fierit, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën dhe kulturën e këtij qyteti, të Myzeqesë e më gjerë.

Por edhe me vonë kjo krahinë nxorri një plejadë tjetër  njerëzish të dëgjuar poet, shkrimtar, gjuhëtar, regjizor, aktor, këngëtar dhe artist plot talent, si Jakov Xoxe, Jani Thomai, Kujtim Spahivogli, Kristaq Dhamo, Ilia Shyti, Vath Koreshi, Kadri Roshi, Margarita xhepa, Pavlina Mani, Luan Qerimi, Marika Kallamata, Miço  Kallamata, Albert  Verria, Mevlan Shanaj, Agim Shuke, Hysni Zela, Liljana Kondakçiu, Faslli Haliti, Luftar Paja, Sotir Stefa, Arqile Lipe, Todi Llupi, Muhamet Sheri, Lindita Theodhori(Sota), Brunilda Sota, Ndriçim Xhepa, Koço Devole, Kozma Dushi, Dhimitër Dushi, Elida Shehu e shumë të tjerë. Të gjithë këtyre  artistëve të famshëm u priu princesha e këngës popullore myzeqare Lefteri Silo dhe mbretëresha e këngës shqiptare, “Artistja e Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, Vaçe Zela, të cilët kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre për zhvillimin  e artit dhe të kultures tonë, jo vetëm në Myzeqe e Shqipëri, por edhe në rrafshin kombëtar.

Prej këndej buron dhe rrjedh lumi i pa shtershëm i këngëve myzeqare. Ky është një lum vargjesh dhe strofash pa fund, që këndojnë dhe rrëfejnë historinë e lavdishme të këtij populli hyjnor, dhunën dhe shtypjen e egër pesëshekullore të okupatorit turk, por edhe përpjekjet e tij për lirinë e pamvarsinë e vet. Në këto këngë janë skalitur dhe shkruar me gjak të gjitha sakrificat që kanë bërë këta njerëz të mbrekullueshëm për të ruajtur traditat, zakonet, gjuhën, por edhe fenë e tyre të krishtere, të cilat ishi vënë në shënjestër për tu zhdukur me dhunë e shpatë nga  sunduesit e pamëshirshëm osman. Ky ishte një lum këngësh që ecte plot vrull e pa u ndalur dot nga askush nëpër beteja, luftra, kryengritje, gëzime, gostira, dasma, festa fetare e kombëtare, me të cilat populli i kësaj krahine të betuar antiturke, i pa përkulur e i pa nënshtruar, mjekonte plagët e tij dhe frymëzohej për të gjetur forca e energji të reja, që të mbijetonte dhe mbronte ekzistencën e vet. Gjithashtu në këto këngë ai i këndon plot me ëmbëlsi edhe natyrës, dashurisë dhe sidomos vajzës myzeqare, elegancës dhe bukurisë saj të rall si dhe vlerave familjare e shoqërore që ajo ka.

Këngët popullore myzeqare dallojnë shumë nga ato të trevave të tjera, jo vetëm për nga ritmi, zëri dhe melodia, por edhe nga mënyra e interpretimit të tyre. Këto në përgjithsi janë këngë të qeta, që këndohen shtruar e gjithë ëmbëlsi. Në dashurinë që tregohet tek këto këngë për natyrën, njerzit dhe për të bukurën, por edhe tek shijet e holla, ndjenjat dhe pasionet e zjarrta të myzeqarit që ai shpreh ndaj tyre, përparësi marrin gjithmonë zbukurimi i zërit, pastërtia dhe dredhja lehtësisht e tij, zgjatja e disa zanoreve në fund të vargut, por natyrisht që ruhet me fanatizëm edhe ritmi melodioz dhe i këndshëm i tyre. Këngët e kësaj krahine janë si ato valët e detit gjatë verës, që luajnë e vallzojnë vazhdimisht bregut të tij plot melodi dhe zëra të bukur, si një simfoni e vërtet pa fund e që nuk mbaron kurr.  Ato janë gjithë freski dhe fllad si vet natyra me bukuritë e rralla që gjënden në këto anë përgjatë tërë bregdetit dhe fushave të Myzeqesë të mbushura plot me lule e stoli shumëngjyrëshe.

Populli Myzeqar ka bërë dhe bënë një jetë mjaft të gjallë dhe të pasur kulturore për të argëtuar veten, por edhe mysafirët e miqët e shumtë të tij me vepritari të ndryshme artistike këngë, valle dhe lojna të ndryshme popullore e tjerë, që shquhen për origjinalitetin, traditën bukurinë dhe mënyrën e organizimit të tyre. Megjithse ndaj atij është ushtruar një shtypje tëpër e egër dhe barbare edhe për shkak të religjionit fetar si i krishter, ai nuk është larguar kurr nga rruga e artit, nga këngët, vallet, paroditë, humori i holl dhe i këndshëm i tij dhe i mbronte ato  me nje vendosmëri të rrall  si askush tjetër. Ja si këndonte në kohën e vet  më 1920-1930 këngëtari ynë i madh myzeqar, Llazi Spiro, ish komandanti edhe i çetës së armatosur të Shën Pjetrës e Semanit, që i mori në mbrojtje me armë në dorë Ismail Qemalin bashkë me luftëtarët e tij, qysh kur hynë në Myzeqe dhe deri në Vlorë sa shpalli pamvarsinë, të cilin e respektoi edhe ish Mbreti Ahmet Zogu duke e thirrur në dasmën e vet:

1.

Se ç’u errë e bu bë natë

Nuk shikojmë të shtrojmë hordhinë

Hëna daltë e mos daltë

Dritë ne kemi bukurinë

2.

Këta dy syt e tu

Porsi gur xheneti

Dale moj të ti puthë

S’e s’bëhet qameti

3.

Bilbili ja thot

Qyqja po këndon

Këto plagët e vjetra

S’e ç’po m’i lëndon

Shumë nga tekstet e këtyre këngëve myzeqare kaq të bukura e të përhapura, i shkruante me kujdes dhe shije në fletoret e veta profesori, poeti dhe atdhetari i ndritur shënpjetarak Kostandin Minga i arsimuar në Greqi dhe i këndonte me pasion nxënësi i tij, plot talent, Bilibili i Shqipërisë Llazi Shën Pjetra. Fatkeqsisht ky thesar i madh i folklorit myzeqar u zhduk me zjarr dhe hekur nga dhuna e zgjedhës osmane, por edhe nga goditjet e përndjekjet e kishës dhe të klerikëve grek e hoxhallarëve pro turq, që ishin në këtë krahinë gjatë asaj periudhe. Një qëndrim indiferent, fyes dhe i qëllimshëm antikulturës myzeqare u mbajt edhe nga pjestarët e klanit dhe të bandës së kriminelit ekstremist islamik(undercover) Mehmet Shehu dhe bishtat e tij, që me ndihmën e tyre zbriten nga Mallakastra, Skrapari, Tepelena, Permeti, Gjirokastra, Vlora, Himara e tjerë dhe pushtuan me forcë të gjitha postet drejtuese e komanduese në qytetet dhe rrethet e Fierit, Lushnjes, Kuçovës e tërë Myzeqenë, të cilët si të pa shpirt, pa nivel dhe analfabet që ishin e lanë në harresë që të zhdukej kjo pasuri kaq e madhe. Megjithatë prej këtyre kohëve të errëta dhe të pa shembullta terrori, dhune e diktature, nga veprimtaria krijuese  e popullit të kësaj treve kanë ngelur ende edhe sot vargje dhe strofa këngësh, që tregojnë e flasin për talentin dhe nivelin prej artisti të myzeqarit, i dalluar gjithmonë për vlerat e tij edhe në këtë fushë.

Libri “Lumi i Këngëve Myzeqare” është i ndarë në tre kapituj :

1-Këngë historike, trimërie, kurbeti dhe fetare.

2-Këngë dasme.

3-Këngë dashurie

Ky libër fillon me këngën aq tradicionale të kësaj krahine, “Hajde të dalim nga Myzeqeja” e cila këndohet vazhdimisht në çdo gëzim, festë dhe dasëm myzeqari. Kjo këngë fillimisht i është kënduar vajzës myzeqare, e cila shquhet për pamjen, bukurinë dhe elegancën e saj të rrall, që ecën tërë naze  e si një balerinë e vërtetë duke hedhur valle, ku ndër të tjera thuhet:

Hajde dalim nga Myzeqeja

Moj lule beharit’ë

Të shikojmë vajzat e reja

Moj lule beharit’ë

Por si lulet që sjell vera

Moj lule beharit’ë

Nëpër kopështe e baçera

Moj lule beharit’ë

Më vonë gjatë kohës së diktaturës komuniste, si çdo gjë tjetër edhe kësaj kënge ju dha një formë tjetër teksti, për të ngritur në art ndryshimet e mëdha që u bënë pas çlirimit të vendit në Myzeqe, ashtu siç e donte politika e asaj kohe:

Hajde dalim nga Myzeqeja

Moj lule beharit’ë

Të shikojmë tokat e reja

Moj lule beharit’ë

Ç’bukuri ka sjell pranvera

Moj lule beharit’ë

Tërë stoli fushat e gjera

Moj lule beharit’ë

Megjithatë, pamvarsisht nga ndryshimi i vogël i tekstit, kjo këngë vazhdon  të këndohet edhe sot me kënaqsi në të dyja format e saj.

Siç u përmend edhe më lart, në këtë libër janë vendosur vetëm një pjesë e këgëve myzeqare, por ky autor nuk e ka lënë punën e tij vetem me kaq, pasi ai i ka vazhduar akoma më tej perpjekjet e veta, duke dërguar për botim edhe një  libër tjetër me mbi dyqind këngë popullore myzeqare, me titullin”Këngët e Bilbilëve”, të cilat i përkasin një kohe më të herëshme të kësaj treve, ku shumë prej tyre do të botohen për herë të parë. Në këtë vellim zgjojnë mjaft interes këngët kushtuar tre kryengritjeve të mëdha antiturke myzeqare, të Pamvarsisë së Shqipërisë, ato që fshikullojnë ish bejlerët e kësaj zone(të lidhur gjithmonë ngushtë me okupatorët e huaj dhe fashizmin),  për profesorin patriot Jani Minga, këngëtarin e luftëtarin Llazi Spiro, mësuesit, priftërinjët dhe dëshmorët Spiro Saqellari e Irakli Pylli, Apolloninë, Ardenicën  e tjerë. Së shpejti do të dalë nga shtypi edhe ky libër i këtij autori.

Çdo lexues që dëshiron për ta patur në bibliotekën e tij  librin”Lumi i Këngëve Myzeqare”, mund të interesohet duke komunikuar në telefonat 011-355-4225-1473 dhe 069-224-5542 në qytetin e Tiranës.

Nga: Andy Apolloni

New York May 31,2016.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora