E premte, 29.03.2024, 07:33 AM (GMT)

Kulturë

Maku Pone: “Letra nga ferri”

E enjte, 02.06.2016, 06:56 PM


Sh.B,Nacional

Doli nga botimi libri me “letra nga ferri” me titull Dashuria plagoset.., por nuk burgoset”

i  shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj

Shtëpia Botuese“Nacionalnxori në qarkullim një vepër të re të shkrimtares Vilhelme Vranari Haxhiraj, Mjeshtre e Madhe e Penës. Vepra është e gjinisë së prozës së shkurtër dhe titullohet Dashuria plagoset.., por nuk burgoset”, ose shkurt “Letra nga ferri”. Redaktimi dhe parathënia mbajnë firmën e kritikut të mirënjohur Prof.dr. Fatmir Terziu, një penë e shquar në artin e kritikës letrare, autori veprës autoritare me titull Kritika ndryshe”, e botuar para disa vjetësh në dy vëllime. Recensionues i veprës është Maku Pone.

Me këtë vepër, shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj e ka pasuruar edhe më shumë korpusin e veprave të saj në disa gjini letrare. Ajo e ka çelur me kohë shtegun drejt zbulimit të shumë mëkateve të diktaturës së luftës së klasave në sistemin komunist, të cilën njerëzit e përjetuan me shumë dhimbje deri në atë masë, saqë edhe dashuria për jo pak syresh shërbeu si një yll që shkëlqen, por që mbeti përherë i paarritshëm.

Në librin Dashuria plagoset.., por nuk burgoset”,  do të njiheni me ëndrra të ngelura në udhëkryqet e jetës, ku edhe dashuria është viktimë e luftës së klasave…(Prof.dr.E.Ymeri)

“Dashuria plagoset, por nuk burgoset”ose“Letra nga Ferri”

Është titulli i librit të ri të shkrimtares së mirënjohur moderne Vilhelme Vrana Haxhiraj                 “Mjeshtre e Madhe e Penës.

Recensë nga Maku Pone,- Fier- 20 janar 2016

Është kënaqësi e jashtëzakonshme të lexosh “Letra nga ferri”që na i sjell  autorja e shquar e një Letërsie Ndryshe, Vilhelme Vrana Haxhiraj. Ato vijnë nga memorja e së shkuarës si një kujesë apo ripërtëritje e ndërgjegjes kombëtare të tjetërsuar, gjë që e bën lexuesin të ndalet dhe ta vendosë veten në vendin e gjithë atyre që gjatë jetës së bukur, lanë pas brenga e dhembje.

“...ne nuk jemi as të gjallë dhe as të vdekur…Kështu na quajti njëri prej nesh që...

Eh more i mjerë! Të ndriçoftë shpirti në atë jetë! Sa fjalë me mend ke thënë more i shkretë. Para se të mërgonte në botën tjetër, ai na la disa rreshta si amanet:

Të vdekur apo të gjallë?!

Ne jemi

të vdekurit e gjallë.

Përse qëndrojmë mbi tokë

vallë?

Mos...

për të kënaqur xhelatët tanë,

tek na shohin kur hiqemi zvarrë?!

Jo,

më mirë vdekjen e ëmbël mjaltë.

Sesa të na marrin shpirtin

pak e ngapak,

ndaj ...

po u jap fund dhembjeve këtë natë .”  - Ky i ri i dha fund jetës duke prerë venat e arterët e duarve dhe barkun me brisk. Dhembja e shkaktuar nga varrosja e përditshme për së gjalli, që ishte metodë në burgun e Bedenit (Kavajë) ishte më e fortë se dashuria për jetën, dashuria bashkëshortore dhe ajo prindërore. Kjo është një dëshmi se vdekja e menjëhershme është më e ëmbël se ajo e tejzgjatur.”

I vura këto pak rreshta në hyrje të recensionit për prozën e shkurtër të shkrimtares së mirënjohur moderne,Vrana –Haxhiraj, për të tërhequr vëmendjen e lexuesit se ku synon autorja të shpalosë me këtë vepër të re. Të çudit me serialin e veprave të saj madhore, ku është pikërisht thelbi i letrave nga ferri që ndesh lexuesi qysh në faqet e para,të cilat të gllabërojnë njëra pas tjetrës deri në pikën e fundit të tyre.

Po cili është thelbi i këtyre veprave madhore që i kemi pritur vit pas viti, të krijuara nga njëra prej penave më të fuqishme të letërsisë mbarëshqiptare,europiane dhe botërore? Të më fal ndokush që do të mendonte kalimthi, nëse po e zmadhoj dhe me këto nivelet e dyta. Jo, i nderuar, aspak s’po e zmadhoj. Ja ku i kemi libraritë dhe bibliotekat, le të shkelim në to e të kërkojmë cilindo, roman, novelë apo përmbledhje me tregime, pasi t’i lexojmë pa u nisur nga citimi  i autorit në kopertinë, atëherë le t’i rikthehemi emrit të Vranarit,po në kopertinë,qoftë edhe gjatë leximit e do të bindemi nga një shtysë e brendshme që na mbështet fare pa e ditur. Po, që në duar kemi vepra të përsosura që iu nënshtrohen ligjeve e ligjësive të letërsisë që do të ishte e tepërt t’i përmendim në këtë rast. Por këtë na e sqaron shkrimtarja qysh në faqet e para të romanit të sapodalë në qarkullim”Unikale”nga Sh.B.Nacional:”Jeta në tërësi me fenomenet e saj gjatë rrugëtimit të përbashkët, lindin ,zhvillohen dhe i shërbejnë të qenësishmes, ekzistenciales, asaj që jeton edhe përtej jetës fizike. Ndodh diçka e tillë që përjetëson ndodhitë, fenomenet, apo bëmat njerëzore që ngelen si trashëgimi e shekujve. Ndaj arti pamor i një artisti të daltës apo të penelit, zbulimet shkencore të studiusëve, apo veprat që lënë pas shkrimtarët, kërkojnë art, mund, djersë dhe gjak që të mbruhen e të ngelen sa më të arrira. Si pema që kërkon shërbim, edhe arti apo letërsia kanë nevojë për kujdes që të luajnë rolin e tyre hyjnor e të përjetshëm.”

Por që arti  dhe letërsia të arrijnë në nivelet e hyjnores e të përjetshmes, shkrimtarja jonë e shquar

Vranari arrin në përfundimin e qartë e të thuktë, që nisur nga përvoja shekullore dhe në veçanti e shekullit të njëzetë, ka dy lloje arti dhe letërsie:

1-janë demagogji, të nënshtruara të diktaturës e të urdhëruara nga një politikë sa e mbrapshtë e po aq e mirfilltë tekanjoze dhe

2- një art e një letërsi e re që në thelb synojnë hyjnoren dhe të përjetshmen?

Koha tashmë e ka vënë në provë qysh nga antikiteti me Homerin, tragjedianët e mëdhenjë grekë e poetët e pavdekshëm po grekë, për të arritur tek Dante Aligieri e Shekspiri, për të kaluar tek Gëte e Shiler, Pushkini e Lermontovi, Tolstoi e Çehovi e deri tek letërsia e madhe e shekullit të kaluar. Pra koha e ka vënë në pritje se kjo letërsi dhe ky art( pa numëruar gjenitë në pikturë e skulpturë, po e po në muzikë…, simfonitë e Bethovenit, Mozartit e Çajkovskit, kanë arritur atë universialitet e pavdekësi që e synuan krijuesit e tyre hyjnorë. Koha njëherazi nuk vonoi të vinte në provë edhe letërsitë dhe artet socrealiste në Shqipëri dhe në vendet e lindjes. Por edhe ato në shërbim të çdo diktature nazi-fashiste apo komuniste, të cilat tashmë kanë vdekur.

Një letërsi e re lindi e zuri të hedhë shtat këtu e 25 vite më parë me ndryshimet radikale që ndodhën pas 8 dhjetorit 1990. Një numër shkrimtarësh u zgjuan nga gjumi letargjik. Shumë poetë e prozatorë të rinj përqafuan artin dhe letërsinë diametralisht të kundërt me atë të socrealizmit, duke mos u shkëputur nga rrënjët që nisnin me De Radën e Gavril Darën, Naimin e Çajupin, Fishtën e Mjedën, Migjenin e Lasgushin, Martin Camaj e Agollin, Ali Asllanin e Fatos Arapin e të tjerë, duke mbërritur tek Vilhelme Vrana Haxhiraj.

Dhe ja si e spjegon vetë shkrimtarja këtë: “Megjithatë edhe kjo prurje e re nuk më bindëte se ishte e përsosur. Te autorët e rinj ende ekziston frika për të qenë vetvetja dhe për të thënë të vërtetën  si drita e diellit. Kjo stepje dhe pasiguri ndjehej tek gëlonte në çdo paragraf, në çdo kapitull apo nëpër të gjitha faqet e librit.  Ndaj ky vërshim letrar jo bindës kishte nevojë për një shtysë, për një vullnet dhe kurajo për të arritur një hop cilësor në krijimtarinë letrare. Gjithsesi ndikimi i prurjes së re letrare ishte pozitiv për mua. Kjo më bëri të shikoja brenda vetes, të gjeja atë anë të errët  e të panjohur dhe më pas të nxirrja në pah dhuntitë e mia letrare.” Më poshtë “Vivra”, siç e quan shpesh veten, pa dhënë shpjegime se si ajo nisi ta ngrejë piramidën e vet letrare nga romani në roman, nga poezia në poezi, me qëndrime të shpeshta  kritike ndaj admiruesve e adhuruesve të artit, të letërsisë e të kulturës të “kohës së kolerës”,siç e quan kohën e socrealizmit, në të cilën ca sharlatanë e mediokër të lëbyrtë, kurrë nuk e pranojnë të renë sfiduese. U bënë vite që ajo zgjeron perandorinë e saj krijuese, duke udhëhequr bindshëm në universin e vet, që tani mund të themi pa kurrëfarë hezitimi, është në kulmin e pushteteve të saj.

Ende pa bërë dy dekada, pa u ndalur seriali i veprave të publikura e tashmë të mirënjohura: 20 romane/ 7 libra prozë e shkurtër/ 1-libër ese-publicistikë/  3 libra me poezi/ 8 libra për fëmijë, që janë vlerësuar me mbi 20 çmime letrare  kombëtare e ndërkombëtare.  Le të ndalemi te ky vëllim që do të bjerë në duart e lexuesve, studiuesve dhe kritikës, ku disa syresh kanë dhënë mendime për vlerat e tij, pasi letërsinë e Haxhirajt e kanë në qendër të vëmendjes. Në shtratin e kësaj proze të shkurtër, por për hapësirat dhe thellësitë që hap ajo, do të ishin sa të një romani qindra faqesh. Këtu zenë vend edhe kujtimet e mbresat e pashlyeshme të lidhjes jetësore me bashkëshortin, njëherazi dhe menaxher e fotograf  i saj,lidhje që vitin e kaluar arriti deri te dasma e artë, që siç dihet festohet në pesëdhjetëvjetorin e martesës. Ja si tingëllon poezia në faqet e fundit të librit:

“Sa mall ndiej për atë çast,

kur për herë të parë…

u pamë

dhe pa dashur

“Të dua!

-shqiptuam të dy bashkë.

S’gjetëm fusha me lule,

as kurora dafine rrethuar,

as qilima Persie shtruar…

Veç vuajtje pa fund e pa anë,

Maja pengesash radhë-radhë…

gjithsesi ne të dy mbijetuam

sot belbëzojmë këto fjalë:

“Prej halleve të sfilitur,

të leqendisur,

bëmë dhe thamë,

jo gjithçka të përkryer.

Veç dy yjeve që ndriçojnë,

realitetin në sy ta shikojmë,

barasvlera më e vyer…!”

A s’ ia vlen për thesaret që koha…

na dhuroi,

të mos jemi krenar…?!

Ndaj për gjithçka kemi mall…”

Po cila është kjo vajzë e re e saporënë në pushtetin e dashurisë? Ç’pyetje! Ajo është njëra nga shoqet dhe binjake e prozës së madhe që do të shkruajë 50 vjet më vonë me emrin Vilhelme, pse jo dhe Vivra, shoqe e Nirvanës, Evës, Anës, Ermës, Beas e Rudinës, që në thelb me të njëjtin fat tragjik, edhe pse na përmenden në rastin e saj birucat e skëterrta të Spaçit, Maliqit, Bedenit të Kavajës, Shtyllasit të Fierit,  Savrës së Lushnjes. Vranari një pasardhëse e princit Gjergj Arianiti,

e përndjekur nga lufta e egër e klasave, me familje të burgosur, internuar si fis deri në vitin 1990, me profesion të mohuar, diplomim të ndaluar, do t’iu nënshtrohej vuajtjeve pafund e paanë, duke mos mundur t’ia rrëmbenin apo grabisnin veçse dashurinë, siç ndodh me personazhet femra të cituara më sipër.Të dashurit dhe ato vetë i përshkruajnë përmes letrave nga ferri.Janë ata, të vdekurit e gjallë që i shkruajnë këto letra, për të cilat autorja në fillim të librit thotë:”  Kush vallë nuk do të rrëqethej dhe nuk do të derdhte lotë të hidhur dhembjeje pas leximit të këtyre letrave, ku u jetuan sa e sa dashuri të ndaluara, ku shpresat u shuan si vesa para diellit dhe ëndrrat u vranë pa mëshirë nga xhelatët e kohës të çdo ngjyre politike,të çdo race dhe kombësie.” Dhe këtu duhet të fusim hapësira të pamata. Ky ishte fati i njerëzve kudo që ishin ngritur gulaget, për të cilët një djalë i ri do të shkruante në Rusi romanin e tij tronditës”Një ditë e Ivan Denisoviçit”. Ky ishte Aleksandër Sollzhenicini, pranë të cilit po e vë pa kurrëfarë ngurimi emrin e shkrimtares sonë të madhe, Vilhelme Vrana Haxhiraj.

Në referencat e tyre në këtë libër, ja si shprehen dy nga personalitetet e shquara në fushën e studimeve dhe kritikës moderne shqiptare,Fatmir Terziu dhe Mujo Buçpapa:Në letërsinë e saj, me idetë e mesazhet brilante dhe talentin e ndrydhur për gjysëm shekulli, përmes dramave, shkaqeve dhe shkaktarëve të tragjedive të një kombi,ajokrijoi njeriun e moshave, profesioneve dhe karaktereve të ndryshëm. E veçanta e personazheve të saj qëndron,se me delikatesë dhe sqimë femërore i ka paraqitur ata si ishin, si janë dhe si duhet të jenë, që njerëzimi të ecë në rrugën e mirësisë e të zhvillimit. Duke dalë nga kornizat e letërsisë tradicinale, kjo shkrimtare ia ka shqyer maskën fasadës së rreme të jetës, duke paraqitur realitetin e hidhur me vërtetësi. “ -Këtu do të shtoja atë që Saint-John Perse(Sen Xhon Pers) thotë për poetin Alain Bosquet(Alen Boske): “Pak njerëz të gjeneratës së tij (të saj) sjellin në ofensivën letrare me kaq shpengim e kortezi atë kurajo shpirtërore, pa të cilën nuk do të kishte ngasje e ripërtëritje në krijimtarinë letrare”- dhe me të vërtetë kështu është: Vilhelme Vrana Haxhiraj. Vivra tani është në shpalosjen totale të gjithanshme të krijimtarisë së saj. Çdo botim i saj është pjesë e mozaikut që ajo ndërton brenda e në faqet e piramidës letrare që na shpalos me aq befasi mrekulluese; krijimtaria e pasur nga vepra në vepër çimenton identitetin e saj shumëdimensional. Nga libri në libër, ja dhe tani në “Letra nga ferri”, ajo na e tregon hapur e me një fantazi të pashoqe absurditetin e një kohe që iku, kohë e kolerës që s’kishte më paradoks se paradoksalja. Ja disa rreshta të shkëputur në faqet e para të këtij libri:” Drejtësia nuk vlen për njerëzit e ndershëm, se nuk i beson njeri. Shpifja, mashtrimi, tradhtia, pabesia, spiunllëku, shumëfytyrësia, servilizmi, gënjeshtra, hipokrizia dhe... kanë zëvendësuar virtytin. Aftësia humane nuk matet më me dije e mirësi, por me ligësi dhe zotësinë për të bërë keq. Kjo ndodh se si njësi matëse aftësie intelektuale është Antivlera, e cila ka varrosur Vlerën e vërtet “.- ky është një nga letërshkruesit që i drejtohet gruas së shtrenjtë, fëmijëve e familjes. Ai i thotë njërit prej bashkëvuajtësve të qelisë, duke i zgjatur pëllëmbën e dorës:” Shikoi, shikoi gishtrinjtë e mi! A nuk janë si të tutë? Shikoi si janë! Të flashkët, të zverdhur, të mavijosur nga mungesa e oksigjenit dhe e dritës. Ty, mua dhe të gjithëve këtu apo jashtë kësaj haleje që vjen era të pëgërë, na mungon gjaku”...Më pas ai vazhdon: “Trishtohem duke vështruar këto mure të dukshëm dhe të padukshëm që më bëjnë shoqëri çdo sekondë tmerri.... Kur sjell ndërmend se nesër, fal teje, fëmijët do të jenë vetvetja, harroj se ku jam. Të betohem, nuk më bën përshtypje qelia, e cila është më e ngushtë se varri dhe më e ftohtë se vdekja...Si duket edhe vdekja bën prova me ne. Kërkon të di se sa të zotët jemi, sa do t'i rezistojmë “kolerës”, për të mbijetuar. Mendoj se mbijetesa gjendet në qenien tonë, brenda ndërgjegjes sonë, e cila e detyron arsyen të gjykojë thellë që ne të mos ia dorëzojmë shpirtin mosekzistencës” Letrat janë njëra më rrëqethëse se tjetra. Lexoni si i shkruan të dashurës një tjetër personazh: “E dashur,gjendem i varur në shtyllë, i gozhduar si Krishti, ndaj vetëm mundem të të flas nga errësira e Ferrit. Ky është një debat mes torturave të jetëvdekjes, ku duhet vetëm drejtësi. Po a ekziston drejtësia vallë? –Jo... Pasi drejtësia është e brasvlertë me lirinë e shpirtit, të cilën e vendos vetëm i virtytshmi.  Zemër, lexoi këto vargje se ndoshta të lehtësojnë.

Debat në ferr

Mes dhembjesh...

me shpirt ndër dhëmbë,

me një këmbë në varr,

Të dalim prej Ferrit mësuam.

Kërkuam t’u ngjitemi majave,

por...

pa pritur e pa kujtuar

u rrëzuam…

Baltosemi...

rrëzohemi

jo për t’u gjunjëzuar,

por...

për t’u ringritur të mësuar.

Kohën e mbrapshtë

përballuam.

Mjerime... vuajtje...

zhgënjime pafund pësuam.

E vështirë jeta...

rraskapitëse...

por e bukur, ndaj...

në dhembje e lëngatë ...

mësuam ta vlerësojmë atë

dhe mbi gjithçka ta duam!”  -Me këto vargje ku mishërohet  mbi të gjitha dashuria për jetën dhe dashuria për dashurinë, do të donim t’i vinim një pikë këtij recensioni të shkurtër.

Faleminderit Vivra për këtë vepër të mrekullueshme të letërsisë moderne, faleminderit për gjithçka që parashtron e na mëson si të bëhemi më të mirë, ne që duam ç’është njerëzore dhe humane në këtë botë!Të faleminderit!

Maku Pone- poet, dramaturg, publicist-gazetar-TV-Apollon



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora