E diele, 28.04.2024, 06:00 PM (GMT+1)

Kulturë

Armela Hysi: Stefan Martiko - “Udhëtim Biblik”

E diele, 27.09.2015, 01:44 PM


Mbi Librin “Udhëtim Biblik” dhe Poetin Stefan Martiko

Nga Armela Hysi

Për estetin Martiko poezia është mënyrë ekzistence. Ajo është filozofia dhe esenca e një qënieje sublime që jeton në shpirtin e poetit dhe ai çdo ditë e ushqen me indet e veta të rigjeneruara, të rilindura, të rikonstruktuara nga libri në libër, nga koshienca në inkoshiencë.

Poeti i nderuar me Urdhërin e Artë Naim Frashëri, një ndër më të rigjeneruarit dhe rikonstruktuarit në bërthamën e tij si poet, jo vetëm të brezit të tij, por përgjithësisht të poezisë post moderrniste shqiptare, Stefan Martiko, këtë rradhë vjen me dy botime: “Kthetrat e iluzionit” me proza të shkurtra dhe “Udhëtim Biblik” libër me poezi për të cilin desha të ndalem si një nga librat që nuk kishte si të mos më mbetej në mendje këtë vit. “Udhëtim biblik” na sjell poezinë tashmë të konsoliduar të z. Martiko ku shenjat e pikësimit janë pothuajëse në tërësi të reduktuara dhe mendimi rrjedh i urtë e i qetë brenda një udhie të përcaktuar nga poeti me stilin e tij, por me një hapësirë të pacaktuar brenda kufijëve. Thuhet se 93% të tërësisë së komunikimit të përditshëm të njerëzve nuk e përbëjnë fjalët, por mënyra e të shprehurit, intonacionet e zërit, ironia, pasthirrmat apo pasazhet e pauzat ndërmjet fjalëve, mimika, grimacat, përgjithësisht gjuha e trupit, vështrimi etj. etj. Po kështu, në komunikimin e shkruar, shenjat e pikësimit janë ato që na ndihmojnë për të perceptuar tekstin dhe kuptimin (kush nuk e mban mend anektodën e pusullës mbretërore – në klasën e parë – ku për një presje nuk dinin t'i pritej apo jo koka rebeluesit të dënuar në gijotinë; apo aludimet që bëjnë fetarët me “beso – jo – kontrollo”). Poezia është ndërkaq një organizëm i gjallë që i zhvilluar në, tashmë, shekuj; ka mbushur hapësirat e të gjitha rrymave për t'i dhënë rëndësinë primare asaj që që në zanafillë është quajtur me të drejtë perëndi: fjalës.

Perëndia e Stefan Martikos nuk ka nevojë për xheste, nuk ka lëvizje nevrike duarsh për të kërkuar shembullin më të mirë për të të kuptuar njeriu përballë që, zaten që në fillim e ka përcaktuar se e do elitar e të kualifikuar në leximin e poezisë së tij. Perëndia e Martikos nuk është zemërake dhe shpaguese, sepse është filozofike, e urtë dhe, megjithëse e shumë ditur e e pleqëruar, ka ndjeshmërinë dhe ndjesinë e një vere të vjetër. Asgjë e shtuar nuk do ta bëjë më të mirë, por do t'i hiqte diçka nga të gjitha ato aromat, përvojat, fermentimin e më pas qetësimin që kur të zbulohet të jetë e njehsuar me artin e vërtetë, me linja të vërteta klasike në gjithë risinë e saj moderrne.

Në një kumtesë nga më cilësoret për poetin Martiko, poeti Grigor Jovani konstaton me të drejtë formën konstruksionale, veçanërisht tek “Udhëtim Biblik” , për anën e jashtme të poezisë së Stefan Martikos, që është pothuajëse e njëjtë në të gjitha poezitë e librit, duke u shprehur madje epiikisht: “po të gjithë yjet e qiellit nuk janë të njëjtë, o mik”; por mua kjo njëformësi e paraqitjeve të këtyre poezive kaq të veçanta është një nga atutë e librit dhe poezisë së Martikos. E lehtë-dukshme kjo formë është qëllimi i një individualiteti origjinal stilistik që sjell poetin Martiko të arkitektonojë nga e para poezinë e tij të tanishme. Do ta ngjasoja me tabletat e koncentruara të një urtësije artistike thelbësore, por që nuk sjellin padyshim një sentencë didaktike (“largë qoftë të bëjë moral” - thoshte Draizer) sepse poezia e Martikos përshkruan, por nuk të tregon drejtimin nga duhet të shikosh, duke shembur tavanet, limitet që të të lërë të shikosh qiellin e artit të pa kufizuar dhe të përzgjedhësh ti, gjithmonë e më thellë ta njohësh atë dhe vetvetn që e pasqyron. Ky libër i falet mendjes edhe konkretisht, edhe në mënyrë të figurëshme, sepse poeti e di dhe na bënë ta kuptojmë në çdo varg sa unike është mendja e secilit për botën, përpos dhe çdo moment, dhe çdo perceptim, dhe jeta e çdonjërit. “Sa herë e shoh/ përherë për herë të parë e kam parë” thotë ai, por ka guxim dhe pyet “Po të na zhveshësh nga pushteti kush jemi” dhe të lë të lëngosh në katandisjen e unit, për t'u rimbushur me shpresën se kur është te vetja rrëmben pjesët që dikur ua kishte falur të tjerëve.

Vargu i Stefanit të rrënqeth me sa ftohtësi flet për të vërtetat ku ka “kaq pak identitet në etiketat e grisura”, ose “kaq shumë/ mundësi krijon koha për t'u besuar ende e vërteta si/ gënjeshtër” dhe sa sferike është të kesh durim: “si mëllenja ta/ mbash pesë minuta një mendim/ në një sqep dhe të bluash/ në pastë një mijë pyetje në/ atë lartësi që nuk e di ç'është/ tjetër përveç pemës.” Por dhe “gabimi fatal/ u bë e u deklaruan më shumë/ epoka se njerëz.”

 

“Udhëtim biblik” nuk ka shumë gjasa të bëhet libri më i shitur i vitit, por për mua ka një nga veçoritë më themelore që kërkon një artist nga vetvetja. Të eksplorojë shpirtin e tij dhe më pas pa mëdyshje ta hedhë në arenën e vetsakrifikimit, sepse heronjtë gjejnë rrugën e vështirë në përzgjedhjet e tyre. Qoftë edhe një dikush i vetëm, nëse e sheh këtë akt si përvojë jetësore, arti ia ka arritur qëllimit të tij sublim dhe kjo është e vërteta e ekzistencës.

 

 




(Vota: 31 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora