Kulturë
Ilir Muharremi: Jeta e artistit, e tashme e përjetshme
E diele, 09.11.2014, 06:26 PM
Jeta e artistit, në një të tashme të përjetshme
Nga Dr. Ilir Muharremi
Nuk ka një të vërtetë përveç asaj që është e vërtetë, kjo e vërtetë përcaktohet nga esenca, pastaj konkretizohet nga ekzistenca. Kjo tingëllon në të menduarit ekzistencialist veçanërisht për atë që thuhet: nuk ka dashuri të vërtetë përveç asaj që ndërtohet, dhe mundësia e dashurisë shfaqet në një dashuri. Nuk ka gjenialitet në art përveç trupëzimit të artistit në veprat e tija arti. Gjenialiteti i Racinit është në serinë e tragjedive të tij, jashtë kësaj ka vetëm një gjë, ndikimi për t’u krijuar këto tragjedi. Ekzistencialistët pohojnë se nuk ka asgjë tjetër jashtë kësaj. Por, si mund të shkruaj një tragjedi të re kur ai jashtë vetvetes nuk ka bërë gjë? Ai krijon pamjen e tij nga uni duke pranuar nga e vërteta. “Njeriu vepron në jetë, krijon pamjen e tij dhe jashtë kësaj pamje nuk ka gjë tjetër”, thotë Sartri. Ky është një mendim i tij i filluar mbrapsht. Kjo pamje ndërtohet nga realiteti, pa të cilën nuk mund të ekzistojë e as të njihet si dukje. Si mund Racini të shkruajë një tragjedi kur ai nuk e ka përjetuar këtë gjë? Si mund Van Goghu ta pikturoj “Kafenenë e natës’ pa shkel as njëherë në kafene. Si mund Albert Camus ta shkruaj “Njeriun e revoltuar’ pa qenë ndonjëherë i revoltuar? Si mund Picaso ta nxjerrë “Guernikën” pa e jetuar këtë gjë? Realja jashtë nesh ekziston aq sa ekzistojmë ne për ta kuptuar, realisht ajo është vetëm një iluzion sikurse që është edhe njeriu për të. Kontakti ndaj të dyjave krijon kërkimin e përgjegjës e cila buron nga esenca e ekzistencës dhe absolutizimi i botës. Nuk është e vetmja gjë që peshon realiteti, njeriu dhe realiteti, krijon bashkëveprim me kundërthënie për të vazhduar. Shpesh thuhet: nuk je tjetër gjë veçse jeta jote, kjo ngritë gjykimin e artistit ne veprat e tij, mirëpo mijëra gjëra ndikojnë në krijimin e atyre veprave. Le ta theksojmë Camusin e revoltuar duke krijuar distancën me veprën e tij “Njeriu i revoltuar”, ky njeri i ngritur kundër zotit të vet duke mos e mohuar si qenie, por si zotërues. Camus shpreh revoltën si ngulmim i drejtë, vlera e tij nuk mund të kuptohet nga masa e përbashkët aty ku çdonjëri gjen vlerën te çdo kush, bëhet i pakuptueshëm. A ka të drejtë? Impulsi i revoltës shpërthen si kërkesë për unitete, ngritët i shkatërruar për unitetin të cilin e sundon padrejtësia, dhe drejtësinë e kundërvë për të rregulluar mbretërinë e duhur. Camus në jetën e përditshme më shumë ka sfiduar sesa ka mohuar, kjo kryengritje dominon te “Njeriu i revoltuar”. Ai dëshiron si rob të barazohet me të zotin, paralajmëron si mirësjellje, nga polemika dhe dëshira për të fituar mbaron me kërkimin e mbretërisë. Nëse Camusi do ta fitonte pushtetin, nga i revoltuari do kalonte te i dominuari apo sundimtari.
Kritika që na bëhet si artist është jo tek pesimizmi, por një lloj ashpërsie optimiste. Ja si thotë Sartri; “Në qoftëse njerëzit kanë vërejtje për romanet tona në të cilat shkruajmë për qeniet e squllta, të dobëta, të poshtra dhe ndonjëherë sinqerisht të këqija”, nuk do të thotë se vërtetë janë ashtu, sepse në qoftëse siç ka thënë edhe Zola, atëherë do mbetemi te deklarata se janë të tillë për shkak trashëgimisë, ndikimit të mjedisit të shoqërisë. Kjo ka të vërtetë, por njerëzit do thonë: ja kështu jemi bërë, askush nuk mund të bënë asgjë. Ekzistencialisti poshtërsinë e bënë përgjegjëse ndaj vetes: “I poshtri është vetë përgjegjës për poshtërsinë e tij”. Zemra e tij nuk është e poshtër , ai është krijuar si njëri i tillë me poshtërsinë e tij nëpërmjet veprimeve. Këtu absolutizimi vijon në radhë të parë derisa kuptimësia na dërgon këtu. Nëse nuk kemi me argumente për këtë, lehtësisht e them çdo njeri është i tillë çfarë është në të vërtetë. Kjo është absolute. Absolutizmi i shtyrjes i vazhdimit vendos për gjatësinë dhe jetën e kësaj. Mendimi i kthjellët e do identiken, ngjashmërinë dhe vërtetësinë. Arti është i kundërt. Lidhja ndërmjet karakterit absolut dhe angazhimit të lirë, bënë që çdo njeri ta kuptoj veten, duke kuptuar të tjerët. ‘Kështu pra, ju jeni në gjendje të bëni gjithçka, çfarëdo qoftë!”. Nëse akuzohemi për anarki atëherë del kjo: “Ju nuk jeni në gjendje të gjykoni të tjerët, sepse nuk ka arsye të parapëlqehet një konfiguracion kundrejt një tjetri”, për të vazhduar, “Çdo gjë është arbitrare në zgjedhjen tuaj”. Zgjedhja është e mundur, ajo që nuk është e mundur është të mos zgjedhësh. Unë mund të bëjë zgjedhje, duhet ta kem parasysh, edhe nëse nuk zgjedh, përsëri zgjedh. Imponuarit mendor me të angazhuarit objektiv korrespondon dhe bashkëvepron edhe nëse nuk pëlqehet.
A ka
pyetur ndokush ndonjë herë: “Çfarë pikture ka bërë ai?”, ose “Çfarë poezie ka
shkruar?”, kuptohet shumë lehtë se nuk ekziston pikturë ose poezi e
parapërcaktuar që duhet krijuar, por piktura e krijuar rrjedh nga vetë artisti.
Vetë artisti nga absolutizimi i cili ngacmohet nga objektivja për tu
solidarizuar në bashkëveprim. Arti dhe etika tingëllojnë përbashkët, por nuk
mund të vendosim se çfarë duhet bërë , askush nuk mund të tregoj si do të jetë
piktura e së nesërmes. Gjykimi prek vetëm bërjen momentale të saj, të gjitha
planet për të asgjësohen në praninë e momentit i cili është më i vërteti si në
art ashtu edhe në jetë, sepse reciprokisht jeta shtyhet në art, dhe arti
korrigjon të shëmtuarën. Nietzsche-ja refuzonte çdo gjë morale dhe hyjnore duke
e cilësuar si shtyrje drejt shpifjes së botës dhe jetës, por ndoshta ka diç që
mund të bëjë të dojë bukurinë e kësaj të vdekshmes dhe kufizueshmës. Arti nga
artisti kështu krijon formën e një vlere e cila lartësohet në zhvillim të
përhershëm të cilën artisti e parandien duke rrëmbyer nga historia. “Nuk mund
të heqë dorë nga diçka më e madhe se unë, që është jeta ime dhe fuqia për të
krijuar”, rënkon Van Goghu. Atëherë, ai nuk është në gjendje të bëjë gjithçka
çfarëdo qoftë. Ai nuk është i tillë çfarë mendon që është duke distancuar veten
me jetën, e jeta rrjedh nga jashtë. Njeriu është i vetmi në këtë botë që
refuzon atë çfarë është. “Kafeneja e natës”, klithë nga brenda revoltën
totalitare të artistit, përmban pohimin e hapësirës ku njeriu vetëshkatërrohet,
kalon në çmenduri, dehet nga vetja dhe nga bota e jashtme. Zhgënjimi vjen nga
jashtë, por artisti bëhet i dyshimtë ndaj reales duke e refuzuar se në art
përveç refuzimit ka edhe pranim balancim të veprimit dhe bukurisë. Në këtë rast
njeriu gjen shpëtim, ikë nga e vërteta duke mos abstenuar totalisht nga ajo.
Njeriu është i kufizuar duke dal në skenë, kufizon vetveten. Nëse sipas
ekzistencialistëve konceptohet si i pakufizueshëm, shkaku nxjerr asgjënë.
“Njeriu jo vetëm është siç e koncepton veten, por është edhe vetëm ashtu siç
dëshiron te jetë pas shtytjes së tij drejt ekzistencës”. Ky mendim i
ekzistencialistëve e bënë njeriun përgjegjës për ekzistencë. Qëllimi është i
zotërimit të përgjegjësisë. Nëse ai përpiqet të ik, prapë në ikje është i
përgjegjshëm. Nëse vetëmohohet, përgjegjësia është e tij. Atëherë, bota e
jashtme përkufizohet nga e brendshmja dhe nuk ekziston së jetuari pa njeriun.
Njeriu është vetëm aprovues i asaj që është dhe që duhet të jetë, pa ndryshim.
Picasso shpreh gjenialitetin në vepra, jashtë kësaj nuk ka asgjë. Gjenialiteti
i Shekspirit qëndron te seria e tragjedive. A mund të pohojmë se Picasso kishte
mundur ta ëndërrojë një vepër tjetër, duke mos e krijuar, poashtu edhe
Shekspiri kishte shkruar një tragjedi tjetër, kur ai nuk e shkroi dot? Artistët
përfshihen në jetë duke lënë vulën, dhe kjo tingëllon si mendim i ashpër për të
tjerët që jeta e tyre nuk qe e suksesshme. Nga ana tjetër, artisti shtynë
njerëzit drejt realitetit, por pa fuqinë e ëndrrave, fantazuarit, imagjinuarit,
parashikuarit, e vërteta do vdesë në heshtje. Bota është më reale nga brenda
duke kthjelluar përkufizimin, e jashtmja harmonizohet nën kufijtë e së
brendshmes. Arti tjetërsohet me realitetin. Në art nuk ka gravitet. Forca
magnetike lëkundet, shkundet, dorëzohet para një perandori artistik. Cili është
ky perandor? Anonim, abstrakt sepse buron nga tejkalimi.