Kulturë
Ramiz Lushaj: Çështjet e arsimit të lartë shqiptar
E enjte, 06.11.2014, 08:22 PM
ÇËSHTJET E ARSIMIT TË LARTË SHQIPTAR
NË NJË LIBËR TË HAPUR TË PROF. TONIN GJURAJ
Nga Ramiz LUSHAJ - Drejtor ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike - Tiranë
1.
“Ide të sistemuara për universitetin privat dhe publik” i prof. dr. Tonin Gjuraj është një libër idesh për të cilin kanë nevojë të ditës të gjitha nivelet e shoqërisë shqiptare: drejtuesit e arsimit pan-shqiptar, stafet akademike e studentët (para)universitarë; politikbërësit e shtetit e të kombit; shoqëria civile; ata që kanë një diplomë meritore të shkollës së lartë apo duan të rrisin breza të genit të vet deri me tituj e grada shkencore.
Pse e themi këtë?
Në kushtet e sotme të një shoqërie të hapur e promovuese idesh’, ky libër i prof. dr. Tonin Gjuraj vjen në kohën e duhur, pasi në një mënyrë apo tjetër, gjithë shoqëria shqiptare tashma është përfshirë në një realitet socio-politik, herë hamendësues, herë refuzues, herë dyshues për një nga gjërat më strategjike të një vendi, siç është arsimi i lartë.
I menduar mirë, selektiv në komunikimin me lexuesin e tij e nivelin universitar, prof. dr. Tonin Gjuraj në faqet e këtij libri ka ide të qarta për të sotmen dhe të ardhmen e arsimit universitar në Shqipëri në një mënyrë të integruar. Ai konfirmon qartazi debatin për njërën nga sfidat më thelbësore dhe më strategjike për Shqipërinë pas viteve 90-të, që ka të bëjë me arsimin, veçmas universitetet dhe arsimin e lartë. Në këtë kontekst të gjerë dhe debat gjithënivelësh të vendit, mësuesia, rinia shkollore, trupat pedagogjike, trupat akademike dhe institucionet, qartësimi dhe sistemimi i ideve merr një rëndësi të madhe. Është njësoj si strategjia për të fituar një betejë.
Prof. dr. Tonin Gjuraj, personalitet i botës akademike panshqiptare, tek ky libër ka sjellë një “relacion” të qartë për çështjet dhe strategjitë e kaluara e afërt dhe e ardhmja, prirjet dhe nevojat, pengesat dhe zhvillimet universitare shqiptare. Autori ka një këndvështrim të gjerë, pasi ai njeh mirë aktualitetin dhe përvojën shqiptare, tregun e punës dhe trendin e zhvillimit, percepton drejt kahet dhe nevojat e zhvillimit, njeh mirë traditën, reformat dhe aktualitetin nëpër të cilin ka kaluar dhe gjenden universitetet më të mira të botës.
Sigurisht prof. dr. Tonin Gjuraj, rektor i Universitetit Europian të Tiranës (UET), jep shembullin e mirë se si njerëzit me kontribute e ide të qarta, me nevojën e parashikimit dhe për të ardhmen, duhet t’i kontribuojnë një momenti të tillë, pasi sfida universitare në veçanti, kërkon të ketë një gjithpërfshirje përtej gardheve politike dhe ato të interesave të vogla.
Gati në gjithë interpretimet që prof. dr. Tonin Gjuraj i ka sistemuar në dhjetë çështje të rëndësishme të këtij libri ka një vëmendje të zgjuar të tij. Ai sensibilizon me argument se zhvillimi social-ekonomik i Shqipërisë dhe i çdo vendi qoftë, kërkon dhe një nivel po të tillë dhe në universitetet dhe shkollat larta. Realisht ky është thelbi i zhvillimit të një shoqërie dhe të një vendi. Përvoja perëndimore është një argument i pakundërshtueshëm për çështje të tilla. Shqipëria në “udhëtimin” e vështirë dhe dramatik të tranzicionit jo të zakonshëm të saj, më së pari është përballur dhe vazhdon të përballet me dis’harmoninë e niveleve universitare dhe nevojës për të krijuar dhe përballuar bashkëkohësinë, jo vetëm në mjedisin, tregjet, ekonominë dhe konkurencën e brendshme, por dhe në mjedise të hapura ndërkombëtare dhe konkurrencës globale. Gjithë kësaj tabloje aktive, i shtohen çështjet dhe nevojat kulturologjike, të cilat janë pjesë e rëndësishme e “aksionit” modernizues dhe bashkëkohorë.
Ky libër i prof. dr. Tonin Gjuraj, i shkruar mjeshtërisht me një gjuhë komunikuese të admirueshme, në thelbin e vet bën aktiv çdo lexues për t’i kuptuar qartë dhe për të reaguar për jo pak çështje, që kanë të bëjnë me arsimin e lartë. Mbi të gjitha zgjon interesim bashkëkohor të madh e të lartë disaplanësh, pasi në trajtesat e tij në cdo faqe e kapitull informon realisht e shumanshmërisht tue ba sintezë e prognozë, tue sjell shembuj e fakte; shtron drejtësisht ide të hapura, të sinqerta, me vlerë e visare; ndez debate për cështje aktuale dhe strategjike të arsimit të lartë si bashkëpunimin e ngushtë mes arsimit universitarë me trendin e zhvillimit të vendit, modeli anglo-sakson për arsimin e lartë shqiptar, liria akademike, etj.
2.
E drejta
për t’u arsimuar, ka qenë një nga kërkesat dhe sakrificat kapitale, që në krye
të herës, kur u bë i njohur dokumenti më i rëndësishëm i shoqërisë njerëzore,
ai për të Drejtat e Njeriut. Madje, pavarësisht mënyrës së paraqitjes dhe
universalizimit të saj, ajo ka qenë bashkudhëtare e nevojës që njeriu ka pasur
për lirinë, sepse në një lloj kuptimi ato plotësojnë njëra-tjetrën. Eseja ma e
parë e librit të prof. dr. Tonin Gjuraj, ajo me titull: “Keqkuptime për
arsimin e lartë në Shqipëri” (f. 15-
20), “replikon” një çështje fondamentale: mbi të drejtën për t’u arsimuar në
universitet dhe në shkollat e tjera të larta të vendit. Modeli anglo-sakson,
sipas autorit, si në Shqipërinë Londineze dhe përgjithësisht në vendet e tjera
të zhvilluara të Europës dhe botës, i ka dhënë të drejtë këtij shqetësimi
aktual ndërplanetar, i cili vazhdon të jetë
Prof. dr. Tonin Gjuraj flet me shpirt shembëlltar e kompetencë realiste për një model anglo-sakson në ngritjen e nxënien e dijeve në sistemin universitar shqiptar publik e privat (kap. i dytë, f. 21-28), pasi ka përvojën e tij të vyer përgjatë kualifikimeve akademike si ato postdoktorale dhe kërkimi në St’Anthony’s College në Universitetin e Oxfordit në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, kurse kualifikimi në Universitetin Seattle në Uashington – SHBA, në kohën e kryerjes së detyrës ambasador i Shqipërisë në Izrael (2007-’09), etj. Tonin Gjuraj është një anglo-sakson i shquar i kohës shqiptare, i botës akademike, i të ardhmes. Ai është një zë që duhet dëgjuar nga të tjerët për gjithato që flet në kit’ libër pasi ka dhe një përvojë tjetër të dytë, të madhe, të cmuar, në rritje, si rektor ndërvite i Universitetit Europian të Tiranës (UET), i këtij institucioni me plot lartime e rrezatime përditësore, me risi e përvojë rrënjase, të kultivuar, konsoliduar, i certifikuar dhe ndërkombëtarisht si një institucion arsimor privat model në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Prof. dr. Tonin Gjuraj përmes një gjuhe bindëse, të aftë për të depërtuar në çështjet thelbësore me të cilat lidhet arsimi dhe zhvillimi demokratik i vendit, nivelet dhe premisat e zhvillimit, polemizon, shpjegon, interpreton, sjell referencë për nevojën e arsimimit universitarë, qartësisht duke “modeluar” dhe të drejtën për t’u arsimuar. Në Shqipëri, si e fokuson e spektron ky libër studimor, pavarësisht hapësirës së krijuar, vërehet një lloj zgjatimi, që lidhet me psikologjinë dogamtiste dhe totalitare të sistemit totalitarë, e cila shfaqet në “tautologji” të ndryshme, “hë mo se të gjithë u bënë arsimtarë”, “të gjithë u bënë ekonomistë”, “të gjithë u bënë juristë”, “s’mbeti kush të punojë në prodhim” etj lloje të kësaj “ideologjie” të prapambetur nga njëra anë, por e hidhur dhe kamufluese nga ana tjetër. Politika brenda vetëvetes ka mjaft “refrene” të tilla, cka nuk ka ndonjë pengesë për ta kuptuar. Kjo frymë lidhet me psikologjinë diferencuese të shtresave të popullsisë, të zonave urbane me ato rurale dhe kjo është absolutisht e kuptueshme. Sigurisht, në këtë “merak” të ditës shihet dukshëm një paaftësi për të kuptuar raportet dhe kushtëzimin që arsimimi masiv (i çdo niveli qoftë) ka me ritmin e zhvillimit. Kjo përbën një detyrë jo të lehtë për njerëzit e ditur, profesorët, akademikët, mësuesit dhe të tjerët që t’i afrojnë shoqërisë dije dhe argumente, sepse astenjëherë shoqëria nuk tejngopet me njerëz që mbarojnë shkollat e larta apo universitetet.
Prof. dr. Tonin Gjuraj e përvijon këtë debat, duke i afruar lexuesit një analizë të imët dhe analitike, referenciale, lehtësisht të kuptueshme, pasi gjëja më e lehtë në një rast të tillë është fakti. Fakti kuptohet nga të gjithë nivelet e shoqërisë. Autori shenjon:-“Megjithatë, vendet e Ballkanit, edhe pas hapjes së universiteteve private, vazhdojnë të kenë një përqindje më të ulët të numrit të studentëve në krahasim me vendet perëndimore. Shqipëria ka një numër edhe më të vogël, madje edhe në raport me vendet e rajonit. Për shembull, në 100 amerikanë, të paktën 42 prej tyre kanë një diplomë të shkollës së lartë, për 100 europianë, përafërsisht 32- 36 kanë një diplomë të tillë; kurse në Shqipëri më pak se 10 veta, ose 9 %, nga 100 njerëz, kanë diplomë universitare...” (fq. 17)
Tabloja është e qartë dhe leximi i saj është i rëndësishëm për të kuptuar jo vetëm atë që kërkon të thotë autori, por si është në të vërtetë realiteti në Shqipëri. Në një kontekst të gjerë, brenda kësaj statistike, pa asnjë lloj komenti, arrihet të kuptohet sa politikë agresive kërkohet për t’iu afruar sadopak vendeve të zhvilluara anglo-saksone, por dhe sa e nevojshme është të kuptohet drejt dhe të zbutet hendeku i thellë i të drejtës për tu shkolluar. Shkollimi e emancipon shoqërinë, ndërsa trendi i zhvillimit është më i lirshëm për të përparuar në të gjithë drejtimet.
3.
Ese e pestë: “Pse universiteti privat është efikas në projektet kërkimore?”(f. 45-52) në të vërtetë ka diçka që duhet kuptuar përtej kësaj pyetjeje. Shoqëria e lirë dhe mundësia për të shkuar pa shumë pengesa në vendet e zhvilluara, i ka dhënë të drejtë dhe njeriut të thjeshtë, i cili nuk arrin ta kapërcej abstragimin e librave ekonomik, kulturologjik dhe të llojeve të tjera, se shoqëria e zhvilluar, vendet e zhvilluara si ato anglo-saksone ma së pari janë me nivele të larta të shkollimit maksimalisht të qytetarëve të vet. Pra, nuk ka vende të zhvilluar pa arsimim universitar të zhvilluar dhe të lirë për të gjithë qytetarët e vet. Kjo nënkupton mundësinë për të gjithë.
Pa dyshuar aspak në harmoninë dhe raportin fondamental, që zhvillimi, prodhimi intensiv, teknologjia, bashkëpunimi, të punuarit në grup, konkurrenca si nevojë e progresit dhe arsimimi i mirë, liria në ambientet universitare dhe akademike, mbetet një provë e rëndësishme e vektorit të progresit në universitetet e vendit.
A janë të gatshëm për ta kuptuar mirë, për ta mbështetur arsimin e lartë në këtë marrëdhënie, - kjo është një çështje tjetër.
Diferencat dhe opinionet në një masë të konsiderueshme të shqiptarëve në dallimin “universitet publik” dhe “universitet privat” janë të dukshme. Në këto diferenca ka gjithmonë dhe një lloj kundërvënie, e cila reflekton një frymë pupuliste, se një universitet i mirë kërkon kohë të ngrihet për një arsye apo tjetër. Në librin “Ide të sistemuara...” të Prof. dr. Tonin Gjuraj ka një interpretim konciz dhe të mundshëm për ta kuptuar mirë një çështje të tillë. Autori sjell një vështrim klasifikues të universiteteve më të mira në botë, të cilët janë të tillë për shkakun se sa ato i shërbejnë shoqërisë, sa janë të lidhur me trendin e zhvillimit, sa i shërbejnë tregut të punës (i cili më së shumti është privat), sa strategjik janë për zhvillimet e të ardhmes, sa i shërbejnë shkencës dhe niveleve akademike dhe ajo më e rëndësishmja, sa profesionistë nxjerrin nga auditorët e tyre. “Për shembull, për vitin 2011 (sipas Renditjeve të njohura të Times dhe Shangai-t), nga 50 universitetet më të mira të botës, 45 prej tyre kanë formën e pronësisë publike në kuptimin anglo sakson ose pronë private dhe vetëm 5 prej tyre janë shtetërorë...” (f. 23).
Prof. dr. Tonin Gjuraj sjell një sërë faktorësh dhe arsyesh pse ndodh kjo në botën e zhvilluar. Një ndër arsyet kryesore lidhet me trendin e zhvillimit dhe progresin e shpejtë teknologjik dhe inteligjent nëpër të cilin po kalon shoqëria njerëzore. Konkurrenca në të gjithë hapësirën globale, veçmas në gjigandët teknologjik dhe në gjetjen e burimeve elitare të prodhimit, ka shtruar nevojën për të iu përgjigjur kësaj konkurrence, pra ashtu siç ndodh veçmas sistemi i arsimit të lartë anglez, në përgatitjen e specializuar. Kjo do të thotë që arsimi i lartë të ketë aftësinë të nxjerrë profesionistë bashkëkohorë.
Arsimi privat, më së shumti ndryshe atij shtetëror, ka mundësinë të jetë më afër tregjeve të hapura dhe konkurrencës në të gjithë limitet e saja për një arsye të thjeshtë, se ai është më stimulues, ka më pak burokracira, është konkurrent në vetvete, d.m.th studentët stimulohen me bursa dhe mundësi të tjera për aftësitë e tyre dhe praktika e të qenët të barabartë, ka të bëjë me aftësitë e secilit. Prof. dr. rektorant, Tonin Gjuraj, kumton: ”Një nga vlerat themelore të demokracisë është barazia në kuptimin që garantohen shanset e barabarta, të mos imponohet barazia kushteve dhe e të ardhurave, gjë që ka qenë qëllim i regjimeve komuniste dhe i shumë komuniteteve ekstreme egalitariane...” (f. 27)
Në këtë kuptim universitetet private e sigurojnë realisht lirinë dhe barazinë e studentëve sipas aftësive të tyre, madje ata i stimulojnë aftësitë me shërbime në mundësi për të vazhduar rrugën universitare në nivele të larta dhe në shpërblim financiarë me bursa sipas rezultateve. Këtë praktikë e kanë disa universitete private në Shqipëri. Ndër ta cekim për mirë dhe Universitetin Europian të Tiranës.
Një meritë tjetër e autorit, prof. dr. Tonin Gjuraj: ndonëse libri është botim i “UET Press” dhe ai veprimtaron e kontributon si rektor i UET, kurrkund nuk e merr për referencë as me fjalë apo shifra Universitetin Europian të Tiranës. Mirë ia ban, se përndryshe do ia ngushtonte disi frymëmarrjen, krahët, udhën studimit të tij të natyrës akademike. Po dicka dihet, ndjehet, lexohet mes rradhëve, kuptohet se përvoja e madhe e UET në studimet universitare e pasuniversitare për Bachelor, për Mastër Profesional e Shkencor, për Doktoraturë, si dhe përvoja e Tonin Gjurajt si rektor i UET, gjendet pa fjalë – si shembëllim nga e para tek e fundit faqe e librit të tij tejet të vecantë.
4.
Arsimi i lartë dhe universitar merr një rëndësi të caktuar jo vetëm pse ai sjell elitat, profesionet, ndërton dhe zbaton projektet strategjike të zhvillimit, jo vetëm se ai ka një akumulacion të madh dijesh që i shpërndan ato nëpër të gjithë gjeneratat, por dhe për sigurimin e të ardhmes, d.m.th. është gjeneratori që prodhon dije. Kjo duket thuktë në të dhjetë kapitujt boshtor të librit të prof. dr. Tonin Gjuraj. Kjo e përshkon krejt kit’ libër me mjaft peshë për tematikën, trajtesat, shembëllimet, idetë, vizionet e tij.
Historia e zhvillimit dhe progresit të dijeve në shoqërinë njerëzore, lidhet ngushtësisht me historitë universitare dhe progresin e tyre përmes trupave dhe individëve të vet. Pra, kërkimi shkencor merr një rëndësi të madhe, jo vetëm në memorien e një institucioni dijesh por dhe në kërkesën e zhvillimit dhe të konkurrencës. Natyrisht kjo lidhet me çështjet e barazisë dhe të drejtën për t’i bërë të dobishme dhe në shërbim aftësitë e çdo individi.
Një tregues fondamental, jo vetëm në botën anglo-saksone, por në të gjithë botën planetare është fakti se kërkimi shkencor vlerësohet parësisht. Prof. dr. Tonin Gjuraj në kit’ libër jo voluminoz po me mjaft peshë teme e trajtese analizë e vizion për aktualitetin e ardhmërinë shqiptare, argumenton se njëra prej arsyeve është ruajtja e nivelit universitar në cilësinë e punës shkencore, duke mbajtur një raport të hapur dhe aktiv me prurjet e reja dhe të qënit aktiv në zhvillimet shkencore. Ditë pas dite dhe herë pas here, shoqëria njerëzore njoftohet se në x universitet të botës, kryesisht ato amerikan, anglez apo gjerman, është zbuluar x sëmundje apo është shpikur x teknologji. Ky është një fakt i rëndësishëm për të kuptuar se universitetet janë gjeneratorë dijesh dhe qendra të zbulimit shkencor. Çështje të tilla praktikohen për të gjithë fushat e veprimtarisë njerëzore që nga prodhimi bujqësorë, industria, arsimi, kultura, fushat e veprimtarisë, psikologjia etj.
Universitetet prestigjioze në botë, sidomos ato anglo-saksone, thekson autori rektorant, Tonin Gjuraj, kanë një praktikë të suksesshme lidhur me kërkimin shkencor dhe hierarkinë akademike, e cila është shumë e rëndësishme në jetën dhe veprimtarinë e një universiteti apo arsimi të lartë. Aplikimi i konkurrencës, i projekteve ambicioze dhe të mirëmenduara, është real në ambiente universitare të hapura me diversitet mendimesh dhe argumentesh. Lidhur me një çështje të tillë universitetet private marrin një rëndësi të madhe, pasi ato aplikojnë bursa dhe donacione. Në një universitet privat, për shkakun e organizimit specifik të tij, sinjalet që vijnë nga terreni shkojnë më shpejt në rregullatorin e strategjive të zhvillimit dhe me tregun, pra ai nuk ka qëllim parësor të orientojë tregun, por ai i vjen në ndihmë atij.
Prof. dr. Tonin Gjuraj kumton: “Pjesëmarrja në projekte studimore nuk është thjeshtë angazhim apo përfshirje e stafit në një detyrë të caktuar, por një lidhje e afërt me shoqërinë, me jetën reale, me tregun e punës, ku përtej rutinës së përditshme të mësimdhënies, me anë të shembujve dhe rasteve studimore, përmirësohet më tej programi i lëndës dhe përditësohet me shembuj konkretë, duke kontribuar kështu në rritjen e të ardhurave të universiteteve dhe në përmirësimin e cilësisë së procesit mësimorë. Nëpërmjet projekteve studimore konstatohet se çfarë teorie apo aspekti teorik ka vështirësi në aplikim, apo nuk mund të aplikohet aspak në jetën e përditshme, ose çfarë është më shumë praktike, që është e dobishme për të pasuruar programe specifike, me profilet dhe nënprofilet përkatëse.” (f. 52) Pasazhi duket se e cek me rranjë e degë, me realizëm e me inteligjencë, raportin që universiteti, kërkimi shkencor në këto universitete ka me shoqërinë, prodhimin, përditësimin dhe larminë që ai afron për kërkimin shkencor. Në këtë mekanizëm dhe marrëdhënie që krijohet në mjediset e hapura universitare dhe të stimuluara për një punë të tillë, rëndësi të madhe merr aftësia për të kuptuar zhvillimin dhe liria për t’i aplikuar këto kërkime. Zakonisht universitetet private, pavarësisht traditës në krijim janë më “elegant” dhe më praktik në afrimin e profesionistit tek tregu dhe prodhimi. Në një mënyrë apo tjetër kjo ka të bëjë me një trend në kërkimet shkencore, si liri dhe gjenerator dijesh.
Libri i hapur dhe tejet i dobishëm për debatin mbi universitetet dhe arsimin e lartë “Ide të sistemuara për universitetin privat dhe publik”, i prof. dr. Tonin Gjuraj, personalitet i botës akademike, rektor i UET, ish-ambasador në Izrael, me kualifikime në Amerikë, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Itali, Norvegji, Holandë, Hungari, Poloni, etj. me plot eksperienca pune dhe në agjensitë (ndër)kombëtare, sigurisht ka sjell e përcjell në dhjetë esse-të të ndara në dhjetë kapituj dhe shumë ide të tjera të shtruara me një guxim intelektual brilant, të hapur dhe komunikues, i cili kësisoj i bën pjesë të gjitha nivelet e shoqërisë, pasi ai është i qartë, i lexueshëm, i kuptueshëm, idetë i selekton me një thjeshtësi të jashtëzakonshme, vizionet i ndrit’ me një llogjikë të admirueshme.