E hene, 09.12.2024, 01:45 PM (GMT)

Kulturë

Qazim Shehu: Naivitet fëminor

E hene, 03.11.2014, 07:22 PM


NAIVITET FËMINOR.

 

QAZIM SHEHU

 

Me hënën e re dhurata na jepte nëna,

Mbaroheshin ato kur faqet e ngrëna,

Hëna i fshihte në tjetër dëshirë,

Dhuratat mbaroheshin dhe prisnim hënën e re,

Ti sillte të tjerat .

Dhe prsinim e prisnim ato rrallë vinin,

Ne hënën shanim; si fëmijë s`e dinim,

Sa vuaje nënë, për ne,

Dhe shpesh inat  merrnim  hënën e re…

 

 

HIJESHI E JETËS

 

Hijeshi e jetës ngrihet

Mbi varfërinë.

Si kjo pemë që nuk e prekin,

Mbi greminë.

 

Të ngjitesh gjer atje

Gremina të frikëson.

Varfëria i mpreh dhëmbët

Hijeshinë tërbon…

 

 

E PARROKSHME

 

Për ty nuk shkrova poezi,

Poezi ishe ti vetë.

E parrokshme si çdo fjalë që nuk bindet,

Të mbillet mbi fletë.

Ndërsa vuaja për ty ,për fjalën vuaja,

Për formën e përsosur që të shprehej për ty,

Fjalë nga të mëdhenjtë huazova

Dhe  kurrë nuk u bëmë dy…

 

 

MJEGULLA

 

Që të mbushet vetja duhet një tjetër,

Një fytyrë, një fjalë prej teje,

Nëse nuk i bindemi ligjit të vjetër,

I bie ta mbushim me mjegull.

Kur mjegulla të ikë me siguri do vish

Të shohësh humnerën e thellë,

Do rrish mbi ta a nuk do rrish,

Këtë s`e di  ,

Ashtu si mjegulla se di ç`fytyrë tjetër mund të ketë…

 

 

MBIJETESË

 

Dridhej vaj i kandilit, në fije të jetës,

Kërkonim dritë.

Dhe kur fija bëhej tra ,prej gurit kërkonim vaj,

T`ia hidhnim kandilit.

Çelte manushaja nën ferrat e verbta,

Dhe fyejt e barit  e këndonin largimit të dimrit…

 

 

KULLA

 

Kur e preku kohën e vet

Plumbi shenjtëronte gjakmarrjet.

Tani,e lodhur hesht,

Përpëlit frëngjitë si sy luani, plagosur.

Në madhështi veremosur.

 

 

KULT

 

Këngëtaret,format nudo,sheshet, skutat,

meritojnë një kult.

Ministrat ,gjithashtu,levendët, biznesmenët,

Që plumbin s`e llogarisin,

Një kult meritojnë.

Po për njeriun e thjeshtë një kult nuk ka.

Mbi shpinë ai  mban kultet,

Si dru i plakur kërpudhat mba…

 

 

TISHTIM I VOGËL

 

Kjo grua ua kalon portreteve të Rafaelit,

Madonë është ajo që hedh këmbët në rrezik,

Edhe pse është shenjtëruar si hënë prej diellit,

Asnjë mit bukurie nuk e ngre, asnjë mit.

Për gjithë trishtimet që mbolli rrugës,

Si lule që nuk u panë,

Para saj ngjyrat zhduken,

Gardh bëhen penelat dhe ngjyrat  u shplanë…

 

 

SHPËTIMI

 

Ndjenjat e arratisura i kap përmbys,

Si i trullosur prej yre i ngjas një të vrari,

Është një lojë,që ato të kthehen pa paragjykim,

Midis të gjallëve do t`i kap i pari…

 

 

MALËSI

 

Në lakuriqësi gjelbërimi,kodra ,brigje, gërxhe,

Enumeracion naimjan.

Shtëpi të shpërndara, një në kodër,tjetra në luginë,

Ç`jetë individuale ,të lirë,shok me vetminë,

Mbajte, o malësori im mbi shpinë?

 

 

DIKUR

 

Pjata e drujtë  në hapësirën e urisë digjet

Diellit të shpresës.

Atëhere kur luga përplasej bisht peshku në zall,

Nga skamja duhej të dënesje,

Motet ndryshuan, tani ajo si saç pjek kujtimet,

Me zjarrin e pasurisë vënë më vonë.

Kujtimet digjen nga zjarr i tepërt

Dhe të uritur mbesim ,pa to…

 

 

HAPAT

 

Sjellë ndërmend një rrugë,ku më nuk ec,

ato hapa ku ndoqa një drenushë,

Petale ranë  në një zjarr pa zë.

S`besoj zjarri t`i ketë djegur ,edhe pse s`ndodh lulja

Zjarrit t`i shpëtojë.

Ato lule të vedha ndezën atë zjarr

Me mallin për një drenushë,

Hijet e hapave bien si pllanga hijesh mbi hirin e prushtë…

 

 

NGURTËSIM

 

Për ty e mora detin në sy,

Kur deti brenda teje ngrinte tallazë,

Kur u ktheva s`të pashë më aty,

Deti prej teje s`kish mundur asgjë të zbrazë..

 

 

FALAS

 

Një këngë zogu ngazëllen në ajër.

Falas për ne.

Përveç asaj,

Gjë tjetër falas nuk ke…

 


THURIMË

 

Thuret e çthuret botë mëkatare,

Në ëndje të mëdha,

Nga krahu i majtë zemra del fare,

Strehohet në të djathtën për bela.

 

Një zgollë në të majtën lë,

Nga krahu tjetër e sodit dhe qan për të…

 

 

HORIZONTTI

 

Baba im mendjemprehtë,

Shtyu horizontet vija vija,

Ngaqë përtej s`ia doli vetë,

Kujtoi se unë do t`ia arrija.

 

Paska qenë e vështirë, baba,

Ndonëse sa e dobishme,

Kur i shtyj edhe unë fëmijtë ca nga ca,

Me nxitjen tënde të fisme…

 


DUKE PËRCJELLË KOHËN


Përcjell kohën si një njeri

Që ikën e s`vjen më.

Mbart një trishtim të ri,

As e zhbëj,as e lë.

 

Përcjell kohën si një sizmikë,

Pa ditur kur do ndodhë,

I mas kalimthi aritmitë,

Në pasion të ftohtë.

 

Duke e përcjellë..me të,

Mbushem sa herë me kohë.

Ajo s`dihet kur të jep zë,

Të mbulon me diell shi…a llohë…

 

 

MOSBESIMI

 

Pranë përroit në shelgjishte

Barin vështroj,

Guacka fjalësh të buta

Hedh mbi ujë.

Këtu ndoqa një shamibardhë

Që hapej mbyllej,xixëllonjë.

Ajo s`më deshi kurrë,

Vrapoi tek tjetri.

Unë tani pyes këtë ujë,

Indiferent i përjetshëm…

 

 

TË GJITHA KËTO

 

Gjithë këto ngarkesa të ditës…

Këto nerva pafund.

Për çfarë të etiketuan tinëz,

Vagabondët e paturp.

Këto dështime të sosura

Në një gotë raki

Me rrugë të pluhurosura

Tym

Në një tubë gri.

Befas ndizet një shkëndijë,

Shpëthej unë, shpërthen ti,

Pakuptuar.

Si dielli në shtërngatë;

Prej së cilës dalim të lodhur,

Por…më të qëruar…

 

 

NJERI PYLLI

 

Ata që thonë njeri pylli

Le të shohin duart e mia si gjethe,

Lastarët e krahëve

Flokët fije bari.

Vështrimet e gjelbra,

Rrënjët e hapave

Në drurë krenarie.

Ballin e përndezur

Në aroma freskie.

Të gjitha këto

Në xhunglën e tyre pa pyll

Nuk i fus…

 

 

PARA ESENINIT NË STRUGË..

 

Poet brilant,kaçurrel në ajër,

Stepat braktise ,erdhe në Strugë,

Ngazëllohet bronxi jot prej valëve

Të Drinit, përdredhur në drugë.

 

Vrapin e stepave,kalin bredharak,

Ti s`mund ta sillje këtu,

Drini ende kullon gjak,

Me vijën e kufirit vënë kuturu.

 

A mund ta thuash këtë të vërtetë,

I ëmbël siç je,mik,

Thellon Drini një legjendë,

Ngrihet në ajër e prapë ik.

 

Poet i lirikës bredharake

I mështeknës shkulmuese,

Jo çdo ndarje quhet e plakur,

Sado të ketë makiazhe ruse.

 

Dhe ti nuk flet ,s`ka sesi,

Një mendim seç më trondit,

Asnjë poet sllav s`kërkoi liri,

Për popujt që sllavizmi mbyt…

 

 

MË DUKET

 

Gjer s`ishim njohur ishim kaq të mirë,

Sejcili në botë të vet me një dëshirë

Budallaqe ,që nuk vret.

 

Por ti erdhe nga një skaj i planetit si re,

Unë nga skaji tjetër vija.

Dhe u takuam sikur të qe

Ajo që duhej të ishte më e mira.

 

Vendi më i bukur ai duhej të ishte

Një vend plot dritë e me diell,

Ku nisëm njohjen me lutje perëndishë,

Më pas e hodhëm çantë në shpinë.

 

Udhëtimeve.Njëri drejt tjetrit duke shkuar,

Sikur kurrë mos qemë takuar.

Po ne u takuam diku, më duket në tokë

Dhe toka blerimet sa herë ka ndërruar…

 

 

SHIGJETA

 

Nëse shigjeta e Vilhelm Telit,

Do zgjidhte padrejtësitë

Të gjitha shigjetat do mprihja

Me limë.

Për të vërshëllyer majë mprehta

Drejt qeseve me helm ,festave tinzare.

Pastaj shigjetën e Vilhelm Telit

Do ia falja për një rreze më shumë,

Diellit….



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora