Kulturë » Berisha
Berisha: “Vjeshta Letrare e Gjilanit” - Prend Buzhala
E hene, 03.11.2014, 09:00 PM
Nga manifestimi “Vjeshta Letrare e Gjilanit” të Ars Klubit “Beqir Musliu” në Gjilan, kushtuar krijimtarisë letrare të shkrimtarit, Prend Buzhala, nga Klina
PESHA E TRAJTIMIT TË JETËS DHE HISTORISË PËRMES FJALËS DHE MENDIMIT FILOZOFIK
(Disa veçori të veprimtarisë krijuese të shkrimtarit të të gjitha fushave, Prend Buzhala)
NGA SEJDI BERISHA
Për të folur për shkrimtarin dhe publicistin, kritikun dhe njohësin e lëruesin e mirëfilltë të rrjedhave letrare dhe historiografike, Prend Buzhalën, kujtoj se kësaj radhe nuk ka edhe aq shumë nevojë për të vënë në spikamë biografinë e tij, sepse, ajo na është e njohur të gjithëve. Ai u lind në vitin 1951 në fshatin Çabiq të Klinës. shkollën fillore e mbaroi në Ujëmirë, ndërsa gjimnazin në Klinë. Pastaj, ka mbaruar studimet në Fakultetin Filozofik – dega e gjuhës dhe e letërsisë shqipe.
Pas mbarimit të shkollimit, punësohet në shkollën fillore “Luigj Gurakuqi”, përkatësisht në paralelet e ndara në Kijevë. Mirëpo, puna dhe veprimtaria e tij prej një intelektuali të përkushtuar e pengon pushtetin e atëhershëm, dhe në vitin 1982 kapet dhe burgoset nga organet e sigurimit jugosllav, me pretekstin se nuk ka dashur t’i dënojë nxënësit dhe as demonstratat e vitit 1981. Prej këtu edhe nisë, thënë kushtimisht, forca e mendjes prej intelektuali dhe prej njeriut të devotshëm prej atdhetarit, puna e të cilit vlerësohet edhe nga njerëzit që punonin për kauzën kombëtare, por, peshën intelektuale të Prend Buzhalës, e lakmonin edhe organet e pushtetit sllav.
Ai, në kushte të ndërlikuara ushtron shumë detyra në fushën arsimit, por edhe si gazetar në “Rilindja”, që ishte një dritare fundamentale për informimin e opinionit për të gjitha ngjarjet por edhe për arsimimin dhe zhvillimin e vlerave kulturore kombëtare. Sot, unë do të përpiqem të flas për disa nga karakteristikat e krijimtarisë së tij, e cila lirisht mund të them se është e veçantë.
Prend Buzhala, është krijues i veçantë dhe me një energji, e cila është përjetësuar në shumë vepra të fushave të ndryshme, që dëshmojnë peshën krijuese dhe filozofike por edhe studiuese të një shkrimtari po ashtu të veçantë dhe të një drite prej personaliteti poliedrik, i cili, rrugëtimin e shndërron në vlera dhe dokument mos harrese. Këtë konstatim e mbështet edhe opusi i veprave të tija të botuara deri me tash.
Deri me tash, ai ka botuar pesë libra me poezi, ndërsa me kritika, studime, studime monografike dhe vështrime ka botuar gjashtëmbëdhjetë vepra. Ka botuar dy romane, një vepër publicistikë historike, dhe ka përgatitur për shtyp edhe tre vepra, që kanë të bëjnë përkitazi me krijuesit, Ramadan Mehmeti, Akil Mark Koci dhe një përzgjedhje të krijuesve nga Deçani.
Dhe tani, këtë krijues të mirëfilltë e shohim në pozitën e një shkrimtari i cili deri me tash ka dëshmuar se është i përmasave gjithëkombëtare dhe jo vetëm kaq.
Pesha e mendimit poetik për shpjegimin etjes së fjalës
Këndimi poetik, shpeshherë e detyron dhe e “rëndon” mendimin për etjen e shpjegimit të fjalës dhe të mungesës së saj, midis të cilave gjëra, fshihet dhe ndrydhet koha dhe njeriu, vuan edhe krijuesi për ta shtruar atë që ndoshta njeriu edhe e di, por nuk ka mundësi për ta thënë. Andaj, fjala ngelet si memece, apo si mjet urtësie për ta mundur luftën shpirtërore, për ta ëmbëlsuar dhembjen e zemrës, e cila duket si pallat ku ngelin të ngujuara gjërat më me vlerë, ku gjurmët ngelin vetëm si shikim. Të gjitha bashkë, apo e gjithë kjo, duket si një përftim që grish e grish mendjen, nga të cilat lindin edhe veprat madhore.
Dhe, nëse fjalën e shkruar e konsiderojmë si nocion fondamental të jetës, të bërjes dhe të organizimit të saj, Prend Buzhala, në këtë aspekt, peshën dhe imagjinatën në krijimtarinë e vetë e bën detyrim të mendimit jo vetëm filozofik apo të përditshmërisë, por edhe të “debatit” me vetveten dhe me opinionin përtej stadit të të filozofuarit. Një formë e tillë krijuese, edhe sot e kësaj dite ka munguar e mungon dhe, po ashtu, nuk është shtrirë dhe as nuk është bërë sa duhet pjesë pothuaj se e domosdoshme në krijimtarinë letrare, e veçmas në poezi, në prozë por edhe në shkrime eseistike mbase edhe tek ato të karakterit qoftë historiografik dhe filozofik. Pra, ky krijues, i cili është prezent në të gjitha fushat letrare, dhe i cili lirisht mund të konsiderohet edhe si erudit i kohës së re, respektivisht, i kohës së sotme në letrat shqipe, përmes intrigimit krijues, shpie në trajtimin në një rrafsh ndoshta tjetër, të fjalës dhe të heshtjes, në mes të dritës dhe territ, të cilat komponente, në brendinë e njeriut gjithmonë kanë qëndruar e qëndrojnë edhe si ndrydhje por edhe si flakë që gjithnjë e përherë përvëlojnë, kuptohet në kohëra, periudha dhe në mënyra të ndryshme.
Këtë veçori, në mënyra të ndryshme, pothuaj se e hasim tek të gjitha veprat e Prend Buzhalës, duke filluar që nga libri i parë, “O Amë, o Amë” e deri tek ai më i ri, “Çaste lirike”. Kjo peshë të mendimit, tek secili krijues rri zvarrë në mendje për të thënë sa më shumë, për të analizuar, gjykuar, por edhe për ta shndërruar atë në formulë filozofie, e cila detyron analizimet nga shumë kënde dhe rrafshe. Ndoshta kjo që theksova kompozohet edhe me vargjet tek libri “Këpucët e rënda të lirisë”: “E pse nuk flet?/...Heshtja si valë shpirtin ta përvëlon”!
Mirëpo, nuk është vetëm kjo, sepse, shkrimtari përmes krijimtarisë së vet, na përkujton se njeriu fjalën e konsideron faktor qenësor të ndërtimit të çdo tempulli shpirtëror dhe jo vetëm shpirtëror: “...Para Fjalës rrije gatitu/Si ushtari më i mirë/Duke u përkulur para saj/Si shenjtori më i përvuajtur”!
Detyrimi i mendimit filozofik dhe fjala si faktor qenësor në krijimtari
Por, përmes “fjalës”, përmes veprave të tij, depërton thellë jo vetëm në unin dhe në mendjen e vetë, por, sikur atë e shndërron në analizë apo edhe në provokim studimi e hidhërimi, që bashkërisht nxjerrin e shtrojnë shumë pyetje e pak përgjigje, bile, kur ndodhin ato, janë, apo edhe duken të luhatshme:“E, pse të flasësh/Përnjëmend/Kur gjithçka tënden ta mohojnë”.
Një qasje e tillë na bën për të kuptuar, se shkrimtari ka zgjedhur por edhe vetë e ka një shtrirje të gjerë të ravijëzimeve të jetës dhe të periudhave e ngjarjeve kohore që i ngjajnë edhe hidhërimit, edhe pezmatimit, por edhe lumturisë. Sepse, ai, mbase edhe njeriu, edhe përkundër të gjitha sfidave dhe të papriturave di ta shoshitë, ta kuptojë dhe ta organizojë rrugëtimin.
Shkrimtari, Prend Buzhala, ka një prirje të veçantë filozofike edhe kur shkruan, edhe kur bën analiza, por, edhe kur ndijimin shpirtëror e kthen në varg, në mendim filozofik, në analizë apo edhe në formulë dekriptive letrare. Andaj, edhe kur i analizojmë titujt e veprave, si: te poezia, “Për kë bie kambanë e re”, “Këpucët e rënda të lirisë”, pastaj tek veprat me kritika, studime, recensione, studime monografike, “Metafora e vendlindjes”, “Odeoni i fjalës”, “Muza e kujtesës”, “Res publika e shkrimtarit” etj., pastaj tek romani “Moisiu fluturonte me Qerren e Zjarrtë” dhe në shumë vepra të tjera, sikur lënë përshtypjen ndoshta të titujve të thjeshtë dhe arkaik. Por jo. Përkundrazi, titujt e tillë, jetën dhe luftën për te, e shndërrojnë në shpjegim, sjellje në mendje të shlyerën, të harruarën e të paharruarën, të cilat, së bashku na bëjnë që “detyrimisht” t’i përvishemi analizës, thellimit në formulat e jetës dhe të filozofisë së saj. E krijon edhe problemin për zbërthimin e fjalës dhe të peshës së saj, të mesazhit e të metaforës. Sepse, po ashtu, sikur na sjellë ndërmend se jeta është si ecje apo si vrapim edhe maratonik. Por, jo rrallë, edhe si ecje e ngadalshme, edhe si ecje idilike, edhe e mbrapshtë, edhe tragjike e me përplasje. Kur të gjitha i “lidhë” bashkë, atëherë, këta faktorë ndërtojnë e hapin rrugë të reja, që nganjëherë pothuaj se shemben dhe prishen shpejtë. Për këtë arsye edhe njeriu nuk guxon të gabojë, ose sa më pak të bëjë gabime.
Krijuesi kudo është prezent për t’i dhënë dritë historisë, vlerave shpirtërore dhe kulturore
Duke u mbështetur në atë se historia dhe jeta e njeriut, secila në vete, janë përherë karakteristike e me plotë ngjarje, që krijuesi, gjatë krijimtarisë së tij, me “detyrimin” filozofik, na bën ta shijojmë jetën dhe lirifrymëmarrjen, për të cilat gjëra sikur na vë njëfarë lloj laku jo vetëm rreth qafe, por me te na lidhë e mbështjellë tërë trupin, në mënyrë që pastaj, secili vetë për t’u liruar e çliruar nga ai siklet, i cili, nganjëherë i ngjanë si jetës në “Pavijonin-6” të Çehovit. I ngjanë atij ambienti e asaj zymtësie, nga e cila, edhe pse me pak shpresa, njerëzit e atij mjedisi përpiqen ta lumturojnë vetveten, por edhe jetën e tyre ndoshta edhe të tërë njerëzimit, dhe atë për shumë shkaqe dhe arsye, t’ua shpjegojnë të tjerëve, botës...
Nëse i referohemi këtyre konstatimeve, si konotacion i rrjedhave letrare, krijuese dhe historike, atëherë, më të vërtetë krijuesi Prend Buzhala, deri me tash ka dëshmuar se është lërues por edhe analizues i peshës të tërë asaj që quhet jetë, rrugëtim, histori dhe peshë letrare, shkencore e filozofike, jo vetëm e kombit dhe e atdheut të tij.
Prandaj, në këtë manifestim me peshë letrare, në këtë ditë të veçantë edhe të vetë krijuesit, do të kishte edhe shumë e shumë për të folur, për këtë njeri, i cili në qytetin e tij por kudo tjetër, ka afirmuar krijimtarinë e shumë e shumë poetëve dhe shkrimtarëve, me analizat dhe recensionet e veprave. Pra, në këtë aspekt është një gamë e tërë pune e kontributi.
Dhe krejt në fund. Kujtoj se të flasësh për punën dhe veprat e krijuesve dhe shkrimtarëve të dëshmuar, shpeshherë mund të bëjmë mëkat. Mëkat, sepse, ndoshta ndonjëherë nuk ia qëllojmë saktësisht peshës dhe vlerave, të cilat nuk kanë fund as mbyllje të mendimit shpirtëror dhe letrar e filozofik.
I tillë, sot është edhe krijuesi, z. Prend Buzhala, i cili i ngjanë një pelegrini, që thuajse kudo është prezent për t’i dhënë dritë historisë, vlerave shpirtërore dhe kulturore, mendimit gjithëpërfshirës filozofik. E, kështu, për t’i dhënë vulë e vend meritor vlerave të njeriut dhe tokës sonë, të cilat ende kanë nevojë për t’u ndriçuar dhe për t’u zbuluar e afirmuar jo vetëm brendapërbrenda nesh.
Shfrytëzoj rastin, që kësaj maratone letrare vjeshtore me moton “Vjeshta Letrare e Gjilanit”, që e organizon Ars Klubi “Beqir Musliu”, këtu në Gjilan, por e shtrirë gjithandej Kosovës, t’i uroj punë të mbarë dhe suksese në aktivitetin që e bën për lakmi.