E enjte, 03.10.2024, 12:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Tefik Selimi: Vepër “rrëfyer” me tingujt e zemrës

E hene, 03.11.2014, 08:36 PM


Një vepër poetike origjinale e “rrëfyer” me tingujt e zemrës…

Nga Prof. Tefik Selimi

S’ka më bukur se poezia! Ajo është kurora e dashurisë, e autori, princ i saj. Kjo tingëllon bukur. Bukur tingëllon, se ajo është këngë e zemrës, e shpirtit, por është edhe këngë zjarrmie që artikulon “gjendjen” nga brenda për dashuri, për punë a “vdekje”! Lum kush e adhuron poezinë! Ajo të rrëmben, por edhe të sjellë në botën e çudirave. E, Gorki, shkrimtar, ka shtuar: “Sa bukur tingëllon kjo fjalë”. Pse jo? Janë tingujt e zemrës! Andaj, në këtë rrugë poetike, kaherë është nisur, Qëndresa Shala, poete më e re nga Gjilani. Ajo është e lindur në vitin 1994 në fshtin Ponesh, komuna e Gjilanit. Ajo tash është studente e vitit të dytë në Degën e Arkitekturës në Universitetin UBT në Prishtinë. Shih për këtë, ajo ditë më parë botoi veprën poetike “Pritja jote jam”. Një vepër e veçantë poetike që të magjeps për artin e bukur që posedon. Ajo (poetja), në veprën në fjalë i këndon vetës. Poezitë e saja janë “ëndrra” të bukura dashurie rinie. Këtu nuk ka klithje, as filozofi, as dhembje, por ka “zhurmë” e zjarr dashurie. Vargu i saj ka shpirt të trazuar poetik. Ky varg buron lirshëm dhe “shënon” pritje të etshme... Pritjet janë të këndshme, sidomos të të rinjve. Poetja këtu i këndon dashurisë personale. Poezitë e veprës “Pritja jote jam”, janë reflektime të çiltërta vashërore, të cilat të pushtojnë me elegancën e shprehjes së bukur poetike. Vargjet e Q. Shalës  kanë gjak, por kanë edhe “aromë” dashurie. E, Nexhat Rexha, redaktor dhe krijues, duke bërë fjalë për poezinë e Qëndresë Shalës, ka thënë se, “... bota e kësaj moshe ndjen e përjeton kohën në arritje të trokitjeve të zemrës me gjallërinë e mallit që sinjalizon ardhjen”. Këtu ka simbolikë. Simbolika e trokitjeve të zemrës për mallin që pret ardhjen e një kohe “tjetër”! Ndërsa, Hasan Bunjaku, publicist dhe recensent i veprës, ka shtuar se, te poezia e Q. Shalës “...kemi të bëjmë me një autore me stil pakashumë origjinal dhe fare të mëvetësishëm, i cili konsiston në vargun e shkurtër”.  Pra, poezia e autores është një krijim spontan lirik artistik. Këtu nuk ka poezi me shumë vargje. Poetja ka kursyer vargjet dhe ato janë vetëm sa duhet shprehur ato “qaste” me pak fjalë. Andaj, këtu është bukuria e veprës poetike. Këto vargje shprehin krye-këput dashurinë e flaktë, e poetja shton: “deri te qimja e fundme e flokut/ të dashuroj”(f.5). Kjo është motoja e veprës së saj në fjalë. Janë vargje që shprehin etjen e zjarrtë të dashurisë. Zëri i saj është i ëmbël, i çiltërt, pa patetikë e pa nyansa zymtije. Janë vargjet të shkurtëra që përkojnë me qëndrimin e Lasgushit, poet yni arbëreshë, kur thotë për poezinë: “Asnjë fjalë më tepër, se ç’duhet”. Dhe, vërtet, poetja e veprës në fjalë ka hartuar vargje që me pak fjalë, thotë shumë. S’duhet asnjë fjalë me tepër, s’e që është shprehur sakt e qartë poetikisht. Pra, ajo që të bie në sy te kjo poete është fakti se, poezia e saj ka “rrëfime” të shkurtëra. Këtu nuk ka përshkrime të gjata, por ka rrëfime të botës rinore dhe të pëlqen koncentracioni poetik i saj. Autorja shprehet lehtë, përmallshëm, etshëm, por gjithnjë duke përkujtuar dikë tjetër, atë që e ëndërron çdo ditë, sepse, për te, ajo thotë qartë e zëshëm: “Pritja jote jam”! Dikush e pret, se ia dikton Pritjen...koha e mosha e re, dhe në këtë kohë bandilësh, pasojnë ëndrrat, ku mendja rri tek njëri-tjetri dhe kjo është lodhje e etshme për dashuri platonike. Poetja këndon: “Ky diell që po rrezon në mua/ je ti që mendjesh s’më hiqesh/ ditë e natë” (f.6). Në poezinë “Mungesa ime të lë pa fjalë”, të përkujton poezitë e  Lasgushit, poetit të madh arbëresh. Ja si shton autorja: “Largësia po m’i ha ditët/ E po m’i shton dëshirat/ (f.7). Për të dalë te shprehjet më të shpeshta të këtij motivi, në vepër ajo ia thotë këngës lirike intime: “Kur jam me ty/ asgjë nuk humbi/, pa ty s’mund të rri/ Zemra nuk duron”, “Ato buzë/ që nuk i shijova sa desha/. Por, ajo e do aromën e dashurisë dhe shton: “I dashur/ harresat nuk i dua/ pres të çlodhem mes buzëve tua.../ Pres me padurim/ të zgjohem në krahun tënd/ Përmes një të puthure që drithëron/. Vonesa atë e brengos, e shton plot afsh malli: “I dashur mos u vono/ e unë mall të kam/ Pritja jote jam” (f.17). Poetja zihet në vetvete se i mungon dikush, prandaj, shton: “Zemra ime/ në secilën ditë/ me ty jam/ Heshtaku im i zjarrtë/ përditë të dua më shumë/, Sot kah ti eca/ nën dirigjimin e zemrës/ Mos më lë anash/, Malli më mbyti për ty”, Fjala jote më sjell lumturi/, Ai tjetër kënd e puthë/ e mua re t’përhime/ më lëshohen mbi sy/, S’kam ç’jap tjetër/ pos dy sy të zi”. Ja si janë vargjet në poezinë: “Dhuratë zemre”: “O shpirt i ëmbël/ thellë në zemër të kam ndry”, Afromi buzët/ ta shuaj ejte”, “Mendja ime vetëm tek ky rri/ si kjo zemër/ e këta dy sy”. Por, te kjo autore vëren edhe një tërheqje zemre, sepse ka një lloj xhelozie në vete apo mësheftësi jete. Kjo xhelozi është më tepër nga dashuria e madhe e njëri-tjetërit. Ja si shton autorja: “As n’ëndërr/ s’dua të shoh me tjetërkënd (f.60). Nëse jam drita jote/ mos prit më/ mbyte xhelozinë time/ me tëndën dashuri” (f. 63). Te poezia “Vërshojnë lotët”, edhe Qëndresë Shala, ka simpati dhe i adhuron vargjet e Kadaresë, por edhe të shkrimtarëve tjerë shqiptarë. Ajo shton: “Syve t’mi vërshojnë lotët/ dhe vargjet e Kadaresë” (f. 65). Janë këto ëndrrat e saja të këndshme poetike. Ato janë “tronditje” të jetës rinore, të cilat më tepër e gëzojnë se e hidhërojnë. Pra, poezia e saj është e shkurtër dhe reflekton më tepër kah një botë ëndrrash vashërie. Janë “yrnek” për të tjerë. Me këtë vepër poetike, Q. Shala po hapëron guximshëm drejt rrugës së artit të shkruar poetik. Për moshën e saj, ajo ka dalë me një pjekuri të sigurt arti, e cila botë e saj premton më shumë në të ardhmen e krijimtarisë së pritur artistike. Këto janë këngë rinore, të kohës së saj, të cilat kanë në vete një narracion të lehtë arti. Poezia e saj është një lloj vokacioni i çiltër që shënon një prurje të këndshme në jetën krijuese. Janë këto poezi të brendshme shpirti, të cilat shprehin “qaste” që e diktojnë autoren e veprës për ta liruar nga trazirat shpirtërore poetike. Veprën e ka botuar Ars Clubi “Beqir Musliu” në Gjilan. Ka 77 poezi.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora