E shtune, 27.04.2024, 10:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Marash Hajati: Ndoshta libri “Vite befasish” do të jetë i fundit në ciklin e kujtimeve

E marte, 01.07.2008, 07:59 PM


Marash Hajati: Ndoshta libri “Vite befasish” do të jetë i fundit në ciklin e kujtimeve për punën në gazetari

Befasi nga katër kontinente në një libër

Gazetari dhe libri

Nga Albert Zholi

Hyrje

Këto ditë ka dalë në treg një libër tepër interesant “Vite befasish”, i publicistit të njohur Marash Hajati. Një libër që do të ishte mjaft i vlefshëm për çdo gazetar, për ta patur në bibliotekën e shtëpisë. Por, për të patur një ide më të qartë rreth librit, tematikës, mesazhot që ai përcjell, zhvillova këtë bisedë me z. Marash Hajati.

Zoti Marash, nisur nga ky botim juaji i fundit, “Vite befasish” që, nëse nuk gabohem, është i pesti libër në numër këto vitet e tranzicionit, a mund të na parashtroni ndonjë mendim si përvojë mes publicistit, tematikës dhe librit?

Ka në themelet e një pune shumë të gjatë në gazetari një pasion, që të ngacmon dukshëm apo heshtur për t’u bërë lexuesve, natyrisht të shtypit, një si dhuratë të përzgjedhur nga krijimtaria e tij me tematikë interesante, formë artistike gazetareske të veçantë, ku gërshetohen ngjarje, histori, kronika të kohës, dosierë e meditime, shënime udhëtimi etj.. Por ajo që vulos veçansinë e këtyre librave, është dokumentacioni, fakti, dëshmia, dëshmitari, vërtetësia e mbi të gjitha shkruar me realizëm e besueshmëri, përmes një stili përshkrues. Nga sa më ka mësuar përvoja e gazetarit kam dy mënyra për të gjetur rrugën tek libri. E para, është seleksionimi nga qindra e mijëra faqe të botuara për gjithë kohën e profesionit, që në dukje është një godinë pafundësie gjigante dyersh e dritaresh dhe nga ajo do të veçosh apo të krijosh një vilë të bukur të praruar nga drita, të zgjedhur nga mendimi, që ka brenda një copë jetë, apo ngjarje gjurmëlënëse për kohën kur ka ndodhur, por edhe emocionuese për brezat, që vijnë pas e që prej saj do të dashurohen edhe me gazetarinë. Këto lloj botimesh janë një ndihmesë me vlerë edhe për studimet në fushën e historisë, për grumbullim faktesh e ngjarjesh, për vërtetësi dëshmitarësh, sepse aty ku historia flet shkurt, thatë, gati si në formula matematike, ta zëmë për figura të shquara e personalitete në thellësinë e shekujve, për ngjarje e përmbysje revolucionare, për sundimtarët e rendet shoqërore, atje shtypi i periudhës, për të cilën bëhet fjalë, ku e ku më gjerë, më bukur, më argumentuese, ngjeshur me shumë kronika, flet në faqet e gazetave e revistave po për ato kohë, po për ato figura, po për ato ngjarje. Në këtë këndvështrim edhe studiuesit e analistët e kohëve, e ndiejnë veten si pjesëtarë të atyre bëmave të largëta. Rruga e dytë tek libri, për gazetarin është një punë më me perspektivë dhe më akumuluese me një temë të caktuar, që hulumtohet e gjurmohet për një kohë relativisht të konsiderueshme e që të jep të gjitha shanset për të realizuar diçka me vlerë. Kjo në fakt është një krijimtari e mirëfilltë gazetareske, që natyrisht, në ndryshim me letërsinë, ka në bazë faktin, kohën e ngjarjen reale, ku gazetari përmes zgjedhjes së gjinive publicistike, si reportazhi, përshkrimi, fejtoni, pamfleti, esetë, etj dhe me një stil individual  të kristalizuar në mote pune, përgatit një vepër me tematikë të caktuar, që lë gjurmë tek lexuesit.

Me siguri, këto konkluzione mbi krijimtarinë në fushën e gazetarisë, kanë në bazë përvojën tuaj, që niset ndoshta edhe nga faktet konkrete të librave, që keni botuar?

Përvojat kanë gjithmonë edhe karakter subjektiv. Megjithatë, në të përgjithshmen ato japin një kontribut me vlerë në rrafshin e këmbimit të mendimeve, saktësimit të veçorive individuale të autorit dhe këndvështrimin, që ai mendon se ka interesa për lexuesit. Në botimet e mia, gjenden libra që janë përmbledhje të përshkrimeve për “Bijtë e tokës sime”. Protagonistët, njerëz realë të kohës, janë parë edhe si personazhe, përvojë të jetës, figura të njerëzve guximtarë, që nuk i tremben vështirësive, pengesave, luftojnë për një ideal dhe bëhen qëndrestarë në shoqëri. Ja dhe diçka tjetër. Duke vlerësuar si të dobishme kohën e gjatë të punës në shtyp e Radiotelevizion, mendova se ishte interesante ta shikoje gjithë këtë punë nga “Dera e prapme e shtypit” dhe, në të vërtetë, nuk u gabova. Lexuesi e vlerësoi atë. Më tutje veç përmbledhjeve publicistike, në një libër të posaçëm, interes pati edhe monografia  “Tish Daija, i veçanti”, etj.

Me sapo shikojmë, ka qenë një rrugë e gjatë dhe mjaft produktive në krijimtari deri sa keni arritur tek “Vitet e befasisë”. Çfarë përfaqëson ky libër për ju e për lexuesin?

Ndoshta libri “Vite befasish” do të jetë i fundit në ciklin e kujtimeve për punën në gazetari. Por duke qenë i fundit, unë jam munduar dhe realisht është më i veçanti. Dhe ja pse, shpesh ideja për të mos përsëritur vetveten të çon në rrugën e kërkimit, që për hir të së vërtetës në mjaft raste të nxjerr para tryezës së krijimtarisë fakte e ngjarje, disi të lëna në një anë me shënimin sipër “Për një herë tjetër”. Duke grumbulluar e hulumtuar gjithë këtë “pasuri” të koncentruar në blloqet e shumta të shënimeve të udhëtimit në të katër kontinentet, zbulova se kisha lënë pa përmendur në shkrimet e reportazhet e shumta në vite tema interesante dhe intriguese për lexuesin. Në çfarëdo lloj udhëtimi e sidomos në botën e huaj, cilido në vetvete e sidomos gazetarët, nuk mund të rrinë pa bërë një plan të vizitave, ku do të shkojë, interesin që paraqet ai udhëtim e aq më tepër, kur je i ftuar nga kolegë, organe shtypi, përfaqësim qeverish etj. Kështu, për shembull, duke vizituar Kinën, mbajtëm shënime e shkruam shumë për atë vend gjigant me tematikë historike e ngjarje të pafund. Mirëpo nuk takuam dot atë kohë Lei Fenin, personazhin e rinisë, që bënte mrekulli. Ai ishte i pari në punë, i pari në studim, i pari në stërvitje ushtarake e kudo tjetër. Ne, edhe pse harxhuam kohë e bëmë udhëtime të gjata, personazhin nuk e gjetëm dot, herë ishte në familje larg qytetit, herë ishte në kurse në Pekin nga ku ne sapo ishim larguar etj. Ja, kjo ishte një befasi për ne, por besoj se edhe lexuesi do të më ndjekë se si unë kërkoja Lei Fenin në Kinë. Në Dar El Salam të Tanzanisë, ku përveç Shqipërisë këtu ishte vendi i dytë në botë me “Parti Pune”, personalitete politike, njerëz të kulturës, të mediave, të artit, mbetën si të shastisur, kur në një  konferencë shtypi u thamë bashkë me ambasadorin, se Shqipëria që nga 1991 ka hyrë në një rrugë tjetër politike. Dhe aty bënë pyetjen: Po, ne çfarë do bëjmë me veprat e Enver Hoxhës?! Kështu tematika e këtij libri “Vite befasish” është i tëri përshkruar nga ngjarje të papritura e krejt natyrshëm edhe të paplanifikuar, por tepër interesante e kureshtare. Ato çfarë kam përjetuar unë si autor, do ta përjetojë me siguri edhe lexuesi, kur të ndeshet papandehur me djalin “Ksamil” në Kanada, apo me drejtorin e ndërmarrjes së madhe të Ujërave të Algjerit, që kishte kryer studimet dikur në Institutin e Lartë Bujqësor në Kamëz. Nuk dua të ezauroj asgjë nga tematika e larmishme e librit, por për të ngacmuar lexuesin, them se aty do të gjeni, sesi qindra rusë pak vite pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, qëndruan orë të tëra për ta shpëtuar një mace të mbetur gjallë mbi një copë akull. Në Jemen gjeta kolegë të mi gazetarë, që ishin bërë hoxhë, apo në Zimbabve, presidenti Mukabe e përshëndeti Samitin tonë Botëror të mediave në Harare, duke dalë i mbrojtur nga mitrolozë në skenë. Në këtë libër bëjnë pjesë edhe disa tema nga jeta politike e vendit tonë për periudhën 80-90 të viteve të lëna pas. Ato janë: Pse pranoi Enver Hoxha piraterinë e televizioneve të huaja; çeshtja e vetëvrasjes së M. Shehut dhe artikullin “Në kërkim të kohës së humbur” të Ylli Popës dhe historia e botimit të tij, por që, për të ardhur keq, vetë autori tani, kaq vjet më pas, nuk thotë të vërtetën etj. Si autor kam përshtypjen, se vetë rrjedha e ngjarjeve, koncentrimi i fakteve, mënyra rapide e të treguarit dhe sinqeriteti i personazheve krijon premisat,  që lexuesi ta vlerësojë librin çka paraprakisht i falenderoj. Dua të vë në dukje edhe korrektësinë e punën dashamirëse e cilësore të shtëpisë botuese “Erik” për realizimin e librit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora