E merkure, 11.12.2024, 09:53 AM (GMT)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Teksti i dramës dhe teksti i shfaqjes teatrore

E hene, 30.06.2008, 05:28 PM


Halil Haxhosaj
Recension

Teatër – Premierë

 

TEKSTI I DRAMËS DHE TEKSTI I SHFAQJES TEATRORE

 

Nga Halil Haxhosaj

 

Azem Shkreli: “Varri i qyqes”, dramë, regjia: Zana Hoxha-Krasniqi, interpretoi Trupa e Teatrit Kombëtar të Gjakovës.

 

Më në fund, pra në fund të këtij muaji, të muajit qershor, muajit të gjashtë të viti 2008, Teatri Kombëtar i Gjakovës e realizoi premierën e tij të parë për këtë vit, gjegjësisht, për këtë sezon teatral. Dhe e vuri në skenë një dramë të shkrimtarit tonë të njohur, madje edhe modern, të letërsisë bashkëkohore shqiptare, dramën “Varri i qyqes” të Azem Shkrelit. Drama e Shkrelit edhe si vepër letrare e gjinisë së dramës shënon një kulm në letërsinë tonë. Madje, kjo dramë ka pasur disa inskenime deri me tash në disa skena të teatrove tona. Dhe gjithmonë ka shënuar suksese. Madje suksese të mëdha, që ende sot e kësaj dite mbahet në mend, siç pati shënuar edhe inskenimi i saj, në Teatrin e Prishtinës, nga Isa Qosja, në vitet e ’80-ta të shekullit të kaluar. Drama e Azem Shkrelit “Varri i qyqes” atëbotë kishte një mesazh, madje interpretim dhe porosi pak sa më të guximshme. Mbase, mu për këtë edhe ishte e suksesshme. Por, suksesi nuk qëndronte vetëm në një aspekt. Ai bashkëdyzohej me tekstin letrar, me qasjen regjisoriale, me interpretimin brilant të aktorëve, sidomos të Gjergjit nga Skënder Tafaj dhe Marisë nga Melihate Ajeti, për skenografinë dhe sidomos për kostumet. Dhe këtë dramë të Azem Shkrelit e zgjodhi për inskenim edhe Teatri Kombëtar i Gjakovës, duke ia besuar regjinë regjisores Zana Hoxha-Krasniqi.

 

Teksti letrar i dramës – teksti i adaptuar i shfaqjes

 

Në natën e premierës së shfaqjes, drama e Azem Shkrelit “Varri i qyqes” nuk u lexua besnikërisht nga regjisorja Zana Hoxha-Krasniqi. Në pllakatin dhe në katalogun e shfaqjes premierë shkruante se Zoga Çeta e kishte bërë adaptimin bashkëkohor (sic) të tekstit letrar të dramës së Shkrelit. Pra, shfaqja “Varri i qyqes” kishte një tekst tjetër, apo thënë ndryshe ishte adaptuar bashkëkohësish për këtë shfaqje. E shkrimtari Azem Shkreli i mbush tamam 11 vjet e disa ditë që kur ka vdekur dhe është varrosur në dheun e Kosovës, por jo si “varr i qyqes”. Pra, ai është shkrimtar i Letërsisë bashkëkohore shqiptare, madje duke u renditur në majat e piramidës së saj. Regjisorja Zana, e lë tekstin e dramës së Shkrelit dhe e bën shfaqje tekstin e adaptuar të Zogës, i cili kishte qëllim ta shfaqë humbjen e Gjinit, djalit të Gjergjit, luftëtar dhe i burgosur, dhe Marisë, nënës së tij, pas nëntë vjet kërkimesh dhe rropatjesh me ankthin për gjetjen e eshtrave të tij. Dhe kështu zhvillohet shtjella e rrjedhës dramatike e shfaqjes “Varri i qyqes” në natën e premierës së saj. Dhe kjo rrjedhë është e thjeshtë, e drejtpërdrejtë, pa shtresime e mbingarkime mizanskenike, madje as teprime të tjera. Shfaqja, pra shfaqja e jo drama, fillon me skenën e gjetjes së gëzhojave të fishekëve të zbrazur nga disa njerëz, që këtu janë më tepër pushtetarë të tanishëm, të cilët dikur kishin udhëhequr ekspedita ndëshkuese ushtarake gjatë një lufte. Dhe në mesin e shumë fotografive të të vrarëve e të të zhdukurve është edhe ajo e Gjinit, e cila paraqet një enigmë edhe për ta. Kjo enigmë shkakton disa dilema që në mesazhin e shfaqjes dalin paksa me konotacione të vrazhdët, si: në këtë luftë më shumë kishte vëllavrasje, eshtrat e të humburve a mbesin “varreza qyqesh”, i kujt është Gjini, a është djali i Gjergjit, etj?. Por, dramatikja e shfaqjes rrjedh kah zgjidhja e nyjës së ngjarjes. Nënë Maria, e ka të regjistruar thellë në ndërdijen e vet këtë ngjarje, e cila sa herë që i kujtohet, e maltreton, e dërmon, madje edhe e sfilit deri në maksimum. Bile, ajo trashet kur burri i saj Gjergji, i kthyer pas nëntë vjetësh prej burgu, kërkon ta dijë saktësisht ngjarjen e humbjes së djalit, Gjinit. Ai pajtohet që t’ia gjejë eshtrat. E sa herë që kujtohen këto gjëra, gjegjësisht sa herë që bisedohet për këto ngjarje në mes bashkëshortëve, në prapaskenë defilon figura e Gjinit, që është kulmi i realizimit skenik në natën e premierës së kësaj shfaqje. Dhe ngjarja e shfaqjes më në fund mbaron kur Maria rrëfen për djegien e shtëpisë bashkë me Gjinin brenda. Simbolikisht Gjergji me hedhjes e sakos së tij shënon varrin e djalit, edhe pse lë për të kuptuar se nuk e dëshiron një përfundim të këtillë. Të njëjtën gjë e bën edhe nënë Maria. Prandaj, brenda kësaj njësie kohore të shfaqjes prej më pak se 40 minutash rrjedh tërë koncepti regjisorial i Zana Hoxhës-Krasniqit në inskenimin e këtij teksti në adaptim bashkëkohor nga Zoga Çeta.

 

Rolet dhe skenografia

 

Inskenimi i një drame në teatër është punë kolektive. Aty gërshetohet teksti i dramës, koncepti e puna regjisoriale, rolet dhe interpretimi nga aktorët, skenografia, kostumet, muzika, dritat dhe efekte të tjera. Që në fillim duhet pranuar se këto elemente kanë funksionuar si një ansambël i dirigjuar mirë në shfaqjen “Varri i qyqes” të regjisores Zana Hoxha-Krasniqi.

Rolet i interpretuan: Çun Lajçi, Gjergji, Myrvete Kurtishi (Doajene e Teatrit Kombëtar, kështu shkruante në pllakatin dhe katalogun e shfaqjes), rolin e Marisë, pastaj Nimon Muçaj, Ramazan Berkani e Behar Zeneli, oficerë dhe nëpunës të tjerë, si dhe Besnik Krapi në rolin e Gjinit, por pa tekst. Çun Lajçi e Besnik Krapi ishin mysafirë bashkë me regjisoren Zana Hoxha-Krasniqi, ndërsa të tjerët aktorë të Teatrit Kombëtar të Gjakovës. Secili aktor shfaqi aftësitë e veta interpretuese varësisht prej hapësirës sa kishte personazhi i rolit të tij në shfaqje. Andaj, rolet kryesore i patën Çun Lajçi dhe Myrvete Kurtishi. Edhe njëri edhe tjetri treguan aftësitë e veta prej aktorëve të dëshmuar, por si duket kreativitetin e tyre interpretues herë-herë e pengonte, mbase, tema tepër e ndjeshme që kishte shfaqja për publikun e Gjakovës. Kështu, duke e ditur se, diku në mesin e spektatorëve në sallën universale të Pallatit të kulturës, gjendej ndonjë prind, nënë apo baba, që kishte përjetuar diçka të tillë në luftën e fundit, këta dy aktorë ndodhte të emocionoheshin herë-herë dhe të “rrëshqitnin” sado pak nga niveli i interpretimit të tyre. Mirëpo, fatmirësisht kjo gjë vërehej vetëm pak në diksion ndonjëherë, por edhe në lëvizjet në skenë. Nga përvoja e Ç. Lajçit dhe M. Kurtishit, kjo nuk zgjaste dhe, madje, as që lente gjurmë dalluese. Këtë aftësi e kanë vetëm aktorët me përvojë, por nuk mund të thuhet së këto ishin rolet më të mira interpretuar nga ata, në karrierën aktoreske edhe të njërit edhe të tjetrit, edhe pse do të mbahen në mend.

Ndërkaq, interpretimet e N. Muçajt., R. Bërkanit, B. Zenelajt dhe të B. Krapit ishin në nivelin e hapësirës së roleve të personazheve që kishin për të realizuar. 

Një anë e veçantë dhe shumë funksionale e shfaqjes “Vari i qyqes”, është skenografia e punuar nga Petrit Bakalli. Bakalli është njëri nga skenografët më të mirë të Kosovës. Skenografia e këtij mjeshtri secilën herë është më e lehtë, më figurative, më funksionale dhe më moderne. Pra, nuk është skenografi e rënduar me bagazh të një peshe të rëndë, por është një figuracion artistik që shfaqjes i jep poetikë, e pse jo e bën shumë funksionale. Hapësira e skenografisë së Bakallit shtrihej në dy dimensionet skenike: në skenë dhe prapaskenë. Të dy rrafshet kishin lidhje, por edhe pavarësi njëri prej tjetrit. Skena ishte një dhomë e zakonshme e një shtëpie të djegur në luftë dhe e meremetuar pas lufte. Dritaret e dhomës simbolikisht shfaqnin karakteristikat e dritareve të dhomave të vjetra gjakovare, por edhe grilat e dritareve të burgut, në mendimet e Gjergjit. Ky kombinim në simbiozë, funksiononte suksesshëm figurativisht. Prapaskena ishte elementi më i qëlluar dhe më i suksesshëm i shfaqjes. Këtu zhvillohej ngjarja e “kaluar” e cila defilonte në kujtesën e Marisë. Ky defilim nuk ishte artificial në skenë. Ai nuk bëhej vetëm sa për të mbuluar ndonjë efekt mizanskenik, apo tjetër, por sa herë që funksiononte shndërrohej në figurë artistike. Dallimi nga skena bëhej me një ngritje që nuk paraqiste vrazhdësi, por funksionalizohej mirë me kujtimet e personazheve kryesorë. Edhe vendosja e fotografive të të zhdukurve shfaqte përditshmërinë tonë në Gjakovën dhe Kosovën e nëntë vjetëve pas luftës. Poashtu, këtu shkriheshin dhe funksionalizoheshin mirë dhe kordinueshëm edhe dritat nga Nafi Baraku dhe efektet muzikore nga Trimor Dhomi. Edhe kostumet e punuar nga Vesa Kraja patën efektin e tyre në realizimin e konceptit regjisorial të shfaqjes në tërësi dhe të mesazhit të saj.

Dhe krejt në fund. Salla universale e Pallatit të Kulturës në Gjakovë në natën e premierës ishte gati e mbushur. Teatri Kombëtar i Gjakovës, sidomos menaxhmenti i tij, duhet ta “vejë vath në vesh” këtë gjë, nëse dëshiron ta ruajë publikun e vet, të cilit ia ka lakmi çdo teatër i qyteteve të Kosovës, e pse jo edhe më gjerë. Andaj, duhet të orientohet në zgjedhjen e teksteve letrare të dramave origjinale, por edhe të dëshmuara për repertorin e vet, e jo të merr tekste nga letërsia e huaj të disa autorëve plotësisht të panjohur për publikun e Kosovës, siç ka vepruar nganjëherë.  Me siguri se salla universale e pallatit në raste të tilla do të mbushej e stërmbushej si në kohërat e arta të këtij Teatri Kombëtar.      



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora