E marte, 10.12.2024, 11:16 PM (GMT)

Kulturë

Shkrepja parë, pastaj historia

E shtune, 28.06.2008, 03:08 PM


"Portret gruaje", Pjeter Marubi 1878- 1900
Alma Mile

Festën e 150 vjetorit të fotografisë së parë në Shqipëri e bëjnë individët. Me iniciativën e Qerim Vrionit prezantohen 70 foto historike të njohura e të panjohura

Një burrë i bëshëm me mustaqe të dendura, i veshur me fustanellë, me kobure e thikë të brez, pati fatin të mbetet i pari “model” në historinë e fotografisë shqiptare. Ishte viti 1858 kur Pjetër Marubi përjetësoi në fotografi kaçakun e njohur të asaj kohe, Hamzë Kazazin. Më tej vjen historia që bënë mjeshtërit e kohës, trima me jataganë, gra të ndrojtura, lypësa… Por fotografia e Hamzë Kazazit mbeti ajo që shënoi fillimin e historisë, histori për të cilën dikujt i ra ndër mend që në vend ta kujtojë. Iniciativa e studiuesit të fotografisë, Qerim Vrioni, sjell të hënën në Galerinë Kombëtare të Arteve konferencën “150 vjet fotografi shqiptare”.

Jo pa të drejtë Vrioni thotë se fotografia është i vetmi art për të cilin ne kemi një datëlindje të saktë, por më e rëndësishmja dhe që ia vlen për tu festuar është se e para foto shqiptare lind vetëm 19 vjet pas të parës foto në botë e vitit 1839. “Është një fushë, për të cilën ne nuk mund të ndihemi inferiorë, madje tregon për zhvillimin e jetës kulturore në Shkodër, në një kohë kur vendi ishte i pushtuar nga Perandoria Osmane”, - thotë Vrioni.

Ai do të referojë mbi historinë 150-vjeçare të fotografisë, shoqëruar me projeksionin e një serie imazhesh të autorëve më përfaqësues.

Janë rreth 70 fotografi që i përkasin kryesisht periudhës që nga fotoja e parë, deri në vitin 1944. “Sepse historia është bërë atëherë. Duhet të kalojnë vite që realizimet e mëvonshme të hyjnë në histori”.

Vrionit i janë dashur 5 muaj punë për të sistemuar materialet dhe për të zgjedhur fotot që japin një panoramë të qartë historike. Megjithatë kjo është punë e nisur prej kohësh. Shumë i ka siguruar nga revistat, botimet, trashëgimtarët e autorëve, madje ndonjë syresh është dashur edhe ta blejë nga institucione të huaja, që zotërojnë një koleksion të pasur me fotografi të artistëve me origjinë shqiptare.

Vrioni ndërton një panoramë kronologjike të zhvillimit të fotografisë duke nisur që me Pjetër Marubin, me fotografinë historike të vitit 1858, “Hamzë Kazazin” dhe me punë të tjera të dinastisë Marubi. Ai nuk e lë rastin të kujtojë që Shkodra akoma nuk e ka përjetësuar Pjetër Marubin në ndonjë emër shkolle apo rruge. Pas tij vijojnë fotografë disi më të panjohur, si Jani Zengo, prifti dardhar që realizoi foto në Korçë në vitin 1870. Nuk mund të lihet pa përmendur Kolë Idromeno, një artist kompleks, piktor, arkitekt. Po kështu korçari Kristo Shuli që ka fotografuar shkollën e parë shqipe në vitin 1899. Aty paraqitet një grup nxënësish para ndërtesës së shkollës ku dallohet edhe pllakata “Mësonjëtorja shqipe në Korçë, 1899”.

Studiuesi Vrioni veçon vëllezërit vlleho-shqiptarë Manaki, që kanë realizuar disa fotografi historike, si ato të Kongresit të Manastirit, që këtë vit marrin edhe më shumë vlerë me rastin e 100- vjetorit të ngjarjes. Po ata kanë fiksuar momentin e hyrjes së çetës shqiptare në Manastir. Nga vëllezërit Manaki projektohet të hënën dhe fotoja “Gruaja nga Këlcyra me foshnjën”, që ka fituar çmimin e parë në një konkurs në Rumani, në vitin 1906.

Më tej është Vani Burda me pllakatin e parë shqiptar (1913), një gërshetim i fotografisë, grafikës dhe poezisë, kushtuar gjashtë Dëshmorëve të Osman Çifligut.

Kësaj kohe i përkasin punët që bën mjeshtri Petro Fotografi (Dhimitri), i cili fiksoi shfaqjen e dramës “Besa” të Sami Frashërit dhe përvjetorin e parë të Pavarësisë në Vlorë. Mësohet se fotografitë e njohura me Ismail Qemalin në ballkonin e ndërtesës së Pavarësisë janë realizim i Petro Fotografit dhe nuk bëhet fjalë për momentin e ngritjes së flamurit, por për përvjetorin e parë, në vitin 1913.

Duke iu rikthyer edhe një herë Marubëve, Vrioni përmend foton e rrallë të vitit 1922 të Kel Marubit, “Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës”, e njohur si “Dorëzimi i armëve”. Për Vrionin që e ka studiuar gjatë këtë fotografi, kjo skenë nuk është rastësore, madje hyn në strategjitë e Zogut për çarmatimin e popullsisë. Jo më kot i pari që dorëzon armën është Bajraktari i Shalës (Lush Prela, plaku me veshje malësori), që do të thotë se shembullin e tij do ta ndjekë gjithë Bajraku. Kjo foto është renditur tek 500 fotografitë më të bukura në botë sipas botimit “The Photo Book”, Londër.

Fotografi tepër interesante për kohën na ofron Kristaq Sotiri, ndër punët e të cilit, Vrioni veçon “Portret gruaje” (1922).

Historisë së fotografisë nuk mund t’i mungojnë Dhimitër Mborja dhe Gjon Mili, që pavarësisht se jetuan jashtë Shqipërisë, nuk e mohuan asnjëherë prejardhjen e tyre shqiptare. Në qendrën muzeale “Douglas MacArthur” në Norfolk, janë grumbulluar rreth 45 mijë foto e diapozitiva të Mborjes, ndërsa në Japoni janë botuar dy albumë fotografikë me punët e tij. Sa për Milin, krahas punëve të tij, siç është “Nudo duke zbritur shkallët” e frymëzuar nga artisti francez Mercel Duchamp, Vrioni zotëron edhe foton e fundit të fotografit realizuar në vjeshtën e vitit 1983, një vit para vdekjes nga John Loengard. Kësaj panorame fotografike i shtohen të tjerë emra mjeshtrish, që Vrioni do t’i përmendë gjatë konferencës. Gjatë përgatitjes për këtë ngjarje, studiuesi nuk gjeti mbështetje as nga fotografë as nga politikëbërës.

Prandaj ai bën apel për më tepër vëmendje për fotografinë, më tepër investim për të ruajtur këtë copë historie. Mjafton që të kujtojmë koleksionin e Sotirit i cili ruhet në kushte fare të papërshtatshme duke u rrezikuar një histori që nëse do të lihet siç është sot, kemi për ta humbur në mënyrë të pakthyeshme.

Ia vlen të festohet datëlindja e të parës foto shqiptare e cila vjen në dritë vetëm 19 vjet pas të parës foto në botë e vitit 1839.

Në qendrën muzeale “Douglas MacArthur” në Norfolk, janë grumbulluar rreth 45 mijë foto e diapozitiva të Mborjes, ndërsa në Japoni janë botuar dy albumë fotografikë me punët e tij.

Sa për Milin, krahas punëve të tij, siç është “Nudo duke zbritur shkallët” e frymëzuar nga artisti francez Mercel Duchamp, Vrioni zotëron edhe foton e fundit të fotografit realizuar në vjeshtën e vitit 1983, një vit para vdekjes nga John Loengard.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora