E merkure, 11.12.2024, 08:02 PM (GMT)

Kulturë

Roza Anagnosti: Kam natyrë të butë për t'u marrë me politikë

E hene, 30.06.2008, 07:28 PM


Roza Anagnosti duke folur për dhunën ndaj grave
ROZA ANAGNOSTI:

KAM NATYRE TE BUTE PER T’U MARRE ME POLITIKE

Edhe pse për pak muaj aktorja e njohur Roza Anagnosti do të prekë pragun e ditëlindjes së saj të 65-të vazhdon të ketë sharmin, elegancën dhe finesën e një artisteje të madhe. E pranishme në aktivitetin e Institutit të Sociologjisë për mbështetjen e kodit të gruas në politikë ajo përfiton të japë mesazhin e saj pozitiv në mbështetje të grave dhe të flasë me ne mbi të rejat më të fundit të jetës dhe familjes së saj. Raporti me bashkëshortin, Dhimitrin me dy vajzat e saja që jetojnë jashtë si dhe për aktivitetin e saj të shumëllojshëm në Shqipëri dhe më gjerë, gjithnjë afër poezisë, aktiviteteve kulturore dhe roleve të saja të jashtëzakonshme...

Nga Arlinda Canaj

Pjesëmarrja juaj në këtë aktivitet është shumë domethënëse. Gjithnjë në mbështetje të grave?

Patjetër. Unë jam e vendosur për të mbështetur gruan. Këtë nuk e bëj thjesht se jam vetë grua por dhe unë si shumë shqiptare të tjera shpresoj që kodi gjinor që është menduar të vendoset, të jetë real. Kam shpresë se shumë shpejt do gjej aplikim dhe në parlamentin shqiptar. Kjo varet dhe nga ne. Kuptohet që burrat nuk ta lënë vendin kollaj, veçanërisht në politikë, por nëse ne do këmbëngulim mendoj se do ja arrijmë. Gratë në Shqipëri janë forcë e madhe dhe e rëndësishme. Në Shqipëri ka pak gra politikane.

Nga pozitat tuaja si i gjykoni ato?

-Nuk mund të bëj përcaktime sepse unë nuk jam politikane. Unë jam artiste. Mendoj se meshkujt politikanë janë rezistentë dhe nuk është kollaj të çash në korracën e tyre. Por kjo rezistencë nuk ndodh vetëm tek ne por dhe jashtë në vendet e zhvilluara. Gjithsesi në Shqipëri është një luftë pak më e ashpër dhe për shkak të mentalitetit maskilist.

Ju jeni një grua që keni bërë karrierë në kinema. Keni pasur propozime për t’u futur në politikë? -Po kam pasur. Disa herë. Pse nuk i keni pranuar?

-Unë jam artiste. Profesionin e kam nisur me dëshirë dhe gjithë jeta ime është lidhur me të. Duke qenë se ambienti politik është i ashpër unë vetë si strukturë nuk e gjej veten të përshtatme. Kam natyrë të butë për tu marrë me politikë.

E shihni veten larg politikës apo afër saj?

-Ne artistët jemi të lidhur me të gjitha ndryshimet që ndodhin në vendin tonë. Ne jemi të gjithë këtu. Japim kontributin tonë si qytetarë brenda shoqërisë shqiptare. Por vetëm kaq.

Ndoshta e urreni politikën për faktin se duket se e ka braktisur artin?

-Nuk mund të them se e ka braktisur, por mendoj se duhet të investoj më shumë. Mendoj se të investosh për artin dhe kulturën në një vend si Shqipëri është gjëja më e mirë, më e mrekullueshmja: një vend i bukur me një kulturë dhe gjuhë të vjetër, me artistë të mrekullueshëm. Politika nuk humbet asgjë nëse e mbështet artin, vetëm fiton.

Jeni në një aktivitet të gruas në Kinostudio. I jeni kthyer strehës suaj të vjetër. Ndjeni nostalgji?

-Sa herë që hyj në Kinostudio ndjej shumë emocion. Është një jetë e tërë e lidhur me këtë vend të bukur. Në kinemanë shqiptare gratë kanë qenë forcë e jashtëzakonshme. Ndaj dhe duke përfituar dhe nga intervista juaj dua të flas për figura të rëndësishme si Marije Logoreci sepse këtu ka nisur jetën e saj dhe pa dyshim dhe për Xhanfize Kekon që ishte regjisorja e parë shqiptare. Ajo ishte një grua që në një ambient të mbushur me burra mundi të krijonte filma të jashtëzakonshëm. Kishte një natyrë shumë të brishtë por me forcën e saj arriti të evidentohej. Ajo vërtet bëri filma me fëmijë por nuk ishin vetëm për spektatorin e vogël por dhe për spektatorin e madh. Marije Logoreci gjithashtu krijoi figura të mrekullueshme si në film dhe në art. Ato skalitën figurën e gruas shqiptare ndër vite dhe sollën një epokë të tërë në shiritin e filmit. Mendoj se gratë në kinematografinë shqiptare kanë bërë jashtëzakonisht shumë.

A ka qenë e vështirë për ju të bënit karrierë në kinema?

-Nuk është e lehtë të bësh karrierë në çdo fushë. Atëherë kishte gjëra të tjera të vështira tani janë të tjera. Atëherë ishte fillimi dhe të bëheshe artiste kishte shumë fanatizëm dhe rrethanat ishin tejet të egra. Atëherë çdo veprim i yti shoqërohej me fjalë dhe me paragjykime. Megjithatë ne jemi një popull artdashës dhe gratë në art janë vlerësuar. Duhet të dini që në kinemanë rolet e grave fillimisht i kanë bërë burrat. Sot ka shumë më tepër mundësi ka konkurrencë më të madhe dhe rregulla më të mëdha dhe mbi të gjitha prodhohet shumë pak. Atëherë kur kishe talentin ecje përpara, sot është e vështirë për tu evidentuar.

Ju ka ndihmuar për karrierën fakti që dhe bashkëshorti juaj ka qenë regjisor?

-Unë e kisha nisur vetë karrierën time. Megjithatë ka qenë dhe është një gjë e mrekullueshme të kesh një burrë artist në krah. Nuk ka gjë më të mahnitshme se të ndash me burrin tënd pasionin dhe profesionin tënd. Të kesh në shtëpi një profesor, një njeri të fortë, një mik, një të dashurin tëndin që diskuton punën,është vetëm gjë e mirë. Kjo na ka bërë të ecim të dy. Ne e kemi parë njëri tjetrin gjithnjë me sy kritik dhe i kemi pranuar me kënaqësi këshillat e njëri-tjetrit. Nëse nuk do e kishim këtë mbështetje nuk do kishim ecur kaq shumë.

Ju keni qenë ndër vajzat e para shqiptare që jeni bërë artiste. Keni pasur probleme fanatizmi?

-Unë kam qenë shkodrane dhe Shkodra ka qenë një ambient shumë dashamirës. E kam filluar aktivitetin tim që e vogël në shkollë, në shtëpinë e pionierit, në shtëpinë e kulturës dhe më pas në teatrin “Migjeni”. Tek unë artistja ka ardhur në mënyrë të natyrshme pa trauma. Jam pranuar shumë bukur nga gjithë rrethi im familjar.

Zonja Roza fëmijët tuaj jetojnë jashtë shtetit. Keni menduar ndonjëherë të largoheni nga Shqipëria?

-Unë kam shëtitur gjithë Shqipërinë. E njoh këtë vend dhe e dua si jetën. Nuk mund ta braktis kurrë. Ne kemi qenë një familje shumë e bashkuar. Edhe pse jemi marrë me filmin gjithnjë jemi alternuar me bashkëshortin për t’i ndenjur pranë vajzave dhe mendoj se arritëm të kishim sukses në formimin e tyre. Ato shkuan për të bërë studimet pasuniversitare dhe u vendosën jashtë. Unë e kam pranuar pa dhimbje këtë fakt. Ndoshta im shoq është ai që shpreson se e ardhmja e vajzave do jetë në Shqipëri.

Pas filmit “Gjoleka i biri i Abazit” çifti Anagnosti ka menduar për ndonjë film të ri?

-Ne gjithnjë mendojmë. Artisti është gjithnjë në kërkim dhe nuk ngopet kurrë me rolet që realizon. Shpresoj të bëjmë diçka të re.

KU U NJOH ME DHIMITËR ANAGNOSTIN

Duke qenë të dy të lidhur me kinemanë pa dyshim që dhe takimi i tyre fatlum do të ndodhte në një ambient filmi. U takuan për herë të parë në xhirimet e filmit “Toka jonë”. Roza ishte 19 vjeçe në kulmin e bukurisë së saj ndërkohë që Dhimitri ishte 27 vjeç. Dhimitri ishte një nga regjisorët e rinj të diplomuar në ish-Bashkimin Sovjetik, kurse ajo një nga aktoret e reja shumë të bukura dhe të talentuara. Shumë shpejt djali simpatik nga Vunoi i Vlorës u dashurua me vajzën bukuroshe nga Shkodra, dhe të dy së bashku krijuan një nga çiftet më të bukura në atë kohë. Menjëherë pas filmit janë martuar dhe u vendosën në Tiranë, në të njëjtën shtëpi ku jetojnë akoma...

Gjithnjë pranë poezisë

I ka ditët të okupuara me leximet e saja dhe pa dyshim merr pjesë aktive në shumë aktivitete artistike si dhe në evenimente të promovimit të gruas. Por thekson se e para është poezia. Lexon shpesh libra dhe mbi të gjitha vëllime poetike në shqip dhe frengjisht. Poetët e ftojnë shpesh në promovime librash ku me zërin e saj të ëmbël, korrekt, njerëzor, artistik i jep ngjyrimin e duhur poezisë e çdo lloji qoftë ajo. Poezia e mbush me emocione dhe me kënaqësi.

BIOGRAFIA

Roza Xhuxha (Anagnosti) lindi më 27 tetor 1943 në Shkodër.. E filloi karrierën në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Vetëm 20 vjeçe, hyri në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme” (1963). Një vit më pas luajti Filen në filmin “Toka jonë” (1964). Viti 1966 ishte viti i bashkëpunimit të suksesshëm me regjisorët debutues Dhimitër Anagnosti e Viktor Gjika, në filmin “Komisari i dritës”. Pas këtij filmi Roza dhe Dhimitri martohen dhe jetojnë në Tiranë. Për Rozën fillon periudha më e shkëlqyer e karrierës, me role të shumta në Teatrin Kombëtar të Tiranës dhe në kinematografi. Roza Anagnosti bëhet një aktore shumë e kërkuar nga regjisorët. Luan mbi 20 filma dhe fiton disa çmime të rëndësishme kombëtare. Çifti Anagnosti bëhet simbol i suksesit në art. Disa nga filmat më të suksesshëm janë tek “Plagë të vjetra” (1969), “Fijet që priten” ( 1976) me të cilin fitoi Medalionin e Festivalit të vitit 1977, “Mësonjëtorja” (1979) me të cilin u shpall aktorja më e mirë dhe fitoi Kupën e Festivalit më 1981. Me filmin “Rruga e lirisë” fitoi Medalionin e dytë. Filmat e tjerë janë “Ndërgjegjja” 1972, “Qyteti më i ri në botë” 1974, “Në shtëpinë tonë” 1979, “Taulanti kërkonte një motër” 1984, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” 1989. Dhe filmi i saj i fundit është “Gjoleka i biri i Abazit” 2006. Mban titullin “Artiste e merituar”.

FAMILJA E ROZËS

Roza është një amvisë e mrekullueshme. Brenda shtëpisë ajo rikthehet në një grua të zakonshme që kuron çdo detaj të shtëpisë, tavolinën dhe pa dyshim dhe ingredientët e gatimit të saj. I ka bërë me shumë dashuri të gjitha:dhe artisten, dhe bashkëshorten, nënën dhe amvisën. Jeton së bashku me regjisorin Dhimitër Anagnosti ndërkohë që dy vajzat e saja, Juna dhe Era janë vendosur jashtë Shqipërisë, Juna si pediatre në Itali ndërsa Era si juriste në SHBA. Dy vajzat janë të martuara dhe i kanë bërë me 4 nipër dhe mbesa që e mbushin plot familjen Anagnosti. Roza kur është me nipërit dhe mbesat derdh gjithë talentin e saj si gjyshe dhe artiste dhe ndoshta vetëm atëherë nuk është entuziaste për t’u marrë me aktivitete kulturore.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora