Kulturë
Myrvete & Begzad Baliu: Nomina Sunt Odiosa
E marte, 01.07.2008, 12:53 PM
NOMINA SUNT ODIOSA
Begzad Baliu
Shkruajne: Myrvete & Begzad Baliu
Emrat janë të urrejtshëm, kanë thënë latinët e mençur.
Me të drejtë!
Në traditën epistemologjike shqiptare kjo maksimë është përsëritur shpesh, është vënë në sprovë shumë herë dhe ekziston një përvojë e tërë e ndikimit të saj në një drejtim apo në një tjetër.
Sa shumë shkrimtarë, artistë e shkencë¬tarë, sa shumë publicistë e historianë janë keqku¬ptuar, sulmuar dhe anatemuar për shkak se emri i tyre është përfolur në ndonjë revistë shkencore a në ndonjë ditore. Ruana zot kur këta emra janë shënuar sipas shqiptimit të tyre në ndonjë organizatë partiake.
Sa shumë autorë tekstesh janë quajtur me nofka nga më të ulëtat, për shkak të mospërdorimit të emrave të përveçëm në diskutimet e tyre partiake, në diskutimet e tyre kulturore, shkencore e filozofike.
Sa shumë personalitete janë lënduar gjatë, për të mos thënë janë varrosur përgjithmonë, për shkak se emrat e tyre janë gjetur në fjalitë, pasueset, komentet etj., të akcilit shkrim a akcilit shkrues.
Sa shumë krijues, mendimtarë dhe artistë, duke mos përmendur emra, gjatë, për të mos thënë përjetësisht janë përvijuar padukshëm, si ngjala, nëpër institucione arsimore, kulturore, shkencore.
Jo njëherë ka ndodhur që një emër i përdorur në kontekst të një mendimi, të ketë përmbysur jo vetëm një fjali a një paragraf, por edhe një vepër të tërë.
Për shkak të një emri të pranishëm (qoftë edhe me pseudonim) më shumë apo më pak brenda një poezie, tregimi, drame a romani, shpesh ka ndodhur që libra të tërë të rikthehen në shtyp, të ribotohen për të mënjanuar emrin e padëshiruar.
Për shkak të një emri të nënshkruar qoftë edhe vetëm si anë teknike (korrektor, redaktor gjuhësor, piktor, faqosës etj.), vepra të tëra letrare, historike dhe gjuhësore, u janë nënshtruar proceseve të reja të rivlerësimit, riredaktimit dhe madje ribotimit.
Kështu, epoka të tëra historike, lëvizje të vjetra dhe të reja, vepra dhe autorë të tërë kanë kaluar nëpër këto procese të cilat nuk kanë fund.
Merruni me fenomenet, dhe më shumë se sa me fenomenet, merruni me dukuritë, na thonë miqtë, thua se fenomenet dhe dukuritë nuk i prodhojnë njerëzit, por perënditë, e perënditë janë të paprekshme, të shenjta!
Në të vërtetë ne jetojmë në kohën e perëndive, dhe shkretëtirë e pafundme na rrethon.
Shkretëtirë materiale dhe shkretëtirë kulturore njëkohësisht!
E megjithatë kemi vendosur të shkruajmë.
Të shkruajmë qoftë edhe për shkretëtirën e pafund. Duke mos pasur çka të shkruajmë për vlerat materiale dhe kulturore, ndoshta mund të hyjmë më thellë në vlerat shpirtërore të botës sonë.
Pse të mos shkruajmë.
“Luftërat e romakëve nuk ishin më të vogla se ato greke, por romakët nuk kishin krijues t’i përshkruanin ato sikur i patën grekët”, shkruante Krispi. Ata, pra grekët, në gojëtari dhe galët në artin ushtarak ishin sipëranë ndaj romakëve, prandaj bota materiale dhe shpirtërore romake (duke përfshirë këtu edhe krijimin e një gjuhe popullore, latinishtes vulgare) është kaq e zymtë. A do të kishte nevojë për shtresa të reja romane në Ballkan, sikur romakët të kishin veç Iliadës dhe Odisesë edhe teatrot e famshme ku do të shfaqeshin tragjeditë e Eskilit dhe të dëgjohej gojëtaria e Sokratit!
E megjithatë përsërisin miqtë, mos u merrni me emrat: Nomina sunt odiosa!
KAFENEJA KULTURORE
Thonë se në qytete të mëdha, bota ka shumë vende ‘të shenjta’, ku ka pirë kafen e mëngjesit, ka ngrënë drekën, apo ka pirë një gotë raki me miqtë në mbrëmje, akcili shkrimtarë, filozofë apo artistë. Prandaj, në kafenetë dhe në restorantet e botës, për t’i kujtuar ata, në vende të veçanta kanë vënë pllakate me emrat e tyre.
Për fatin tonë të keq, ne nuk kemi shenja të këtilla të kulturës kombëtare, jo vetëm pse personalitetet më të mëdha të kulturës kombëtare përgjithësisht kanë jetuar në diasporë apo koloni mërgimi, por edhe për arsye se emrat e tyre më shumë i kemi përdorur për emërtime të rrugëve a të shesheve, ndërsa ‘pllakatet’ i kemi vënë në faqet e institucioneve partiake. Për fat të keq, jo rrallë, ata që asnjëherë nuk deshën të bëhen pjesë e politikës dhe politikave të veçanta, pas vdekjes u bënë shenja emblemetike të grupeve politike dhe partiake.
E megjithatë në ndonjërën prej kafeneve tona, po që se shkon më shpesh, në mëngjes, në mesditë apo në darkë, nuk është vështirë të vësh re se si individë apo grupe të caktuara përpiqen të rikrijojnë hapësira me pamje tipike të akcilit shkrimtar shqiptar.
Prej mënyrës se si rrinë, se si ndezin edhe ndonjë cigare të rastit dhe sidomos prej mënyrës se si e mbajnë atë në buzë; prej mënyrës se si kërkojnë vetëm kafe ekspres të fortë dhe sidomos prej mënyrës se si ia shtojnë asaj edhe ndonjë gotë raki - të cilën nuk e kanë mbajtur asnjëherë në shtëpi, as për miqtë më të rrallë, - nuk është vështirë të kuptosh, se më parë, se sa me shkrimet e tyre të rralla, tepër të rralla, krijuesit e mëdhenj të kohës sonë i mëshi¬rojnë duke u përpjekur që t’i përjetësojnë me emetimet e tyre.
Prej mënyrës se si vishen dhe sidomos se si e mbajnë kollaren, prej mënyrës se si e lëvizin këmbën e djathtë mbi të majtën, prej mënyrës se si i vendosin dhe i heqin syzet, prej mënyrës se si trokasin me gishtërinj mbi tavolinë, prej mënyrës se si u buzë¬qe¬shin ish-padronëve politikë dhe shpirtërorë të tyre, prej mënyrës se si i lyejnë flokët me levantë në vend të gellit, prej parfumit që kanë hedhur në kraharor, prej alkoolit me të cilin kanë lyer fytyrën dhe prej mënyrës se si rruhen apo e rregullojnë mjekrën, nuk është vështirë të kuptosh se cilit prej shkrimtarëve, a cilit prej artistëve apo mendimtarëve iu përngjajnë.
Në të vërtetë, më parë se sa t’i emitojnë ‘shkrimtarët e mëdhenj’ ata duan të identifikohen me ta, të jenë vetë hija e tyre, bota e jashtme dhe brendshme e tyre, prandaj kjo është arsyeja pse relativizimi i artit të tyre, i tremb kaq shumë, iu dhemb kaq fort dhe reagojnë kaq papritmas.
AKTI I PARË
Kopili i eposit
Në njërën prej kafeneve kulturore të Prishtinës, këto ditë mësohet të jetë zhvilluar edhe kjo dramë:
I pari, në karrigen e përhershme, mundësisht të përhershme, sa herë që para tij nuk vjen e ulet Barbarusi, shkon e ulet Poeti i vetmisë së madhe. Pasi ulet në skaj të karriges së rendit margjinalizues të kafenesë kulturore, hap gazetën dhe fillon të shkruajë e të skicojë në margjinat e saj. Ndonëse gazetën e merr me rregull, kurrë nuk e ka kuptuar nëse e blenë për ta lexuar apo për të mbajtur shënime në margjinat e saj. Në të vërtetë, më parë se sa të shkruajë ai skicon, pastaj shkruan dhe përsëri portretizon e shkruan, apo shkruan e autoportretizon.
I dyti, zakonisht me rastësi, vjen Kopili i eposit. („Është Bali Katravella. ‘Rapsodi’ dukagjinas!” - do të thoshte Jusuf Gërvalla. Dy megahitet më të mira të tij, të përcjella edhe me ‘klip’, siç do të thoshin gazetarët e sotëm, i këndonte me dekada: Marshall Tita n’kali t’bardh’... dhe: Lum e lum për këtë Kosmet, na ka ardh’ Tita n’posetë....) Mirëpo kohët kanë ndërruar dhe kopili i eposit i është kthyer origjinës, prandaj kallëzimet e tij zakonisht i fillon me vargun emblematik, të cilin që në djep ia kanë kënduar gjysh e stërgjysh: O lum për tÿ, he ore i lumi Zot-e!
- E kanë sulmuar veprën e njërit prej shkri¬mta¬rëve tonë hyjnor. Në të vërtetë e kanë sulmuar vetë shkrimtarin…!
- Nuk e kuptojmë qëllimin e tyre të sotëm, edhe pse e dimë qëllimin e tyre të nesërm!
- Jo, jo, nuk e dimë sesinë e tyre. Kemi ditur për sjelljet e tyre, por jo edhe për shpirtin despotik të tyre!
- Nuk i kuptojmë qëllimet dhe përsenë e këtyre veprimeve pikërisht në këtë kohë, sado të sakta të jenë dëshmitë e tyre!
- Autori, që e kanë atakuar, është shkrimtar bashkëkohor, deshëm të themi shkrimtar modern, i cili ka marrë shumë prej traditës kombëtare, në të vërtetë ka marrë shumë prej epikës legjendare, prandaj vepra e tij është vepër kombëtare dhe autori i saj është shkrimtar kombëtar.
- Ai nuk i ka bërë gjë askujt, asnjëriu, më shumë pëlqente të ishte se sa të dukej i lavdishëm, dhe për çudi, sa më pak e ndiqte lavdinë, aq më shumë e fitonte atë!
- Ai ishte krijues që tërë jetën e bëri në krye¬vend, dhe pikërisht atëherë kur pritej të vdiste dhe të varrosej tamam si një aristokrat, la amanet të varrosej në margjinën e tij, në vendlindjen e tij, pranë gjyshërve e stërgjyshërve të tij…
*P.S. Veçse, dikush paska thënë pranë varrit të tij: Po e varrosim pranë personazheve të tij letrarë, sepse nuk deshi të varrosej pranë personazheve të tij historikë!
AKTI I DYTË
Nga zeja historiko-letrare e kafenesë sonë kulturore
Pamja e parë
AjniShahja përurohet HanëmShahe
Në kafenenë tonë kulturore vjen Ajnishahja. Këtu ka lindur dhe këtu po rritet. Në kafenenë tonë kulturore. Emri i saj është bërë, nëse asgjë tjetër, personazh emblematik i Poetit tonë të vetmisë së madhe. Në fillim ajo vinte për kafe të forta e të ëmbla njëkohësisht dhe prezantohej me emrin HanëmShahe, apo Shah, sikur e quante Poeti i vetmisë së madhe, sado emrin zyrtar thuhej se e kishte AjniShahe. Me emrin e saj ajo rrezatonte emër zyrtar, që identifi¬ko¬hej me një urdhër të prerë, që ishte bërë shprehje e njeriut institucion: “ish ba shah n’veti”!
Ajo shkruante, në të vërtetë më parë se sa të shkruante, ajo recitonte, madje më parë se sa të shkruante dhe të recitonte, ajo frymëzonte Poetin e vetmisë së madhe, që të shkruante vargje dhe të botonte në margjinat e gazetave margjinale.
Në kafenenë tonë kulturore ajo vjen me shpresa të vakëta dhe i flet Poetit të margjinave sipas parashikimeve të fatthë¬nësve. Lakmon zjarrtazi traditën, atë traditë që është krijuar brenda kafenesë sonë kulturore, prandaj është kundër atyre që përpiqen ta rrënojnë atë traditë që ajo e ka krijuar me idhullin e saj, Poetin e vetmisë së kafenesë sonë kulturore.
Ajo vazhdon të shkruajë, po më shumë të recitojë sipas traditës së bejtexhinjve, dhe sidomos të frymëzohet sipas traditës që ka krijuar ajo me bejtexhiun e fundit të letërsisë moderne. E kur nuk shkruan, reciton apo frymëzon, HanëmShahja pëshpëritë: vjersha të vilajetit, sikur i quan ajo vjershat e Naim Frashërit për atdhedashurinë, vjersha të Europës, sikur i quan ajo lirikat e dashurisë, dhe sidomos vjersha të Azisë, sikur i quan ajo poezitë e ndikimit oriental. Këto të fundit ajo i çmon posaçërisht shumë, dhe fjalët e tyre i shqipton me shije të veçantë, duke i përcjellë edhe me mimikën e fytyrës, me ngjyrën e zërit, me frymëmarrjen e theksuar. Të gjitha këto, mundësisht në një letrarishte, për aq sa arrin t’ua ‘pastrojë’ tekstin Poeti i margjinave.
Shkruan, reciton dhe më së shumti frymëzon HanëmShahja për bejte, bejtexhiun e saj. E megjithatë ende nuk po arrin të hyjë në historinë e letërsisë shqipe. Emri i saj edhe më tej qëndron në margjinat e gazetave.
(Oh, sa shumë emra të këtillë kanë bërë dhe bëjnë jetën kulturore në kafenetë tona zyrtare - kulturore, dhe nga bejtet e tyre kanë mbetur vetëm ca gjysmëvargje, ndonjë gjëmë a njësi leksikore: ‘Pasha dritë e pasha hanë’…, ‘axhami’, ‘dashni’, ‘para’, ‘hajat’, ‘dylber’, ‘xhenet’, ‘dushman’, ‘amanet’, ‘dimi’, ‘cigarlluk’, ‘ami/e/n’ etj).
Thonë se nuk është i dëshirueshëm emri i saj në historinë e letërsisë shqipe.
(Emri i saj i vërtetë nuk është e mundur të bëhet as pjesë e këtij shkrimi).
Nomina sunt odiosa!
Amen!
Pamja e dytë
AjniShahja përgëzohet ShahaDije
Pastaj kohët rrodhën, dhe rrodhën turbullt. Si përroska e lagjes së Anit ndryshoi edhe emri i vërtetë i AjniShahit. Poeti i vetmisë së madhe e pagëzoi shoqja ShahaDije. Një gjetje që dinte ta bënte vetëm Poeti i margjinave tona letrare, i cili ashtu sikur kërkonte në margjinat e çdo gjëje, dinte t’i krijonte edhe prapashtesat dhe emrat e kompozuar të shkrimtarëve.
- Ti je jo vetëm ajo që ke qenë, shah në vete, por edhe pjesë e asaj që po vjen, dije. Merreni me mend emrin e Afërditës, mësueses Afërditë, një emër emblematik i letërsisë sonë të socrealizmit! Ajo afër ditës ndërsa ti dije më vete, i pëshpëriste ankueshëm dhe krenueshëm Poeti i vetmisë së madhe.
Pavarësisht nga të gjitha këto, Poetit të margjinave i pëlqente ta quante shkurt: Dije.
Shoqja ShahaDije vazhdoi të shkruajë vargje të liruara nga fjalësi oriental, nga rimat e rregullta, nga strofat katërshe dhe nga gjatësia e detyrueshme e vjershave.
Çlirohej Shoqja ShahaDije nga fjalësi oriental, rimat e rregullta, strofat dhe gjatësia e vjershave të saj, ashtu siç lirohej nga gjatësia e fustaneve, e theksohej nga lartësia e takeve, flokëve gjithsesi të drejta, thonjve të gjatë e të lyer domosdo me ngjyrë këna dhe syve mavi, që tashti i mbulonte, kur me syze dielli, për të treguar ‘identitetin’ e saj, e kur me syze pa ngjyrë për të treguar intelektualitetin e saj.
Shkruante shoqja ShahaDija vjersha për shkollën, mësuesin, revolucionin, partinë dhe sidomos shkruante vjersha për prijësin e saj. I shkruante dhe i recitonte, që të shihej nëse vjershat e saj tingëllonin bukur në klasë para nxënësve të shoqes së saj.
-Kallëzori i krijimtarisë suaj letrare, i thoshte Poeti i sintezave margjinale të letërsisë shqipe shoqes ShahaDije, tashmë nuk përbëhet vetëm prej vjershave, ku ka vetëm mall, dashuri, trimëri e atdheda¬shuri. Ai po përplotësohet edhe me pamje fushore. Fryma e vjershërimit tuaj po zgjerohet ashtu sikur po zgjerohet edhe horizonti i socrevolucionit në vendin tonë. Këndonjës të vjershave tuaja nuk janë vetëm poetët e kafenesë sonë kulturore, por edhe masa e gjerë popullore. Fytyrat e vjershërisë suaj nuk janë vetëm heronjtë historikë, por edhe heronjtë e punës vullnetare, heronjtë e revolucionit. Gjuha vjershërore e këngëve tua është pasuruar me një fjalës të ri: internacionale, socia¬lizëm, fitore, dashuri, gëzim, flamur, sulm, kazmë, lopatë, jetë, vdekje, revolucion.
Në çastet kur besohej se letërsia kishte aq krijues të socrealizmit sa të shkruante historinë e letërsisë së kësaj periudhe, ku do të përfshihej edhe shoqja Shahadije, ‘revolucioni shpërtheu’!
Emri i ShahaDijes, kallëzori i së cilës vërtet ishte zgjeruar jo vetëm me bejte, por edhe me vjersha e madje edhe me këngë revolucionare, nuk gjendej në historinë e letërsisë.
Kush e kishte penguar hyrjen e emrit të saj, mungesa e së cilës shkaktonte edhe mungesën e një shenje të rëndësishme të kafenesë sonë kulturore tashmë të zyrtarizuar.
Dihet, por emrat thonë ende nuk mund të shënohen.
Nomina sunt odiosa!
Amen!
Pamja e tretë
A(j)niShahja i kthehet origjinës së saj
Në kafenenë tonë kulturore, as më e para, por as më e fundit, vjen zonjëza Ani. Pasi e ka përbuzur emrin e vjetër HanëmShahe, madje e ndjen për fyerje kur ia përkujtojnë, dhe pasi e urren me po kaq revolucionarizëm emrin tjetër ShahaDije, ka vendosur të quhet Ani, pra në mashkullore, sepse thotë, nuk dëshiron të identifikohet shkronjë për shkronjë me emrin Ana të Tolstoit, apo me Ana-t e Kadaresë. Mbase frikësohet nga tringëllima e shkallëve kur ecën zonjusha Ana e Lasgushit!
Nuk e pi më kafen turke, por makiaton italiane. Nuk cigariset më, as nuk thotë se ka hequr dorë prej saj, si prej zotit në kohën e revolucionit, por, megjithate ndez një Malboro për hir të makiatos.
Poeti, sinonim i letërsisë sonë, e quan Zonjëza Ani, sepse ajo nuk dëshiron të quhet zonjë, por nuk është as zonjushë!
Ajo vazhdon të shkruajë, por nuk shkruan më as bejte as poezi revolucionare. Rimat, strofat katërshe dhe të gjata i ka harruar. Shkruan poezi moderne, mes bejteve dhe vjershave me gjysmë rime. Më pak merret me recitime dhe po kaq pak edhe me frymëzime.
Demokracia ia ka dhuruar mundësinë e botimit të shumë veprave me shkrime të hershme dhe me shkrime më të reja.
Paraja, për recensues të veprave të saj, ia ka ofruar jo vetëm Poetin e vetmisë së madhe, por edhe kritikun e ditores me tirazhin më të madh kombëtar, akademikun e merituar, që deri dje ka ndaluar shumë vepra për “vlera të dyshimta letrare dhe ideologjike”.
Paraja, ia ka mundësuar përurimin e veprave të saj në kafenenë zyrtare të kulturës sonë, të cilën më parë nuk ia kishte mundësuar as shteti, as partia.
Këto ditë Zonjëza Ani priste të hynte në historinë e letërsisë shqipe. Nuk është e rëndësishme nëse kjo letërsi përfshin vetëm letërsinë e gjinisë, të krahinës, të qytetit, të brezit të saj letrar apo vetëm të poezisë! Me rëndësi është që Zonjëza Ani të ishte aty.
Por ja, nuk ia doli edhe kësaj radhe.
Gazetat thonë se është sulmuar Ylli polar i Poetit të vetmisë së madhe. Ky poet, thonë në kafenenë tonë kulturore zakonisht gjendej në margjinat letrare. Ai, për shumë vjet ka jetuar nën hijen e tij. Ndërsa nën këtë hije, pranë Poetit të margjinave tona letrare, vazhdojnë të mërmërijnë edhe krijues të tjerë.
-Hija ka rënë. Ç’të bëjmë me Yllin Polar? - pyet për herë të parë Zonjëza Ani qytetarët e rastit që gjenden rreth tryezës së kafenesë kulturore, më parë se t’i drejtohej Poetit të vetmisë së madhe.
- Çojeni në historinë e letërsisë, - përgjigjen të pranishmit, duke çuar me fund filxhanin e kafes.
-Po ata që vazhdojnë të rrinë nën hijen e tij, - vazhdon zonjëza Ani?
-Aty ku janë, nën hije, - përgjigjen, pa prishur tonin e zërit, ndonëse Zonjëza Ani vazhdon të qëndrojë e shqetësuar.
- Kush janë ata nën hije? - pyesin të pranishmit Zonjëzën Ani, kur shohin se ajo nuk donte të pyeste më.
- Nomina sunt odiosa! – përgjigjet ajo.
AKTI I TRETË
ose epilogu
Rikthimi i Kopilit të eposit
Në kafenenë tonë kulturore kthehet Kopili i eposit.
Kthehet duke ecur me lëvizje të pako¬n¬t¬ro¬lluara dhe afrohet tek poeti i shenjave tona të skajshme kombëtare, që si zako¬nisht rri në margjinë të njërit prej cepave të kafenesë sonë kulturore. Në krahasim me sjelljen e ardhësit, Poeti ynë i margjinave letrare prej qëndrimit që mban përngjan në mumje të vendosur disa mijë vjet më parë.
Kopili i eposit ka zgjedhur prologun me të cilin si zakonisht i drejtohet Poetit të vetmisë së madhe. Kësaj radhe ka zgjedhur vargun e parë të “Lahutës së Malcis”:
- Nihmo, Zot, si m’ké nihmue!,
- Këndo, o muzë, zemërimin e Akilit, të birit të Peleut!- ia kthen përshëndetjen me vargun e parë të “Iliadës” së Homerit, poetit i heshtur në margjinat e kafenesë sonë letrare.
- Gazetat janë mbushur me bëmat tona të deridjeshme. Vazhdojnë të sulmohen shkrimtarët e kombit. Nuk na mbron partia, shteti e madje as atdhedashuria.
- Ç’të bëjmë?
- Të kundërsulmojmë, por me se?
- Të presim, por deri kur?
- Të sulmojmë, fillimisht moralisht e pastaj materialisht dhe madje fizikisht?
- Apo, ndoshta më së miri është të bëjmë politikën e makushit. Para historisë të fusim kokën në rërë.
- Nuk shohim, nuk ndiejmë, prandaj nuk flasim, kur nuk kemi sy të shohim, kur nuk kemi zë për të folur, kur nuk duam të dëgjojmë ç’kemi folur.
- Jo, jo! Na thuaj kë ta sulmojmë të parin dhe kë të fundit!
- Të sulemi dhe të sulemi gjithanshëm. Ndaj atyre që janë pjesë e fajit dhe ndaj atyre që nuk janë. Me rëndësi është të sulemi dhe të shohin e të dëgjojnë të gjithë forcën e sulmit tonë.
- Veç “kur të suleni në betejë, të kujto¬ni se në majën e shpatës suaj keni pasuri, nder e lavdi, përveç lavdisë së atdheut. Ta kërkojmë lavdinë më shumë me forcën fizike se sa me fuqinë e mendjes edhe pse virtyti shpirtëror shkëlqen përjetësisht” (Krispi).
- Nuk ka të parë e as të fundit. Nuk ka sidomos emra.
- Nomina sunt odiosa!