Mendime
Fatmir Lamaj: Prifti i Kosinës dhe imami i Leshnicës
E premte, 20.06.2014, 06:45 PM
Prifti i Kosinës dhe imami i
Leshnicës
Nga Fatmir Lamaj
I pari kuptohet se duke qënë pjesëmarrës dhe i punësuar e paguar nga ndonjë OJQ me orientim antishqiptar është i detyruar në qëndrime të tilla, si një investim të mundshëm për të fituar pak para. Ndërsa i dyti kërkon të ruajë e zbukurojë imazhin e vet si një perëndimor i thekur në shërbim të qëllimeve të veta. Është për t’u admiruar në atë debat qëndrimi i një të burgosuri politik si Fatos Lubonja, i cili kurrë nuk doli nga llogorja e arsyes sado i provokuar prej tyre. “Tendencat xhihadizte” si fenomene të sapo shfaqura në shoqërinë tonë duhet t’i dënojmë të gjithë, duke ruajtur besnikërisht vlerat e bashkëjetesës e harmonisë fetare të krijuara prej shekujsh në këtë vend. Të mos harrojmë se kontributin më të madh në këto vlera e ka dhënë pjesa më e madhe e popullsisë së këtij vendi, që janë myslimanët shqiptarë, që kurrë ndonjëherë në histori nuk kanë ngritur armët kundët vëllezërve të tyre katolik dhe ortodoks, sado që ndonjëherë mund të jenë provokuar tepër rëndë prej tyre. “Kolonjari” duhet t’a dijë mirë këtë gjë, se edhe djegja e Voskopojës ishte produkt i shëmtuar i një mllefi që u krijua nga sjellja e një pjesë të priftërinjve e banorëve ortodoksë të zonave të Jugut në ato kohëra të vështira për Shqipërinë e shqiptarët. Dystandartizimi në gjykimin e asaj që ka ndodhur e po ndodh aktualisht mbetet gjithmonë një vatër infeksioni moral e shpirtëror për këdo që e përdor atë djallëzisht.
Në inventarin e historisë së këtij vendi dergjen fakte e ngjarje tragjike të asaj që ka ndodhur prej gati dy shekujsh në marrëdhëniet greko-shqiptare, që nga koha e revolucionit grek të 1821 deri në ditët e sotme. Grekët që në fillim të revolucionit për pavarësi nga Turqia i dhanë asaj lufte një orientim fetar duke shkaktuar mbi popullsinë shqiptare të atjeshme masakra të llahtarshme. Vetëm në Tripolic u vranë me mijra shqiptarë mysliman deri tek gratë e fëmijët, si dhe kudo tjetër nëpër Greqi; aq sa, të alarmuar prej këtyre veprimeve, katër gjeneralë të Ali Pashës, si Ago Vasjari, Tafil Buzi e të tjerë pasi i raportuan pashait të Janinës situatën tragjike dhe nuk pamë ndonjë reagim prej tij, se ai në atë kohë ishte i zënë me çështjen e fronit, u larguan prej tij. Masakrimi, persekutimi, e dëbimi i shqiptarëve vazhdoi pa ndërprerje deri në mbarim të Luftës së II Botërore, ku dhe u përzu dhe u masakrua gjithë popullsia çame në pretekstin absurd të bashkëpunimit me pushtuesit. Është e pashmangshme, por kurrë e justifikuar që pjesë të frustruara e të dhunuara të një popullsie kur u jepet rasti për revanzh bien edhe në gabime e faje të dënueshme dhe ndoshta pjesëtarë të popullsisë çame kanë rënë pre e një tundimi të tillë por jo deri në atë masë sa të ndëshkosh e të masakrosh një popullsi të tërë. Fëmijëve çam, para Luftës Italo-Greke nëpër shkollat greke u ndalohej të flisnin shqip me njëri tjetrin, se mësueset greke u shponin gjuhën me gjilpërë duke u thënë “Oqialvanika helenika”. Tashmë dihej tragjedia e asaj popullsie që u masakrua, u vra, u grabit e u përdhunuar barbarisht nga bandat e Napoleon Zervës. Vetëm në gazermat e Filatit, qindra vajza çame u përdhunuan sistematikisht nga ushtarët e Napolon Zervës, dhe sot askush nuk e ka ngritur këtë çështje për hir të “miqësisë” shqiptaro-greke. Në vitet e urisë, kur grekët erdhën nga e keqja e mbijetesës në zonat e Jugut të Shqipërisë, shqiptarët sado fukarenj i pritën ata bujarisht e denjësisht duke ndarë kafshatën e gojës me ata e duke mos abuzuar në asnjë rast me fatkeqësinë e tyre. Në Kuç të Vlorës, kryeplaku i fshatin vari dy djem të rinj sepse kishin abuzuar seksualisht me një vajzë greke, ndërsa në Greqinë e sotme ku nga halli shumë shqiptarë të vajtur atje, janë bërë pre e abuzimeve nga më monstruozet dhe “çuditërisht” gjykatat greke në shumicën e rasteve i nxjerrin të pafajshme ose me dënime qesharake. Të gjithë fshatrat me popullsi myslimane të zonës së Jugut e kanë provuar pa mëshirë zjarrvënien dhe masakrimin e grekëve, vetëm Borshi i Sarandës i ndodhur midis fshatrave me popullsi ortodokse është djegur e shkatërruar disa herë nga grekët.