Mendime
Ksenofon Dilo: Monumente
E merkure, 18.06.2014, 05:53 PM
MONUMENTE
Nga Ksenofon M. DILO
Vazhdimësia e jetës , shtrirja e saj në përjetim nuk mund të mos na bëjë të mendohemi se çfarë do tju lemë brezave që do të vijnë. Sigurisht që e vërteta duhet të mbizotërojë e duhet të jetë e qartë me përcaktime korrekte të vendit ku ndodhën ngjarje të caktuara e të rëndësishme historike, të kohës në të cilën ndodhën ato , dhe sidomos rrethanat në të cilat ato lindën dhe u zhvilluan.
Këtë nuk mund ta bëjë një njeri i vetëm. Secili duhet t’i japë historisë dhe brezave të ardhshëm gjithçka që do të shërbejë për qartësimin dhe rritjen e figurës së Shqipërisë. Nëse do të vijë hera që dikush duhet të flasë me përgjegjësi për kohën dhe për ngjarjet që jetoi , gjithkush pa u kursyer duhet të flasë por sidomos me dokumente të gjalla, sepse jeta e kaluar e një populli do të përcaktojë të ardhshmen e tij gjithmonë duke gjykuar se të mirën duhet ta mbrojmë dhe ta rritim e ta zbukurojmë, dhe të keqen ta luftojmë të mos e lejojmë të vazhdojë të bëjë punën e vet e gjendjen të keqësojë. Nuk mund të mos ndjej përgjegjësinë që më takon të flas e tu le brezave që do vijnë, ato që di për punën dhe jetën e Ilia Dilo Sheperit.
Gjithashtu jam i vetëdijshëm se do çmohet çdo moment i jetës së tij dhe vlera do të njihet sepse puna e tij këmbëngulëse është puna e një patrioti të denjë, që rrjedh nga një familje , e cila me gjithë pjesëtarët e saj, të mëdhenj e të vegjël kishin në mendje Shqipërinë e në zëmra Shqiptarizmin. Kishin vetëdijen se duke qenë shqiptarë , nuk mund të mendonin pa ndjerë dashuri dhe respekt për këtë truall që ju kishte mbetur amanet prej të parëve, për këtë tokë të zhuritur që kishte histori të dhembshur, luftëtare, heroike, legjendare..
Kur kujtoj gjyshin tim të mirë , aty mes malesh të zhytur në studime në bibliotekën e tij vigane, me plot kuptimin e fjalës, unë nuk mund të mos vlerësoj ,në këto momente, që shkruaj e lexoj së bashku me gjithë shqiptarë , gjuhën për të cilën shkriu jetën e tij , me gramatikat dhe studimet e pafundme . Shtëpia në Sheper është një monument i gjallë. Nuk shtoj asgjë, Të gjithë janë dëshmitarë dhe do ti vërtetojnë fjalët e mija për sa i përket rolit që ka luajtur Ilia Dilo Sheperi në gjuhën amtare
Por ajo shtëpi nuk është vetëm për këtë një monument. Djemtè e tij , me ne krye JANIN (fanua si thone pèr Te . Strategu qe, luftoi me pushke e pene aq burrerisht kunder te huajve dhe kunder sllavokomunizmit)gjithashtu punuan e luftuan për kombin duke marrë prej historisë emrin e çmuar :ATDHETARË.Edhe brezi i ri me , ETIENIN , PIRON , VANGJELIN , VASILIN etj. gjithashtu u derdhën si shqipe për atdheun dhe secili në fusha të ndryshme punoi pa u lodhur deri në fund. Mendoj se një prove e punës së tyre të palodhur , është sjellja e egër e komunistëve .
Duke gjykuar punën shkatërruese të komunistëve deri ne gjakosjen e pragut te kesaj shtepie me gjakun e KALIOPI DILO-s akoma te patharè , se, drejtesia vret Drejtesine,krimbat si ne zakon te tyre mblidhen te mmbulojne plage...mënyra se si u soll me familjen patriote të Dilo—ve, është një provë që jep dritë e vërtetësi qe u përndoqën, u dënuan u persekutuan dhe përndjekja vazhdoi edhe pas vdekjes.
Si është provuar, komunistët u sollën kështu vetëm me inteligjencën shqiptare, dhe kjo që në atë kohë shkaktoi aq shumë dhimbje tani na bën krenarë, sepse do jetë një pasqyrë e gjallë e punës së tyre të palodhur dhe një ballafaqim me ata që e rropën popullin të gjallë.Ja ku po e përsërit:familje të tilla stoli e kombit, duhet të mbeten në breza rreze drite.
Monumenti dhe heroi duhet të jenë në të njëjtin vend, aty ku ju takon të jenë, në ballë . Muzetë që duhet të ndërtohen në Shqipëri do të japin ngjyrën dhe forcën e së vërtetës e cila duhet të ngrohë e të ndriçojë . Unë kam besim se brezat e ardhshëm duke u njohur me punën dhe lavdinë e vërtetë, do të çmojnë të mirën dhe do ta ngrenë atë në piedestal, aty ku i takon të jetë.
Një popull kur ruan të kaluarën, ka të ardhme, dhe kur e kaluara të mëson me mirësi e tashmja mund të jetë e vështirë por e ardhmja patjetër që do të ketë dritë. Shumë dritë.E shkëlqyer do të jetë!!!