E merkure, 11.12.2024, 11:01 AM (GMT)

Mendime

Ramiz Lushaj: Nanëmadhja 115 vjeçare

E premte, 13.06.2014, 06:14 PM


NANËMADHJA 115 VJEÇARE DEMIRE DUROLLARI

RENDITET  E 139-ta NË BOTË PËR NGA JETËGJATËSIA

NGA RAMIZ LUSHAJ

1.

Në të bukurin Hudenisht, skej liqenit të Pogradecit (Ohrit), mrekulli e natyrës shqiptare e pasuri botërore e UNESKO-s, më 14 shtator 1895 ka lind Demire Xhudollari-Durollari e shenjuar në enciklopedi të botës si një nga ma jetëgjatat e planetit. Plot 115 vjet e 224 ditë jetë.

Në ma të fundit dokument identiteti të lëshuar nga Agjensia e Pasaportave në Filadelfia më 9 maj 2000 e nr. 095124375, figuron e lindur më 12 gusht 1895. Po, sipas pasaportës së vjetër shqiptare ia kishin “shkurtuar” një pesë vite jetë dhe ia kishin afrue në kohë tridhjetë e dy ditore ditëlindjen e saj. Këto pasaktësi iu shkaktuan pas largimit të detyruar nga Shqipëria, përgjatë emigrimit dy dekador në Maqedoni, përkohor për dy vjet në Itali e qëndrimit përgjithnji në Nju Xhersi të Amerikës. Ajo nuk i kreu juridikisht këto dy ndryshime në dokumentat e identitetit, pasi në kohën e komunizmit euro-lindor kishte vështirësi politiko-procedurale një sipërmarrje e tillë. Po as nuk ndihej e nevojshme.

Në Amerikë, derisa ndrroi jetë më 26 prill 2011 ajo e festonte 14 shtatorin si ditën e lindjes së vet. Veçmas në kapërcyell të shek. XXI, ditëlindja e Nanëmadhes Demire Durollari përbente një event të madh e të rrallë jo vetëm familiar e farefisnor, pasi kapi rekord botëror. Masmedia amerikane e shqiptare e cilësonin si “e tre shekujve”...

2.

Nanëmadhja Demire Durollari ishte patriote në shpirt, mbretnore në gene, qëndrestare në jetë. Një nga simbolet e femrës shqiptare në shekuj, mjaft e përkushtuar për kombin e vet, idealin e saj, familjen e saj.

Ajo vinte nga një Derë e Madhe. Babai i saj, Hajdar Agë Xhydollari, përndryshe, i thirrun në popull e zyrtarisht: Hajdar Aga i Hudenishtit, ishte mjaft i njoftun në kolonitë shqiptare të Stambollit, në kit’ kryeqënder të një prej superfuqive ma të mëdha edhe në shek. XIX. Një nga miqtë e tij të ngushtë ishte babai i Mbretit Zog, prijësi atdhetar Xhemal Pashë Zogu (1860-1911) i Matit, të cilët nuk i ndau asgja ndërveti në gjallje të vet. Vllai i saj, Novruz Hajdar Xhydollari (Hudënishti) ishte një shok i pandarë i Ahmet Zogut gjatë shkollimit të tij në Stamboll. Kushëriri i parë i saj, Muharrem Hudënishti (Xhydollari), oficer i Mbretërisë Shqiptare, sipas urdhërit të Mbretit Zog e ndërgjegjës së tij atdhetare, ishte një ndër qëndrestarët e prillit 1939 kundër pushtimit fashist të Shqipërisë, ndaj fashistët italianë e arrestojnë dhe e ekzekutojnë në Tiranë e trupi i tij prehet në vendin e lindjes. Pasardhësi i tij, Nuri Hudënishtin, ishte mbretëror i vendosur, legalist i pakursyer, luftëtar i pandalur. Ata, të dy, hynë në histori si monarkistë e si antifashistë, xhydollarë atdhetarë.

            Në shtëpinë e Demire Xhydollarit (Durollari) gjatë Luftës Antifashiste u zhvillua Kongresi i Dunicës, Kongres i Lëvizjes Monarkiste, si dhe u (ri)ngrit Çeta nacionaliste zogiste që kreu aksione në Resing, Qafë Thanë, etj., po edhe kanë meritën se i shpëtuan nga fashistët 6 oficerë anglezë, etj.

            Demire Xhydollari (Hudënishti) u martua në një fis tjetër në Hudënsisht, në shtëpinë e fisme e atdhetare të Durollarëve, me Rrapushin, të cilin e vranë pushtuesit italianë gjatë një bombardimi në Fushën e Domosdovës në Prrenjas. E la me tre fëmijë jetimë, të cilët u rritën si ma të mirët, ndër ma të lumturit.      

Komunizmi iu mori prona e pasuri, i shpalli “kulakë” etj., çka e detyroi nanën e tij Demire Durollari (Hudenishti) të arratiset për në Maqedoni me fëmijët e saj, kur, asokohe, më 14 gusht 1949. Gjatë qëndrimit në Maqedoni, djali i saj i vetëm, Guri Durollari, burgoset  në burgun e Idrizovës nga sllavo-maqedonasit, pasi në bibliotekën e shkollës kishte vizatue Flamurin Kombëtar Shqiptar.  Po kështu ia burgosin edhe një nga dhëndrrat e tij, Bexhetin, për të vetmin fakt se përshendeti shqiptarçe, si monarkist, si zogist, me dorë në zemër.  Njëzet vjet ma pas, shpërngulen tranzit në Itali e shkojnë në Amerikë, në shtetin e Nju Xhersit, ku i kaloi mbi katër dekada jetë me shumë sakrifica, plot lumturi, krejt ardhmëri.

3.

Qëndra e Kërkimeve Gerontologjike (Gerontology Reserach Group) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Los Anxhelos, Nju Jork, Uashington DC, Atlanta) dhe Instituti i Kërkimeve Demografike Max Planck në Gjermani kanë publikuar më 3 dhjetor 2013 një listë të femrave ma jetëgjata në moshë, të cilat i përkasin moshës mbi 115 vjeç.

Rekordmene, në kryet, qëndron Mario Do Carmo Geronimo nga Brazili, e lindur më 5 mars 1871, në një moshë tejet të thyer, 129 vjeçare, e ndjekur nga shtatë të tjera 128 vjeçare nga Xhamajka, El Salvador, Dominika, Uzbekistan, Kolumbia, India e Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lista me 155 emra rekormenesh mbyllet me 115 vjeçaren Marfa Salaikijskaja nga Lituania  (1889 - 10 shtator - 2004).

Shqiptaro-amerikanja, Nanëmadhe Demire Durollari nga Hudënishti i Pogradecit renditet e 139-ta, pasi ka jetue 115 vjet e 224 ditë.

Moshën e saj, 115 vjeçe, e kanë mbrri vetëm 29 femra në të gjithë botën në këta tre shekujt e fundit: 8 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 5 nga Kina, 4 nga Brazili, 2 nga Kanadaja e Meksika, veç nga 1 Mbretëria e Bashkuar, Azerbajxhani, Nigeria, El Salvadori e Kili.

4.

Para së gjithash, “sekreti” i jetëgjatësisë të Nanëmadhes Demire Durollari, është  genetik. Ka pasë një konstrukt fizik të fortë e të lehtë, një ecje trupdrejtë. E ka mbajt veten në punë, në gjallëri. Ajo e ndërtonte jetën e vet e të familjes në mënyrë të atillë që ta mbante larg stresin. Ajo, disa herë, edhe në gazeta e televizione shqiptare shprehej se “stresi është burim i të gjitha sëmundjeve”. Në vazhdimësi ka qënë e rrethuar me dashuri e përkujdesje nga fëmijët e vet, nga dhjetra nipa e mbesa deri në mbi dy brezni. Ajo ka pas një respekt popullor në gjithato rrethe të Shqipërisë, në Nju Xhersi të Amerikës, etj. saqë shpesh herë në veprimtari kombëtare të Oborrit Mbretëror Shqiptar apo të Legalitetit ose në ato për Kosovën e shqiptarët në Maqedoni, etj. fliste thuaj është lidere, pasi fjalët i kishte të mençura, me timbër të veçantë, plot pasion, me mesazhe mirësie, pa frymë hakmarrjeje,  me vizione ardhmërie.

E vetmja herë në jetën e saj që iu ka dasht të shkojë tek mjeku është 11 shtatori i vitit 2001 i sulmit terrorist mbi Kullat Binjake në Nju Jork, pasi pësoi tronditje të madhe. Kjo i ndodhi nga dashuria e madhe për nipin e vet, Astritin, djalin e vajzës, i cili punonte aty dhe sapo ishte fejuar tek Starovajt e Pogradecit. Rastisi që ai nuk kishte shkue në punë atë ditë, po dhimbja e thellë prej nanëlokje e dha efektin e vet. Atë e çuan në spital. Mjekët e Nju Xhersit kur ia panë moshën 106 vjeçare në pasaportën e saj u habitën shumfish, ndaj i banë një orë intervistë mjekësore. Dhe, siç pohojnë pogradecari Bardhyl Berberi e nipi i saj Rrapush Durollari në një shkrim tek “Shekulli” (21/02.2007), “mjekët amerikanë i kërkuan leje për t’i bërë disa analiza për studime shkencore”. Ata e pyetën se çka kishte konsumuar ma së forti e, ajo, iu përgjigj: “Peshk të freskët të liqenit të Pogradecit, koranin e rrallë, mbretin e peshqëve...”.  Në lajmin homazh për jetën e vdekjen e saj “Zëri i Amerikës” (28.04.2011) thekson se “Zonja Durollari gëzonte vazhdimisht shëndet të mirë” dhe, ma tej, “sekreti i jetëgjatësisë ka qënë ushqimi: ajo hante shumë peshk dhe bulmetëra, nuk konsumonte as duhan, as alkol”.

Nanëmadhja Demire Durollari, që ndrroi jetë në moshën 115 vjeçare në Amerikë, ishte ndër të parët prej emigrantëve politikë që erdhi në Shqipëri, sëbashku me djalin e saj dr. Guri Durollari, monarkist i lindur, kryelegalist i suksesshëm, që bani aq shumë punë të mëdha për kauzën Mbretërore, për Mbretin Leka I, për Legalitetin, për Demokracinë e Kombin, saqë e nesërmja e shpejtë ka me ia dhanë meritat e tij si një burrë i madh i politikës shqiptare jo veç  në tranzicion. Ajo u çmall me vendin dhe nuk bëri thirrje për hakmarrje, për ndëshkimet kriminale që komunizmi kishte bërë ndaj njerëzve të saj, por e rreshtuar në grupimet e atyre që kërkonin Mbretëri Kushtetuese ju bëri thirrje popullit shqiptar nga podiumet e kongreseve dhe në televizione shqiptare e të huaja për pajtim-vëllazërim dhe paqe. Dhe, herën ma të fundme, me t’u kthye nga Shqipëria, shumë e preokupuar për hallet e vendit të saj. U lidh me një korrespondencë të rregullt me presidentin e SHBA-së, Xhorxh  Ë. Bush. I kërkoi përkushtim të veçantë për çështje të  demokracisë e ekonomisë në Shqipëri, si vendi ma i varfër në Europë. Brenda dhjetë ditësh, më 27 gusht 2004, i ktheu përgjigje me foto-kartolinë dalë me bashkëshorten e tij, Laurën. Në respekt të jetës e veprimtarisë të kësaj nanëmadhje shqiptare Presidenti Bush i premtoi asaj se “Shqipëria do të ecë në rrugë të mbarë”.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora