E merkure, 04.12.2024, 09:51 PM (GMT)

Mendime

Elida Buçpapaj: Skenarët e pas 8 qershorit

E marte, 10.06.2014, 06:41 PM


SKENARËT E PAS 8 QERSHORIT VAREN NGA MORALI I PALËVE

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Pakkush dje besonte se do të fitonte Hashim Thaçi. Por kishte edhe nga ata që e besonin këtë gjë. Për shembull Jusuf Buxhovi. I cili më 27 maj në Facebook do të shkruante se «Thaçi, edhe më tutje u duhet të huajve për të kryer detyra...» Nga njëra anë Bashkimi Europian e etiketon qeverisjen Thaçi si më të korruptuarën në rajon pas asaj të Shqipërisë, nga ana tjetër e mban Hashim Thaçin! Paradoks i vërtetë në dukje. E mbetur idealiste, mendova se kësaj here Jusuf Buxhovi do të gabonte në prognozën e tij të shpallur dy javë përpara rezultatit të Exit Polls. Por u gabova unë.

Gjithsesi, në daljen publike të PDK-së dje në mbrëmje vonë - festimi i fitores ishte si mbi gjëmba. As nga sytë e Vlora Çitakut nuk reflektohej gëzimi i mandatit të tretë. Sa nuk të lindte dyshimi se Thaçi nuk kishte pasë dashtë me dalë partia e parë. Por në fakt duhej të kishte dashur, dhe fort bile. Kjo nisur nga dalja e Berat Buzhalës në Facebook që pa gdhirë, kur posa ishin hapur kutitë e votimit, e Berati gjithë nervozitet do të deklaronte se «nuk i besonte as Baton Haxhiut dhe Exit Polls të Klan Kosovës.»

Pra, Buzhala që në mëngjesin e 8 Qershorit shprehte një pakënaqësi të hapur ndaj rezultateve të Exit Polls. Dhe është absurde të mendohet që Berati të deklaronte se nuk i besonte fare as Batonin dhe as Exit Polls, kur këta 12 orë më vonë, në orën 20:30,  do të shpallnin fitoren e PDK-së!

Këtu ka diçka që nuk shkon. Nervozizmi i Berat Buzhalës i shpalosur herët në mëngjesin e 8 qershorit në Facebook kundër Batonit dhe Exit Polls bie ndesh me fitoren e PDK që dha Shkëlzen Maliqi me bastun në mbrëmje tek Klan Kosova. E përse të ishte nervoz Berati, kur këta do të shpallnin fitoren ? Berati duhej të bëhej nervoz nëse Batoni, Shkëlzeni dhe Exit Polls tek Klan Kosova do të shpallnin humbjen e PDK-së! Apo jo. Kështu thotë logjika e thjeshtë. Ndërsa sa për Shkëlzenin me bastun, ky që kur u shpall zyrtarisht këshilltar i kryeministrit Edi Rama duhej t'iu ishte larguar Exit Polls -- për hir të integritetit të anketimeve.

Gjithsesi duhet thënë se klima e fushatës dhe dita e zgjedhjeve shkoi mrekulli në Kosovë.

Në fund të fundit Hashim Thaçi nuk ua pati fajin partive të opozitës që të krijonin aleanca e t’i fitonin zgjedhjet.

Mjafton LDK të kishte bërë aleancë parazgjedhore me AAK dhe zgjedhjet nuk do t’i fitonte Hashim Thaçi. Po ngjan sikur del se liderët e LDK-së po ia duan të mirën më tepër Hashimit se partisë së tyre. Për shembull, do të mjaftonte, që mospërfshirja e Fatmir Sejdiut në listën e LDK-së, të mos shndërrohej në hakmarrje politike të tij në ditën e votimit kundër LDK-së. LDK po ashtu duhej t’i kthehej aleancës tradicionale rugoviste me partinë e themeluar nga Akademik Mark Krasniqit, të cilën e prishi pikërisht Fatmir Sejdiu në zgjedhjet e 2007.

Ndërkohë, pas shpalljes të rezultateve, kam parë nga reagimet në Facebook se humbja e LDK-së, po i shkarkohet Isa Mustafës, si humbje e tij personale, i cili në fakt, është viktima e rradhës e klanit të Llapit. Ky klan rezulton që t’i ketë përdorur si karrema edhe Sejdiun edhe Mustafën për të konservuar pushtet, duke i shkaktuar katastrofë LDK-së. Edhe dorëhqja e Isa Mustafës në këtë kontekst është „kokë turku“ e rradhës.

Ndërsa sa i përket kontekstit të ri qeverisës dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit, kemi disa variante:

Varianti i parë është që PDK të krijojë aleanca me partitë opozitare, të cilat gjatë gjithë fushatës e kanë akuzuar qeverisjen Thaçi si të korruptuar dhe shkaktaren e të gjitha të zezave në Kosovë.

Moralisht, asnjë nga partitë e opozitës nuk mund të pranojë që të bashkëqeverisë me PDK. Por duke u nisur nga babëzia për pushtet, aleancat mund të jenë nga më të guximshmet deri në pacipshmëri.

Sepse nëse partitë opozitare do t’u qëndronin besnike sloganëve të fushatës zgjedhore, asnjëra prej tyre nuk do të hynte në aleancë me Hashim Thaçin. Dhe Hashim Thaçi nuk do të mund të qeveriste Kosovën me partitë e pakicave.

Variant i dytë është nëse ndonjë nga partitë e opozitës do të pranonte të bashkëqeveriste me Hashim Thaçin. Kjo është modë në politikën shqiptare. Mjafton të kujtojmë aleancën e Sali Berishës dje - dhe Edi Ramës sot - me Ilir Metën. Se si shahen e pështyhen midis tyre, por kur vjen puna për pushtet flirtojnë dhe harrojnë se çfarë kanë thënë kundër njëri-tjetrit. I tillë do të jetë dueti cilido qoftë binomi Thaçi-Mustafa apo Thaçi-Haradinaj, Thaçi-Kurti apo Thaçi-Limaj!

Nga sa kam kuptuar, Hashim Thaçi ia ka vënë syrin postit të presidencës të Kosovës, alla Millo Gjukanoviç, dhe ky pozicion e bën zemërgjerë. Por gjithmonë në raport me babëzinë për pushtet të liderëve të opozitës. Dhe asnjëherë në të mirë të interesit kombëtar.

Variant i tretë është nëse asnjë nga partitë e opozitës nuk do të pranonte të bashkëqeveriste me PDK-në. Atëherë presidentja e Kosovës do të ngarkonte LDK-në, si partia e dytë, që të ndërtonte qeverinë e re. LDK mund t’i thërrasë për bashkëqeverisje AAK, Nismën dhe VV. Ose mund të mjaftohet me AAK dhe Nismën. Dhe së bashku me partitë e pakicave të formojnë një shumicë të duhur.

Vartianti i katërt është qeveria teknike dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja parlamentare. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse rrëzohet qeveria e Hashim Thaçit, kur asnjë nga partitë e opozitës nuk do të pranonte bashkëqeverisjen me PDK dhe po ashtu partitë e opozitës nuk pranojnë të krijojnë aleanca. Në parim nuk kanë përse të mos krijojnë. Por LDK do të ketë vështirësi, nisur nga fakti i humbjes.

Në fakt, qeveria teknike, duket si zgjidhja më pastër, sepse do të krijonte mundësi edhe për katharsis brenda partive të opozitës që kanë nevojë, edhe për PDK, paçka se opozita ka legjitimitet për të krijuar qeveri, pasi përbën shumicën.

Por gjithsesi, edhe një herë duhet theksuar se zgjedhjet e 8 qeshorit ishin një provë për Kosovën, të cilën e kaloi me sukses, paçka se suksesi i ngjante fitores së Pirros, kur kihet parasysh se rreth 60% e elektoratit nuk doli në votime dhe abstenoi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora