E merkure, 01.05.2024, 07:53 AM (GMT+1)

Mendime

Gjekë Gjonlekaj: Shqiptarët dhe Al Qaeda

E premte, 06.06.2014, 06:20 PM


Shqiptarët dhe Al Qaeda

Nga Gjekë Gjonlekaj

Terrorizmi është egërsi e pamëshirshme. Ata që përdorin terrorizmin si mjet për realizimin e qëllimeve të veta janë si përbindëshat e imagjinuar të llojit gozilla. Për shoqëritë barbare terrorizmi është armë kryesore. Kush kishte paramenduar se shekulli ynë i 21-të do të fillonte me terrorizmin e 11 shtatorit 2001.

Këtë datë e shënon historia si fillimin e një epoke të re. Shekulli i XX ishte epoka e dy luftërave të mëdha botërore, ishte koha e gjenocideve dhe terroreve të papërshkrueshme. Akti i terroristit serb Gavrillo Principit në Sarajevë shkaktoi Luftën e Parë. Popujt e ndryshëm e pësuan rëndë nga terroret shtetërore të tipit fashist, nazist dhe komunist. Pas Luftës së Dytë në disa vende, sidomos në Lindjen e Mesme, u themeluan organizata të ndryshme terroriste, të cilat sot e kësaj dite e ushtrojnë këtë veprimtari të hatashme.

Frikën e madhe nga terrorizmi palestinez e përjetova në shtator të vitit 1970, në aeroportin ndërkombëtare të Romës, në çastet e nisjes për New York.

Pasi u vendosëm në aeroplanin ”Alitalia” dhe prisnim momentin e largimit nga pista e atij aeroporti u dha njoftimi për largimin urgjent nga aeroplani, si pasojë e lajmit se terroristët palestinezë kishin vendosur eksploziv në avionin tonë. Evakuimi ynë u bë në mënyrë urgjente. Natyrisht se kjo situatë e bëri udhëtimin tonë të frikshëm dhe shumë të vështirë, duke shkaktuar vonesa e kontrolle të jashtëzakonshme. Si pasojë e kësaj vonese qendruam në Shanon të Irlandës pothuajse gjithë ditën dhe, pas dy ditësh, arritëm në New York. Në aroplanin tonë ishte edhe një familje shqiptare nga Ulqini. Ditën e parë të imigrimit tone, të udhëtimit për në Amerikë, përjetum trauma që nuk i kishim paramenduar kurrë. Në mesin e viteve 80 isha larguar për një kohë të shkurtër nga Zëri i Amerikës në Washington dhe, pas një kohe, u ktheva përsëri në këtë punë në Federal PlazaNew York. Zyra e Zërit të Amerikës është sot e kësaj dite në katin 30 në Federal Plaza. Pentagoni dhe kjo janë ndërtesat më të mëdha të qeverisë amerikane. Aty punojnë 40 mijë veta. Në fund të viteve 80, Federal Plaza ishte në shënjestër të terrorizmit libian të Muamar Gadafit.

Ai kishte pësuar rëndë nga sulmet ajrore amerikane dhe tërë kohën kërcënonte zyrat federale amerikane, sidomos Federal Plazen në New York. Pas kërcënimeve terroriste të Muamar Gadafit, sigurimi amerikan mori masa të jashtëzakonshme. Për rreth Federal Plazes ngritën fuçia të mëdha prej betoni si pengesë për kalimin e ndonjë automjeti me eksploziv. Përgatitjet për evakuime urgjente në rast të ndonjë alarmi ishin të domosdoshme dhe kërkohej vigjilencë. Dy kullat binjake në Qendrën Botërore të Tregtisë (World Trade Center) ishin kundrull Federal Plazës. Sulmi terrorist i vitit 1993 në Qendrën Botërore të Tregtisë ishte paralajmërim i një tragjedie të dytë, e cila ndodhi me 11 shtator 2001.

Pas demonstratave të vitit 1981, Shtetet e Bashkuara kishin treguar interesim të madh në lidhje me problemet e Kosovës. Shqiptarët e Amerikës fituan bindjen se vetëm Shtetet e Bashkuara do ta shpëtojnë Kosovën. Kjo bëri ta nderojmë Amerikën edhe më shumë. Çdo humbje e Amerikës ishte humbja jonë. Në atë kohë kisha menduar për mundësinë e organizimit të njësive shqiptare në luftë kundër terrorizmit ndërkombëtar, bile kisha imagjinuar vajtjen e vullnetarëve shqiptarë në luftë kundër Osama bin Laden. Natyrisht se e gjithë kjo mund të bëhej në mënyrë vullnetare në bashkëpunim me forcat speciale anti-terroriste amerikane. Imagjinata ime naive nisej nga ajo thënja e vjetër: ”Armiku i mikut tim është armiku im”.

Fatkeqësisht ndodhi e kundërta pasiqë disa xhihadistë shqiptarë në diasporë e në atdhe bënë të kundërtën duke u bashkuar me forcat terroriste të Al-Qaedës dhe Osama bin Laden. Pjesëmarrja e shqiptarëve në organizata terroriste është më e madhe se e krejt Evropës. Kjo tregon se shqiptarët nuk janë propërendimorë siç pretendojnë. Deklaratat pompoze të politkanëve shqiptarë në lidhje me këtë çështje janë qesharake. Ata pretendojnë se janë shumë pro-amerikanë, por faktet tregojnë të kundërten. Terrorizmi shqiptar nuk ka filluar dje. Këtë veprimtari e kishte filluar kryeterroristi shqiptar Haxhi Qamili 100 vjet më parë. Xhihadizmi shqiptar është më i ndërlikuar seç e dijmë ne.

Në fund të viteve ‘80 dhe në fillim të viteve ’90, disa autoritete fetare shqiptare në New York dhe në New Jersy kishin bërë deklarata qesharake se gjoja feja e tyre islame ishte në rrezik në këto ambiente. Ata nuk kishin pranuar në institucionet e tyre asnjë simbol shqiptar, bile nuk kishin pranuar as flamurin kombëtar dhe as fotografinë Gjergj Kastriot Skënderbeut. Disa djem shqiptarë të shkolluar në Universitetin e Prishtinës kishin bërë protesta në lidhje me këtë çështje. Shtypi shqiptar i New Yorkut kishte botuar shkrime në lidhje me këtë çështje.

Në Luftën e Gjirit Persik kundër Irakut, në vitin 1991, kisha takuar shumë shqiptarë që lusnin Zotin për fitoren e Irakut. Deri ditët e fundit qendruan optimist për fitoren e Sadam Huseinit. Qendrimi i tyre pro-irakian për mua ishte absurd dhe më shkaktonte zemërime, aq më tepër kur ata jetonin dhe gëzonin të gjitha liritë dhe të drejtat në Shtetet e Bashkuara. Shumë nga ata ishin pronarë restaurantesh dhe biznisesh të tjera. Shumica ishin nga Maqedonia. Më vonë disa nga ata lëshuan mjekra të gjata të stilit të Bin Ladenit, duke veshur fustane të bardha, ndërsa gratë e tyre u mbuluan me perçe dhe, në takime publike, ato nuk të jepnin dorën sipas traditës shqiptare dhe qytetare. Në shumicën e rasteve gratë shqiptare në Amerikë e kanë të ndaluar të marrin pjesë në vizita ngushëllimesh, bile botohen njoftime nëpër gazeta se, në pamjet e tyre për ngushëllime, mund të marrin pjesë edhe gratë. Këta fanatikë qesharak sollën në Amerikë ligjet e shkretëtirës. Shumë shqiptarë të traditës kombëtare u gjetën keq para tyre, duke kërkuar përjashtimin e tyre nga fisi e vëllazëria. Për shqiptarët, të cilët respektonin islamin tradicional, ata ishin të papranueshëm. Këto sjellje janë të dyshimta sot e kësaj dite.

Pas rënjes së diktaturës, në Shqipëri pritej një ndryshim i madh properëndimor.

Ismail Kadare kishte bërë disa deklarata në lidhje me këtë çështje. Ai kurrë nuk e kishte menduar se një ditë shqiptarët e Amerikës do ta fyenin aq rëndë gjatë vizitës së parë në Shtetet e Bashkuara në vitin 1990. Në lidhje me veprimet e atyre fanatikëve shqiptarë iu sjellim kujtimet e Helena Kadaresë botuar në veprën letrare “KOHË E PAMJAFTUESHME”.

“Si në shumicën e historive të dashurisë, edhe marrëdhënia me Nju Jorkun pati një hidhërim të papritur. Pas vizitës sonë të parë, një grup shqiptarësh të besimit mysliman, të shtyrë prej kushedi kujt, organizuan një tubim kundër Ismailit. Në vend që ata të gëzoheshin që një shkrimtar i tyre thirrej në Kongresin Amerikan për të dëgjuar fjalët e tij lidhur me çështjen shqiptare dhe të Kosovës, këta fanatikë bënë një sjellje tjetër. U mblodhën në një xhami dhe nuk u kursyen me fyerje dhe kërkesën për të djegur librat e Kadaresë, por propozuan një fatva, me anë të cilës kërkohej dënimi me vdekje i shkrimtarit, ngaqë, sipas tyre, kishte fyer myslimanët shqiptarë.

Kuptohej se e gjithë kjo ishte një imitim i dënimit të Salman Ruzhdiut, por në kushtet shqiptare tingëllonte shumë shqetësuese. Si është e mundur të ndodhë një gjë e tillë në fund të shekullit XX midis shqiptarëve?. Ne kemi qenë gjithëmonë kundër asaj që, në shpjegimin e shumë gjërave, kërkohet teoria konspirative. Por në këtë rast, nuk ishte e vështirë të të shkonte mendja për nxitësit……….”

Në vitin 2000, pas 25 vjetësh e vizitova Kosovën. U gëzuam të gjithë që e gjetëm të lirë nga pushtimi serb. Brenda një viti arabët e turqit kishin filluar propagandën e tyre në Kosovë. Prania e tyre ishte kudo. Në aeroportin e Prishtinës ata kishin ndërtuar një xhami të stilit arab. Pse është ndërtuar xhamia në Aeroportin e Prishtinës, kur në Aeroportin Ndërkombëtar “John F.Kennedy” të New Yorkut nuk ekziston asnjë kishë. Në asnjë aeroport të Amerikës nuk ekziston asnjë kishë. E gjithë kjo ishte bërë për qëllime të caktuara. Qytetarët shqiptarë të Kosovës tregonin se aty nuk kishte pasur xhami kurrë, por arabët e kishin ndërtuar për të realizuar planet e tyre antishqiptare. Shkrimet arabe me gërma të mëdha ishin kudo edhe nëpër muret e kullave të familjeve më të njohura të Kosovës që ishin flijua për lirinë e vendit e jo për qëllimet turko-arabe. Ata dhe familjet e tyre kishin dhënë jetën për shqiptarizimin e Kosovës dhe për turqizimin ose arabizimin e këtij vendi.

Disa javë pas tragjedisë amerikane të 11 shtatorit 2001, një grup shqiptaro-amerikanësh organizuam në New York, para Organizatës së Kombeve të Bashkuara një demonstratë kundër terroristëve arabë. Bëmë të gjitha përgatitjet e duhura që demonstrata të jetë e suksesshme. Mendonim se ia kishim borxh Amerikës një mbështetje morale në këtë kohë tragjike. Personalisht u angazhova ato ditë, duke u bërë telefonata shumë familjeve me të cilat kisha marrë pjesë në dhjetëra demonstrata për Kosovën. Ata në telefon premtonin se do të marrin pjesë me shumicë. Porositëm edhe një kurorë lulesh për zjarrfiksit dhe policët e rënë dëshmorë në Word Trade Center. Policët dhe detektivët e asaj qendre kishin qenë shumë të sjellshëm me shqiptarët gjatë demonstratave për Kosovën. Ata meritonin respektin tonë. Disa prej tyre ishin vrarë më 11 shtator. Demonstrata jonë filloi në ora 10 të mëngjezit. Dy orë më vonë, në ora 12, ishin mbledhur gjithsej 25 veta. Midis tyre ishte edhe kongresmeni Eliot Engel. Numri i pjesëmarrëseve ishte aq i vogël dhe për këtë u ndjemë shumë keq para këtij politikani amerikan. Nuk deshëm ta fillojmë fare. Zoti Engel tha dy fjalë dhe me kaq mori fund demonstrata jonë. Asnjë nga ato familje, që kishin premtuar se do të merrnin pjesë, nuk u panë fare. Diaspora shqiptare ka disa merita, por edhe shumë të meta. Të mos harrojmë se në diasporën shqiptare janë kapur një numër dukshëm terroristësh dhe xhihadistësh, siç ishte rasti i fundit në Suedi.

Kjo do të thotë se diaspora shqiptare nuk është aq properëndimore, siç pretendojnë disa shqiptarë. Të mos flasim për terroristët dhe xhihadistët e Kosovës, të Maqedonisë dhe të Shqipërisë. Numri i tyre është i madh dhe, për këtë, shqiptarët duhet të jenë shumë të shqetësuar. Veprimet e tyre janë të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës.

Këto ditë, në fushatat elektorale të Kosovës po flitet për çdo gjë, por asnjë fjalë për gjithë ato grupime shqiptare në organizata terroriste siç është Al-Queda. Politikanët e Kosovës e kanë futur kokën në rërë si makushi dhe nuk duan ta hapin këtë temë që është më e rëndësishme se çdo problem tjetër i Kosovës. Në një fushatë presidenciale amerikane kjo çështje mbase do të ishte në krye të rendit të ditës. Politikanët e Kosovës këto ditë po lëshojnë pe edhe për tema më të ndryshme, por asnjë fjalë për xhihadistët shqiptarë. Kanë frikë se mund të pësojnë humbje.

Zotëri politikanë! Në vitin 1995 gazetarët e njohur amerikanë të rrjetit televiziv CBS në rubrikën “60 Minutes” e pyetën Presidentin Bill Clinton për dërgimin e forcave ushtarake amerikane në Bosnje, duke pohuar se dërgimi i atyre forcave atje mund t’i shkaktonte humbjen e mandatit të dytë presidencial. Presidenti Clinton tha: “Shpëtimi i popullit boshnjak është një çështje e drejtë dhe Unë e dua më shumë të drejtën se detyrën e Presidentit”.

Arsyetimet e disa politikanëve të Kosovës për vajtjen e shqiptarëve terroristë në Siri dhe në Irak janë qesharake. Albin Kurti i tha “Zërit të Amerikës” kohë më parë se terroristët shqiptarë shkuan në Siri dhe në Irak si pasojë e papunësisë në Kosovë. Kjo është deklarata më qesharake që kam dëgjuar ndonjëherë. Nëse ata të Kosovës dhe të Shqipërisë ose Maqedonisë shkuan atje si pasojë e papunësisë, atëherë bëhet pyetja pse xhihadistët shqiptarë të Amerikës dhe të Evropës shkuan atje. Nuk e thonë asnjë fjalë për indoktrinimin se kanë frikën e imamëve fanatikë të Kosovës. Xhihadistët shqiptarë të Amerikës dhe të vendeve tjera në diaspore nuk u bënë anëtarë të Al-Qaedes për shkak të papunësisë, por për qëllimet e tyre të caktuara. Ku janë gazetarët e Kosovës këto ditë që nuk e bëjnë një pyetje në lidhje me këtë çështje. Pse nuk organizohen fushata fjalimesh, debate, konferenca e simpoziume për këtë çështje, e cila në të ardhmen do të jetë problem më i madh i shqiptarëve në Ballkan dhe më gjerë. Fjalimet pompoze për respektin dhe dashurinë ndaj Amerikës duhet treguar me vepra e jo me fjalë. Edhe këtu në Shtetet e Bashkuara disa politikanë amerikanë shumë herë për interesa personale flasin për dashurinë e madhe të shqiptarëve për Amerikën.

Shqiptarët kanë detyrime të mëdha morale dhe materiale për Shtetet e Bashkuara, sepse ky vend bëri më shumë për Kosovën se asnjë vend tjetër. Vajtja e terroristeve shqiptarë atje nuk arsyetohet në asnjë kohë dhe në asnjë rrethanë.

Zotëri të nderuar, perëndimorët nuk janë aq navivë. Ata mund të kenë lindur natën, por jo natën e kaluar, thotë një fjalë e urtë amerikane. Ndërsa një fjalë e urtë shqiptare thotë: ”Minarja nuk hyn në thes”.

(Autori është ish-gazetar i “Zërit të Amerikës”, aktualisht botues e biznesmen në New York)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora